• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

MISION: KUJTESA DHE E VERTETA

April 16, 2019 by dgreca

-LIBRI, DOSJA DHE DJAJTE/

Nga Visar ZHITI

Qëllimi im, i vepës time, sidomos e asaj që kam veçuar si burgologji, ishte kujtesa dhe të dëshmoja një realitet të rëndë nën diktaturë, posaçërisht persekutimin dhe vuajtjen nëpër burgje, gjithmonë të vërtetën time, atë që u shkrua mbi lëkurën time, duke rrokur aq sa mundesha, duke dhënë dhe atë që pashë përreth. Do të doja ta kisha veç me dukuritë e së keqes, jo me njerëz të veçantë dhe me emra, por e keqja përhapet dhe ushtrohet nga njerëz dhe emra të veçantë, pra duke qenë e pashmangëshme përplasja, është detyrë të themi të vërtetën, në ndihmë të së mirës së përbashkët e të gjithkujt. Do të ishte e udhës që ashtu siç e dënojmë së bashku të keqen e përbashkët, ashtu dhe ta njihnim, duke zbërthyer secili pjesën e vet, atje ku ka patur rol. Të persekutuar dhe persekutorë, të mbanim përgjegjësitë, të dënonim të keqen, qoftë dhe moralisht dhe të punohej për normalitetin, për ringritjen sociale. U punua, por mungoi shumëçka, në këtë rast njohja e thellë, “hapja e dosjeve” dhe trasparenca, drejtësia e mirëkuptimi, prandaj dhe e keqja gjeti rrugë dhe forma të tjera dhe vazhdon duke arritur absurde vrastare. Së pari është e dëmshme që në zanafillë t’i trajtosh burgjet politike të diktaturës, Spaçin e Qafë Barin, etj, si kampe riedukumi, përkundrazi, ato ishin tmerre, ku ushtrohej dhunë asgjësuese dhe të dënuarit mbaheshin dhe për punë të rënda si ato në miniera duke u shkeluar parimi i parë bazë “shpërblimi sipas punës”, puna jonë grabitej, mbetet ende e papapaguar. Dhe kush do të riedukonte atje me Makarenkon dhe “Poemën pedagogjike” të tij siç na doli, në burgje s’kishte “të pa edukuar”, ata dinin më shumë se “edukatorët e tyre”, kur së pari në burgje mbylleshin të pa kënaqur me sistemin, disidentë e kundërshtarë, deri dhe heronj siç kishte dhe thjeshtë viktima dhe keqbërës nga ata që po sillte diktatura për t’i degraduar burgjet politike, sa të ishte e mundur më shumë. Por jemi ende larg këtij debati. Jemi nën sulmet dhunuese, por banale të atyre që kishin profesion dhunën dikur dhe jam i detyruar, jo t’u përgjigjem atyre, as e meritojnë, por t’i shpjegoj sado pak lexuesit. Ndërkaq janë librat, janë dhe dosjet.

1- Ishte një kohë kur unë isha rob, i burgosur brenda telave me gjëmba dhe dikush më ruante, e kishte punën e policit të mbante mbyllur, madje dhe të më tmerronte, të më bënte të vuaja, të më çonte me dhunë në punë, etj, etj, me vite dhe nëse unë e tregoj këtë sot, që është tjetër kohë, jo e policit por e imja, kjo e shqetëson policin tim, i duket hakmarrje, e tërbon dhe megjithëse ai është tjetër njeri tani, jo polic, vepron po aq dhunshëm si atëhere. Nuk ka shoqëri normale në botën demokratike, ku të lejohet që persekutorët e dikurshëm të kërcënojnë të persekutuarit e tyre, që shefat e burgjeve të shpifin ndaj viktimave në mbrojtje të krimeve të tyre siç po ndodh së fundmi në vendin tone.

2- Dialogu me djallin është tejet i vështirë, për të mos thënë i pamundur, prandaj dhe Papa Françesku, lideri moral më i rëndësishmi në botë sot, thotë me të drejtë se me djallin nuk dialogohet, ai është tejet dinak dhe keqbërës pa fund…

3- Në Shqipëri ka bashkëpunëtorë të shumtë të djallit, me dashje dhe pa dashje, të përhapur gjithandej, deri lart, madje dhe të ikur për t’iu shmangur përgjegjësive dhe të vërtetave, duke besuar se mund të jenë fshehur kështu mes atyre që kanë mërguar për një jetë më të mirë apo që nuk kanë duruar dot pikërisht djallin në atdhe.

4- Meqënëse unë kam shkruar libra, ku kam treguar ferrin e burgjeve politike dhe policinë e ferrit, në të cilat kam vuajtur dhe vetë, duke e ndjerë jo vetëm si detyrë të tregoj e të them të vërtetën, por dhe si detyrim për ata që s’janë më apo që nuk tregojnë dot, ndërkaq unë jam dënuar për poezitë e mia, për fjalën dhe kështu ajo u shndërrua në mision. E di, që krahas admiruesve të shumtë, kam bërë jo pak dhe armiq, madje dhe të rrezikshëm. Unë nuk kam armiq, nuk dua, ndoca më kanë mua armik dhe jam i detyruar të përballem. Së fundmi ata kanë marrë një revansh të pa skrupullt, duke u dhënë vend mediat e afërta me mllefin e tyre paranojak.

5- Sulmet e tanishme ndaj shkrimtarit Argon Tufa si drejtor i Institutit të Studimeve të Krimeve të Komunizmit, po dhe ndaj Kastriot Dervishit si ish drejtor i Arkivit të Ministrisë së Punëve të Brendshme, Nebil Çikës, kryetar i Shoqatës Antikomuniste të ish të Përndjekurve, etj, deri dhe te qytetarit Urim Gjata, etj, për të mos u hapur në emra të tjerë më parë, jo vetëm që s’kanë asgjë parimore, por veç bëjnë avokatinë e së keqes e janë të pa drejta, vetanake e fyese, shpifje ordinere jo vetëm ndaj atyre që u drejtohen, por ndaj gjithë shoqërisë dhe opinionit qytetar, të dëmshme për të tashmen dhe do të duhej të dënoheshin.

6- Sulmet e këtyre ditëve ndaj bashkëvuajtësve dhe qendrestarëve nëpër burgje, Bedri Blloshmit, Haxhi Baxhinivskit, të sapo vrarë, Kastriot Caushit, Lek Frrokut, Skënder Tufës, etj, si dhe ndaj meje, pa kaluar në emra të tjerë të mëparshëm, janë një përpjekje diabolike për të mbuluar një të vërtetë të rëndë, është tërbimi për të shtypur sërisht revoltën e shpirtrave tanë ashtu si dikur në burgjet e Spaçit e të Qafa Barit, etj. Përmendja si alibi e emrave të bashkëvuajtësve tanë, ndër më të mirët në burgje si Hajredin Fratari e Sherif Merdani e Namik Ajazi, por dhe Vasil Kati e Nuredin Skrapari e Sokol Ngjela, etj, – që s’janë më, shpërdorimi i mirësisë tonë për mirëkuptim dhe paqe të drejtë, nuk ndryshon gjë në dhunën e padrejtë që u ushtrua ndaj të burgosurve apo në shtypjet e revoltave të tyre duke shkuar deri atje sa të pushkatoheshin njerëz, pra në terrorin shtetëror.

7- Sulmet e herëpashershme ndaj meje, shpifjet vrastare, bëhen me qëllim për të na rrëzuar, jo vetëm mua, port ë vërtetën që ne mbartim, janë hakmarrje e kërcënime për ato që janë shkruar për përndjekjet, dënimet dhe burgjet dhe posdiktaturën, me qëllim që, duke na nëpërkëmbur ne, ata do të janë më të justifikuar. Bënë detyrën, thonë. Edhe ne bëjmë detyrën, themi. Për mua po shpif tani mbas 30 vjetësh ai që ka qenë shefi i polisë së tmerrshme të burgut të Qafë-Barit, se, sipas tij tani, unë paskësham qenë “veshi i partisë së tij në burg” dhe për ketë më paskëshin çuar të punoja në ofiçinën e burgut në Qafë Bar(?!). Kurrë. Jo! Unë asnjë ditë nuk kam punuar në ofiçinë, gjë që vërtetohet jo vetëm nga ish të bashkëvuajtësit e mi, por dhe nga dokumentacioni i mbetur i brigadave të punës në burg. Që dhe sikur të kem punuar atje, në ofiçinë, kjo s’përbën ndogjë gjë, i burgosuri shkon ku e detyrojnë, zvarrë, dhe në pushkatim. Në ofiçina kanë punuar dhe të burgosur të ndershëm, që kishin zanat mekaniku. Në të gjitha vitet e burgut tim, gati 8 vjet, unë vazhdimisht, pa ndërprerje kam punuar si skllav nën tokë, me turne, me kazmë e lopatë në terr, kam shtyrë vagona si i mallkuar. Kjo është e vërtetueshme kollaj dhe nga shumëkush dhe regjistrat e punës në burg janë ende. Dhe përsëri një tjetër uniformë e dikurshme ushtarake, e spërkatur me piklat e gjakut tonë, e thotë fare lehtësisht, pa përgjegjësi si i pa përgjegjshëm, pa një provë a dëshmi, edhe pse ish punonjës i lartë i diktaturës, mjafton që t’i duhet atij kështu, që unë paskësham qenë bashkëpunëtor i tyre. Jo, asnjëherë. Kurrë. Përkundrazi! Dhe s’kam dalë ndonjëherë dëshmitar. As për atë vetë nuk dua të dal, s’kam kohë për djajtë, është libri, po e deshën, duhet të veprojë shoqëria… Ua kujtoj dhe atyre që kanë qejf të jetë kështu siç i fanitet kryepolicit, se në dosjen time është gjetur e është bërë publike kartela e refuzimit tim (me neveri) e bashkëpunimit me Sigurimin e Shtetit dhe ajo është e vitit 1989, pra deri atëhere s’kisha pranuar, pastaj diktatura u zhbë dhe ata s’bënin do më spiunë të Sigurimit. I jap të drejtën kujdo të interesuari të rrëmojë në dosjet e mia, kudo që të jenë dhe e siguroj që s’ka për të gjetur një gjë të tillë, se s’ka. Megjithatë unë e përsëris prapë që për bashkëpunëtorët e tyre, spiunët, faji dhe përgjegjësia dhe dënimi së pari duhet të bjerë mbi ata që i thyen njerëzit me hir dhe pa hir dhe i bënë ashtu siç ata nuk deshën dhe pasi i shtrydhën, tani i flakin duke u bërë shumë më të ulët se ata. Kryespiunëve të lartë, meqënëse u duhet të dalin kundër atyre që u qëndruan, shpifin për të kundërtën, duke lenë fshehur ende bashkëpunëtorët e tyre realë, me të cilët dhe u mbajtën. Kurse ëndrra që sheh kryepolici, që ia mbathi në Gjermani, sikur i paska shpëtuar “veshët e mi” në burgun e Qafë-Barit, është një tjetër shpifje neveritëse dhe e dënueshme. S’kam patur kurrë rreziqe të tilla dhe rreziku i vërtetë në burg ishte ai dhe policia që drejtonte, përpjekja për të na bërë si vetja e tyre. Ç’prove ka ai kundër meje përveçse poshtërisë së vet? Unë madje kam gjetur në dosje se jam denoncuar dhe në burg dhe përgatiteshin për ridënimin tim, patjetër dhe prej rrjetit policor të tij…

8- Burgologjitë e mia “Rrugët e ferrit” dhe “Ferri i çarë” do të jetojnë më shumë se ai e ata që ngritën dhe mbajtën burgjet tona me dhunë dhe hekur. I kam shkruar pas burgut si vepra të kujtesës, kurse në burg kam shkruar poezi fshehurazi, kam dëshmitarë shumë miq besnikë, po përmend nga të gjallët, Hasan Bajo e Maks Rakipaj, Lek Mirakaj e Dine Dine, Esat Çoku, Astrit Xhaferri e Kujtim Prendi, e ku s’i kemi fshehur së bashku, që janë një tjetër sfidë se si arrita t’i shpëtoj kthetrave të policisë së tij, që të paktën shpirti është i pa asgjësueshëm. Nga shkaku i poezive klandestine, në burg rrija pa bërë rebelin, as heroin, poetin jo e jo, ishte e pamundur dhe e ndaluar rreptëisht. Në heshtje I besoja një të ardhmeje, që dhe pot ë mos ta arrija unë, ajo do të vinte me doemos. Flisnim kundër diktaturës dhe diktatorëve me miqtë e mi besnikë dhe mirënjohës që më mbrojtën mua dhe poezitë e mia, se ato ishin më të shtrenjta se jeta ime, kështu më thoshte bashkëvuajtësi Hasan Bajo. Ne nuk kemi shkruar nga urrejtja, e përsëris, por nga dhëmbja dhe detyra për kujtesën dhe të vërtetën, në nderim të vuajtjes njerëzore, të atyre që qëndruan fuqishëm deri në martirizim, kemi shkruar kundër së keqes, kundër dukurive të saj, dalin emra e bëma të rënda, që sot nuk i durojnë dot ata që i kryen, i kuptojmë dhe duhet të na kuptojnë, rruga më e mirë është distancimi nga vetja e tyre e dikurshme, shpjegimi, në se duan, ndjesa në se duan, por jo jo sulmi i ri ndaj viktimave, për të ridënuar të dënuarit, për të rivrarë të vrarët. Shkrimet tona janë dhe apel që të dënojmë së bashku të keqen, të kaluarën kriminale, se siç thotë Papa Françesku që ne duhet të jemi kundër mëkatit, por jo mëkatarit.

9- Edhe pse flasin dhe veprojnë si ateistë të pandreqshëm, kujtojnë ndonjëherë Zotit, sikur këto janë pësime prej tij, hedhur mbi ne. Jo! Zoti na mbron, na mbron prej së keqes së tyre, por është djalli ai që na sjell dëme e mynxyra, tragjedi vetanake dhe vendit. Prandaj dhe zgjedhin më mirë në qiell se sa mes baltës me djaj. Të shpëtohet ç’mund të shpëtohet. 10- Për një higjenë sa më të pranueshme mendore e shpirtërore, që në trutë e atdheut të mos ketë kaq shumë qelb e në gjak kaq shumë helm. Që dhe armiqtë t’i bëjmë vëllezër. Me drejtësi dhe dhëmbje. Por dhe armiqtë të mundohen të mos mbeten të tillë, se dëmtojnë vendin, po aq dhe veten, në mos më shumë.

Filed Under: ESSE Tagged With: VISAR ZHITI-MISIONI

Në kërkim…

April 15, 2019 by dgreca

Nga Astrit Lulushi/

Çfarë dimë nuk na kënaq, çfarë kemi nuk na mjafton. Duke menduar kështu, jemi gjithnjë në konflikt me të tjerët që mendojnë po njësoj.
Njerëzimi nuk ka histori, të paktën nuk ka histori të gjatë të dokumentuar. Historia që dimë është e ngritur mbi baza të panjohura, dhe kjo është arësyeja që me ‘të është mësuar të spekullohet. Historia shkruhet nga fitimtari, ka thënë dikush. Por nuk ka fitimtar të përherëshëm, prandaj historia rishkruhet sa herë fitimtarët ndërrohen.
Fitimtarët nuk janë njësoj, ata gjasojnë vetëm nga emri, sepse fitimtari mund të jetë i mirë ose i keq. Kur fitimtari është i mirë, historia shkruhet, me sa më pak gënjështra që të jetë e mundur; historianët e zgjedhin gënjeshtrën si alternativën e fundit. Kur fitimtari është i keq, gjithë lavdia i përket atij, histori më nuk ka, ka vetëm proces-verbale, vendime, dekrete, lartësim të sunduesit me tregime e përralla, sepse historianët kanë vetëm një alternativë; të shkruajnë gënjeshtrat që i citojnë a diktohen. Njerëzit e mirë gjithmonë kanë qenë pakicë dhe të këqinjtë të shumtë si kokrrat e rërës – mes fitimtarëve po ashtu – prandaj historia mbetet temë shumë e ngatërruar, sepse qëndron mbi themele të mbështetura asgjëkundi.

Filed Under: ESSE Tagged With: Astrit Lulushi

E PERQAFOVA “DIELLI”- N.

April 12, 2019 by dgreca

Nga Shpend Sollaku Noè/

Nëse ka ndonjë gazetë qëi ngjan më shumë emrit të saj ajo është “Dielli”. Në përfytyrimet tona të dikurshme ajo merrte portrete të ndryshme. Ia nisëm duke i dhënë pjekurinë e portetit të Nolit, pastaj ia gjetëm ngjashmërinë tek mprehtësia e Konicës, ia ndoqëm hapin tek bujaria e Athanasit, dhe prapë nuk u nginjëm me të.

   Duheshin hapur krahët më shumë, për ta përfshirë si duhej, derisa rrahjen e zemrës tonë ta gjenim edhe tek shqiptari i skajit më të largët të rruzullit.

   Pasi e tillë është “Dielli”, panshqiptare, ashtu si edhe “Vatra” e mendoi në fillimet e saj: një shpresë e mbajtur gjallë për të rigjetur Shqipërinë tonë edhe kur gjasat ngjanin të shuara. Gjetëm tek rreshtat e saj pjesën e mirë të ajkës së kombit: Kristo Floqin, Christo Dakon, Paskal Aleksin, Dennis Kambury-n, Costa Çekrezin, Bahri Omarin, Loni P. Hristo-n, Andon S. Frashërin, Andrea D. Elian, Nelo Drizarin, Qerim Panaritin, Xhevat Kallajxhinë, Eduard Liçon.

   Në periudhat me re të dendura, edhe pse nuk e pamë, ia ndiemë praninë sidoqoftë, tashmë ajo gazetë flinte nën qerpikun tonë. U deshën të zbrisnin në transhetë e saj Din Derti, Arshi Pipa, Gjon Buçaj, Agim Karagjozi, Agim Rexhaj, Anton Çefa… Prania e “Diellit” pushtonte skutat me të largëta të mugëtirës shqiptare, duke u kthyer në pikëvështrimin kryesor të çështjes kombëtare.

   Nësë edhe ajo bëntë pjesë në lëshimin mesazhit të pavdekshëm: “Mbahu Nëno, mos kij frikë, se ke djemtë n’Amerikë”, në ditët e sotme limfa e re i erdhi prej atdheut që ajo i kish ndihmuar riardhjen në gjirin e kombeve të qytetëruara.

   Sot mund të thuhet me plot gojën: Mbahu “Vatra”, mbahu “Dielli”, aspak frikë, nuk keni vetëm djemtë në Amerikë. Një emër mbi të gjithë: kalëruesi Dalip Greca – rreth tij luftëtarët Veis Belliu, Ilir Levonja, Albert Habazaj, Alfons Grishaj, Anton Çefa, Arben Llalla, Astrit Lulushi Behlul Jashari, Beqir Sina, Elida Buçpapaj, Enver Bytyçi, Ermira Babamusta, Eugen Shehu, Eugjen Merlika, Fadil Lushi, Fahri Xharra, Faik Krasniqi, Faslli Haliti, Frank Shkreli, Fritz Radovani, Gezim Llojdia, Hazir Mehmeti, Ilir Levonja, Kolec Traboini Murat Gecaj, Raimonda Moisiu, Ramiz Lushaj, Reshat Kripa, Sadik Elshani, Sokol Demaku, Shefqet Kercelli e sa të tjerë nga diaspora dhe Shqipëria po përpiqen të shlyejnë borxhin e madh ndaj kësaj gazete të ndritur.

   Djemtë e saj janë afirmuar në lartësinë e duhur të këtij misioni të vështirë: mbjatjen gjallë dhe pëcjelljen brezavë të kësaj tradite tashmë pjesë nëntëdhjetëkaratëshe të historisë ndërshqiptare. Përqafime të nxehta për ditëlindjen e njëqind e dhjetë, “Dielli” ynë. Edhe një tjetër përjetësi.

Juaji Shpend

Filed Under: ESSE Tagged With: Shpend Sollaku Noe'-DIELLI

MË 11 PRILL, 21 VITE MË PARË

April 12, 2019 by dgreca

Nga Asllan Bushati/

Shumica e shqiptarve të moshës dyte e të tretë, kur përmendet 11 prilli i cdo viti, përnjëherësh kujtojnë ditvdekjen ( ose më mirë ditngordhjen e E.Hoxhës). Unë sot nuk kam ndërmend të merrem me të. Jo se nuk ja vlen te merresh me atë që i ka bërë dëme popullit shqiptar më shumë se cdo pushtues që ka shkelur në këto troje. Por se sot kam për të rikujtuar një ngjarje tjetër të rëndësishme të jetës dhe të familjes time.
Të paktën që nga 6 gushti i 1997-tës (që më shkarkuan pa drejtësisht nga detyra), e deri më 9 prill 1998, në Parlamentin e Shqipërisë, në institucionet e qeverisë, në gazetat e televizionet kryesore, emri im ishte lakuar si kriminel pa bërë asnjë krim e ishte bërë gati dosja për arrestim pa bërë asgjë në kundërshtim me Kushtetutën, ligjet , rregulloret e detyrat funksionale. Nuk më hiqet nga mendja insistimi disa herë i Spartak Brahos në Parlamentin Shqiptar që të më dërgonin për gjykim në Gjykatën e Hagës si kriminel lufte – pa bërë asnjë lloj krimi .
Kështu në një formë a në një tjetër u vepru edhe me shumë kolegë të mi dhe me masën më të madhe të intelektualve shqiptar të fushave të ndryshme të punës e dijes. Atë që e beri E.Hoxha për dyzet e pesë vite me prerje kokash brenda Shqipërisë, e bënë pasardhësit e tij duke i terrorizuar me arrestim dhe duke i detyruar të largohen në emigracion intelektualët e vendit. Kjo është një vepër mizore kombëtare, pësues i së cilës jam edhe unë e familja ime.
I ndodhur në këto kushte unë (pasi kisha informacion të saktë për një arrestim të shpejtë), më 11 prill 1998 ( i paisur me dokumenta të rregullta të “Llotarisë Amerikane”), zbrita për herë të parë në jetën time në SHBA dhe konkretisht në NY. Ishte ndoshta e shtuna më e rëndësishme e jetës sime. Lashë prapa vendin e të parëve të mi me shumë dhimbje, per të ardhur tek ky vend i lirë dhe i mbrekullueshëm që e ka emrin Amerikë. Ajo më hapi dyert e jetës për familjen dhe për mu, në një moment që vendi im (neokomunistët) mi mbylli ato se më donte prapa hekurave të burgut pa bërë asgjë të dënueshme.
Në këto 21 vite u njoha me shumë shokë e miq të mirë shqiptarë e amerikanë. Punova shumë në dy e tre punë njëkohësisht, për të shkolluar vajzat e për të normalizuar jetën. U ingranova deri ne ngjizje në veprimtaritë e komunitetit shqiptar këtu në SHBA në një moment shumë të rëndësishëm për Kosovën. U lidha fort me Vatrën në gjithë këto vite si antar i theshtë dhe deri Nënkryetar, ndihmova shoqatën “Vendlindja thërret” dhe ngritjen, organizimin e stërvitjen e “Batalionit Atllantiku” emrin e të cilit e propzova unë. Jam takuar me kongresmenë e senator të këtij vendi me qëllimin e vetëm për ti ardhur sado pak në ndihmë shqiptarve në trojet etnike.
Por aktualisht kam një brengë të madhe se shpesh Departameni i Shtetit dhe perfaqësuesit e tij në Tiranë, nuk janë treguar të pa anshëm në raport me forcat politike në Shqipëri. Në gjykimin tim ata janë shpesh të prirur nga ruajtja e stabilitetit dhe jo nga demokracia dhe shteti ligjor. Ka një prirje të dukëshme për të mbrojtur qeverinë dhe Edi Ramen edhe kur e dinë se opozita ka të drejtë. Kjo njëanëshmëri më shqetëson shumë kur e shoh e dëgjoj (të folur e të shkruar) nga përfaqësues të lartë të Departamentit të Shtetit.
Unë si shqiptar dhe si amerikan (dhe si amerikanë e si shqiptar), protestoj hapur ndaj këtij qëndrimi të pa drejtë. Mendimet e mia ja kam bërë të ditura kongresmenit të zonës time, drejtuesve të Partisë Republikane madje dhe stafit të Shtëpisë Bardhë. Shpresoj se kjo mënyrë sjellje (herë-herë poshtëruese) ndaj opozitës (vecaverisht PD-se) të ndërpritet dhe të flitet hapur për dëmet që kjo qeveri me Edi Ramën i kanë sjellë Shqipërisë e jo ti behen elozhe per suksese imagjinare. Kur njëanshmeria përsëritet e përsëritet, kthehet në një veprimtari të dënueshme.
Megjithatë, dëshiroj e shpresoj që Shqipëria vendi im i dashur të eci përpara, të pranohet në BE, të zhvillohet ekonomikisht dhe ta gjejë zgjidhjen e ngërcit politik vetë dhe pa ndihmën e ndërkombëtarve. Unë kam pikpamje politike të djathta, por i respektoj tërësisht edhe ato të majta. Shpresoj dhe ata me pikpamje të majta ti pranojnë te mija. Shqipëria është më e rëndësishmja. Të ndalohet zbrazja e saj.
ASLLAN BUSHATI

Filed Under: ESSE Tagged With: ASLLAN BUSHAT

AI DO TË FLASË EDHE ME MUNGESËN E TIJ

April 12, 2019 by dgreca

Kur i japim lamtumirën një miku./
Nga Enver MEMISHAJ/

Teki Gjonzeneli! Po të qajmë me lotë hidhërimi, këtu në atdheun tonë, në pamundësi për të kapërxyer oqeanin për të bërë detyrën siç e pate bërë ti gjithe jetën me fisnikëri ndaj miqëve dhe shokëve të shumtë…
U largua në amëshim edhe një tjetër i burgosur politik, u largua nga mesi jonë. Edhe një luftëtar i pa lodhur që ecte në krye të radhëve të luftëtarve të lirisë mbeti pa zë. Një luftëtar kundër dhunës dhe terrorit komunist po e lë bosh vendin e vet që kishte në shoqëri.
Teki Gjonzeneli shkoi më datën 9 të muajt. Atë burrin e pamposhtur nuk do ta kemi më midis nesh, por na ka lënë kujtimet e tij me të cilat mund të flasim dhe të këshillohemi ashtu siç bënim me të ndierin kur ish gjallë.
Gjatë gjith jetës së tij ai njeri nuk diti të heshtëte asnjëherë, pasi nga heshtja jonë përfitojnë të tjerët, ata komunistët, thoshte ai, që e bënë kombin tonë të vuante për afro 50 vjet.
Teki Gjonzeneli na ka lënë, por unë tek i shkruaj këto fjalë ende nuk më besohet se në behar nuk do takoj atë qëndrestarin, optimistin, luftëtarin, punëtorin e pa lodhur për të denoncuar dhe ngritur aktakuzën diktaturës komuniste.
Ky shkrim është një lule e përvuajtur mbi varrin e vlonjatit, një lule sepse edhe ai kur shkonte në vorreza vendoste nga një lule për gjith të dashurit dhe të njohurit e tij. Këtë lule po e vendos unë njeri prej vlonjatëve të shumtë e sidomos skelarëve që ishin miq të Tekiut.
Ai iku e s’kthehet më, por zu vend në historinë e njerëzve të thjeshtë të Vlorës dhe Tragjasit, vendlindjes së tij, dhe sidomos të atyre burrave vlonjatë që kishin besim dhe kanë ende te deviza: “Shqipëria e shqiptarëve”.
Leon Tolstoi thotë me të drejtë se ka vetëm një mënyrë për të qënë i lumtur: të jetosh për të tjerët. I tillë ishte Teki Gjonzeneli, i sakrifikuar jo vetëm për familjen por edhe për miqtë e shokët e shumtë që kishte. Kush trokiti në derën e tij në Vlorë në Tragjas dhe sidomos në SHBA dhe nuk e gjeti derën të hapur dhe bukën të shtruar.
Miq! Ju ftoj ta kujtoni Teki Gjonzenelin ashtu si qe vital, i qeshur, optimist dhe i pa mposhtur ndaj dallgëve të tëbuara të jetës, që e goditen pa mëshirë.
* * *
Ishim mësuar me Teki Gjonzenelin të vinte çdo behar në Vlorë dhe ne mezi e prisnim me bisedat e tij të pa shtershme, me shakatë dhe barsoletat e pa fundme. Edhe këtë behar e prisnim të vinte në Vlorën e tij të dashur, që ishte pjesë e zemrës së tij, por ai nuk do të vi, nuk do të vi asnjë verë tjetër, kaloi pa u ndier në amëshim.
E donte shumë Vlorën sado që këtu kishte vuajtur shumë ai dhe familja e tij e madhe. Dalip Greca që e vizitoi ditët e fundit të jetës së tij shkruan: “Shkuam ta vizitonim së bashku me dhëndrin tim Latif Sharkën – i shtrirë në krevatin pranë dritares, me sytë e ngulur mbi një tablo të bukur të Vlorës, pamje e mrekullueshme e Ujit të Ftohtë, ku duken kodrat, tuneli, deti, gadishulli i Karaburunit e ishulli i Sazanit. Një pamje magjik. Mendoj se atë pamje nga Uji i Ftohte Tekiu e mori me vete”.
Më tutje Dalip Greca vazhdon: “Na iku një mik i mirë që e deshëm dhe na donte pa interes. Ishte njeri që nuk urrente dhe kishte paqe me vete. Nuk ia donte kujt të keqen sepse vetë kishte hequr shumë. Jeta nuk qe bujare me të, jo vetëm pse ai dhe familja kaluan nëpër ferrin e diktaturës por edhe humbja e vajzës, Internës në moshën 33 vjeçare, më 20 shtator 2012, pas gjashtë vitesh lëngim këtu në SHBA. Ishte një goditje e rëndë për atë dhe bashkëshorten, fisniken e shumëvuajtur Finlanda, që babanë, Pertefin, ia pushkatoi diktatura”.
Ai nuk do të vi fizikisht këtë behar, por ndër ne shokët dhe miqtë e tij ai do të jetë prezent me buzëqeshjen e tij që nuk iu shua asnjëherë edhe në çastet më të vështira të jetës së tij, me bisedat e tij të këndëshme gjithnjë duke ju dhënë një ton humori, me barsoletat e tij, që vinte në lojë pushtetarët komunist. Në verën e vitit 2018 kur u ndava me të më tha me keqardheje:
-Nuk do të vi dot më në Vlorë.
Kështu u ndamë me atë mik të dashur, të shtrenjtë dhe të pa harruar, dhe ashtu ndodhi. Në fillim të këtij viti ai kaloi një operacion të rëndë dhe mjekët i thanë se vuante nga një sëmundje e pashërueshme. Refuzoi me trimëri vazhdimin e mjekimit dhe e priti vdekjen me guxim në shtëpinë e Monikës, vajzës së tij të mirë.
U largua në amëshim më 9 prill 2019
Ishte nga ata miqtë e rrallë që kishte lënë gjurmë në jetën time dhe të familjes sime, nga ata miq që nuk mund të harrohen.
Pas emigrimit në Amerikë kur u kthye për herë të parë më takoi dhe me tha:
– Nuk mund ta harroj xha Imerin, babanë tim, që kur Murati, im vëlla, në sallën e gjyqit godi me grusht policin shoqërues, policia mori xha Imerin që u ndodh pranë Muratit, por ai me trimëri refuzoi të thoshte se e kish parë Muratin të godiste me grusht policin e shoqërimit. Edhe nënë Malen, nënën time, – më tha Tekiu, – nuk mund ta harroj, kemi punuar bashkë në Ullishte, kemi shkundur e mbledhur ullinj në acarin e dimrit.
Në kujtim të prindërve të mi ai më solli nga Amerika një aparat tensioni. Kështu që unë sapo ngrihem në mëngjes mas tensionin dhe kujtoj Tekiun e paharruar.
Por kujtimet për atë mik janë të pa fundme. Në mur kam të varur një foto të Teutës gruas sime që ma ka bërë Tekiu, po ashtu edhe një foto tjetër të Deas, mbesës 2 vjeçe.
Kështu si me mua ai burrë ishte bujar e fisnik me të gjith shokët e miqtë e tij të shumtë anë e kënd Shqipërisë, por edhe në Europë dhe Amerikë.
* * *
Miq! Unë do të këroja nga ju që të mos pyesni si vdiq Teki Gjonzeneli por tregoni si rrojti ai. Sepse të gjitha qëniet e gjalla vdesin, por ajo që mbetet pas është jeta e tyre, kujtimet, gjurmët që lënë pas dhe Teki Gjonzenli ka lënë gjurmë të pa shlyeshme, fëmijëve, bashkëshortes që e donte dhe e respektone shumë, vëllezërve, të afërmve, ne miqëve dhe shoqërisë.
Teki Gjonzeneli ishte nga ata burra që nuk mposhten e nuk u munden kurrë. Atë burrë e hidhje në det e dilte në stere, nuk mbytej e nuk fundosej sado të ashpëra e të stuhishte të ishin dallgët e jetës që e goditën pa mëshirë dhe pa e meritur.
Ishte trumfator në sistemin mizor të hurit në të cilin shkoi jetën e tij. Triumfator dhe luftëtar në kuptimin e plotë të kësaj fjale. E ku nuk e hodhën dallgët e luftës së klasave: me burgimin e rëndë të babait, me arratisjen e vëllait Qamilit, me burgimin e Memishahut, vëllait, në moshën 16 vjeçare, me burgimin e vëllait tjetër Muratit për 18 vjet dhe së fundi me burgimin e tij dhe me internimin e familjes përjetësisht.
Sikur të mos mjaftonin këto në Amerikë i vdiq vajza Intera në moshën e re 33 vjeçare dhe gruaja Finlanda iu sëmur nga parkisoni, por tek ai njeri nuk u shua asnjëherë optimizmi dhe buzëqeshja. Vajtëm t’i ipnim kurajo, thotë Dalip Greca, por ai na dha kurajo neve.
Të katër vëllezërit kishin lindur luftëtarë, kishin lindur për të jetuar të lirë, nuk u nënshtruan kurrë. Kishin lindur të qëndronin më lart se shokët e sërës së tyre dhe ashtu jetuan truimfator kudo: Qamili u hodh në det dhe me not doli në Korfuz, Tekiu, Memishau dhe Murati nuk u trembën por denoncun në atë kohë terrorin dhe diktaturën komuniste e për këtë edhe u burgosën.
Pas burgimeve vinin internimet dhe pas internimeve vendosja në punët më të rënda si punëtor krahu. Por Tekiu triumfonte kudo, e hidhje në det dhe dilte në stere. Së fundi e internuan në Tragjas në punët më të rënda bujqësore, por kishte difekt mulliri blojes dhe atë e rregullonte Tekiu, donte të vadiste misërin që po thahej Tekiu preu lumin dhe ia ktheu arave me misër, fshati mbetej pa drita në stuhitë që s’dilte njeri nga shtëpia dhe Tekiu shkonte dhe i sillte fshatit të tij dritat e kështu Tekiu jo vetëm që i mundi komunistët e fshatit që e urrenin si armik të klasës, por u bë një njeri me rëndësi në fshat për të cilin kishin nevoj të gjith.
Në kushtet e mjerushme të fshatit ai për tre vjet ndërtoi një shtëpi të bukur në formën e ndërtesës së Pentagonit të Amerikës. Në kushtet e mjerimit ekonomik ai njeri vuri bletë dhe kur fshati vuante fëmijët e tij shijonin mjaltin.
Në burgje, në vuajtje dhe mjerim fytyra e Tekiut qeshte gjithmonë i kishte ngrirë buzëqeshja në fytyrë si për të provuar atë thënien e Russoit se një fytyrë që nuk qesh nuk është kurrë e mirë.
Ne shokët e miqëtë e tij do jetojmë me humorin e tij, me shakatë e tij, me barsoletat e tij, me anekdodat e tij të pa fundme. Ishte i talentuar për të të mbajtur me biseda të këndëshme. Kishte një aftësi të dallueshme aktrimi sa që ne pyesnin njeri tjetrin në verë: Ka ardhur Tekiu? Kur do të vi?
I kishte të pa fundme barsoletat dhe anekdodat. Kam jetur dy jetë thoshte Tekiu: Nga diktatura në demokraci: nga koha e hurit në atë të polemikës…
Kur binte fjala për emigrimin në Amerikë ai thosh: na zuri mallkimi nënës se kur nxehej me ne na thosh:
-Vafshi pas diellit, haku hiqmet, ne të gjith vamë në Amerikë, pas diellit.
Po udhëtoja me një autobus, thoshte ai, dhe fqinji im filloi të më pyeste aq shumë sa në fund i thash: Zotri! E kam bërë hetuesinë në kohën e Enverit!
E pyeta në telefon për Muratin, të vëllan. Sapo bisedova me të, – më tha Tekiu, – Murati pa më pyetur filloi të më tregonte një ndodhi nga burgu i Burrelit dhe unë i thash: Dil nga burgu!
Bisedën e fundit me të e bëra më 20 mars 2019. I dhash kurajo dhe i thash se ke fituar kaq beteja, do ta fitosh edhe këtë. Ai dhe ne ato momente nuk e humbni humorin dhe me sarkazmen më tha: Aha Enver sëmundja qenka me e keqe se komunizmi.
* * *
Tekiu shquante ndër ne shokët e tij nga bujaria dhe fisnikëria. Me shpenzimet e tij ai botoi dhe e ribotoi dy herë librin “Vëllai i pengut”, kujtime të Reshat Agajt, xhaxhai i Finlandës, shkruar në Amerikë dhe e propagandoi atë libër gjerësisht.
Ishte tifoz sporti dhe mik i sportistëve vlonjatë i Kreshnik Çipit, Koto Ziles, Vasil Rucit, trajnerit Bejkush Birçe etj. Po kë nuk kishte mik Tekiu? Ai të bënte mik me pahir, sepse ishte i kudo ndodhur në të mirë dhe në të keqe.
Vëllezërit Gjonzeneli ishin nga ata personazhe që njiheshin në të gjith Vlorën, por mbi ta dallonte Tekiu. Ishte njeri bujar nuk kursehej për mikun dhe shokun, bujari që e tregoi edhe në momentet e fundit të jetës së tij duke dhuruar bibliotekën e tij Federatës “Vatra”.
Në shtëpinë e tij në Tragjas kishin provuar të gjith mjaltin e bletëve të tij dhe jo vetëm miqtë por edhe udhëtrët ai kthente në shtëpi dhe u vinte përpara tasin me mjaltë.
Mjalti bletëve të tij ishte provuar nga shumë njerës që nga Vlora në Tiranë, por kishte mbritur edhe në Korçë e Elbasan ku Tekiu kishte shokë e miq të shumtë.
Më 9 prill të këtij viti Tekiu shkoi pran nënës dhe babait të shumëvuajtur, Interës, Sutës, Marikes Koços, dhe Ambletit. Jeta e kishte lodhur shumë, ndofta atje gjen prehje.
Ai u nda nga jeta në prag te ditelindjes, kishte lindur më 25 prill 1937. Zoteri i vërtetë plot humor e buzagaz, sportdashës dhe artëdashes, do na mungosh. Ngushellime Didit, gruas së tij, Monikes vajzes, Fatmirit djalit, mbeses Anxhela dhe nipit Sebastian. Ngushëllime vëllezërve Memishahut dhe Muratit. Shpiti i tij u prefte ne Paqe.
“Kami humbur një mik, një shok, një vëlla, një njeri që na ka bërë të jemi të fortë në ditë të vështira. Të qoftë dheu i lehtë Teki Gjonzeneli! Na dhe një shembull të rrallë sesi njeriu edhe në kushte çnjerëzore të diktaturës mund të jetë dinjitoz e të respektohet nga të gjithë. Teki: E gjithë Skela qan për ty! Edhe valët e detit edhe pemët edhe lulet edhe gurët e rrugicave ku u linde e u rrite. I veshtirë do të jetë ky behar pa ty…”, shkruan miku jonë Gezim Zilja.
Më tutje Viron Troqe shton se: “ Tekiu do të kujtohet jo vetëm nga të tijët por dhe nga shumë shokë e miq në Vlorë e në të gjith Shqipërinë, në Europë dhe në Amerikë”.
Duke përkujtuar martirin e Vlorës Teki Gjonzenelin i lutem Zotit me vargjet e Patër Gjergj Fishtës, kushtuar dëshmorëve të Vraninës:
Leht u kjoftë rnbi vorr ledina,
butë u kjofshin moti e stina,
akulli, bora e serotina.
///O///

Filed Under: ESSE Tagged With: Enver Memishaj-Teki Gjonzeneli

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 266
  • 267
  • 268
  • 269
  • 270
  • …
  • 606
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT