• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Dheu im hesht nën akull

July 31, 2017 by dgreca

nebackground-albania-theth-9

David Gjeçaj, ish folës i Radio Vatikanit (seksioni shqip) për 30 vjet, prift katolik i lindur në Theth:«Ne e çmojmë atdheun kur nuk e kemi më!» /

1 xhevair-lleshi-zyre

Nga Xhevair LLESHI/

 «Dheu im s’ka ma mimikë, po maskë. Asnjë gjest nuk ban, veç thrret ndihmë, e shpesh i qëllon të tradhtojë çdo gja, madje edhe një emocion çfardo. Dheu im rri kokulun, i zhytun në dëshprimin e tij dhe vetëm pret. Pret sa duket të ngjajn’ hata të mëdha, më të mdha se ai vet, që detyrimisht duhet të marrin ngut në të përpjetat e thepisuna. Dheu im hesht nën akull, ndonëse bërtet si fmijë i vogël sa ka n’kokë; e ka qejf, po qejf të madh ama të baj nji piskamë ziet dhe doemos t’bjer në sy. Më thoshte dikush se atdheu im vdes për të mbajtur vesh, për të përgjuar si miu. Jo, jo nga ato kush foli e çfarë tha. Por ka thagma të tjera që ngrenë peshë të madhe. Ja, i shikon artistët që, rrinë kokrra-kokrra dhe s’bëhen dot bashkë? Ama secili me vete sajon një skenë dhe ban sikur merret me diç të randsishme! Edhe atdheu im kshtu vepron, ban sikur merret me politikë të madhe, hiqet si fuqi ushtarake, s’e çmon popullin e tij, nuk sheh ma tej se hunda e vet, teshtin dhe mallkon. Dheu im lundron mbi humbje. Jo, atdheu im nuk çjerret, nuk thrret ma, nuk jep urdhna, nuk zemrohet, ha dhe pi si i babëzitun, ngre ndonjë kurth të vogël dhe pret diçka t’madhe, t’ia japin thelën e mikut të randësishëm. Asgja, asgja fare, nuk ndodh me atdheun tim. Ia ka xanë sytë e mira, ka qeverinë nëpër kambë, e mban, e ruan, e rruan, e qeth, e tall nëpër dhambë, e ysht t’bahet gjak dhe t’fitojë kot së koti famë. Dhe fama fitohet edhe nga hidhësi. Për shembull shkopinjt’ e gomës të jenë prej hillsi dhe ai që rrihet të jetë lakuriq… Dheu im shan shumë, qan shumë, nuk zgjedh kurrë ma t’mirën, i pëlqen të flejë me të zakonshmen, zhytet në botën e vet të mbrendshme, mediton pak, pi duhan dhe mendohet për të djeshmen. Me një fjalë shikon prapa n’vend që të shohë përpara. Se ka nëpër kambë qeverinë!…

Dheu im nuk i kupton fare urdhnat nga lart, edhe telefonat nuk i ngre kurrë, edhe ulet e ngrihet sipas qejfit, knon pa tingull, ngashren, dhe mban n’dorë lahutën dhe fyellin. Kot. Punën e bëjnë ata nën tokë. Me ta fitohet famë e jo llafe. Dheu im ka mobilizim revolucionar në shkallën ma t’naltë, funebre dhe sublime, pa madhshti, si kurdo. Dheu im i ka komunistët n’ballë, i mbron t’besuemit dhe punon kokë më kokë. Dheu im merret me njerëzit që kanë në kokë lakra e jo tru. Dheu im ashtë vet dhe ka të tjerë nën mbikëqyrje. Dheut tim nuk i vdesin kurrë udhëheqësit. Dheu im i dashtun ka vetëm ditëlindje. Dheu im është vigjilent: të gjithë ia fusin dhe ai nuk ia fut dot askujt, pra ashtë impotent. Të pish ujë si dhallë edhe fyti bëhet i tejdukshëm! Dheu im di të sillet, di ç’flet, po edhe kur s’thotë asgja, merret me fytyrën e botës, me gjestet e saj! Jemi a s’jemi, si thoni?

Dheu im nuk del nga shtëpia, rri heshtas por jo pa fjalë, se fjalët kot, kur grin sallatë, i ka në majë të gjuhës. Dheu im e ka qepur edhe kur ia fut kot në tym dhe i duket sikur thotë diçka. Dheu im ashtë i hutuem, krejt i tronditur. Ai vetëm sa lë të lirë frymëmarrjen e nxituar dhe gjithnjë mundohet të bajë zhurmë, zë vend diku dhe kthen kokën për ta parë botën nga dritarja. Dheu im knon nëpër festat tona të pakta bashkë me zogjtë kangtarë dhe gjithnjë me hare të patregueme. Por atdheu im ashtë me fat, udhton vetë me satelit dhe ç’sehir që ban: bota i duket sa një gogël dhe aty Shqipnia ka humbur fare… Dheu im…

Dheu im s’e ka mendjen fare te njerëzit, ban mbledhje të pafundme, pret asgjanë dhe tret fjalët e udhëheqësit. Ka telashe atdheu, tregon kujdes të jashtëzakonshëm për pudrën dhe plehun kimik, se dheu im s’ka bajga, edhe fekale ka pak, domethanë jo aq sa duhej të kishte. Veçse mos harroni: dheu im rruhet çdo ditë dhe nuk paguan taksa, sheh telin e korrentit dhe ngrin nga pabesia e drejtuesve. Pastaj ka shpikur spiunat. Çdo shtëpi ka ma shumë spiunë se sa njerëz. Gjithë rrugës atdheu im i dashur, ecën në kambë dhe kollitet, por nuk qet gjak. Gjysma e së keqes. Po, mëmëdheu kujton dhe shkruan, nuk harron ngjarje të kohëve t’para. Dheu im gjithnji ka nostalgji për luftnat, malet, skërkat dhe bokrrimat, urinë dhe vllavrasjen. Atdheu im vdes për njiçik atmosfenë t’randë. O Zot, sa e vret mendjen për kët. Dhe shplodhet nëpër gurore, nga Tomori në Veleçik. Dheu im çan gurë me varé. Nuk i len ato të shkreta vese…  Ngordh për të fshehur diçka, dhe fle natën me vasha si zanat, me vashat yje. Dheu im do të vdesë nga bukuria, keni për t’ia digjue krismën. Ngaset atdheu im. Mban qen, zogj, rrit lule, bën ndonji pordhë dhe e mban barkun me dorë…  Dheu im psherëtin. Ka ditë qi nuk flet ma, ashtë mbyllun n’kullën e ngujimit, ashtë mbyllun në vetvete dhe çdo gja i lexohet qartë: vuajtje i shihen në ftyrë. Dal në Shkodër dhe ndigjoj atdheun tim që thoshte pa da: Tek ne kan’ metun vetëm vajzat ma t’bukura, ma t’bukurat fare! Duhet t’më besoni njerëz. Jam besnik i dheut tim… Vuaj dhe unë… Mirmbeçi!…»

Filed Under: ESSE Tagged With: David Gjeçaj, Dheu im, hesht nën akull, Xhevair Lleshi

Nji Trekendësh Bermude… në Lushnje!

July 27, 2017 by dgreca

 Jozef RadiShpend Sollaku NoéGëzim Hajdari

nga Jozef Radi/*

Një përvjetor i përbashkët dhe heshtja e padenjë e një kohe që s’e gjen vetvete! /

Dikur aty nga fillimvitet ’70, ose me saktë në vitet ’74-’76, në të njejtën klasë të gjimnazit të vetëm të qytetit të Lushnjes, (që asokohe quhej “20 Tetori”!), na ishin tre djem që vinin nga tre pika të ndryshme të Myzeqesë: njeri nga qyteti, tjetri nga njw fshat majekodre dhe i fundit nga nji kamp internimi…

Ishin kohë të vështira, por rinia edhe në të keqen më të madhe, di ta ngjyrosë jetën me shumë dritë. Nëse guxoj t’u vë nga nji nofkë secilit prej këtyre tre personazheve gjimnazistë: të parin do ta quaja: Rrebeli; të dytin: Finoku dhe të tretin Tërrnuri!! Sigurisht, tri nofka të ngjyrosura disi negativisht për kohën, ama tipike të asaj periudhe që ata i përkasin; po nëse do të kërkoja t’i zbusja sadopak këto emërtime negative e tua përshtasja vlerave të secilit, të parin do ta quaja Pasionanti i Pashëm; të dytin i Drojturi Darsisë; e të tretin Gjatoshi i Rafinuar… Pra, ngado që ta thur e ta shthur kët fakt, Trekëndëshi i Bermudës… më del i plotë…! në Lushnje, apo ndokund tjetër, kjo pak çon peshë, rëndësi ka që jeta e këtyre tre djemve me të njejtin numër vitlindjeje mbi shpinë 57, veç vitit, kishin të përbashkët edhe qytetin: të njejtën shkollë, të njejtën klasë, e nganjëherë edhe të njejtën bangë…! Kështu, ata (veçmas dhe tok) kanë pjesë realitetesh të përbashkëta, rrugësh të përbashkëta, guximesh të përbashkëta, sakrificash të përbashkëta, tëhuajsime të përbashkëta e që sot, (ashtu si edhe dje) duke i ndjekur vetet nga lartësia e 60 viteve ku kanë mbrritur, ata me të drejtë mund të besonin se atdheu, qyteti, shkolla, shoqëria apo edhe banorët më me kulturë të atij vendi… do të kujtoheshin qoftë edhe për nji ftesë kortezie (mirësjelljeje), për t’i pasur të pranishëm në biseda mes tyre…

E vërtetë është, se në kët këndvështrim ata prej kohësh ndjehen: “të përjashtuar nderi” të shoqërisë shqiptare, të qytetit të Lushnjes dhe gjimnazit të tyre!

Gjithkujt mund t’i lindë pse-ja e madhe dhe të pyesë: mos të tre së bashku ishin kompllotistë të mëdhenj, o mos mediokër mendjeflladitur, o ndoshta xanxarë të pandreqshëm… Mos ndoshta ende janë të tillë…?!

Mbetem i bindur që edhe sikur të ishin të tillë, të tre veçmas po edhe së bashku mbeten përçues të dashurisë pa asnji kompromis për vendin e tyre… Secili prej të treve – ka sot nji vepër dhe një angazhim solid sa brenda aq edhe jashtë territorit të atdheut, të tre ata (veçmas dhe bashkë) janë një atdhe shetitës, dhe shoqëria shqiptare asnji sekondë s’ka jetuar jashtë trazimeve të tyre… Vepra e secilit prej tyre, (po edhe e të treve bashkë) s’është tjetër veçse dashuri sublime ndaj një gjuhe, ndaj qytetit, ndaj një vendi dhe krejt nji bote për të cilën të tre (së bashku dhe secili më vete), duhej të ishin nji krenari jo e pakët e çdo lexuesi apo dashamiri të letrave po edhe krejt asaj që quhet e përbashkëta jonë…

Sot ata jetojnë dhe ndjehen të  nderuar e të respëktuar, po aq sa ndjehen edhe të përjashtuar e të shpërfillur nga vendi i tyre, dhe vepra e tyre jeton jashtë çdo komunikimi dhe vlerësimi që ata meritojnë…

Megjithatë në vetmitë e tyre të shenjta, ata ndjehen bashkë, si dëshmi të nji vullneti të epërm e të paepur, me kokfortësinë e sakrificës në rrugën e Letrave dhe në të vërtetat sublime që ata prej kohrash ndjekin…

Të tre këta djem të një atdheu s’e gjen vetveten, të një qyteti, të një shkolle, të një klase e të një bange prej me shumë se një çerek shekulli jetojnë paqshëm në Gadishullin e Çizmes, vetëm për të mos qenë të shtypur, në një tjetër trekëndësh (jo Bermude sigurisht) mbasi njëri jeton maje Alpeve, tjetri buzë Tirrenit dhe i treti në brryl të Adriatikut, gjithnji në përpjekje që klithma e shpirtit të tyre, qoftë edhe si jehonë t’i mbrrijë brigjet e Shurdhësisë së Madhe…

Mbas gjithë kësaj ligjërate, që do të mbetet gjithnjë e papërfunduar, për këta tre protagonistë “të panjohur” e të veçantë, e drejtë do të qe  të shfaqeshin me emrat e tyre,  edhe me vepra e tyre… në mënyrë që të tejkalohen fjalët e manipulueshme nga erërat ideollogjike dhe të ktheheshim te “Scripta manent” e latinit, që besoj se do të ishte më e drejta gjë për ta.

Ata quhen: Shpend Sollaku Noè, Gëzim Hajdari dhe Jozef Radi…

E mirkuptojmë, atdheun e madh të zhytur në halle të mëdha, e s’mund të merret me vogëlsira, mirë edhe qyteti i tyre gëlon prej figurash të përndritura dhe s’di kujt t’ia prishë e kujt t’ia ndreqë më parë, po ajo shkolla, ajo klasa ku këta tre djem kanë studiuar me sakrifica, dhe kanë shfaqur shenjat e para të vlerave të tyre, nuk paska aq fuqi sa ta dëshmojë vetveten e t’i ftonte këta djem. Duhej ta kishte për nder, që nga gjiri i një klase (rast jo fort i shpeshte) kanë dalë tre djem që në të mirë a në të keq, janë zëra letrarë, të gjuhës, letërsisë dhe kulturës shqipe; se ata kanë qenë mësues, kanë drejtuar revista dhe gazeta, kanë shkruar me dhjetra libra, në shqip e gjuhë të huaja, kanë folur publikisht në media të vendit e të huaja për çeshtjet dhe kulturën shqiptare, dhe se asnjë njollë kompromisi a korrupsioni s’mbajnë figurat e tyre…

A nuk do të qe më se e meritueshme që të tre ata, në të 60 vit të jetës së tyre, të ishin të ftuar, të vlerësuar e të dëgjuar në auditoret e së njëjtës shkollë, ku ata si nxënës me njëmijë sakrifica u ngjizën si modele lirie, si talente dhe si intelektualë jashtë pushteteve korruptive, modele të gjalla, të vërteta e të prekshme që dëshmojnë se talenti edhe pa pushtetin edhe pa partitë mundet të çajë rrugën e tij dhe ta realizojë vetveten, në shpërfillje dinjitoze të gjithë Trekëndshave Fatalë të Bermudës shqiptare…

shtator 2015-korrik 2017

 

Filed Under: ESSE Tagged With: Jozef Radi, ne Lushnje, Nji Trekendësh Bermude...

Me vepra ta duam atdheun!

July 26, 2017 by dgreca

1Kaltrina Hoti

Nga Kaltrina HOTI/Patriotizmi nuk  blihet, shitet apo dhurohet.  Jeton në secilin nga, është dhuratë  e  dhuruar nga toka, është dashuri e veçantë, sakrificë që na mbron identitetin tonë.  Ta valosh flamurin në kulmin e shtëpisë, të stolisësh veten me shqiponjë, ta shndërrosh zërin tënd në rrufe të jehonës;  “Jam Shqiptarë”, s’do të thotë se je atdhetar.  Jeta kërkon dashuri, sfidë nëpërmes të cilës  mëson për fuqinë tënde shpirtërore apo mendore, dhe pastaj nëpërmes të përjetuarës atdhedashuria rrjedh. Por kjo ndjenjë rrjedh si  lumi i qetë, me veti bart urtësinë , butësinë, durimin e fjalës dhe veprës. Sot në mërgatë takon   shumë mërgimtar/e që u detyruan për arsye të ndryshme të bëhen shtegtar/e,  por shtegtare nuk janë, e  jetojnë jetën e mërgimtarit me dy dhimbje shpirtërore. Dhimbje Atdhetare dhe dhimbje Ideale. E lan atdheun se ishin të detyruar, apo të “detyruar”, dhe tani jetojnë duke luftuar për ekzistencë. Detyrohen të punojnë punë që e sulmon personalitetin e tyre. Dhe ata nuk kanë frik të dalin në ballë të kësaj beteje, sepse e kuptojnë realitetin e botës ku gjinden. Shndërrohen në klasë punëtore të shkallës nënçmuese në shtet të huaj, aty ku sfida i solli. Derisa në Atdhe ata krijonin fjalë, varg, art, muzikë, pikëpamje opinionesh, porta të ardhmërisë, përkrahje të kombit, ndryshime në ardhmëri, këtu çdo ditë kur mbaron  puna i ruajnë lotët të pa pikuara për t’i ujit ëndrrat e tyre të filluara të cilat i japin shpresë të vazhdojnë ditën e nesërme. Atyre mund t’iu thuash Patriot. Nuk hezituan të japin shpirtin në çdo aspekt për Atdhe duke mos kërkuar asgjë në kthim. A thua përse i injorojmë këta krijues, që e shtrydhën veten për Atdhe? Sa herë kam dëgjuar;  “Ka qenë, gazetar/e, shkrimtar/e,  muzikant/e, artist/e, piktor/e,  e të tjerat por tani është në Amerikë, s’ka asgjë falas, le të punon”. Ai është duke punuar por është vështirë të fillosh një fillim të ri ku je vetëm një pikë e padukshme, pa gjuhë, pa këmbë. Në të gjithë mendojmë që jemi të lirë në vend të huaj, por jo, nuk jemi sepse kjo liri është liri e imponuar për luftë ekzistuese. Dhe pa e vërejtur shndërrohemi në; “Njeri pa hije”, harrojmë ta ushqejmë atdhedashurinë shpirtërore, rrajët e të cilit janë tek shpirti i popullit, e ai shpirt është kultura. Përse?!! Të gjitha këto organizata që i kemi krijuar për qëllime kombëtare duhet të kenë një fond për atdhetar të tillë. Nuk po flas ti ushqejmë, t’i veshim apo të iu gjejmë një kulm për tu strehuar, po flas të iu jepet rasti të vazhdojnë profesionin e tyre, të iu jepet mundësua të shprehin aftësitë e tyre, idetë e tyre nëpërmes veprave të tyre. Piktorit t’ia blesh pikturën, shkrimtarit librin, gazetarin shkrimin (kemi plot gazeta). Ai që është i uritur për dituri ta ndihmojmë të vazhdoj shkollimin, artistit t’i jepet mbështetje. Të dhënat tregojnë se shqiptarët si popull janë ndër më të pasurit në diasporë, që do të thotë se ata kanë biznese të fuqishme, ndërsa jo që nuk duan por disi mungojnë fondet për arsim, kulturë, art e avancim të organizuar të bizneseve të përbashkëta. Të jesh patriot do të thotë të bëhesh pjesë e kulturës. Sa më shumë të arrijmë si komb më afër Bashkimit Kombëtar jemi. Janë shumë emra të njohur që ndodhen në diasporë, por që nuk kanë mundësi ta dëshmojnë aftësinë, cilësinë, veprimtarinë për arsye objektive. Shqetësimin tim e përfundoj me një fjalë të takohemi në Qendrën Kulturore aty t’i themi njëri tjetrit “Mirëmëngjesi Bashkimi Kombëtar”. Ju do pyetni ku është “Qendra kulturore” e unë ë di dhe ju e dini, është në idenë e atyre që duan të na shohin të bashkuar. Të bashkuar me një ide, në një vend ku mund të dëshmojmë veprimtarin, aftësinë, cilësinë… aty bashkë Shqipëria lartësohet, aty jeton.

 

 

 

 

 

 

 

 

Filed Under: ESSE Tagged With: Kaltrina Hoti, ME VEPRA, Ta duam Atdheun

Dialog me Gjergj Kastriotin

July 25, 2017 by dgreca

1 Nue Oroshi Foto nga GjirokastraNga Nue Oroshi/Aty në Kalanë e Krujës në Kastrinë e Mirditës në rrafshnaltën e Lezhës në Qendër të Prishtinës apo nëpër qytete të ndryshme të Evropës takova gjurmet që kishte lanë Gjergj Kastrioti. Ai sikur dëshironte një dialog në formë të përgjegjjës për pasardhësit e tij shqiptarë. Unë e thashë hero mos u dëshpro se pas kohës tënde heroike dhe vdekjës tënde 1468 kemi pasur 444 vjet robëri otomane dhe 100 vjet robëri sllave. Të dy këta pushtues që sunduan në trojet shqiptare kanë lanë kopilat e tyre që në formën e sythit të mbirë ata po dëshirojnë me tregu se nuk janë shqiptarë. Gjergji më përgjigjet:’’ Po si ësht katandisur në kët mënyrë Arbëria e ime!?” A ka ende djem shqiptarë në Tokën e Arbërit të cilët i dalin zot kësaj toke. Unë e bëra luftën që t’iu lidhi me Evropën dhe jo me Rusinë e Azinë. Unë i ndërpreva rrugën sulltanëve e pashallarve për t’iu treguar se kjo tokë ka zot shtëpie e zotët e kësaj toke janë Arbërorët. E unë i përgjigjem : Hero. Që nga periudha jote kemi problem me tradhëtarët. Edhe ti pate të tillë që ta kanë kthyer shpinën por nuk u dorzove. Ju tregove vendin spiunave të sulltaneve dhe të kraleve të ndryshme e orjentove Arbërinë në rrugën Evropiane. E mos harro Hero se të tillët janë shumuar. Kanë lanë pasardhës dhe janë përzier me farën e sulltaneve dhe krajlave të Serbisë dhe Rusisë. Ata janë në gjendje të bëjnë çmos që mos të egzistoj Shqiptaria. Hero atyre ju pengon edhe gjuha shqipe, edhe tradita shqiptare edhe shkrimtarët shqiptarë, edhe heronjët shqiptarë. Hero,të tillët edhe pushtimet aziatike dhe ato karpatiane po dojnë me na i shitë për çlirim. Hero 444 vjet pas teje Perendoria Osmane ka mbjellë kopila në trojet shqiptare. Hero edhe 100 vjet pas në trojet shqiptare sllavët kanë mbjell kopilat e tyre, ku e vazhduan pushtimin në trojet shqiptare aty ku e lanë osmanlit,ku osmanlit në ikje e sipër i dorzuan si peshqesh sllavëve,Plavën e Gusinë ,Ulqinin e Malsinë. Hero edhe gjatë këtyre 100 viteve e ideoligjizuan kombin shqiptarë pro orjentimit rus, ku edhe na mbjellën një egjër me emrin komunizëm. Ajo egjër për 50 vjet u shëndrrua në murtajë, e cila vrau, preu dhe masakroj intelektualët dhe patriotët më të mëdhenj shqiptarë që e deshën orjentimin e shqiptarëve aty ku dielli lindë në perëndim.Hero ,kjo ideologji na i mori 47.300 shqiptarë mbi 95 % nuk u dihen varret, në Tivar u bën mish për peshq shqiptaret atdhetar. Më pas hero u vranë dhe u masakruan elita intelektuale që kishte kryer shkollimin nëpër universitetët perëndimore, qe ishin kunder që të mbillet fara e Rusisë në trojet shqiptare.

Hero a nuk e tha Fishta në shprehjen e tij: “Çka të lanë kta katër ujq që i turrën shoqi shoj thonë do të dalë një djall i kuq që për të gjallë do t’ja vë thojtë. Atdhetarët do t’i qon drejtë qengelit ndërsa ata që i shpëtojnë qengelit merr e i qon në shkollë t’gabelit”. Po ku i kam kufijtë ore i nderuar? Ka shtrihët sot Arbëria ime?Pyet Kastrioti. Aty marrë frymë thellë. Hero ,Arberia të është ndarë në copa -copa por ende frymon. Djemtë e Arbërit i ke të ndarë në dy pjesë. Ata që janë shqiptarë dhe të cilët kanë një orjentim të pastër kombëtar që trojet shqiptare t’i bashkojnë dhe t’i orjentojnë në gjirin e familjës evropiane, që po ecinë rrugës që na e le ti, dhe të tjerët kopilat që na i lanë pushtuesit aziatikë dhe karpatian të cilët janë bërë se bashku dhe janë formu dy ideologji të reja ku secila ka nga dy krah, krahu i parë ndahet në dy pjesë: në Vehabizëm dhe në Erdoganizëm. Ndërsa krahu i dytë në Titizëm dhe Enverizëm. Të dyja këto ideologji janë kancer për kombin shqiptarë hero. Këto po bashkpunojnë ngushtë me Serbi, Rusi dhe Turqi dhe po dojnë që edhe një herë t’i kthejnë trojet arbërore në troje shkretirë, ku do të kullosin kuajtë e verbërt aziatik e karpatjan. Po ku mbeti lufta ime ore i uruar?Ku mbeti ndërgjegjja Kastriotase? Kur do të zgjohet kjo ndërgjegjje të kombi im shqiptarë? Aty kërkoj që ta pushoj dialogun për disa minuta dhe i mllefosur nga kjo gjendje që e ka kapluar Arbërinë e Gjergj Kastriotit – Shqipërinë e sotme etnike i dhashë këtë përgjigjje:

Hero ta jap Besën e nderit se nuk do t’i lamë në trojet tona që të kullosin kuajt e varreve aziatike e karpatiane. Do ta ringjallin Beslidhjën Kastriotase dhe do ta bëjmë Shqipërinë Etnike pa ideologjinë e Vehabizmit, e Erdoganizmit, pa Titizëm e pa Enverizëm por me një nacionalizëm të pastër shqiptare duke afruar në Beslidhjën Kastriotase djem dhe vajza me ndjenja të pastra kombëtare. Hero nuk ka dalë fare të gjithë bijtë e shqipës. Ende ka shqiptarë që në gjakun dhe gjenin e tyre frymon koncepti Kastriotas. Të gjithë ata po e presin momentin që t’iu prijë një elitë e shëndoshë kombëtare me moton : ta bëjmë Shqipërinë Etnike e cila do të integrohet në gjirin e familjës evropiane. Deri sa e mbylla dialogun me Gjergj Kastriotin, mu kujtuan :’’ Lotët e Gjakut ’’ të patër Anton Harapit kur Shqipëria ra në duart e komunizmit pansllavist dhe papritmas nga sytë e mijë pashë dy kokrra loti, lotë të derdhur për një pjesë të vëllëzërve të mijë shqiptarë që e mohuan dhe po e mohojnë shqiptarizmin dhe duke ecur rrugëve të tradhtisë kombëtare gati e gjashtë shekuj me radhë i lanë vëllëzërit e tyre shqiptarë pa varre për një kocë të palarë që i afruan armiqtë e kombit tonë shqiptarë.

Filed Under: ESSE Tagged With: Dialog, me Gjergj Kastriotin, Nue Oroshi

Si duket qyteti im?!

July 21, 2017 by dgreca

1-kaltrina

Nga Kaltrina Hoti /Dikur kur isha studente mbaj mend që thoshim; kur shtëpia që për çati ka 99 plisa ta fitoj vetëm edhe një dhe të bëhet shtëpia më 100 plisa, ne do të çlirohemi. Sa bukur të jesh i çliruar, të flasësh me lirinë, ta puthish, ta përqafosh. Po është bukur, por kur s’kam menduar se duhet ta ushqesh, mos e dhunosh, mos e vrasësh. As të tjerët kurrë s’ma kanë thënë ndoshta nga dëshira që qytetin dhe shtëpinë me 99 plisa ta shohim të lirë. Vërtetë ne mendonim por edhe sot mendoj se çdo plis ka një dëshirë atdhetare. Po! Se çdo plis e njëjta robëri e kishte shtrydhur 87 vite. Në mendonim se nga ajo shtëpi ku buron drita e mendjes dhe shpirtit, ku njeriu armatoset me dituri, mençuri dhe urtësi do hapen shtigjet e humanizimit e përparimit tonë kombëtar. Mbase plisi i 100 ishte simbolika jonë studentore. Po simbolika të flasësh, mësosh e gëzohesh nën plisin e qiellit të hapur lirshëm. Po sot si duket qyteti im? Si duket shtëpia me çatinë e 99 plisave? Si e ndjen veten ajo shtëpi që iu hoqën zinxhirët nga trupi, a merr frymë ashtu si e meriton apo e ka mbërthyer trishtimi. Po ajo pjesë që donte plisin e 100?! Si duket kjo pjesë është në një vuajtje kur sheh që një pjesë e madhe si shkrihet në skulpturën e baltës së huaj. Ne e donim qyteti të ketë çati plisin e 100 ndërsa rreth tij të shkëlqejnë ngjyrat tona kombëtare. Nga 99 plisat të marrim dritën e diturisë e ta zbukurojmë mëndejn dhe qytetit t’i falim shëndet, mirëqenie e dashuri. Sot na lodhi pasqyra e minareve dhe fjala e huaj pa kuptim. 99 plisat presin, kanë durim… ata e dinë se çdo gjë që fitohet apo merret pa dashuri është e huaj dhe si e tillë është një plagë në trupin e lirisë së brishtë. Por ato që futen dhe strehohen nën çatinë e 99 plisave do ta gjejnë me urtësi e dashuri rrugën që i gjithë vendi im të ketë për çati plisin e 100 e jo minaret e injorancës e të mjerimit. Plisi i 100 i rishfaqur në horizont na thirr për durim, mençuri e urtësi. Ushqeje lirinë me prodhimet e tokës e të shpirtit të vuajtur nën robëri, ushqeje më dritën e lashtësisë, se neve Zoti na lindi dhe bekojë me fjalën shqipe. Po plisi i 100 është liria e cila donë të ulet në tryezën e shtëpisë tonë me 99 plisa. Aty nën çatinë e 99 plisave flet zëri i tokës sonë, aty dëgjohet jehona dhe fjalë jone, aty numërohen dëshirat e të rënëve për liri, aty merret amaneti për ardhmëri. Jo! Jo! Atje ku ushqehet injoranca, atje ku Zoti nuk flet shqip, atje është mendja dhe fjala e huaj. Zoti neve na lindi shqiptar. Por durim miqtë e mi durim.  Kur të lodheni nga pasqyra e minareve ktheni kokën ka plisat. Plisat janë aty dhe na japin shprese që i gjithë vendi të jetë nën çatinë e plisit 100. Një ditë të gjithë do mblidhen aty, për të gjithë dera do jetë e hapur por nuk do dinë ku dhe si të ulen ata që mohuan veten, gjuhën, kulturën dhe traditën, ata që lejuan që të mbjellin farën e injorancës e të përhapin tmerrin, ata që ecën pas fjalës dhe futën dorën në xhepat a huaj për të vrarë lirin që ne çdo herë e kemi veshur me tesha të kuqe. Ata që janë shitur dhe po shiten tek fjala e huaj nuk do din ngjyrën e shamisë më të cilën do hidhet vallja e bashkimit, as ata që na e lejojnë që shtëpia e 99 plisave të bije nën pasqyrën e minareve. Buka, dashuria, mirëqenia, mençurua, aftësia, konkurrenca është nën dritën e shtëpisë me 99 plisa, aty ku pret të hedh vallen Bashkimit kombëtar!

Durim, durim o plisi im! Mirëmëngjesi Bashkimi Kombëtar!

Filed Under: ESSE Tagged With: Kaltrina Hoti, Si duket qyteti im?!

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 321
  • 322
  • 323
  • 324
  • 325
  • …
  • 618
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • VATRA PËRKUJTON PATRIOTIN ZEF BALAJ NË 4 VJETORIN E KALIMIT NË PËRJETËSI
  • ATË QË KA MONOPOL GJENIU NUK MUND T’IA MARRË DOT NJERIU!
  • Idriz Balani, një nga mjeshtrat e skulpturës monumentale
  • HUNGARIA DHE ZËRA TË SHKRIMTARËVE TË SAJ NOBELISTË. FAJIN E KA…DHE LETËRSIA?!
  • Vatra Chicago ofron një mundësi të shkëlqyer për talentet shqiptare në futboll
  • President Franklin D. Roosevelt 1882-1945, Presidenti që e ktheu filatelinë në instrument solidariteti gjatë Luftës së Dytë Botërore
  • Diaspora midis unitetit dhe instrumentalizimit politik
  • KANUNORE E FEDERATËS VATRA 1926
  • Posta nga Haga – Frankfurter Allgemeine Sonntagszeitung, 12.04.2026
  • Bedri Dedja (20 nëntor 1930 – 13 prill 2004)
  • Aty ku historia nuk lexohet, por përjetohet…
  • Pafajësia kolektive…
  • Diaspora shqiptare në botë: Nga “Të ndërtojmë Amerikën” tek “Të ndërtojmë Shqipërinë”
  • Noli dhe Konica në dritën e “Diellit”
  • Personalitete kombëtare në New York nderuan jetën dhe veprën e Eliot Engel

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT