• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

ÇFARË MJERIMI !

February 14, 2018 by dgreca

Duke dëgjuar një emision televiziv/ 

1-xhevair-lleshi-zyre

Nga Xhevair Lleshi/ Një nga ata që më dukej serioz në një diskutim për artin më bëri të sëmurë. Diskutohej në gjuhën shqipe dhe secili fliste shqip si në Kohën e Qepës. «Nuk muj me fol nrysh» të vjen përgjigjja. Dhe zorrët e fjalëve të vijnë grykë! Fjalët elegante, të zgjedhura, të hajthme, miqësore, të ngrohta, fjalët që ndezin zemra, ato që nënkuptohen, që mbeten në grykë, që nuk shfaqen, fjalët që gjithmonë janë të zëna me punë – këto mungojnë! Nuk i gjen më. Nuk i dëgjon më! «Nuk muj me fol nrysh !» E ç’të keqe ka? Më mirë në kotnajën e fjalëve pa cak, pa atë hollësinë e nevojshme të domosdosë së të folurit të kthjellët e të normuar të gjuhës shqipe.

NË TELEVIZION FLITET SHQIPE STANDARDE ! Jo fjalë të ditës, jo fjalë që nuk zbardhen dot as në dritën e diellit, as përmes gjakrave të nxehtë, jo fjalë që kërkojnë ndonjë skenar të veçantë, por një e folur me tharm, që trondit shpirtin dhe mbahet mend. «Nuk muj me fol nrysh» Dhe mund të jesh zv.ministër apo ministër dhe të flasësh kështu? Kush të duron? O Zot! Fjalë të rrethuara me njëmijë dialekte. Ja, mbaroi fjalimi  ministror me fjalët nëpër duar (jo nga goja e as nga mendja!), po fjalë me skenar… Dhe mbledhjet janë të pafundme për dashurinë e fjalës shqipe të kulluar, të shqipes së kulluar! «Nuk muj me fol nrysh !» Të këputet shpirti në mes të punës, të pushimit, të ngehjes dhe kështu me radhë drejt një realiteti të përbuzur të përnatshëm në emisionet televizive. Kushti i parë për të qenë nëpunës i lartë apo i ulët është: të flasësh bukur gjuhën shqipe! «Un e kom pas ni hall.» Do të duhet luajtur brydhët kjo pjesë orkestrale e fjalës së bukur shqipe. Në korin e madh të të folurit shqipja e saktë dhe të mrekullueshme ka ngritur flamurin e bardhë. Është dorëzuar, duke u nënshtruar përplot bindje, se gjuha shqipe MBROHET NGA LIGJI… Çfarë mjerimi!

Filed Under: ESSE Tagged With: ÇFARË MJERIMI !, Xhevair Lleshi

ATIK, HOLEK DHE BERAT, EFTIHIM XHIBLATI DHE HEBRENJTË

January 29, 2018 by dgreca

Shënime të lexuara, jo pa rast, edhe një herë tani vonë/

1 xhevair

Nga Xhevair Lleshi/

 U hodha edhe njëherë sytë shënimeve që kisha mbajtur në fundvitet tetëdhjetë të shekullit të kaluar, mëngjeseve e mbrëmjeve në hotel ‘Arbëria’. E filloja punën herët në mëngjes para se të hyja në kafe e pastaj në Arkivin Qendror deri nga ora gjashtë pasdite, me urinë e madhe për të gjetur gjithçka të veçantë që kishte të bënte me Beratin. Tryeza mbushej e rimbushej edhe qetë edhe zhurmshëm, tetë deri nëntë orë pa lëvizur dhe shtrëngueshëm me veten, deri në kapitje. Pastaj dreka e vonuar, kafe dhe pak dremitje në hotel. Një ritual i përjavshëm. Edhe tani vonë ashtu më ndodhi, veçse ulem më rehat në shtëpi, në moshën e kthyer përmbys dhe filloj të rishoh shënimet e një kujdestari kishe në Kalanë e Beratit më 1907-1908: EFTIHIM XHIBLATI. Po ai Xheblat i Xheblatëve të tanishëm. Ai nxinte letrat e katedrales me shkrimin e tij të hollë me shënime të çfarëdoshme. Ma tërhoqi vëmendjen takimi i tij me Vili Rudobin dhe Juso Alindarin, dy hebrenj nga Holeku, që në fillim dërdëllisnin fjalë shtëpie duke lehtësuar barrën e jetës, për drurët e punuar dhe gurin e gdhendur, për puplën që mblidhnin nga dëllinjën e zezë që sillnin nga Sulova (edhe për dru edhe për frytet që i donte shpirti i njeriut edhe aso kohe, gati të nisnin fluturimin e rrëmujshëm në të gjitha sferat e punëve në qeveri. Pastaj, në ikje Eftihim Xhiblati i kujton të shkojnë në kishën e Doksanit, aty ku ishte edhe ylli i Davidit. Juso dhe Vili qeshnin. Të dy tregtarë të njohur në qytet, të trembur pak nga shtrenjtësia dhe të ngjeshur nga dëshira.

Ulet edhe Eftihim Xhiblati shtrëngueshëm në një tryezë ku zien mendimet me përvëlim. «Një holekas dhe një atikas në kishën e Katedrales. Të dy të njohur. Holeku dhe Atiku kanë çifutë të vjetër në dy shekuj dhe tani kanë ngritur dy lagje. Por pa kishë. Ndaj vijnë në Kala te kisha e Doksanit. I pari me dy gisht ballë e me flokët pis të zinj, tjetri me flokët përpjetë si iriq. Kaherë s’i kam parë këtej pari, veçse i shoh me përdhunë kur më vijnë e më cërcërisin pranë, se nuk duan të takojnë dhespotin…»

Më ka vënë gjithmonë në mendime Eftihim Xhiblati. Edhe në emrat e banorëve, edhe në ngjarjet që ndodhnin, edhe kur shkruante për Sefe Guraziun apo për Elmas Kreshparin. Ky i fundit kishte dy hebrenj që i mbante në dyqanin dhe tregtizën e tij ku përdorte ar e serm për armët që zbukuronte dhe i shiste. Gjithnjë ia mbante të tregonte të vërtetën që bëhej në punët e përditshme, madje edhe në kuplara. «Trembem se këta të mitë t’i nxjerrin sytë me sqep zogu, kurse hebrenjtë e Atikut të japin dritë në sy me duart e tyre…»

Po ku shkuan hebrenjtë e këtyre dy lagjeve të Beratit që ishin vendosur herët dhe kishin dy lagje në shekullin e shtatëmbëdhjetë? Më duket sikur Eftihim Xhiblati shkruan netëve të vona, nën qirinj, me shkrimin e tij të rrumbullakët, duke kaligrafuar një copë herë me shije të hollë dhe lë pas dëshmi në dukje të parëndësishme. «Më dy të vjeshtës së parë, 1907 sipas kalendarit të ri. Ndërsa unë falënderoja me mend miqtë e paftuar që më hiqnin mendjen duke lëvizur lart e poshtë. Pa ikur birbot, që e them me bindje se fitonin shumë, aq shumë sa u dilnin nga sytë, vinin Jusoja me Vilin dhe mua më rrudhej dora… Ktheheshin nga vendi ku ishin falur në kurrizin e Kalasë afër Akropolit…»

«Nuk vonoi dhe të fundit e hebrenjve, miqve të mi, ikën për fare në Vlorë, atje ku kishin vajtur edhe të parët e tyre. Dhe nuk mbeti asnjë. Por s’kanë si t’i largohen strehës së këtushme në këtë qytetin tonë. Dhe dihet të tjerë do të vijnë, e di…»

Nuk mendoja vetëm për hebrenjtë e larguar dhe ata të ardhur. Kur më tha ati i Enisesë, Mikës, Mitatit dhe Xhikes, Isuf Qojlja, që do të flija në sobën e hebrenjve, asokohe më erdhi habi, por vonë-vonë thosha me vete se edhe në atë shtëpi të bukur e mikpritëse duhet të kenë ndenjur hebrenj që ashtu si dhe unë priteshin me bujë të heshtur, ku kurdoherë buçitnin shenjat dhe shqisat, ku ndiqte kafja kafen, po ajo histori e përditshmërisë në çdo qytet të atij shekulli.

Kështu, pa u kuptuar fare, kushdo mund ta pikaste hutimin dhe me të spërkaste shkrimet për historinë dhe për çifutët edhe në Berat si kudo në Shqipëri.

Ata udhëtojnë se u përket bota, kudo kanë biznese, si Jusoja dhe Vili në vitin 1907 nga Holeku dhe Atiku i Beratit në shënimet e të pavdekshmit Eftihim Xhiblati…

 

Tiranë, më 27 janar 2018

Filed Under: Politike Tagged With: ATIK, dhe hebrenjtë?, EFTIHIM XHIBLATI, HOLEK DHE BERAT, Xhevair Lleshi

TEATRI ABSURD I DITËVE QË JETOJMË

January 9, 2018 by dgreca

1 xhevair-lleshi-zyre

Panegjerik i ftohtë

  Nga Xhevair Lleshi/

Kur e arrita synimin tim në moshë pak a shumë të re, nuk iu ndava njëherë teatrit, asaj magjie të siparit ngjyrë tulle të errët përplot pala të rënda që, sa herë hapej, lëshonte një qiqërim pluhuri që avullonte në dritën e skenës dhe binte pastaj duke u ulur përtokë, ose mbi kokat tona. Hapej ngadalë me një zhurmë bezdisëse e të çjerrë që sidoqoftë dëgjohej, pa ndonjë ndjenjë ngadhënjyese që të krahasohej me madhështinë e njerëzve të gjallë në skenë. Ja, kështu vjen para teje, veshur bukur, me fenerët që rrëzojnë një dritë të vagullt në shtegun e karakterit të çdo njeriu që dëshiron të shoh me ankth shoqërinë e lartë të qytetit në lozha dhe fuajé, në galeri e në platé. Më gjeti belaja, miku im, m’u desh të vija si dikur në teatër, ku skenën e një pylli apo me dy të dashur që shtrëngohen e gjeta me befasi të reja. E, duke qenë dimër, doja të shihja palltot e rënda gub, kapelat strehëgjera republikë, të ndieja parfumin aq ngacmues të zonjave të mëdha të shoqërisë së re tiranase. Dhe ndjeva erë të rëndë kurmi. Dhe pashë veshje të thjeshta dhe pastaj edhe papërsosmëri elegante.  Ç’emocion rrëqethës, pse të ndodhë kështu? Ku të jetë fshehur vallë shoqëria e lartë e Tiranës? Ç’ngashënjim prekës, pse, pse, pse? Ndërsa dy hapa më tej dëgjohen ulërimat e makinave, njerëzit që i fshihen vetes së tyre, ndihet aroma e sherebelit dhe e çajit të malit. Dhe dritat bien mbi fytyrat e shikuesve. Një nervozizëm i nxirë dhe që përthyhet drejt së verdhës mehitiane. Sikur të siguronin një copëz djathë të bardhë kjo do të ishte kënaqësi e madhe. Eh, hiqe mendjen nga madhështia e varfërisë! Dritat vazhdimisht bien dhe zbukurojnë karakteret e nxirë në platé, sikur t’i zbulojnë papritur…  Dhe të gjithë ndjekin me një vuajtje dhe gëzim të pa rrëfyer një komedi, jo si Pallati 176, por një tjetër: Plakat e Katit të Tretë, aq të bukur e të goditur, ku plakat e mbetura vetëm jetojnë me ëndrrat dhe makthin e takimeve plot të papritura, ku tinës vjen në kat edhe i dashuri i thekur 70vjeçar… Njerëzit nxjerrin dufin. Qeshin. Përkëdhelin sedrën. Duartrokasin për minuta të tëra. Pastaj vënë duart në xhepa dhe nisin të largohen. Ftohtë. Ndërsa ty, or mik, s’të pashë. Se, e di, ti ke punë të mëdha. Sepse më nxite dëshira lakmitare që edhe ti ta shihje këtë komedi. Nuk dihej kush vuante më tepër: njerëzit në skenë, apo shikuesit e mjerë. Jo, s’doja të dilja as unë nga shtëpia. Pse mbaroi kaq shpejt? Po fundja, ku do të shkoja? Një gotë çaji diku larg apo afër më priste…  Dhe jeta tej dukej aq blu nga nata e thellë, edhe dëshira e bakërt prej vjeshte sesi kthehej në një dimër të zbardhëlluar. Ndoshta mos prisnin të vinte Babagjyshi i Vitit të Ri me dhurata të çmuara? Pse jo. Se Babagjyshi sivjet ishte aq i shkurtër. Tmerr. Mjaft të shkurtër patjetër që e përsillte kaleidoskopi ynë këtë vit, Plakun e gjorë që bredh nëpër botë (Edhe nëpër Shqipëri! Edhe në Kosovë!) me stap në dorë e me thesin bosh në krahë. Dhe shikuesit papritur përzihen me aktorët duke ikur, si retë që zënë përgjysmë me një hënë aq të zbehtë. Net me hënë kaq hakmarrëse s’kam parë, or mik!

Po pse me tërheq kaq shumë teatri? Prej aktorëve, prej veprave të mëdha që luhen aty? Jo, edhe ata si të gjithë, tani luajnë çdo lloj vepre që u jepet. Nuk zgjedhin vet. Ata ikin dhe vijnë dhe… më ftohtë brenda e jashtë, s’janë më, po unë e kisha atë fat, se punova në kohën e tyre dhe me ta, i njoha nga afër, i pashë, por tani nuk i gjej më, edhe pse i kërkoj me ngulm. Pastaj më mbeten sytë ngujuar mbi fashën e dritës në platé, të cilin e ka zënë gjumi në prehër të zonjës së tij. Hajde peshk i freskët! Vërtet, i freskët! Po, nuk e sheh si lëviz? Eh, mor mik, edhe gruaja ime lëviz, por ç’e do, s’është më e freskët… Dreq o punë. Fasha e dritës ka ngrirë. Kështu, miku im, nisa të nxë më shumë, fillova të dua gjithçka në të gjitha skutat e teatrit, të famshmit, të ndryshëm nga njëri-tjetri, po edhe aq të ngjashëm!: Mjeshtër të skenave masive, kërkues brilantë detajesh, të puthur nga lirizmi, të prirë nga modernia, gjurmues të imtë karakteresh. Net të ngrira brenda në teatrin e makthit e të dhimbjes, ku shiten gështenja a misra të pjekur, ku aroma e bujkut vjen me tërsëllëm dhe përplaset me duhmën e luksit, nga duket sikur edhe hëna largohet e zemëruar prej fushës e pamatë të nderit. Ka prova? Ka, sigurisht. Ky rol nuk shkon. Personazhi është shumë i gjatë, mos ka ardhur ndonjë ministër? Jo? Mos e thuaj! As ai i kulturës? Mbylle buçen! Vër fre se do ta pësosh, budalla!

Eh, miku im! I pashë videot që më dërgove, edhe pse isha në teatër. Më mrekullon ideja e videove dhe e bashkoj me teatrin. Sidomos kur ka kukulla që tërheqin karrocat e fatit dhe s’di pse i bë bashkë, i mbreh me teatrin që më mërdhin dhe më ka mbetur në mend! Plakat e katit të tretë! Ka pak mirënjohje aty. Pensioni i plakave është i madh, shumë i madh. Skena e teatrit është e ftohtë, shumë e ftohtë! Ka kaq shumë rroga të mëdha! Ka vetëm jetë të vogla nëpër apartamente si ne të gjithë, po ato mobilie që kanë humbur aromën dhe ngjyrën, vuajtje prej ushqimeve si në videon tënde, veç kudo sikur e ndien se ka bjerrë një mirënjohje e dikurshme. Mos! Mos e thuaj! Kemi pasur mirënjohje ne? Ç’thoni? Nderim me të tepërt. Nënshtrim. Servilizëm. Pse, ka njeri dëm nga servilizmi? Dhe më vjen në mendje Kadri Roshi që gjuante peshk në Karavasta dhe përkëdhelte lejlekun kaçurrel, Kadri Roshi, ai burrë i gjatë e i thatë, me ata sy aq ledhatarë! Që shpesh i hidhte sytë nga plateja. Po ajo dritë që shëtiste herë pas here përmbi koka. Nuk mund të bëhesh i famshëm nga rastësia! Merr vesh. O këtu dhe gatitu, o në Karavasta! Po nuk rrinte dot pa luajtur në skenë, dhe thonë se e ngriti skenën me dhelprat dhe peshqit e lejlekët kaçurrelë në Karavasta. Atje ku vinin ngaherë Të Bukurat zonja e zonjusha që e donin teatrin dhe ledhatimin e syve… Ja, or mik, i lodhur nga krijimi dhe puna e ditës, i dhashë leje shpirtit dhe erdha në teatër, ku pashë Plakat e Katit të Tretë dhe videot e tua. Ky është ai që unë e gjej si  kronikë të përditshme. Mirupafshim! Pres të diskutoj me Ty për videot dhe për muzikën e ftohtë të teatrit në akullimën e sallës…

 Tiranë, më 08.01.2018

Filed Under: ESSE Tagged With: Pangjerik, TEATRI ABSURD, Xhevair Lleshi

NJERIU QË NUK E DURON DOT KURRË JETËN E MËRZITSHME E MONOTONE

December 15, 2017 by dgreca

Duke biseduar me një telepati të zakonshme me mikun tim, Qatip Mara, në mëngjesin e shtatëdhjetë vjetorit të tij…/

Nga Xhevair Lleshi

1 qatip Mara

Në Foto: Qatip Mara me mjekun e tij në Nju Jork/

Po. Te ky njeri, që kur ishte djalë i ri, student, se atëherë pata fatin ta njoh, edhe sot që mbush shtatëdhjetë vjeç, vura re një ndjesi të çuditshme: nuk e duronte kurrë jetën e mërzitshme e monotone. Edhe si mendim sepse kurdoherë e e vija re teksa përdridhte hundën, herë-herë edhe kur përhumbte vështrimin dhe gjithnjë më dukej se i vishte vetes mendimet që zgjidhte, sikur donte të ndërtonte gardërobën e fjalëve: fliste dhe flet edhe tani që mban një zemër të re në trupin e tij të shkathët. Bën një mëkat të madh sikur t’ia largosh sadopak këtë gardërobë atij. Njihuni prej meje me të: Qatip Mara, një mësues epope, që të vështron në sy me ngashëri, që gjithnjë e merr me vete kudo që të jetë gardërobën e vjetër dhe të re të fjalëve, spërkatur me aromë trëndeline. Ju nuk besoj ta kini parë ndonjëherë si rritet trëndelina në lëndinat e Kropishtit të tij të vegjëlisë, sepse kjo bimë aromatike dhe e pazëvendësueshme ka qenë edhe bar mole edhe bimë dashurie. Bie fjala i spërkatur me ujë trëndeline mund t’i tërboje vashat e reja në teatrin kombëtar teksa luheshin dramat dhe tragjeditë e mëdha të historisë. Sepse asokohe luanin në skenë të mëdhenjtë e lavdishëm! Dhe pikërisht kjo gardërobë e përzgjedhur fjalësh do ta bënte atë veç të tjerash edhe një mësues të madh, bashkëpunues të pazëvendësueshëm, me të cilin ndjehesh lirshëm, fare shpenguar, se aty sigurisht që je në shtëpinë e fjalëve. Dhe e di mirë: atë gardërobë e mori me vete kudo që shkoi e jetoi : në Armen, në Selenicë, në Greqi (për të fituar jetën dhe për të shëruar të bijën!), në Vlorë e në Tiranë. Edhe tani në New York ai s’di punë tjetër, pasuria e tij e madhe e fjalëve përdoret kur ecën në park, kur shkon në një shkollë, kur shkruan (dhe jo vetëm kujtime të mahnitshme!), kur gjen befas një mik, apo kur i hipën në kokë të endet në botën e bejteve të Labërisë.

Unë e njoh mirë këtë njeri të madh, atë mësuesin idealist të Selenicës, zboristin hokatar të Armenit, që e adhuron të shoqen, edhe ajo një mësuese e njohur por që di aq shumë të kujdeset për gardërobën e fjalëve të burrit të saj, që nuk iu nda as asaj gardërobe edhe atij vetë edhe në udhëtimin e mahnitshëm me aeroplan të posaçëm nga Milano në New York, për të fituar zemrën e re djaloshare. Ky njeri është fare i rrallë, i them nganjëherë si ato speciet në zhdukje, me një kujtesë të llahtarshme, një nga gjërat e spikatura të një njeriu që di ta mbajë me kujdes tharmin e tij të bukur që tani aktualisht është në apogje, sidomos kur pret e përcjell miq apo grupe miqsh, se të gjithë janë adhurues të fjalëve të buta e të egra, të dendura e të rralla. Ai e dashuron jetën më shumë se askush: dhe Zoti ia shpërbleu, e mori dhe e çoi me zemër në dorë (bashkë me bijën e tij të çmuar) në New York-un e madh. E kur u kthye së andejmi me zemrën e re, fluturonte nëpër Tiranë e në Vlorë, kudo, duke folur vazhdimisht, po edhe duke fshirë nganjëherë një pikë lot në cep të qepallës. I mahnitshëm edhe me zemrën e re. Sikur e ndihmuan fjalët, thosha me vete. Ah! Nuk e duronte dot t’i vinte vetes dhe fjalëve këllëf, sidomos nuk e duronte kurrë jetën monotone (as fjalët monotone, as zërin monoton!) sepse i bëhej çdo çast e më shumë e mërzitshme, e lodhshme vetë jeta. Ndaj dhe ishte gati të ikte, të largohej. T’i largohej çdo njeriu. Një ditë, nga ato të rinisë, këputem dhe shkoj në Selenicë. E kërkova gjithandej, në shkollë, në muze, në rrugë, kafene por e gjeta disi larg qytetit, në buzë të Vjosës. Rrinte në breg të saj, shikonte zallishten e gjerë dhe ujët e saj të kaltër, që kur i ngrihet mendja hardalloset e bëhet e tmerrshme. Më pa, përdrodhi buzët siç bënte për të fshehur habinë dhe më tha se aty gjente prehje, aty nuk komunikonte me njeri, mbetej vetëm, përtypte mendime të çastit në këmbë, kërkonte edhe më tej përpikëri të tjetërfarme dhe sikur fshihej për të mos rënë fare në sy. Aty pranë Vjosës, që shihte matanë fushën e Frakullës dhe vdiste (madje vdes akoma për një urë, që do të ishte urë jete e qytetërimi të jashtëzakonshëm!)  mund të tregonte edhe historinë e tij të dashurisë, duke i regjistruar një për një fjalët, që edhe tani s’i ka harruar. Fjalët i japin hijeshi të rrallë dashurisë, i japin atë që quhet ndryshe regjistrin poetik, i veshin romantikën e veçantë, e mbushin pse jo edhe më një melankoli e trishtim aq të ëmbël sa më s’bëhet. Vërtet ato çaste janë jetëshkurtra, nisin në një breg lumi, ose në buzë deti, plot kuptim e me një sensibilitet tronditës e pastaj përfundojnë në një tjetër zjarrmi, me mjaft kuptim, gati si përmbushje e një rasti për të kaluar mërzinë. Po, mërzinë. Se jeta jonë rrethohet nga kjo vrasëse e paskrupullt: mërzia! Ka pasur të drejtë që shprehej aq hapur kundër saj, duke ndjekur rrugën e kundërt me të përplot ëndrra dhe qëllime fisnike, që për fat të keq ose mbetën në mes të rrugës, ose nuk u bënë dot kurrë të tijat. Ato ishin dhe janë gjëra që filluan, po nuk u kryen prej pamundësisë që e ndjek njeriun. Ose më saktë prej pamundësisë klasike që gjithë jetën e ka rrethuar mikun tim të mirë e të pazëvendësueshëm. Pamundësia e gjërave të vogla të përditshme, ama, i dhuroi një mrekulli magjike: e çoi tek zemra e re dhe ai i bindet një tjetër jete, atje në New York-un e largët (për ne). Se po të rrethohej nga mundësitë e mëdha miku im do ishte «harruar» me kohë…

Përkujdesja e përkorë e mikut tim të vërtetë, djaloshit të dikurshëm me sytë shpuzë – Qatip Mara – po edhe tani vrapuesit shtatëdhjetëvjeçar që i gëzohet zemrës së re, është mjaft prekëse që ia çoi edhe atje në kryeqytetin e botës gardërobën e fjalëve, me siguri sepse fjalët e duan njeriun ashtu siç është, treçerek ëndërr e një çerek re­alitet. E di miku im, ti mendon se ky realitet i ashpër e i padurueshëm (në Shqipërinë tënde e time!) është si një kosh plehrash për ëndrrat dhe qëllimet e mira! Asgjë nuk u bë mirë, edhe kur ti ndiqje demonstratat, mitingjet, ngrije lart gishtat, kur more arratinë sepse i doje fjalët të kishin tingull tjetër dhe elegancë, pasi njerëzit kudo të jenë duhet të mbeten gojëhapur prej fjalëve. Ama prej fjalëve të gardërobës sate! Ti, or mik, edhe atëherë, i rrethuar nga mërzia dhe monotonia e ngahershme, nuk e ke besuar se do të ishte mundësia gati e pamundur gjer në fund e njeriut ajo që do të triumfonte edhe tek ty vetë, edhe pse e shikoje gjithnjë si individualist i pandreqshëm. Ti i ke dashur njerëzit me një dhembshuri në përgjithësi dhe udhëhiqeshe nga ideali i intelektualit humanist për ta parë jetën e mërz­itshme e monotone e të përsëritshme me dashurinë e zakonshme të njeriut të vuajtur.

Po, miku im, ti e di se edhe sot njerëzit i mbyt makutëria, batakçillëku dhe sidomos injoranca, hipokrizia e padurueshme, pa lëre pastaj kurvëria, deliri i pandreqshëm, vetëkënaqësia e mrekullueshme, hajdu­tëria dhe krimi, lakmia e përbindshme, aventura e përhershme, shto pastaj edhe profecinë e gënjeshtërt. Dhe dashuria nuk përfun­don kurrë, kurdoherë është aty pranë, me buzagazin e përjetshëm e të përndritur. Pastaj vjen zemra e re e Qatip Marës që merret vetëm me punët e mira, me njerëzit që kanë shpirt e mend, me ata që përfun­dojnë punët e bukura por që atë urën që lidh Selenicën dhe Buzëmadhin nuk e bënë dot kurrë. Aq më tepër që tani atu shkon edhe rruga e re drejt Tepelenës dhe buzë Vjosës. Ti i ruan shpresat se mos e mbyll atë punë miku yt i mirë Genc Pollo, ndoshta nga që është bir i profesorit tonë Stefanaq Pollo. Sa herë e dëgjon atë në parlament ndihesh disi i trishtuar, madje me një tis trishtimi, po jo mbytës dhe pastaj dalldisesh pas një dhembshurie të madhe me një sens bukurie të përjet­shme, rrëqethëse, të provuar rrallë e pa shumë dritë si në vjeshtë kur dielli ndriçon përmes vranësirave dhe gjethet bien mbi lulet e thara. Ja, këtë ndjesi ke, sepse vendi ynë, or mik, kështu vazhdon të jetë: i mërzitshëm dhe monoton, në dimër e në verë. Dhe ne kurdoherë i ndjejmë kaq thellë këto gjëra! Sepse vjen dikush pranë teje e meje dhe dëgjon në vet­minë tënde (time), vazhdimisht duke folur me gojën tonë, ti me gardërobën tënde e unë patjetër me timen, po ja që s’na kupton njeri, ndoshta për ty ngaqë je delikat dhe aq i sjellshëm në fjalë. Me sa duket unë qenkam miku i trishtimit tënd dhe tgi i trishtimit tim…

Sot, miku im i mirë, ato provincat tona të largëta po braktisen dhe po bëhen akoma më të mjerë qytetet e mëdhenj si Tirana, Vlora apo edhe Berati, që janë shndërruar në qytete pa kripë. Aty (a e ke vënë re?) rilind çuditërisht njeriu i vogël i cili megjithatë ndjehet keq. Sot këta njerëz janë më vulgar dhe më të paturpshëm, më të tharë nga ndjenjat (madje ndjenja s’ka më fare!), janë më lakmitar se kurrë dhe më të korruptuar se ndonjëherë. Sot s’flitet më për ideale dhe gardëroba e fjalëve (e di, jo gardëroba jote!) dërdëllit më cinizëm: Ma thuaj troç, sa fitoj unë! Sot flet pasuria makute e cila ndërron shpesh makina, nuk dashuron por ka neps e bën seks, se nuk e njeh më pasionin (madje as pasionin satanik!), sot veç të prishin punë, sot edhe moti i keq kurvëron me personalitetin e njeriut, sot gjyqtari i tregon pasuritë e tij me prejardhje nga ruleta ! Prandaj qenka kaq e mërzitshme jeta ? S’e di !

Prandaj gardëroba e fjalëve të tua është shprehje e zhgënjimit fisnik, me aq shumë karaktere që nuk fitojnë asgjë, që vetëm humbasin, që fisnikëria e tyre mbetet bashkë me një nën­qeshje të çuditshme prej komediani. Se ty dhe fjalën tënde nuk e intereson shumë fabula, po karakteri. I kemi në jetën tonë të gjithë këta që ti i përçmon me të drejtë, për­ditë përshëndetemi me ta, i dimë bëmat e tyre, po nuk kemi kureshtje të kthejmë kokën për t’i bërë edhe njëherë në sy. Sepse kurdoherë bëmat e tyre janë të trishtme, të mërzitshme, ndonëse në dukje argëtuese e të jashtëzakonshme, sepse jeta e tyre (po edhe jona!) nuk e ka atë tharmin lektisës që të rrëmben e bën për vete. Se ti kërkon sjelljen njerëzore, nuk ke kohë të merresh me veset sepse e do pa masë virty­tin! E pra, virtyti është gjithnjë specie e rrallë, në zhdukje. Dhe ti, ndërkaq, nuk proteston, nuk kundërshton më me forcë, duke mbetur si gjithmonë kumtuesi më besnik dhe më i ndershëm i jetës, të cilës nuk i bën koment, por vetëm e këqyr, e vëzhgon hollë dhe thellë, si në një heshtje nate, pastaj pjesën tjetër të padukshme ia kërkon rishtas zemrës së re në kraharorin e bërë copë nga bisturia moderne. Ah sa do të doje një degëz trëndeline mali apo livadhi, të ta sillnin aty në dhomën tënde dhe të bëje gjumë shqerke me të nën jastëk, duke u kujdesur që ta mbaje pranë gardërobën tënde të fjalëve për ta bërë jetën më pak të mërzitshme e më pak monotone…

Tiranë, më 15 dhjetor 2017, në ditën e shtatëdhjetë vjetorit tënd, Qatip Mara !

Filed Under: ESSE Tagged With: Njeriu qe nuk duron jeten e merzitshme, Qatip Mara, Xhevair Lleshi

David Gjeçaj- REPUBLIKA E KUQE SA NJI GOGËL KA RA N’DASHNI ME VEDIN

August 13, 2017 by dgreca

Përsëri me David Gjeçaj, prifti katolik nga Thethi, që punoi 30 vjet në Radio Vatikani (seksioni shqip), i cili ka lënë pas diamante për kurorë. Ja një ese e mrekullueshme e shkruar jo në shqipen zyrtare, por në gegnisht. Megjithatë kushdo mund të gjejë aty ujin kristal të fjalëve, si në Thethin e tij të mrekullueshëm…

1-xhevair-lleshi-zyre

Përsiatje nga Xhevair Lleshi/
1 Theth_National_Park-church

Atë republikë kisha, fillikate, siç më shprehej zemërndrydhëse nji za prej qielli. Ma tha edhe nji herë tjetër që t’i pastronim kokën se do të vinin vizitorë nga hapsina. Ç’me pastrue! E kishin pastrue ushtarë e oficerë, punëtorë e fshatarë, të rinj e pleq, po veç sa me e përkëdhelë: e kanë ndërru pastaj – nji kostum dopiopetë ceremonial, kravata e kuqe, thile e kuqe prej mëndafshi që të turbullonte…  një palë këpucë të reja pa veshë kurrë nji herë, e ç’me kujtue tjetër…  Republika ime e vogël, e vogël, e pastër, e pastër, si me hy në nji skenë ku luhet tragjedi…  E vrej:  ulet te karriga e vetme dhe sheh veten n’pasqyrë…  ku ku, thashë paska ranë në dashni me vedin kjo zojë e plakun po me zemerek të ri dhe më erdhi me qeshë…  ishte marre! Po unë shifsha krejt ndryshe, veshun ashtu tan’ zhele prej doku kinez…  e hoqa sytë ka skena. Zdralja ime hallemadhe si thotë poeti, pothuaj e ngrehun përmi male, e bukur si ka kenë motit…  e them dhe s’di në më kuptojnë krenat…  Në atë kohë spektatori donte me e ditë në ishte e bukur republika jeme se mos nga syni e hajshin dreqnit! Pse me e mohue, e kam dashtë me loçkë të zemrës vendin tem dhe e due pa masë. E pse me e mshef? Republikën e kuqe, rrobën e hidhun të marrë hue, s’e simpatizoj, ashtu me goje plot edhe pse herë-herë po m’falënderon…  anipse e dijsha se po turbullohej fort edhe nga fjalët e mia…  Kisha kureshtje me ditë për intimitetet e republikës seme…  Të brendshmet, ia pashë, të kuqe, tutlue me parfum, nji cen s’i dallojshe…  M’lëndon kjo pamje, se republika asht’ femën…  Asgjë të shkoklueme, as hidh e prit andej e këndej…  Pastaj me dorën me gunga shkruan me fjalë florini, kështu me m’u duk…  Ishte thjesht për mue. Po unë dijsha me i lexue ndryshe fjalët e saj: parullat i ktheja në lutje, horrjen në frikë, fërkimin e gishtave kërkesë të fshehun. Mos më prek…  A ishte vërtet kjo? E marume asht’ e mjera, e lanme krejt…  uf!…  Tash po i them: mos u shih ma n’pasqyrë, po lun mendsh krejet…  E kadalë tu ia prekë telat e zemres…  Kush e di se mos shkrute ndonji fjalë ma hapun për ndonji send, nevojë a hall. Pasha Zotin e madh do ta shpërblej…  Kjo m’vrau…  s’kërkojsha kurrgjë nga republika eme e vorfën e me halle të pa përshkrueme, po veç një vështrim e aq zemra jeme bahej zog. Erdhe? më thoshte buzagaz me dhambët çataj e të krimbun nga pangranësia, por edhe, dreq o punë, edhe gjoksin drras’ e me synin zjarrm. Donte me u çue e me m’dhanë dorën e unë s’e lajshe. I qeshsha dhe unë me nji gaz që atë e ka habitë…  Prita ma vonë mos e bante ma, mos më jepte shenj qysh atëherë kur i lajsha sytë me ujë burimi nga Alpet e nga Tomori, nga Korça e Prishtina, nga Arta e Durrsi e Shkodra loce dhe më tkurrej zemra nga gjaku…  vuente e shkreta jeme…  ishte sëmundë nga të pangranët…  Përherë e lusja për diçka, edhe pare me i dhanë i jepja, edhe bukën teme, po asaj të mjerës kurrgja s’i hynte në sy…  S’ka lanë asnji borxh republika e vendit tem (!), e kuqja flakëruese që shihet në pasqyrë, e dashnuar me veten, mos më keq…  Ishte për t’u dashtë! Ia kam rujtë atë nur për nji kohë, por menjëherë u ba krejt ndryshe, nuk i hyjshin në sy hollësina të tilla. Po më frikësonte se mos vijshin dorë mbi skeletin e saj të marum, i futa në nji bohçë gjithë ç’kisha, dhe ia kam ngarkue me nji dorë në ajër…  E kisha nji të dashtun aq të bukur e aq…  e shikojsha kaiherë, e shikojsha e thojsha se shkojshim bashkë…  e kur mora vesh se ishte po ajo, republika e vendit tem që lufton me perënditë dhe me superfuqitë. Sido – sido më pëlqen fort kjo sfidë, më këputet pastaj shpirti se çfarë desha. O Zot i madh, seç ndiej këtu mrena, kam qeshë e jam mahitë me veten… Në ndjesina të mshefta nuk u futa dot kurrë…  Po republikën e vogël, të kuqen sa një gogël, që e donte aq shumë veten, nuk e dhashë…  e kam respektue, ishte andrra e madhe…  për çdo shqiptar! Dhe andrrat si andrrat ma!

1977

Filed Under: ESSE Tagged With: David Gjeçaj, Republika e kuqe, Xhevair Lleshi

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • …
  • 11
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “DIRECTORIUM AD PASSAGIUM FACIENDUM” 
  • ULQINI PRET BIJTË E VET
  • QEVERIA NË MES TË VOTËBESIMIT DHE ZGJEDHJEVE TË PARAKOHSHME PARLAMENTARE
  • NË VËMENDJE, 400 MIJË DOSJET E SPIUNËVE TË (ISH) SIGURIMIT TË SHTETIT KOMUNIST…
  • SHTETI SEKULAR DHE IDENTIETI YNË KULTUROR DHE KOMBËTAR NË RREZIK!
  • #SiSot ndërroi jetë në Selanik, pas një atentati, Hasan Prishtina
  • Përkujtim në largimin në amshim të Musine Kokalarit
  • Drejt greminës sociale?
  • 𝗡𝘂𝗸 𝗶 𝗸𝗲𝗻𝗶 𝗽𝗮𝗿𝗲 𝘁𝗲 𝗴𝗷𝗶𝘁𝗵𝗮 𝘁𝗲 𝗹𝗶𝗴𝗮𝘁 𝗮𝗸𝗼𝗺𝗮…
  • 24 vite më parë, Adem Demaçi, mori detyrën e përfaqësuesit politik të UÇK
  • STRATEGJIA E PUTINIT PËR TË SHMANGUR SAKSIONET EKONOMIKE DHE DËMTUAR MË TEJ EKONOMINË E EUROPËS
  • XI NDËRMJET QËNDRUESHMËRISË DHE KOMBËTARIZMIT A DO TË NDJEKË GJURMËT E PUTINIT?
  • PЁRTEJ  MJEGULLЁS  SЁ  HISTORISЁ
  • LE MATIN (1914) / JA ÇFARË MENDON KRYEMINISTRI SHQIPTAR TURHAN PASHA PËR PRINC VIDIN (INTERVISTA)
  • Princess by Gerta, markë që po rritet çdo ditë, së shpejti me qendër në Amerikë dhe Angli

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari Albin Kurti alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fadil Lushi Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Hazir Mehmeti Ilir Levonja Interviste Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT