• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Për kryetarin historik të Akademisë së Shkencave prof. Aleks Buda: in memoriam

July 7, 2024 by s p

#Ashsh

#institutetealbanologjisë

#AleksBUDA

Figurë emblematike e akademizmit në Shqipëri; themelues i Akademisë së Shkencave dhe drejtues për tri dekada i saj; historian dhe etnolog; “i martuar” me Mesjetën dhe “i dashuruar” me arkeologjinë; ideator e frymëzues i projekteve më të rëndësishme shkencore të periudhës (corpora Academiae); njohës i thellë i të gjitha periudhave të mëdha të historisë kombëtare; promovues e mbrojtës kryesor i paradigmës shkencore të albanologjisë; përfaqësues dinjitoz i shkencës shqiptare në Botë; formues e riformues i disa brezave shkencëtarësh.

Sot, në 31-vjetorin e ndarjes nga jeta.

Akademia e Shkencave e Shqipërisë

Filed Under: ESSE

Itaka brenda nesh

July 6, 2024 by s p

Agim Baçi/

A jemi të gjithë nga pak Odise që kemi nevojë për një “Itakë dashurie”. Milan Kundera ka mundur të ndërtojë një përmendore fjalësh ku dallohet qartësisht portreti i Odiseut që kërkon të mbërrijë në Itakë, sepse beson se e pret Penelopa dhe gjithçka që ai ka dashur. Por rruga drejt asaj që mendojmë, se është jona, se na takon ne, nuk kalon përmes limaneve të qeta, por shpesh përmes dallgësh dhe ka gjithnjë çmimin e vet.

Ky autor i rrokullimave të vogla që sjellin gjëma të mëdha, ka mundur të përcjellë pikëpyetjet e ndjesive për të gjithë ata që në kthimin diku, nuk janë gati të përballen me harresën, me dhimbjen që vjen nga ndryshimi, nga ajo që nuk përputhet me atë që kanë mbajtur në mendje. Ndodh pothuajse ashtu, teksa flasim në përditshmëritë tona, me njerëz që kanë kohë që kanë emigruar apo edhe migruar, e flasin për vendet e fëmijërisë apo rinisë së tyre me një gjuhë që jo vetëm që nuk i përket, por as që nuk do të mund ta kuptojnë as vetë kur do t’u duhet të shkojnë.

E vetmja që mundet t’i shpëtojë dhimbjes së harresës mbetet dashuria – e vetmja ndjesi që krijon kohën e vet. Irena dhe Jozefi, dy personazhet kryesorë të Milan Kunderës në librin “Mosdija”, janë dy çekë të larguar nga Çekia në kohën kur ende ishin komunistët në pushtet, dhe kthehen në atdhe pasi kishin ndërtuar jetët e tyre për 20 vjet në Francë e Danimarkë. Takohen rastësisht në aeroport në Paris gjatë kthimit në Pragë, duke ndezuar motorrin e së shkuarës, pa ditur se ajo që mbetej “si dikur” ishte vetëm dashuria. Madje, pa e ditur kurrë se ajo qëndron aty, e fshehur brenda nesh, gjithnjë gati të marrë shtat, nëse do t’i hedhim “sytë” drejt saj.

“Në të njëzet vjetët që Odiseu mungonte, itakasit mbanin mend shumë gjëra të tij, por nuk kishte nostalgji për të. Ndërsa Odiseu vuante nga nostalgjia por nuk kujtonte asgjë. Këtë kontradiktë të çuditshme do ta kuptojmë po të mendojmë se kujtesa, që të mund të veprojë, ka nevojë për ushtrim të vazhdueshëm: kujtimet humbasin po të mos i thërrasim përsëri e përsëri nëpër bisedat me miqtë. Ikanakët që formojnë koloni bashkëatdhetarësh, përsërisin midis tyre deri në neveri të njëjtat histori, dhe kështu ato nuk harrohen kurrë. Të gjithë të tjerët që nuk bëjnë shoqëri me bashkëkombas, sikundër Irena ose Odiseu, preken pashmangshmërisht nga amnesia. Sa më e madhe është nostalgjia e tyre, kaq më shumë zbrazet nga kujtimet. Sa më shumë alarmohej Odiseu, aq më shumë harronte. Sepse nostalgjia nuk e forcon veprimtarinë e kujtesës, nuk zgjon kujtime, por mjaftohet tek vetja, tek mallëngjimi, ashtu siç është tërësisht e thithur nga dhimbja e saj”. (“Mosdija”, roman nga Milan Kundera, në shqip nga Mirela Kumbaro)

Një roman që ngre një pyetje të rëndësishme përpara gjithkujt që ka lëvizur nga vendlindja, që ka shtegtuar dhe ka ndërtuar një jetë tjetër dikur larg oazit ku ka hedhur hapin e parë, kur gërmëzoi fjalën e parë, kur njohu miqtë e parë dhe ku rroku ndjesitë për botën dhe dashurinë: mund të jetojmë me kujtime apo duhet të përpiqemi të bëjmë jetën sipas asaj që na ka ndodhur në jetë?

Jozefi kupton se Itaka e tij është vetëm në mendjen e tij dhe se ai mund të kuptonte vetveten duke besuar atë që i kish ndodhur 20 vjet larg vendlindjes. E kupton këtë kur gjendet përballë ditarit të tij, kur e hap dhe shkruan një fjali. Dhe në një çast thotë me vete: “Çudi, është i njëjti shkrim, por nuk jam i njëjti njeri”! Sepse ne jemi të njëjtët, por nëse kemi kuptuar se e shkuara dhe e tashmja kanë të njëjtën rëndësi për ne. Përndryshe, nëse të shkuarën e ngarkojmë gabimisht mbi të tashmen, apo edhe e kundërta, thjesht do të thotë që ëndërrojmë mbi shtratin e gënjeshtrës.

Paralelizimi me udhëtimin e Odiseut drejt Itakës së tij nuk është një rikthim tek një vend, por një thirrje për të udhëtuar drejt asaj që duam, asaj që na bën të jemi dikush përpara vetes sonë. Ne të gjithë e kemi një Itakë për të kërkuar. Thjesht duhet ta dimë se cila është. Mund të jetë aty, brenda mureve tona, me miqtë, me atë që dëshirojmë të arrijmë. Eshtë një dashuri e përhershme. Duhet ta shohim brenda nesh, e jo duke besuar se është atje ku ne nuk ishim, ku nuk mundëm të shkonim, kur na larguan. Eshtë ajo që duam. Ne vetëm duhet të dimë ta duam Itakën tonë pa u frikësuar nga asnjë “shtrëngatë” në udhëtimin drejt saj, jo duke u mbështetur në nostalgji, por në dashuri.

“Kur të rritet, në këto ngjashmëri do të gjejë njëtrajtshmërinë vajtuese të njerëzve (që për ta puthur ndalojnë në të njëjtën pikë, kanë po ato shije në veshje, i bëjnë një gruaje komplimenta me të njëjtën shprehje metaforike) dhe monotoninë lodhëse të ngjarjeve (që janë thjesht një përsëritje e pambarimtë e së njëjtës ndodhi); por në adoloshencën e saj, rastësitë i merr si çudi, krejt e padurueshme për të deshifruar kuptimin e tyre. Fakti se i dashuri i sotëm i ngjan çuditërisht të dashurit të dikurshëm, e bën të dashurin e parë akoma më të veçantë, akoma më tip, dhe ajo beson se, në një mënyrë të pakuptueshme, ai është paracaktuar për të”. (“Mosdija”, Milan Kundera)

Filed Under: ESSE

NË BALLKANIN E KUFIJVE E TË ZEMRËS

July 5, 2024 by s p

Nga CLAUDIO MAGRIS/

Kam qënë një lexues i parakohshëm dhe I pasionuar librash, më shumë se sa autorësh. Besoj se në fillim nuk mendonja se do të kishte nevojë për një autor. Ishte Historia që mbanja në dorë duke shfletuar fletët. Pak shkrimtarë si Ismail Kadare bëjnë të preket me dorë madhështia e Treguesit, të dallohet qartë nga të tjerët edhe në pak shprehje.

Gjithësia e Kadaresë, e jetuar dhe veçanërisht e rikrijuar prej tij në të treguar, është Ballkani me kufijtë e tij lëndorë e qenësorë, pambarimisht të zhvendosur, të rrëzuar e të rindërtuar. Një histori e jetuar si legjendë, por mbi të gjitha si neshtrashë njerëzore. Ballkani është edhe një litani e cila, simbas një shprehjeje të famshme të Churchill-it, prodhon më shumë histori se sa mund të gëlltisë e që herë herë shkatërron më shumë se sa mund të krijojë. Në erën e Historisë është pluhuri që ai shpërndan por që i mbetet i ngjitur mbi trup. Për shëmbull, Panonia a është ballkanike? Serbo-kroatishtja është një gjuhë që deri jo shumë vite më parë dëshërohej e duhej besuar si e tillë, apo tregon dy gjuhë më shumë të ndara se sa të bashkuara nga një vizë, që në disa çaste ka qënë e rëndë dhe e mprehtë?

Vepra letrare dhe vetë qenësia e Kadaresë janë edhe një përqëndrim kundërshtish ballkanike. Pushtimi shekullor ottoman i u kundërvu fesë sllave ortodokse dhe Kadareja ka treguar një botë në dritën e një kotësie të jetës e të historisë të shprehura nga kultura ottomane, e ka ngritur lart Skënderbeun, heroin kombëtar shqiptar e qëndrestar ndaj zotërimit ottoman. Ka paraqitur terrorin nazist e terrorin e kuq të Shtetit shqiptar, për të cilin asnjë diktaturë komuniste nuk ishte e ashpër sa duhej. Italia ka qënë për Shqipërinë mbretëria fashiste e Viktor Emanuelit të tretë, të treguar prej Kadaresë në një kryevepër si Gjenerali i ushtrisë së vdekur (1963); sot ka në Shqipëri një interes të gjallë për kulturën italiane, të dëshmuar për shembull nga Mimoza Hysa e nga shumë të tjerë apo të tjera.

Një gjetje e madhe e Kadaresë ka qënë të kuptuarit e totalitarizmit të nëntëqindës e të sotëm, si një sulm në rritje kundër demokracisw e që përparon. Është matur me këtë kthim mbrapa iliberal dhe kundërdemokratik – Pallati i ëndrrave (1980); Syri i tiranit (1991) – duke treguar se ai kthim mbrapa përfshin edhe viktimat. Skllevërit që besojnë se janë të lumtur së qëni të tillë janë më të këqijtë. Kadareja ka kapur këtë mëkat mortor të historisë bashkëkohore.

Jam shumë i kënaqur që e kam njohur e besoj se jo pak njerëz do të ndjehen pak jetimë të një vëllai të madh. Vdekja, çfarëdo të thuhet nga shumë lajkatues të saj, nuk është një gjë e bukur.

“Corriere della Sera”, 2 korrik 2024 – Përktheu Eugjen Merlika

Filed Under: ESSE

DASHURI DHE DHEMBSHURI PËR BOTËN

July 4, 2024 by s p

Nga Dr. Sonila Sejdaras

Psikologe, Chicago/

“Perëndia mbrapsht dhe e dashura” është një roman i shkrimtarit Visar Zhiti, thellësisht prekës i dhimbjes dhe i dashurisë përmes optikës së vuajtjeve të grave gjatë regjimit komunist të një vendi që luftonte vetveten. Shpirti i Emës përshfaq një dëshirë të vazhdueshme për paqe mes dhimbjes therêse që i shkaktohet asaj (duke u bërë përfaqësuese dhe e të tjerave.)

Rrëfimi gërmon thellësitë në rropatjet dhe padrejtësitë e shkaktuara nga shteti totalitar. Nëpërmjet objektivit të një “njeriu të çmendur” që përmbledh dëshpërimet e brendshme emocionale dhe kaosin, edhe trishtimin që ai ndjen për vendin e tij, i paaftë për të shijuar qëllimin kryesor të jetës, as momentin, më e rëndësishmja që ai nuk mund të shohë shpirtin hyjnor të Emas (kupto dhe të tjera si ajo.)

“Perëndia mbrapsht dhe e dashura” merr në zotërim thelbin e femërores si një forcë e qendrueshme e karakterit, e paqes dhe e fuqisë së patundur, e simbolizuar nga një perëndeshë – protagonistja që rrezaton dashuri dhe dhembshuri për botën.

LOVE AND COMPASSION

FOR THE WORLD

By Dr. Sonila Sejdaras

Psychologist, Chicago

“Perëndia mbrapsht dhe e dashura” is a profoundly touching novel of pain and love through the lens of the suffering of women during the communist regime of a country that was fighting itself.

Ema’s spirit embodies a constant desire for peace amidst the intense pain inflicted upon her (becoming a representative for others as well.)

The narrative delves into the depths of the struggles and injustices caused by the totalitarian state. Through the lens of an “insane man” who encapsulates the internal emotional despair and chaos, as well as the sadness he feels for his country, unable to savor life’s main purpose, not even the moment, most importantly, that he cannot see Ema’s divine spirit (understand and others like her.)

“Perëndia mbrapsht dhe e dashura” captures the essence of femininity as a resilient force of character, of peace, and of unyielding strength, symbolized by a goddess – the protagonist who radiates love and sorrow for the world.”

Filed Under: ESSE

E PASHË ISMAIL KADARENË !

July 2, 2024 by s p

Bexhet Asani/

Poeti, romansieri, publicisti, eseisti kritiku dhe përkthyesi me famë botërore Ismail Kadare, këtë vit, dy herë me radhë e vizitoi qytetin e Strugës. Në maj dhe në tetor. (2002)

Maj 2002. Posa mbarova mësimin, u nisa për në qendër të qytetit. Qytetin e Strugës anë e kënd e kishte pllakosur aroma e luleve të majit. Një kafe me shok të rastit që do të takoja atë ditë dhe një pije freskuese sikur do të na çlodhte. Po ja që do ti, sa vura këmbën në korzo, pedonale, rruga ku bëhej, bëhet dhe do të bëhet xhiro në qytetin piktoresk të Strugës. Dëgjova fjalinë:

– E pash Ismail Kadarenë !- m’u drejtua shoku im, doktor Feta Reçi , i cili sa ndjehej i gëzuar po aq edhe i emocionuar.

– Ec, takoje edhe ti !

– Ku është ? Si? – shqiptova disa fjalë pa menduar fare. Kadare në Strugë!? Në Strugën e poezisë ! Në qytetin që ka ndërtuar “ura” me Australinë, Amerikën, Zelandën e Re, Afrikën, Azinë me qindra e mijëra kilometër larg. Dhe shemb ura fare të vogla me shqiptarë. Festivali i poezisë në Strugë që njeh mbase edhe poetë minorë nga mbarë bota! Festivali i poezisë që s’ njeh shkrimtarin me famë botërore, njëherit edhe kandidat për çmimin nobel Ismail Kadarenë. U nisëm të dy me hapa të shpejtuar. Nxënësit maturantë e kishin rrethuar shkrimtarin. I merrnin autograf. I bënin pyetje. Pash Kadarenë, Kadarenë veprat e të cilit i punuam me nxënësit edhe kur ishte i ndaluar. Ai u përgjigjej pyetjeve të nxënësve me kënaqësi. U afrova ngadalë, iu prezentova.

– Këta janë nxënësit e tu ? – më pyeti.

– Po. – iu përgjigja..

Nga pyetja që më bëri, kuptova se kishte dalë i kënaqur nga biseda që kishte zhvilluar me ta. E ndjeva veten të lumtur. Kadarenë e shoqëronin: shkrimtarja Helena – bashkëshortja, vajza dhe disa miq nga Pogradeci dhe Korça. Ndërsa nga Struga e shoqëronte aktivisti Ajrush Miftari.. Bashkë me Kadarenë pushuam për pak kohë te ëmbëltorja “Dredhëza “. Profesor Nexhat Mustafa s’ përmbahej dot nga gëzimi. Me Yzeirin, Rahmiun, Nuhiun, Xheladinin kishim biseduar që të festonim përvjetorin e lindjes së Ismail Kadaresë, apo të organizonim përurimin e ndonjë libri të tij. Mendonim sesi të binim në kontakt. Dhe ja e kërkonim në qiell dhe e gjeta në tokë. Thjeshtë donim ta festonim ditëlindjen e Ismail Kadaresë në qytetin tonë. Këtë ia thashë edhe Ismail Kadaresë, ia kishte thënë edhe dramaturgu Nexhat Mustafa.. Ismail Kadare nuk dëshironte që t’i festohej ditëlindja, por me kënaqësi pranoi që të bënte përurimin e librit më të ri që kishte në dorëshkrim, gjatë muajit tetor. Lajmi se Kadareja do ta bënte përurimin e librit të tij në Strugë, u përhapë si vetëtima. Ky lajm u prit me gëzim nga të gjithë. U bë si u bë, promovimi i romanit “ Jeta, loja dhe vdekja e Lul Mazrekut “ në Strugë nuk u bë! Përurimi i veprës u bë në Tetovë. Zhgënjimi ishte i madh. U munduam që ta arsyetonim se Tetova është një qendër Universitare, por më kot!

Tetor 2002. Pas dreke, aty nga ora gjashtëmbëdhjetë. Troket dera e shtëpisë. Del ime shoqe Afërdita, të shikojë se kush trokiste. Pa dy burra rreth moshës tridhjetë e pesë vjeçare. Hyn brenda. Më thotë:

– Të thërrasin nja dy burra!

– Kush janë? – pyeta unë.

– Nuk i njoh!

Dola menjëherë jashtë. Shoh dy vetë. Njërin e njihja ishte Zendel Ibrahimi, një bashkëfshatar imi. Tjetrin nuk e njihja.

– Urdhëroni brenda!

– Jo, nuk jemi për brenda! Vishu dhe do të vish me ne!

– Po, ku do të shkojmë?

Na thanë që mos të të tregojmë, le të jetë një suprizë…!

M’ u duk si njëlloj ultimatumi. Aty për aty mendova: unë i pasur nuk jam, që të më rrëmbejnë, keq nuk i kam menduar dhe as nuk i kam bërë njeriu. I them Afërditës do të shkoj ky bashkëfshatari im me sa e njoh nuk është njeri që mund të më bëjë keq!

U nisëm drejt qytetit të Strugës, e që nga shtëpia ime i ka nja 6-7 km. Ai voziste rrugës kryesore, nuk lakoi asgjëkundi. Si iu afruam qytetit, pas insistimit tim se ku më çonin bashkëfshatari im Zendeli që shkurt i thoshin Neli foli:

– Ajrushi na çoi të të merrnim, se ka ardhur Ismail Kadareja dhe se ai mund të bisedojë me Ismailin sepse është profesor i gjuhës, por na porositi që mos të të tregonim gjersa ta shihje vetë Ismail Kadarenë.

– Po këtë të ma thoshit që në shtëpi, o të uruar! Mirënjohje Ajrush Miftari që më bën këtë nder! Që nga ky moment, nga kjo suprizë e këndshme, unë dhe Ajrushi ishim dhe jemi edhe më të afërt si shokë.

Po, pse s’ u bë përurimi në Strugë ? Kësaj pyetje, autori i këtyre rreshtave s’ i përgjigjet dot. Nuk e kërkuam psenë as nga Kadareja. Por, ai nuk i zhgënjeu struganët. Mbase për t’u “shfajësuar”! Me ta e mbajti një takim rasti dhe zhvilloi një bisedë të lirë siç u shpreh ai. U bënë pyetje nga më të ndryshmet: nga letërsia, kultura, politika etj. Prezentimin e bëri dramaturgu Nexhat Mustafa, i cili për shkaqe shëndetësore u tërhoq. Fjalën e mori profesor Rahmi Tuda i cili nuk nguroi t’ i bëjë edhe pyetje. Pyetje u bënë edhe nga të tjerë si dr. Nuhi Vinca dr. Bexhet Asani, Xhemi Hajredini, Arzie Dika, Bashkim Pollozhani, Aziz Pollozhani, Agim Lita e ndonjë tjetër.

Ja pyetjet që i bëri autori i këtyre rreshtave dhe përgjigjet e Ismail Kadaresë në takimin me intelektualët struganë:

Prof. Bexhet Asani: Z. Kadare a mendoni se mediokriteti në art ka arritur kulmin?

Ismail Kadare: Nuk mendoj se mediokriteti ka arritur kulmin. Mediokriteti gjithmonë arrin kulmin, në çdo kohë dhe në çdo vend. Kjo nuk është aspak dëshpëruese, është një realitet, kur shumica dërrmuese e krijimtarisë në të gjitha epokat ka qenë me vlerë të paktë ose të aspaktë. Ne e harrojmë këtë gjë, për fat të keq dhe kujtojmë në kohën e Dantes, kishte një Dante, por ju siguroj, ka pasur edhe nja dymijë shkrimtarë që shkruanin si Danteja dhe të tërë janë harruar. Edhe në kohën e Homerit që dikur këndonte me atë vegël të vogël muzikore, ka pasur nja pesëmijë, por janë harruar. Ajo që është letërsi pavlerë, si gjethet në vjeshtë. Mirëpo ne që jetojmë, na duket se në kohën tonë arti është pavlerë. Kështu ka qenë gjithmonë, sepse më vonë duket çka është vlerë që mbetet.Prandaj nuk duhet të na shqetësojë kjo gjë.

Disa herë duhet të na shqetësojë, ja p.sh., ç’ ndodh në Shqipëri e Kosovë, ku shumica botojnë duke paguar veprat e tyre, që s’ kanë asnjë vlerë dhe kjo e shton dozën e mediokritetit të zakonshëm, e bën dyfish, pra edhe kjo është sëmundje, është gabim p.sh., nëse prindërit botojnë vepër të fëmijëve dymbëdhjetë vjeçarë, kjo bën të degradohet vetë.

Bexhet Asani: Çmoni më shumë krijimet tuaja para nëntëdhjetës apo pas nëntëdhjetës?

Ismail Kadare: Nuk shoh ndryshim, kanë patur të njëjtën përhapje. Unë i çmoj njëlloj.Rendi politik nuk luan rol në krijimtarinë letrare, krijimtaria është përfillëse ndaj rendit politik.

Nga ky takim siç vërehej edhe në fytyrën e lodhur të Ismail Kadaresë, nga rruga dhe takimet që kishte pasur me studentët në Tetovë, doli mjaft i kënaqur. Në fjalën përfundimtare tha:

– Ju faleminderojë për këtë bisedë kaq të ngrohtë, për praninë tuaj kaq miqësore, kaq të mençur. Më prek shumë interesimi juaj për letërsinë, kulturën, për fatin e popullit shqiptar. Të ndodhesh në mesin e bashkëkombasve të tu me të cilët merresh vesh kaq mirë.

Struga për Isamil Kadarenë është një simpati e vjetër dhe një simpati e re.

Filed Under: ESSE

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 64
  • 65
  • 66
  • 67
  • 68
  • …
  • 609
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Punë hajnash-punë krajlash” dhe mendtarë që heshtin
  • MBRETI ZOG (1933) : “BASHKIMI I KOSOVËS ME SHQIPËRINË, NJË DËSHIRË E MADHE PËR TË CILËN NUK DO TË KURSEJMË ASNJË PËRPJEKJE PËR TA REALIZUAR…”
  • Perspective of a Trauma Surgeon and Former Health Minister of Health of Kosova
  • “I huaji”
  • JO NE EMRIN TIM!
  • Krimi kundër njerëzimit në Reçak dhe lufta e narrativave
  • Fitoi Çmimin e Madh në Saint-Saëns International Music Competition, Prof. Ina Kosturi: “Shpaloseni talentin shqiptar nëpër botë e na bëni krenarë”
  • “Ëndrra Amerikane” në Washington DC
  • Potret kushtuar guximtarit të përndjekur Qemal Agaj
  • Shqipëria Nuk Ka Nevojë të Bëhet Singapor — Ka Nevojë të Bëhet Baltike
  • “PRIJATARËT E LAVDISË” – POEZI NGA VALBONA AHMETI
  • Gjuhën shqipe nuk e humb Norvegjia, e humbim ne në shtëpi
  • Një letër – Dy intelektualë – Tri dekada më vonë
  • Propaganda…
  • 𝐃𝐢𝐩𝐥𝐨𝐦𝐚𝐜𝐢𝐚 𝐞 𝐒𝐞𝐧𝐭𝐢𝐦𝐞𝐧𝐭𝐞𝐯𝐞 𝐌𝐢𝐝𝐢𝐬 𝐊𝐨𝐦𝐛𝐞𝐯𝐞: 𝐑𝐢𝐤𝐭𝐡𝐢𝐦𝐢 𝐢 𝐍𝐣𝐞𝐫𝐞̈𝐳𝐢𝐦𝐢𝐭 𝐧𝐞̈ 𝐧𝐣𝐞̈ 𝐁𝐨𝐭𝐞̈ 𝐊𝐨𝐧𝐟𝐥𝐢𝐤𝐭𝐮𝐚𝐥𝐞

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT