• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Lake Gjermani…

September 18, 2024 by s p

Gezim Zilja

Përshkrimi i fotografisë nuk është i disponueshëm.

Arian Sotir Naqellari alias Lake Gjermani

Lake Gjermani

  1. Jeta e një djali plot dëshira në diktaturë 

Duke shfletuar fb-në në statusin e ish të burgosuri politik Arian Sotir Naqellari (Lake Gjermani), gjeta këtë shkrim: “ Si sot më kujtohet deri sa të vdes, shoku ynë Xhevit Bilali, i pushkatuar në njëmbëdhjetë shtator, tetëdhjetëekatër. Të kujtoj unë i paharruari Xhevit!”

Rrallë kam parë një dedikim të tillë ku në të vendoset zemra dhe shpirti i një njeriu që është përndjekur, arrestuar e burgosur (1979-1989), katër herë në harkun kohor të dhjetë viteve. As 17 vjeç  nuk kishte mbushur kur u arrestua për herë të parë me arsyet nga më absurdet. Rregjimi i gjuante këta djem simpatikë, që kryesisht vinin nga familje të varfëra plot halle, rebelë të lindur,  që visheshin ndryshe nga moshatarët e tyre, mbanin flokë të gjatë, një formë proteste kundër ideologjisë komuniste dhe kishin ndikim te rinia e kohës. Në fushat sportive vetëm për një thirrje apo tifozllëk të tepruar (sharje arbitrit) i fusnin në biruca me orë të tëra, duke i rrahur barbarisht e qethur kokën zero. Këta djem qyteti që me mënyrat e tyre të sjelljeve shprehnin përbuzjen e kundërshtimin ndaj rregjimit komunist, sigurimi i shtetit i vinte në shënjestër dhe për shkaqe shpesh të sajuara, ua nxinte jetën derisa i shkatërronte fizikisht e mendërisht, duke i bërë shembull për  të rinjtë shqiptarë me moton: Nëse dilni sadopak nga vija e partisë ky do të jetë fati i juaj!

  1. Shkruaj ndonjë ditë edhe për mua.
  • Ç’kemi o Lake gjermani?- e përshëndeta aty në Baret e shumtë të Skelës, ku gjelbërimin e përhershëm e ka pushtuar betoni dhe disa pisha azmatike që kanë dhjetë vjet të mbajtura nga skelete çeliku.  
  • Po ti ulu të pish një kafe me ne fukarenjtë!
  • Një herë tjetër,- u përgjigja si zakonisht gjithë dashamirësi.
  • Mbase kam diçka për të të thënë….

Më kapi butësisht nga krahu dhe më uli me “zor” në karrige. 

  • Po ti shkruaj ndonjëherë diçka për mua dhe Xhevit Bilalin. Kemi vuajtur shumë dhe kot. Njëzetepesë vjeç ishte Bilali kur e pushkatuan. Ditën e gjyqit i lindi e shoqja vajzë….

 E pashë si i zënë në faj dhe fillova ta vështroj me vëmendje, këtë burrë që sapo i ka kaluar të gjashtëdhjetat. Nga sa e mbaja mend në rini ishte futur jo pak në ujë. Ishte plakur e mpakur por sytë e tij të vegjël e të thellë, kur filloi të fliste  u veshën me një dritë jo të zakontë. Megjithëse tashmë i thinjur, nga mëngët e shkurtëra të bluzës verore, spikatnin ende dy krahë të fuqishëm me ato format e bukura të një sportisti. Gjithë kohën kur më tregoi tmerret e kaluara, drita e syve herë errej e herë ndriçonte por lotë në sytë e tij nuk pashë deri në fund. Fliste por merakun më të madh e kishte të shkruaja emrat e persekutorëve, tmerrin e burgjeve të diktaturës dhe atë shpërblimin që nuk iu dha për nëntë muaj që bëri burg politik. 

  • Të jap fjalën!- i thashë!

 Kaluan kohë dhe nuk po bëhesha mukajet për të shkruar megjithëse shënimet i kisha përherë para syve në ditarin tim. Dhe ja tani ky status plot gabime ortografike, më erdhi si një ulërimë, si një akuzë plot dhimbje, si një thirrje, për të kujtuar e respektuar njerëzit e dënuar padrejtësisht, që diktatura u preu rininë në mes, i gjymtoi dhe i vrau. U pendova shumë, më erdhi turp nga vetja që e kisha lënë pas dore atë premtim. Ndoshta Lakja e kuptoi gjendjen time, kaloi gishtat mbi flokët ku ngjyra e dëborës  dëbora zotëronte mbi atë gri,  buzëqeshi  dhe më ngushëlloi:

  • Ti nuk e dije të tërë historinë time, se po ta dije do të kishe shkruar ndonjë gjë edhe për mua. 
  1. Viti 1979, ende pa mbushur 17 vjeç

Akuza: Shoqërohesh me rrugeçër, ke braktisur shkollën, vjen vërdallë gjithë ditën në lagje, bredh natën, nuk e ke qejf punën dhe kemi të dhëna që je pleksur me hajdutë të pronës private. Tre muaj në hetuesi rrahje sistematike që të pohonte se ishte vjedhës i pronës shtetërore. U la i lirë deri sa të gjykohej. Apeloi dhe Gjykata e Lartë i dha pafajësinë pas tetë muajsh. Hetues ka qenë Preng Prenga, një polic nga veriu, që kur merrte kërbaçin në dorë nuk dinte të pushonte. Djali pa mbushur ende shtatëmbëdhjetë vjeç, pëson një tronditje të madhe fizike dhe shpirtërore, shtrohet një muaj në spital për tu kuruar dhe pas daljes nga spitali gjykata vendos të rrijë një vit nën kujdesin e familjes. 

  1. Viti 1981 akuzohet si vjedhës ordiner

Vazhdon i papunë. Spiunohet nga vlonjati H. N. dhe shoferi i kamionit Mitat Ashiku (Arshiu,) një nga informatorët e shumtë të sigurimit të shtetit,  se kishte vjedhur fenerët e kamionit të Rezervave të Shtetit. Këtë rradhë hetuesia zgjati plot gjashtë muaj. Me gjithë torturat Ariani, nuk pranoi se ka qenë autor i vjedhjes së fenerëve, edhe pse e njihte shumë mirë hajdutin e vërtetë. Gjashtë muaj fjalët e tij ishin: Nuk kam qenë! Nuk di gjë! Mos më pyesni më! Asnjë fjalë tjetër dhe asnjë letër e firmosur. Hetues sërish ishte Preng Prenga, që banonte te pallati trekatësh në lagjen e Tre Racave. E rrahu deri në shpërfytyrim fizik por  nuk e detyroi dot të firmoste se kishte vjedhur fenerët. Pas gjashtë muajve hetuesi lirohet për mungesë provash.

  1. 1983-1984, akuzohet për grup kriminal

Shkon ushtar dhe aty pas provokimeve, që i bënin njerëz të porositur dhe disa zënkave me eprorët e arrestojnë.  Mbahet disa kohë në hetuesi, e lirojnë nga ushtria për arsye shëndetësore.  Internohet në fshatin Mërtiraj. Në janar 1984 arrestohet aty, nga Veli Thana, por këtë rradhë akuzat ishin tepër të rënda si pjesëtar i një grupi të organizuar kriminal vjedhës të pasurisë socialiste. U organizua një gjyq “shembullor” në Pallatin e Kulturës Perlat Rexhepi, në një sallë mbushur (sot Hotel Partner) plot e përplot me spiunë, sigurimsa, anëtarë partie e oficerë. Jashtë ishin me dhjetëra njerëz, që ndiqnin gjyqin me anë të autoparlantëve të montuar në dy shtylla elektrike. Numri i të akuzuarve ishte dymbëdhjetë dhe shumë prej tyre nuk njiheshin me njëri-tjetrin,. – Unë,- thotë Lakja – njihja vetën dy vetë Xhevitin dhe Agron Karajin. Nëntë të tjerët nuk i njihja. 

Akuza u katandis në vjedhjen e disa thasëve me fasule, e miell, në Magazinat e Ushqimores,  kompostove e kutive të konservave të peshkut në kombinatin Ernest Telman, veshje punëtorësh si kominoshe, sqeparë, çizme, ( Sa sende mund të marrë një njeri në një thes nga një magazinë e çdo lloji qoftë!?) kapele, xhupa punëtorësh etj. Akuzoheshin dhe për hapjen e dy kasafortave njëra në fabrikën e çimentos, ku kishin marrë 20.000 lekë (të vjetra) dhe tjetra në zyrat e ndërrmarrjes P. Rexhepi, disa blloqe me tollona nafte që vështirë të përdoreshin. Laken e bashkuan me këtë grup dhe ca të tjerë, që ishin vjedhës të rëndomtë por jo të organizuar si ishte akuza. Grupi kriminal i sajuar nga policia, ishin të gjithë të papunë, disa ishin familjarë, që vidhnin për të ushqyer fëmijët dhe familjen. Pas torturave muaj me rradhë, firmosën çfarë u kërkuan. Përsëri hetuesi i Lakes ishte Preng Prenga. 

  • Këtë herë nuk ke për të dalë gjallë nga duart e mia po nuk firmose!- iu gërmush Arianit. Sërish përgjigja e tij ishte: Nuk kam qenë! Nuk di gjë! Mos më pyesni më! 

Skelarët dhe vlonjatët e mbajnë mend atë gjyq farsë, ku të arrestuarit, që u akuzuan për grup kriminal, deklaruan se kishin firmosur gjithçka nga torturat, që u ishin bërë në hetuesi. Deklaratat e tyre në gjyq pohonin se kishin vjedhur për të ushqyer fëmijët dhe familjen. Mjaft nga të arrestuarit thanë se nuk njiheshin më parë. N. B. deklaroi se kishte vjedhur ( u dënua shtatë vjet) se fëmijët kishin dy ditë pa bukë. Kishte vjedhur në magazinat e ndërrmarjeve vetëm dy thasë me miell, dhe më vonë një xhup, një palë çizme, një palë kominoshe, një sqepar dhe një sëpatë për të bërë dru për ngrohjen e fëmijëve. Ndërsa i akuzuari trim, çami Xhevit Bilali, deklaroi midis të tjerash: Kam firmosur për grup kriminal se nuk duroja dot torturat.  As në kampin e Mat’hauzenit nuk bëheshin torturat që na janë bërë neve në hetuesi. 

– Ta tregojmë ne Mat’hauzenin ty!- ulëriti prokurori, Brahim Aliko. 

Gjatë kohës së hetuesisë Arjanin e shtrojnë në spital në Vlorë dhe më vonë në Tiranë për diagnostikim, nga e kthyen sërish në Vlorë, me diagnozën: I aftë dhe i përgjegjshëm para ligjit. Dënimet ishin mjaft të rënda për dëmin që gjoja i ishte bërë pasurisë socialiste.

Xhevit Bilali u dënua me pushkatim dhe u ekzekutua më 10 shtator 1984. La pas vajzën një muajshe ( Vajza lindi me 10 korrik 1984 ditën që filloi gjyqi) dhe djalin tre vjeç. Edhe sot nuk dihet varri i tij. Aristir Dimo, (Ristua) shoku im i fëmijërisë, ishte nga një familja e ardhur nga Myzeqeja, ku varfëria ishte ulur këmbëkryq qysh se kishte lindur dhe uria e shoqëronte edhe në gjumë. Pak kohë kishte që ishte liruar. Vuajti tetë muaj burg për dy kilogram portokalle, një trastë ullinjë, dhe ca qepë të njoma, të vjedhura në Ndërmarrjen Frutore.  Me akuza absurde u dënua me 25 vjet. E cilësuan si profesor të grupit. Ristua qeshi kur e dëgjoi dhe deklaroi: -Unë dhe klasën e shtatë me “shqelma’ e kam mbaruar e ju më quani profesor. Faleminderit për titullin.- Harrilla Dimo 25 vjet, Ismail Refati 8 vjet, Arjan Kasaj 8 vjet, Arjan Naqellari (Lake) 7 vjet, Skënder Aliaj 3 vjet e me rradhë. Pothuaj të gjithë përfshirë dhe Laken, u dënuan me pesë vjet internim, heqje e të drejtës së votës, dhe po aq vjet punë korrektonjëse, pasi të  mbaronin dënimin. Të gjithë u çuan në burgun e Spaçit.  Prokuror i çështjes ishte Brahim Aliko. Në trupin gjykues bënin pjesë Arqile Nini, Hasan Luçi  dhe Aranit Çela. 

  1. Arrestimi i fundit 1989

Arian Naqellari ( Lake Gjermani) tregon:

Më ishte qepur këmba-këmbës policia. Jetim hesapi, qysh shtatë vjeç, ters më shkoi jeta, nuk më qeshi buza kurrë. Ishim pesë fëmijë me nënën pa punë e jetonim vetëm me pensionin e babait, që nuk jetonte. Pak muaj pasi kisha dalë nga burgu, më arrestojnë sërish. Këtë herë arrestohem për politikë prill1990 dhe nëse nuk do të kishte ardhur demokracia, sot nuk do të figuroja më me të gjallët. Një shok  qe kisha pasur në burgun e Spaçit nga Tirana (emri nuk më kujtohet) më dërgoi disa fletushka (trakte) ku shkruhej, Liri Demokraci, kishte një foto me një njeri me dy gishtat lart dhe një lajmërim ku njerëzve u bëhej thirrje të mblidheshin në stadium (muaji prill) pasdite në orë 17.00 për miting. I shpërndava fletushkat me dy shokë të mi Klement Fejzaj dhe Selman Ruço, si na kishin udhëzuar, në kryqëzime rrugësh dhe njerëzve të besuar. Disa ditë më vonë na kapin dhe mua më çojnë në Dhomën e Shurrës. Aty më lanë. Na morën në pyetje veç e veç. Më rrahën sa më kanë vdekur Ilirjan Mustafaraj, Sefer Rama, Agron Meta, Florion Kolaneci për të treguar se kush mi kishte dërguar fletushkat.

 -Po nuk tregove do të varim këtu para degës më thanë.- Nuk tregova. U thashë atë që kisha thënë dhjetë vjet me rradhë: Nuk di gjë, nuk kam bër gjë, mos më pyesni më. Kërcënuan gruan që ishte shtatzënë, i thanë të kërkonte divorcin se unë isha armik i popullit dhe burgaxhi. Pas çdo rrahje dhjetë minuta pushim dhe përsëri dru, ditë me rradhë. Pas nëntë muajve, hetuesi dhe burg (prill-dhjetor) u lirova në dhjetor 1990, kur burgjet u hapën për të gjithë. Nëntë muaj që bëra burg politik nuk më kanë dhënë asnjë dëmshpërblim. Më gënjejnë. S’ka dosje më thonë… Po shumë nga ata janë ende gjallë… Ç’të bësh?  Kam shumë për të thënë por jo të gjitha i mbaj mend. Ndoshta një herë tjetër do të them dhe të tjerat që nuk mu kujtuan sot… 

Filed Under: ESSE

Si të zbuloni një gënjeshtar, duke përdorur komunikimin joverbal

September 14, 2024 by s p

Nga Rafael Floqi/

Ka shumë mënyra për të kuptuar nëse dikush nuk është i sinqertë me ju. Shenjat e mëposhtme nuk kërkojnë as fjalë dhe janë të gjitha komunikime joverbale. Gënjeshtra në mjediset profesionale çon në një mori problemesh në vendin e punës. Për një mjedis pune efektiv, ekipet duhet t’i besojnë njëri-tjetrit dhe të ndërtojnë marrëdhënie bazuar mbi ndershmërinë dhe qëllimin e përbashkët për të arritur rezultatet më të mira në punë. Megjithatë, gjithmonë do të ketë kolegë, klientë të punësuar dhe drejtues të mundshëm që nuk thonë të vërtetën. Do të ishte mirë të kishim një shkop magjik që mund t’ju tregojë se kush gënjen dhe kush jo, por ky nuk është një opsion. Për fat të mirë, ka mënyra të tjera për të kuptuar nëse dikush është më pak i sinqertë me ju dhe kompaninë tuaj. Shenjat e mëposhtme nuk kërkojnë as fjalë dhe janë të gjitha me forma joverbale.

Çfarë është komunikimi joverbal?

Komunikimi joverbal përfshin mënyrat e shumta kur komunikojmë pa fjalë. Për shembull, shprehjet e fytyrës janë një kod ose sinjal që pasqyron se si ndihet një person nga momenti në moment.

Mikroshprehjet janë shprehje të fytyrës që ndodhin shpejt. Ato janë një reagim i natyrshëm ndaj një situate të pavullnetshme dhe një mënyrë për të vlerësuar emocionet e vërteta autentike që të tjerët po përjetojnë.

“Kur njerëzit përpiqen të fshehin se si ndihen, shprehja zvogëlohet në kohë nga disa sekonda në një fraksion të sekondës – një e dhjeta e sekondës – kështu që mund ta humbisni nëse mbyllni sytë”, thotë psikologu dhe autori Paul Ekman. “Shumica e njerëzve nuk i shohin emocionet e shfaqura në këto mikro-shprehje. Por, njerëzit mund të mësojnë t’i shohin ato. Të mësosh të lexosh shprehjet e fytyrës të jep një avantazh në biznes, sepse të lejon të komunikosh në mënyrë më efektive me partnerët e biznesit.”

Një formë tjetër e komunikimit joverbal është gjuha e trupit. Kjo përfshin mënyrat se si lëvizni trupin tuaj, duke përfshirë lëvizjet e pavetëdijshme. Nuk është e pazakontë që trupat tanë të komunikojnë diçka që fjalët tona nuk lidhen.

Për shembull, krahët e kryqëzuar para gjoksit janë zakonisht një shenjë e mbrojtjes. Kryqëzimi i këmbëve mund të tregojë se dikush ka nevojë për privatësi ose është i mbyllur. Të ulesh shumë larg tregon mosinteresim, ndërsa animi përpara tregon interes.

Zbulimi i gënjeshtarëve

A ndiheni ndonjëherë sikur dikush nuk është i sinqertë me ju? Ndoshta nuk mund ta shpjegosh me fjalë, por ke një ndjenjë të fortë se diçka nuk është në rregull. Shanset janë që ju të keni të drejtë. Me shumë mundësi, ju jeni të vetëdijshëm për ndryshimet në komunikimin joverbal të personit.

David Matsumoto është një ekspert në mikroshprehje, gjeste, sjellje joverbale, kulturë dhe emocione. Ai shpjegon se për t’u bërë mirë në zbulimin e gënjeshtrave, duhet të vëzhgoni njerëzit.

Matsumoto mëson se kur gjuha juaj e trupit dhe komunikimi joverbal janë kongruentë, fjalët që flisni kanë një vlerë shumë më të lartë. Në të kundërt, kur komunikimi juaj joverbal nuk është në përputhje me fjalët tuaja, njerëzit priren të shpërfillin fjalët e folura dhe të përqendrohen në gjuhën e trupit.

Hulumtimet tregojnë gjithashtu se kur njerëzit gënjejnë, ata përjetojnë emocione negative sepse e dinë se gënjejnë. Ata automatikisht do të ndiejnë njëfarë përbuzjeje, qoftë për veten e tyre apo për situatën që po i detyron të gënjejnë.

Njerëzit gjithashtu gënjejnë për të mbrojtur veten ose dikë tjetër nga ndëshkimi. Në disa raste, ata gënjejnë për të shmangur një situatë të sikletshme ose të pakëndshme ose për të rritur vetëvlerësimin në sytë e të tjerëve.

Të gjitha këto arsye për të gënjyer kanë një qëllim të qartë. Por, emocionet njerëzore është e pamundur të fshihen plotësisht dhe do të shfaqen në mënyrë joverbale në një formë (përveç nëse keni të bëni me një psikopat ose sociopat).

Kur mendoni se dikush është i pandershëm, përpiquni t’i vëzhgoni për mospërputhje emocionale. Sikleti mund të shfaqet në shumë mënyra, duke përfshirë zemërimin, përbuzjen, neverinë, frikën dhe trishtimin. Stresi gjithashtu mund të tregojë një gënjeshtër dhe emocioni çliron adrenalinën. Adrenalina u jep më shumë energji gjymtyrëve, gjë që mund të rezultojë në nervozizëm.

Është gjithashtu e dobishme të kërkoni gjeste të pazakonta. Shpesh këto do të vijnë në “grupe”, që do të thotë dy ose më shumë gjeste joverbale që nënkuptojnë shqetësim. Ato mund të jenë aq të thjeshta sa një vrenjtje e fytyrës, një ngritje e shpatullave ose rrudhje vetullash. Pasi të mësoni se si të identifikoni më mirë shqetësimin, është shumë më e lehtë të shikoni botën e brendshme të dikujt.

Mbani në mend se nuk ka asnjë sinjal të pagabueshëm ose universal që demonstron pandershmërinë. Ka disa shenja joverbale që kur janë në një grup, mund të nënkuptojnë se e vërteta nuk po mbështetet. Këto shenja mund të përfshijnë:

Pulitja e tepërt e qerpikëvë

Sytë që vërtiten përreth

Kontakt i parregullt me sy

Personat ndihen të ngacmuar

Prekja e tepërt e trupit

Lëvizjet e shpejta të kokës

Pohon po ndërsa thotë jo ose anasjelltas

Skuqje e fytyrës

Djersitje

Shtrëngimi i gishtave

Mbani mend, të gjitha këto janë shenja të mundshme mashtrimi, jo konfirmime të mashtrimit. Zbulimi i gënjeshtrës është kompleks dhe nuk është aq i thjeshtë sa të vëzhgosh dikë që prek hundën.

Duhet praktikë dhe trajnim i saktë. Megjithatë, duke përdorur aftësitë tuaja të të menduarit kritik, vëzhgimin, përvojën dhe njohuritë e sfondit të një personi dhe situate, ju mund të keni shumë nga mjetet e nevojshme për të bërë një vlerësim të qartë të së vërtetës.

Filed Under: ESSE

Nobelistja Shqiptare e Paqes – Nëna Tereze (1979)

September 11, 2024 by s p

Don Lush Gjergji/

45 – vjetori i Shpërblimit Nobel për Paqe

Një këtë përvjetor të madh dhe të rëndësishëm një vend i spikatur dhe i pamohueshëm i takon edhe familjes Bojaxhiu, sidomos Kolë Bojaxhiut, i cili përpos bamirësit, ndërtimtarit, tregtarit, ishte edhe patriot i dalluar në disa fushëveprime: në ndërtimin e Teatrit të Shkupit, në projektimin dhe financimin e hekurudhës Shkup-Kosovë, në përkrahjen e shkollës shqipe pranë famullisë së Zemrës së Krishtit në Shkup, në bashkëpunimin e ngushtë me Imzot Lazër Mjedën dhe me atdhetarët e shquar dhe të dalluar për liri dhe pavarësi, si Bajram Curri, Hasan Prishtina, Sabri Qyrtezi e shumë të tjerë.

Kujtimi i marrjes të Shpërblimin Nobel për Paqe të Nobelistes Shiptare – Nënës Tereze, saktësisht para 45 0 viteve, më 10 dhjetor 1979, pra, është një ditë e madhe dhe e bekuar për të gjithë Shqiptarët, sepse Bija-Motra dhe Nëna Tereze është e para shqiptare Nobeliste e Paqes.

Kjo befasoi botën atëherë, sepse shumë njerëz pyetshin: çka ka bërë Nëna Tereze për paqe në botë?
Shumë, gjithçka, sepse e ka shkrirë jetën e saj në mesin e të varfërve ndër më të varfër të botës, për të gërbulur, për njerëz që ishin të braktisur, të shkelur dhe të shëmtuar, duke iu dhënë atyre dinjitetin njerëzor nëpërmjet dashurisë në vepër. Ajo veçmas ishte në mbrojtje të jetës së fëmijëve të pa lindur, si dhe të atyre që tashmë ishin në buzë të vdekjes.
Më kujtohen edhe sot tri shtyllat, apo edhe tri “përcaktimet” e Nënës Tereze për paqe nga “Katedra e Paqes” në Oslo:
· “Pa dashuri dhe flijim jeta s’ka kuptim”.
· “Vetëm Dashuria do ta shpëtojë botën”.
· “Veprat e dashurisë janë vepra të paqes”.

Dhe vazhdoi kështu: “Në botën e sotme ka aq shumë vuajtje, urrejtje, mjerim dhe mu për këtë duhet të fillojmë në familjet tona, në uratë dhe në flijim… Dashuria lind në familje, sepse nuk ka rëndësi çka veprojmë ne, por me sa dashuri bëjmë diçka… Kur marrë në rrugë ndonjë të uritur, i jap një pjatë me oriz, një copë bukë dhe ai kënaqet. Ka larguar urinë. Por, ai i cili është i dëbuar, që ndihet i padëshiruar, i padashur, i tmerruar, ai është flakur jashtë shoqërisë. Ky lloj varfërie është aq e rëndë, shumë e vështirë. Në perëndim motrat tona punojnë në mes të këtyre nejrëzve… Jemi këtu për ta ndarë këtë mundim, për ta ndarë këtë vuajtje të njerëzve… Pra, ta takojmë gjithmonë njëri-tejtrin me buzëqeshje, sepse buzëqeshja është fillimi i dashurisë…”. [i]

Një kënaqësi plebishitare botërore, sepse ishte shpërblyer Nëna e botës së mjerimit, ajo e cila vërtet kishte merituar këtë titull të lartë, e cila ishte flijuar dhe dhuruar për të mirën e të gjithëve pa asnjë dallim apo përjashtim kombëtar, racor, gjinor, kastor apo fetar.

Lars Roar Langslet, Kryetari Komisionit Parlamentar për marrëdhënie me Kishë dhe për Shkollim, ndër të tjera dëshmoi: “Tërë bota e ka miratuar, kësaj here, vendimin e Institutit Nobel, Dhuratën e madhe të Nobelit për Paqe t’i jipet bamirëses së njerëzimit… mirënjohje e dashurisë, mirësisë së tërë njerëzimit, sepse të gjithë njihemi në të. Njerëzimi e vlerëson atë si NËNË, si e thërrasin të gjithë; shi me këtë me të vërtetë është vlerësuar njeriu, të drejtat dhe nevojat e tij… Kjo është fitorja e mirësisë dhe e dashurisë… Nëna Tereze është kulminacioni i punës vetëmohuese, i mirësisë dhe i dashurisë…”.[ii]

Kryetari i Komitetit të atëhershëm Nobel për Paqe, dr. John Sannes-i, në aeroportin e Oslos, gjatë përcjelles së Nënës Tereze për kthim në Kalkutë, ndër të tjera theksoi:” Këtu me të vërtetë nuk dimë se kush ka marrë Dhuratë: ne apo Nëna Tereze? Ne i falënedrojmë asaj, që e ka pranuar këtë Shpërblim, dhe kështu e ka ngjitur edhe më tepër vlerën e kësaj mirënjohjeje të lartë… Qysh tani lypset menduar për kandidatët e vitit të ardhshëm. Mbas Shpërblimit të Nënës Tereze do të jetë mjaft vështirë ta gjejmë një personalitet të dimensioneve të ngjashme si Nëna Tereze…Më mirë dhe më thjeshtë do t’ishte që ajo prapë ta fitonte këtë Dhuratë” (këtë e tha duke qeshur, ndoshta si mahi, vr. ime).[iii]

Nëna Tereze e pranoi këtë Shpërblim vetëm në emër të të varfërve, për t’i ndihmuar të varfërit ndër më të varfër, duke vërë në qendër të vëmendjes dy shtylla, shpesh të harruara dhe të ngatërruara, ZOTIN dhe NJERIUN.

Kështu kishte dëshmuar para mbarë botës se “ Dashuria” do t’i shëronte të gjitha të ligat e botës, sepse do t’ia mundësonte njeriut tejkalimin e kufinjve të kohës dhe të hapësirës, të nacionit dhe religjionit, të kasteve dhe të ngjyrave…

“Recepti” i Nënës Tereze është aq i thjeshtë, gjithnjë aktual, i mundshëm dhe përshtatshëm për çdo njer: “Punë të vogla me dashuri të madhe”. Dhe në mbarim më lejon “të lundroj” në kujtime dhe kështu t’ju bëjë edhe juve pjesëmarrës të kësaj ngjarje dhe përjetimin tim të paharrueshëm. Ishte e diele, 8 dhjetori 1979. Isha në përcjellje të Imzot Nikë Prelën, ipeshkvin tonë (1918-1996).
Dolëm për ta pritur Nënën Tereze në aeroportin e Oslos. Me Nënën Tereze ishte edhe vëllau i saj, Lazër Bojaxhiu, dhe bija e tij, Age lind. Bojaxhiu-Guttadauro. Pra, një familje e vogël shqiptare.

Kur na pa dhe u përshëndetëm, me shumë befasi, na pyeti kështu: “A keni ardhur këtu vetëm për mua?”. Imzot Nikë Prela, në stilin e tij hokatar, i tha :”Jo, por kemi ardhur për t’i parë bukuritë natyrore rë Norvegjisë”. Nëna Tereze, e gëzuar, me sy të përlotur, na tha: “Po më vjen shumë mirë që keni ardhur, si t’kishte ardhur Nëna Loke imja e vdekur. Zoti iu pagoftë dhe iu ktheftë me të mira!”.[iv]
Ndër temat që i shtronim në biseda të gjata dhe të përmallshme edhe në orët e vona të natës, ishte doemos edhe çështja kudo në botën shqiptare, Kosova, mbi të gjitha Shqipëria.
Ja përgjigja e Nënës Tereze: “Unë nuk di çka të them, sepse nuk di çka ngjanë atje. Një gjë vetëm e dijë: UNË MUND TË THEM VETËM SE LUTËM SHUMË PËR SHQIPËRINË, QË ZOTI T’IU JEPË DRITË PËR TË PARË SE NËSE DËSHIROJNË TË JETOJNË NË PAQE, ATËHERË DO TA DOJNË NJËRI-TJETRIN…”[v]

Gjatë Konferencës për shtyp ajo ndër të tjera tha dhe e shkrojiti me dorën e saj në gjuhën shqie: “UNE GJITHMON E KAM NË ZEMËR POPULLIN TEM SHQIPTAR. SHUM LUTI ZOTIN QI PAGJA E TIJ TË VJEN NË ZEMRAT TONA, NË GJITHA FAMILJET TONA, NË GJITH BOTËN. LUTUNI SHUM PËR FUKARAT E MI – DHE PËR MUA DHE MOTRAT E MIJA.
UNE LUTEM PËR JUVE.
M. TEREZA BOJAXHIU”, OSLO; 10/12/79.”. [vi]

Në pyetjen time: “Çka domethënë së pari për Ju, për motrat Tuaja dhe për të varfërit Shpërblimi Nobel për Paqe?”

Nëna Tereze tha: “Për mua dhe motrat tona asgjë posaçe, asgjë s’do të ndryshojë në Shoqërinë tonë. Kjo Dhuratë, si dhe të gjitha të tjerat, të cilat i ka fituar Kongregata jonë, janë vetëm për të varfëritë tanë… Kjo është si një kontribut i madh i paqes, sepse tekembramje sot bota e ka kuptuar se veprat e dashurisë janë më të rëndësishmet për paqe…Pa dashuri nuk do të kemi kurrë paqe.”[vii]

Nëna Tereze pa dyshim është ajo që pas Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, e bashkon shpirtërisht dhe kulturalisht kudo popullin Shqiptar, është Ambasadorja e historisë, traditës, kulturës, me shekuj edhe fesë tonë të përbashkët.

Për ne ka rëndësi të madhe jo vetëm nderimi, falënderimi, dashuria ndaj Nënës Tereze, por nëpërmjet jetës dhe frymëzimit të saj, zbatimi i dashurisë për njëri-tjetrin, apo si shprhej ajo bukur: “PËR ZOTIN DASHURI dhe PËR VËLLAU

Nëna Tereze thoshte: “JEPE PJESËN MË TË MIRË TË VETVETES“, e ajo është kujdesi, nderimi, falënderimi, frymëzimi, dashuria, zemra, që na bënë të lumtur së bashku me të tjerët dhe për të tjerët.
Ja, e tillë ishte Bija, Motra dhe Nëna e mbarë botës, Nobelistja Shqiptare e Paqes – Nëna jonë Tereze.
Prishtinë, 11. 09. 2024
Radio Maria – Kosovë
[i] Dr. Lush Gjergji, Nëna jonë Tereze, botimi i dytë, Drita, Ferizaj, 1990, f. 201-205; Më gjerësisht lexo fjalimin e Nënës Tereze në Oslo, 10 dhjetor 1979, me rastin e marrjes së Çmimit Nobel për Paqe, f. 196-205.
[ii] Po aty, f. 213.
[iii] Po aty, f. 213-214.
[iv]i Dr. Lush Gjergji, ve. e cit. f. 208.
[v] DRITA 12/1979, f. 8; Më gjerësisht lexo: DRITA, Po aty, f. 1-9.
[vi] Po aty, f. 9.
[vii] Dr. Lush Gjergji, ve. e cit. , f. 290.

Filed Under: ESSE

Ballafaqim i tmerrshëm mes fanatikut dhe zombit

September 10, 2024 by s p

Alket Veliu  

Mund të jetë një imazh i 1 person dhe teksti

Çështja e të drejtave pronave të minoritetit grek është kusht kryesor për integrimin Shqipërisë në BE. Kështu tha kryeministri grek, Qirjako Micotaqis, teksa u pyet në panairin e 88-të Selanikut, në lidhje me marrëdhëniet me Shqipërinë. “Më lejoni të them edhe një herë se marrëdhëniet, duke parë imazhin e gjerë , pra marrëdhëniet midis Greqisë dhe Shqipërisë, që ne duam të jenë shumë të mira, kalojnë nga respektimi i të drejtave të pakicës kombëtare greke të Shqipërisë. Çështja e të drejtave pronësore nuk ka dalë asnjëherë nga axhenda jonë. Ajo po rikthehet dhe ajo që ne do të bëjmë është të sigurojmë, me ndihmën edhe të Fredi Belerit në Parlamentin Europian, që të drejtat pronësore të bashkatdhetarëve tanë në Shqipëri të respektohen plotësisht. Dhe do të thoja se ky është një kusht i domosdoshëm që Shqipëria të vazhdojë të ecë në rrugën e saj europiane”.

Greqia i vë kushte Shqipërisë, sikur të jenë suflaqe me mish derri! Ndërkohë që integrimi evropian, e ardhmja e Ballkanit dhe veçmas marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Greqisë, si dhe zgjidhja e çështjes çame, kanë nevojë për zëra realiste, Athina po i thotë Shqipërisë, hapur dhe pa pikë diplomacie, se nëse nuk bën lëshime, do vejë në Europë si Peshku i Hemingueit te “Plaku dhe Deti”, vetëm me skeletin pasi mishin po ia hanë peshkaqenët grekë! 

Kryeministri Edi Rama, më 24 maj 2024, iu përgjigj indirekt kritikave nga Athina për titujt e pronësisë për minoritetin grek në Shqipëri. Në fjalën e mbajtur në stadiumin në Athinë, Rama tha se Shqipëria nuk ka asnjë pretendim ndaj Greqisë: “Shqipëria nuk ka asnjë pretendim ndaj Greqisë përveç respektit reciprok, kujdesit reciprok për bashkëkombësit”. Shumë bukur! Por sjellja ndaj minoritetit duhet të jetë reciproke. Greqia dhe vendet e tjera duhet të njohin dhe respektojë me të gjitha të drejtat minoritetin shqiptar, sidomos çamët dhe arvanitët, që nuk njihen si minoritet. Atëhere ku është reciprociteti në respektimin e të drejtave të popullsisë çame, apo minoritetit shqiptar në Greqi, meqë Shqipëria e sheh Greqinë si një partner të natyrshëm strategjik? Për fat të keq sot nuk kemi nga politika greke as pranim të krimit dhe as katarsis, përsa i përket tragjedisë që i shkaktuan popullsisë çame. Për sa i përket minoritetit çam ortodoks në Greqi, fqinjët jugorë nuk pranojnë kurrsesi se ata ekzistojnë. 

Edhe nga Tirana zyrtare duhet ruajtur njëlloj kontinuiteti në politikën e jashtme, mbi bazën e asaj që është arritur për çështjen çame, të paktën deri në vitin 2016, kur Komisionit Europian njohu çështjen çame dhe, nëpërmjet komisionerit Johannes Hahn, dha bekimin për adresimin e çështjeve të hapura mes Shqipërisë dhe Greqisë. Qeveria dhe shteti shqiptar e lanë t’i ikte ky moment dhe kurrë nuk e trajtuan çështjen çame ashtu si duhet, me dinjitet, duke ditur se ngritja e çështjes çame e ndihmon pozitën e Shqipërisë në marrëdhëniet dypalëshe. Mendojmë se Ministria jonë e jashtme dhe institucionet e shtetit shqiptar duhet të mbajnë një qëndrim. Duhet t’i bëhet e qartë palës greke se që të ketë të ardhme fqinjësia e mirë, duhet besimi reciprok, duhet reciprocitet, duke lënë pas ankthet e së shkuarës, stinët me ngrica dhe grekët t’u rikthehen qëndrimeve realiste dhe një fryme tjetër, që nuk kanë munguar në të shkuarën jo shumë të largët në politikën greke.

Kostandin Micotaqis, i ati i kryeministrit të sotëm, në vitit 1992, foli për reciprocitet lidhur me çështjet pronësore, duke patur në tavolinën e bisedimeve pronat e çamëve. I biri, Qirjako, 32 vjet më pas, “harron” reciprocitetin dhe flet vetëm për “pronat e grekëve”, duke folur me gjuhë kërcënuese për integrimin e Shqipërisë në BE. Qirjako nuk kapërcen dot as babanë e vet konservator. Ja çfarë deklaroi tekstualisht Konstandin Micotaqis në vitin 1922: (K. Micotaqis: Dua të bëj tri shtesa që të jetë krejtësisht e pastër pozita greke. E para, përsa i përket temës së çamëve. Bëra të qartë në të gjitha nivelet e palës shqiptare deri te presidenti që nuk do të pranojmë kthimin e tyre për arsye që nuk është nevoja t’i analizoj këtu. Thashë temën e pasurive në bazë të njē reciprociteti tẽ çamëve që erdhën nga Greqia në Shqipëri dhe të atyre me origjinë greke që kanë ardhur në Greqi. Për këtë edhe mund të diskutojmë).

Një ballafaqim i tmerrshëm mes “fanatikut” Konstandin dhe “zombit” Qirjakos.

Historikisht ka pasur edhe politikanë të tjerë grekë që kanë dashur sinqerisht marrëdhënie normale me Shqipërinë dhe njohje të të drejtave të minoritetit shqiptar çam në Greqi. Kujtojmë deklaratën e ish Kryeministrit grek, Teodoros Pangallos, më shkurt të vitit 1926, e cila çuditërisht tingëllon aktuale. Kjo deklaratë është botuar në faqen e parë te “Gazeta e Korçës”, viti VIII i botimit, nr. 263, e shtunë, 27 shkurt 1926. Nën titullin “Deklarata të diktatorit grek mbi marrëdhëniet shqiptaro-greke”, kemi shënimin me korsiv “Çamëvet ju njihen tërë të drejtat si minoritet”: Kryeministri Pangallos dalloi popullatën ortodokse shqiptare nga minoriteti grek dhe bëri thirrje për marrëdhënie miqësore mes dy vendeve. Pangallos bëri një dallim dhe diferencim të qartë mes minoritetit grek në Shqipëri dhe ortodoksëve shqiptarë. Ai nuk i quan këta të fundit, grekë apo minoritet grek në Shqipëri. “Kur thom pakicë greke në Shqipëri”, – deklaron Pangallos, – “kujtoj dhe kam ndërmend vetëm Grekofonët të Shqipërisë Jugës dhe aspak orthodoksë shqiptarë, të cilët si shqiptarë nga raca, gjuha e kombësia janë zot shtëpie. Jam kundra asaj theorie të gabuar të disave këtu që çdo Orthodoks e quajnë grek”.

***

Nga deklarimet e Qirjako Micotaqis gjykojmë se është pikërisht mentaliteti i sotëm i qeveritarëve “modernë grekë”, që çdo orthodoks e quajnë grek!

Këto deklarata janë antishqiptare dhe “çojnë ujë”, në mullirin e nacionalizmit ekstremist grek, që kërkon ta paraqesë përpara botës Shqipërinë si shtet multietnik. Kjo sjellje e Athinës zyrtare pengon ndjeshëm bashkëjetesën e shqiptarëve me minoritarët grekë dhe rrisin mosbesimin midis tyre. Politika greke e përdor minoriten grek në Shqipëri gjithmonë kundra interesave të shqiptarëve dhe të Shqipërisë, duke u përpjekur ta paraqesë gjithë Shqipërinë jugore (Epiri i lashtë) si pjesë të Greqisë.

Dihet që Greqia është përpjekur historikisht ta përdorë pakicën greke si një bastion për të ruajtur helenizmin, duke fryrë shifrat e popullsisë “minoritare”, duke e paraqitur atë të zmadhur disa fish, kur nga rezultatet e CENS të fundit (2023) tregohet se në vendin tonë jetojnë vetëm 23.485 persona me kombësi greke. 

Historia e minoritetit grek në jugun e Shqipërisë, e cila ka variuar përmes aludimeve dhe kundëraludimeve të pafundme mbi pronësinë e tokave ku banojnë, kanë bërë që historianët dhe politikanët grekë të abuzojnë shumë, deri në çështjet më delikate që ekzistojnë mes dy vendeve tona. Pretendimet absurde janë shpalosur sa herë janë paraqitur situata komplekse në marrëdhëniet politike.

Historia e minoritetit grek në Shqipëri është e shkruar dhe duhet të dihet nga të gjithë, por edhe nga vetë minoritarët grekë, ndaj nuk mund të falsfikohet, edhe pse qarqe të caktuara greke bëjnë ç´është e mundur për të botuar gjëra që janë në interes të tyre.

Dokumentet tregojnë se në regjistrat kadastrorë të vitit 1690 të rretheve të sotme të Sarandës, Delvinës dhe Gjirokastrës, nuk ekzistonte asnjë minoritar në Shqipëri. Edhe Pukëvili, në librin e tij “Udhëtime në Greqi”, thotë: “U nisëm që nga Saranda e deri në Delvinaq, të gjithë fshatrat rrugës ishin shqiptarë…”. Kjo tregon se në fillim të shekullit të XIX, ende nuk kishin ardhur grekët në rrethin e Sarandës e të Delvinës. Ndërsa në zonën e Dropullit, grekët u vendosën në fund të shekullit të XVIII.

Dokumentet e arkivave tona, flasin saktësisht jo vetëm mbi pronësitë e tokave të minoritetit të rretheve Gjirokastër, Delvinë dhe Sarandë, por përcaktohen dhe listat e sakta të të gjithë pronarëve të tyre, të cilët janë nga qytetet e Gjirokastrës, Libohovës, Delvinës, Sarandës, si dhe të fshatarëve të zonës së Rrëzomës në Delvinë.

Mbi bazën e këtyre fakteve vërtetohet se minoriteti grek që jeton në tokat e Dropullit dhe të zonës së Libohovës në Gjirokastër, si dhe ai që jeton në komunat Finiq, Aliko dhe Mesopotam në Delvinë e Sarandë, nuk janë gjë tjetër, por toka, që u takojnë në pronësi shqiptarëve, por që përdoren nga grekofonët, të cilë tani pretendojnë për shkelje flagrante të të drejtave që u bëhet nga ana e palës shqiptare. Për ilustrim mund të sjellim njërin prej këtyre dokumenteve që gjendet në Arkivin Qendror të Shtetit, Viti 1935, dosja 316, faqe 252.

Ky dokument përmban emrat e veçantë të secilit pronar, sasinë e tokave që ka në pronësi, kufirin e tyre, vendndodhjen, si dhe të dhëna të tjera identifikuese. Çdo listë është e regjistruar dhe portokolluar nën siglën “tepër sekret”, si shkresë më vete. Konkretisht, emrat e pronarëve që mbizotërojnë në këto lista përcaktohen nga fiset Malile, Tozaj, Shehaj, Toska, Çarçani, Aliko, etj. Po ashtu, në vazhdimin e dosjes 226, të Arkivave Qendrore të Shtetit, që i përkasin vitit 1935, shpalosen radhazi hartat “tip gentplane” që evidentojnë të dhënat e pronësive për secilin territor.

Njohësi mjaft i mirë mbi historinë e minoriteve në Shqipëri, profesor Beqir Meta, duke u shprehur për historinë e minoritetit grek në Shqipëri, shkruan: “Popullsia grekofone, e cila kishte ardhur në Shqipërinë e Jugut në shek. XVII-XVIII kryesisht si bujq në pronat e bejlerëve shqiptarë arriti të konsolidohej, të zhvillohej dhe të shndërrohej në një minoritet kombëtar”.

Në vitet ’20-30 të shekullit të kaluar pozita ekonomike e sociale e këtij minoriteti u përmirësua pas daljes së ligjit për imponimin e kontratës – tip midis pronarëve e bujqve që punonin çifligjet e tyre.

Njihet tashmë saktësia dhe ashpërsia e administratës së shtetit të atëhershëm monarkik në drejtim të saktësisë së mbajtjes së dokumentacioneve zyrtare. Pas Luftës, shteti komunist minoritarëve u dha edhe tokë, por në përdorim, për të jetuar.

Shpëndarja e çertifikatave të pronësisë së tokës pas vitit 1991 minoritarëve grekë, në bazë të ligjit antikushtetues 7501, është gabim trashanik në dëm të shqiptarëve, që duhet korigjuar, që të shuhen edhe pretendimet greke për jugun shqiptar.

Filed Under: ESSE

Debati malinj për ndarjet dhe xhelozitë…

September 9, 2024 by s p

Aleksandër Çipa/

Debati malinj për ndarjet, xhelozitë dhe sidomos, diferencat mes shqiptarëve të Shqipërisë dhe shqiptarëve të Kosovës, edhe nëse nuk ka indicie nga jashtë, është një interes jashtë nesh, pra shqiptarisë.

Inkurajimi i konkurencës së brendshme është përherë shërbim i shëndetshëm. Shoqëritë e mençura e përdorin diversitetin plural për qëllim inkurajimi dhe si lëvizje që nuk dëmton unifikimin e aq kërkuar në historinë e një shekulli në ndarje. Mendjet e shëndetshme nuk merren me zhvleftësime të simboleve identitare, por ushqejnë një kritikë publike për të demaskuar patriotizmin e korruptuar apo nacionalizmin e shtirur dhe infektues kombëtar, duke i mëshuar kuptimësisë dhe vlerës formuese të tyre ndër brezni.

Shqipëria dhe Kosova janë në një proces ( pse jo edhe tronditës) të dobësimit demografik të tyre. Ky proces, nëse mbushet me debate malinje si ky i xhelozisë së njerës ndaj tjetrës, nuk është tjetër gjë, veçse një formë dasuese ndër shqiptarë dhe sidomos bakter i keq për breza të ardhëm.

Nga jugu i Shqipërisë dhe deri në Mitrovicë e Luginë të Preshevës, shqiptarët kanë detyrim të ndiejnë nevojën e njohjes së vetvetes, e kësaj vetveteje që pas një shekull ndarjeje, po pason nga një kohë e paemër me infektime dhe toksikime interesash fqinjore dhe deformime të rënda ndërgjegjësore.

Kauza e përbashkimit fitohet si veprim dhe proces i thellë përafrues.

Ringritjet apo përparimet, (sikundër e thonin rilindësit naimjanë të shekullit XIX), mbrothësitë kombëtare, nuk mund të mbërrihen kurrë nëse perceptohen dhe ndahen mes pjesësh dhe protagonistësh që duan vetëm pjesë, në pamundësi për të dashur të tërën. E kemi nevojë ekzistenciale të duam të tërën.(!) Dhe e tëra, për ne, është dhe do të jetë pamvarësisht; matanë Shqipërisë, matanë Kosovës-( së bashku të dyja), dhe në çdo skaj natyral të Atdheut shqiptar.

Filed Under: ESSE

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 55
  • 56
  • 57
  • 58
  • 59
  • …
  • 609
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Punë hajnash-punë krajlash” dhe mendtarë që heshtin
  • MBRETI ZOG (1933) : “BASHKIMI I KOSOVËS ME SHQIPËRINË, NJË DËSHIRË E MADHE PËR TË CILËN NUK DO TË KURSEJMË ASNJË PËRPJEKJE PËR TA REALIZUAR…”
  • Perspective of a Trauma Surgeon and Former Health Minister of Health of Kosova
  • “I huaji”
  • JO NE EMRIN TIM!
  • Krimi kundër njerëzimit në Reçak dhe lufta e narrativave
  • Fitoi Çmimin e Madh në Saint-Saëns International Music Competition, Prof. Ina Kosturi: “Shpaloseni talentin shqiptar nëpër botë e na bëni krenarë”
  • “Ëndrra Amerikane” në Washington DC
  • Potret kushtuar guximtarit të përndjekur Qemal Agaj
  • Shqipëria Nuk Ka Nevojë të Bëhet Singapor — Ka Nevojë të Bëhet Baltike
  • “PRIJATARËT E LAVDISË” – POEZI NGA VALBONA AHMETI
  • Gjuhën shqipe nuk e humb Norvegjia, e humbim ne në shtëpi
  • Një letër – Dy intelektualë – Tri dekada më vonë
  • Propaganda…
  • 𝐃𝐢𝐩𝐥𝐨𝐦𝐚𝐜𝐢𝐚 𝐞 𝐒𝐞𝐧𝐭𝐢𝐦𝐞𝐧𝐭𝐞𝐯𝐞 𝐌𝐢𝐝𝐢𝐬 𝐊𝐨𝐦𝐛𝐞𝐯𝐞: 𝐑𝐢𝐤𝐭𝐡𝐢𝐦𝐢 𝐢 𝐍𝐣𝐞𝐫𝐞̈𝐳𝐢𝐦𝐢𝐭 𝐧𝐞̈ 𝐧𝐣𝐞̈ 𝐁𝐨𝐭𝐞̈ 𝐊𝐨𝐧𝐟𝐥𝐢𝐤𝐭𝐮𝐚𝐥𝐞

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT