• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Në ditën e 100 vjetorit të Ibrahim Kodrës. 22 prill 1918-2018

April 21, 2018 by dgreca

Përgatitur nga Xhevair Lleshi, në vargun e veprimtarive për Maestro Kodrën nga Instituti i Edukimit, Trashëgimisë dhe Turizmit, Tiranë…
1 Kodra Kadare 2

KONTAKTI ME KADARENË ËSHTË MAGJEPSËS/

Abdulla Tafa– Nga traditat në bashkëkohësi, ç’përfaqëson për ju Ismail Kadareja, figura numër një e letërsisë së sotme shqiptare.

 Maestro Kodra– Kontakti me Kadarenë është magjepsës. Mbi të gjitha ai është kombi, populli. Për mua Kadareja është projektor i fuqishëm i drejtuar në thellësitë e mëdha të shpirtit të popullit, kombit, atje ku fillon, formëzohet, rrit përmasat magma vullkanike e këtij shpirti. Elementët që e përbëjnë këtë magmë janë të shumta: mite, rituale, kultura shekullore e të jetuarit, filozofia e saj, mendësia e raporteve ndërfamiljare, mendësia e juridiksionit të mahnitshëm popullor; i mahnitshëm edhe si pasuri juridike edhe si mekanizëm real, që jep përgjigje për gjithçka; historia e mirëfilltë e ndriçuar në zonat e saj më pulsative si segmenti pas pavarësisë, periudha tërmetore e pashallëqeve të mëdha, kulmi skënderbejan i shek. XV, shekujt sërish me shenjë të formimit dhe të konsolidimit të principatave të para shqiptare etj… Mbi njëmijë vjet të shikuara artistikisht me prirjen për t’u shtyrë akoma përtej në rrjedhat historike. Kadareja e fut këtë magmë në laboratorin e tij, i shton asaj kronikën e ditës, herë tipike, herë-herë ordinere, herë tragjike, herë groteske dhe nxjerr prej andej jo elementin magjik të alkimistëve të moçëm, por formulën sekrete të jetesës dhe të mbijetesës shqiptare. Alambikët cilësisht të rafinuar të artit të Kadaresë edhe pse shpesh punojnë me lëndë të kufizuar në caqe hapësinore i japin asaj rrezatim universal.

Kadareja është traditë dhe novitet. Në të gjendet në formë të kristalizuar arti i popullit, arti i përzgjedhur i traditës sonë të kultivuar. Gjithashtu në të bashkohen mrekullisht Homeri me Eskilin. Dantja me Shekspirin. Xhojsi me Kamynë, Kafka me Sartrin e Elyari me poetët e tjerë të mëdhenj të këtij shekulli, për t’u tjetërsuar në markën e veçantë tepër të njohur në prozën bashkëkohore, në markën Kadare. Kadareja është shpallje botërisht e mundësive të magjisë sonë artistike. Pohim i ri i gjenisë së vjetër shqiptare.

[ Marrë nga libri Abdulla Tafa, «Kodra një univers»,f. 37, Botim i Entit ART, Tiranë 1992 ]

Filed Under: ESSE Tagged With: Abdulla Tafa, Kadare, Maestro Kodra, Xhevair Lleshi

BISEDË DHIMBJEJE

April 10, 2018 by dgreca

 1-xhevair-lleshi-zyre

Ese, nga Xhevair Lleshi/Ti mund të thuash se je i velur, i ngopur, por jo, do të bërtasësh pa zë: je i neveritur dhe madje i neveritur egërsisht! Le ta dinë mirë! Ai trazonte urët në vatër dhe, si zot konaku, i duhej ta mbante gjallë bisedën e dhimbjes, ndaj dhe e shihte qartë shpuzën e zjarrit. E shihte zjarrin, madje sytë e tij morën shkëlqimin fisnik të flakës. I dukej sikur do të vihej në krye të karvanit dhe do të printe përmes fjalës kuvendin e burrave. Kuvendin e moçëm të burrave. Prandaj dhe u përmbajt. Burrat e dheut duheshin përmbajtur, duheshin paqësuar, duhej të mposhtnin me neveri përçarjen prej politikës. Sepse ashtu iu volit. Sepse ai i donte njerëzit me gjithë brengat e tyre të panumërta

në shpirt, e donte gjindjen e një gjaku e soji të hallkut.

Le ta kthente fjalën në mision. Një mision të bën shenjtor. Por a mund të udhërrëfente ai si një shenjtor?

Ashtu duke shpurritur zjarrin imagjinar të vatrës ai heshtte dhe pëshpëriste lutje. Gjithçka po i kthehej në parandjenjë të lodhur, që ecte këmbëzbathur. A mund të gënjehej më prej tyre? Jo. Një jo e madhe e pa mëdyshje. Përndryshe gjithçka kthehej në mashtrim.

Po atëherë le të vihej në ballë. Veç sa të thoshte fjalën, atë që rëndon sa bota, të vërtetën! Mos ishte ndonjë grackë e re kjo «festë demokracie»? Ishte kaos i vërtetë, bash si ai në të cilën u formua bota. Ndërsa këtu, pas shpërthimit të kaosit, do të formohej thjesht njeriu

prej mishi e kocke, njeriu I lirë. Po le ta shohim edhe këtë farsë. Se mos na bëhet edhe ky si ai njeriu i ri i Hoxhës! Pastaj gjeje vrimë dhe futeshe…

 

Tiranë, më 10 prill 2018

Filed Under: ESSE Tagged With: BISEDË DHIMBJEJE, Xhevair Lleshi

KAZANOVA, SHQIPËRIA DHE SHËN KOZMAI

March 2, 2018 by dgreca

Pjesë nga eseja VENECIA DHE MAESTRO KODRA (Libri ‘MAESTRO KODRA’)/

1-xhevair-lleshi-zyre

Nga Xhevair Lleshi/

Totem për mua u bë edhe një tjetër figurë e njohur që lindi në Venecia: Xhakomo Kazanova. Më gjeni një burrë të madh a një grua të bukur që nuk e njeh atë njeri, atë xhind, kryesisht për bëmat e tij si «mik i grave», kur në të vërtetë ai ishte një intelektual i rrallë që shkroi mbi dyzet libra gjatë jetës së tij.

Kazanova! Atë (edhe atë!) e ndiqte pas një shpurë e larushitur gazmore, kështu e përfytyroj dhe më trondit thellë kjo fuqi e përbindshme, një sprovë që mezi ia kapërcej vetes, dhe më vjen ndërmend një çast që mund ta thyente përfundimisht jetën time. Ai çast e ka emrin grua. Vajza qe asaj mbrëmjeje ishte me mua, të cilën e doja me shpirt, më thotë: Ibra, më shtrëngo! Më shumë! Po, më shumë! Më shtrëngo, pra! Dhe unë i mjeri e shtrëngoja derisa krisi i gjithë trupi i saj në duart e mia si panxha ariu. Dhe më mbeti në dorë. E mekur. Si e vdekur. Një vdekje prej seksit, prej dashurisë, si për shumë vajza e djem, që më vinin pas, më dëgjonin kur flisja dhe deheshin me idhujt e mi.

Kazanovën kurdoherë e rrethonin të rinjtë, aq sa e mësova nga shkrimet e shumta për të, ta përfytyroj gjithmonë ashtu, në moshën e rinisë së përjetshme, edhe kur të nisej për rrugë t’i tundte shaminë e bardhë të mjegullës e të dritës, Venecias së tij jo të zakonshme.

Në të vërtetë kur është fjala për Kazanovën, nuk kemi të bëjmë vetëm me femra, ngase ai njihej të ishte edhe biseksual… Kazanova vdiq në Dux të Mbretërisë së Bohemisë, qytezë kjo në Çekinë e sotme ku ai kishte punuar si librar…  Jo, nuk kam dashur të hyj në hulli të tilla. S’ka si të ndodhë ndryshe, sepse kjo është thjesht një dalldi, sepse malli është shpikës imagjinar, një trillim tragjik, si e gjithë jeta e tij…. 

Prej disa kohësh bluaj në mendje një trill të ri, të përmend një detaj që e kam gjetur në botimet arkivore të Venecias, i kërshëruar për Shqipërinë time e që lidhej pikërisht me Kazanovën. Misionari Kozma, i cili më vonë u shpall shenjtor nga grekët, propagandonte për kishën dhe politikën greke në Shqipërinë e jugut dhe në Epir. Ai qe parë me dyshim nga shërbimi informativ i Venecias i quajtur «Këshilli i të dhjetëve», ndaj për këtë arsye Shën Kozmait ia vunë prapa një agjent për të përcjellë veprimet e tij. Ky agjent qëllonte të ishte vetë Kazanova. Domethënë, megjithëse ka pak gjasa, mund të jetë e mundur se ai paskësh shëtitur edhe ndër viset shqiptare. Sido që të jetë, shpresoj që ai të mos ketë pasur rast të shpërndante sifilisin e tij andejpari (përveç, ndoshta t’ia ketë dhënë Kozmait, që lehtësisht edhe mund të ketë ngjarë, sepse Kazanova vërtet nuk zgjidhte ç’vrimë kishte viktima e tij!)… 

Tiranë, më 26.02.2018

Filed Under: ESSE Tagged With: DHE SHËN KOZMAI, Kazanova, shqiperia, Xhevair Lleshi

RASTËSISHT ME XHON LENON

February 25, 2018 by dgreca

«Njeriu në përgjithësi dhe krijuesi në veçanti asnjëherë nuk janë njëdimensionalë…» (Ibrahim Kodra)/

1-xhevair-lleshi-zyre

Skicë nga Xhevair Lleshi/

Në Stamboll nuk është e lehtë të përballesh me rastësitë, edhe pse është viti 1977. E tillë qe edhe ajo ditë plot diell në një nga kafet e sheshit Tahsim. Njerëz që hyjnë e dalin me ngut. Salla plot. Askujt s’i vete në mendje se aty është një piktor me emër e me plot letra në çantën e madhe, që dukej si i harruar në një kënd të këndshëm të kafenesë. Dhe kur kanë mbaruar klientët e parë, vijnë të dytët, pushojnë, hidhen në veprim, qeshin, lëvizin, ndërsa mendimet rrjedhin vetiu dhe atje mes tyre një shpërthim zërash. Dikush, një djalë me syze, këndon. Magjike. Nuk zë zot vend. Maestro Kodra rrëmben letrën  e trashë, lapsat me majë të trashë hapur mbi tryezë. Nuk e njeh artistin, ndonëse nga larg, ku është ai, vijnë pëshpërima përplot drithërimë: Hero i madh! Si askush tjetër! Bllokohet kafeneja. Do ta paguaj! Ç’më bëre! Qofsh i përjetshëm! S’do të harrojmë kurrë! Maestro Kodra e hodhi skicën menjëherë. Mrekulli. Sa pak do të jenë si ty! Dhe sa me fat qenkam sot! Edhe kafeneja! Ta kem parë, thua? Po, me siguri! Një nga djemtë e tavolinës ku bënte vokalica dhe lëshonte zëra të shkëputur e puthi në buzë. Jam i lumtur, bërtet djali. Të zotëroj si burrë. Ndihem zot!…

Maestro Kodra ka nxjerrë fletën e dytë dhe vizaton mrekullisht shpejt. E bukur! Ky do të ishte një artist i madh! Çfarë lëvizjeje! Të dritësonte me sy, me aq shkëlqim dhe ngacmim. Unë nuk të njoh. Unë të kam zbuluar vetëm tani. Një lëvizje e çmendur. Edhe vijat e skicës konfigurojnë po atë lëvizje. Për herë të parë, belbëzon Kodra, nuk po kap thelbin e përmbushur në dëshirë, njohja është patjetër një armë. Dritëhijet, duhen dhënë shpejt. Asnjëherë s’kam qenë skllav i instinktit, kam bërë punën sipas natyrës. Dua që me krijimin tim të dëfrejnë. Ai edhe punonte, me nxitim sigurisht, edhe fliste si me vete, me zë. Një tingull i ëmbël, drithërimë e lehtë dhe padyshim një mungesë e madhe. Një vizatim i thjeshtë por me shijen e instinktit, thjesht sa për të shuar urinë e krijimit. Dhe m’u shfaq ky artist, që me siguri do të jetë emër i madh. Dhjetëra vajza e djem vraponin nëpër kafene, flisnin, potere, kumt i një fati të ri, diçka që mund ta klasifikosh edhe si mbretërore, pa mish e pa verë, mund të zgjidhje ç’të mundje, seks me teprí, po sidomos lëvizja, eleganca, zërat harmoniozë, grinta me aq nerv, buzëqeshje të bardha e pa një rrudhë, shkëlqim ngashënjyes. Jo, për asgjë, nuk mund ta vësh dorën në zjarr. Ç’të të them tjetër, more djalë, do ta mbyll tani, jam edhe unë në afsh, jam si një tronditje e pamendueshme, si të jem i sëmurë. E di, kam ethe të mëdha kur jam në punë. Të vizatuarit më fal kënaqësi të rrallë, i thoshte vetes Maestro Kodra. Ç’tjetër mund t’ia forcojë jetës kuptimin?…

Dëgjoi që po këndonin. Pastaj zërat sërish u fashuan. Nuk po e shihte dot. Rrëmujë e vërtetë artistike. Erdhi aty pranë kamerieri dhe i solli një ujë. Pastaj kanellë. Sa bukur, tha. E di kush është? Turma po largohej me ngut të madh. Sërish brohorima. Fluturonin foto dhe shami të bardha. Gjuhë e kuptueshme, gjeste në ajër, të shtyra, ca ikona që fluturonin andej këtej, aromë e bukur dhe me aq seks. Mund t’ia vije fajin seksit, mund të ekzagjeroje pëshpërimën, mund të shfreje habí plot frymëzim, mund të krenoheshe edhe me djersën dhe pastaj, shkrepën mijëra blice dhe një gaz i ngjyruar. E pa edhe kur po hynte në holl atë fytyrë të bukur që ngrihej përplot madhështi. Edhe syzet e djaloshit nuk reshtnin së qeshuri, vajza e djem që e puthnin, kakofoni lëvizjeje, dhuntia e përmbajtur që e fal natyra, pamje tërësisht befasuese… Është Xhon Lenon! Nuk e njeh? Maestro Kodra ngriu. Sa mirë që i besoi instinktit. Spikaste një dozë e madhe frymëzimi me një ëndje triumfuese. S’mund të mos e vinte buzën në gaz. Faleminderit, Xhon Lenon, s’do të harroj kurrë këtë rastësi dhe këto dy vizatime. Kamerieri i fotografoi. Fotografoi edhe Maestro Kodrën, aty në kafenenë Tahsim në një ditë të nxehtë e plot dritë!Vuri dorën në zemër dhe iu bë se po falënderonte edhe instinktin.

Tiranë, më 24.02.2018

Filed Under: ESSE Tagged With: ME XHON LENON, RASTËSISHT, Xhevair Lleshi

SHQIPTARËT, SKËNDERBEU DHE VIVALDI

February 21, 2018 by dgreca

1-skenderbeu1 Vivaldi2

Nga Xhevair Lleshi/

Venecia e ndritshme dhe kompozitori i madh! Shqiptarët me Vivaldin kishin gërshetuar rrugët e tyre në kohën kur ai ishte në kulmin e sukseseve të krijimtarisë së tij, meqë gjeti kohë t’i kushtonte një vepër muzikore heroit të fqinjëve matanë Adriatikut, Skënderbeut. Madje disa historianë të muzikës flasin edhe për një vepër tjetër frymëzuar nga luftërat e Skënderbeut, e që qëllon të jetë Pranvera, pra njëra nga pjesët e veprës më të njohur të tij, Le quattro stagioni. Padyshim që shqiptarët dhe Skënderbeu ishin me fat që Vivaldi u kujtua për ta, sepse dyshoj që në atë kohë të kishte ndonjë instrument tjetër në trojet arbërore, përveç ndoshta lahutës e ndonjë fyelli. Vivaldi për pak kohë shkoi edhe në Romë për të luajtur në sallonet private të Papa Benediktit XIII, ndërsa më vonë ai u shpërngul në Vjenë. Fillimisht thuhet se atje pati sukses, por megjithatë vite më pas vdiq në mjerim e varfëri, në moshën 63 vjeç. Fatkeqësisht ai mbeti në harresë për një kohë të gjatë, madje gjer në vitet 1920-të kur rastësisht u rigjetën veprat e tij…

Se ka dhe pjekuri të krijimtarisë, dhe kjo është natyrshëm freski, si pranvera dhe Skënderbeu, edhe pse kjo qëlloi të jetë fatale për Vivaldin si artist. Kur interpretohej pjesa Pranvera që nënkuptonte Skënderbeun, pikërisht kjo përpjekje e vazhdueshme që bënte për të ruajtur freskinë e shpëtoi nga pllakati që krijon një hero i madh evropian si Skënderbeu, duke e sjellë figurën racionale në natyrshmërinë e karakterit, por gjithnjë me një besueshmëri emocionale. Dhe të mbetet në mend çdo notë muzikore, çdo tingull, sepse kompozitori po ngjizte diçka të rrallë, fenomenale, duke u bërë në një farë mënyre shpëtimtar i tij. Ai e zhveshi Skënderbeun nga shtampa, i dha individualitet, natyrshmëri, e bëri të afërt, njerëzor thjesht me tingujt muzikorë. Mos vallë e dua thjesht për këtë? Jo, kurrë!…

 

Tiranë, më 20.02.2018

Filed Under: ESSE Tagged With: shqiptaret, Skenderbeu, Vivaldi, Xhevair Lleshi

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • …
  • 11
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kosova’s 15th Anniversary of Independence Celebration
  • PAL ËNGJËLLI, KRYEIPESHKËV I DURRËSIT I SHKRUAN GJERGJ KASTRIOTIT SKENDERBEUT – PRINCIT TË EPIROTËVE PËR FILLIMIN E LUFTËS KUNDËR SULLTANIT OSMAN – MEHMETIT TË II-TË
  • In Memoriam Presidenti Woodrow Wilson
  • Thirrje !!! Ka kohe qe makina e jetes po “jep shpirt” !
  • “Fijet”, kur shteti gjunjëzohet përballë krimit
  • Qëndrimi i Kryeministrit Kurti dhe Qeverisë së Kosovës: Gjashtë kushte për Asociacionin…
  • Mirënjohje përjetë Senatorit Bob Dole
  • How Prosecutors Say a Top F.B.I. Agent Sold His Services Overseas
  • HISTORIA E HIDHUR E “KROIT TË LOTIT”
  • Ç’PO NDODH ME ALEATËT PERËNDIMORË – KOSOVA
  • BUKËPJEKËSI ME ZEMËR TË MADHE
  • Një shënim mbi librin “Esencat e mendimit letrar”, të Dr. Besim Muhadri
  • Shoqata Shqiptaro Amerikane e Punonjësve të Policisë për gjithë Amerikën organizoi aktivitetin e saj vjetor
  • Libër me vlera të veçanta në ndriçimin e figurës atdhetare, politike dhe shkencore të profesor Rexhep Krasniqit
  • Kalendar – Kosova drejt Pavarësisë: Para 16 viteve Propozimi i Ahtisaarit, SHBA e falënderonin 

Kategoritë

Arkiv

Tags

alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Hazir Mehmeti Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT