Nga CLAUDIO MAGRIS/
Kam qënë një lexues i parakohshëm dhe I pasionuar librash, më shumë se sa autorësh. Besoj se në fillim nuk mendonja se do të kishte nevojë për një autor. Ishte Historia që mbanja në dorë duke shfletuar fletët. Pak shkrimtarë si Ismail Kadare bëjnë të preket me dorë madhështia e Treguesit, të dallohet qartë nga të tjerët edhe në pak shprehje.
Gjithësia e Kadaresë, e jetuar dhe veçanërisht e rikrijuar prej tij në të treguar, është Ballkani me kufijtë e tij lëndorë e qenësorë, pambarimisht të zhvendosur, të rrëzuar e të rindërtuar. Një histori e jetuar si legjendë, por mbi të gjitha si neshtrashë njerëzore. Ballkani është edhe një litani e cila, simbas një shprehjeje të famshme të Churchill-it, prodhon më shumë histori se sa mund të gëlltisë e që herë herë shkatërron më shumë se sa mund të krijojë. Në erën e Historisë është pluhuri që ai shpërndan por që i mbetet i ngjitur mbi trup. Për shëmbull, Panonia a është ballkanike? Serbo-kroatishtja është një gjuhë që deri jo shumë vite më parë dëshërohej e duhej besuar si e tillë, apo tregon dy gjuhë më shumë të ndara se sa të bashkuara nga një vizë, që në disa çaste ka qënë e rëndë dhe e mprehtë?
Vepra letrare dhe vetë qenësia e Kadaresë janë edhe një përqëndrim kundërshtish ballkanike. Pushtimi shekullor ottoman i u kundërvu fesë sllave ortodokse dhe Kadareja ka treguar një botë në dritën e një kotësie të jetës e të historisë të shprehura nga kultura ottomane, e ka ngritur lart Skënderbeun, heroin kombëtar shqiptar e qëndrestar ndaj zotërimit ottoman. Ka paraqitur terrorin nazist e terrorin e kuq të Shtetit shqiptar, për të cilin asnjë diktaturë komuniste nuk ishte e ashpër sa duhej. Italia ka qënë për Shqipërinë mbretëria fashiste e Viktor Emanuelit të tretë, të treguar prej Kadaresë në një kryevepër si Gjenerali i ushtrisë së vdekur (1963); sot ka në Shqipëri një interes të gjallë për kulturën italiane, të dëshmuar për shembull nga Mimoza Hysa e nga shumë të tjerë apo të tjera.
Një gjetje e madhe e Kadaresë ka qënë të kuptuarit e totalitarizmit të nëntëqindës e të sotëm, si një sulm në rritje kundër demokracisw e që përparon. Është matur me këtë kthim mbrapa iliberal dhe kundërdemokratik – Pallati i ëndrrave (1980); Syri i tiranit (1991) – duke treguar se ai kthim mbrapa përfshin edhe viktimat. Skllevërit që besojnë se janë të lumtur së qëni të tillë janë më të këqijtë. Kadareja ka kapur këtë mëkat mortor të historisë bashkëkohore.
Jam shumë i kënaqur që e kam njohur e besoj se jo pak njerëz do të ndjehen pak jetimë të një vëllai të madh. Vdekja, çfarëdo të thuhet nga shumë lajkatues të saj, nuk është një gjë e bukur.
“Corriere della Sera”, 2 korrik 2024 – Përktheu Eugjen Merlika