• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

NDERIMI I GJON MILIT NË TAKIMIN E 12-të NË FRANCË-1952

June 29, 2021 by dgreca

1952 / KUR GJON MILI NDEROHEJ NË “TAKIMIN E DYMBËDHJETË NDËRKOMBËTAR TË FOTOGRAFISË” NË FRANCË – REAGIMI KUR PA FOTOGRAFINË E MACES SË TIJ “BLACKIE”.

Nga Aurenc Bebja*, Francë /

“American Photographer” ka botuar, në dhjetor të 1981, një shkrim special për fotografin e njohur shqiptaro-amerikan Gjon Mili, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

Raport nga Provence (Francë)

Arles, Francë – Në 1952, Gjon Mili udhëtoi në çdo cep të Provence për të bërë një ese për revistën Life; këtë vit, ai u kthye si i ftuar nderi në “Takimin e dymbëdhjetë ndërkombëtar të fotografisë”, ku fotografët mblidhen gjatë gjithë verës për ekspozita, prezantime dhe seminare studentore. 

Për Milin ishte një përvojë mbresëlënëse dhe shumë nga miqtë e tij (përfshirë Henri Cartier-Bresson, i cili rrallë merr pjesë në evenimente të tilla) bënë një përpjekje të veçantë për të qenë me të.

Puna e Milit u prezantua një mbrëmje në pjesën e jashtme të teatrit antik romak. Në shfaqjen e imazheve të tij në atë ekran gjigant dhe veçanërisht ai i maces së tij Blackie, fytyra e Milit rrezatoi. Në përfundim të prezantimit, ai u gjet përballë një turme të madhe dhe me hezitim qëndroi për të pritur duartrokitjet e audiencës. I pyetur nëse ndihej shkëlqyeshëm, Mili u përgjigj në mënyrë tipike të matur : “Jo, por ndihem më mirë.” — A.W.

  • E dergoi per Diellin, autori- (Blogu © Dars (Klos), Mat – Albania)
  • https://www.darsiani.com/la-gazette/1952-kur-gjon-mili-nderohej-ne-takimin-e-dymbedhjete-nderkombetar-te-fotografise-ne-france-reagimi-kur-pa-fotografine-e-maces-se-tij-blackie/. 

Filed Under: ESSE Tagged With: Aurenc Bebja, France 1952, GJON MILI

Meditime të Markus Aurelius

June 4, 2021 by dgreca

Nga Astrit Lulushi-Jo të gjithë njerëzit e fuqishëm janë të mëdhenj. Kaq gjë na e mëson historia, se askush nuk e di se çfarë do derisa t’i plotësohet dëshira. Marcus Aurelius ishte perandor romak, i quajtur perandor i madh. Ai ishte edhe filozof, dhe asnjëherë nuk pushon të na habisë me Meditimet e tij.

“Të gjithë e duam veten më shumë sesa duam të tjerët, por kujdesemi më shumë për mendimet e të tjetëve sesa për mendimet tona.”

Lexoni deri në fund për të tjera citime – ai ka shumë prej tyre.

Marcus Aurelius në shumë mënyra ishte perandor i përsosur – i disiplinuar, i matur, i përkushtuar, i përulur. Atje ku shumë perandorë iu nënshtruan dëshirave, Marcusi stoik mbeti imazh i moralit dhe virtytit. Arritjet e tij, fatkeqësisht, janë të pakta; jo për shkak se ishte i mirë a i zoti, por për shkak natyrës së ngjarjeve që shoqëruan mbretërimin e tij 19-vjeçar.
Perandori Hadrian – një tjetër perandor i madh – kishte kohë që e shihte Marcusin e ri si pasuesin në fron. Ndërsa shëndeti i Hadrianit filloi të bjerë, u bë e qartë se ai nuk do të jetonte aq kohë sa të shihte Marcus të arrinte moshën e rritur. Përvojat e mëparëshme kishin treguar se perandorët e rinj në moshë kishin qenë gjithmonë autokratë e plot vese.
Kështu, Hadriani zgjodhi një Senator të quajtur Antonious për në fron me kusht që të kujdesej për të riun Marcus dhe një djalë tjetër të quajtur Lucius të cilët kur të rriteshin të zinin postin e perandorit. Antonious pranoi.
Gjatë qeverisjes Antonious nuk ngriti monumente madhështore, por ndërtoi rrugë dhe porte tregtare. Ai nuk komandoi legjione për të pushtuar toka të reja, por siguroi paqen përmes diplomacisë kudo që të mundte; nuk shpenzoi shuma të mëdha nga thesari Perandorak por e ruajti atë dhe dhuroi nga pasuria e tij personale.
Antonious do të qëndronte në Romë si perandor për 20 vjet – dhe gjatë gjithë kohës përgatiste të rinjtë Marcus dhe Lucius për këtë detyrë. Por fakti që Antonious nuk doli kurrë nga Roma i la djemtë e adoptuar pa ndonjë përvojë ushtarake.

“Së shpejti do të bëheni hi e kocka. Më së shumti mund të lini pas një emër – dhe atë vetëm si jehonë a tingull. Gjërat që duam në jetë janë boshe, pashije e  pavlerë.”

Ndërsa djemtë hynë në moshë madhore, u bë e qartë se kush do të bëhej perandor dhe kush jo. Marcus ishte i përkushtuar, i shkathët dhe i mençur ndërsa Lucius kënaqej duke pirë e festuar çdo natë. Sidoqoftë, Marcus vazhdoi ta mbështeste vëllain e tij dhe të dy mbetën të lidhur me njeri-tjetrin. Marcus ishte i zellshëm kur bëhej fjalë për të medituar dhe do të vepronte në përputhje me bindjet e tij gjatë gjithë jetës. Ai do t’i regjistronte mendimet në një ditar personal – pa qëllim për ta botuar – që ne e quajmë “Meditime”. Këtu kemi një vështrim të shkurtër për njeriun prapa fronit – i mençur, i vendosur dhe i paepur – që e shihte pozitën si përgjegjësi dhe jo si mjet për të lartësuar veten e për t’u pasuruar.

“Ju keni pushtet mbi mendjen tuaj – jo mbi ngjarjet. Kuptojeni këtë dhe do të gjeni forcën”.

Kur Antonius vdiq në vitin 161, Marcus u bë perandor. Në shtratin e vdekjes, Antonious nuk foli për gjithçka që kishte bërë, por përkundrazi, renditi mbretërit e huaj që i kishin bërë atij padrejtësi. Kryesori mes tyre ishte mbreti Parthian i cili ishte zhvendosur kohët e fundit në Armeni dhe rrëzoi mbretin kukull romak në favor të një mbreti kukull parthian. Ndërsa Marcus u bë perandor, ai kishte kërcënimin e luftës mbi kokë, dhe fjalët e fundit të të atit të adoptuar dhe mësuesit të tij me siguri i kumbuan në veshë. Marcus do të caktonte vëllain e tij Lucius në fron, duke e bërë atë bashkë-perandor.

“A nuk shkëlqen drita e një llambe derisa digjet? Pse nuk duhet të shkëlqejë e vërteta, drejtësia dhe vetëkontrolli juaj derisa të shuheni?”

Marcus ishte fuqia e vërtetë prapa fronit, por zgjodhi të lartësonte Lucius.
Së pari, Marcus u përpoq të negocionte me parthianët. Këta nuk pranuan. Pas kësaj, forcat parthiane pushtuan provincën romake të Sirisë.
U vendos që Lucius të dërgohej në Siri për të trajtuar personalisht problemin. Lucius ishte më i ri dhe me shëndet më të mirë se Marcus, dhe gjithashtu duhej të shkëputej nga argëtimet e Romës.

“Gjithçka që dëgjojmë është opinion, jo fakt. Gjithçka që shohim është perspektivë, jo e vërtetë”.

Lucius do të sillej në mënyrë të admirueshme në vitet e ardhshme. Ai do të organizonte përgjigje ushtarake që i detyroi parthianët të zmbrapseshin nga territori Romak dhe më pas Romakët të pushtonin Parthian.

“Shpirti merr ngjyrën e mendimeve”, do të shënonte Markus në fletoren e shënimeve.

Fisi gjermanik Marcomanni kishte tradhtuar Romën dhe filloi të sulmonte territorin romak në mes të viteve 160. Marcus do të detyrohej të drejtohej drejt Galicisë dhe të merrte komandën e ushtrisë romake. Lucius do të vdiste menjëherë pas kësaj duke e lënë Marcusin të vetëm në fron.
Marcus mori komandën e legjioneve Veriore në 169 dhe filloi të luftonte Marcomanin. Shumë mund të pyesin pse Marcus nuk caktoi një gjeneral për t’u marrë me këtë çështje. Por nëse një gjeneral kishte legjione të mjaftueshme për të luftuar kundër hordhive gjermane, ai do të kishte legjione të mjaftueshme për të marrë fronin e perandorit. Kjo kishte ndodhur sa e sa herë më parë – i forti sundonte, jo i drejti.

“Në vazhdën e kohës jeta e njeriut zgjat vetëm sa një pikë”.

Marcus ishte popullor mes Senatorëve dhe elitave të Romës, por ishte jopopullor në mesin e ushtrisë. Si rezultat, ai perceptohej si i dobët e frikacak, dhe legjionet mund të caktonin në fron dikë që e shihnin më të guximshëm.

“Mos lejoni kurrë që e ardhmja t’ju shqetësojë. Ju do ta takoni atë nëse keni nevojë, me të njëjtat armë arsyeje që jeni armatosur për të tashmen”.

Ndërsa Marcus filloi të luftonte me gjermanët, ai përdori dinakërinë e tij dhe i sprapsi mjaft shpejt. Në vend që thjesht të paguante një haraç për paqen dhe të vazhdonte më tej, Marcus synoi ta shkatërronte kërcënimin gjerman. Ata kishin sulmuar provincat romake për dekada dhe përbënin rrezik të vazhdueshëm për perandorinë. Marcus do ta pushtonte Gjermaninë dhe do të fillonte të ndiqte dhe shkatërronte fiset në zonë.

“Hakmarrja më e mirë është të veprosh ndryshe nga ç’mendon kundërshtari”.

Kjo ishte shumë më lehtë të thuhej sesa të bëhej. Kishte shumë gjermanë dhe ata nuk ishin të huaj në konflikt. Nëse do të shihnin Romakët që vinin, ata thjesht mblidhnin fshatin e drejtoheshin më në lindje dhe lufta kthehej në një luftë tërheqjeje. Të 11 vitet e mbetura të mbretërimit 19-vjeçar, Marcus do t’i kalonte duke udhëhequr legjionet kundër fiseve gjermane. Ai do të tërhiqte me vete djalin e tij të ri dhe bashkë-perandor Commodus për ta mësuar në të njëjtën mënyrë si atë vetë e kishin mësuar. Marcus pa pak Lucius në Commodus dhe kjo e shqetësoi. Commodusit i pëlqente të pinte dhe kishte krijuar emër të keq. Marcus kishte shpresuar se jeta në front dhe mosha do t’i zbusnin këto vese, por fatkeqësisht kjo nuk ndodhi.

“Vdekja na buzëqesh të gjithëve, por gjithçka që njeriu mund të bëjë është t’i buzëqeshë asaj”.

Në shtratin e vdekjes në vitin 180 Marcus do t’i lutej djalit të tij që t’i jepte fund luftës kundër gjermanëve. Commodus refuzoi, duke u bërë një nga perandorët më monstruozë në historinë e Romës. Mjerisht, trashëgimia më e madhe e Marcus lidhet me atë të djalit të tij. Po të mos kishte qenë Marcus, Roma nuk do të ishte dashur kurrë të duronte vështirësitë që pësoi nën Commodus, i cili do ta falimentonte perandorinë, duke luftuar me paaftësi, dhe si një gladiator do të vriste brutalisht njerëz të pafajshëm, do të kundërshtonte me dhunë Senatin, dhe do të shkaktonte grindje të madhe të brendshme.
Mbretërimi i Komodus ishte katastrofë, aq i pandërgjegjshëm saqë shënoi fillimin e viteve në rënie të Perandorisë Romake. Ai ishte i keq sa Marcus ishte i mirë.

“Nuk është vdekja nga e cila duhet të kemi frikë, por është frika që duhet të kemi se kurrë nuk mund të fillojmë të jetojmë”. (Meditime, Marcus Aurelius).

Filed Under: ESSE Tagged With: Astrit Lulushi, Markus Aurelius, Meditime

“Ditë t’ Atdheut t’ mjeruem”

May 29, 2021 by dgreca

Shkruan: Astrit Lulushi/

Shqipëria është sa një pikë në hartën e botës. Kjo është arsye që çdo valë e çfarëdollojshme ideologjie e përfshinë atë; është efekti i mbytjes me një gotë ujë, që njeriu e gëlltit dhe mëson se po mbytet vetëm kur mbytet; si në vitin 1990, kur të gjitha vendet e Europës Lindore, dhe vetë Bashkimi Sovjetik, e braktisën komunizmin, ndërsa Shqipëria e mbante fort shtrënguar për të mbrojtur interesat e asaj udhëheqjeje. 
Në rreth 100 vite ekzistencë, shteti i ka provuar të gjitha teoritë politike e format qeverisëse që botës i është dashur t’i kalojë në një mijë vjet.
Pas 3 dekada shpresash – në një botë me kombe që zhvillohen e përparojnë – Shqipëria ende nuk e di se cili është drejtimi nga duhet të shkojë, shikimin e mban mbrapa. Dhe Bota e ka vendosur se çfarë duhet bërë me këtë shtet bufon që merr poza groteske të një superfuqie: Të përkrahë një qeveri që ka dorë të hekurt për ta bërë njeriun të heshtë; dhe ka zgjedhur të mbështesë një qeveri me prejardhje të errët e përvojë komuniste, duke ia dorêzuar popullin shpërdoruesit më famëkeq të lirive, të drejtave dhe pushtetit; kështu bën të njëjtin gabim si më 1945, kur e braktisi. Oh popull – nëse ke frikë nga vdekja, vdis tani. Duke vdekur një herë nuk do vdesësh më. Ti nuk do ta dish se çfarë vjen; ky është dënim me vdekje, është vrasje për ty. Diktatura nuk durohet përsëri – jo pa kaluar të paktën disa breza – është si në një jetë të vritesh dy herë. 
“U hesht Shqypnija; skutavet Shqyptari
U struk, tue pritun me felgrim në zemer
Ma t’ mbramen, ofshe!
Ditë t’ Atdheut t’ mjeruem”.
(Lahuta e Malsis, At Gjergj Fishta)

Filed Under: ESSE Tagged With: “Ditë t’ Atdheut t’ mjeruem”, Astrit Lulushi

Poezia koloristike e artistit kosovar Hajdar Danjolli shpaloset në Vlorë

May 26, 2021 by dgreca

NGA GEZIM LLOJDIA/

1.Promenade Gallery  me qendër në qytetin e Vlorës me kurator piktorin Artan Shabani  ka nderin të prezantojë nga datat 30 maj deri në 30 qershor 2021 ekspozitën e parë vetjake të artistit shqiptar Hajdar Danjolli. Artisti përmes teknikës në tekstil sjell pjesë nga seritë akuareleve dhe temperave mbi letër, të cilat prezantohen në një shumëllojshmëri skenarësh, nga veprat për muzeume kombëtare deri tek printimet origjinale në basma. Këto vepra konsiderohen të rralla dhe pjesa më e madhe e tyre ekspozohen për herë të parë në një hapësirë ekspozuese.

2.

Thellë në veten teme flejnë kangët e pakëndueme 

te cilat ende vuejtja as gezimi s’i nxori, 

të cilat flejnë e presin një ditë ma të lumnueme 

me shpërthye, m’u këndue pa frigë e pa zori.

O kangët që fleni reliktet e mia 

q’ende s’keni prekun as një zemër te huej, 

vetëm unë me ju po kënaqem si femia 

unë djepi juej; ndoshta vorri juej.

(Kanget e Pakëndueme    Migjeni)

2.

Si kangë të fjetuna në sundukun e artistit zbulojmë si fëmija që takllon në kapakun e drurit i cili nuk hapej prej kohësh shkruan kuratori Artan Shabani  për ekspozitën e artistit kosovar .Fëmijës i lëbyren motivet mbi letër si ajo kangë Migjeniane, që me vargjet e pikturuara kërkon tingujt e honeve dhe të bjeshkëve të Malcis, fëmija shpërball koloritin familjar me kangët, që flenin në reliket e artistit. Këto kangë mbi letra “Palladio” vijnë me lulzue në ekspozitën vetjake ”E kaluara nuk ka kaluar” (The Past has not Passed)  . 

3.

Artisti Danjolli (lindur në Kukës më 1954) është një artist, që i përket të dy periudhave, ajo e artist të angazhuar dhe periudha mbas viteve ’90, ku Danjolli mban një qasje bashkkohore dhe e vendos trajtimin e tekstilit brenda tablosë, ku gjen hapësirën e përshtatëshme për të vendosur ritmin e motiveve, të cilat i vijnë si një mozaik i pasur nga trevat e Shqipërisë.

Në periudhën bashkohore artisti i sendërton motivet brenda kostumeve dhe madje edhe në peizazhin e alpeve të veriut, ku shpesh artisti turmirej në ato kulla alpine. Danjolli i përfundon studimet në vitin 1978, ku dhe diplomohet si piktor i specialitetit të tekstilit në Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë. Ai ka qënë i angazhuar në specialitetin tekstil si pedagog në ILA në Tiranë (Atelje e Tekstilit, 1983-1987) dhe deri pak kohë më parë ka qenë mësues i specialitetit të tekstilit në Liceun Artistik “Jordan Misja”, Tiranë, ai ka qenë dhe mbetet i angazhuar në veprimtaritë artistike e kulturore. Të shumta janë ekspozitat dhe po aq të vlerësuara mbeten prezantimet e kolegëve të tij, të cilët janë shprehur mbi kërkimin e stërholluar të veprës së tij.

4.

Prof. Asoc. Dr. Agim BIDO shkruan, Krijimtaria e Danjollit na shfaqet jo vetëm mjaft interesante në thelbin e përpunimit stilistik, por edhe e pasur në linja shprehëse vizatimore, kompozicionale e sidomos koloristike. Danjolli arrin të ndërthurë kompleksitetin etnografik të malësive veriore të trojeve shqiptare, me një performancë vërtet të veçantë dhe cilësore. Veprimtari e rëndësishme e piktorit është edhe realizimi i projekteve piktorale të tekstileve me qëllim plotësim objektesh nëpër muze të ndryshëm historikë dhe etnografikë dhe në këtë kuadër edhe aranzhimi i atyre muzeve.

5.

Kuratori: Artan Shabani: Arti i tekstilit është një nga më të pasurit për sa i përket teknikës dhe larmisë tematike dhe kulturore, historia dhe zhvillimi i këtij zhanri ështe i lidhur ngushtë me kulturat në të gjithë botën për breza të panumërt.Artisti e kërkon këtë ngjizje midis të vjetrës dhe së resë. Në 50 vitet e fundit ai ka punuar kryesisht me tekstile, duke i realizuar të gjitha me dorë. Për Danjollin procesi i bërjes së tekstileve në punën e tij është i rëndësishëm, sepse ai mendon, se punimi i realizuar me dorë duket se nuk ka presionin në kohë. Frymëzimet e tij vijnë kryesisht nga përvojat me etnografinë shqiptare, por edhe nga shumë udhëtime nëpër trevat e vendit dhe veçanërisht ajo e Gjakovës. Puna dhe jeta e tij janë të përziera më së miri me temat e tekstileve, është i shtyrë nga ndjeshmëria, misticizmi, heshtja, eksperimentimi dhe përjetësia. Së pari, krijimi i artit te tektilit për Danjollin është një nevojë e brendshme për të hyrë në një gjendje uniteti, në këtë gjendje ai komunikon me botën përreth tij.Karriera e artistit Danjolli, i cili jeton dhe krijon në Tiranë ka zgjatur për pesëdhjetë vjet, duke demonstruar shkallën në të cilën ai mbetet i rrënjosur fort në botën e arteve të tekstilit. Puna e tij është bërë nga miniatura të shumta përgatitore.

Artisti dhe kolegu i tij, Xhevahir Kolgjini shprehet, Veprat e Danjollit sjellin ma së shumti nji qëndrim në plan etnografik të zonave shqiptare, të përcaktueme qartë si veriore e të profilizueme simbas nji tematike e motivesh që shtjellojnë problematikë të gjanë e të larmishme. Në këtë kandveshtrim, krijimtaria e Danjollit na shfaqet këtu jo veç e përpunueme stilistikisht, por edhe e pasun në linja shprehëse vizatimore, kompozicionale e sidomos koloristike. Danjolli arrin me ndërthurë kompleksitetin etnografik të malsive veriore të trojeve shqiptare me nji performansë vërtet të rrallë.

6.

Poezia koloristike e Danjollit ështe si ato këngët të cilat jehonën e kanë në vendin ku njeriu i ka gdhëndur bashkë me natyrën dhe në ajrin e bjeshkëve shqiptare, Danjolli ështe një arkeolog i motiveve shqiptare dhe veçanërisht i xhubletës dhe veshjeve krahinore, ai e ka vendosur në tatuazhin e kulturës kombëtare emrin e tij, ai e ka realizuar këtë punë me një modesti të cilën e gjen vetëm nga kultura e dijes, vlen të përmendim edhe punën e shkëlqyer të dokumentuar dhe të shkruar nga emra të rëndësishëm të kulturës shqiptare, janë shumë studime për veshjet kombëtare shqiptare në viset etnike, e në veçanti ato në Kosovë, është shkruar dhe punuar shumë, sidomos nga Rrok Zojzi, Mark Krasniqi, Mark Tirta, Andromaqi Gjergji, Afërdita Onuzi, Ikbal Bihiku, Maks Velo, Drita Statovci, Ukë Xhema, Shpresa Siqeca e shumë të tjerë.

7.

Nga literatura për veshjet kombëtare shqiptare të autorëve të përmendur, se në viset etnike shqiptare, deri më tash janë të njohura së paku 140 forma të ndryshme veshjesh popullore, të realizuara në më se 5000 tipe e varianta, të cilat janë të grupëzuara sipas gjinisë në zona të ndryshme etnografike. Danjolli mbetet i lidhur shpirterisht me ciklin e Tekstilit, vëzhgon me interes të veçantë motivet e veshjeve shqiptare dhe i analizon në aspektin struktural, morfologjik, artistik, funksional, tipologjik e historik. Frrok KRISTAJ shprehet, se “Historitë e popujve të tjerë gjenden përgjithësisht të gdhendur në gurë, ndërsa historia jonë është e qëndisur në xhubletë.” Në veprën e Danjollit historia vjen e pikturuar me një frymë krijuese të pa ndërprerë ashtu si në poezinë e Migjenit….Prodhimi shqiptar i pëlhurave, si dhe qilima, dizajni i tekstil dhe lloje të tjera të arteve dekorative, mbeten të lidhura ngushtë me kujtesën dhe me historinë e artit shqiptar. Në një dimension më të përgjithshëm është ndikuar ndër shekuj nga ndryshimet e shijes së qytetërimit artistik shqiptar nga veriu deri ne jugun e vendit dhe për këtë arsye ekspozita e Danjolli kthen në qendër të vëmendjes një trashëgimi të përbashkët, të pabesueshme në cilësi dhe sasi – e cila duhet të vlerësohet, promovohet, mbrohet dhe mbi të gjitha t’u tregohet brezave të ardhshëm.

Punimet e Danjollit mund të gjenden në koleksionet e përhershme të muzeve të galerive kombëtare të Kukësit, Tropojës dhe më pas në shumë koleksione publike dhe private.

Filed Under: ESSE

ZEUSI

May 24, 2021 by dgreca

Nga Astrit Lulushi/

Zeus është ekuivalenti grek i Amun Ra i panteonit egjiptian. Por, a ishte Zeusi i frymëzuar nga egjiptianët e lashtë, apo ishte ai më shumë një At Qiellor i panteonit indo-evropian?
Emri “Zeus” rrjedh nga rrënja Proto Indo-Evropiane “dyeu”, që do të thotë “ndriçim” dhe nga fjala “deos”, që do të thotë “zot”. Kjo e fundit është e njëjta fjalë që formon bazën e greqishtes “theos”, të latinishtes “deus”, të persishtes “daiva” dhe të sanskritishtes deva. Në greqishten e vjetër, emri “Zeus” mund të jetë kuptuar ose si “zot i dritës”, ose “zot i qiellit” nga vjen “ndriçimi”. Mitologjia dhe fuqitë e saj janë të ngjashme me ato të hyjnive indo-evropiane si Jupiter, Perkunas, Perun e Perëndi.  Pra, emri e lidh Zeusin  me traditën indo-evropiane.
Çfarë ishte Zeusi për helenët?
Zeus ishte udhëheqësi i perëndive të lashta; hyjni e fuqishme që urdhëronte me shkop fatet e njerëzve dhe perëndive nga maja e malit Olimp. I njohur si “mbledhës i reve”, Zeusi u lëshonti rrufe armiqve, kontrollonte motin dhe vendoste rendin mes perëndive.
Fuqia e Zeusit njihte edhe kufizime. Ndërsa ishte kryesori mes perëndive, autoriteti i tij nuk mbeti kurrë i pakontestueshëm. Ai gjithashtu kishte pjesën e tij të të metave, të tilla si dështimi për t’u ngritur mbi pasionet e dhunëshme dhe mbi grindjet që shqetësonin perënditë e tjera, si dhe prirjen për t’u përzier në punët e njerëzve. Si rrjedhim, madhështia e tij u kundërshtua fort, dhe gjithnjë e më fortë u karakterizua nga të njëjtat përçarje të hidhura dhe hakmarrje që pllakosën njerëzit të cilët e krijuan.
Si Zot suprem, Zeusi luajti rol në krijimin e njerëzimit, megjithëse burimet bien ndesh në lidhje me atë se si erdhën saktësisht njerëzit.
Ekzistojnë dy histori të njohura të krijimit dhe nuk është plotësisht e qartë se si lidhen ato me njëra-tjetrën; historia e parë karakterizohet nga shumë krijime të ndara, secila pretendon një epokë të veçantë të njerëzimit. Sipas Ovidit, ekzistojnë katër epoka: Epoka e Artë, Epoka e Argjendt, Epoka e Bronzit dhe Epoka e Hekurit. Hesiodi u shtoi një të pestë – Epokën Heroike, që bie midis epokës së bronzit dhe hekurit.
Miti i dytë i krijimit përfshinë aleatin e Zeusit, Titanin Promete. Një ditë Zeusi e udhëzoi Prometeun të krijonte njerëzit e parë; Prometeu i formoi nga balta dhe vajza e Zeusit, Athina, u dha shpirt. Gjithçka ishte mirë derisa Prometeu mashtroi Zeusin mbi flijime kafshësh, duke siguruar që perënditë të ishin privuar përgjithmonë nga ngrënia e mishit të kafshëve të flijuara. Nga kjo Zeusi i zemërua dhe ua mori zjarrin njerëzve, vetëm që Prometeu ta vidhte përsëri dhe t’ua kthente atyre. Ky është një kombinim i elementeve indo-evropiane (njeriu nga balta, fryma e jetës, njerëzit që nuk tregojnë respekt) dhe mania me teknologjinë, të gjitha ndodhën për hir të zjarrit (elementi më i rëndësishëm teknik i njerëzve të parë)
Është mjaft e qartë edhe se kush ishte krijuesi i Zeusit.
Amun-Ra ishte i lidhur me Zeusin më vonë në periudhën greke, pasi Zeusi herë pas here lidhet me perëndinë helene të diellit, Helios, i cili ndonjëherë ose referohet drejtpërdrejt si syri i Zeusit, ose nënkuptohet qartë si i tillë. Hesiod, për shembull, e përshkruan syrin e Zeusit si Diell. Ky perceptim rrjedh ndoshta nga feja e hershme Proto-Indo-Evropiane, në të cilën Dielli herë pas here shihet si syri i Dyus Pḥter (Zot At).
Dyeus konsiderohet nga studiuesit sot si perëndia më e rindërtuar e panteonit indo-evropian, pasi formula identike që i referohet atij mund të gjenden midis gjuhëve të mëpasme indo-evropiane dhe miteve tek indo-arianët, hititët, latinët, grekët, frigasit, mesapët, trakët, ilirët dhe shqiptarët.

Filed Under: ESSE Tagged With: Astrit Lulushi, Zeusi

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 206
  • 207
  • 208
  • 209
  • 210
  • …
  • 606
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT