• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Together…

October 10, 2024 by s p

Dr. Iris Halili

Head of Vatra Miami and Klubi Flas Shqip

Dear Friends and Family,

As Hurricane Milton approaches, I am reminded of the the Memorial Hands here in Miami—a monument that stands as a testament to the strength, hope, and unity of those who have faced unimaginable challenges. It is a powerful symbol of how, even in the darkest times, we find light by reaching out and supporting one another.

In that same spirit, my home is open to anyone seeking shelter during this storm. If you or someone you know needs a safe place, please reach out—we are here to help. Now is the time to extend our hands to one another, offering safety, comfort, and a warm place to rest.

If you are able, I encourage you to do the same. Let’s come together as a community and ensure that no one faces this storm alone. Together, we can find the strength to weather any challenge.

Stay safe, stay united, and let’s lift each other up.

Filed Under: ESSE

Disa nga veprimet që duhet të bëjmë, për të pasur një jetë të suksesshme

October 4, 2024 by s p

Prof. Milazim Krasniqi/

1. Nuk ka gjëra ideale në jetën tonë reale. Duhet të mësohemi me idenë se nuk jemi të përkryer, por ta kemi synim përmirësimin e vazhdueshëm.

2. Nuk ka gati asnjë punë që mund ta kryejmë vetëm, prandaj duhet të kultivojmë raporte sa më të mira me njerëzit.

3. Më së shumti dhe në çdo rast na duhet ndihma e Zotit. Zoti u ofron ndihmë atyre që e kërkojnë, por që e kërkojnë sinqerisht dhe në mënyrën qysh Zoti e ka përcaktuar.

4. Familja ngritet me vështirësi, mund të prishet me lehtësi. Prandaj duhet shumë vëmendje, shumë kujdes, shumë durim, shumë dashuri.

5. Këshillat me ata që dijnë për problemet shoqërore janë obligim. Refuzimi i konsultimit ka rrezik që është egoizëm e mendjemadhësi, ndërsa egoizmi e mendjemadhësia shpien në gabime.

6. Vdekja mund të vjen kur nuk e mendojmë, prandaj duhet të jemi gati çdo herë që të dalim nga kjo botë me bilanc sa më pozitiv e duke lënë një emër e kujtim të mirë.

Filed Under: ESSE

Mati Prenushi, martiri që jua bente hallall edhe xhelateve që e pushkatoni

October 3, 2024 by s p

Besim Ndregjoni/

Mati Prennushi lindi më 2 tetor 1882 nga prindët Kolë e Drande (Roza) Prennushi, në qytetin e Shkodrës. U pagzue me emrin Paulin[2]. Është i familjes Prennushi, nipi i Don Matisë që vdiq në vitin 1904, vit në të cilin Shugurohet Meshtar i nipi At Matia. Mbas mësimeve të para në vendlindje, ndjeku të mesmen në Kolegjin e Troshanit, ku edhe ju kushtue urdhrit të Shën Françeskut. Vazhdoi edhe dy vjet studime përgatitore për të lartat në Bosnje dhe, në vitin 1904 kryen studimet teologjike në Grac të Austrisë. Ishte njohës i mirë i gjermanishtes, frëngjishtes, serbo-kroatishtes dhe italishtes.

Me datën 4 prill 1904, Shugurohet Meshtar.

“Kur turqit në agoninë e tatpjetës, mendonin aty nga 1905 me djegë Shkodrën, në shenjë hakmarrjëje për përpjekjet që po baheshin me dalë nga zgjedha e robnisë së tyne, njëditë të dielë mbas meshët At Matia, çveshi teshat e meshës, u tha besimtarëve me pritë në oborr pesë minuta. Ai vetë shkoi te qela, doli para Kishës dhe iu drejtue të pranishëmve tue nxjerrë prej xhepit të zhgunit një alltije: -“Kush asht burrë dhe e don me zemër Shkodrën, o sot o kurrë, me ardhë mbas meje, do t’ju prij unë e do të shkojmë me i ndalue dorën hasmitturk, që don me zharitë vëllaznit tonë!

Në vitin 1911, At Matia bashkë me At Buon Gjeçaj janë të dy tek maja e Bratilës përkrah Dedë Gjo Lulit, me Flamurin e Gjergj Kastriotit Skënderbeut të palosun në gjoksin e Tyre.

“Flamuri u ngrit në maje të malit Deçiqit, afër Tuzit. Até e solli në mënyrë të fshehtë nga Shkodra, Françeskani Padre Mati Prennushi, i cili e kishte palosë nën zhgunin e Tij.

At Mati Prennushi asht përballë bishave komuniste, por trimnia dhe guximi i tij janë mbështetë mbi piedestalin historik të Françeskanëve Shqiptar, të lamë me gjak ndër shekuj e që mbi Atë piedestal do të ndërtojnë Monumentin e Lavdishëm dhe të Përjetshëm, ku çdo Frat me litarin e Tij u lidh me binomin “Fé e Atdhé” për të cilin Ata dhanë jetën “si me lé”

Në fjalën e fundit, me datën 11 Mars 1948, në ora 5.00 në Zallin e Kirit, pranë Rëmajt, me dok. Nr. Regj. 67, në praninë e gjykatsit Kap. I Misto Bllaci, para ekzekutimit, At Mati Kol Prennushi tha : “Jam i pafajshëm, po vdes në krye të detyrës s’eme. Rrnoftë Krishti Mbret, Rrrnoftë Papa, Rrrnofshin Katolikët, Rrnoftë Shqipnia! U baj hallallë gjyqit dhe ato që do të shtijnë mbi trupat tonë të pafajshëm !”

Ky është Mati Prenushi martiri që u a bënte hallall xhelatëve që e pushkatonin. Shqipëria lëngon nga “heshtja “ dhe bombat ideologjike që vranë meshtarin liridashlsin, besimtarin, flamurtarin, dhe atdhetarin që deshte Shqipërinë më shumë se jetën e tijë!

Filed Under: ESSE

“I arratisuri”…

October 2, 2024 by s p

Miho Gjini/

“Të bëjmë të dëgjohen zërat e padëgjuar”, Papa Françesku.

Letërsia, edhe në të kaluarën, është përpjekur të jetë PASQYRË E KOHËS e atyre autorëve të talentuar e plot guxim që kanë rrokur e interpretuar “të veçantën” e njeriut e të shoqërisë, përbrenda fletëve të saj, herë tronditëse e herë gazmore. E destinuar t’i përballoj edhe kohërave të mëvonshme, teksa letërsia e një kohe i flet edhe një kohe tjetër që përsërit, befas, po ato gjëma e tipare të së kaluarës, që nuk duhen harruar asnjëherë nga brezat e së ardhmes!

Dhe, të mos habitemi, që kemi pasur e kemi ende, autorë “të padëgjuar”, që e meritojnë emrin e shkrimtarit e që duhen lexuar e vlerësuar. Duke e pasuruar letërsinë, por edhe duke “thyer mite” dhe paragjykime! Edhe kur ata janë “jashtë trungut mëmë”. “Se ti je aq jashtë, sa jam edhe unë brenda”,-thoshte Shekspiri… Para do kohe shkrimtari “i padëgjuar” Thanas Medi që ndodhet në Greqi (në hallet e kohës së vet), më fton për një kafe në Athinë dhe më jep për të lexuar librin e tij, që i kishte “përvëluar” shpirtin: “Fjala e fundit e Sokrat Bubës” që dikush tjetër ia kishte mbajtur në sirtar me vite, të mbuluar nga heshtja, teksa romani i tij qe “shpërthyes” i një kohe dhe i një fisi nomad, që lëvizte ngarkuar me tragjeditë e “kasollet” e tyre mbi samarët e mushkave. Ndërsa s’ka pak kohe që më vjen nga Kanadaja një zarf i trashë që përmbante vetëm një libër, që po ashtu, përmbante “zjarre” përbrenda saj. Po për ato kohëra të së kaluarës që na shfytyruan si komb e si njerëz. Për të mos u habitur, si me Thanas Medin (kur befas e vlerësuan në Shqipëri si “shkrimtari më i mirë i vitit” e skeptikët kishin thirrur: “E nga na doli ky autor i padëgjuar kurrë”?! E tani çfarë duhet të themi për këtë kanadezin shqiptar, -për Taip Sulkon, që më dërgoi nga përtej oqeanit romanin e tij “I arratisuri”, për atë gjendje kaotike që na varfëroi si njerëz, që na rraskapiti e na ndëshkoi për 50 vite?! Po rumunëve, italianëve e grekëve që u “ngutën” ta botojnë sërish romanin e Medit, bile edhe ta xhirojnë kineastët e huaj si film artistik?

Nuk bëhet fjalë për të arratisurit nga kufiri, po për “të arratisurit nga vetja e tyre”, për largimet nga shtëpia e qyteti i tyre, nga stresi e mungesa e lirisë dhe e punës krijuese, kur s’dinë ç’të bëjnë, kur errësira, varfëria e dhuna “pushtojnë” vendin e ligështojnë frymëmarrjen. Është gati e njëllojtë me ato ikjet individuale a masive, më përtej kufirit shtetëror, për të shpëtuar e gjetur veten diku tjetër, ku ka ajër e liri vetiake… Në afërsi të absurdit! Kur s’ka liri të vërtetë, por dhunë, si në atë tablonë piktorike të Delakruasë, teksa gruaja Parisiane shqyen gjoksin e saj para bajonetave! Si një simbol evident. Kur jeta e njeriut barabitet si me qentë e rrugës. “Jetë qenësh” edhe për njerëzit. (Sabaçnij Zhizn!),-shprehej edhe Çehovi). Shkruhet për “kuisje qeni të egërsuar, që sapo e ka parë se i është drejtuar një tytë pushke” dhe që më pas do t’u drejtohet edhe njerëzve që kanë humbur lirinë e endeshin rrugëve. Ky është edhe subjekti e objekti i këtij libri rrëqethës që të krijon mornica trupit. Një ngjarje e madhe, si i vetmi fenomen kohor, dramatik e i ngjeshur, i cili “rrjedh në mënyrë kaotike”, si vetë sistemi i dikurshëm. E rrëfyer në trajtën vetiake, thuajse me një frymë, si monolog brejtës i një personi e i një shoqërie të tërë. Parashtruar në ngjarje, veprime e konflikte, si në dramë e tragjedi.

Dhe autori do të rrëfejë se si “arratisej (të parën herë), antiheroi i tij (alteregua), në një pyll, ku “do të ishte më mirë aty,-me kafshët e drurët, sesa me njerëzit”,-thotë ai. Ku do ta magjepste jeta e ciganëve që jetonin të lirë a “gjysmë të lirë”, buzë një lumi, në afërsi të pyllit. “Unë jam cigane, unë jam e lirë. Unë dua një mendje dhe krah që i thyen shtigjet”,-shprehet Anja, cigania bukuroshe që trulloste edhe burrat e fjetur… Se, “edhe mes ankthit dhe skamjes lindte vetveten”,- shpreh shkrimtari idenë e tij, në faqet e mëtejshme të këtij romani që “rrjedh e shkon” si ai lumi i rrëmbyer që merr me vete trungje, po edhe trupa të vrarësh të pabindur”!

Po e keqia mbetet (megjithatë) dhe hyn në jetën e njerëzve. Se vjen edhe “Qoftëlargu”, më i tmerrshëm akoma, i cili prish ëndërrimet e frikshme. E fletët e romanit mbushen me ankthe e me elemente reale, ireale, fantastike, me kobe, imazhe të frikshme dhe me të gjallët e të vdekurit bashkë. Ka aty imazhe surreale “me dreqër e shpirtëra të këqij”. Personazhet e romanit janë të tejmbushur me tipare e imazhe të qena e të paqena, të rrethuar nga e keqja dhe që pyesin: “jam, a s’jam në ëndërr”?! Dhe personazheve u duket se janë gjithmonë pas një dere që do të mbyllet një herë e përgjithmonë. Ndërkohë që shtrëngesa e sistemit rritej e presioni gjithashtu… Të gjithë këta personazhe,-shkruan autori. “futen në një qerthull të pakuptimtë dhe qesharak”. Duke mos ditur se ku ndahet kufiri midis së mirës dhe së keqes. Dhe “arratisja” e parë e personazhit kryesor, Ermirit, do të ndërpritet sa herë që i fanitet Jezu Krishti i mbërthyer në kryq!

Po në këtë “qerthull” do të zhvillohet edhe “arratisja dytë”. Po këtë herë do të jetë i ati i këtij djali që do të gjunjëzohet para Krishtit të mbërthyer me gozhda, gjersa t’i dalë edhe atij ëndërrimi i tmerrshëm. Ndërsa në “ëndërrimin e tretë”, kaplluar përbrenda arratisjes, do të kemi aventurën me të dashurën Sindrita, e cila tashmë është e bashkuar me grupin e “Teatrit Shëtitës” të Ëngjëllit, ku do të marrë pjesë edhe Ermiri i dashuruar… Po edhe ky përkushtim do të shuhet sa vjen aty Enver Hoxha dhe shfaqja e këtyre aktorëve amatorë vihet në shënjestrën e pamëshirshme të konkluzionit absurd se “dora e armikut punon”.

Karakteri rrëfimtar i romanit, që i largohet strukturës klasike të kompozicionit, shpalos pa ndëprerje jetën e këtyre njerëzve me shpresa të vagëlluara që nuk u dalin asnjëherë ëndrrat që shohin natën… Në një triptik real, që plotësojnë njëra-tjetrën si libra. Personazhet e qytezës së Anadellit: Ermiri, Agimi dhe Luani,-si shokë të pandarë, Lalë Rrapi e Mentari që kanë rënë në dashuri me të njëjtën femër lozonjare. Artisti i talentuar i teatrit që do përfundoj tragjikisht, me emrin ËngjëII. I Plotfuqishmi i pushtetit vendor e prifti Hal Kryevidhi i degraduar si klerik. Dhe sidomos Anja, cigania e bukur që nuk pyet për askënd, veçse ta gëzojë jetën që i jepet. Janë që të gjithë karaktere të individualizuar mirë nga autori. Dhe midis tyre Ermiri, që përfaqëson zërin e autorit, në linjën erotike të romanit, me Sindritën e dashuruar. Edhe ajo, me një bukuri perëndeshe, që e ka dehur personazhin tonë, bashkë me aventurën e tij të “arratisë”!

Gjithçka e shprehur me një gjuhe shqipe të epërme, me kolor, ajër, emocione, simbole e metafora që rrjedhin e depërtojnë tek lexuesi. Ndonëse nuk mungon veprimi i çastit në ngjarjet e faktet e njëpasnjëshme, ndodh që rrëfimi i shtrirë në të gjithë librin, bëhet nganjëherë i lodhshëm. Por vijnë befas kapituj romantikë e erotikë, të shkruara me frymëzim që e rrëmbejnë lexuesin, si me episodin e ciganëve, që qëndron mrekullisht edhe si një novelë më vete… Me ato përshkrime poetike, kur “ndriçimi i hënës bënte që drurët (e pyllit) të dukeshin më të lartë dhe si në jetë ëndrre”. Po sa mirë autori “derdh” emocione të ndjera me grupimin teatral të Ëngjëllit, si ta kishte jetuar vetë jetën e aktorëve endacakë, që mbetën të tillë në jetë të jetëve, për shpirtin e tyre të pasur e me jetën e varfër, si të ishin të papërfillur nga të gjitha sistemet shoqërore, teksa ua nxinë jetën edhe politika-kurvë! Ashtu sikundër ka në faqet e fundme të romanit episode tronditëse, me arrestime, dëbim-internime dhe vrasje pa gjyq, sipas modeleve mesjetare…

Po a ka ndonjë të metë ky roman interesant e shqiptarit kanadez Taip Sulko? As që ia vlen të thuhen ato, karshi vlerave artistiko-letrare. E megjithatë, ky autor fare i panjohur për mua, do t’i sugjeroja atij një “krehje” dhe aq, bashkë me evitimin e ndonjë episodi të pamotivuar, të asaj murgeshës që nuk është murgeshë, po e veshur si e tillë e që do t’i rrëfehet Ermirit, pa e njohur fare, rrethanat e tradhëtisë së burrit të saj!. Po njëlloj, sikundër do t’i kisha sugjeruar edhe evitimin e episodit të makrabitetit të prerjes së veshëve, si shënja primitiviteti e aspekte të natyralizmit. Sido që, gjithsesi, ka të ngjarë, që edhe për kritikët, është i pranishëm, jo pak herë edhe subjektizmi… Sepse, nuk mund të ketë sot edhe “receta” të gatshme a të “prera me thikë”

Dhe mbetet vetëm kënaqësia e epërme, për ta gjykuar veprën letrare të shkruar bukur, ndaj nivelit artistik të së cilës përulem si për një autor “TË DËGJUAR”. Përtej varfërisë në ato botime origjinale e “panaire libri”,-ku jo pak herë mbizotërojnë përkthimet nga letërsia e huaj, ndonse jo që të gjitha me përkthime dinjitoze… Për të mos u ankuar gjithë-heri se: “nuk kemi lexues”! Duke pasur parasysh edhe thënien e Gëtes se, vepra e mirë letrare e gjen vetë lexuesin e saj…

Piqeras, shtator 2024.

Filed Under: ESSE

Feja e shqiptarëve është Shqipëria demokratike perëndimore

October 1, 2024 by s p

Artan Nati/

Demokratizimi i fesë shqiptare i referohet një procesi historik, kryesisht pas lidhjes së Prizrenit, kur Vaso Pasha botoi në këtë kohë poemën e tij madhështore “O moj Shqypni e mjera Shqypni”, si një thirrje për unitet kombëtar dhe tejkalimin e identiteteve fetare si pjesë përbërëse të një uniteti të vetëm. Në këttë mënyrë shqiptarët në të gjitha rajonet si edhe në botë, të bashkuar rreth idesë të Vaso Pashës se “Feja e shqiptarit është shqiptaria” i dhanë kuptim tjetër fesë, duke e vënë atë në shërbim të çështjes kombëtare si dhe në vend që të mbështeten vetëm në interpretimet autoritare nga kleri, ata e vunë fenë në funksion të vetes dhe kombit. Ky proçes në vetvete është një moment kulminant në historinë e kombit tonë si edhe iluminizimin e shqiptarëve, gjithashtu tregon për përkatësinë europiane duke përqafuar iluminizmin dhe racionalitetin europian si një moment i veçantë i takimit të një proçesi demokratik me besimin fetar.

Pa shumë mbivlerësim, mund të përshkruhet historia e filozofisë moderne politike, por edhe besimit fetar, si kërkimi i një bashkëjetese të përshtatshme dhe natyrale midis tyre. Përparimi dhe jeta e bukur e krijuar nga demokracia bashkëjeton me parajsën hyjnore, humanitarizmi bashkëjeton me bamirësinë fetare dhe mendja (ose arsyeja) bashkëjeton fuqinë e mbinatyrshme ose vetë Zotin. Në këtë proçes transformimi kanë vërshuar lloj-lloj ideologjish, sisteme gjithëpërfshirëse besimi që synojnë të shpjegojnë të gjithë mendimin, veprimin dhe qëllimin njerëzor. Një nga fatkeqësitë më të mëdha në këtë rrugëtim ishte edhe fashizmi dhe komunizmi.

Shqiptarët e dinë mirë këtë tendencë totalizuese që prodhoi komunizmin duke zhdukur besimin fetar dhe veshur vetes së tyre atribute hyjnore të cilat prodhuan ferrin në tokë dhe duke nxjerrë në dukje vetitë më negative të natyrës njerëzore. Megjithatë, vetë demokracia është gjithashtu e prirur të bëhet një ideologji e tillë. Emily Finley e quan këtë “ideologjia e demokratizmit” dhe libri i saj me të njëjtin emër synon të nxjerrë në pah disa nga aspektet metafizike dhe fetare të demokracisë bashkëkohore. Ajo pretendon se demokracia, ose demokratizmi, është bërë “ndoshta sistemi mbizotërues i besimit politik në shoqërinë moderne perëndimore”. Me fjalë të tjera, demokracia është bërë më shumë se një lloj regjimi; ajo është bërë një fe laike, e plotësuar me dogmat, praktikat, klerikët e saj.

Dinjiteti i personit njerëzor është thelbësor në shumë tradita fetare. Në besimin kristian, ky besim është i rrënjosur në të kuptuarit se çdo person është krijuar sipas shëmbëlltyrës dhe ngjashmërisë së Zotit. Ky besim duhet të na frymëzojë të punojmë për të mbrojtur demokracinë, jo sepse e kërkon ndonjë tekst fetar specifik, por sepse demokracitë janë mënyra më e mirë për të mbrojtur liritë individuale, dhe sepse ky sistem qeverisjeje i lejon individët të kenë një input në mënyrën se si ne ndërtojmë shoqërinë.

Shumica e doktrinave fetare nuk kërkojnë një përqafim të demokracisë. Por në botën e sotme, autoritarët po përpiqen të bëjnë të kundërtën, të rekrutojnë komunitete besimi për të minuar demokracinë. Ne e shohim këtë në shprehjet e gabuara të nacionalizmit të krishterë në Shtetet e Bashkuara dhe “mbulesën shpirtërore” të ofruar për Vladimir Putin nga Kisha Ortodokse Ruse. Kjo tendencë djallëzore duket qartë në qëndrimin e kryeministrit Rama ndaj besimit mysliman dhe konkretisht atij bektashian, duke i veshur vetes atribute hyjnore si dhe duke shmangur përgjegjësitë e tij ndaj demokracisë jofunksionale në vend, korrupsionit masiv si edhe mosrespektimit të drejtave të njeriut.

Këto veprime manipulative për të fituar votën e komunitetit bektashian në kurriz të përçarjes fetare si edhe të laicizmit të shtetit shqiptar, janë tërësisht në kundështim me aspiratat europiane të kombit shqiptar, por edhe me idenë e Vaso Pashës që tingëllon aq aktuale dhe moderne në këto kohë ku dëshirat e kombit tonë janë në rezonancë me komunitetin ndërkombëtar.

Kur parashtrojmë një preferencë për një identitet të caktuar fetar me forcën e shtetit, ne krijojmë kushte të rrezikshme që janë në kundërshtim me vlerat fetare. Kjo sjell një tendencë autoritare të traditës së besimit që kërkon pushtet dhe kërcënon lirinë fetare të atyre që nuk e ndajnë atë besim. Ai politizon vetë besimin fetar dhe heq natyrën vullnetare që përcakton besimin e vërtetë fetar.

Ku besimi fetar takon demokracinë? Kjo është pyetja që ka munduar njerëzimin për shumë kohë të paktën në perëndim.Vaso Pasha në momentet më të vështira për kombin gjeti zgjidhjen më racionale, që motivoi kombin tonë dhe u kurorëzua me fitoren e pavarësisë në 1912 të cilën ne e marrim si një realitet të dhuruar. Sot vendi ndodhet para dilemave edhe më të mëdha. Në jug të Shqipërisë ne ndeshemi me tendencat shoviniste greke për të manipuluar popullsinë e varfër shqiptare me sistemin e pensioneve për shqiptarët ortodoksë, duke manipuluar faktet dhe historinë se ata janë minoritarë grekë në tokë shqiptare.Ndërsa në veri të vendit kemi faktin e njohur tashmë për tendencat serbe për pushtimin e Kosovës duke i vënë shqiptarët në vëllavrasje.

Ka ardhur koha që shqiptarët nën shembullin e Vaso Pashës të mendojnë dhe veprojnë nën idealin se feja e shqiptarit është Shqipëria demokratike. Vetëm kështu ne do të jemi një komb i bashkuar dhe do të jemi pjesë e Europës së bashkuar

Në këtë moment kyç, ku demokracia jonë ka tendenca të theksuara autoritariste si në drejtimin e vendit ashtu edhe atë partiak, synimi kryesor dhe feja e shqiptaréve duhet të jetë bashkërendimi i të gjithë energjive drejt një Shqipërie demokratike europiane . Një mësim i thellë i shekullit të 20-të është se për të mposhtur një autoritar, ne kemi nevojë për një koalicion të gjerë njerëzish që mund të mos pajtohen me politika të caktuara, por që janë të gatshëm t’i japin përparësi mbrojtjes së sistemeve demokratike që na lejojnë të zgjidhim mosmarrëveshjet në mënyrë paqësore dhe demokratike. . Njerëzit e besimit janë vendimtar për ndërtimin dhe mbajtjen e një koalicioni të tillë.

Bëhet fjalë për më shumë se çdo kandidat apo parti politike. Votimi është jashtëzakonisht i rëndësishëm, por është minimumi i mënyrës sesi njerëzit e besimit mund t’i shërbejnë jetës sonë publike. Ne duhet të punojmë për të siguruar që çdo person që ka të drejtë të votojë, çdo votë të numërohet me saktësi, të respektohen rezultatet dhe të triumfojë sundimi i ligjit. Ndërsa thirrja specifike e çdo personi politik apo fetar mund të jetë e ndryshme, secili prej nesh ka një rol për të luajtur në ruajtjen e demokracisë.

Demokracia, si shumë proçese evolucionare, shkatërrohet nëse ngrihet mbi të gjitha. Demokracia është e vlefshme në masën që vendoset në pozicionin dhe kontekstin e duhur, e kufizuar dhe e balancuar nga elementë të tjerë. Njeriu nuk fiton lirinë, barazinë dhe vetëqeverisjen thjesht duke i lëshuar frerët, këto dukuri kërkojnë një sistem kompleks stimujsh, ndëshkimesh dhe kontrollesh e balancash që paralelizojnë kompleksitetin e natyrës njerëzore. Pikërisht ky ishte synimi i Vaso Pashës kur thoshte se “ Feja e shqiptarit është shqiptaria”.

Filed Under: ESSE

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 53
  • 54
  • 55
  • 56
  • 57
  • …
  • 609
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • JO NE EMRIN TIM!
  • Krimi kundër njerëzimit në Reçak dhe lufta e narrativave
  • Fitoi Çmimin e Madh në Saint-Saëns International Music Competition, Prof. Ina Kosturi: “Shpaloseni talentin shqiptar nëpër botë e na bëni krenarë”
  • “Ëndrra Amerikane” në Washington DC
  • Potret kushtuar guximtarit të përndjekur Qemal Agaj
  • Shqipëria Nuk Ka Nevojë të Bëhet Singapor — Ka Nevojë të Bëhet Baltike
  • “PRIJATARËT E LAVDISË” – POEZI NGA VALBONA AHMETI
  • Gjuhën shqipe nuk e humb Norvegjia, e humbim ne në shtëpi
  • Një letër – Dy intelektualë – Tri dekada më vonë
  • Propaganda…
  • 𝐃𝐢𝐩𝐥𝐨𝐦𝐚𝐜𝐢𝐚 𝐞 𝐒𝐞𝐧𝐭𝐢𝐦𝐞𝐧𝐭𝐞𝐯𝐞 𝐌𝐢𝐝𝐢𝐬 𝐊𝐨𝐦𝐛𝐞𝐯𝐞: 𝐑𝐢𝐤𝐭𝐡𝐢𝐦𝐢 𝐢 𝐍𝐣𝐞𝐫𝐞̈𝐳𝐢𝐦𝐢𝐭 𝐧𝐞̈ 𝐧𝐣𝐞̈ 𝐁𝐨𝐭𝐞̈ 𝐊𝐨𝐧𝐟𝐥𝐢𝐤𝐭𝐮𝐚𝐥𝐞
  • LËVIZJA KOMBËTARE – NGA AUTONOMIA TE PAVARËSIA E SHQIPËRISË
  • “VATRA” në Boston ju fton në “Albanian Boston Community Center” më 17 janar 2026
  • NGA NJË KOLONI DE FACTO NË NJË KOLONI DE JURE
  • ADEM DEMAÇI, JO THJESHT FIGURË E REZISTENCËS, POR KATEGORI KONCEPTUALE E SHTETFORMIMIT

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT