• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

“Arti i romanit”

March 17, 2025 by s p

Agim Baçi/

“Njohja është i vetmi moral i romanit”, shkruan Milan Kundera në librin e tij “Arti i romanit”. Vetë Kundera, përshkrues i absurdit që përfshin njeriun në regjimet diktatoriale në romanet e tij, ka mundur të sjellë rrugët që çuan në dehumanzimin e njerëzve të cilët humbën busullën për të kuptuar veten dhe tjetrin, duke iu dorëzuar vetëm urdhrave. Ashtu si Kundera, qindra shkrimtarë të tjerë në botë, por dhe në Shqipëri, kanë përshkruar njeriun nën diktaturë, duke na dhënë bindjen se letërsia është ajo që e ka ruajtur dhe e ruan Njeriun.

E megjithatë vlen të pyesim: Por, ai njeri që pranoi të bëhej pjesë e makinës çnjerëzore, që nuk u zhduk për një ditë, që vijoi jetën e tij edhe më pas, a u pendua, a kërkoi falje?

Shumë vende që kaluan diktatura mundën të shihnin veten në sy, edhe pse me vështirësi. Ndërsa në Shqipëri shumë krime e pasojat e tyre mbeten ende të panjohura për një pjesë të shoqërisë. Më e vështira për t’u kuptuar ka mbetur njohja e pasojave të “Njeriut të ri”, pasi ata që u edukuan dhe u përgatitën si të tillë, vijuan ntë ishin në këto 35 vite kudo, në institucionet kulturore, historike, arsimore, e sidomos në politikë. Mungesa e zbardhjes së të shkuarës në regjimin komunist dhe e pasqyrimit të saj në libra shkollorë, e la mes nesh pasojën e njeriut që “tund kokën për gjithçka e mendon shumë pak”. Pasojë e asaj kulture janë ata që mendojnë se “pushteti ka të drejtë”, e që dalëngadalë, me mësimin për t’u përshtatur, lëshojnë çdo ditë nga vetvetja, duke e shuar zërin, deri në kufijtë e murmurimës.

Duhet të pohojmë se, edhe letërsia shqipe prej disa vitesh, me disa autorë, ka tentuar ta ndërtojë grafikën e njeriut të përçunduar nga përbindëshi i asaj kohe, që përgatiti rezervatin me “Njeriun e ri”, i cili më pas ishte njeriu që ndërmerrte praktikimin e modeleve që shpikte diktatura – një model që bazohej te njeriu që kishte humbur moralin, që kishte humbur dinjitetin. “Njeriu i partisë” duhej të shkundej më parë nga çdo vlerë. E ç’mund të ndodhë me njeriun që humb gjithçka? Cila është fytyra e mëpastajme morale? Ç’mund të prisnim nga njeriu që partia e gradonte “i ditur” pikërisht për të qenë veçse veshi dhe syri i partisë, duke synuar vetëm të frikësojë, spiunojë, e të mbjellë frikën.

E megjithatë, pavarësisht emrave që në këto 35 vite kanë sjellë rrëfime dhe dëshmi të forta letrare, ka pak pasyqrim në filma apo tekste shkollore, që mund të hapin një shine bashkëbisedimi lidhur me perceptimin që kanë sot shqiptarë mbi diktaturën, krimet e saj dhe çmimin e bashkëpunimit me të keqen.

“Unë e kundërshtoj të drejtën e doktrinës për të përligjur krimet e kryera në emër të saj. Unë e kundërshtoj të drejtën e atij njeriu bashkëkohës për të gjykuar sipas kritereve të veta të kaluarën dhe të ardhmen, ndërsa harron se është krej i mjerë me atë çka njeriu mund të jetë”, thotë në librin e tij “Mendja e robëruar” (f.16) nobelisti Çesllav Millosh teksa përshkruan gjithë mekanizmin kur, arti i pari, u kthye në pasqyrë të fytyrës së të keqes, duke fjetur mbi autoçensurë – një sëmundje që vijon të mbetet ende e pashëruar për shumë nga ata që e jetuan atë kohë. Dhe ai e thotë këtë duke pohuar se ka qenë nga ata që sistemi diktatorial e ka përdorur.

Letërsia e ka këtë “detyrim” për ta treguar gjithnjë njeriun, siç ka qenë e si mundet, sepse është rojtarja e fytyrës dhe zemrës njerëzore. Ndërsa studiuesit kanë detyrë që këtë roje të njerëzores, ta nxjerrin në pah dhe ta sugjerojnë sa më shumë. Jo më kot, pas librave të shenjtë, ajo që i ka mbijetuar më shumë se gjithçka kohërave është Letërsia. Për të përshkruar veçantinë e madhe të librit në historinë njerëzore, por edhe raportin e tij me atë që duhet të kujtojmë dhe mbrojmë, do të kujtoja për këdo thënien e Jose Luis Borges: “Ndër instrumentet e shumta të njeriut, pa dyshim, libri është më i mahnitshmi. Instrumentet e tjera janë zgjatim i trupit të tij. Mikroskopi dhe teleskopi janë zgjatim i shikimit; telefoni është zgjatim i zërit; kemi edhe parmendën dhe shpatën, kuptohet zgjatime të krahut. Por libri është diçka tjetër: libri është zgjatim i kujtesës dhe imagjinatës” (Ligjërata, f. 141).

Filed Under: ESSE

FAIK KONICA NË 150-VJETORIN E LINDJES AKTUALITETI I FJALËVE TË  TIJA PËRBALL REALITETIT TË SOTËM POLITIK NDËR SHQIPTARËT!!

March 14, 2025 by s p

Nga Frank Shkreli

“Tek prisnim të piqeshin kushtet, na u kalbën dëshirat”

A person standing at a podium with a flag

Description automatically generated
Faik Konica Photos

                                                                                       Faik Konica 

                                                                 Një intelektual i përmasave evropiane 

‘I dërguar i jashtëzakonshëm dhe ministër fuqiplotë’…është një titull i padëmshëm por nuk përputhet me realitetin. Në ditët tona, të dërguarit nuk gëzojnë fuqi të plota, ata duhet të kërkojnë udhëzime për çdo rast, shkurt, ata nuk janë fuqiplotë; megjithse ndonjëherë, duke qenë njerëz, qëllon të jenë të jashtzakonshëm.’ (Marrë nga libri,“Faik Konica-Jeta në Washington”, të autorit, Ilir Ikonomi.’

Faik Konica ishte vërtetë i jashtzakonshëm, jo vetëm si diplomat, por edhe si figurë politike, publicist e kritik, ndër të tjera – i cili ka pasur dhe vazhdon të ketë edhe sot, nepërmjet shkrimeve dhe publicistikës së tij në përgjithsi– një ndikim në jetën politike, letrare dhe kulturore të shqiptarëve. Me revistën e tij, “Albania”, ai ndihmoi dukshëm, për periudhën kur jetoi, në përhapjen e kulturës shqiptare edhe në Evropë, duke mbrojtur, njëherazi, të drejtat dhe interesat e shqiptarëve, si popull i harruar i kontinentit të vjetër. “I shkolluar në Kolegjin Saverjan të Etërve Jezuitë në Shkodër, më vonë në Stambollë dhe në fund në Francë”, ka shkruar me një rast Ernest Koliqi për Faik Konicën se, “ky grumbullim i jashtazakonshëm prirjesh e studimesh e vênte Faikun në nji numër Shqiptarësh të ndritun e të dijshëm që aso kohe mund të numroheshin në gishtat e nji dore.”

Faik Konica, ky “njeri me kulturë të lartë” (Noli), “enciklopedi shëtitëse” (G. Apolineri), eseist i shkëlqyer, stilist i përkryer, themelues teorik dhe praktik i kritikës letrare shqiptare, veprimtar politik me orientim perëndimor, siç ishte kultura e popullit që i takonte, poliglot, sipas shumë vërejtsve, ka sjellur një model të ri në mendësinë shqiptare.  Është e vështirë të gjendet edhe një i dytë sot, thëniet e të cilit pas kaq shumë vitesh vazhdojnë të jenë kaq aktuale.  Albanologu gjerman i ndjeri Robert Elsie ka shkruar se Faik Konica ka kritikuar bashkatdhetarët e vet duke i bërë thirrje për një qëndrim më real dhe kritik ndaj kombi të vet, megjithë të metat dhe dështimet e tij gjatë historisë së shekullit të kaluar. I zhytur, si të thuash, në kulturën perëndimore — ka vlerësuar Robert Elsie — Faik Konica ka luftuar për vendosjen e një kulture më të rafinuar perëndimore në Shqipëri por, njëkohsisht, ai ka vlerësuar edhe traditat shqiptare. 

Është e vërtetë se komentet sarkastike dhe polemikat e nxehta të Konicës në Shqipëri dhe gjetkë, si dhe zemërimi dhe arroganca e tij nuk e kanë bërë atë gjithmonë një figurë popullore. Sepse, siç ka shkruar edhe Ernest Koliqi, “Në polemikë, Faik Konica i prente drutë shkurt”. Cilatdo qofshin vlerësimet ndaj Faik Konicës, fakti mbetet se thëniet e Konicës, më se një shekull më parë, për realitetin e atëhehershëm shqiptar, janë aktuale edhe sot për botën shqiptare. “Mbani mirë (mend) këtë që po ju them: në njëqind vjet, në vafshim si po vemi, do të jemi aq poshtë sa edhe sot”, ka paralajmëruar Faik Konica bashkatdhetarët e kohës së tij. Gjykoni vet se si kanë vajtur Shqipëria dhe shqiptarët këto 100-vjet të kaluara dhe nëse Konica kishte të drejtë.  Klasës politike aktuale shqiptare dhe të gjithë shqiptarëve kudo, Faik Konica iu drejtohet me këto fjalë: “Duke parë dhe duke dëgjuar, bota mësojnë mend dhe ndërtohen. Ne shqiptarët, s’marrim dot mësime; malet të tunden dhe të rrëkëllehen, ne nuk këmbejmë mënyrën tonë. Mbani mirë (mend) këtë që po ju them: në njëqind vjet, në vafshim si po vemi, do të jemi aq poshtë sa edhe sot”.

“Sa e sa marrëzi, sa e sa poshtërsi e krime janë bërë në emër të së gjorës Shqipëri”.  “Armiqtë e Shqipërisë janë vet shqiptarët, jo të tjerët. Shqiptarët kanë shkruar me gjakun e tyre më tepër se një faqe në histori të Evropës.” (Faik Konica)

Gjithë shqiptarët kudo dhe pa dallim, Faik Konica i këshillon, sidomos përball aktualitetit të sotëm të brendshëm konfliktual politik dhe të gjendjes së pasigurt ndërkombëtare: “Të përpiqemi me të gjitha forcat tona të shërojmë shqiptarët nga dashuria për individët. Ata duhet të mësojnë të duan Shqipërinë – e jo për t’i bërë qejfin këtij apo atij shqiptari”. (‘Albania’ 16, 15-30 korrik 1898).

Për ata që thonë se 35-vjet post-komunizëm nuk mjaftojnë për të vendosur një demokraci të vërtetë perëndimore, Faik Konica u thotë:  “Tek prisnim të piqeshin kushtet, na u kalbën dëshirat.”

Dhe, “Politika e vërtetë qëndron në kapjen e drejtimit të një evolucioni të caktuar dhe në përpjekjen për të ndihmuar në përshpejtimin e fundit të tij”. (‘Albania’ 11, 1898).

Për ata që rininë e quajnë “huliganë”, Faik Konica u thotë: “Rinia është në sytë e injorantëve kërcënim për të ardhmen; por është edhe rrezik për të tashmen, sepse rinia është e çiltër, ndërkohë që dhe çiltërsia është armiku i natyrshëm i sharlatanëve”. (‘Albania’ 5, 1905) — “Populli është i duruar, po gjer në një pikë: e kur kupton dhe e zë zenga, tërbimi i tij bën çudira të shëmtuara”.

Për ata që nuk kuptojnë ose nuk duan të pranojnë zemërimin e njerëzve, në kohë të vështira, përball sfidave me të cilat përballen sot shqiptarët, Faik Konica u drejtohet atyre me këto fjalë: “Si mos të dëshpërohesh në këtë vend, ku të pasurit nuk ndihmojnë dhe të varfërit nuk punojnë”?

Për opinionistët dhe analistët e TV-studiove të sotme shqiptare, Konica do të thoshte: “Shumica e atyre që kanë marrë mbi vete misionin modest ‘të ndriçojnë opinionin publik’ as që kanë ndjesinë më elementare ta nisin fillimisht nga vetvetja për t’u mirë-informuar.  Venë e vënë në përdorim mënyra hulumtimi të cilat, sikur të zbatoheshin në çdo shkencë, do bënin për të qeshur edhe një nxënës shkolle”. (‘Albania’ 6, 1905).

Edhe një tjetër   thënje për opinionistët e shumtë debatues në televizionet shqiptare — në Shqipëri dhe në Kosovë — por edhe për gazetarët e sotëm të medias së shkruar, Konica u flet kështu:

“Frikacaku i ka tërë karakteristikat dhe kryesisht këtë: hakmerret ndaj përbuzjes së tjetrit nëpërmjet sharjes. I pafuqishëm, veç flet keq e shan poshtërsisht të tjerët”. (‘Albania’ 5, 1905).

Duke i shtuar karakterizmit të tij të opinionistëve/gazetarve Konica është shprehur: “Ka njerëz që shitën ndër guverna për të pështyr gënjeshtra. Ka të tjerë që marrin ndihmë nga një guvernë për të thënë të vërteta që ndryshe nuk mund t’i thonë”. (‘Albania’ 2, 1899).

Vazhdon kritikat ndaj gazetarëve dhe opinionistët – që sipas Konicës, “kanë marrë mbi vete misionin modest të ndriçojnë opinionin publik”, por ka shkruar ai: “Ka pasur në çdo kohë, dhe përherë do ketë individë të gatshëm për të folur e shkruar lidhur me çështje për të cilat nuk ia kanë haberin të shprehin as fjalën e parë”. (‘Albania’ 6, 1905).

Drejtuar akademikëve dhe studiuesve, Faik Konica u thotë: “E vërteta nuk ka nevojë për stil gjarpërues e të yndyrshëm të shkrimeve akademike”. (‘Albania’ 2, 1897).

Atyre që bëjnë sehir ndaj të këqiave të shoqërisë, urrejtjeve dhe armiqësive, Faik Konica u thotë: “Urrejtja nuk çarmatoset nëpërmjet heshtjes e asnjanësisë” (‘Albania’ 12, 1909).  “Një i mbushur me mllef e mëri, në mendjen e tij anemike, rrokullis mendime të tmerrshme”, (‘Albania’ 9, 1898).

Ndërsa, apologjetëve të komunizmit dhe të regjimit të Enver Hoxhës, sidomos intelektualëve të sotëm, të cilëve 35-vjet post-komunizëm, në shkrimet e mia modeste – shpesh u kam bërë thirrje të reflektojnë mbi të kaluarën komuniste dhe krimet e regjimit — Faik Konica do t’u thonte:  “Dallimi në kulturë shpjegon dallimin në mendime” – “Nuk mund të pretendosh të përfitosh nga tërë dobitë e lirisë, duke ruajtur njëkohësisht tërë privilegjet e tiranisë. Për të pasur institucione të lira, duhen luftuar mendimet nëpërmjet mendimeve”. (‘Albania’ 5, 1907).

Duke shprehur pesimizmin e tij për individë të tillë, Konica është shprehur: “Të verbrit do të mbeten të verbër in sœcula sœculorum (për shekuj të shekujve), edhe sikur t’u shtini perona në sy, ata prapë nuk do shohin kurrgjë”. (Albania 1, 1897).

Përfaqësuesit e partive politike shqiptare, Faik Konica do i këshillonte sot të mënjanojnë urrejtjet ndaj njëri tjetrit: “Urrejtja partiake shpesh merr përparësi ndaj instinktit kombëtar”. (‘Albania’ 2, 1904).

Atyre që po shkatërrojnë bukuritë e natyrës së Shqipërisë (Valbona, Vjosa) për përfitime ekonomike, Faik Konica u thotë mos urreni bukuritë që Perëndia u ka falur shqiptarëve: “Shqipëria është një vend i bekuar me njëmijë bukurira, shkelur nga turmë e cila ushqen njëfarë urrejtje ndaj bukurisë”.

Shqiptarëve në, përgjithsi, dhe kudo, përfshir edhe komunitetin shqiptaro-amerikan dhe mërgatën shqiptare kudo në 2025, Faik Konica kërkon të reflektojnë dhe porosit që ‘të mësojmë duke parë e dëgjuar për reth nesh’, për ndryshe, vaj medet: “Mbani mirë (mend) këtë që po ju them: në njëqind vjet, në vafshim si po vemi, (prap) do të jemi aq poshtë sa edhe sot”.

Kur do i dëgjonë dhe kur do i marrin seriozisht shqiptarët fjalët dhe porositë e lëna pas të Faik Konicës!?

Filed Under: ESSE

Në përvjetorin e vdekjes së Martin Camajt

March 13, 2025 by s p

Më 12 mars 1992, në moshën 67-vjeçare, u shua Martin Camaj, një nga figurat më të ndritura të letërsisë dhe kulturës shqiptare. Një zë i veçantë poetik, një studiues i palodhur dhe një ruajtës i trashëgimisë gjuhësore e shpirtërore të kombit, Camaj mbeti për dekada një simbol i lidhjes së pandashme mes atdheut dhe mërgimit.

Pesë ditë para se të largohej nga kjo botë, ai i drejtoi shqiptarëve një mesazh prekës, një testament shpirtëror që përçon mallin dhe dashurinë e tij të pashuar për vendin e tij:

“Të dashun miq e vëllazën shqiptarë, intelektualë, artistë dhe mbarë populli shqiptar, përshëndetjet e mija ju janë drejtue të gjithëve. Gëzohem pa masë se keni vendosur të vlerësoni veprën time: ky vlerësim na afron. Bátë burrninë të më shtini në rreshtin tuej. Ndonëse të ndamë për një gjysmë shekulli, unë jam i jueji e ju jeni të mijt.”

Në këto fjalë të fundit ndihet një përmallim i thellë, një dëshirë për të qenë pjesë e kombit të tij, ndonëse vitet dhe rrethanat e kishin mbajtur larg. Ai nuk ishte i huaj për Shqipërinë, as Shqipëria nuk ishte e huaj për të—ajo jetonte në poezinë e tij, në kërkimet e tij shkencore, në të folmen e pastër e të lashtë gegërishte, të cilën ai e ruajti me devotshmëri.

Martin Camaj nuk është më, por fjala e tij rron. Ai na fton të njohim e të vlerësojmë trashëgiminë e tij letrare dhe gjuhësore, të kuptojmë se një komb nuk e ndan dot gjuha, as historia, por vetëm harresa. Në këtë përvjetor, kujtojmë jo vetëm poetin dhe dijetarin, por edhe njeriun që, edhe në çastet e fundit, e ndjeu veten pjesë të pandashme të trungut shqiptar.

Albert Vataj

Filed Under: ESSE

Honore de Balzak, shkrimtari i periferisë

March 11, 2025 by s p

Jeta e këtij “Napoleoni” që zotëroi historinë e Francës dhe letërsisë botërore me penë, nuk ka një të ngjshme, për nga larmishmëria dhe rrugëtimi trazimtar i tij. Episodet drejt majës ku qëndron ende, janë të shumtë dhe shpesh tragjikomik. Ndoshta kësisoj do të farkëtohej më mirë ai shpirt krijues, ai që lindi kryevepra, për të mos hezituar të ishte i përfshirë në sa e sa ngulme sprove ku u rrëzua për të mbajtur në këmbë viganin e një shekulli. Kur Balzaku ishte i ri çoi te botuesi një dorëshkrim. Ishte një roman i titulluar: “Zana e fundit”. Botuesi e lexoi veprën dhe mbeti shumë i kënaqur. Vendosi t’i ofrojë 3000 franga për të drejtëri e autorit. Pastaj kërkoi adresën e Balzakut dhe kur mori vesh që ai jetonte në një lagje të varfër të periferisë, mendoi se 2000 franga do të ishin më se të mjaftueshme. Kur arriti përpara shtëpisë së tij pa se shkrimtari jetonte në papafingo.

– Atëherë, – tha botuesi, – njëmijë franga do të jenë të pranueshme me kënaqësi prej tij.

Dhe kur hyri në shtëpizën e varfër ku banonte Balzaku i tha:

-Zoti Balzak, ja ku i kini 300 franga për romanin tuaj. Dhe Balzaku i pranoi ato.

Kësisoi ishin shtigjet kah Balzaku ambicioz do të gjente rrugën për t’u ngjitur në apogje, aty ku gjenialiteti i tij shkëlqeu, duke mëtuar aktin krijues me besimin e lartësuar hyjni. Kishte lindur për gjëra të mëdha që nisën çapitjen e hapave të fillimtë nga periferia. Kurrë nuk mund nga dështimet, përkundrazi ata e mësuan se si mund të ngjitej aq lart.

Albert Vataj

Filed Under: ESSE

DRENICA – METAFORË E DHIMBJES DHE E UNITETIT SHQIPTAR

March 10, 2025 by s p

Prof. Milazim Krasniqi/

Drenica është njëra nga krahinat shqiptare që në këto tetëdhjetë vjetët e fundit të historisë kombëtare, në shumë momente ka luajtur rol përcaktues për zhvillimet e mëdha historike. Drenica ka marrë rolin e krahinës ku ka shpërthyer erupcioni më i fuqishëm atdhetar, duke u martirizuar vetë për interesat e mëdha të mbarë kombit. Historia shpalos argumente të pakontestueshme: kryengritja e vitit 1912, e udhëhequr nga Hasan Prishtina, filloi pikërisht në zemër të Drenicës. Ajo kryengritje rezultoi me krijimin e Shqipërisë, ngjarjes më të madhe deri sot në historinë e shqiptarëve si komb. Mbas mbetjes së gjysmës së atdheut nën robërinë e barbarëve sllavë, ishte prapë Drenica ajo krahinë që e ngjizi kryengritjen dhe luftën kundër okupatorit. Për vite të tëra lëvizja e Azem Bejtës e mbajti gjallë frymën e rezistencës kombëtare, iu kundërvu shpërnguljes me dhunë të shqiptarëve nga tokat e veta dhe e alarmoi botën për barbaritë serbe në këto vise.

Mbas lënies së sërishme të Kosovës nën robërinë sllave, mbas Luftës së Dytë Botërore, ishte prapë Drenica, ajo që ngriti kushtrimin e kryengritjen e armatosur kundër dhunuesve të lirisë shqiptare. Një kryengritje që u shtyp me gjak, por që nuk u shua kurrë në shpirtin dhe në mendjet e shqiptarëve. Ai shpirt atdhetar e rezistues, u manifestua në vitin 1981 me aktin e Tahir Mehës. Rezistenca sublime e tashme e Drenicës, në Prekaz, në Llaushë, në Vojnikë, në Açarevë e në fshatrat e tjera të Drenicës, po e shkruan historinë më të re të lavdishme të Kosovës. Drenica u bë pika ku rifilloi rezistenca e shqiptarëve kundër okupimit serbomadh, duke ndërlidhur historinë e saj të lavdishme. Drenica sot është vend ku ka ndodhur masakra e barbarisë serbomadhe kundër popullit të pambrojtur, vend me dhjetëra të vrarë mizorisht, vend me mijëra të ikur nga vatrat e tyre, vend me dhjetëra të plagosur, të cilëve nuk u mundësohet mjekimi.

Drenica është metaforë e dhimbjes shqiptare. Ajo i ka bashkuar të gjithë në një dëshirë, në një aspiratë, në një veprim. Të gjithë shqiptarët, kudo që ata janë. Ky unitet dhe ky mobilizim i fuqishëm, i paparë ndonjëherë ndër shqiptarët, është rast i jashtëzakonshëm që të vazhdohet me këtë frymë e me këtë dinamizëm. Shpalosja e shpirtit dhe e vendosmërisë shqiptare në Drenicë, në Kosovë, në Shqipëri, në Maqedoninë Perëndimore, në Preshevë, në mërgatat shqiptare, përfshirë edhe Zelandën e Re, është diçka që nuk është parë në këtë përmasë deri sot. Kjo duhet të shfrytëzohet që të vazhdojë lufta për fitore definitive.Është koha kur duhet të operacionalizohet kjo energji e kjo vendosmëri shqiptare. Drenica duhet të jetë gjithsesi pikë referimi e kësaj energjie, e kësaj vendosmërie dhe e këtij uniteti të fituar me sakrificën sublime të Drenicës. (9 mars 1998) P.S. Veni dorën në zemër dhe vlerësoni drejt, se sa shqiptarë brenda në Kosovë kanë shkruar në këtë frymë në mars 1998.

Filed Under: ESSE

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 28
  • 29
  • 30
  • 31
  • 32
  • …
  • 607
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT