• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Demokracia e politizuar – virus shoqëror në pluralizëm

November 9, 2024 by s p

Në vendet e ish kampit socialist  në pluralizëm ku bën pjesë edhe   Mali i  Zi,    funksionimi i shtetit  ka marrë përmasa të politizimit,  nga del se koncepti i barazisë qytetare është zbehur në çdo aspekt, sepse parësore janë partitë politike të cilat përbëjnë shumicën parlamentare  qoftë në nivel lokal apo shtetëror, ku asnjë qytetar nuk mund të jetë i kënaqur me një mjedis të politizuar sepse nuk vlerësohet  profesionalizmi e meritokracia, por dominon  përkatësia partiake, që  nuk është në favor të demokracisë parlamentare si kudo në botën  e qytetëruar.

Nail Draga

Duke analizuar rrjedhat shoqërore ne periudhën e pluralizmit del qartë se kemi të bëjmë me defekete funksionale  të cilat janë trashëguar nga koha e monizmit. Është pikërisht psikologjia e kohës së shkuar moniste e cila është ngulitur thellë në qenien e individëve të cilët e kanë të pamundur të eliminojnë qasjen e tillë edhe tash në sistemin shumëpartiak. Madje te individë të ndryshëm ende është i pranishëm koncepti i autoritarizmit duke mbetur vesi me negativ i trashëguar nga koha e monizmit.

Nga një qasje e tillë kemi organizimin autoritar të subjekteve politike, duke kriuar kultin e individit, ku antarësia e tyre nuk mund të moderohet me konceptin e zgjedhjes dhe të ndërrimit të udhëheqësit në mënyrë demokratike.Një dukuri e tillë është pothuaj identike në tërë hapësirën e vendeve të ish kampit socialist, ku as shqiptarët nuk janë përjashtim. 

Politizimi i demokracisë

Problem themelor në procesin e demokratizimit në Mal të Zi paraqet politizimi i institucioneve, përkatësisht ndikimi politik ndaj institucioneve  si rezultat i pushtetit shumëvjeçar të një partie politike. Një situate e tillë nuk ka dilemë se ka ndikuar në polarizimet shoqërore, e cila është bërë virus i përgjithshëm shoqëror. Madje edhe pas ndryshimeve të pushtetit nga gushti i vitit 2020, një dukuri e tillë vazhdon me të njëjtin ritëm por me strukturë tjetër politike.

Më rëndësi përkatësia politike e jo diploma

Nuk është befasi se në pluralizëm në Mal të Zi  trendi i përshtatshmërisë individuale   dhe i përkatësisë partiake dominon ndaj përgatitjes profesionale. Një dukuri e tillë të kujton kohën e monizmit, e cila këtu ka pasur lënë pasoja deri në ditët tona. Pra kemi të bëjmë me zhvlerësimin e diplomës, dukuri e cila ka marrë përmasa shqetësuese  jo vetëm në Mal të Zi por në tërë regjionin. Por, me këtë rast duhet thënë se në pozitë të pavolitshme  janë  ata individë  pa përkatësi partiake të cilët janë të detyruar ti bashkangjiten asaj ne pushtet  apo koalicionit qeverisës, sepse për ndryshe rrezikohen të mbesin  pa punë! Kemi të bëjmë me politizimin e pushtetit si në nivel lokal e ate qendror, që është bërë çështje ditore me pasoja shoqërore, tash dhe në të ardhmën.

Nga shteti ligjor te ai i drejtësisë

Jo rrallë kemi pasur rast të dëgjojmë se duhet të funksionojë shteti ligjor për të pasur demokraci të mirëfilltë qytetare. Por, si duket janë ngatërruar konceptet sepse çdo shtet funksionon në sajë të ligjeve të veta, por çështja qendron ne ate se a kemi shtet të drejtësisë. Këtu qendron problemi sepse kemi koncepte diametralisht të kundërta në lidhje me këtë çështje, sepse ligjshmëria nuk do të thot edhe drejtësi. 

Duke marrë parasysh se  si më parë edhe tash kemi pasur vendime gjyqësore që janë  bazuar në ligje por nuk janë vendime në favor të drejtësisë, jep për të kuptuar se koncepti i drejtësisë mbetet ende larg qytetarit. E dhëna  se për vepra të njëjta vendoset  me qasje të ndryshme, del qartë se nuk kemi të bëjmë fare me drejtësi, por me qasje subjektive qe nuk ka të bëjë fare me procedurë ligjore-juridike, por me anshmëri politike. Dhe në raste të tilla e pësojnë ata të cilët nuk kanë mbeshtetje politike, ndërsa të tjerët nuk janë të rrezikuar sepse pas tyre qendron vet partia-shtet.  

Çdo  kush e ka të  qartë se kemi të bëjmë me diskursin politik, përkatësisht të partisë-shtet, e cila  vendosë gjyqtarët e prokuroret në të gjitha nivelet,  andaj një veprim i tillë nuk është befasues.Mbetet çështje tjetër  se deri kur do të ekzistojë një veprim i tillë që nuk është në favor të demokracisë, barazisë qytetare dhe të drejtësisë së proklamuar në aktet juridike.

Monizmi me parullën e “vëllazërim-bashkimit”

Në ato mjedise ku pakicat kombëtare janë të pranishme dhe përbëjnë pjesë të konsiderueshme të popullsisë së vendeve përkatëse ekzistojnë modele të mbrojtjës ligjore dhe institucionale të tyre. Ndonëse në aspektin ligjor çështjet e pakicave kombëtare  janë rregulluar me kushtetutë dhe ligje përkatëse, çështja qendron të ana praktike, që do të thot se  sa janë respektuar  ligjet e tilla në praktikë  dhe  sa janë të kënaqur pakicat me pozitën dhe statusin e tyre.

Pakicat kombëtare  në kohën  e monizmit nuk kishin ndonjë trajtim të veçantë legjislativ dhe si të tilla, trajtoheshin përmës konceptit të përgjithshëm qytetar, pa pasur subjektet e tyre.Ishte kjo koha e parullës së “vëllazërim-bashkimit” ku çdo gjë projektohej nga zyrat e komiteteve duke përcaktuar dhe të drejtat e pakicave në veprimtaritë e ndryshme shoqërore. Madje, përcatoheshin edhe individët si më të përshtashëm dhe të pranueshëm për pushtetin e kohës. Ndërsa varësisht prej rrethanave shoqërore edhe kërkesat më elementare nga pjesëtarë të pakicave vlerësoheshin  si kërkesa nacionaliste.Ishte kjo koha e mbijetesës për shqiptarët sidomos pas vitit 1981, kur kishte marrë hov fushata antishqiptare duke luftuar gjoja nacionalizmin shqiptar.

Përfaqësimi autentik  në pluralizëm

Por, nga viti 1990, me miratimin e pluralizmit politik, pakicat kombëtare, përkatësisht popujt e ndarë formuan subjektët e tyre politike të cilat ishin përfaqësuesit e tyre autentik në mbrojtje të identitetit kombëtar. Një veprim i tillë ishte përgjigje ndaj pushtetit i cili nuk ka treguar gadishmëri për barazi qytetare e nacionale të shqiptarëve, por në mënyrë perfide ka vepruar kundër identitetit kombëtar të shqiptarëve në hapësirën e tyre etnogjeografike. 

Dhe nga ajo kohë shqiptarët marrin pjesë në zgjedhjet politike në nivel lokal e ate shtetëror, duke qenë zëdhënës të kërkesave të tyre për barazi qytetare e nacionale. Është çështje tjetër se sa janë realizuar kërkesat e tilla, duke marrë parasysh se shumica qeverisëse ende vazhdon me sindormin antishqiptar që nuk është në favor të pluralizmit politik dhe të demokracisë parlamentare. 

Në pluralizëm pavarësisht rrethanave shoqërore me gjithë pengesat subjektive, shqiptarët në Mal të Zi, kanë arritur disa drejta, të cilat iu ishin mohuar më herët. Por, iu mbetet qe përfaqësuesit e shqiptarëve të vazhdojnë në koordinim për avancimin e pozitës dhe të statusit të tyre në këtë mjedis. Këtu kryesisht mendojmë  në përfaqësimin proporcional, në organët qeveritare, pastaj  në investime,  e sidomos në fushën e arsimit dhe të  kulturës duke u udhëhequr   me kuadro profesionale si kudo në botën demokratike. 

Çështjet e tilla janë jetike për shqiptarët  dhe nuk duhet të trajtohen si personale apo partiake, sepse kemi të bëjmë me të drejtat e mohuara që janë në mbrojtje të identitetit kombëtar  shqiptar në këtë mjedis.

                                                                                                                                            (Nëntor 2024)

Filed Under: ESSE

Mekanizmi denatyrues dhe dehumanzues i shoqërive nën diktaturë…

November 7, 2024 by s p

Agim Baçi/

“Kur shoqëria nis të mos kundërshtojë më asgjë, madje edhe kur ndaj tyre bëhen padrejtësi të hapura nga të zgjedhurit prej tyre, atëherë shumica futet në tunelin e pesimizmit, çka i bën të besojnë se sistemi ku jetojnë është i mirë dhe se nuk ka alternativë tjetër”, shprehej Xhorxh Oruell për librin e tij aq të debatuar, si në kohën e botimit e në ditët e sotme, “Ferma e kafshëve”. Ai nuk e fshehu faktin se përmes atij romani synonte të shpjegonte degradimin e pushtetit të Leninit dhe Stalinit dhe të theksonte se revolucionet mund të sjellin një të mirë vetëm nëse qytetarët bëhen të vetëdijshëm të kërkojnë të vërtetën dhe të mos lejojnë gënjeshtrën të marrë pushtetin. Është i njohur fakti se gjatë Luftës së Ftohtë librat e Oruellit u kthyen në etalon shpjegues për sistemet që kishin devijuar nga premtimet gjatë revolucionit, nga lëvizjet popullore, e që ishin shndërruar në diktaturën e pakicës mbi shumicën, edhe pse thuajse gjithçka kryhej “në emër të popullit”. Në këtë kuptim “Ferma e kafshëve” dhe romani tjetër i Oruellit, “1984”, u kthyen në një guidë për këdo që kërkonte të njihte mekanizmin denatyrues dhe dehumanzues të shoqërive nën diktaturë.

Por, në fakt, a mund ta lexojmë edhe sot me endje romanin “Ferma e kafshëve”? Çfarë e bën këtë libër kaq të debatueshëm edhe sot?

Në libër, veç shpjegimit të shmangies nga qëllimi fillestar të klasave që u instaluan pas revolucioneve, vihet theksi në raportin mes dy vullneteve – vullnetit për pushtet dhe vullnetit për nënshtrim. Natyrshëm shqetësues nuk është vullneti për pushtet. Ajo që mbetet me një rëndësi të jashtëzakonshme është raporti me nënshtrimin. Dhe nënshtrimi nuk është një fenomen veç i diktaturave. Madje, në shoqëritë e sotme të spektaklit, ku komunikimi i ka dhënë të gjithëve mundësinë të debatojnë, manipulimi është kthyer në diktaturën e re – një diktaturë e vështirë për t’u kuptuar pasi manipulimi zëvendëson mjeshtërit realitetin, duke i dhënë qytetarëve idenë se ata janë pjesmarrës në vendime të qeverisjes.

Historiani dhe filozofi izraelit i diplomuar në Oxford, Noah Harari, shprehet se qytetarët kanë frikë në jetën e tyre nga mungesa e qëllimeve ndaj dhe shpesh kanë dëshirë të gënjehen. Nga ana tjetër mungesa e qëllimeve i bën shumicën e qytetarëve banorë të “tregut të vëmendjes”, siç është bota e komunikimit online, duke i futur shoqëritë në kurthin e mendimit se ata arrijnë t’i thonë gjërat, madje edhe të besojnë se edhe mendimi i tyre është i rëndësishëm për ata që drejtojnë. Ndaj dhe sondazhet kthehen në një instrument të rëndësishëm për të gjetur rrugët që garantojnë shumicën e qytetarëve që protestat dhe mendimet e tyre t’i thonë pas ekranit të kompiuterave dhe të besojnë se me kaq kanë bërë detyrën e tyre. Profesori i komunikimit Matthew Hindman, i George Washington University School of Media and Public Affairs, në librin e tij “Kurthi i internetit”, ka shpjeguar pikërisht frikën nga një orientim publik prej politikës larg interesave të vërteta të publikut. Ndërkohë, historiani britanik Mark Mazouer e konsideron këtë komunikim si një inkurajim të gjetjes së rrugëve të kënaqësisë duke e konsideruar demokracinë një përpëlitje mes zhgënjimit dhe durimit. Për Mazouer, “populizmi është gjendja natyrore e politikës demokratike”. Pra, thënë më hapur, format e sotme të komunikimit krijojnë një mirazh lidhur me fuqinë që kanë qytetrët përballë qeverive, ndërkohë që në të vërtetë thjesht kanë lundruar në tregun virtual që iu është sugjeruar për debat, pa prekur aspak thelbin e problemeve, e aq më pak të jenë në gjendje vendosin rregulla të qarta në dobi të fuqisë së qytetarëve në demokraci.

Pikërisht ky vullnet për nënshtrim që ka prodhuar komunikimi masiv, i kthen romanet e Oruellit në një guidë të rëndësishme për njohje, pasi vullneti i pushtetit është një proces gjithnjë e më pak i kontrollueshëm. Për Oruellin, në librin “Ferma e kafshëve” e keqja nis pikërisht kur kafshët hezitojnë të kërkojnë llogari se përse ndryshuan rregullat e revolucionit, ndërkohë që Napoleoni (derri që qeveris fermën) nis të ndryshojë jo vetëm rregullat, por edhe himnin që i frymëzoi ato – pra thelbin kulturor të shoqërisë. Ky rrugëtim i heshtjes përballë të vërtetave është edhe rruga e humbjes së identitetit, duke i hapur rrugë qeverive që më pas shpenzojnë në favor të kënaqësive si mirazh e jo si realitet.

Filed Under: ESSE

PARANOJA  E  “MAKIAZHIT  TE  NDALUAR” 

November 4, 2024 by s p

DR.  EDUARD  A.  SKUFI – ATHINE/

 

Drita  e  kujtimeve  të  së  kaluarës  mes  prizmit  të  kristaltë   të meditimit  reflekton  perceptimin  dhe  vizionin  e  të  ardhmes. …Ato impresione  si  përjetim ‘pa  makiazh’, ishin  ngujuar  në  kujtesën time, me gamën e emocioneve nga dhimbja  në  humor. Me  dicka të  vecantë që e karakterizonte dhe  i jepte  atraksion, që  herë  ndizej herë zbehej, por kurrë nuk shuhej, forca  e  aktualitetit  i  jepte  mbijetesë. Ditët e  atyre viteve  nuk ngjanin me njëra tjetrën. Ishin të cuditëshme, surpriza i  konvertonte  nga  racionale  në  iracionale. Ankthi dhe pasiguria përcaktonin iluzionet dhe instiktet e primitivitetit, në një humanizëm  thuajse të munguar. Indoktrinimi  në  ferrin  tokësor nuk i linte vend as Dantes… Në darkë  vonë i lodhur  nga ngarkesat e ditës, jo aq  profesionale  se sa  ato të  rutinës  sociale, isha  ulur në  divan. Në  dorë  kisha  një  libër me vlera, të cilin e zbulova të  fshehur   dhe  të  heshtur , në   etazheret  e  bibliotekës  të  time  eti . Një libër  jo voluminoz,  por  me një diapazon të gjerë, ( mu  kujtuan  fjalët  e babait « gjërat e shtrenjta  vendosen në përmasa  të  vogla »). I  mbështjellë  nga  një fletë  e  revistës   “Ylli”,   për    ti  fshehur  identitetin. Ishte   libri   ‘best   seller ‘ i    S.Frojdit ,    “ Introduzione  alla  psicoanalisi ” ,  botuar  në  Romë , në  vitin 

1917 ,   me   një  kopertinë  gri  dhe  një  skicë  abtraksioni  mbi  të . Më  mbeti   i   fiksuar  nga  libri  ky  nënvizim   penetrues,                

C:\Users\eskoufis\Downloads\brilliant green eye.jpg

 “ sano  buon  senso ”…  Dhe  kur  interpretimi   fillimisht   ka  vetëm  vlera    hipotetike ,  më  vonë,  ndodh   diçka  që  vërteton   se ,  ai  interpretim   ishte   i  justifikuar . Mes  leksionesh  që  ezauron  botën   psikoanalitike,   ku  insiston     në   ‘neurozat   e përkthimit’,  ‘paranojën  e  kombinuar’  dhe  në ‘reaksionet  zinxhir ‘, Frojdi  analizonte  kodin  e sentimenteve. Surpriza  më  e bukur  që  mund  të interpretonte , intrigën  e  asaj  ngjarje  të  ditës   që  më  kishte  pushtuar… Stivi , një djalë  i pashëm,  brun me sy ngjyrë  gri në kafe  dhe  sens modern , e  kishte  ndarë  rininë  midis   lirikës  të   violinës  dhe  epikës  të  një  fshati  të  largët   malor , në një skenografi  të  pa imagjinuar,  ku  e kishin  emëruar   mësues  të  historisë . Pranvera  aq  romantike  ishte vazhdimisht  sfidë   për  shëndetin  e  syve  të  tij . Ata sy  sensible  ndaj dritës së diellit dhe alergjisë  së  stinës, e  preokuponin,  me skuqje  të  kapakëve  të syve dhe  lotim. Kështu  okulisti  ishtë  bërë  personazh  i  domosdoshëm ‘stinor’ për të. I shqetësuar   u  paraqit  për  vizitë dhe kolegu i rekomandoi  vec të tjerash, sol.Brilliant Green, të  cilin e  vendoste mbi  kapakë . Gjë që  krijonte  pseudoimpresionin  e  syve  me  makiazh . Të nesërmen   vendosi  syzet  e diellit ,  për  të shmangur  komentet  dhe  u  nis  për  në  fshat , për  të  dhënë  mësim . Kur  u  fut  në klasë  hoqi  syzet  e diellit  dhe  i  spjegoi  nxënësve, problemin që  kishte  në  sy  dhe  efektin  estetik  të  solucionit  terapeutik. Disa  nxënëse fillimisht  qeshën , mandej  vazhdoi  normalisht  mësimi. Me  shpejtësi  kibernetike  filluan komentet  nga  disa  kolegë  dhe  në  pushimin  e madh e thirrën në  drejtori , drejtori   bashke  me sekretarin  e    partisë.  Ata      e  akuzuan  për mungesë  serioziteti , ndikime mikroborgjeze  dhe  për  faktin  që   hyri  në  mësim  me  “ sytë  të  grimuar “,  

C:\Users\eskoufis\Downloads\stef.bas. skema.jpg

duke  influencuar   negativisht  në  edukimin e  nxënësve. Flisnin  pa pushim , përmendën  citate dhe slogane  të  kohës, ndërsa  Stivi  që  ziente  përbrenda, buzëqeshte: “ Jeni keqkuptuar  dhe  keqinterpretoni  dicka  që  ka  lidhje me një problem të  syve dhe  mjekimin e  tyre. Ju  dizorientoi  pamja  e  syve  ,  spjegonte  i  fyer ,  nga  pesha  e  sinqeritetit   dhe   pafajësisë. Por  ata  nuk  pushonin , vazhdonin  intimidimin . E

gjykonin ata që make up-in  e hipokrizisë  e kishin bërë modë.

Në  përfundim  sekretari  me ashpërsi i tha : Lëre tani  mësimin,  largohu  dhe  na  sill   nga  konsulta   mjekësore, vërtetimin  ligjor, për diagnozën  dhe  mjekimi. Stivi u befasua nga rrjedhja

e  asaj  uverture  dramatike   dhe  mes   mendimesh  u   largua.  Ishte  një  shprehje   e  paranojës  ekzistenciale . Nuk ishte  paranojë  postmoderniste  që  pasqyron   ankthet   paranojake  të  kohës,  as paranoja  klasike e  Hamletit,  apo  e  Makbethit,  por  iluzione  paranojake  karakteriale,  produkt  i  rregjimit … Ata  si  besnikë  të  kauzës ( dhe  pinjollë  të  injorancës  ) treguan      “sensibilitet  të  lartë ”, duke  njoftuar  seksionin  e  shëndetësisë   dhe   atë  të  arësimit. Fjalët e  rënda,  që  si  plumba , së  gjalli atë e torturonin, vec  si  skenar   për   variete    parodish   apo  farsë  komedi ,  dëgjoheshin . Dhe  tek  mua  mendimi    rendi   në  referimin    filozofik  të  Platonit   në  “ Apologjinë  e  Sokratit “ : “ Vështirësia  nuk  qëndron  në  shmangjen   e   vdekjes  por   në   shmangjen    e  padrejtësisë ,  se   ajo   rend    më    shpejtë    se    vdekja “…

Mesa duket  e kishin  vënë  në  fokus , duke  improvizuar  shkakun. Por ajo që e bënte të pasuportushme ishte mentaliteti provincial i tyre, mbase dhe defekti konceptual në  një  natyrë  kontradiktore. Stivi,  ky  temperament  artistik , inteligjent  e  me  zemër  të madhe,  dinte  kur  duhej  të  alegorizonte  dhe  të  metaforizonte,  gjë që  mbase  ata  i shqetësonte. Ai  duhej  të  mposhte me insistim    një ‘ faj  imagjinar ‘,  një   sajesë   paranojake  të  injorancës,    me    pasoja   psikologjike ,   jo   të   lehta , i  mbetur   peng   në  kurthet  e  pasigurisë  dhe     të  iluzioneve . Ishte     një    skenë   tragjikomike,  një “ kompleks   mikst “ i  psikologjisë  personale  të  fosileve  fantazmë   dhe   mjedisit   politik ,  në  të    cilin  ata  operonin. Një incident  që  njeri  llogjik, do  ta  shihte  si  aksident, apo  koinçidencë,  ata  persona  improvizonin  gjithcka që të dukej e qëllimshme dhe  antiideologjike. Nuk hezitonin duke vënë në lëvizje  gjithë instrumentat e tyre , ti jepnin  ngjyra  reale  utopisë , dhe  sensit  paranojak.  Kështu  ajo  “ hipotezë  “ tingëllonte  aq  bindëse, sa  ndëshkimi   justifikohej  duke  u  bërë “ motiv i fitores ”.  Pra  shikoje “ paranojën  dhe  rrënojën  “  aq  pranë , në një  praktikë  stereotipike  të  shëmtuar   që justifikonte   qëllimin.  Për  ta  analizuar  atë  dhe  Frojdi  ishte i pamjaftueshëm , duhej  koleksionim  dhe interpretim   idesh  nga  Shopenhaueri, Kanti apo Nice… Dhe  mua  mu  kujtua thënia  e J.P.Sartre : “ çdo gjë do të  ishte  më  e  mirë  se  agonia   e  mendjes,   kjo   dhimbje   e  ashpër   që  të  gërryen “… Dhe  njerëzit    si   turmë   e   çoroditur    në     një   lëvizje  amorfe,  jo  rrallë  në  një  formale  atipike ,  kërkonin  të  gjenin  mënyra  për  të  mposhtur  dhe për të shmangur  llojet e sfidave dhe paranojën deri në  absurditet . Stivi ,  gjithë  rrugës  së   kthimit  ishte  si  i  mpirë , i  hutuar  si  mbas  një   finale  kakofonike , ku  sloganet  godisnin  si  drum. Sapo  mbriti në shtëpi, mori violinën dhe shpërtheu në një interpretim  reagues, duke i masakruar  kordat , mandej e  përplasi  atë   mbi divan dhe bërtiti : “ Çfarë  nuk kuptojnë , përse  duan  të më ndëshkojnë” ! …Diku kisha  lexuar  se  Dr.E.Kraepelin, psikiatri  i shquar gjerman,   i cili  identifikoi  paranojën  theksonte  se “ paranoja bashkëekzitonte  me narcisizmin ”. Përjetim që e vërtetonte   plotësisht  atë…Të  nesërmen  e  njoftuan   se  duhej    të  paraqitej   në   spital  për   konsultë  oftalmologjike.  E vizituam  unë , mjeku  kurues  dhe  mjeku ligjor . Mandej pamë njëri tjetrin  në  sy ,të  habitur  në  një  buzëqeshje  ironike. Diagnoza ishte  e saktë po aq  dhe mjekimi . Firmosëm të tre vertetimin  mjekësor , i vendosëm  vulën  e  spitalit   dhe e  mbyllëm  në zarf , si  cështje “ top  secret “! Kësaj ‘ tepër  intrigë  për  asgjë ’. Ja komunikuam   pacientit  dhe  i sugjeruam , të  vazhdoj  si  më parë  mjekimin e  rekomanduar. Stivi  na  falenderoi  me  respekt,   mandej  me  një  heshtje  të  lexueshme  që  fliste   mjaftë ,  u  largua  i  kënaqur . Mesa dukej  uvertura dramatike  do të  kishte  fundin  e  një ballade poetike. Në   shtëpi  ju  rikthye   violinës ,  duke   interpretuar  me   ndjenjë “ Valsin  e  dashurisë “,  të   kompozitorit   të  shquar    E.Doga , lirikë  që  e  inspironte  dhe   më    vonë  do  të    konvertohej   në  idil. Ajo  për  të  ishte   dhe   një   ekuivalente   efikase   psikoterapie ,  apo   një  rrugëdalje   nga    ai   rebus… Por stigmat e dhimbshme  të  asaj epoke  do të mbeteshin  të akumuluara  në  mend   dhe  në  shpirt  për  dekada ( mundet  dhe  si  modifikim  genetik ), duke  u   shfaqur    si   një   vegim. Dhe  mua  mu  kujtua   sentenca   alegorike  e  Kavafit : “ Si  nuk   e  pata  mendjen    kur   ata  ngritën   muret , që  pa  kuptuar  na  ndanë   nga  pjesa  tjetër  e  botës “!… Mbas disa ditësh, në  mbrëmje  në  televizion, ndoqëm  koncertin  e  ansamblit  “ Labëria “ në  një   turne  në  Prishtinë . Në  orkestër   si “ primo “ violin  ,  luante   Stivi   krenar , plot  pasion   dhe   virtuozitet . Alegoria  e  një  figuracioni   dinjitoz,  që   udhëtonte    përmes    të    drejtës   së   vet,  “ sui  juris “   dhe   reales,  duke   lënë   mbrapa   hijet … 

Filed Under: ESSE

Në takimet me profesor Anton Çetta…

November 2, 2024 by s p

Skender Karaqica/

Në takimet me profesor Anton Çetta: Si po e lë Kosovën dhe çfarë t`u them kur të shkojë të Isa Boletini, Azem e Shotë Galica, Gjergj Fishta,Hasan Prishtina dhe Ylfete Humolli…?

Në takimet e shpeshta me profesor Anton Çetta në Prishtinë, në kujtimet e motshme, me vijnë pajada fjala e tij e shqipes së ëmbel për kohën shqiptare, për brezat, për universitetin dhe fati i Kosovës…! Profesori nuk harroi të flasë për trevën e Drenicës dhe për kajzit e tregimeve të gjeniut popullor, që u bën të motshme në dritën e studimeve të letërsisë popullore.

Shëndeti kishte filluar të përthekoj shtatin e tij burrëror e intelektual me hijeshinë e një burri të shqiptarisë, ku zemra i rrihte për kombin dhe atdheun e për dhimbjet e trupit as që bënte fjalë profesori Anton Çetta! Në Prishtinë,koha e motshme `90 dhe dimri i madh i vetmisë nën rrethimin e regjimit fashist të Serbisë, në shtëpinë e tij për mua ishte takimi i fundit me profesorin që përmes dhimbjes së mushkërive e të frymarrjes,me fliste ngadale e më porosi të motit shqiptar.

– Unë së shpejti do të shkojë të Isa Boletini, Azem e Shotë Galica,Gjergj Fishta, Hasan Prishtina dhe të Ylfete Humolli e çfarë t`u them se si po e lë Kosovën, – ishin fjalët e fundit në Prishtinë të profesor Anton Çetta.

Filed Under: ESSE

507 vjet Reformacion

November 1, 2024 by s p

Dr. Bledar Kurti/

Më 31 tetor, 1517, Martin Luther-i gozhdoi në portën e Kishës së Wittenberg-ut, Gjermani, 95 tezat e tij, të cilat do shënonin fillimin e Reformacionit, do ndryshonin historinë e Evropës e të botës, duke reformuar rrënjësisht Krishterimin dhe themelet e shteteve si Gjermania, Zvicra, Anglia, Skocia, Vendet e Ulëta dhe Skandinavinë, duke shërbyer më pas edhe në themelimin e SHBA. Ndaj nuk është rastësore që këto vende protestante vazhdojnë të renditen të parat në botë për nivelin e demokracisë, sundimin e ligjit, respektimin e të drejtave të njeriut, dhe mirëqenien për qytetarët.

Reformacioni ndikoi në standardizimin e gjuhëve amtare të kombeve evropiane: anglishten, gjermanishten, etj, përfshirë edhe gjuhën shqipe me Mesharin e Gjon Buzukut (1555) i cili i shtyrë nga përkthimi i Martin Luther-it i Biblës në gjermanisht, përdori gjuhën shqipe e jo atë latine në formulën e pagëzimit, liturgjinë dhe shërbesën meshare.

Reformacioni tronditi monarkitë dhe supremacitë; themeloi konceptin e “rëndësisë dhe lirisë së ndërgjegjes”, e cila prevalon mbi çdo autoritet e duhet të udhëheqë çdo individ; ndikoi në hartimin e ligjeve dhe forcimin e sundimit të ligjit, në kushtetutat e shteteve; në ndërtimin e shtetit të së drejtës dhe ndarjes së pushteteve; zhbëri gënjeshtrën e indulgjencave dhe nocionin e purgatorit; zhvlerësoi idhujtarinë ndaj ikonave dhe ofiqeve e traditave të mitizuara; ndryshoi artin dhe muzikën; transformoi rrjedhën e historisë së popujve; promovoi arsimimin e individit, si edhe ishte shtysë për ngritjen e universiteteve më të njohura sot në Evropë dhe SHBA.

Pesë pikat e Reformacionit:

• Sola Scriptura

• Sola Gratia

• Sola Fide

• Solus Christus

• Soli Deo Gloria

janë udhërrëfyes në njohjen tërësisht personale e jo “të tërthortë” të Trinisë.

Një njeri i vetëm, si Martin Luther, i hapi rrugën një plejade mendimtarësh të mëdhenj të cilët do ndryshonin botën.

Fjala, e varur mbi një portë solli Reformacion.

Fjala ndryshon historinë.

Dhe në aspektin jetësor e në të përditshmen tonë ne mbahemi pas këtij parimi, të manifestuar si: Mbaje Fjalën, Mos e shkel Fjalën, Peshoje Fjalën, Respektoje Fjalën, Mos e tjetërso Fjalën, Mbaj përgjegjësi për Fjalën, Dëgjoje Fjalën, etj.

Ndaj edhe: NË FILLIM ISHTE FJALA, mbetet një e vërtetë e patjetërsueshme.

Filed Under: ESSE

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 49
  • 50
  • 51
  • 52
  • 53
  • …
  • 609
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Potret kushtuar guximtarit të përndjekur Qemal Agaj
  • Shqipëria Nuk Ka Nevojë të Bëhet Singapor — Ka Nevojë të Bëhet Baltike
  • “PRIJATARËT E LAVDISË” – POEZI NGA VALBONA AHMETI
  • Gjuhën shqipe nuk e humb Norvegjia, e humbim ne në shtëpi
  • Një letër – Dy intelektualë – Tri dekada më vonë
  • Propaganda…
  • 𝐃𝐢𝐩𝐥𝐨𝐦𝐚𝐜𝐢𝐚 𝐞 𝐒𝐞𝐧𝐭𝐢𝐦𝐞𝐧𝐭𝐞𝐯𝐞 𝐌𝐢𝐝𝐢𝐬 𝐊𝐨𝐦𝐛𝐞𝐯𝐞: 𝐑𝐢𝐤𝐭𝐡𝐢𝐦𝐢 𝐢 𝐍𝐣𝐞𝐫𝐞̈𝐳𝐢𝐦𝐢𝐭 𝐧𝐞̈ 𝐧𝐣𝐞̈ 𝐁𝐨𝐭𝐞̈ 𝐊𝐨𝐧𝐟𝐥𝐢𝐤𝐭𝐮𝐚𝐥𝐞
  • LËVIZJA KOMBËTARE – NGA AUTONOMIA TE PAVARËSIA E SHQIPËRISË
  • “VATRA” në Boston ju fton në “Albanian Boston Community Center” më 17 janar 2026
  • NGA NJË KOLONI DE FACTO NË NJË KOLONI DE JURE
  • ADEM DEMAÇI, JO THJESHT FIGURË E REZISTENCËS, POR KATEGORI KONCEPTUALE E SHTETFORMIMIT
  • Roli i gazetës “Arnavud/Shqipëtari” në formimin e vetëdijes kombëtare te shqiptarët përballë politikave turqizuese të xhonturqve
  • Si investonte Serbia në thellimin e përçarjeve ndërmjet udhëheqësve shqiptarë dhe në shkëputjen e tyre nga ndikimi austro-hungarez
  • Marrëdhëniet e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut me Republikën e Venedikut sipas dokumenteve të Arkivit Apostolik të Vatikanit, Arkivit të Shtetit të Venedikut dhe burimeve historike botërore
  • “U SHKEPUT NJE METEOR POR ZJARRI MBETET ZJARR…!”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT