• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Vehbi Skënderi dhe bija e tij e poezisë…

May 24, 2021 by dgreca

NGA VISAR ZHITI/

Kohët e fundit është botuar në Tiranë vepra “Kartela të Realizmit të Dënuar” me autor Visar Zhitin, nga botuesi “Uegen”, nën kujdesin e shkrimtarit dhe studiuesit Xhevair Lleshi. 

       Kjo sprovë e gjerë letrare, rezultat i një pune shumë vjeçare, na sjell “letërsinë tjetër”, kur zyrtarisht  ushtrohej Realizmi Socialist, me shkrimtarë të paguar nga shteti diktatorial, i cili i konsideronte dhe i trajtonte ata si oficerë të vetin, ndërkohë shkrimtarët kundërshtarë, ata që nuk e donin socrealizmin apo nuk e ushtruan, etj, u komplotuan me heshtje e margjinim, por një pjesë dhe u internuan, u burgosën apo u pushkatuan. U dënuan dhe veprat e tyre, madje dhe lexuesi.

       Këtë gjëmë sjell dhe libri “Kartela të Realizmit të Dënuar”, letërsinë tjetë, që sipas Visar Zhitit solli ato që mungonin, të vërtetat dhe moralin e letërsisë. Vepra ka patur jehonë në media brenda dhe jashtë vendit, në diasporë dhe vazhdon të kërkohet nga lexuesi.

Lexuesit po i sjellim disa faqe nga libri “Kartela të Realizmit të Dënuar” i Visar Zhitit kushtuar Vehbi Skënderit, Elida dhe Skënder Buçpapajt. Ndodh jo shpesh që Zoti i bën bashkë në një familje poetët. Kujtojmë se Vehbi Skënderi është babai i Elidës  dhe vjehrri i Skënder Buçpapajt.

NJË KARTELË NGA MESI:

Vehbi Skënderi 

dhe bija e tij e poezisë…

 …s’po dukej më në faqet e gazetave, as në vitrinat e librarive emri i poetit Vehbi Skenderi. E kanë ndaluar… Ku i kishin çuar, në ç’internim?

Ishte poeti që më jepte kurajo, kur trokisja redaksive për botim e më prapsin.

…bir i një familjeje të një kleriku të njohur nga Korça, nga fshati Strelcë, ku dhe lindi në maj të vitin 1927 dhe aty kreu dhe shkollën fillore. Gjatë Luftës së Dytë Botërore e rrëmbeu me forcë ushtria greke dhe e dërgoi në front, të punonte për rrugët.

Ikën në Tiranë dhe studion në “Medresenë e Lartë” nga vitet 1941-1943, por i ndërpret dhe del malit partizan, të luftojë me armë në dorë pushtuesin. Plagoset dy herë. Dhe shkruante. Boton  së pari në gazetën “Bashkimi” historinë tronditëse të një çami.

Mbas luftës i kthehet gazetarisë, punon në revistën “Miqësia” e më pas në “Hosteni” dhe kalon në “Ylli” dhe me propozim të poetit Lasgush Poradeci, në vitin 1950 pranohet anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe në vitin 1953 nxjerr librin  “Këngët e para”. Më pas “Vjersha”.

Përfundon studimet e larta në Universitetin e Tiranës në vitin 1961, diplomohet për gjuhë dhe letërsi shqipe dhe boton librat “Fletë nga ditari im” (1964), “Vazhdim i një bisede” (1971), “Vdekja e Ofelisë” (1971), vjersha, poema, antologji, etj. Ndërkaq është bërë redaktor i poezisë në shtëpinë e vetme botuese “Naim Frashëri”, kur ka filluar përplasjet ideore me regjimin, madje dhe hapur, kur me një grup intelektualësh të njohur si profesor Selman Riza, kolonel Dilaver Radëshi, historiani Zija Shkodra, etj. përgatisin një “Brigadë shtypi”, por partia do e cilësonte si veprimtari armiqësore, nacionaliste, ngrinin çështjen e Kosovës, duke e parë atë si pjesë të robëruar të atdheut dhe kështu nisin kundër tyre senanca gjyqesh absurde dhe të ankthshme. Dënohet grupi dhe me burgje.

Poeti Vehbi Skënderi shpallet “i ndaluar”, hiqet nga Partia dhe e dëbojnë nga Tirana, e dërgojnë larg të punojë si punëtor krahu në digat e hidrocentralit të Vaut të Dejës. Kalojnë 5 vjet dhe “puna korrektuese” vazhdon, në kantiere të tjera.

Viti 1973 do të jetë fatal për letrat shqipe. Pleniumi IV i Partisë dënoi liberalizmin në art, “ndikimet e huaja revizioniste dhe borgjeze”, atë pakëz pranverë shqiptarë, që u tha shpejt. U dënuan autorë dhe vepra dhe u ridënuan të dënuar. Vehbi Skënderin e internojnë, e dërgojnë familjarisht në një fshat pas Malit të Dajtit. Do të donte të vriste veten, por kishte gruan dhe vajzën e tij të vetme, që po ndjehet jetime me babanë gjallë, se kishin filluar ta shihnin shtrembër e me dyshime dhe atë, si me “biografi të keqe”.

Pas 10 vjetësh përndjekje Vehbi Skënderi mundi të kthehet në Tiranë, i plakur befas duke punuar në Kombinatin Poligrafik fillimisht si hamall..

Vajza, Elida Skënderi, do të ishte një nxënëse e shkëlqyer, e donte poezinë dhe po shkruante si i ati. Por ajo s’mund të botonte si ata të rinj e të reja “me biografi të keqe”, që madje ndodhte të shaheshin dhe rrugëve nga militantët e gjimnazeve, të edukuar me frymën e re të luftës së klasave.

Mbaron shkollën e mesme dhe bën gati librin e saj të parë me poezi “Vij”. Jo libri që s’mund të botohej, por nuk e lejuan as të vazhdojë universitetin, por e derguan të punojë punëtore në fabrikën e pllakave dhe në Varrezën e Sharrës. Megjithatë shkruante prapë dhe mësonte gjuhë të huaja në kujdesin e babait dhe të gjuhëtarit, përkthyesit të shkëlqyer, mistikut Petro Zheji.

Mbas vdekjes së dikatorit Enver Hoxha në vitin 1985, Elidës i jepet e drejta të japë provime në shkollën e lartë, pa u shkëpur nga puna, në fakultetin e gjuhës dhe letërsisë shqipe, pasi kishte dhënë me shkrim një dëshmi se “kishte talent” kryetari i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve, Dritëro Agolli.

Elida kryen universitetin brenda tre vjetëve. Babai i saj, poeti i ndaluar Vehbi Skënderi, merr disa poezi, jo të vetat, por të së bijës tani dhe shkon në gazetën “Drita”, kërkon që të botohen. Aty ishte redaktor poeti, tashmë i njohur, Skënder Buçpapaj. Vinte nga bjeshkët e Tropojës, i gjatë dhe i heshtur si ato, se ç’kishte dhe ai në biografi, thoshin, por në “vitet e liberalizmit” e lejuan të studiojë në Institutin e Lartë Pedagogjik në Shkodër, ku dhe e njoha, unë sapo e mbarova dhe më dërguan mësues fshatrave të Kukësit e ai sapo e filloi.  Prapë me një letër nga Kryetari Dritëro Agolli, Skënder Buçpapaj çohet të kryejë studimet në kryeqytet, në Tiranë, kur kishte botuar ndërkaq librin e parë me poezi, “Zogu i bjeshkës”, 1973, i pritur mjaft mirë nga lexuesi dhe kritika.

Poeti Skenderi Buçpapaj do të botonte ciklin e parë me poezi të Elidës, madje dhe përkthime të saj, poezi nga Carl Sundberg etj. dhe do të bëhej bashkëshorti i saj.

Duhej të binte komunizmi, që poetja Elida Buçpapaj të botonte librin e parë me poezi në vitin 1994, ndërkohë do të jetë dhe reporterja e parë si gazetare e “Zërit të Amerikës”.

Pasi emërohet drejtor i Radio-televizionit shqiptar, Skënder Buçpapaj dërgohet si diplomat në Zvicër dhe aty mbeten familjarisht përgjithmonë.

Poeti Vehbi Skënderi rinohet me poezinë e tij, nxjerr përmbledhjet “Hënë e vjedhur” në vitin 2000 dhe “Zvicra, Shqipëria ime” në 2004 “Mirëmëngjes, Shqipëri” në 2009.

Në qershor të 2011 mbyll sytë përgjithmon:në Zvicrën e bukur.

E bija e tij, poetja Elida, do të vazhdonte me poezinë, nxjerr 6 libra, 2 me publicistikë, ndërsa poeti Skënder Buçpapaj do të nxirrte vëllimin poetik “Frikë nga atdheu”, “Vetëm të vdekurit pendohen”, së fundmi librin me poezi “Imgur”

Ata prej vitesh drejtojnë në Zvicër revistën kulturore elektronike “Voal.ch”…

https://www.voal.ch/kartela-nga-realizmi-i-denuar-nga-visar-zhiti/embed/#?secret=qBbIKPrkTI

Filed Under: ESSE Tagged With: Elida Buçpapaj, KARTELA TË REALIZMIT TË DËNUAR, Skënder Buçpapaj, VEHBI SKËNDERI

JETE

May 21, 2021 by dgreca

…jetë që kurrë nuk bëhet ‘non grata’/

Nga Astrit Lulushi/

Ç’duhen rrugët? Për të ecur, ti thua. Por janë anët e tyre të pashkelura, ku mund të ulesh të shlodhesh a të hedhësh shikimin, të ndjesh aromën e luleve të egra, që i bëjnë rrugëtimet të pashlyeshme të vlefshme.
Hap rrugë, lidh qytete, fshatra e kombe të ndarë, vendos edhe ndonjë tarifë që veçse fut përçarje, dhe kaq. Jeta i merr mësimet duke kaluar në vende të pashkelura, dhe kur kthen kokën pas, sheh shkurret që ka hapur, dhe barin ku ka shkelur dhe tregon me mburrje me gisht: “Eshtë udha ime!”
Kjo është Jeta që ia vlen të jetohet; jetë e shqyrtuar e ekzaminuar, që përdor aftësinë për të menduar. Sepse Jeta e pashqyrtuar në thelb është konformiste në përputhje me bindjet kolektive a shoqërore, të cilat njeriu i zbaton pa asnjë dyshim e pyetje – jetë që kurrë nuk bëhet ‘non grata’.

Filed Under: ESSE Tagged With: Astrit Lulushi, jete

MËSUESI YNË I LETËRSISË, JONUZ BLAKÇORI

May 20, 2021 by dgreca

 Nga Agim Xh. Dëshnica-/

Jonuz Blakçori 15 maj 1895- 6 prill 1975/ Kur shtrohej çështja e njësimit të gjuhës letrare dhe ortografisë shqipe, më ka qëlluar të lexoja diskutimet në Sesionin Shkencor të Gjuhës e Letërsisë Shqipe, të Institutit të Shkencave të botura  në Buletinin e Shkencave Shoqërore n. 4 – 1952. Referuesi kryesor, Dh. S. Shuteriqi, me anën e të dhënave statistikore, nxirrte përfundime kundërshkencore rreth dy dialekteve kryesore, ku dialekti tosk dilte mbizotërues. Kam dëgjuar shpesh edhe një mendim tepër të gabuar, se jugorët tanë janë shquar më shumë për penë dhe veriorët për armë. Por,  emra të tillë, që përmend  edhe kritika e huaj, si At Gjergj Fishta, Dom Ndre Mjeda, At Vinçenc Prennushi, At Shtjefën Gjeçovi, Luigj Gurakuqi, Hil Mosi, At Bernardin Palaj, At Donat Kurti, At Justin Rrota, Ernest Koliqi, Migjeni, Arshi Pipa, Martin Camaj dhe shumë të tjerë në Kosovë, kanë një peshë të rëndë kundër atij mendimi. Megjithëse u këndërshtua nga Aleksandër Xhuvani, ky parashtrim shifrash ndikoi më vonë në gjykimin e intelektualëve shqiptarë, me rrjedhoja të dëmshme, kur u desh të pranonin në Kongresin e Drejtshkrimit – 1972, si themel të gjuhës së njësuar shqipe toskërishten, me paksim të dukshëm të fjalëve, zanoreve, paskajores dhe ndërtimeve të mirëfillta shqipe nga veriu. Argumentat qenë të shumta, gjoja patriotike, por siç merrej vesh, vendimi ishte marrë qysh më përpara nga diktatori Hoxha.

Duke dëgjuar në vitin 1946 Prof. Jonuz Blakçori nga Peja, mësuesin tim të gjuhës e të letërsisë në klasën e parë të Gjimnazit të Tiranës, mjeshtër në përdorimin e dialekteve, shpjegues i shkëlqyer dhe kërkues, apo mësuesin e gjeografisë Ahmet Gashin, mahnitesha nga pasuria e gjuhës dhe bukuria e ndërtimit të shprehjeve, si dhe dijeve të tyre, që shtriheshin dhe në zona historie. Në bisedë për tema të ndryshme me Prof. Blakçorin për gjuhën, letërsinë e historinë në studion e tij  me një bibliotekë të  pasur në shtëpinë e vet në rrugën Fortuzi në Tiranë, m’u përforcua bindja, se armën dhe penën e zotëronin njësoj të gjithë, vetëm me një dallim, te ndjenjat atdhetare më të ndezura në veri, që vazhdon dhe sot në Kosovë. Tek shikon fotografinë me fytyrën fisnike, sytë rrezatuese të Prof. Jonuz Blakçorit, shoqërues i Bajram Currit në Europë, dallon paraqitja e shkollarit të mençur në Kolegjin e Shën Mitër Koronës dhe laureatit të Universitetit të Romës. Po ashtu fotografitë me Fan Nolin, apo në krah të djathtë të Avni Rustemit në kryesinë e Shoqërisë Bashkimi në Tiranë dhe në ditët e dhimbjes pas vrasjes me atentat të Avniut, në ballë të rreshtit të vullnetarëve të kësaj shoqërie, shquhej shtati i tij, tip Kosove. Si për shumë vetë, këto fotografi historike, kur botoheshin në kohën e dikaturës komuniste, ose retushoheshin, ose fshiheshin emrat. 

Jonuz Blakçori lindi në fshatin Brojë të Drenicës së poshtëme më 15 maj 1895. Mësimet e para i mori në Pejë. Vijoi gjimnazin në Shkup e më pas shkollën Normale në Elbasan. Pas kësaj, kaloi në shkollën arbëreshe të Shën Mitër Koronës, së bashku me Avni Rustemin. 

Në moshë të re, kur Blakçori jetonte  në Kosovë, mori pjesë në lëvizjen kombëtare duke shpërndarë trakte e gazeta në përkrahje të  kryengritjeve shqiptare në Kosovës. Disa herë atij iu desh të ndërpriste mësimet për të marrë pjesë në veprime për mbrojtjen e kufijve të Shqipërisë së cunguar padrejtësisht më 1913 nga Konferenca e Ambasadorëve në Londër. Në përkrahje të Kongresit të Lushnjës dhe Qeverisë së saj, ai merr pjesë në Luftën e Koplikut të vitit 1920, kundër agresionit jugosllav. Në Koplik Blakçori dhe patriotët e tjerë mblodhën dhe dërguan vullnetarë  edhe në  Luftën e Vlorës. 

Në vitin 1923 Jonuz Blakçori mbaron studimet për pedagogji, gjuhë dhe letërsi në Universitetin e Romës. I pajisur me kulturë të gjerë, zotërues i italishtes, frëngjishtes, turqishtes e sërbokroatishtes, kthehet në Shqipëri. Në atë vit emërohet inspektor arsimi në Berat. Mandej dërgohet mësues në fshatrat e Kurveleshit dhe të Tepelenës i ngarkuar  me detyra për hapje shkollash të reja, i mirëpritur nga prindët, duke lënë kujtime të këndëshme te nxënësit e atyre viseve. Krahas përgatitjes së teksteve dhe mësimdhënies, ai u mor edhe me studimin e dialektit vendas dhe mbledhjen e folklorit të pasur lab si, këngë, fjalë të urta, përralla, gjëegjëza, etj. Në vitet 1923 – 1924, disa nga këto studime i botoi në të përkohëshmen “Revista Pedagogjike” në Tiranë.

I miqësuar me Avni Rustemin qysh në shkollën arbëreshe, Blakçori pati pranuar idetë e demokratëve për edukimin e popullit me kulturë europiane, për përmirësimin e jetës në fshat, etj. Siç dihet, këto ide të intelektualëve patën marrë udhë me krijimin më 25 prill të vitit 1921 të Federatës Atdheu, dhe më pas, më 13 tetor 1922, të shoqërisë Bashkimi. I zgjedhur në kryesinë saj në vitin 1924, ndodhet në Tiranë. Punon si redaktor i gazetës „Bashkimi“, me ide të larta, si atdheu, liria, uniteti, mbrojta e drejtësisë njerëzore, zhvillimi i ekonomik i vendit dhe i kulturës së popullit, sipas frymës europiane. Për këto ide Jonuz Blakçori qëndroi i patundur dhe besnik gjatë gjithë jetës. Gazeta e ndihmoi të shprehte përveç idealeve të shoqërisë Bashkimi dhe protestat kundër sjelljeve të egra të shteteve fqinj, në Kosovë e Çamëri, me kërkesa për bashkimin e tyre me Shqipërinë. Punon edhe në Ministrinë e Arsimit të Qeverisë së Fan Nolit, me detyrë sekretar i parë. Pas rënies së asaj qeverie demokratike, u internua në Gramsh. Me shpalljen  e amnistisë nga mbreti Zog, u kthye në Tiranë. Falë aftësive dhe kulturës së tij, nderuar nga njerëz të shquar të arsmit e kulturës, ndërmjet tyre nga Hil Mosi dhe Mirash Ivanaj, më 1928 punon redaktor i revistës „Mësuesi” dhe i gazetës „Telegraf“. Pastaj emërohet  drejtor i Bibliotekës Kombëtare dhe mësues në Gjimnazin e Tiranës. Gjatë këtyre viteve do të botonte një studim të hollësishëm për Makiavelin dhe shkrime të ndryshme albanologjike.

Pushtimin fashist të 7 prillit 1939, I pajisur me ndjenja të zjarrta atdhetare, veti e njohur e shqiptarëve, e priti me përbuzje. Duke përfituar, si shumë të tjerë, nga një farë lëshimi i pushtuesve me krijimin e një qeverie shqiptare, të përfolur nga historianët komunistë, vijoi punën e profesorit të gjuhës e të letërsisë shqipe në Shkollën e punës. Më 23 qershor 1941, sipas një dokumenti zyrtar, ministri i arsimit Ernest Koliqi,  ngarkoi një mision për studimin e gjendjes në Kosovë  të arsimit fillor  e të mesëm si dhe rregullimin e kurseve verore të gjuhës shqipe për të mëdhej e të vegjël. Misioni përbehej nga  Ali Hashorva, Jonuz Blakçori, Abdurrahim Buza nga Tirana,  Flora Pali e  Zef Pali nga Shkodra,  Shaban Arra,  Xhavid Nimani e Fadil Haxhihoxha nga Kosova. Aso kohe, ai dha ndihmën e vet për shkollat shqipe në Kosovë dhe shkroi artikuj optimistë, sidomos për rininë e Kosovës kundër dëshpërimit. Mbajti qëndrim të ftohtë ndaj njerëzve, që ishin përfshirë në një politikë të paqartë dhe pa rrugëdalje. Qe i bindur se luftën do ta fitonin aleatët me SHBA në krye. 

Paslufta – më dëshpëruese se lufta

Paslufta, si për mijëra të tjerë, qe më dëshpëruese se lufta. Regjimi komunist i vendosur me armë dhe me ndihmën e dushanëve, zhgënjeu shumë njerëz, që shpresonin për një të ardhme më të mirë. Pas votimeve farsë të vitit 1945, u shpall një republikë, e cila ia mbylli popullit portat rreth e qark, sidomos ato perëndimore. Kjo mbyllje u shoqërua me arrestime e pushkatime figurash të shquara të kombit.

Në bisedë në studio me profesorin, mund të mësoje hollësisht tiparet e shkrimtarëve tanë, duke filluar nga Naimi, Çajupi, Mjeda, Noli, Fishta, Koliqi, Poradeci etj. Fliste me komptencë dhe për poezinë italiane, për Danten, Petrarkën, Foskolon e Manzonin. Pëlqente veçanërisht poezitë e përflakura për atdhe të Xhakomo Leopardit. Pëlqente prozatorët francezë, ndër ta Molierin, Hygon, Gi De Mopsanin, etj. Vlerësonte lart letërsinë turke, sidomos poetët e shekujve 19 – 20, romantikun Abdulla Hamit Torbin dhe kundërshtarin e sulltanit, Tefik Fikret.

Kur niste bisedën për Isa Boletinin, Bajram Currin dhe Hasan Prishtinën, rrëfimi i tij rridhte. Fytyra i gjallëronte nga një shkëlqim i kuqëremtë. Shpesh u tregonte nxënësve episode nga jeta, si dhe portretet e tyre të hijshme. 

Në biseda me miqtë e vet, nëse binte fjala për Avni Rustemin dhe fundin e tij, sytë ia përshkonte një hije trishtimi, që nuk ishte në natyrën e tij. Kur bisedohej për fatin e Kosovës, ai ngrysej dhe merrte pamjen e një luftëtari të armatosur. „Për Kosovën, – më thoshte në intimitet, – asht derdhun gjak, vite me radhë. Ajo asht Shqipni dhe nuk mund të mbetet nën Jugosllavi. Autonomia nuk asht zgjidhje. Kosovës i duhet pavarësia. Unë kam besim, se ajo ditë e bekueme ka me ardhë, sepse Europa dhe Amerika po rishikojnë qendrimet e tyne. Mukja dhe paslufta dëshmuen se nga kjo qeveri dhe nga Rusia nuk duhet me shpresue. Kosova, me hir a me pahir, ka me u çlirue.” 

Herë pas here profesori kujtonte disi me lodhje dramën e jetës së vet aty nga fundi i luftës, kur brigatat partizane ishin afruar në pjesën veriore të Tiranës dhe hynin shpesh edhe në rrugën e Fortuzit. Një brëmje sapo kishte rënë muzgu, pesë partizanë të armatosur u dukën në oborr. Kërkuan profesorin dhe e shoqëruan për te një  vend grumbullimi njerëzish, diku në Tiranë. Ai kishte marrë me vehte, për çdo rast, ushqim dhe një triko. Kur hyri në sallë, pa mjaft vetë të ulur ndër stola. Shumë vetë i njihte, ishin mësues, shkrimtarë, avoketë, tregtarë, etj. Zuri vend aty nga fundi. Midis njerëzve të shqetësuar, vuri re  publicistin e njohur Nebil Çika. Herë pas here shfaqej një ushtarak dhe thërriste një emër. I thirruri dilte dhe nuk kthehej më. Salla herë, mbushej me njerëz të hutuar, e herë dukej sikur zbrazej. Disa çanta, me plaçka e ushqime mbeteshin atje si të harruara. Befas Blakçorit iu afrua një partizan, e pa me vëmendje dhe e pyeti:

– Edhe ju, profesor, këtu!? A po më njihni?

– Jo! – iu përgjegj ai.

– Jam nxënës i juaj, “Çakmaku”! – shtoi tjetri dhe hoqi kapelen.

– Ashtu!? Tash po më kujtoheni. Gëzohem!

– Do prisni pak! – i tha ish nxënësi dhe u largua. 

Profesori pati parandjenjën se fati po e ndihmonte. Gjithë natën e kaloi zgjuar, i lodhur nga mendimet, se për çfarë shkaqesh ndodhej në atë sallë të ftohtë. Në kohën, tek po zbardhte dita e re, atë e kaploi dremitja me ëndrra pa kuptim. U zgjua i shqetësuar dhe priti gjithë ditën. Aty afër mbrëmjes dëgjoi t’i thirrej emri.  

-Je i lirë, mund të kthehesh në shtëpi! – e njoftoi një partizan tjetër.

Ky rrëfim përkon edhe me ato që shkruhen në librin „Antologjia e Krimit Komunist“, botim i vitit 2006: “Diktatori Enver Hoxha, nga Berati udhëzonte: Asgjësoni të gjithë ata që nuk janë me ne, që janë pengesë për të vënë në jetë vendimet e partisë sonë heroike! Veproni pa mëshirë!“. Më tej: “ Sapo binte nata dhe derisa zbardhte dita, skuadrat e vdekjes me lista në duar, vërtiteshin tutje – tëhu, në rrugicat e kyeqytetit, hynin me dhunë në shtëpitë e të shënuarëve, lidheshin me hekura e litarë dhe çoheshin para shtabit partizan, tek i plotfuqishmi Kristo Themelko ( Shuli.)“ 

Në vitin 1945 Jonuz Blakçori u thirr të jepte mësim në gjimnazin e Tiranës, për gjuhën e letërsinë shqipe dhe italishten. Zakonisht mësimin e jepte në toskërisht. E mbaj mend, kur profesori shpjegonte mësimin. Të gjithë e dëgjonim me vëmendje të thellë, sa nuk merrej vesh se si kalonte aq shpejt ora, apo kur na jepte tema të këndëshme për hartim. Më vonë, në pleqëri, do të tregonte, sesi aty nga mbarimi i vitit shkollor 1945 – 1946, u shfaq në gjimnaz një kuadër i luftës, një burrë i shkurtër e vetullzi. U pëshpërit nga dikush se qe inspektor i Ministrisë së Arsimit. Një tjetër tha, se ishte drejtori i ri. Mësuesit u lajmëruan të mblidheshin në sallën e tyre. Profesorin e pushtoi një parandjenjë e keqe. Zëvendësdrejtori, pasi e shoqëroi të sapoardhurin nëpër klasa, e çoi në sallën e mësuesve, dhe ua tregoi me dorë. “Ky është shoku K. Baboçi, drejtori ynë i ri!” – tha. Ai foli shkurt, pa u ulur. Në fund lexoi emrat e profesorëve që mbeteshin andej e tutje në gjimnaz. “Të tjerët, – shtoi me seriozitet, – nuk  do të punojnë më këtu. Sqarimet do të bëhen më vonë. “ Profesor Blakçori nuk e dëgjoi emrin e tij. Kështu, patriotin, luftëtarin e lirisë, demokratin, mësuesin, gazetarin, studjuesin, profesorin me zë, e lanë pa punë, pa i dhënë asnjë shpjegim. Në ato kohëra të turbullta, Ministria e Arsimit, sipas mësimeve jugosllave, bëri shthurrjen e madhe, prishi gjimnazet me tetë vjet, me programe klasike e reale. Pas shkollës fillore me pesë klasë, vijonin uniket trevjeçare dhe më tej shkollat e mesme katërvjeçare e teknikumet trevjeçare. 

Mësuesi i papunë professor Blakçori, me ndihmën e miqve, përpiqej të gjente punë. Herë I jepnin orë si zevendësues ndër unike, herë në ndërmarrjen e ndërtimit “Muhamet Gjollesha”, apo në ato të grumbullimit, si nëpunës i thjeshtë, herë kujdestar konvikti i përkohëshëm në shkollën bujqësore në Kamëz, duke iu hequr çdo mundësi të jepte mësime as në shkollat fillore. Pra, në atë gjendje e katandisën profesorin e aftë, që mund të shkëlqente me leksione  për gjuhën e letërsinë  shqipe e italiane në çdo universitet, qoftë dhe jashtë vendit tonë. Në kulmin e pjekurisë ai u largua me një pension të ulët. Bija e vetme, Elizama, së bashku me të shoqin, mjekun e mirënjohur Thoma Nano, vinin shpesh e kujdeseshin për të. Ndërkaq dhe miqtë nuk e harronin.               

Studioja që bënte dritë në rrugën “Fortuzi”                                                                                                                                    

Aty nga vitet gjashtëdhjetë, pas një tërheqje të lehtë të diktaturës në arsim e kulturë, Blakçori hapi në studio një kurs me pak studentë dhe qytetarë të rinj, të cilët dëshironin të mësonin gjuhët italisht e frëngjisht, që ishin fshirë tashmë nga programet shkollore. Dhe kështu, merr veten pak prej vështirësive ekonomike. Në ato vite përfundon dy libra, njëra për jetën e Isa Buletinit e tjetra për Bajram Currin. Redakton përkthime të shkrimtarëve të rinj, etj. Shton përkthimet e veta nga poetët e mëdhenj, si Petrarka, Leopardi dhe D’ Anuncio dhe ua lexon miqve. Shkon për vizitë a pret në studio shokët e vjetër, si Ahmet Gashin, mësues e patriot i dëgjuar nga Kosova, Xhevdet Dëshnicën, mësues dhe ish kryetar i shoqërisë Bashkimi për qarkun e Beratit, shokë shkolle dhe përpjekjesh për arsimin dhe demokracinë. Bisedojnë shtruar për problemet e kohës, për letërsinë dhe autorët e saj; kujtojnë së bashku përpjekjet e tyre për atdheun, jetën e shoqërinë, etj. Ndërkohë, vendos lidhje me Institutin e Kulturës Popullore. Dorëzon dosje me studime, krijimet e dikurshme të miqve të vet nga arkivat e tyre dhe fjalë të urta nga gurra popullore, të mbledhura kur punonte në arsim. Duhej të vinte viti 1983, kur profesori nuk jetonte më, që disa nga ato fjalë të urta filozofike të përfshiheshin në një nga botimet e Akademisë së Shkencave, përgatitur nga Instituti i Kulturës Popullore. Japim disa prej tyre:

– Kali i arapit dhe inati i shqiptarit. – Jug

– Me gjumë e me zhele ngopesh kurdoherë. –Jug

– Ia hoqa gojës dhe ia dhashë nevojës. –Jug

– Kush ka pak, të prishi ma pak. –Veri

– Hiqja gojës e venia ftyrës. – Shkodër

 -Miku i mirë të neron shpinë. -Veri

– Kur të thërret armiku për darkë, duket se i ka hyrë lepuri në bark.- 

– Në do të prishesh me mikun, epi punën që s’mund ta bajë.-Elbasan

– Kush për këshillë e kush për mill. –Veri

– Kur s’dëgjohet i pari, nuk shkon puna për së mbari. -Tiranë

– Nuk du mish e kabuni, po du ner e sajdi. –Kavajë

– Ku qe? – Në Domën – Ç’ka prune? – Kromën. –Shkodër

– Kush knaqet, e i urti fiton. –Shkodër. 

– Kush nxitet, mbitet – Himarë- Vlorë.

– Ma mirë tre mësime, se tri qese. –Kosovë

– Jetë – kuletë! Fukarallëk- maskarallëk! –Çamëri

– Nevojtarit deri mini i breu pallën.- Veri

– S’e don kush atë qi s’ka ç’i ha mica pas darke. –Veri

Ata që kalonin në orët e vona, nëpër trotuarin e rrugës Fortuzi, vinin re, se drita e studios, në katin e poshtëm, rrinte ndezur deri vonë. Profesori punonte. Një ditë tek mendohej rreth evolimit të gjuhëve në botë, pa dashur bën një gabim, i shkruan një letër Shtëpisë Botuese të dëgjuar Zanichelli në Itali, me kërkesa për fjalorë e metoda moderne të italishtes e frëngjishtes.

 Me Shtëpinë Botuese Italiane

Ishte viti 1971. Profesor Jonuz Blakçori ashtu i gjatë, me beretë në krye dhe me hapin e sigurt, po shkonte, sipas një njoftimi zyrtar, për në hotel Dajti, drejt një takimi fatal, me një nga editorët e Shtëpisë Botuese Italiane, që kishte ardhur me shërbim, sigurisht, për ndonjë kontratë me institucionet shtetërore. Para se të shkonte atje, kërkoi mendimin e Degës së Brendshme.

– Nuk ka asgjë për t’u shqetësuar. Shko takoje! – i thanë.

Nëpunësi italian, pas një bisede të thjeshtë e të përzemërt, i dorëzoi librat e kërkuara, me të cilat pas takimit, profesori shkoi përsëri në Degën e Brendëshme.

– Në rregull. Pa merak, i gëzofsh! – i tha shefi, pasi u hodhi librave një sy të ftohtë. 

Ardhja e tyre, nga njëra anë, e ngriti më lart cilësinë e mësimdhënies, dhe, nga ana tjetër, sigurimi i shtetit e shtoi vigjilencën, me gjurmim e përgjim. Dërgoi natyrisht njeriun e vet për të mësuar italisht e të dëgjonte se çfarë thoshte plaku prej Peje për Kosovën, çfarë thoshte për kulturën europiane, çfarë librash fshiheshin të radhitura në rafte pas perdeve vishnje. Pra gracka u ngreh brenda në studio.

Në korrik të vitit 1972 Jonuz Blakçori do të zbriste me lot ndër sy shkallët e banesës së mikut të vet besnik, Xhevdet Dëshnicës, pasi e pa për herë të fundit, tek po shuhej, pas një jete të mundimshme patriotike.

Së fundi, mbërriti viti 1975, viti i zi i “vigjilencës revolucionare”, kundër “agjenturave“, “agjentëve“, “poliagjentëve“, “puçistëve“,  koha kur për shkak të paudhësive pa mbarim, E. Hoxha do të pësonte goditje në zemër. Në natën e ftohtë të 8 janarit, trokitën te shtëpia e profesorit, i cili pas katër muajsh do të mbushte moshën 80 vjeçare. I thanë të vishej e të merrte me vete sende vetiake. Ia lidhën duart dhe e nisën. Pas një udhëtimi të tmerrshëm, mori vesh se ndodhej në kampin e Çermës, në Lushnje. Nga të folmet e djemëve, që iu ndodhën pranë, kuptoi se kishte të bënte me djem shqiptarë nga Kosova, të internuar aty vite më parë. Pra, bijve shqiptarë të Kosovës tragjedia nuk po u ndahej, me ndjekje këmba – këmbës, jo vetëm në vendlindje, por as në tokën amë. Përveç vuajtjes fizike, kjo që po ndodhte, qe një poshtërim i rëndë, që godiste si varé në krye e në shpirtin e sfilitur të kombit shqiptar.

I fyer dhe i tronditur, në muajin prill të vitit 1975, ndërroi jetë në spitalin e Lushnjës, Jonuz Blakçori, luftëtari i lirisë, bashkimtari, profesori dhe publicisti nga Peja, me gjithë kujdesin e djemve bashkatdhetarë, të cilët i qëndruan mbi krye, si bijtë e vet, të zhgënjyer në barakat e kampit të çfarosjes, turpit, që do ta ndiqte pas regjimin komunist, me shembje idhujsh e muresh argjili. Lajmi kaloi kufirin dhe dëshpëroi Pejën dhe qytetet e Kosovës.

Kalimtarët, tek ecnin nëpër trotuarin e rrugës Fortuzi, në Tiranë, vërenin se pas bredhave, dritarja e studios nuk lëshonte më dritë. Një hije e trishtë mbulonte shtëpinë dhe ata vetë.

Ky, përkujtim nderon gjithë shqiptarët e Kosovës martire, me fshatrat e djegura, me të vrarë dhe me dëshmorët që falën jetën për lirinë e Kosovës e të Shqipërisë. Njëkohësisht, këto shënime janë edhe rrëfime për rininë Të mësojë ajo se nga ka ardhur e vjen e keqja, sidomos tani që shtrohet çështja për njohjen përfundimtare  të Kosovës.

Filed Under: ESSE Tagged With: Jonuz Blakçori, Jonuz Blakçorri, Mesuesi yne, Nga Agim Xh. Dëshnica.Mesuesi yen i Letersise

Njeriu i mirë

May 17, 2021 by dgreca

Nga Astrit LULUSHI- E madhe është frika, dhe e pandashme, sa e bënë edhe Zotin vazhdimisht thotë – “Mos kij frikë”. Por njeriu gjithnjë ka frikë. Nga kush? Është frika nga brenda vetes. Njerëzit janë njësoj. Lërini të lirë dhe ata e kuptojnë se janë skllevër të mbyllur në mjerimin e tyre. Vuajnë, por nuk e dinë. Shfrytëzohen, dhe ata kthehen e shfrytëzojnë të tjerë më të dobët. Është reagim zinxhir që nuk mund të ndalet.
Ndryshe ndodh me kafshët.
A e dini përrallën e ujkut?
Ishte një herë një ujk shumë i moshuar. Ai nuk mund të gjuante më dhe ujqërit e tjerë e përjashtuan nga tufa. Ujku plak e i uritur filloi të shkonte shtëpi më shtëpi për të vjedhur pula e dele. Fshati u tmerrua. Fshatarët u përpoqën ta vrisnin, por nuk ia dolën. Roje rrinin çdo natë. Vendosën kurthe e rrjeta …por ujku sikur të ishte i padukshëm. Njerëzit e urrenin. E imagjinonin të ishte i madh, i egër. Nuk mund ta dinin se ishte thjesht një ujk plak që çdo gjë e bënte nga uria. Qarkullonin fjalë mbi një njeri Shenjt që mund të fliste me kafshët. Fshatarët shkuan t’i luten për ndihmë. Shenjti pranoi të fliste me ujkun për të kërkuar armëpushim. Kështu u nis për ta gjetur. Eci e eci për një kohë të gjatë. Pastaj erdhi dimri. E zuri i ftohti, dhe uria. Por nuk pa asnjë shenjë ujku; nuk e dinte se edhe ujku ishte i uritur, dhe ishte vënë në gjurmët e tij për një kohë. Shenjti bie i rraskapitur në dëborë. Dhe këtu e gjen ujku, i cili i afrohet mpreh thonjtë dhe dhëmbët, gati për ta ngrënë, por ndjen një erë, diçka që nuk e kishte ndjerë kurrë më parë, dhe ndalet. E nuhati të gjithë. Ç’ishte kjo erë? Ishte aroma e njeriut të mirë. Nuk e ngacmoi dhe iku.

Filed Under: ESSE Tagged With: Astrit Lulushi, NJERIU I MIRË

Anadollak modern

May 15, 2021 by dgreca

Nga Astrit LULUSHI/

Çfarë ka mbetur nga koha e shkuar?Gjithçka. Etërit e tyre ka vite që enden si engjëj-demonë në Ferr për të ngatërruar punët e Zotit, që fara e keqe që mbollën në tokë të vazhdojë të sundojë mbi barin e gjelbër. Dje, ata e konsideronin pronën private si një tigër grabitqar që duhej qëlluar për t’u vrarë, dhe e vranë, kryesisht – gjurmët ndjehen në mendësinë e shumicës; bijtë e tyre e shohin biznesin privat sot si një lopë që duhet mjelë për të pasuruar veten e tyre.
Sipërmarrja private është në fakt si kali i shëndetshëm që tërheq me guxim karrocën; qeveria që kanë është shpikje e shkëlqyeshme, të cilën të gjithë kërkojnë ta kapin për të jetuar në kurriz të të gjithë të tjerëve. Është e drejta e çdo individi, për të dhënë para, si të dojë, për bamirësi; por si anëtarë të qeverisë e parlamentit, askush nuk ka të drejtë të përvetësojë asnjë qindarkë të parave publike; e kundërta ndodh në Shqipëri në çdo hap të manaxhimit të pushtetit.
Deti është bërë kos. Populli trajtohet si të ishte ndonjë injorant, por dhe ky këtë konsideratë ia kthen ditën kur e voton si të përzgjedhurin e tij – anadollak modern, me veshje të modës nga Azia, me zare nëpër gishta dhe ‘batuta’ në gojë, ai shëtit rrugëve – si personazhi i një prej tregimeve – me brezin e lëshuar në tokë për të parë nëse dikush, qoftë edhe padashje, ia shkel.

Filed Under: ESSE Tagged With: Anadollak modern, Astrit Lulushi

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 207
  • 208
  • 209
  • 210
  • 211
  • …
  • 606
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT