Artan Nati/
Demokratizimi i fesë shqiptare i referohet një procesi historik, kryesisht pas lidhjes së Prizrenit, kur Vaso Pasha botoi në këtë kohë poemën e tij madhështore “O moj Shqypni e mjera Shqypni”, si një thirrje për unitet kombëtar dhe tejkalimin e identiteteve fetare si pjesë përbërëse të një uniteti të vetëm. Në këttë mënyrë shqiptarët në të gjitha rajonet si edhe në botë, të bashkuar rreth idesë të Vaso Pashës se “Feja e shqiptarit është shqiptaria” i dhanë kuptim tjetër fesë, duke e vënë atë në shërbim të çështjes kombëtare si dhe në vend që të mbështeten vetëm në interpretimet autoritare nga kleri, ata e vunë fenë në funksion të vetes dhe kombit. Ky proçes në vetvete është një moment kulminant në historinë e kombit tonë si edhe iluminizimin e shqiptarëve, gjithashtu tregon për përkatësinë europiane duke përqafuar iluminizmin dhe racionalitetin europian si një moment i veçantë i takimit të një proçesi demokratik me besimin fetar.
Pa shumë mbivlerësim, mund të përshkruhet historia e filozofisë moderne politike, por edhe besimit fetar, si kërkimi i një bashkëjetese të përshtatshme dhe natyrale midis tyre. Përparimi dhe jeta e bukur e krijuar nga demokracia bashkëjeton me parajsën hyjnore, humanitarizmi bashkëjeton me bamirësinë fetare dhe mendja (ose arsyeja) bashkëjeton fuqinë e mbinatyrshme ose vetë Zotin. Në këtë proçes transformimi kanë vërshuar lloj-lloj ideologjish, sisteme gjithëpërfshirëse besimi që synojnë të shpjegojnë të gjithë mendimin, veprimin dhe qëllimin njerëzor. Një nga fatkeqësitë më të mëdha në këtë rrugëtim ishte edhe fashizmi dhe komunizmi.
Shqiptarët e dinë mirë këtë tendencë totalizuese që prodhoi komunizmin duke zhdukur besimin fetar dhe veshur vetes së tyre atribute hyjnore të cilat prodhuan ferrin në tokë dhe duke nxjerrë në dukje vetitë më negative të natyrës njerëzore. Megjithatë, vetë demokracia është gjithashtu e prirur të bëhet një ideologji e tillë. Emily Finley e quan këtë “ideologjia e demokratizmit” dhe libri i saj me të njëjtin emër synon të nxjerrë në pah disa nga aspektet metafizike dhe fetare të demokracisë bashkëkohore. Ajo pretendon se demokracia, ose demokratizmi, është bërë “ndoshta sistemi mbizotërues i besimit politik në shoqërinë moderne perëndimore”. Me fjalë të tjera, demokracia është bërë më shumë se një lloj regjimi; ajo është bërë një fe laike, e plotësuar me dogmat, praktikat, klerikët e saj.
Dinjiteti i personit njerëzor është thelbësor në shumë tradita fetare. Në besimin kristian, ky besim është i rrënjosur në të kuptuarit se çdo person është krijuar sipas shëmbëlltyrës dhe ngjashmërisë së Zotit. Ky besim duhet të na frymëzojë të punojmë për të mbrojtur demokracinë, jo sepse e kërkon ndonjë tekst fetar specifik, por sepse demokracitë janë mënyra më e mirë për të mbrojtur liritë individuale, dhe sepse ky sistem qeverisjeje i lejon individët të kenë një input në mënyrën se si ne ndërtojmë shoqërinë.
Shumica e doktrinave fetare nuk kërkojnë një përqafim të demokracisë. Por në botën e sotme, autoritarët po përpiqen të bëjnë të kundërtën, të rekrutojnë komunitete besimi për të minuar demokracinë. Ne e shohim këtë në shprehjet e gabuara të nacionalizmit të krishterë në Shtetet e Bashkuara dhe “mbulesën shpirtërore” të ofruar për Vladimir Putin nga Kisha Ortodokse Ruse. Kjo tendencë djallëzore duket qartë në qëndrimin e kryeministrit Rama ndaj besimit mysliman dhe konkretisht atij bektashian, duke i veshur vetes atribute hyjnore si dhe duke shmangur përgjegjësitë e tij ndaj demokracisë jofunksionale në vend, korrupsionit masiv si edhe mosrespektimit të drejtave të njeriut.
Këto veprime manipulative për të fituar votën e komunitetit bektashian në kurriz të përçarjes fetare si edhe të laicizmit të shtetit shqiptar, janë tërësisht në kundështim me aspiratat europiane të kombit shqiptar, por edhe me idenë e Vaso Pashës që tingëllon aq aktuale dhe moderne në këto kohë ku dëshirat e kombit tonë janë në rezonancë me komunitetin ndërkombëtar.
Kur parashtrojmë një preferencë për një identitet të caktuar fetar me forcën e shtetit, ne krijojmë kushte të rrezikshme që janë në kundërshtim me vlerat fetare. Kjo sjell një tendencë autoritare të traditës së besimit që kërkon pushtet dhe kërcënon lirinë fetare të atyre që nuk e ndajnë atë besim. Ai politizon vetë besimin fetar dhe heq natyrën vullnetare që përcakton besimin e vërtetë fetar.
Ku besimi fetar takon demokracinë? Kjo është pyetja që ka munduar njerëzimin për shumë kohë të paktën në perëndim.Vaso Pasha në momentet më të vështira për kombin gjeti zgjidhjen më racionale, që motivoi kombin tonë dhe u kurorëzua me fitoren e pavarësisë në 1912 të cilën ne e marrim si një realitet të dhuruar. Sot vendi ndodhet para dilemave edhe më të mëdha. Në jug të Shqipërisë ne ndeshemi me tendencat shoviniste greke për të manipuluar popullsinë e varfër shqiptare me sistemin e pensioneve për shqiptarët ortodoksë, duke manipuluar faktet dhe historinë se ata janë minoritarë grekë në tokë shqiptare.Ndërsa në veri të vendit kemi faktin e njohur tashmë për tendencat serbe për pushtimin e Kosovës duke i vënë shqiptarët në vëllavrasje.
Ka ardhur koha që shqiptarët nën shembullin e Vaso Pashës të mendojnë dhe veprojnë nën idealin se feja e shqiptarit është Shqipëria demokratike. Vetëm kështu ne do të jemi një komb i bashkuar dhe do të jemi pjesë e Europës së bashkuar
Në këtë moment kyç, ku demokracia jonë ka tendenca të theksuara autoritariste si në drejtimin e vendit ashtu edhe atë partiak, synimi kryesor dhe feja e shqiptaréve duhet të jetë bashkërendimi i të gjithë energjive drejt një Shqipërie demokratike europiane . Një mësim i thellë i shekullit të 20-të është se për të mposhtur një autoritar, ne kemi nevojë për një koalicion të gjerë njerëzish që mund të mos pajtohen me politika të caktuara, por që janë të gatshëm t’i japin përparësi mbrojtjes së sistemeve demokratike që na lejojnë të zgjidhim mosmarrëveshjet në mënyrë paqësore dhe demokratike. . Njerëzit e besimit janë vendimtar për ndërtimin dhe mbajtjen e një koalicioni të tillë.
Bëhet fjalë për më shumë se çdo kandidat apo parti politike. Votimi është jashtëzakonisht i rëndësishëm, por është minimumi i mënyrës sesi njerëzit e besimit mund t’i shërbejnë jetës sonë publike. Ne duhet të punojmë për të siguruar që çdo person që ka të drejtë të votojë, çdo votë të numërohet me saktësi, të respektohen rezultatet dhe të triumfojë sundimi i ligjit. Ndërsa thirrja specifike e çdo personi politik apo fetar mund të jetë e ndryshme, secili prej nesh ka një rol për të luajtur në ruajtjen e demokracisë.
Demokracia, si shumë proçese evolucionare, shkatërrohet nëse ngrihet mbi të gjitha. Demokracia është e vlefshme në masën që vendoset në pozicionin dhe kontekstin e duhur, e kufizuar dhe e balancuar nga elementë të tjerë. Njeriu nuk fiton lirinë, barazinë dhe vetëqeverisjen thjesht duke i lëshuar frerët, këto dukuri kërkojnë një sistem kompleks stimujsh, ndëshkimesh dhe kontrollesh e balancash që paralelizojnë kompleksitetin e natyrës njerëzore. Pikërisht ky ishte synimi i Vaso Pashës kur thoshte se “ Feja e shqiptarit është shqiptaria”.