• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

NAPOLEON BONAPARTI…

August 31, 2024 by s p

Veri Talushllari/

Napoleon Bonaparti (i lindur Napoleone di Bonaparte, më vonë i njohur si Napoleon I), është padyshim një nga majat e mendimit dhe veprimit ushtarak botëror, pa përmendur veprimtarinë politike dhe udhëheqëse të Francës së fundit të shek. 18të dhe fillimit të shek. të 19të gjatë Luftrave Revolucionare dhe Luftrave Napoleonike (1796 deri më 1815.)

Bonaparti u lind në Korsikë në një familje me origjinë italiane, dhe pasi shkoi në Francë më 1779, mori bursë për të studiuar në Akademinë Ushtarake në Brien le Shato. Nuk kanë qënë vite të lehta për Perandorin e ardhshëm, pasi shokët e vinin në lojë për faktin që ish korsikan, theksin në të folur, shtatin e shkurtër apo fërngjishten jo të pasur. Megjithatë ai ishte i shkëlqyer në mësime dhe vitin e fundit (mbaroi dy vite shkollorë bashkë), e bëri në Shkollën Ushtarake në Paris ku titullua oficer artilerie më 1785. Pati një karierë të shpejtë në radhët e forcave Revolucionare.

Në një shkrim gazete është e pamundur sikur edhe kalimthi ta përshkruash jetën e këtij ushtari dhe komandanti të jashtëzakonshëm, por le të përmendim që Napoleoni mori pjesë në rreth 60 luftra e beteja, 17 prej të cilave shumë të njohura. Shumicën e tyre padyshim i fitoi, por disa dhe i humbi, e dy prej tyre, Beteja e Borodinos (7 shtator 1812) dhe më pas Beteja e Vaterlos (18 qershor 1815), patën pasoja fatale për të si Perandor dhe Kryekomandant. Megjithatë le të shënojmë se duke filluar nga Rrethimi i Tulonit (29 gusht- 19 dhjetor 1793) ku për herë të parë shkëlqeu gjenia e tij ushtarake nëpërmjet planit për pushtimin e fortifikatave mbi portin e qytetit e më pas me- sa për të përmendur ato më të famshmet- Betejën e Marengos (1800), atë të Austerlicit (1805), Betejën e Fridlendit (1807), të Vagramit (1809) etj., ne shohim të shpalosur gjeninë e tij ushtarake, trashëgimia e së cilës studjohet në shkollat ushtarake kudo në botë. Lëvizja e shpejtë dhe përqëndrimi i trupës në pikën strategjike është një nga shprehjet e kësaj gjenie. Napoleoni kish si parime të patundura mbajtjen e forcave të bashkuara, mbrojtjen e çdo pike të dobët të formacionit luftarak, shfrytëzimin e çda shansi të krijuar në dinamikën e betejës… Ai ishte sfidues, nuhatës, kërkues, krijues, reagues ndaj çdo zhvillimi në fushën e luftës, Lidhja e tij me trupën, me ushtarin më të fundit, është legjendare. Ai kurrë nuk i drejtohej një ushtari pa mësuar më parë emrin e tij. Natyrisht nuk mungojnë edhe legjenda, si ajo që kur e gjeti një ushtar në gjumë në vendroje, nuk e zgjoi, por mori armën dhe qëndroi në vend të tij. Ishte Napoleoni që bëri të harroej praktika e luftrave mesjetare e automanovrimit, shmangies së përballjes,në favor të grushtit të përqëndruar, shkatërrimit të armikut. Me Napoleonin kemi linjden dhe tendencat e para të asaj që më vonë do të quhej “Lufta Totale”.

Por studiuesit e jetës dhe veprës së Napoleon Bonapartit, bashkëkohës të tij dhe bashkëkohësit tanë, janë të një mendimi se gjenialiteti si ushtarak mbase nuk është ana e tij më e rëndësishme. Siç thotë Prof. Rafa Blafairb i Institutit të Studimeve të Napoleonit dhe Revolucionit Francez pranë Universitetit Shtetëror të Floridës, ShBA, më e rendësishme se ana ushtarake, është fakti që Napoléoni ishte një “qënie politike”,(politikal animal). Ai donte të sundonte. E kërkonte dhe dinte si ta merte e ta përdorte pushtetin. Dhe ai ishte më i suksesshëm si politikan se sa si udhëheqës ushtarak. Në llogari të fundit, ai humbi gjithçka për shkak të disfatave ushtarake. Por arritjet dhe reformat e tij politike jetojnë edhe sot. Ato endé i gjejmë në strukturat e jetës publike të Francës dhe shumë vendeve në Europë dhe në botë.

Le të përmendim Kodin e Napoleonit si një shembull të madh dhe si trashëgimi të Revolucionit Francez. Ky Kod është një sistem unik, i kompletuar dhe harmonik i legjislacinit civil që rregullon mardhëniet mes njerëzve dhe pasurisë së tyre. Kodi sanksionoi parimet e barazisë para ligjit, tolerancën fetare, të drejtën e pronës dhe të trashëgimisë së të gjithë fëmijëve,etj. Me pak ndryshime ai Kod është në fuqi edhe sot, jo vetëm në Francë, por edhe në mbi 20 vende, përfshi Japoninë, Iranin (para Revolucionit) etj. Por meritat e tij vijnë deri në ditët tona edhe në fusha të tjera, si për organizimin dhe funksionimin e pushtetit, vendor – një koncept dhe praktikë e panjohur deri atëherë-,organizimi i policisë, i sistemit bankar, sistemi i arsimimit në përgjithësi dhe atij ushtarak në veçanti,etj.

Bibliografia napoleoniane dhe ajo e Revolucionit Francez në tërësi dhe biografologjia e Napoleon Bonapartit në veçanti, zënë faqe të tëra të bibliotekave anëekënd botës. Penat më të ndritura të kohës së tij dhe gjer të ditëve tona- le të përmendim Shatobrianin, Lord Bajronin, Stendalin, Valter Skotin, Henrik Hajnen, Aleksandër Dymane e për të ardhur në ditët tona tek emra të tillë si Endrju Roberts, David Bell e deri tek filmi “Napoleon” i regjisorit Ridëll Skot i shfaqur nëntorin e kaluar(2023)- e kanë përshkruar e studiuar kohën, jetën dhe veprën e tij në të gjitha anët dhe me imtësi. E megjithatë kudo e kurdoherë ka diçka të re e të pazbuluar, endé të pathënë. Dhe më tepër se për këdo, kjo është e vërtetë për ushtarakët.

Foto: wikidata.org

Filed Under: ESSE

Shaban Murati, një zë unik kombëtar

August 30, 2024 by s p

Arben Iliazi/

Mjeshtri i Madh i Diplomacisë, Shaban Murati, më 2 shtator mbush 79 vjet dhe hyn në të 80-tat. Profesori i shquar, për të gjithë ata që e njohin dhe u është dhënë rasti të bisedojnë me të, është padyshim një personalitet poliedrik, diplomat me aftësi të rralla, humanist, historian, gazetar e polemist, me kulturë solide në fushën juridike dhe atë të së Drejtës Ndërkombëtare, njohës i mirë i letërsisë, eseist, madje dhe profesor në estetikë. Me një karrierë të gjatë në diplomaci, Shaban Murati i ka këshilluar shqiptarët dhe ka motivuar diplomacinë e re shqiptare të mësojnë nga përvoja e popujve të tjerë, si dhe nga përvoja kombëtare, të mendojnë me kokën e vet, të dinë se kriteri kryesor është kombi, të mos bëjnë asgjë që bie në kundërshtim me interesat e kombit.

Me një aktivitet të gjatë publicistik, diplomatik, filozofik e letrar, Profesor Shaban Murati ka një rol të jashtëzakonshëm për daljen nga keqkuptimi i kobshëm i apokalipsit revolucionar dhe shndërrimin e madh antropologjik të shoqërisë shqiptare drejt një shoqërie moderne evropiane. Gjithë vepra e tij ka si lajtmotiv reformimin e kodit të kombësisë, ruajtjen dhe përcjelljen e vlerave të trashëgimisë sonë kombëtare.

Vepra e Shaban Muratit është një mesazh, një apel për intelektualët shqiptarë, për diplomatët, historianët dhe studiuesit e rinj, që të rendin pas së vërtetës me guxim. Në Shqipërinë tonë, ku rrallë flitet për atdhetarizëm normal dhe ku në diplomaci po ndodh një fenomen i gjemetrisë ireale dhe absurde, Shaban Murati, vizionar dhe kurajoz, përpiqet të fshijë tabu dhe antitabu, duke u përfshirë me një zell të pashoq në jetën publike të vendit, për një lulëzim të ri të energjive kombëtare, me moton që mbikombëtarja të mbështetet në themele kombëtare.

Ky është një mision pretencioz, në shembullin e antropologjisë strukturale, që të sigurojë ngritjen intelektuale dhe zhvillimin normal të shoqërisë shqiptare në kohën e ndryshimeve kaleidoskopike.

Për sa kohë një komb si Shqipëria nuk e ka të strukturuar unitetin e vet të brendshëm, për sa kohë jemi të kërcënuar në ekzistencën dhe pavarësinë tonë dhe fqinjët sillen si rivalë e kundërshtarë, nganjëherë edhe si pushtues, do të ekzistojnë njerëz si Shaban Murati, me një ekzaltim të rrallë të ndjenjës patriotike, që përbën shprehjen më të lartë të detyrës qytetare.

Personalitete të tilla janë garancia më e mirë për kombin, që ai të shkundet nga izolimi dhe inferioriteti, për të kuptuar fuqinë e tij të mirëfilltë, cilado qoftë ajo. Në veprat e tij, si analist i politikës së jashtme, si legjislator i qetë i arsyes dhe dhe i mendimit diplomatik, ai ka gdhendur qartë gjithë strategjinë kombëtare në realitetin e ri gjeopolitik.

Shaban Murati kurrsesi nuk mund të qortohet për ndonjë mungesë konsekuence. Ai përfaqëson një shkollë më vete të diplomacisë shqiptare. Duke i quajtur gjërat me emrin e tyre, sentencat diplomatike të ambasadorit janë pohime sublime për të hequr dorë nga hallaktjet e deliri spontan dhe për të mos u trembur nga fantazma e vetvetes.

***

Pjesën më të madhe të analizave të tij prof. Murati ia ka kushtuar problematikës, fizionomisë, rrugëtimit dhe përballjeve konkrete të diplomacisë shqiptare në ditët e sotme me detyrat dhe misionin e saj. Në qendër të analizave diplomatike vendoset objektivi profesional, shkencor dhe diplomatik, i kërkimit të një identiteti shtetëror dhe kombëtar të diplomacisë shqiptare. Në vështrimin kritik të autorit, diplomacia shqiptare e periudhës së demokracisë ende nuk e ka gjetur dhe formuar identitetin e vet shtetëror dhe kombëtar dhe duhet t’i futet rrugës së kërkimit të këtij identiteti. (Shih librin “Diplomacia shqiptare në kërkim të identitetit).

Murati është, para së gjithash, themeluesi i modelit kulturor kritik të diplomacisë shqiptare, duke nxitur shkollën diplomatike shqiptare të përshtatet me sfidat e reja të integrimit euro – atlantik. Veprat e tij janë një manual me interes si për diplomacinë dhe institucionet e shtetit shqiptar, ashtu dhe për studiuesit dhe të apasionuarit e diplomacisë dhe të politikës së jashtme. Ato përbëjnë një kontribut të çmuar në drejtim të zhvillimit të mendimit diplomatik shqiptar, aq i domosdoshëm për formimin e identitetit shtetëror dhe kombëtar të saj. “Ata që kanë drejtuar Shqipërinë dhe diplomacinë, përgjithësisht kanë qenë profanë në diplomaci dhe nuk patën as vizion e as dimension shtetëror, që të kërkonin dhe t`i jepnin identitet diplomacisë shqiptare. Ata nuk qenë në gjendje të ndërmarrin qoftë edhe një nismë të vetme diplomatike shqiptare. Në Shqipëri ka munguar mendimi diplomatik, e për pasojë diplomacia shqiptare nuk mund të ketë identitet”, është shprehur diplomati Shaban Murati gjatë intervistave të tij publike. Duke e kundruar diplomacinë shqiptare si të kompleksuar dhe gati të shpërfytyruar, përderisa misioni i saj nuk deduktohet nga asnjë princip universal, apo parim kombëtar e ndërkombëtar, diplomati ynë i shquar ka analizuar shkaqet dhe pasojat e kësaj gjendjeje: “Kjo situatë e pakëndshme ku Shqipëria e sheh veten jashtë një praktike të re diplomatike dhe të marrëdhënieve të Ballkanit, duhet të verë në mendim dhe në lëvizje diplomacinë dhe qeverinë shqiptare. Këtu duhet ndalur dhe reflektuar thellë se për ç’arësye Shqipëria ka një status të tillë, i cili mund të quhet inferior. Status ku shtetet e të njëjtit gadishull, disa prej të cilëve i përkasin të njëjtit bllok ushtarak, nuk e marrin në konsideratë faktorin “Shqipëri” në politikën e tyre ballkanike apo jashtëballkanike”, thotë prof. Shabani në një nga opinionet e tij.

***

Profesor Shabanin e ka intriguar më së shumti Ballkani, historia e tij e pafat si paradhomë e Evropës, plagët e tij të pambyllura, armiqësitë e pafund, urrejtjet patologjike, nacionalizmat shovene, perspektivat e zymta.

Eshtë ambasadori që ka shërbyer në më shumë vende fqinje dhe të Rajonit tonë, në «fusha shpesh të minuara”. Analizat diplomatike të ambasador Muratit ndalen në analizën fenomeneve shqetësuese dhe me rëndësi për diplomacinë dhe për shtetin shqiptar, duke zbërthyer qëndrimet dhe interpretimet konkrete të problemeve dhe të marrëdhënieve aktuale të Shqipërisë me shtetet e tjera, kryesisht ato fqinje, të politikës rajonale dhe ndërkombëtare të Shqipërisë. Në këtë optikë ai analizon dinamikën dhe veçoritë e reja të marrëdhënieve të Shqipërisë edhe me Evropën dhe SHBA-të, tronditjet dhe rreziqet e moskuptimeve diplomatike.

Lajtmotivi kryesor i mbi 20 librave të botuar të Shaban Muratit është Shqipëria dhe Kosova, të cilat duhet të ecin me këmbët e veta, të bëhen shtete të pavarura reale, që të kenë integritetin e tyre. Në mënyrë të veçantë udhëheqësit duhet të kenë integritetin e tyre shtetëror kombëtar dhe personal, pasi po e marrin në qafë kombin shqiptar, duke rrënuar trashëgiminë kombëtare, në emër të një konceptimi të gënjeshtërt të kombit. Duke ndjekur politika të ndara ato po kryejnë vetëvrasje.

Ambasadori u kushton rëndësi të veçantë aspekteve diplomatike dhe shtetërore të marrëdhënieve me Kosovën, ku fokuson dilemën e madhe të diplomacisë së Shqipërisë mes folklorizmit dhe forcimit institucional të marrëdhënieve specifike mes dy shteteve shqiptare.

Ambasadori Shaban Murati thotë se titullin “Vetëvrasja diplomatike e Kosovës dhe Shqipërisë” e ka vendosur me dhimbje mbi librin e tij, sepse diplomacia e të dy vendeve ka ecur në rrugë të gabuar, duke marrë, përqafuar dhe adoptuar tezat, qëndrimet, politikat dhe kushtet e e diplomacisë serbe dhe ruse.

Një këndvështrim mjaft interesant paraqesin analizat e diplomatit Murati për marrëdhëniet strategjike me Turqinë, për marrëdhëniet me Maqedoninë apo Kroacinë dhe është thelluar në analizimin e problemve që qëndrojnë pezull me Greqinë. Në disa libra, të mbështetur edhe nga Fondacioni Çamëria ”Hasan Tahsini”, Shaban Murati ka ndriçuar gjenezën dhe dinamikën diplomatike aktuale të një prej çështjeve më enigmatike të marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe Greqisë, që mori emrin “Çështja e detit”.

“Çështja e detit nuk ka ekzistuar kurrë në marrëdhëniet shqiptaro-greke, është shprehur ambasadori. Nëse ajo do të kishte qenë çështje, ajo do të ishte trajtuar gjatë 80-90 viteve, qysh nga 1914, kur u vendosën për herë të parë marrëdhëniet diplomatike mes dy shteteve.

“Kufijtë detarë midis Shqipërisë dhe Greqisë janë përcaktuar nga traktate ndërkombëtare, të cilat janë të detyrueshme për të dy shtetet dhe nuk kërkojnë mendim ose opinion nga shtetet përkatëse. Pra, shkurt, çështja e kufijve detarë midis këtyre dy shteteve nuk ekziston; mbetet e paqenë historikisht dhe e paqenë edhe aktualisht”.

Ndërsa për çështjen çame Ambasadori Murati është shprehur në mënyrë të qartë dhe prerë: “Një nga provat më ulëritëse të asimetrisë së marrëdhënieve dypalëshe apo thënë më hapur, të përulësisë dhe të kompleksit të inferioritetit të diplomacisë shqiptare gjatë gjithë periudhës postkomuniste, është çështja çame”. Në librin “Çështja shqiptare pas pavarësisë së Kosovës” Murati e ka përcaktuar çështjen çame si pjesë e çështjes së pazgjidhur shqiptare në Ballkan: “Çështja çame është një problem politik dhe historik, me një specifikë të veçantë dhe e cila duhet trajtuar si e tillë nga diplomacia dhe shteti i Shqipërisë”. (Tiranë, 2009, fq.25).

“Se sa larg mund të shkojë atdheshitja e tregon sjellja e disa politikanëve dhe analistëve në Tiranë, të cilët nënshtrimin qeveritar shqiptar ndaj kushtit të Athinës për të mos përfshirë çeshtjen çame në dosjen e bisedimeve diplomatike shqiptaro-greke dhe për të mos e përmendur çështjen çame dhe emrin e Çamërisë as në Tiranë dhe as në gjithë Shqipërinë, e quajnë pa iu skuqur faqja “Sukses të politikës së jashtme të Shqipërisë. Asnjë qeveri nuk e meriton mbiemrin ‘shqiptar’, nëse në programin e tyre nuk është çështja çame. Opiumi diplomatik grek për trajtimin e çështjes çame si çështje juridike apo çështje gjykatash, ka trullosur gjatë njëzet e pesë viteve shumë qeveri të Shqipërisë dhe diplomacitë e tyre, thotë Prof. Murati.

Përcaktimi i drejtë i një përkufizimi dhe i një qëndrimi adekuat për karakterin e vërtetë të çështjes çame është i një rëndësie kardinale, sepse nga ky këndvështrim mund të shkohet në rrugën e zgjidhjes së kësaj çështje ose në varrosjen e saj. Dhe për të dalluar se ku synojnë qëndrimet dhe predispozicioni i njërës apo tjetrës qeveri lidhur me zgjidhjen e çështjes çame, duhet të shtrohet pyetja hamletiane se “çfarë është çështja çame?”. Në një analizë dhe këndvështrim profesional, sipas mendimit tim, çështja çame është një çështje politike. Ajo kërkon zgjidhje politike nga marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Greqisë. Pikërisht si e tillë kjo çështje hyn në dosjen e marrëdhënieve diplomatike mes dy shteteve dhe bëhet edhe çështje diplomatike, dhe rrjedhimisht detyrë dhe objektiv i diplomacisë së Shqipërisë. Zgjidhja e saj kërkon tani kushtin “sine qua non” të hartimit shtetëror të një platforme diplomatike për çështjen çame. Diplomacisë dhe shtetit shqiptar u ka munguar kjo platformë për shkak të dobësive të drejtuesve të tyre, të cilët janë pajtuar me asimetrinë e marrëdhënieve midis dy vendeve. Platforma diplomatike kërkon që çështja çame të bëhet pjesë e pandarë dhe e vazhdueshme e të gjitha tratativave diplomatike midis dy shteteve. Ka dy faktorë kryesorë, që determinojnë këtë kompozim të ri të marrëdhënieve diplomatike dypalëshe për trajtimin e çështjes çame.

***

Me avantazhin që më jep njohja nga afër me profesor Shaban Muratin, këtu e 35 vite më parë, në mbyllje të këtij shkrimi, të cilin do ta konsideroja më shumë një gjest mirënjohjeje që duhet ta ketë çdo qytetar shqiptar ndaj këtij Shqiptari të Madh, mund të shprehem pa droje se në historinë e diplomacisë shqiptare Shaban Murati renditet pas Mehmet Konicës, Medi Frashërit e Rauf Ficos. Faik Konica do të thoshte dikur se Rauf Fico ishte shqiptar edhe atëherë kur nuk kishte Shqipëri. E njëjta gjë mund të thuhet sot edhe për Shaban Muratin, megjithëse ekziston një Shqipëri zyrtare, me kufijtë e saj formalë, por që fqinjët i vënë në diskutim. Murati, ashtu si Fico, mbetet gjithmonë një evropian i madh i një vendi të vogël, një studiues vizionar dhe me ndërgjegje të pastër kombëtare, prijës i diplomacisë shqiptare, me kontribute të jashtëzakonshme në themelin e diplomacisë sonë.

Sot Shaban Murati është i vetmi zë unik, një apostull i vërtet lirie dhe shqiptarie, plot energji e dinamikë, që vazhdon ta thotë fjalën e tij, me një pasion atdhetar të pashembullt në kohën tonë. Me një stil elegant, të zhdërvjellët e sugjestiv të shkruari, është mëse e vërtetetë se në pikëpamjet e veta politike diplomatike ai është një legjitimist, që përballet me guxim ndaj atyre që e konsiderojnë veten pronarë ekskluzivë të racionalitetit.

Ambasadori Murati vazhdon të ndjekë me kujdes zhvillimet në rajon dhe jo vetëm. Analizat dhe komentet e tij vijnë gjithmonë në momentin e duhur, në mbështetje të një politike të jashtme kombëtare, e cila duhet të jetë koherente dhe e ndërtuar mbi bazën e reciprocitetit dhe promovimit të të drejtave të shqiptarëve kudo që ata janë e jetojnë.

Unë personalisht nuk kam njohur dhe nuk njoh personalitetet tjetër në hapësirën mbarëshqiptare, që mund të krahasohet me Prof.Muratin për nga instinkti dhe pasioni atdhetar, mprehtësia diplomatike dhe guximi në rrafshin e angazhimit për një ide dhe ideal kombëtar, jashtë çdo koniukture apo ndikimi politik.

Urime dhe jetë të gjatë Profesor!

Disa nga Veprat e Prof.Shaban Muratit:

– Serbia kundër Serbisë : analizë e një gjysmërevolucioni të lënë përgjysmë – 2004

-Enigmat diplomatike të pavarësisë së Kosovës : (fletë nga ditari i një ambasadori) – 2007

-Çështja shqiptare pas pavarësisë së Kosovës : një testament diplomatik – 2009

-Profile të diplomacisë europiane në Ballkan – 2009

-Hije në diplomacinë shqiptare – 2012

-Diplomacia shqiptare në kërkim të identitetit – 2013

-Rusia ballkanike – 2014

-Shqiptarët e Maqedonisë, prioritet i çështjes shqiptare – 2016

-Ballkani faustian – 2016

-Çështja e paqenë e detit, një intrigë diplomatike greke apo shqiptare? – 2018

-Kalvari diplomatik i shtetit të Kosovës – 2018

-Bosnja: Një pikëpamje nga Tirana – 2019

-Antitabu : Këshilla për miqtë – 2020

-Deti midis Shqipërisë dhe Greqisë – 2020

-Vetëvrasja diplomatike e Kosovës dhe e Shqipërisë – 2021

“Konteksti rajonal i aleancës strategjike Shqipëri-Turqi”(2023)

“Aleanca e duhur Shqiperi -Kroaci”(2024)

“Rusët po vijnë” (2024)

Filed Under: ESSE

Rebelimi

August 29, 2024 by s p

Astrit Lulushi/

Historia e rebelimit që u shndërrua në revolucion, një histori e viteve 1763–75, është pothuajse e pamundur të sintetizohet në një ese, një kapitull, apo edhe në një libër. Çfarë mund të themi atëherë? Ndoshta vetëm kjo: revolucioni u bë nga një “koalicion i grupeve të ndryshme shoqërore”, i motivuar nga një sërë ankesash individuale, shpesh në kundërshtim me njëra-tjetrën. Patriotët nuk ishin aspak gjithmonë demokratë, dhe besnikët nuk ishin të gjithë monarkistë tiranë. Skllevërit dhe indianët nuk ishin adhurues të nocioneve hipokrite, ekskluziviste të kolonistëve për lirinë dhe shpesh favorizonin kurorën. Ka shumë për t’u krenuar në revoltën koloniale dhe shumë për t’u turpëruar gjithashtu. Ndonjëherë miti është më i fuqishëm, më ndikues se realiteti. Pa dyshim që kjo ka qenë e vërtetë për çuarjen deri në Revolucionin Amerikan. Të kritikosh motivet dhe taktikat e patriotëve ose të Etërve Themelues do të thotë të ftosh qortim dhe mbrojtje pasionante. Në fund të fundit, nëse Pilgrims dhe Plymouth Rock përfaqësojnë mitin e parë të origjinës së zgjedhur, atëherë, me siguri, Revolucioni Amerikan duhet të qëndrojë si i dyti. Kush jemi ne, të paktën kush mendojmë se jemi, është e mbështjellë në mënyrë akute në narrativën revolucionare. Të vësh në dyshim atë llogari do të thotë të na pyesësh ne. Megjithatë, kjo është ajo që ndershmëria intelektuale dhe sfidat e tanishme kërkojnë – të shqyrtojmë origjinën themeluese të Amerikës, lythat dhe të gjitha, dhe të përpiqemi drejt një bashkimi vërtet më të përsosur.

“Lufta e pavarësisë nuk kishte të bënte vetëm me sundimin e shtëpisë, por me atë se kush do të sundonte në shtëpi”. — Historiani Carl Becker

Çfarë lloj revolucioni ishte? Radikal apo konservator? Ushtarak apo social? Farsë sinqerisht demokratike apo hipokrite? Ndoshta pak nga të gjitha. Ajo që me siguri nuk ishte, ishte ajo që paraqitet në fillin e rehatshëm, patriotik, të shkollës së mesme, me të cilën të gjithë jemi mësuar. Megjithatë, as nuk ishte diçka jashtë një fabule të privilegjit të bardhë që mund të hidhet poshtë plotësisht. Le të fillojmë me pikturën e famshme në faqen përballë, të porositur nga Kongresi i SHBA-së dhe e ekspozuar në Kapitol Rotunda. Ky interpretim ngre disa pyetje: Kush, saktësisht, e fitoi luftën dhe çfarë lloj lufte ishte ajo? Çfarë nuk përshkruhet? Dhe pse? Artisti kap momentin e dorëzimit britanik pas betejës së Yorktown në 1781. Është gjithçka kaq e rregullt, kaq simetrike, me ushtarë të rregullt të ushtrisë kontinentale të montuar dhe në këmbë në të djathtë dhe ushtarë francezë po aq të mprehtë, të mbushur me uniforma të bardha të pastra, në të majtë. Të kuqtë e përulur qëndrojnë poshtë një oficeri amerikan dhe ofrojnë dorëzimin e tyre, ndërsa gjenerali Xhorxh Uashington e vështron nga pas, djathtas. Sikur ky të ishte portreti i vetëm i disponueshëm për pasardhësit, shikuesi mund të supozonte se Lufta e Pavarësisë ishte një çështje ushtarake mjaft konvencionale, e zhvilluar rregullisht midis dy ushtrive zotërinjsh. Imazhi popullor është diçka e tillë: ushtria kontinentale – me njëfarë ndihme nga francezët – mundi britanikët dhe fitoi një komb të ri, të pavarur. Nuk kishte papastërti, pa ndyrë, asgjë të çrregullt apo komplekse. Nuk kishte gra, as zezakë, as amerikanë vendas, sigurisht nuk kishte besnikë apo milici të pahijshme koloniale. Ndoshta kjo është mënyra se si amerikanët pëlqejnë të kujtojnë Revolucionin, se si mësuesit e shkollave fillore e transmetojnë këtë të kaluar epike. Siç e kemi parë në kapitujt e mëparshëm, mënyra se si e kujtojmë të kaluarën është po aq magjepsëse dhe udhëzuese sa edhe realiteti i ngjarjeve. Kjo është veçanërisht e vërtetë për Revolucionin Amerikan, i cili, është miti i origjinës së dytë të Amerikës, një sagë e lirisë koloniale që godet njëherë e përgjithmonë tiraninë britanike, një histori e kryesuar vetëm nga vendosja fillestare e kolonive. Sikur të ishte kaq e thjeshtë. Kur vlerësojmë Revolucionin Amerikan, në thelb duhet të analizojmë përgjigjet gjithëpërfshirëse për pyetjet e mëposhtme: Si dhe pse rebelët – ushtria e të cilëve nuk fitoi kurrë një betejë në fushë të hapur – mundën perandorinë më e fuqishme në botën perëndimore? Si u jetua dhe përjetua përvoja sociale dhe ushtarake e revolucionit nga një popullsi e ndryshme koloniale? Dhe së fundi, çfarë do të thoshte të “fitosh” dhe cilët ishin saktësisht fituesit dhe humbësit e luftës? Duke kërkuar t’u përgjigjemi këtyre pyetjeve, mund të mos na pëlqejë gjithmonë ajo që gjejmë, ose mund të hutohemi nga konglomerati i rrëmujshëm i përvojës Revolucionare. Megjithatë, ndoshta do të zbulojmë gjithashtu diçka të thellë se kush ishim ne si amerikanë, kush u përpoqëm të ishim dhe sa larg kemi arritur në arritjen e revolucionit tonë të madh. Nga Lexington në Bunker Hill ne lamë kolonistët tanë të ankthshëm – dhe të pashpresë të ndarë – amerikanë në prag të rebelimit, vetëm dymbëdhjetë vjet pas disfatës së Francës në Luftën Shtatë Vjecare. Me përfitimin e pashmangshmërisë, revolucioni duket i pashmangshëm, megjithatë asgjë nuk ishte e paracaktuar. U desh një shkëndijë për të përfshirë kontinentin në gjakderdhje. Do të vinte në Massachusetts. Në prag të luftës, britanikët, si shumë ushtri të rregullta perandorake përpara tyre, besonin se mund t’i frikësonin rebelët me një shfaqje të uniformave mbresëlënëse, marshime me hapa të mbyllur dhe një shfaqje themelore të forcës. Brenda dhe rreth Bostonit, britanikët kërkuan të kapnin depo të mëdha armësh koloniale dhe, në këtë drejtim strategjik, marshuan nga qyteti drejt fshatit Concord në prill 1775. Por shfaqja e hapur e forcës ushtarake në fakt ngriti tensionet, u radikalizua popullsia dhe shkaktoi konflikt. Përveç kësaj, kapja e armatimeve të centralizuara nuk do të funksiononte në vetvete në Amerikë, për shkak të një karakteristike të kolonistëve: ata ishin të armatosur. Konsideroni, për një moment, pasojat radikale të një popullsie të armatosur. Amerikanët ishin unikë në atë që, ndryshe nga anglezët, skocezët apo irlandezët, pothuajse të gjithë të bardhët ishin pronarë të armëve. Mjetet ishin aty. Dukej se lufta do të vinte përfundimisht; ishte çështje se kur dhe ku. Rreth orës 4:00 të mëngjesit të 19 prillit 1775, rregulltarët britanikë, në rrugën për në Concord, u përplasën me një shfaqje të vogël koloniale të forcës: shtatëdhjetë apo më shumë milicë ishin mbledhur – me musketa – në gjelbërimin e qytetit Lexington. Një oficer britanik i urdhëroi ata të shpërndaheshin. Ata nuk e bënë. Askush nuk e di se kush qëlloi i pari, por ishin ushtarët britanikë që gjuajtën të fundit, të paktën për momentin. Kur u largua tymi, disa kolonistë – nënshtetas anglezë – shtriheshin të vdekur, të tjerë u plagosën dhe pjesa tjetër kishin ikur. Rruga për në Concord ishte e hapur dhe britanikët e morën atë.

Pastaj, gjatë rrugës për në bazën e tyre në Boston, diçka ndodhi. Kolonistët nga qytetet fqinje, shkaktuan qindra viktima në rradhët e trupave britanike që tërhiqeshin. Ishte një ditë e përgjakshme dhe ndryshoi rrjedhën e historisë amerikane.

Filed Under: ESSE

𝗗𝗶𝘀𝗮 𝗸𝗲̈𝘀𝗵𝗶𝗹𝗹𝗮 𝗽𝗲̈𝗿 𝗮𝘁𝗮 𝗾𝗲̈ “𝘃𝗱𝗲𝘀𝗶𝗻” 𝗽𝗲̈𝗿 𝗽𝘂𝘀𝗵𝘁𝗲𝘁

August 28, 2024 by s p

𝑫𝒓. 𝑩𝒍𝒆𝒅𝒂𝒓 𝑲𝒖𝒓𝒕𝒊/

Më 22 gusht, 1485 vdiq Rikardi III, mbreti i Anglisë, i cili qëndroi në fron për dy vite deri në ditën kur u vra në betejën e Bosworth-it, gjatë Luftës së Trëndafilave.

Ai ishte vetëm 32 vjeç, por etja e tij e paepur për kurorën e mbretit ishte legjendare, ndaj edhe William Shakespeare i kushtoi një vepër që mban titullin-emër, Rikardi III, ku përmendet zilia, ambicja, ligësia dhe deformimi fizik i këtij njeriu që bëri gjithçka vetëm e vetëm të zbukuronte qenien e tij të shëmtuar të brendshme e të jashtme me xhevahirët e kurorës.

“Ndërgjegjja nuk është veçse një fjalë që përdorin frikacakët, e krijuar për t’i kallur frikën të fortëve… Emri i mbretit është kështjella e forcës.” lexojmë te vepra mbi qasjen dhe mjetet e Rikardi III për të arritur pushtetin dhe dëshirën e flaktë për të sunduar.

Por ajo dëshirë e ajo kurorë nuk e shpëtuan dot në prag të vdekjes, kur gjatë betejës, i rrethuar nga kundërshtarët ai ofroi gjithë mbretërinë e tij vetëm për një kalë që të mund të shpëtonte kokën: “Një kalë! Një kalë! Jap të gjithë mbretërinë time veç për një kalë!” Askush nuk i dha një kalë, e atë e vranë me disa goditje shpate mbi kokë, duke ia çarë aq shumë kafkën sa që i dolën trutë.

Por, vdekja e palavdishme e një mbreti u rishfaq mbi pesë shekuj më vonë, kur eshtrat e tij u zbuluan në vitin 2012 poshtë një parkingu makinash. Skeleti tregonte lëndimet e rënda si edhe deformimin fizik të tij të shkaktuar nga skolioza që e kish shoqëruar atë gjatë të gjithë jetës.

Rikardi III, por edhe shumë e shumë të pushtetshëm të tjerë përgjatë historisë korruptuan veten por s’mundën të korruptojnë dot vdekjen dhe kalbjen. Pasi nuk ka pushtet, kurorë, kështjellë, diamant, ar, xhevahir e luks, që të shpëton nga krimbat brenda secilit prej nesh që ushqehen kur ne ushqehemi teksa jemi gjallë, e më pas kur ne vdesim, në mungesë të ushqimit, ato ushqehen me mishin tonë, e kështu ne tretemi. Pra, vrasësit tanë i bartim brenda vetes qysh ditën kur lindim.

Dhe pyetja ndërshekullore, e kahershme sa vetë njeriu, është: Përse duhet lakmuar kaq shumë pushteti? “Pasuria më e madhe e njeriut është të gjejë lumturinë në gjëra të pakta e të vogla,” tha Platoni. “Ç’përfitim ka njeriu nëse fiton gjithë botën dhe pastaj e humb shpirtin e vet? Ose çfarë do të japë njeriu si shkëmbim të shpirtit të vet?” tha Krishti. “Momento Mori” ishte simbolika e mesjetës, një kafkë në çdo shtëpi, studio, bibliotekë, akademi, etj, për të të kujtuar në mëngjes sa hap sytë se “o njeri je i vdekshëm, jetoje jetën ashtu siç duhet.” Të gjitha këto këshilla historike e megjithatë dashuria për pushtetin vazhdon edhe më e flaktë, e njerëzit, vazhdojnë të mos tregohen të mençur, duke dëshiruar në çdo frymëmarrje atë që s’të shpëton dot. E jo vetëm që s’të shpëton dot por edhe ta përkeqëson qenien.

Si ndodh kjo? Shkencërisht është e provuar që me të marrë pushtet njerëzit pësojnë atë që sipas termit mjekësor njihet si “sociopati e fituar” – një çrregullim personaliteti anti-social jo i trashëguar, i diagnostikuar për herë të parë nga psikologët e shekullit të nëntëmbëdhjetë. Një sindromë me efekte të njësojta me një goditje në kokë me hekur apo varre. Pra, “goditja” e pushtetit dëmton zonat kryesore të trurit dhe i bën njerëzit më të mirë të shndërrohen në intrigantë dhe manipulatorë. Ata sillen e veprojnë me të vërtetë si dikush që ka pësuar dëmtim në tru. Jo vetëm që janë më impulsivë, egocentrikë, cinikë, krenarë, arrogantë e të paskrupullt por edhe përbuzin opinionin e të tjerëve.

Ata bëhen të pandjeshëm e të paturpë. Realisht, nuk skuqen nga turpi. Një mori studimesh tregojnë se një prej efekteve të pushtetit është që të bën t’i shohësh të tjerët me sy negativ duke menduar se shumica prej tyre janë dembelë dhe të pabesueshëm. Se ata duhen mbikëqyrur dhe monitoruar, duhet të menaxhohen dhe të kontrollohen, të censurohen dhe t’u diktohet se çfarë duhet bërë. Dhe për shkak se pushteti i bën të ndihen superiorë ndaj të tjerëve, ata besojnë se i gjithë ky monitorim duhet të jetë në dorën e tyre. Se pa ata çdo gjë do rrënohej. Madje arrinë në pikën e mendimit dhe të artikulimit se janë fatkeqë që drejtojnë një popull, një qytet, një institucion, një kompani, etj., që nuk arrin dot të kuptojë vizionin dhe idetë e tyre gjeniale.

Të dhënat na tregojnë se pothuajse të gjithë sunduesit gjakatarë dhe drejtuesit e paskrupullt e nisën rrugën e tyre drejt pushtetit me qëllime të mira, misione fisnike dhe me idealizëm frymëzues. Madje edhe me “thirrje hyjnore.” Duke besuar me të vërtetë që do e përdornin pushtetit për të shpëtuar atdheun, për të shkruar historinë e popullit të tyre, për të ndihmuar të varfërit, për të bërë revolucion në të mirë të njerëzimit, apo për të ndjekur zërin e Zotit i manifestuar sipas tyre si një thirrje apo zë i brendshëm. Gjëra që vazhduan t’i besonin edhe pasi sunduan me ligësi e diktaturë kur morën pushtetin.

Por si ia arritën ata pushtetarë të mirë dhe reformatorë historik t’i shpëtojnë grackës së pushtetit e ta përdorin atë në të mirë të vendit dhe të tjerëve?

Së pari, askush prej tyre nuk ia doli lehtësisht. Askush. Por ata ia arritën përmes disa mjetesh mençurie: Ata ishin njohës të mirë të historisë dhe dijes njerëzore përmes së cilave ata përvetësuan deri në gjakun dhe frymëmarrjen e tyre vlerat e vërteta dhe më të larta të jetës dhe njeriut; mësuan mirë e nuk e harruan kurrë të vërtetën epokale se krenaria vjen përpara rënies (historia njerëzore është plot me shembuj të tillë); shumë prej tyre u mbërthyen fort pas besimit të vërtetë në Zot e të tjerë arritën një vetëdije të lartë mbi vdekshmërinë e tyre, si për shembull Marcus Aurelius, perandori romak që mbante shërbëtorin t’i pëshpëriste vazhdimisht te veshi “je vetëm një njeri.” Të tjerë luftuan të mposhtnin egon e të shkonin përtej vetes, për t’i shërbyer të tjerëve duke e matur përmbushjen vetjake përmes masës së ndikimit te të tjerët apo në shoqëri.

Thënë thjesht, janë tre mënyra për të përdorur duart tona: dy duar për veten (diktatorët dhe autoritarët), një dorë për vete e një dorë për të tjerët (shtetarët e moderuar), dhe dy duar për të tjerët (figurat ikonike të altruizmit apo shenjtërisë si Nënë Tereza, etj.)

Disa të tjerë ishin më fatlum dhe e kishin më të lehtë t’i shpëtonin grackës së pushtetit për shkak se jetuan në një epokë dhe shtete me sistem të konsoliduar kontrolli të pushtetit, sundimit të ligjit dhe mekanizmave të shumtë politik e shoqëror të frenimit të shtrirjes së autoritetit. Sot, vetëm 10% e shteteve të botës kanë sisteme të tilla që nuk lejojnë lindjen dhe ngritjen e diktatorëve, pjesa tjetër është e ekspozuar në çdo moment nga një rrezik i tillë.

Pra, a do të thotë kjo që për të ruajtur veten njeriu nuk duhet të aspirojë për pozicione drejtimi dhe pushteti? Kurrësesi jo. Përndryshe shoqëria nuk do kishte kurrë përparim dhe nuk do arritej asnjë ndryshim.

Por, kjo që na mëson historia dhe shkenca është se çdo aspirant i pushetetit duhet të dijë faktin se do vihet përpara një zgjedhjeje, se cilin ujk do ushqejë brenda vetes, të keqin apo të mirin. Nëse zgjedh të ushqejë të keqin atëherë të dijë që në mënyrë të pashmangshme do vijë dita kur do thërrasë: “Një kalë! Një kalë! Jap të gjithë mbretërinë time veç për një kalë!” E askush nuk do i japë një kalë të shpëtojë kokën. Dhe nëse zgjedh të ushqejë të mirin të përgatitet për një betejë të vështirë me veten, e cila nëse fitohet do sjellë pasoja të jashtëzakonshme në fatin e komunitetit, vendit, botës e madje me gjurmë ndërshekullore në histori.

Dhe kjo betejë fitohet vetëm duke u mbajtur fort në çdo hap e çdo frymëmarrje pas dijes dhe mençurisë 6 mijë vjeçare njerëzore, me përkushtimin dhe devotshmërinë e pandërprerë ndaj vlerave më të larta, e mbi të gjitha duke jetuar një jetë përpara, gjatë dhe pas pushtetit, duke dhënë e jo duke marrë, duke kontribuar e jo duke përfituar, duke zgjedhur “të jesh” mbi “të kesh” e duke patur një vetëdije të përhershme se nuk je një qenie që “vdes” për pushtet, por që je i vdekshëm si çdo njeri i zakonshëm, e pikërisht ky fakt të shërbejë për t’u bërë i jashtëzakonshëm përmes jetës dhe veprave të tua.

Filed Under: ESSE

MURGESHA E SHENJTË DHE POETI I KËNGËS SKANDALOZE

August 27, 2024 by s p

– Nënë Tereza dhe Migjeni -/

26 gusht: në këtë ditë erdhi në jetë një vogëlushe që do ta quanin Gonxhe e do të bëhej Shenjtja Nënë Terezë dhe iku nga kjo jetë një poet shumë i ri, që kishte zgjedhur si emër letrar akronimin Migjeni.

Murgesha dhe poeti. I dua të dy. Gati moshatarë ishin, Nënë Tereza lindi në vitin 1910 në Shkup, Migjeni një vit më pas, në Shkodër, në 1911 (dhe im atë në atë vit lindi, në Jug), kur Shqipëri s’kishte se vendi ende vuante fundin e perandorisë otomane e priste të shpallej i pavarur.

Murgesha dhe poeti. Të dy u bënë të njohur, Migjeni si një nga shkrimtarët më të rëndësishëm në letrat shqipe, duke e modernizuar poezinë dhe tregimin, i përkthyer dhe në gjuhë të tjera, ndërsa Nënë Tereza u bë gruaja më e njohur e planetit, vetëm me dashurinë e saj dhe u shpall shenjtore e kohëve moderne.

Nuk janë takuar kurrë, as dhe parë, dhe nuk do të kenë ditur gjë për njëri-tjetrin, kur Migjeni ishte mësues në Pukë dhe shkruante me sarkazëm për varfërinë e rëndë të malësorëve dhe këmbët e zbathura të nxënësit të tij, Lulit të vocër, duke akuzuar shfrytëzuesit e pangopur sipër, Nënë Tereza kishte shkuar në Indi me mision, mësuese dhe ajo, por doli nga muret e kuvendit që t’u shërbente më të varfërve të të varfërve. Kur Migjeni blasfemonte dhe Zotin, duke mos e besuar, Nënë Tereza në shërbim të Zotit, me Krishtin në zemër si dritën dhe si udhërrëfyes në terr, shpëtonte jetë njerëzish, fëmijët e botës, nuk akuzonte, vetëm donte dhe shërbente. “Më mirë ndiz një qiri se sa të mallkosh errësirën.” – thoshte. Dhe lutej.

Ndërsa Migjeni ka dhe një poezi, ndër më të bukurat e tij, kushtuar murgeshave:

MIGJENI

KANGA SKANDALOZE

Një murgeshë e zbetë, që bashkë

me mkatet e botës

bar dhe mkatet e mia mbi supet e vet

të molisun,

mbi supat e verdhë si dylli që i ka puth

hyjnia

– kaloi rrugës së qytetit

si ejll i arratisun…

Një murgeshë e zbetë, e ftohtë

si rrasa e vorrit,

me sy boj hini si hini i epsheve

të djegna të gjallesës,

me buzë të holla të kuqe, dy gajtana

pshertimet që mbysin

ma la der’ vonë kujtimin,

kujtimin e ftohtë të kalesës.

Prej lutjesh (jo tallse!) duel

dhe në lutje prap po shkon…

Lutjet i flejnë gjithkund: ndër sy,

ndër buzë, ndër gishta.

Pa lutjet e saj bota, kushedi,

ç’fat do kishte?

Por dhe nga lutjet e saj

ende s’i zbardhi drita.

O murgeshë e zbetë, që çon dashni

me shënjt,

që n’ekstazë para tyne digjesh

si qiriu pranë lterit

dhe ua zbulon veten… Smirë ua kam

shejtënvet:

Mos u lut për mue, se due

pash më pash t’i bij ferrit.

Unë dhe ti, murgesh, dy skaje

po të një litari;

të cilin dy tabore ia ngrehin

njeni-tjetrit –

lufta asht e ashpër dhe kushedi

ku do t’dali,

prandaj ngrehet litari edhe përplasen

njerzit.

E quan këngë skandaloze. Dhe ashtu ishte. Unë gjej adhurim për murgeshën, të fshehtë, të mermertë, me ironi komplekse dhe skandal janë mjerimi, mosdashuria, indiferenca shoqërore, vrasjet, mashtrimet, hipokrizitë, që nga shteti deri te alienimi i njeriut, mosleximi, të mosbesuarit, etj, etj.

Po edhe Nënë Tereza ka shkruar poezi, që në rininë e saj të parë, mbante ditar. Po edhe lutjet e saj poezi janë dhe të mrekullueshme, janë botuar nëpër botë në gjuhët e mëdha. Kam përgatitur dhe unë libra të saj në shqipe tonë. Ja, njëra:

NËNË TEREZA

“MËRMËRIMË SHENJTOREJE”

Njeriu shpesh është i pakuptueshëm, spontan, vetanak.

E ç’rëndësi ka, duaje!

Nëse mirë bën, do të thotë

se plotësohet qëllimi i vetes.

E ç’rëndësi ka,

bëj mirë!

Nëse do të jeni i suksesshëm, miq të rremë do të gjeni

dhe armiq të vërtetë.

E ç’rëndësi ka, vazhdo!

E mira që bën, do të harrohet nesër.

E ç’rëndësi ka, qofsh i kthjellët!

Sinqeriteti dhe nderi do të bëjnë

të plagosesh kollaj.

E ç’rëndësi ka, krijo!

Le të shembet natën befas

ajo që ke ngritur me vite.

E ç’rëndësi ka, ndërto përsëri!

Le të mos kënaqen njerëzit,

kur u gjendesh pranë.

E ç’rëndësi ka, ndihmoji!

​​Botës jepja pjesën më të mirë

të vetes.

​​S’do të jetë e mjaftë. Do ta flakin.

​​E ç’rëndësi ka.

​​Po ti dhuroje pjesën më të mirë

të vetes!

​​Dhe do të vazhdosh të jesh i lumtur.

​​Të kuptohemi mirë, e gjitha kjo

​​s’është kurrë midis jush dhe atyre, por midis nesh dhe Zotit.

_______________________

* Kjo poezi është gdhendur

mbi një mur në Kalkutë.

Dua shumë dhe lutje të tjera të Nënë Terezës, më duken si poezi moderne. Do të doja t’i shikoja të shkruara mureve të qyteteve, të gdhendura në gurë, në antologji e tekste shkollash, bashkë me Migjeni, me njëri-tjetrin t’i themi përmendësh:

DHËNIE

​Që të kalosh këtë ditë,

i do duart e mia?

​Ndihmo me to këdo

që do të dëshironte

​​​​ dhe i duhen duart e mia.

​O Zot,

​po t’i jap duart e mia tani.

​Që të kalosh këtë ditë,

i do këmbët e mia?

​Shko vizito atë që pret e pret

t’i vijë një mik.

​O Zot,

​po t’i jap këmbët e mia tani.

​Që të kalosh këtë ditë, e do zërin tim?

​Fol me ata që duan një fjalë dashurie.

​O Zot,

​po të jap zërin tim tani.

​Që të kalosh këtë ditë

e do zemrën time?

​Duaje çdo njeri nga shkaku

se është njeri.

​O Zot,

​po ta jap zemrën time.

​Dhe kështu u bëftë!

Desha t’i kujtoj sot me poezitë e tyre dhe poetin tonë dhe murgeshën tonë. Është 26 gusht, në këtë datë Migjeni vdiq larg atdheut për të mbetur i pavdekshëm në letrat shqipe dhe po në këtë datë lindi vajza Gonxhe Bojaxhiu, që u bë Shenjtja Nënë Tereza, edhe ajo larg atdheut, e përjetëshme me dashurinë e saj dhe po aq e përbotëshme.

Largësitë, edhe në kohë ashtu si mes vendeve dhe njerëzve, janë zvogëluar dhe s’kanë më aq kuptim ose jo si dikur.

Dikur shkoja gjithë adhurim në shtëpinë muze, ku kishte jetuar Migjeni, në Shkodrën e tij, kur isha student, kam shkruar dhe poezi për të, “të rrezikshme” – më thanë nja dy miq që ua lexova atëhere, njërën nga ato e kam dhe në akt-akuzë, kur më dënuan, ndërsa emrin e Nënë Terezës e dëgjova së pari në burg, ajo ishte e ndaluar të vinte në atdhe, edhe atdheun burg e kishin bërë, të shkuara të (pa)harruara… por sot dua të shkoj prapë në shtëpinë e Nënë Terezës në Chicago, të bisedojmë me motrat e saj, të prek relike të saj. E ngriti vetë atë shtëpi përmes veshtirësish, keqkuptimesh e krimeve në lagje. Por, ah, sa shtëpi dashurie hapi ajo nëpër botë!

Visar Zhiti

Chicago, 26 gusht 2024

Filed Under: ESSE

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 57
  • 58
  • 59
  • 60
  • 61
  • …
  • 609
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Punë hajnash-punë krajlash” dhe mendtarë që heshtin
  • MBRETI ZOG (1933) : “BASHKIMI I KOSOVËS ME SHQIPËRINË, NJË DËSHIRË E MADHE PËR TË CILËN NUK DO TË KURSEJMË ASNJË PËRPJEKJE PËR TA REALIZUAR…”
  • Perspective of a Trauma Surgeon and Former Health Minister of Health of Kosova
  • “I huaji”
  • JO NE EMRIN TIM!
  • Krimi kundër njerëzimit në Reçak dhe lufta e narrativave
  • Fitoi Çmimin e Madh në Saint-Saëns International Music Competition, Prof. Ina Kosturi: “Shpaloseni talentin shqiptar nëpër botë e na bëni krenarë”
  • “Ëndrra Amerikane” në Washington DC
  • Potret kushtuar guximtarit të përndjekur Qemal Agaj
  • Shqipëria Nuk Ka Nevojë të Bëhet Singapor — Ka Nevojë të Bëhet Baltike
  • “PRIJATARËT E LAVDISË” – POEZI NGA VALBONA AHMETI
  • Gjuhën shqipe nuk e humb Norvegjia, e humbim ne në shtëpi
  • Një letër – Dy intelektualë – Tri dekada më vonë
  • Propaganda…
  • 𝐃𝐢𝐩𝐥𝐨𝐦𝐚𝐜𝐢𝐚 𝐞 𝐒𝐞𝐧𝐭𝐢𝐦𝐞𝐧𝐭𝐞𝐯𝐞 𝐌𝐢𝐝𝐢𝐬 𝐊𝐨𝐦𝐛𝐞𝐯𝐞: 𝐑𝐢𝐤𝐭𝐡𝐢𝐦𝐢 𝐢 𝐍𝐣𝐞𝐫𝐞̈𝐳𝐢𝐦𝐢𝐭 𝐧𝐞̈ 𝐧𝐣𝐞̈ 𝐁𝐨𝐭𝐞̈ 𝐊𝐨𝐧𝐟𝐥𝐢𝐤𝐭𝐮𝐚𝐥𝐞

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT