• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Përbetimi rus…

March 4, 2017 by dgreca

Shkruan Rexhep KASUMAJ- Berlin, mars 2017/Nga Kullat e Kremlinit vjen shqetësimi i stisur. Një shkollë e vjetër pansllave që kurrë s’u lodh të punojë kundër shqiptarëve. Vërejtja e Moskës ka po atë amzë të njohur dhe po atë floskulë të fshehtë diplomatike: perëndimi dhe shqiptarët destabilizojnë Maqedoninë.

Po kush e thotë këtë?

Rusia që (pa vajtur larg në të kaluarën e errtë) përzihet e ndërhyn me spiunim kibernetik, para dhe ushtri kudo që i diktojnë interesat e saj për resurse, tregje e shtigje gjeopolitike në botë?

– Ajo anekson Krimenë e Detit të zi me vjegën që rusët e përsekutuar vendorë e nëvojisin këtë.

– I vë poashtu Ukrajinës, me vrasje e gjak, jashtë kontrollit gati gjysmën e territorit sovran tash sa vjet.

– Gjunjëzon për vdekje deri në kufijtë e zhbërjes, një komb e qytetní të tërë: Sirinë dhe atllasin kulturor të Shamit.

– I ofronte ndihmë danaike Greqisë në orën e vështirë të krizës, që ajo të refuzonte Brukselin dhe, këso udhe, ti jepte një të çarë Ngrehës europiane.

– Publikon, e mbase, falsifikon dokumenta të besueshëm të rivales Klinton, duke ndikuar zgjedhjet dhe, më pas, përplasjet civile në Amerikë.

– Ka hedhur në qarkullim misionarët subverzivë në Baltik që, dhe atje, popujt të thërrasin për mëshirë hemetat ruse.

– I jep kredi prej 50 milionë eurosh Marine Le Pen, shefe e Frontit nacional, që Franca të ndjekë britët dhe të shuhet Europa komunitare.

– Gatitet (me ç’thonë) të turbullojë ujërat elektoralë dhe në Berlinin e Zonjës së rëndë Merkel.

– Mban peng e të çorientuar Serbinë, duke i dhënë krah shpirtit testamental të krimit në filozofinë shtetërore të saj.

– Instrukton e mbështetë një grusht shteti në Mal të zi, ku, sipas skenarit komplotues, duhej të mbetej i vrarë premieri i tij.

– I ndërsen serbët boshnjakë për ta defunksionalizuar Bosnjën me projektin e Reich – ut të madh serbian (“nga varret në perëndim e deri tek tempujt në jug”).

– Bën shpesh një ekuacion simetrik mes Kosovës e Krimesë, anipse kanë territore, histori, popull, gjenealogji e përmasë krejtësisht ë ndryshme.

– Shpall se vetëvendosja e popujve është themel i lirisë, por, ndërsa kërkon t’i njihet pushtimi i gadishullit heterogjen – refuzon të njohë Kosovën, vullnetin e ligjshëm të popullit të saj shqiptar.

Ja ky është indi i politikës ruse që rikthen teatrin e vjetër në motin e ri. Por, njëkohësisht, ky është dhe kodi i sjelljes reale në marrëdhëniet ndërkombëtare: një lokomotivë që nuk e lëvizin as drejtësia e parimet dhe as dhimbja e lotët. Janë vetëm interesat e fuqia që përcaktojnë frymën dhe rendin tij.

Dhe të botës, mjerisht!

Filed Under: ESSE Tagged With: Përbetimi rus..., Rexhep Kasumaj

Java teatrore e sime mëje

March 4, 2017 by dgreca

Nga Ilir Levonja/

1) 8 Marsi
Më 8 Mars të këtij viti, 2014, mbushen plot dhjetë vjetë nga dita që ndërroi jetë dhe mori dhe’ ime më. Për disa ditë ajo do të mbushte shtadhjetë. Nuk e arriti. Bëri në mënyrë përfekte avazin e të shoqit.
Sa herë që vjen marsi, javën e parë unë e kam thirrur gjithmonë si java e saj. Kjo grua me histori nga njerëzimi i madh, asnjëherë pjesë e ndonjë e hallke shteti, apo qeverie, veç në atë të fundit, punëtore. Një pastruese shkollash dhe spitalesh. Thjesht njerëzim i madh, kishte në vetvevete sharmin e një intelektualeje klasi. Arsimimi i saj, përvoja e jetës.
Vështrimin psikoanalist më të përsosur në botë, kulturën e domosdoshme për të folur fare qetësisht edhe me personalitetin më të lart. Qoftë ky nga shteti, arti apo shkenca. Asnjëherë e friguar nga miqësia, qoftë edhe kur shoqet e saj ishin gra të deglasuara. Priste dhe i shkonte me kënaqësi një gruaje nga Pluku. Gruaja e Kapllan Resulit. Me humor të hidhur. Aq sa do kënaqeshin duke ia hedhur dhe pritur njëri-tjetrit. Ajo dhe Cekja i madh.
Ajo dhe shkrimtari humorist, i ndjeri dhe i madhi Shaban Manahasa.
Në javën e saj unë do flas për kurajon në fundin e jetës. Dhe dashurinë. Ndofta këtë të dytën mund edhe ta kem. Të parën nuk e di. I përket së ardhmes.
2) Java teatrore
Përse java e saj? Ka të bëj me kurajon. Me zemrën. Duhet të jetë prova më e madhe për njeriun, afati i jetës. Të dish se ke edhe kaq ditë apo kaq orë, etj. Dhe pa diskutim që nuk është çështje moshe. Jeta është e dhimbsur për çdo të tillë. Eshtë bota e ethshme ku njeriu mund të t’i lyp fatit mëshirë. Nuk bëhet pis. Ose nuk i trëmbët faktit të të gjëndurit në atë lloj situate. Janë gjëra njerëzore. Ku ta dish.? Janë përvoja të trishta, aq sa edhe ti shkruash nuk ke dëshirë. Por, jeta, e tillë qënka. Ka qënë java teatrore e saj. Në fund do të ikte. E kishte vendosur. Ndaj ditën e parë, në dhomën e pastër, mes librave të mi. Të cilët i ruante me fanatizmin më të madh dhe ku unë vetëm asaj i besoja që të mos dilte ndonjë kopje nga shtëpia. Kërkoi të takohej me njerëzit. Afati vetëm për dy ditë. Të tjerat ditë i donte me fëmijët. I donte të pastra dhe pa një pasqyrë në dhomë. Ditë ku njeriu nuk do ta shohë veten as për fytyrë.
E filloi me krushkën e madhe. E donte atë njeri. Flisnin bashkë për tekat dhe grindjet e të rinjëve të tyre. Teatër njerëzor. I tha që po vdiste, i fali shallin e saj, ndërsa tjetra qante. U përqafuan…, ndërsa ajo i kërkoi të mos qante.
U ndanë pa fjalë. Unë dëshmitari i gofusor. Kisha urdhër të mbaja veten. Kështu e disa ditë me radhë.
Ditën e fundit, u tha vajzave dhe nuseve të mos mbanin zi. Urrente të zezën. Donte ngjyrat. Dritën, diellin.Mbylli sytë në prehrin e djalit të madhe. Dashuria e brishtë. Meraku i saj.
Edhe sot e kësaj dite pyes veten. A do e kem ndonjëherë këtë kurajo? Unë, biri i saj .?.
3) Dashuria për lulet
Izabel Aliende, autorja e famshme e Shtëpisë së shpirtrave, e përndjekura e Pinochetit për shkak se është e mbesa e Salvador Aliendes, të cilën e kam edhe në listën e miqve këtu në facebook, më ka edukuar ritin e magjik të dheut të vendlindjes. Në vitin 1973 ajo do të ikte nga Kili për në Venezuele, mori me vete një vazo me lule. Më pas do të shkruante, ajo tashmë është rritur njësoj si malli im. Zbulova së fundi, pavarsisht moskomunikimit, këtë e kishte praktikuar edhe një shoku im i shkollës. Fred Basha nga Fieri. Me siguri, me dhjetra e mijra emigrantë të tjerë. Im vëlla më vendosi një kalem begonje me një grusht dhe’ në një shishe plastike nga ato mbi njëlitroshet të Cocacola-s. Mu kujtua Izabela. Më kujtohet edhe tani që po shkruaj këto radhë. Begonja ia ka kaluar mallit tim. Si unë dhe Fredi nga Fieri, i kemi jo thjesht lule, por gjymtyrë të nënave. Kapilarë të zemrave.
Ka një tjetër dashuri tek njeriu, që herë me naivitet, herë me çiltërsi, me dashje, pa dashje, shpall një tjetër dashuri e cila gati gati bëhet e krahasueshme me atë të njëriut për njëriun. Pra ekzistenca e një tjetër dashurie, asaj për lulet. Oborri i sime mëje dominohej nga mullagat. Por debulesa e saj ishin zambakët, begonja. Mbronte me dhimbje një zhardhok zymbyli. Një kajsi të çelur nga një hedhurinë. Një mandarinë apo një nespull. Sa herë që vjen pranvera më shkon mendja tek kjo dashuri. Tashmë unë jetoj në një vend me pranverë të përhershme, aq sa më vjen keq që kur shoh si stinët të ngrëthurura tek njëra-tjetra, nuk kuptohen kur vijnë, nuk kuptohen kur ikin. Me një fjalë nga ana që lind dielli çelin sythë të rinj, nga ana që perëndon, bien gjethet e vjetra. Por prapë shenjat e asaj tonës i kam me vete. Mi tregon lulja e saj, begonja.
4) Disa fjalë me ‘të …
Cigaren e kam lënë, nuk të shoqëroj më. Begonjën e krasita, ia kaloi edhe shtatit tim. Kam mbjell dhe zambak, kam lule fasuleje plot të tjera. Gjeta Elvin duke shikuar fotot e mia me ty. Më pyeti i tregova gjerë e gjatë. Mu hodh në qafë, më përqafoi. Eshte bërë djal i madh. Të përshendes e bukura ime.

Filed Under: ESSE Tagged With: e sime mëje, Ilir Levonja, Java teatrore

DJEMTE E ALIZOTIT

March 2, 2017 by dgreca

Nga Avdulla Kënaçi/Kanada/

1 Alizoti kenaci

Ata që kanë provuar emocionet e një udhëtimi të largët, e dijnë mirë se çfarë ndodh kur të ka mbetur vetëm një ditë përpara se sa të ngrihesh në fluturim. Po doktor Selam Shkurti, as donte t’ia dinte për të gjitha këto. Nuk thonë kot “kokë golëmi”.Dëgjo, mos më turpëro me djemtë e Alizotit, duan të të takojnë për një kafe. Ler çdo punë se ata të presin tek Kullat. – Kaq tha Doktori dhe mbylli telefonin.Duke kujtuar tërë ato porosi që më kishin mbetur pa mbaruar, turfullova. Ja edhe Selami tani, më jep ultimatume. Valixhet e udhëtimit i kam akoma të hapura mbi divan. Nuk ka faj, vetë unë ia kam krijuar këtë komoditet. Nuk ia kam prishur kurrë. Na lidh një shoqëri e vjetër, ne jemi jo vetëm rreth miqësie, por shokë që nga fëmijëria, shokë në shkollë të mesme, pastaj të dy me punë në Gjrokastër e më vonë në Tiranë; gjersa unë përpara disa vjetësh u degdisa në Kanada. Me të qeshur unë i thoshja: “Mirë të tjerat, por edhe nuset nga i njëjti qytet, more Selam!?”

U dhashë këmbëve për të arritur në kohë. Librarit Alizot Emiri i kisha borxhe të mëdha. Edhe pse ai ka më shumë se tri dekada që ka ndërruar jetë, nuk mund kurrsesi ta shlyej nga kujtesa. Kur duhej, në moshën time të re, më ushqeu dashurinë për librat duke m’i përzgjedhur sikur të isha një nga fëmijët e tij.

I pari në takim erdhi Imja, arkitekti, me të bijën, Klodin të cilën e shihja për herë të parë. Emri i Ibrahim Emirit, ose Imes, si e thërrinsnin në Gjirokastër shokët e ngushtë të Selamit,  më është ngulitur thellë në memorie që nga shkolla e mesme. Pastaj e kisha njohur vetë. Jo vetëm Doktor Selami , por edhe përmetarët ku ai kishte punuar, nuk e hiqnin nga goja për të mirë. Kur ishim në shkollë të mesme në Gjirokastër, nuk kishte se si ta harroja “çekiçin” e Selamit.  “Imja më tha kështu, Ibrahimi është më i miri i klasës, është i shkëlqyer në matematikë, … dje isha në shtëpi të Imes. … Ka gjithë ato libra. ….E di kush është babai i tyre? Alizoti, ai  që ka atë librarinë poshtë Qafës së Pazarit. … Nuk e merr me mend se çfarë familje e dashur janë ! … Por nuk e di… kanë diçka në biografi”. Biografi!? O zot, kjo është fjala që më ka tmerruar e llahtarisur së tepërmi në atë periudhë. Familja jonë në fshat konsiderohej me “hije në biografi”, ndërsa e Selamit jo. Ai e bënte gjumin të qetë. Kjo e flamosur fjalë paska mbirë edhe në qytet, mendova. Ndoshta kanë pasur ndonjë me qeverinë e Zogut, i thashë Selamit. Ai nuk më ktheu kurrë përgjigje gjersa unë e mësova të vërtetën nga librat biografikë që kanë shkruar për Zoten të bijtë e tij. Zotja ishte dënuar për agjitacion e propagandë kundër pushtetit popullor. Edhe pse bisedën e kthyem përsëri tek librat, ajo fjala “biografi” ishte sikur t’i hidhje ujë të akullt bashkëbisedimit që kishte filluar aq këndësh. Selami e dinte pikën time të dobët, librat. Së bashku, kur sa kishim mësuar shkrim e këndim, ndërtuam me dërrasat e një arke të vjetër “bibliotekën” tonë. Nuk u besoja veshëve, por edhe bëhesha ziliqar si kishte mundur Selami të kishte mik një qytetar dhe akoma më shumë, një gjimnazist me libra në shtëpi, ndërsa unë, edhe një shok klase që kisha nga qyteti, ai ishte me origjinë nga Kurveleshi, për ndonjë armë mund të hamendësoje, por për libra kurrsesi nuk bëhej fjalë që t’ia gjeje në shtëpi.

Kur hyra në librarinë e Aliotit për herë të parë, më dukej se edhe unë kisha “një të drejtë” më shumë, isha një rek Selami. Guxova dhe një ditë i tregova Zotes se çfarë më lidhte me Selamin. Ai më pa drejt në sy e më tha: “Edhe ti nga Golëmi qënke, kini zbritur në qitet, mos mendoni se do vijmë ne gjirokastritët t’u ruajmë bellot (delet)?!” Pastaj u bë serioz dhe m’u drejtua sikur të isha burrë  i rritur “Selami është shok i ngushtë i djalit tim.” Unë këtë doja, këtë prisja.  “Çfarë libri kërkon?”.  Zotja ma kishte blerë mendjen. Mora kurajo dhe “si mik” i thashë “Bija e mallkuar”. Ai qeshi pa e hequr cigaren nga buzët dhe më tha: “Eshtë ca si shpejt për atë libër, por nuk mendoj se na vjen më, por mund ta gjesh në bibliotekën e qitetit, ama po i gjete mik Vangjelit, drejtorit”. Aty për aty nuk i kuptova fjalët e Zotes, por më vonë mësova se ai libër ishte hequr nga qarkullimi.

Por unë kam një tjetër edhe më të mirë, – rrëmoi në raftin e fundit, vuri mbi banak një libër të trashë – ja këtë amerikanin. E ka shkruar një i famshëm, Teodor Draizer. Sa mbaroi Lufta e Ditë Botërore, vdiq edhe i ziu Draizer, po ka lënë vepra shumë të bukura.

Ne fshatarët jemi mosbesues. Veçanërisht qytetarët nuk i besojmë lehtë. Kur vura re çmimin dhe madhësinë e librit, mendova: “Ma ngopi, do t’i ketë mbetur pa shitur dhe ma ngeci mua”. Megjithatë e mora. Nisa ta lexoj me përtesë. Po sa më shumë faqe kaloja, aq më shumë më vinte turp për ato që kisha menduar për Zoten. Përpara meje u çpalos një vend tjetër, Amerika, marrëdhënie të tjera, por të egra, një djalë ambicios, Klajdi dhe një vajzë e thjeshtë punëtore fabrike, Roberta, por e pastër, njerëzore, mirësia vetë. Në fund të dy vdiqën. Histori e trishtur dashurie…U ktheva në librari pas një jave. E falenderova Zoten me përzemërsi.

E di që të ka pëlqier romani që të zgjodha. Ç’o marrëçtjetër? –  më pyeti duke më parë drejt e në sy.

Po ta lë ty.- Ai shpejt e shpejt zgjodhi një libër shumë më të vogël nga i pari.

Ky e ka titullin “Gjeri i vogël” por është shkruar nga një shkrimtar i madh farances. Shkruar nga i madhi Alfons Dode, ky libër është autobiografia e atij vetë.

E përpiva për dy ditë edhe Dodenë. Stili i ëmbël, thjeshtësia dhe madhështia e këtij autori më mahnitën, veçanërisht përshkrimet e natyrës dhe fshati.

Pastaj ai më rekomandoi shkrimtarë të tjerë; Mopasan, Stendal, Balzak, Hygo, Remark, Petro Marko, Flober, Cvajg, etj. mirpo nuk ma mbante xhepi dhe i rrallova vizitat në librari. Njëherë i kërkova librat e një autori rus dhe ai më tha në formë këshille, por edhe me një ton qortues; “Mbaro njëherë këta frënjtë që të jap unë, pastaj shohim e bëjmë për ata sovjetikët e tu”.

Për katër vjet me radhë me Spiro Deden nga Zagoria isha shok banke, shok klase dhe shok dhome në konvikt. Spirua ishte i publikuar si letrar mbasi në gazetën “Pionieri” kishte botuar një poemë qysh në shkollën 7-vjere kur i vdiq e ëma gjatë lindjes së motrës. Librat na lidhën më shumë së bashku. Ato çfarë lexonim ia tregonim njeri-tjetrit. Kur vinte pranvera “arratiseshim” nga dhoma e konviktit dhe ngjiteshim në tarrarcën e mencës. Shtronim batanie, merrnim nga guzhina biskota dhe një ibrik qumësht. Ky ishte “kokteji”. Ato na i jepte ndihmës guzhinierja, Antigoni Kutra, natyrisht “pa lejen” e guzhinierit. E ky i fundit, xha Kiçoja, një burrë i mrekullueshëm, ishte babai i Spiros. Flisnim për shkrimtarët, filmat, personazhet dhe përshkrimin e ngjarjeve që lexonim. Edhe Spirua tek Alizoti e kishte “kokën”.

Më thuaj mor vëlla, si është e mundur që Zotja i di subjektet e librave që ka në dyqan, i del koha atij t’i lexojë të gjitha!? – e pyeta njëherë.

Po, edhe mua më ka bërë përshtypje, më ka folur për librin para se ta blej dhe kur e kam lexuar ka qenë ashtu si më ka thënë Zotja.

Po si ka mundësi?! – Nuk kishim përgjigje. Ishte enigmë. Më në fund i dhamë karar se Zotja bënte lexim diagonal. Unë nuk e di se këtë fjalë “diagonal” e shpiku vetë Spirua për të shpëtuar nga pyetjet e mia dyshuese apo e kishte dëgjuar diku. Ama ne nuk dinim diçka tjetër. Zotja lexonte në gjuhë të huaj, italisht dhe fërngjisht.

Pasi mbarova shkollën e mesme, në një ditë të nxehtë korriku isha drejtuar për në sportelin e kinemasë, kur dëgjoj një zë që erdhi nga klientët e kafenesë së Rrapit:

Ti golëmas, pa eja këtu se të kërkon Doktori! – ishte zëri i Zotes që në atë orë pinte kafenë me Doktor Vasilin e Madh.  Ashtu, i ndrojtur, i pasigurtë, u rrotullova për nga tavolina e tyre. Doktori, një burrë trupmadh dhe i mbajtur mirë, më bëri vend me dashamirësi, më pyeti për mësimet, për librat që lexoja dhe çfarë kisha ndërmend të bëhesha. Pastaj më tha:

Ti je nga fshati i Ismail Golëmit, – nuk priti përgjigje, por vazhdoi – e kam pasur mik, ishte burrë i ditur dhe i zgjuar. Shkonim së bashku për gjah aty nga kodrat e Dervenit.

Hej bela, thashë me vete, Ismail Golëmi është pushkatuar nga Partia si armik dhe ky këtu në hije të rrapit e në mes të ditës më thotë se ishte burrë i mirë. Ktheva sytë nga Zotja, por ai mplikste me nge një cigare duhan dhe aq i përqendruar ishte në atë marifet sa thua se nuk kishte dëgjuar asgjë. Ah, mor Zote, po a e  di ti që jam me “hije në biografi”!? Mblidhe Doktorin se ka ikur nga fiqiri. E kur pra, tani që po pres të vazhdoj shkollën e lartë më thotë nga këto gjëra!? Thuaji ore ç’janë këto gjëpo-gjëpora. – Këto kujtoja kur isha përballë Imes dhe të bijës, Klodit, që kërkonte të dinte sa më shumë për gjyshin e vet.

Ja ku mbriti edhe djali i dytë i Alizotit, inxhinier Shpëtimi. Dinamik, shpërthyes dhe i shpjenguar në bisedë. Ai ngjan më shumë nga karakteri i të atit sidomos me ato romuzet që i ka në majë të gjuhës, por mua nuk më duket se është aq i llogaritur sa Zotja. Ndoshta nuk e njoh mirë. E lëshoi breshërinë e parë:

Librin ta dërguam falas, llogarite të japim falas ne gjirokastritët dhe të mos na shkruash dy fjalë për përshtypjet!? – Sytë lutës i hodha nga Ibrahimi me të cilin ruaj korrespondencë në facebook:

Ia kam shkruar Imes me mesazh. – Ibrahimi pohoi dhe unë ndjeva lehtësim, por Shpëtimi nuk ndalej.

Ia ke dërguar Imes? Pse s’thua që na zuri çatia brënda.- Qeshëm të tre, Klodiana më shumë edhe pse i ati i saj u ngarkua me faj. Ishim brenda atmosferës së familjes Emiri. Unë për ta lehtësuar ca, thashë:

Imja ngjan nga Galua, (ky ishte dajua i tyre), është i urtë e i qetë, jo si ky verveleja.

E po tani nuk do të thërras vëlla Ibrahim, po Dajko Ibrahim. – tha Shpëtimi “shumë seriozisht”. E qeshura gurgulluese e Klodit bëri që klientët e nja dy tavolinave më tej të kthejnë kokën nga ne.

Ashtu si Zoten, unë njihja mirë edhe Galon, shoferin e Sekretarit të Parë të Gjirokastrës. Kur isha gazetar i shtypit lokal, Galua, me urdhër të Sekretarit më merrte në makinë për të dalë “në terren ku merreshin rendimente të larta gruri e misri”. Kur kishte mbledhje të gjata, Galua zbriste në dyqan të Zotes dhe në një cep të librarisë, mbështetur në kangjellat prej druri, lexonte vetëm faqen e katërt të “Zërit të Popullit”. Rralloheshin klientët dhe Zotia pyeste Galon nga kreu i dyqanit:

Hë, mo Galo, çfarë thotë shtipi?

Kina  i ka bërë Amerikës paralajmërimin e 3144.

Po dale mo, sikur dje ishte paralajmërimi 3142, si ka vajtur 44 apo i bën çift e çift.

Jo, mo jo, ka bërë dy lajmërime në një ditë.

Si duket një ka qënë në mëngjes e tjetri në darkë. Nuk janë tërhequr amerikanët nga lufta në Vietnam as me atë të vaktit të mëngjezit e as me atë të darkës.

Por një ditë kryeredaktori i gazetës na mbledh në zyrën e tij dhe na thotë se ka shitës që mbajnë mall të rezervuar për miqtë. Përmendi kasapin, shitësin e djathit dhe Zoten. Ky lajm më prekte edhe mua. Isha një nga ata që Zotja më ruante gazetën letrare “Drita” dhe gjithë librat e reja. Si ta vija në dijeni? U ktheva në dyqan dhe si me të qeshur, i thashë:

Zote, je në listën e atyre që rezervojnë mallra. – Ai mund të më thoshte: “Qëromu nga dyqani, ti je një nga ata që i rezervoj!”. Por jo. Ai u nxi në fytyrë, humbi qetësinë. Ishte e para herë që e shikoja në këtë gjendje.

Mos më tremb mua me të tilla gjëpora. I sheh këto kalldrëmet e Gjirokastrës? Po të shkanë këmbët, nuk e merr më veten…

Përfundon në përrua, duhet të të ketë thënë!- tha Ibrahimi duke vazhduar mendimin e Zotes. Ishte i saktë. Të bijtë e tij e njihnin shumë mirë mekanizmin e të menduarit të babait të tyre.

Qortues, por edhe dashamirës. – tha Shpëtimi duke i dalë në mbrojtje.

Të nesërmen, i merakosur se po humbja një mik të çmuar, i penduar, u ktheva në librari. Zotja më priti si zakonisht, sikur midis nesh nuk kishte ndodhur asgjë.

Kishe të drejtë, më tha, atë problem në Komitet të Partisë e ka ngritur një instruktor që nuk ka haber nga librat. – U lehtësova.

Po mirë, po si e zgjidhe?

U thashë se vetë i madhi Lenin ka thënë se askush nuk duhet të dënohet se vjedh libra, unë nuk i vjedh, u thashë, nuk i mbaj për miqtë e mi, por i rezervoj për miqtë e librit. Nuk mund t’ua jap librat e gazetat atyre që duan të mbështjellin djathë e domate me to. “I paparë Zotja, i lumtë, ua ka mbledhur!”, mendova duke e kundruar me admirim. Ama atë këshillën e këmbëve që të rrëshqasin në kalldrëmet e Gjirokastrës, e vura vath në vesh, nuk e harrova kurrë, madje kohë më parë ia kam treguar edhe doktor Selamit.

Një herë tjetër vura re që midis dy kunetërve nuk shkëmbeheshin më shakara dhe romuze. Galua afrohej tek banaku dhe bashkëbisedimi ishte i tensionuar. Dëgjova që flitej për djemtë. Më theri në shpirt. Me siguri që ajo fjala e llahtarshme “biografi”, u kishte prerë rrugën. Zotia jepte e merrte nga një komitet në tjetrin. Në dy vëllimet, “Alizot Emiri, njeriu, librari dhe gazet fisnike”, të lidhura aq bukur, gjen të zbërthyer dramën e kësaj familjeje  denbabaden gjirokastrite, patriote, por të anatemuar nga teoria mizore e luftës së klasave. Djemtë e Alizotit kanë bërë një punë hulumtuese duke treguar mbijetesën, por edhe humorin që e kishte bërë aq popullor Zoten. Dashur pa dashur, kjo simpati e respekt e mbështolli me një koracë të paprekshme nga regjimi komunist. Unë nuk mund ta kuptoja saktësisht në ato vite se si në një shtëpi prej guri të lagjes Palorto rriteshin me mundime këta djem të mrekullueshëm, model në çdo kohë e periudhë.

Në atë takim të shkurtër Shpëtimi më dhuroi librin e tij “Kujtime me buzë në gaz”, është jeta e tij e mbushur me plot episode gaztore. Një libër me kripë e piper. Nuk thonë kot bëmë baba të të ngjaj. Nuk ke çfarë u thua, humorin e kanë në gjak. Buron vetvetiu si ujët e Viroit. Në çantën e udhëtimit drejt Kanadasë m’u shtua edhe një dhuratë e veçantë, ky libër plot humor, ngjyra dhe jetë.  Jam krenar që jam miku i tyre. Libri i dytë për Zoten mbyllet me një shprehje prej meje: “I paharruar. I madh Alizot Emiri. Dritë i pastë shpirti, ashtu si dritë diturie dhe hare shpërndau gjatë gjithë jetës së tij!”  M’u duk shumë pak, ende nuk ia kisha larë borxhin Zotes. Në shenjë mirënjohje për dashurinë që më ushqeu ndaj librit, edhe kaq sa shkrova tani, mendoj se është e pamjaftueshme.

Kanada, shkurt 2017

Filed Under: ESSE Tagged With: Avdulla Kenaci, DJEMTE E ALIZOTIT

SI NË NJË FAMILJE TË MADHE

March 2, 2017 by dgreca

– Nga përcjellja për në atdhe të të ndjerit ALTIN HAXHIRAJ-
Nga Llazar VERO/ Filadelfia/
 
Për ne janë gëzimet dhe hidhërimet. Por gëzimi shtohet dhe hidhërimi pakësohet me shokë dhe miq. Për tu gëzuar së bashku, ne shqiptarët sikur bëhemi më sqimatar, ndërsa në fatkeqësi bëhemi të gjithë bashkë, afrohemi dhe i gjëndemi pranë njëri – tjetrit, siç i thonë, pa dallim moshe, krahine, bindjeje. Dhe kjo është gjë e mirë. Shumë e mirë! Por sikur të kalonim ca më shumë së bashku edhe në gëzimet, hallet e vogla, të mirën e përbashkët, do të ishte më mirë. Jeta i kërkon të gjitha. Larg atdheut, ca më shumë.
 
 Shkak për këto shënime u bë një fatkeqësi që ndodhi në bashkësinë tonë , në Filadelfia. Bashkatdhetari ynë, nga Memaliaj, Altin Haxhiraj u nda nga jeta papritmas, pas një sulmi të rëndë në zemër. Nuk i kishte mbushur akoma të 45 vitet. Ishte i ri. Njëri i dashur dhe i shkuar me të gjithë bashkatdhetarët. Për të flasin mirë dhe me respekt kuksiani dhe fieraku, dibrani dhe gjirokastriti, të gjithë . Njeri që jepte dashuri pa kursim. I ndjeshëm dhe zemërgjërë, që falte dhe kërkonte përherë dashuri dhe respekt të pastër. Punëtor i palodhur dhe bujar si ai…
 
Unë që po shkruaj këto rradhë për Altinin, nuk e njihja. Ky portret, apo skicë porterti, për atë u bë me ndihmën e shokëve dhe miqëve të tij, Marselit, Florit, Mexhitit, Neritanit… Ishte Flori dhe Marseli që më dhanë të parët lajmin e ndarjes së tij nga jeta.  U thash se duhet të takoheshim së bashku tek godina e Shoqatës “Bijtë e Shqipes” të nesërmen mbrëma. Njoftova kryesinë e shoqatës dhe të nesërmen në lokalin e saj u mblodhën, jo 3-4 vetë por rreth 20. Ishte kryetari i Shoqatës që si zot shtëpie priste të gjithë bashkatdhetarët, nënkryetari i shoqatës dhe shef i financës së shoqatës Bujar Gjoka, Marseli, Flori, Neritani, pak më vonë erdhi baca Ahmet Shabani, nga Kukësi, Mexhit Kaboci me disa shokë… Disa megjithëse vinin për herë të parë, përshëndeteshim si miq të vjetër. Kishte dhimbje dhe shqetësim në fytyrat e të gjithëve.  Zoti Tajar Domi njoftoi bashkatdhetarët për fatkeqësinë që kishte ndodhur, ndarjen e papritur të Altin Haxhirajt nga jeta, duke shprehur ngushëllimet për familjen e të ndjerit dhe detyrat për organizimin e lamtumirës këtu në Filadelfia dhe përgatitjet për udhëtimin e fundit të tij për në Shqipëri, pranë familjes. “Për të gjitha këto – tha zoti Tajar – duhen një shumë të hollash që ne mendojmë se mund t’i mbledhim së bashku. Këtë ne e kemi bërë edhe më parë siç ndodhi me bashkatdhetarin tonë nga Kukësi , të ndjerin Hasan Kotarja.” Ende pa mbaruar fjalën, Marseli, Mexhiti fajlëpak e punëshumë, Neritani, Flori, baca Ahmet… shprehën gatishmërinë për të përballuar nevojat nga ata vetë si fillim.
 
 Pastaj kryetari i Shoqatës “Bijtë e Shqipes” zoti Tajar Domi ndau detyrat për secilin. Ndërkohë Bujar Gjoka me Florin kishin përpiluar lajmërimin për humbjen e Altinit dhe e shumëfishuan atë. Të gjithë donin të bënin diçka. U tha që lajmërimet të afishoheshin në të gjitha kafenetë shqiptare në Northeast dhe Riçmond të Filadelfias, të shoqëruara me një fletë- listë për dhuruesit. Bile që aty, në sallën e kafenesë së shoqatës filluan dhurimet e para.
 
 U tha që  arkivolin me të ndjerin Altin Haxhiraj në udhëtimin e tij të mbramë për në Shqipëri duhej ta shoqëronte dikush. Dhe mënjëherë  Neritan Manushi dhe Florian Ferko shprehën gatishmërinë për ta kryer këtë detyrë dhe nder ndaj shokut dhe mikut të tyre.
 
 Shumë shpejt filluan të mblidheshin paratë. Në fillim 5700 dollarë, pastaj  $9850… Baca Ahmet Shabani që shkonte mengjezeve në çdo kafene filloi të ndihej më i qetë për realizimin e qëllimit. Mexhit Kobaci lajmëronte me telefon shokë e miq për fatkeqësinë që kishte ndodhur dhe ndihmën që duhej siguruar. Kiço Kokthi me të dy djemtë ishin ndër të parët që dhanë ndihmesën e tyre.  Pastaj filluan të vijnë dollarë nga Nju Jersi dhe Nju Jorku nga miq dhe të njohur të të ndjerit dhe familjes së tij. Listatpo mbusheshin njëra pas tjetrës. Vetëm në kafenenë e shoqatës u mbushën dy të tilla me një shumë të konsiderueshme. Ajo çka ishte e veçantë në këtë aksion ishte pjesëmarrja e madhe e bashkatdhetarëve dhe kjo të bënte të ndjeheshe mirë në mes të ketij hidhërimi. Dhuruesit ishin nga të gjitha krahinat e vendit tonë, duke filluar nga Kosova e Çamëria, Gjirokastra dhe Shkodra, Korça dhe Durrësi, Fieri dhe Tirana… E kishin marrë vesh nëpërmjet fejsbukut të shoqatës , lajmërimeve të afishuara, telefonatave me njëri-tjetrin…nëpërmjet dhimbjes dhe dashurisë.
 
Më 27 Shkurt në orën 6.00 pm në shtëpinë e funeraleve Fluer &Sons Inc. në 3301-15 Cottman Ave. të Filadelfias, Shoqata Atdhetare “Bijtë e Shqipes” së bashku me shokë dhe miq të të ndjerit, organizuan ceremonin e lamtumirës për bashkatdhetarin tonë Altin Haxhiraj.  Në emër të shoqatës dhe të dy bashkatdhetarëve nga Kukësi Mexhit Kobaci dhe Ahmet Shabani u vendosën dy kurora me lule. Pastaj edhe shokë të afërt të Altinit sollën buqeta me lule. 
 
– Por ju sikur thatë se nuk ka asnjë nga familja dhe të afërmit e tij – tha një punonjës i moshuar i shtëpisë së funeraleve.
 
 -Ja, ne jemi familja  e tij këtu – iu përgjigj njëri nga shokët e Altinit si i fyer – Nuk mjaftojnë !?
 
Vërtetë . Ishim si një familje e madhe. Në sallë e mori fjalën zoti Llazar Vero, që në emër të Këshillit Drejtues të Shoqatës “Bijtë e Shqipes” lexoi letrën që do i dërgohej nënë, motrës dhe vëllezërve të Altinit në Memaliaj, ku i shprehej ngushëllimi dhe dhimbja për ndarjen nga jeta e njeriut të tyre të dashur. Pas leximit ai i ftoi pjesëmarrësit për të mbajtur një minutë heshtje në nderim të jetës dhe kujtimit të të ndjerit.
 
Pas ceremonisë në shtëpinë e funeraleve pjesëmarrësit u ftuan për një kafe në godinën e shoqatës. Lokali i kafenesë u mbush plot shumë shpejt. Selfo Muça që kishte ardhur bashkë me djalin, kishte sjellë me vete edhe nje shishe raki Shqipërie. Tek ekspresi i kafesë hsërbente ingxhinieri nga Kosova Fitim Hamzai i ndihmuar nga agronomi prej Elbasani Bashkim Bërdufi, Llazari shërbente rakinë… Ndërkohë kryetari i shoqatës zoti Tajar Domi mori fjalën dhe pasi falenderoi të gjithë pjesëmarrësit , jo vetëm në këtë ceremoni për në të gjithë aksionin për mbledhjen e të hollave, duke përmëndur me emër ata që ishin në krye të punëve si Bujar gjoka ,nënkryetar dhe shef i financave të shoqatës, Llazar Vero, antar i Këshillit Drejtues. Mexhit Kobaci, Ahmet Shabani, Marsel Meçe, Neritan Manushi, Florian Beka dhe Florian Ferko… informoi pjësmarrësit për shumën prej 19.875 dollarësh të mbledhur deri në atë moment, pa llogaritur ato që janë duke ardhur orëve të fundit.  Ai falenderoj edhe pronarët e lokaleve: Petro Kukuri, Kalosh Kupa, Nevin Abedinaj, Spiro Lica, Sefret Ferko, Krenar Hoxha,Foto Kopali, që morën përsipër të grumbullonin dhurimet që do të bëheshin. Po ashtu, sqaroi pjesëmarrësit edhe se si ishte menduar të shpenzoheshin këto shuma. Pas mbulimit të shpenzimeve për shtëpinë e funeraleve dhe biletat e udhëtimit për shoqëruesit, shuma tjetër do t’i dorëzohet nënës së Altinit të ndjerë në nderim të jetës dhe dashurisë tonë për të.
 
Për të gjitha këto , vazhdoi më tej z. Tajar Domi, do të kini një informim të detajuar dhe të dokumentuar në web-in dhe fb e shoqatës në ditët që vijnë.
 
  – Ju faleminderit dhe u takofshim për gëzime! – ishin fjalët e mbylljes  së kryetarit të shoqatës.
 
 Pastaj e mori fjalën z. Neritan Manushi që lexoi një falenderim të ardhur në celularin e tij nga një vëlla i Altinit në Memaliaj. Folën edhe shokë e miq të afërt të Altinit si Marsel Meçe etj.
 
 Kishim të gjithë një dhimbje por zemrën e kishim të ngrohtë. Kishim bërë një punë të mirë. Nderuam veten dhe bashkatdhetarin tonë. Jo për nga vlera monetare. “Ka një kapital pa vlerë në treg- thotë miku  im i mirë Sefedin Çela në Tiranë,- që të mbanë në këmbë dhe të ndihesh i pasur: dashuria, zemra plot, shpirti plot. Një komb shpirtzbrazur nuk është i varfër, është i vdekur”- përfundon ai. Ne treguam se e kemi shpirtin plot me dashuri njërëzore, se  e duam jetën dhe njëri-tjetrin.
 
LLAZAR VERO
 
Filadelfia, 28 Shkurt 2017

Filed Under: ESSE Tagged With: Altin Haxhiraj, Lazzaro vero, percjellje

Dy fjalë gruas së Havzi poetit

February 28, 2017 by dgreca

Nga Ilir Levonja/

1 Havzi nela

Ne Foto: Poeti i pushkatuar Havzi Nela/

Në përgjithësi gratë e poetëve janë shërbyeset e para të poezisë. Jo të poetit. E për më tepër, jo të pushtetit. Poetët tek soji i gruas gjejnë udhën e duhur. Atë që mbanë erë trëndafil. Dhe e kanë kaq të vështirë minutën. Sa as një gënjeshtër pesë lekëshe nuk dinë të bëjnë. Karshi tjetrit, teje. Pasi gënjejnë gjithë ditën veteveten.

Dhe ta dish që do të trishtoheshin deri në një pikëllim pa kthim, kur të mësonin se sa e gënjyer është ajo, shërbyesja e fjalës, e frymëzimit, e rrugës me trëndafila.
E jo më të gënjejnë një popull me premtime elektorale.
E jo më të pranojnë plumbin, varjen në litar dhe demaskimin publik.
Ata që e pranuan u vetvranë. Ose vranë me dorën e tyre poetin brenda sojit. Dhe shpikën teknokratin militant.
Kjo është e dhimshme. Po nganjëherë njeriu shurroset i tëri. Dhe nuk e ka problem të jetoj kështu. I qullosur në brekë. Madje të mësohet. Dhe të mos harrojmë, se radhët e këtyre që vetvriten, janë një batalion. Madje një shoqëri e tërë.
A nuk e bëmë ne, shqiptarët, me kauzën e diktaturës së proletariatit!
Ata që nuk e pranuan këtë jetë. Dhe nuk u vetvranë. I vrau pushteti dhe të vetvrarët. Në këtë aradhë bën pjesë edhe poeti Havzi Nela.
Dhe disa të tjerë. Të cilëve për një apo dy arsye, pushtetet i ngritën nga një shtatore. Thjesht e për t’i përdorur. Jo si ndjesë kolektive e marrëzive tona karshi lirisë dhe të të drejtave të njeriut. Jo, asesi.
Ndaj ky përdorim duhet të marri fund. Duhet të vdesi.
Kjo edhe për faktin e një kontradikte midis krijuesit dhe shtetarit. Sado ata, krijonjësit të radhisin veten diku, prapë. Nuk janë ata. Ndofta është ajo anë a pjesëz e intelegjincës njerëzore. Intelektuali. Veç ta dish, poetët janë intelektualët më naivë. Kjo për shkak të metaforës. Pasi ata janë robër të metaforës. Ose bukurisë së fjalës.
Ke shembuj nga njerëzimi plot. Përshembull Nazim Hikmeti në Turqi. Janis Ricos në Greqi. Apo Gabriele Danuzio në Itali.
Kësisoj ky përdorim tribunash partish. Nuk i përket rracës së poetit.
Eshtë rracë e rëndë, besomë.
Në 27 vite demokraci, u përdorë një metodë. Ajo e glorifikimit diktatorial. Edhe nga shtetarët. Aq sa shoqëria jonë bëri jo detyrat e duhura. Por kaloi radhën me brohoritje dhe iku në kurbet. Këtë e bënë edhe një masë e madhe të persekutuarësh. Vetëm të pamundurit mbetën aty. Aq sa sot, edhe këta krenohen ashtu njësoj, si shtypësit e tyre dikur. Kur rrihnin gjoksin si njerëz të luftës.
Dhe u bëheshin pjesë tribunave që projektonin përditë shtypjen e njëriut për njeriun.
Ndaj më dhëmb kur e them se prania e një trëndafili poeti. Në një tribunë demagogjie të radhës. Më shpuri në këtë krahasin kohësh, njerëzish, përdoruesish. E pra, grua… duhet tu themi shtetarëve tanë se koha e demagogjisë ka vdekur. Në botën e lirë dominon praktika progresiste. Për një shoqëri pa të mundur. Jo për një shoqëri që na përdor. Dhe neve na duket se na respekton. Përkunrazi, na vrasin përditë dhe paturpësisht.
Aq sa nuk është fare e vështirë të kuptosh se si një masë militantësh janë kthyer sot në frekuentues të luksit. Edhe pse dje ishin varfanjakë si masa e madhe e shoqërisë sonë. Por këto nuk janë ideale, për më tepër demokratike, janë spekulime dhe mashtrime hashiqare. Aq më tepër kur i kemi bordet drejtuese nga bijë komunistësh që nderonin me grushtin tek tëmthi. Me ”intelektualë” që nuk e njohin rotacionin. Me teknokratë që nuk e kanë problem të marrin peng një popull për kusuret e bijve.
Sot tëlindurit në demokraci janë nga 27 vjeç. Koha e maturisë së djegur. E megjithatë ata akoma udhëhiqen nga rrënojat e diktaturës.
Kjo është e dhimshme për një popull. Vdektare për një shoqëri.
Prishëm atë byronë nëpër hollet e shkollave. Dhe shpikën këto të rejat nëpër selitë e partive.
E megjithatë nuk po i japim dot fund demagogjisë.
Për dijeninë tënde, ish studentit të Shkodrës, djalit të Shqipërisë së mesme, Kukësit…, disidentit të vërtetë. Demokracia e dënoi rishtas. Madje me ty në krah. Dhe e di pse, se nuk denjojnë të hapin krahun.
E jo më të përmbushin idealet e vrara të Havzi poetit.

Filed Under: ESSE Tagged With: Dy, fjalë gruas, Ilir Levonja, së Havzi poetit

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 322
  • 323
  • 324
  • 325
  • 326
  • …
  • 607
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë
  • Alis Kallaçi do të çojë zërin dhe dhimbjen e “Nân”-s shqiptare në Eurovision Song
  • Garë për pushtet…
  • Njëqind vjet vetmi!
  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT