• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

E PARA BIBLIOTEKAT DHE E FUNDIT BIBLIOTEKAT

February 12, 2019 by dgreca

Nga Xhevair Lleshi/

E para është Fjala. Shkruhet në Bibël. Po edhe ka qenë e para, sigurisht. Do të jetë patjetër edhe e fundit. E kur themi Fjala (e folur apo e shkruar, s’ka rëndësi) nënkuptojmë Biblioteka. Mund t’i duket dikujt edhe një çmenduri, por ama të mos harrojmë se gjërat mund të fillojnë kështu: me një çmenduri. Se dihet që brenda është pasioni dhe ky i uruar është vetëm i çmendur. Bibliotekat! Kudo. Në çdo qelizë. Kushdo që ka dëshirë ta bëjë për së mbari këtë vend, duhet ta fillojë e ta mbyll me bibliotekat. Si, si e harruam , ta themi troç dhe qartë, si harruam kohën kur çdo qelizë e jetës shoqërore, e botës së punës dhe e kohës së lirë kishte një bibliotekë. Aty edhe një postë kufitare dhe një anije peshkimi! Nuk ju vjen në mendje, po ja që po jua sjell unë. Mendoni paksa se të kujtuarit e gjërave kurrë nuk ju bën keq. E pra bibliotekat ndokush i ka lënë në prehër të harresës sepse brenda ishte ideologjia marksiste-leniniste, veprat e E. Hoxhës dhe të PPSH, por ama çdo fshat kishte vatër kulture, dhe ato në qendër kishin biblioteka. Po ashtu çdo ndërmarrje shtetërore (edhe në fund të botës të qe) kishte bibliotekë, po ashtu çdo repart ushtarak, çdo institucion, shkollë, burg, spital, anije, pika stërvitore, repart, qendër e rëndësishme (madje edhe e parëndësishme) etj., etj.,… pra edhe një qelizë Shqipërie kishte një bibliotekë dhe ne ishim një nga popujt që lexonim. Po, po, lexonim dhe ushqyem ëndrra të mëdha. Herë tjetër jo në tym e kam thënë numrin e saktë të bibliotekave. Sot jini apo s’jini në gjendje për të ditur numrin e saktë mjafton të kini para syve panoramën e gjerë të shtrirjes së tyre. Dhe nuk bëhet fjalë për nostalgji po thjesht për ta prurë atë realitet në kohën tonë.

Sidoqoftë, si nuk zuri mend kjo Koha e Re, me pretendime aq të mëdha e, njëkohësisht me aq dëngla e premtime të bujshme, si? Kjo kohë do të kishte e ç’nuk do të kishte, aty edhe çeqe të bardhë dhe… me siguri do të na përmbytninbibliotekat. Mirëpo ja, kaluan si pa u parë, gjithnjë nëpër këmbët tona, tridhjetë vjet (dhe nuk janë pak për këtë jetën tonë jo kozmike!) dhe Shqipëria e gjorë nuk ka biblioteka! As me ligj, as pa ligj. Dhe mos i vini re karagjozllëqet e filmuara për biblioteka nëpër lagjet e Tiranës! Ato janë vetë sarkazëm dhe aq, që t’i mbledh buzët dhe ti i përvesh nga zori. Dhe, ta mendosh: është tejet e vështirë ta mendosh Tiranën pa biblioteka! Se vetëm ajo ka 36 qytete shqiptare! Domethënë vetëm Tirana duhet të kishte 36 biblioteka, pa përfshirë bibliotekat e mëdha; kombëtare, shkencore, universitare, akademike, korpuset etj., se në të vërtetë as këto nuk ekzistojnë, duke lënë paksa mënjanë Bibliotekën Kombëtare, e cila nuk ble libra, por ama qahet e lënduar se s’ka ku të çojë librat e shkarrashkruesve shqiptarë.

Pa fjalë të tepërta miq! Është e tmerrshme t’u lësh brezave që vijnë këtë vend kaq të mjerë! Ne kemi gati 2000 shkolla të të gjitha kategorive, duke përfshirë edhe universitetet, kemi mbi 20 mijë biznese të mëdha, pastaj kemi plot institucione, ushtri, spitale, azile, polici, burgje e çfarëdo tjetër dhe kudo nuk kemi biblioteka! Dhe ndërkohë ishte dhe është kaq e thjeshtë sa të humb menjëherë edhe oreksi! Pa pikën e andrallave po me një optimizëm të paparë. Maksimumi Shqipëria jonë nuk do më shumë se tremijë biblioteka. Dhe të mendosh që ato janë të ndërtuara kryesisht në shkolla, për të funksionuar si biblioteka të shkollës dhe të komunitetit. Mbetet vetëm të pajisen me libra. Po ne çfarë, vetëm libra nuk paskemi? Jo, mo libra dhe shumë të mirë ka, por askush nuk i do bibliotekat, sepse pranohet që 40 milionë euro t’i hedhim për 2 km rrugë që sigurisht ekziston, është e ndërtuar (pra, për t’i ndarë me barkun e Shën Mërisë ato para!) dhe ja gjysma e këtyre parave do ta kishte mbushur Shqipërinë që nuk lexon më, përplot biblioteka dhe të ishin çelur kudo nëpër institucione bibliotekat e shkreta! O Zot! Një gjë e mundshme bëhet krejt e pamundur. Dhe mos pasja e tyre vjen nga kryeministra që shkruajnë vet libra, nga politikanë që i kanë mbushur raftet me libra tirazhi dhe jo libra që s’ka ku të shiten, sepse është e pamundur të shiten, në një vend që s’ka librari dhe në pastë ndonjë tek tuk ajo e mjerë nuk nxë dot as gazetat. Me ato pará që hidhen kot (Kot jo, xhanëm, se ato pará duket se janë mirë në xhepa se sa të bëhen libra!) mund t’i ndërrohej faqja vendit duke ngritur 36 biblioteka publike në Tiranë, duke i lejuar urat e Lanës të kthehen në librari të vërteta e të fuqishme që Tirana të mund të cilësohet kudo si kryeqyteti me librari të mëdha prej xhami në urat e një lumi të vogël. Të paktën tani që afron 100 vjetori duhet të arrihet ky projekt i bukur, i pakushtueshëm dhe mjaft qytetar. Po pse, pse, pse, pse, pse, pse nuk i japin, teksa nuk harxhojnë asnjë kacidhe?!

E di që mund të vërsulen dhe të nxjerrin nga goja lloj-lloj palavish, por unë kam këmbëngulur dhe këmbëngul: kthejeni sa më parë urën e madhe midis Taivanit dhe Sky-Tower në qendrën më të madhe të librit. Fillojeni prej këtej! Aty në një ditë venë e vijnë mbi njëqind e pesëdhjetë mijë kalimtarë dhe me probabilitet aty do të marrin kontakt me librin 10 për qind e tyre. Projektin e kam gati. Ejani o zotërinj ta bëjmë. Pse jo! S’ka kurrfarë shkaku për t’u penguar, përveç meskiniteteve. Ia vini emrin si të doni. Dhe ashtu, jo me budallallëk e me mendje për të zhvatur. Kini një mundësi të artë në duar. Tirana, (për shembull Tirana, pra!) nuk do të ketë 36 biblioteka publike që zumë ngoje, por aq biblioteka komuniteti sa shkolla të mesme e shkolla 9 vjeçare ka dhe ky është një numër i konsiderueshëm! Po kështu edhe në të gjithë vendin. Me të njëjtën logjikë. Biblioteka mbi det. Biblioteka mbi lumë. Biblioteka urë. Biblioteka anije. Biblioteka shkollë. Biblioteka repart ushtarak. Biblioteka institucion. Si biblioteka shëtitëse e Lezhës. Bëjeni këtë vend të vogël dhe pa shpenzime! Sepse 20 mijë kompanive të mëdha e të fuqishme, po t’u njihen shpenzimet e bëra për bibliotekat edhe pagesa për tatimet (jo thjesht shpenzime për t’i zbritur nga bilanci) do të fitonit një kredibilitet kulturor të paparë. Dhe sipërmarrja është një çast larg punës nga urdhri juaj i nderuar. Ju lutem mos i quani ëndrra këto! Mos i quani budallallëqe vetëm pse nuk ngrohen xhepat e iksit e të ipsilonit. Jo. Bëjeni Shqipërinë me kulturë të lartë, sepse thjesht do jetë në nderin tuaj!

Nesër do të thonë: vajtëm në Shqipëri dhe nuk gjetëm drogë dhe kriminelë, nuk gjetëm fabrika e kombinate të mëdhenj… por ama gjetëm biblioteka e librari, gjetëm shumë libra! Ejani po të doni, shkojmë bashkë dhe e shohim! Një vend ideal. Dhe një vend që lexon do bëhet se s’bën. Dija të bën. Dhe bibliotekat sigurisht do të mbeten një pasuri kombëtare, sepse të gjitha janë biblioteka të komunitetit… Atëherë do të themi: Po e meritonte kjo e mjerë të ngrihej lart vetëm nëpërmjet LIBRIT. Fjalës. E cila nuk është vetëm e para, po edhe e fundit. Dhe Fjala është Bibliotekë…

Tiranë, më 11. 02, 2019

Filed Under: ESSE Tagged With: E FUNDIT BIBLIOTEKAT, E PARA BIBLIOTEKAT DHE, Xhevair Lleshi

Qeskat e lejuara dhe shpirti i katranosur

August 2, 2018 by dgreca

Bisedë e pautorizuar me një profesor mjedisi/

Nga Xhevair Lleshi/

1-xhevair-lleshi-zyre-300x167

AM38GT Man looking at bill in grocery store. Image shot 2007. Exact date unknown.

3 plastiv bagsMë erdhi një letër në shtëpi. Në letër shtrohej një pyetje: A del plumbi me plumb? Po. Jo. Po qeskat a luftohen me qeska? Po. Jo.S’kërkonin përgjigje, por një kryq tek PO ose JO. Dhe siç e kam zakon e ruajta letrën. Ku nuk u shkon mendja qerratenjve! Janë vërtet specialistë, siç thoshte Arbnori i gjorë. Kjo letër më ngacmoi shumë. Ndërkaq jo rastësisht takoj një profesor të nderuar mjedisi, jo atë me emër ishulli ku mund t’ju shkojë mendja, por ama një prej miqve të mi, i cili veç të tjerash, si luftëtar i orëve të para të mbrojtjes së mjedisit, është edhe biznesmen i talentuar. Edhe unë kam marrë një letër si kjo, por s’i kushtova vëmendje. Si? Edhe ti? Thashë se mos qe vetëm për mua. Më shkrehe fare or mik! Por mos harro se për këtë ti mund të më thuash nja dy gjëra: Pyetja e vë gishtin në plagë, që e keqja të shërohet. Unë kështu e kuptoj. Se vërtet tek ne çfarë nuk hyn, i zi e i bardhë, lloj-lloj qeske. Dhe pisllëk, ndotje e madhe. Erdhi edhe presidentja kroate që të na thoshte se na bëtë pis more të uruar! Edhe unë ashtu mendoj, po e them ndryshe, më thotë profesori i dëgjuar, diçka që është e pranueshme, se ti e di që nuk jam radikal, domethënë lë shtigje për korrigjim. Me dy fjalë or mik: Deri tani kanë qenë njëqind fabrika për qeskat, tani mbyllen 99 dhe mbetet vetëm njëra prej tyre. Shitje e detyruar. Mjedisi i bërë pis kryesisht nga qeskat duhet pastruar po me qeska! Ka abuzim thua? Jo mo ç’ne! Kush tha, po ka ca gjëra… këtë ta dish. Tani ti bëj si të duash. Por mos u hiq aq entuziast. Se botë është kjo, ka edhe momente, s’i dihet! Ja, unë me këtë luftë që bëj, jam tani kaq popullor, por ama e ruaj masën, hajt, dhe ki kujdes…

Fjalë në përgjithësi. Por s’do mend që deri sa ngelet në treg vetëm një prodhues qeskash ky është monopolizim me brirë! Ju doni të dini se sa fitohet? E ku bëhet hesap! Të gjithë tregtizat, krejt biznesi i madh dhe ai i vogël janë të detyruar të marrin këtë lloj qeske, se me të fitojnë të gjithë (!) dhe nuk bëhet pis Shqipëria jonë turistike! Pastaj, pse mo, për pesëdhjetë qindarka apo për pesë lekë bëheni ju. Në Tiranë (ama vetëm në Tiranë!) shiten 500 mijë qeska në ditë! Hiçgjë! (Profesori i nderuar tundte kokën. Duket po i pëlqente ironia ime. Po s’tha gjë. Sepse kujtova mos më përvishej për qentë dhe macet, për miellin dhe frutat apo perimet, për qumshtin dhe mishin… Kështu që iu ktheva arsyetimit tim të pakmëparshëm.)

Ç’kemi zotëri? Ç’na kini katranosur me këto qeskat, mo? Ju mori me qafë etja për fitime! Bëni mo, si të gjithë ne! Nuk shohim gjë, i mbajmë sytë mbyllur. Se jemi të bedenave ne, të valleve, po pse jo edhe të dantellave… Jo, mo, firaun, s’dëgjon njeri nga ai vesh! Se njerëz jemi, paçka moshës, na vete ajo e uruar mendje edhe tek e dashura, s’na dalin përpara vetëm të metat. I kini vënë lupën qeverisë dhe gjithë hallin e kini që ajo të kapet gafil! Po si more, bukurosh, sado që je me këtë bandillin e mjedisit, nuk kujtohesh të shkruash njëherë mirë, si? A është kjo qeveri që po u jep falas librat fëmijëve të fillores? Po. Ke të drejtë. Si paskam të drejtë!? Kam si jo. Se edhe botuesit shpëtojnë nga shtypi i librave çdo vit, edhe fëmijët shpëtojnë nga të mësuarit. E di apo jo? Derdimen! Shtatanik! Njeri që u bie kot borive! Si thua ti, po dhamë urdhër ne, ka ndonjë fëmijë që mos të dorëzojë librin fringo të ri, akull fare, si e ka marrë ditën e parë? Jo trepor duhet ndrequr, dhjetëvjet duhet bërë! Fundja fëmijët s’mësojnë që s’mësojnë, ç’u duhen librat!…

Hane Shan, hane Bagdad! Ku më rreh mua ku të vete mendja ty. Kam ardhur për qeskat, unë, usta! Ka korrupsion, ka punë të pisët, apo jo! Se edhe në kohën e E.Hoxhës ktheheshin librat, dorëzoheshin në fund të vitit shkollor, por kryesisht për të prodhuar letër, se ktheheshin copë-copë, s’i binte në mend njeriu të mësonte me to. Ai i madhi mjafton të japë urdhër, ë? Të tjerat i rregullojmë ne! E pse jemi ne? Ja kështu or mik. U largova nga profesori. Ah! Po ky pse ka pranuar ta marrë titullin? Mos është nga ata që e kanë blerë? Se unë i di nja tetëqind që e kanë blerë! Profesorë me lopatë!

More bandill po për ato palo qeska po e bën gjithë këtë hata? Çudi e madhe! Ja shko, tregtizë më tregtizë a do gjesh këtë mall? Se vetëm ky është i riciklueshëm. Të tjerat, pëf, nuk bëjnë! Ta thotë lali ty! Se tani ke ku të shkosh, të mbash leksione, të presin universitetet dhe akademitë më të njohura të botës (se ato të Shqipërisë janë ku e ku më lart!), po edhe ti vetë si njeri, je i ndjeshëm, i dhimbshëm, punë 5lekshi është. Do thuash ti 5 herë 500 mijë sa bëjnë. Hiç gjë: dy milionë e 500 mijë. Një fjalë goje. Po të reja, mo, të reja. Se kanë ikur nga 1965a mbi gjysmë shekulli dhe  mbete po ai, s’di që s’di të bësh llogari! Derdimen. Nuk mësove as nga ambientalistët, pa le!

Po ka dhe nga ata gjytyrymë që i kërkojnë këto qeska. Nuk janë fjala vjen si shitësja e famshme ku bën pazar edhe ministrja e mbrojtjes, e de, e, ajo është, e sotmja, dhe kurrë njëherë nuk jep kupon tatimor. Kërkoja ti kërkoja, po kujt, se? Një të përveshur të bën shitësja jonë me tërë atë supermarket e me biznes të vogël që s’di ku t’i mbash këmbët pastaj. Edhe me qeskat e njëjta do të të gjejë. Pa le, na bëke edhe llogari! Tru lesh!

Po shikoja nga dritarja me një brengë sfilitëse, me një melankoli të çuditshme që herë–herë më rrëqethte me gjithsej, më bënë të psherëtija për qeskat po se po, po edhe për kuptonin tatimor (ah po, e dini ju që qeskat speciale nuk futen në kupon, edhe pse lekët të mbahen! Kjo do të thotë se qeskat tona s’ka kupon që i nxë!) që doemos na ka zili. Po, po, ai na ka zili. Ai edhe librat e shkollës fillore! Po për to le të flasim një herë tjetër…

 

Tiranë, më 1 gusht, Dita e Qeskave të Reja Plastike

 

Filed Under: ESSE Tagged With: dhe shpirti i katranosur, Qeskat e lejuara, Xhevair Lleshi

DYZET DITËT E TEATRIT!

July 28, 2018 by dgreca

ABSURDITETI QË RRETHON TEATRIN PA SHTËPI/

Nga Xhevair Lleshi/

Në një lokal të njohur të Tiranës na u desh të dëgjonim një kërcënim të bukur: do të durojmë edhe dyzet ditë derisa të shembim teatrin! Dyzet ditë! Kjo na sjell ndërmend «të dyzetat»! Nostalgji trashëgimie. Me këtë rast mund të çojmë në mendje se këto të dyzetatjanë një problem jo i vogël, sidomos meqë nuk u hodh firma për ligjin e shembjes. Për herë të parë ndodh kjo? Nuk e besoj. E në këtë gjykim nuk të ndahet mendimi se vërtet e kanë të bëjnë këtë akt të padëgjuar dhune? Dhe asnjëherë nuk i kalojnë më afër teatrit, gjoja si pa vëmendje. Një kalim i çuditshëm që askush nuk e kuptonte. Atë, njeriun që fliste në ekran, po e ndiqnin të gjithë. Edhe dyzet ditë! S’kishin fund mendimet, të shkurtra, kalimtare, pa mbresa të forta. Ç’do të ndodhë këto dyzet ditë të nxehta? Pushime argëtuese, harresa, udhëtime të «ftohta», midis miqsh, në restorante, ndjesi të njëjta, indiferenca, takime që gjithmonë shtyhen për më vonë. Besoj do t’u vijë nëpër mend, krahas kënaqësisë, të ndiejnë dhe një si brejtje ndërgjegjeje. Punë deputetësh! Shiten e blihen si në tregun e paçmuar të ditës. Ndoshta, për ironi, sikur t’i mundonte diçka e dashur. Ose të ishin gjithmonë në pritje…

Pse duhej të ndodhte kështu? Diçka vërtet e pakuptueshme.Mund të takoheshin me dy nga aktorët më të mirë, të dy duke u grindur në rrugët e Tiranës: i ri, i vjetër, e lagu, s’e lagu. Hedhur krahaqafë mendimet, të frymëzuar, po edhe me një angështi që i ndiqte si hije. Tirana atë muzg kishte një aromë të përzierë dashurie që dukej se degjeneronte në duhmë alkooli. Po áma e fjalës artistike rrinte shtrirë në vetëdijen e tyre. Po ta ruanin nuk do ta humbnin kurrë. Dëgjohej si derdheshin tingujt e parë të një kënge të pëlqyer. «Ti vërtet kërkon të ndërtohet një teatër i ri?» «Po. Dhe ti, miku im, ky teatër që të bëri aq të famshëm, kërkon të shembet?» Më pas një fjalë pa përgjigje, një ngritja toni, dritë që u flakërinte në sy, heshtje e lodhur dhe e mërzitshme. Një kollë e thatë. «Kjo është të vrasësh veten!» «Po vrite, ç’pret!» Ja, unë po pres të vijnë rruspat!» «Jo, po rrospitë!» «More, e di ç’flet?!» «Pse, të vjen keq?»…

Vërtet? Zëri i tij mund të ishte zëri i saj. Nuk mund të lije pas dore sensualitetin. «Turp të të vijë!» «Pale, je goxha aktor!…» «Edhe ti që ke gjithë atë kripë!»…

E dua, or mik, teatrin, e dua pa masë! E ke dëgjuar Maks Velon, arkitektin, piktorin, njeriun e mirë e të vuajtur? Edhe ai po i dëgjonte «të dyzetat e teatrit» më erdhi keq. Lëre, çfarë sarkazme! Pa skrupuj fare! Si tha, i vure re? Numëroi hiret e teatrit, vrimat, plasat, skenën, sallën, hupulitin, velaturën e krijuar prej dritës që hyn fshehurazi, e keqja që fshihet diku dhe e mira që mbështillet me shumë pak dritë. Madje, turp ta thuash, po edhe e keqja vishet me dritë të bukur dhe mbahet elegante. Maks Velo? Po. Merr vesh ç’bëhet! Mos! Unë për vete i besoj atij njeriu! Dhe brenda këtij besimi ngrihet me siguri një trup shumë i bukur: i ose e gjatë, i/e zhdërvjelltë, me muskuj apo me gjinj të mëdhenj që hovin me tharm të jashtëzakonshëm, të fortë e të freskët, këmbë të plota, të gjata, muskuj, muskuj pa fund dhe brishtësi e rrallë… Dhe mendo shokët dhe shoqet e tua që shëtisin këtu para teatrit, sidomos në orët e ndajnatës. Kështu do të mbetet gjithmonë ndajnata e mrekullueshme e Tiranës, por pa teatrin e vjetër! Mos! Mos e thuaj! Na çudite! Lëre!…

Kjo stinë ku pritet të përleshen bajlozët. Pse ende paska bajlozë? Unë di që vetëm njëri ka formën e bajlozit. Të tjerët… Ka për të qenë ndeshje e bukur, si përherë e bukur, edhe pse në Tiranë takohen vetëm rastësisht, gjithmonë të paepur, suksese rolesh, tone entuziaste, mërzi e padëgjuar dhe përherë fraza të mbytura. Trishtim i madh dhe humor që vjen natyrshëm, edhe pse herë-herë gatuar me maja ligësie. Lëri pallavrat! Ti je me ata që duan ta shembin, apo ashtu kot! Lëre, vëlla, m’u tek edhe mua! Duket se do të merret më qafë. Kush? Teatri? More, njeri, a mendon për atë Fushën, ti? Pse? Lëre, e djallosa me të, me emrin që përdora, fatkeqësi. Më duket se nuk kam më frymëzim. Ç’banalitet! Po u mësuam me shikimet, fytyrat, syzet, qeshjet, vështrimet e inatosura. Dhe bie perdja e shfaqjes. Kjo ma gërryen shpirtin. Lëre, nami u bë! Në kujtesë dalin vetëm fytyra të trishtuara kurse ne jemi përgjithësisht popull me humor, jemi optimist. Ç’turp! Turp i ngathët! Pse ka ndodhur? More, mos ke parë projektin e Bujar Kapexhiut ti? Jo, jo, unë i besoj vetëm Maks Velos. Mjaft! Mjaft! Ç’budallallëk qenka ky! Po ne jemi në një mendje mo! Ti e do të ri dhe me çdo centimetër katror që zotëron teatri? Po. Kurse unë e dua të vjetrin me të gjithë centimetrat katror! Po. Epo një jemi njëo t’u shoftë! Na çmende! Zog zogu!

Njëri prej të dy aktorëve të njohur u ndal. I bëri shenjë të ecte përpara. Meriton gjithë respektin e duhur. Pas dyzet ditësh mik, domethënë pas të dyzetave ç’do të na shohin sytë! S’do të ketë obligacione, s’do të ketë këmbimore… S’do të ketë më asnjë lloj nguti, hutim, shikime andej-këndej, gëzim të flashkët! Do të ketë ankth sfilitës, e di, ose do bëjnë sikur një ndjenjë bezdisëse është gati t’u presë gjunjët. Më në fund! Bileta lotaria, obligacione, shitje-blerje. Fjalë. Premtime. Tallje. Lojë? E pse jo! Ç’halle kemi ne dhe ku i bien fyellit këta! Epo, kështu luhet më bukur. Peshku zihet në ujë të turbullt… Të afrohen fare pranë, dhe ti mbetesh pa frymë. O zot, si janë katandisur njerëzit! I shikon? Dhe thonë se është bukuri tronditëse, buzëqeshje madhështore e një fytyre të fishkur e plot rrudha. O zot, ç’lodhje, rraskapitje, zgjatje dore që mbeten qoftë edhe një çast pezull, dridhje të lehta tmerruese. Dhe vë re se të rrëmben një padurim i madh deri sa të vijë ai çasti madhështor si të kenë kaluar dyzet ditët dhe të shembet teatri (Jo, o kodosh, jo, ndërtimi i teatrit të ri!) dhe kaq shumë pëshpëritje! Shiko si erdhi puna mik, teatrin e kanë shtruar në spital, ndihet keq nga zemra, ndoshta ka rrahje agresive. Çfarë ka ndodhur? Asgjë s’ka ndryshuar dhe aq mjafton. Jo keq.

A dëshiron të jem i sinqertë deri në fund? Po. E dua teatrin e vjetër, madje me mobiliet antike, me gdhendje fine aristokratike (kam njohur një mjeshtër, Sulejman Lapardhanë, në Berat, që bënte gdhendje të çmendura! Të çmendura fare, të kuptohemi!), çdo gjë të jetë shumë e vjetër. Edhe tryeza e bukës, edhe rekuizita, edhe rrobaqepësit, edhe kujdestarët, edhe perdet e rënda, edhe marangozët (edhe kur ata i fusin në arkivolë, siç bëri Dinia me Mimin dikur në kohë përpëlitëse!) edhe mbulesat e kaltra, pse jo! Mirëpo këto s’i duron njeri! Jooo! Ç’ne! Çfarë? Duan të fitojnë duke falur tokën, truallin publik? Ç’thua, derdimen! Ata, të gjithë janë të ndershëm. Madje, mezi po presin me ngërdheshje t’i vijnë për të dyzetat teatrit. Veç t’i shohësh kazanë e tepsi, shejtanë nëpër djepe, djaj duke vrapuar të lemerisur! Dhe mos qesh me hallin po deshe! Lëre-lëre, sikur të gjenin për rekuizitë ca shandanë argjendi, shkrepëse që nuk ndizen, kitara nga ato të serenatave, mandolina nxënësish të dikurshëm, perde dritaresh që janë harruar dhe pas tyre fytyra të ndryshkura vajzash që nuk i gjen dot kurrë edhe po t’i kërkosh me qiri të kuq. Po ikonat? Edhe ato që janë nën efektin e pasionit të çmendur, edhe ato që nuk ndjellin qoftë edhe një grimë epshi…

I pari ndjeu t’i regëtijë diçka, si një dhimbje e vjetër, ndonëse vështronte me një ngazëllim të çuditshëm. Dukej që nuk e përmbante dot mahnitjen. Pse, nuk ju pëlqen të ngrihet aii riu këtu? Keni për të qenë më të qetë. Tjetrit u duk se i ra në kokë «pija» politike dhe pëshpëriste: Ti ke mbetur njëlloj edhe pse kanë kaluar vite. Hidhesh e përdridhesh dhe i mban veshët pipëz nga krahu i djathtë! Jo, o mëngjarash, jo! Po s’ke faj ti! Dhe egërsimi po i çonte në tragën e vjetër… Tek e fundit, prandaj erdha, për të takuar… E dija… Ti kujton se nuk e dija? Unë këtë çast kam pritur tërë jetën… O zot, si ndodh kështu? Nuk e di, pëshpëriti tjetri. Ç’mëkat!

Po tani ç’të bëjmë? Të dy s’jemi në një rrugë. Të dy të mbaruar. Mund të na heqin edhe nga puna! Se përveç pronës, pasurisë, fitimeve, atyre s’u hyn asgjë në sy! Pastaj, kuptohet që kemi marrë fund. Si të shpëtojmë dhe të ikim një orë e më parë që këtej? U zbythe? Joo! Po bëhem realist!  Nuk ia shikoj dot fytyrën e plakur teatrit tim! Nuk e kupton si është bërë? Nuk njihet më. As edhe një shenjë e re përtëritjeje që do të më gënjente, nuk duket gjëkundi. Mos e ke harruar se bukuria prishet një ditë, apo e ke harruar… Edhe për teatrin është e njëjta gjë…

E di, njëlloj si Maks Velo po e ngre në fantazinë time të çmendur teatrin: I bukur, madje shumë më i bukur, ç’fat për ne bashkëkohësit. Shumë vonë, thuajse në fund të jetës, po arritëm ta shohim këtë mandatë që mezi e presim pas dyzet ditësh… Bukuria fine e tipareve, ndonëse mosha ka bërë të sajën, zëri që më rrëqeth ende, jo, duhet shpresuar, duhet pritur, siç po bëjmë ne përme ëndrrave, dhe ja, tek jemi përballë njëri-tjetrit.

 

Tiranë, 28 korrik 2018

Filed Under: Analiza Tagged With: DYZET DITËT E TEATRIT!, Xhevair Lleshi

ABSURDITETI QË RRETHON TEATRIN PA SHTËPI

July 14, 2018 by dgreca

3-xhevair-lleshi-zyre-300x167Nga Xhevair Lleshi/

1 APOLOGJIA

Shtëpia e teatrit? Po, mor, ekziston, si jo. Askujt nuk i shkonte mendja se teatri mund të ishte edhe plaçkë lufte. Përndryshe do ta kishin paketuar me kujdesin më të madh si për ta ruajtur diku, ndoshta në ndonjë nga garazhet e vjetër të ushtrisë së re. E, duke qenë plaçkë lufte e lanë të gjente lirisht një strehë dhe ai i ndërroi tri shtëpi dhe pastaj mbeti në mes të rrugës. Kështu që e fjeti mendjen: do ta gjente një garazh çfarëdo, me hupulít, një dhuratë e mëkëmbësit të mbretititalian në Shqipëri, gjatë Luftës së Dytë Botërore, sido që të vinin punët. Edhe në këtë moshë të shtyrë përsëri do ta gjejë strehën. Kemi, fjala vjen Turbinën. Gjë e rrallë! Jo,s’është romantike, por bën siç i thonë, bën. Dhe të dukej se syri i bashkëfolësit tënd lëvizte syrin e djathtë, të madh e aq magjepsës, që s’të ndahej e të bënte për vete. Teatri i madh për një vend të vogël, duhet të jetë jo me shumë vende, por mjaft komod, dhe të tillë e bëjnë kullat,dëgjomë mua, ato do jenë qershia mbi tortë. Mrekulli të reja shqiptare! Po pse nuk e bëjnë këtëqë thonë andej nga bulevardi i ri? Bashkëfolësi im, edhe ai i dhënë pas teatrit si puna ime, po më shihte pak me të keq. Nuk ta hiqte atë sy aq ngacmues e të ëmbël, gati foshnjarak, por për femrat, e dija, ishte vërtet një tundim tronditës. Teatri, thoshte ai, do të na marrë më qafë. Shoh diçka të keqe. Unë nuk mbroj kullat, e di, por më vjen të pëlcas se si nuk kuptojnë që me atë sebep bëjmë të riun, me tri salla dhe me tre kate, nën hijet e kullave, sigurisht! Askujt nuk i shkonte ndërmend që ky të binte në dashuri me fjalët e tij dhe pa përmendur aktorët fare, merrej me anën e jashtme, të lodhur, jo ngashënjyese, trëndafilshkulur, siç shpreheshin aktoret më të vjetra, ngaqë s’hiqnin kurrë dorë nga thumbat. Ja, miku im, më thuaj një, një të vetëm, që t’i bëjë apologjinë teatrit. Se mos më thua për Mirush Kabashin, me që ka bërë Apologjinë e Sokratit! Se nuk është njëlloj apologjia e teatrit me Apologjinë e Sokratit! E di, vetëm emrin Sokrat të ndryshosh dhe në vend të tij të vendosësh teatërdo të shohësh, pa pritur e pa kujtuar do shtrohesh në një klinikë urgjence dhe s’të riparon dot kush, gjersa një ditë të heqësh shpirt! Mirëpo, ke parë ti? Atë ndërtesë të vjetër, natyrisht jo e vjetër sa bota, sikur e mbron një fuqi djallëzore, me gjithë rrapëllimat dhe shtërzimet e tokës që kanë qenë gati të mbysnin dynjanë! Ajo rri atje, kryeneçe. E mua më bëhet se po kalon Kadri Roshi dhe me dy khe-khesikur jep frymën e tij. Gremisu Kadri! Prapë me teatrin ti? Tani ka dalë ai, aktori i Vlorës dhe thotë gjëra të mëdha, ai, pra, Bujar Asqeriu? S’të vjen në mendje? Lëre më mirë, të rrufisim kafenë, të heqim athëtirën pushtetore, të zhdukim mpirjen sociale, jo prej ndonjë pakënaqësie, po gjithnjë nga dashuria. E kush nuk e do aktorin e madh Reshat Arbana, ai me zërin e tij të gjëmimtë është gati të tundë nga themelet tërë dynjanë! Se kjo puna e zërit është punë e madhe! Vetëm zëri bën çudira! E ku do vesh pa zë, të gjen si ai që e fik atë të shkretë zë në kulmin e thirrjes dhe njerëzit tremben se iu duket si një kedh. Le të jetë sado bukurosh e i krekosur, pa zë kthehet në zhelan. Aktorët, miku im që edhe në festa e në vdekje, shkojnë e vijnë me rrobat e punës, janë tjetër mall! E kështu të fikin derën! E pse? Sepse puna e tyre është Fjala!   I pëlqente kjo gjë më fort se gjithçka, ndaj dhe del në protestë. Edhe unë do vij në protestë or mik! Të jem aty. Se edhe unë e dua teatrin si puna jote. Kemi qenë, ohu, denbabaden, me teatrin ne, kur të tjerët i binin maces me lugë! Një famë e bukur na rrinte pranë me një lloj zilie të trembur, se ai ishte gati të bënte që të gumëzhinin ëmbël nga fyti gjenial i të mëdhenjve një kushtrim lirie. Dhe kjo e bënte gjithë sheshin të ushtonte, duke qenë gati ta ngrinte zërin në kupë të qiellit për t’i dhënë frymë shoqërisë. E pse të mos shquhej një fije? Thirrje, përshtypje dhe bulevardi merr pamjen e një skene të jashtëzakonshme. Kanë ardhur zërat e fuqishëm. Le të jenë pak. Nesër vetvetiu bëhen shumë dhe si ai lumi që vjen janë gati të vënë përpara gjithçka sepse ky hall nuk është dot kurrë më i rëndë se fama…

Tiranë, më 12 korrik 2018

Filed Under: ESSE Tagged With: ABSURDITETI QË RRETHON, TEATRIN PA SHTËPI, Xhevair Lleshi

Ky është një turp i madh, është grabitje!

May 20, 2018 by dgreca

FATURA E PËRSHPIRTSHME E MUAJIT/
NGA XHEVAIR LLESHI/
Një faturë tatimore e ujit e një muaji (prill 2018) është një tabelë me shumë zëra. Dhe kjo të bën të mendohesh mirë. Ju do të donit të dinit zërat: Uji i pijshëm në m3 3, 65 lekë, shuma me TVSH 234 lekë; Uji i përdorur (100%)(!) 39.60 lekë; Tarifa e shërbimit (edhe tarifa e shërbimit me TVSH ?!); Vlerë ujëmatësi, aksesorë (hë për hë 0 lekë); Vlera e kundërvajtje (tani për tani 0 lekë); Vlerë libreze (po ashtu sot për sot 0 lekë); Vlera e faturuar për UKT, totali 510 lekë. Kësaj liste i shtohen taksat vendore për çdo familjar: Tarifë pastrimi në muaj 420 lekë (pa TVSH), Taksa për ndërtesën në muaj 100 lekë; Taksa e përkohshme për infrastrukturën arsimore !!! 150 lekë (!), Taksa të tjera 0 lekë, Kompensim/Subvencion 0 lekë… Shuma totale 1180 lekë. Shtesa e pensionit 0 lekë! Shtesa pagash 0 lekë!…
Këtu s’ka asgjë të re. Të gjithë familjarët shqiptarë e njohin mirë këtë faturë. Vini re «Uji i përdorur» është një TVSH e dytë dhe nuk dihet pse shënohet! Ndërsa taksa e përkohshme për infrastrukturën arsimore 150 lekë është e padrejtë, shkelje ligjore – derisa arsimi në Republikën tonë është falas!
Të kesh një shtëpi të madhe ose edhe të vogël duhet të paguash. Le ta kesh ku të duash, le të jesh edhe i zoti apo praktik, nuk pi ujë fare; ti thjesht je popull dhe kjo s’pi ujë fare, ndonëse flasin në emrin tënd dhe vënë taksa me emrin tënd. Taksat tona të tjera ato duhet të shkojnë tek infrastruktura shkollore, që kullon nga rrjeta e grisur e buxhetit të shtetit. Taksat s’kanë të bëjnë asfare me atë që të del në krahë, as me numrin e fëmijëve që ke… Taksa është një: e ujit! E ujit që të fut në burg. Plus taksa e pastrimit! Plus taksa e banesës! (E pse edhe e banesës? A nuk janë pjesë e banesës, të gjitha: uji, pastrimi, energjia?…) Ky është një turp i madh, është grabitje!
Gjithçka i del dhe i tepron shtetit. Po atëherë pse i duhen kaq shumë pará?
Por instinkti i shfrytëzimit është i pagabueshëm. Ne e shohim me sytë tanë që i bëjnë rrush e kumbulla, ndonëse nëpër letra shkruajnë libra, ekspozita, rrugë, pastrim (lukunia e njerëzve të panumërt në pastrim-gjelbërim!).
Na duket sikur i kemi zgjedhur jo për të na zgjidhur halle e për të na bërë punë, por thjesht pë të na zhvatur e për të shtuar dhjamin e tyre…

Filed Under: Komente Tagged With: është grabitje!, Ky është një turp i madh, Xhevair Lleshi

  • 1
  • 2
  • 3
  • …
  • 11
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • It’s a privilege to serve this community…
  • Shkodra Elektronike, “Prometeu” që çoi “Zjerm”-in e shpirtit shqiptar në Bazel, Beatriçe Gjergji dhe Kolë Laca në finalen e madhe të Eurovision Song
  • Shenjtërimi i pejsazhit dhe atdheu…
  • Në vendin ku të gjithë i dinë të gjitha…
  • Thank you to Baba Eliton Pashaj…
  • PËR FEHMI AGANIN…
  • KUR VDEKJA I JEP JETES DRITE …
  • VATRA në krah të liderëve të UÇK-së: procesi gjyqësor në Hagë të jetë i drejtë dhe i paanshëm
  • ZEFI I VOGËL NË KRYENGRITJEN E VITIT 1912
  • Më 13 maj 1944 u krijua “Lidhja Shkodrane”
  • EKREM BARDHA NJË ZEMËR E MADHE E NJË SHPIRT I BARDHË – VEPRIMTAR, ATDHETAR DHE VIZIONAR I PËRKUSHTUAR I KOMBIT SHQIPTAR
  • Deklarata e gjeneral Teodoros Pangallos mbi marrëdhëniet shqiptaro-greke dhe të drejtat e minoriteteve (1925–1926)
  • “NEOSHQIPTARIZMI” – RILINDJA E NJË IDEALI KOMBËTAR NË EPOKËN GLOBALE
  • FERIT PASHË VLORA (RILINDASI I FSHEHUR) ËSHTË NJËRI NGA BURRËSHTETASIT MË TË FAMSHËM SHQIPTARË TË TË GJITHA KOHËRAVE
  • GJON MILI: REQUIEM PËR BERTOLT BRECHT

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT