DR. EDUARD A. SKUFI – ATHINE/
Drita e kujtimeve të së kaluarës mes prizmit të kristaltë të meditimit reflekton perceptimin dhe vizionin e të ardhmes. …Ato impresione si përjetim ‘pa makiazh’, ishin ngujuar në kujtesën time, me gamën e emocioneve nga dhimbja në humor. Me dicka të vecantë që e karakterizonte dhe i jepte atraksion, që herë ndizej herë zbehej, por kurrë nuk shuhej, forca e aktualitetit i jepte mbijetesë. Ditët e atyre viteve nuk ngjanin me njëra tjetrën. Ishin të cuditëshme, surpriza i konvertonte nga racionale në iracionale. Ankthi dhe pasiguria përcaktonin iluzionet dhe instiktet e primitivitetit, në një humanizëm thuajse të munguar. Indoktrinimi në ferrin tokësor nuk i linte vend as Dantes… Në darkë vonë i lodhur nga ngarkesat e ditës, jo aq profesionale se sa ato të rutinës sociale, isha ulur në divan. Në dorë kisha një libër me vlera, të cilin e zbulova të fshehur dhe të heshtur , në etazheret e bibliotekës të time eti . Një libër jo voluminoz, por me një diapazon të gjerë, ( mu kujtuan fjalët e babait « gjërat e shtrenjta vendosen në përmasa të vogla »). I mbështjellë nga një fletë e revistës “Ylli”, për ti fshehur identitetin. Ishte libri ‘best seller ‘ i S.Frojdit , “ Introduzione alla psicoanalisi ” , botuar në Romë , në vitin
1917 , me një kopertinë gri dhe një skicë abtraksioni mbi të . Më mbeti i fiksuar nga libri ky nënvizim penetrues,
“ sano buon senso ”… Dhe kur interpretimi fillimisht ka vetëm vlera hipotetike , më vonë, ndodh diçka që vërteton se , ai interpretim ishte i justifikuar . Mes leksionesh që ezauron botën psikoanalitike, ku insiston në ‘neurozat e përkthimit’, ‘paranojën e kombinuar’ dhe në ‘reaksionet zinxhir ‘, Frojdi analizonte kodin e sentimenteve. Surpriza më e bukur që mund të interpretonte , intrigën e asaj ngjarje të ditës që më kishte pushtuar… Stivi , një djalë i pashëm, brun me sy ngjyrë gri në kafe dhe sens modern , e kishte ndarë rininë midis lirikës të violinës dhe epikës të një fshati të largët malor , në një skenografi të pa imagjinuar, ku e kishin emëruar mësues të historisë . Pranvera aq romantike ishte vazhdimisht sfidë për shëndetin e syve të tij . Ata sy sensible ndaj dritës së diellit dhe alergjisë së stinës, e preokuponin, me skuqje të kapakëve të syve dhe lotim. Kështu okulisti ishtë bërë personazh i domosdoshëm ‘stinor’ për të. I shqetësuar u paraqit për vizitë dhe kolegu i rekomandoi vec të tjerash, sol.Brilliant Green, të cilin e vendoste mbi kapakë . Gjë që krijonte pseudoimpresionin e syve me makiazh . Të nesërmen vendosi syzet e diellit , për të shmangur komentet dhe u nis për në fshat , për të dhënë mësim . Kur u fut në klasë hoqi syzet e diellit dhe i spjegoi nxënësve, problemin që kishte në sy dhe efektin estetik të solucionit terapeutik. Disa nxënëse fillimisht qeshën , mandej vazhdoi normalisht mësimi. Me shpejtësi kibernetike filluan komentet nga disa kolegë dhe në pushimin e madh e thirrën në drejtori , drejtori bashke me sekretarin e partisë. Ata e akuzuan për mungesë serioziteti , ndikime mikroborgjeze dhe për faktin që hyri në mësim me “ sytë të grimuar “,
duke influencuar negativisht në edukimin e nxënësve. Flisnin pa pushim , përmendën citate dhe slogane të kohës, ndërsa Stivi që ziente përbrenda, buzëqeshte: “ Jeni keqkuptuar dhe keqinterpretoni dicka që ka lidhje me një problem të syve dhe mjekimin e tyre. Ju dizorientoi pamja e syve , spjegonte i fyer , nga pesha e sinqeritetit dhe pafajësisë. Por ata nuk pushonin , vazhdonin intimidimin . E
gjykonin ata që make up-in e hipokrizisë e kishin bërë modë.
Në përfundim sekretari me ashpërsi i tha : Lëre tani mësimin, largohu dhe na sill nga konsulta mjekësore, vërtetimin ligjor, për diagnozën dhe mjekimi. Stivi u befasua nga rrjedhja
e asaj uverture dramatike dhe mes mendimesh u largua. Ishte një shprehje e paranojës ekzistenciale . Nuk ishte paranojë postmoderniste që pasqyron ankthet paranojake të kohës, as paranoja klasike e Hamletit, apo e Makbethit, por iluzione paranojake karakteriale, produkt i rregjimit … Ata si besnikë të kauzës ( dhe pinjollë të injorancës ) treguan “sensibilitet të lartë ”, duke njoftuar seksionin e shëndetësisë dhe atë të arësimit. Fjalët e rënda, që si plumba , së gjalli atë e torturonin, vec si skenar për variete parodish apo farsë komedi , dëgjoheshin . Dhe tek mua mendimi rendi në referimin filozofik të Platonit në “ Apologjinë e Sokratit “ : “ Vështirësia nuk qëndron në shmangjen e vdekjes por në shmangjen e padrejtësisë , se ajo rend më shpejtë se vdekja “…
Mesa duket e kishin vënë në fokus , duke improvizuar shkakun. Por ajo që e bënte të pasuportushme ishte mentaliteti provincial i tyre, mbase dhe defekti konceptual në një natyrë kontradiktore. Stivi, ky temperament artistik , inteligjent e me zemër të madhe, dinte kur duhej të alegorizonte dhe të metaforizonte, gjë që mbase ata i shqetësonte. Ai duhej të mposhte me insistim një ‘ faj imagjinar ‘, një sajesë paranojake të injorancës, me pasoja psikologjike , jo të lehta , i mbetur peng në kurthet e pasigurisë dhe të iluzioneve . Ishte një skenë tragjikomike, një “ kompleks mikst “ i psikologjisë personale të fosileve fantazmë dhe mjedisit politik , në të cilin ata operonin. Një incident që njeri llogjik, do ta shihte si aksident, apo koinçidencë, ata persona improvizonin gjithcka që të dukej e qëllimshme dhe antiideologjike. Nuk hezitonin duke vënë në lëvizje gjithë instrumentat e tyre , ti jepnin ngjyra reale utopisë , dhe sensit paranojak. Kështu ajo “ hipotezë “ tingëllonte aq bindëse, sa ndëshkimi justifikohej duke u bërë “ motiv i fitores ”. Pra shikoje “ paranojën dhe rrënojën “ aq pranë , në një praktikë stereotipike të shëmtuar që justifikonte qëllimin. Për ta analizuar atë dhe Frojdi ishte i pamjaftueshëm , duhej koleksionim dhe interpretim idesh nga Shopenhaueri, Kanti apo Nice… Dhe mua mu kujtua thënia e J.P.Sartre : “ çdo gjë do të ishte më e mirë se agonia e mendjes, kjo dhimbje e ashpër që të gërryen “… Dhe njerëzit si turmë e çoroditur në një lëvizje amorfe, jo rrallë në një formale atipike , kërkonin të gjenin mënyra për të mposhtur dhe për të shmangur llojet e sfidave dhe paranojën deri në absurditet . Stivi , gjithë rrugës së kthimit ishte si i mpirë , i hutuar si mbas një finale kakofonike , ku sloganet godisnin si drum. Sapo mbriti në shtëpi, mori violinën dhe shpërtheu në një interpretim reagues, duke i masakruar kordat , mandej e përplasi atë mbi divan dhe bërtiti : “ Çfarë nuk kuptojnë , përse duan të më ndëshkojnë” ! …Diku kisha lexuar se Dr.E.Kraepelin, psikiatri i shquar gjerman, i cili identifikoi paranojën theksonte se “ paranoja bashkëekzitonte me narcisizmin ”. Përjetim që e vërtetonte plotësisht atë…Të nesërmen e njoftuan se duhej të paraqitej në spital për konsultë oftalmologjike. E vizituam unë , mjeku kurues dhe mjeku ligjor . Mandej pamë njëri tjetrin në sy ,të habitur në një buzëqeshje ironike. Diagnoza ishte e saktë po aq dhe mjekimi . Firmosëm të tre vertetimin mjekësor , i vendosëm vulën e spitalit dhe e mbyllëm në zarf , si cështje “ top secret “! Kësaj ‘ tepër intrigë për asgjë ’. Ja komunikuam pacientit dhe i sugjeruam , të vazhdoj si më parë mjekimin e rekomanduar. Stivi na falenderoi me respekt, mandej me një heshtje të lexueshme që fliste mjaftë , u largua i kënaqur . Mesa dukej uvertura dramatike do të kishte fundin e një ballade poetike. Në shtëpi ju rikthye violinës , duke interpretuar me ndjenjë “ Valsin e dashurisë “, të kompozitorit të shquar E.Doga , lirikë që e inspironte dhe më vonë do të konvertohej në idil. Ajo për të ishte dhe një ekuivalente efikase psikoterapie , apo një rrugëdalje nga ai rebus… Por stigmat e dhimbshme të asaj epoke do të mbeteshin të akumuluara në mend dhe në shpirt për dekada ( mundet dhe si modifikim genetik ), duke u shfaqur si një vegim. Dhe mua mu kujtua sentenca alegorike e Kavafit : “ Si nuk e pata mendjen kur ata ngritën muret , që pa kuptuar na ndanë nga pjesa tjetër e botës “!… Mbas disa ditësh, në mbrëmje në televizion, ndoqëm koncertin e ansamblit “ Labëria “ në një turne në Prishtinë . Në orkestër si “ primo “ violin , luante Stivi krenar , plot pasion dhe virtuozitet . Alegoria e një figuracioni dinjitoz, që udhëtonte përmes të drejtës së vet, “ sui juris “ dhe reales, duke lënë mbrapa hijet …