• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Drita

January 26, 2024 by s p

Astrit Lulushi/

Natyra ka ofruar një ligj që ushtrohet i barabartë mbi çdo gjë dhe qenie në tokë e në qiell. Këtu përfshihen drita dhe njeriu. Edhe po ta matim kohën e saj me jetëgjatësinë e vet, drita është e pashuar. Është një lloj rrezatimi elektromagnetik që udhëton nëpër hapësirë ​​me një shpejtësi konstante prej rreth 300 milionë metra në sekondë. Ajo është në gjendje të udhëtojë nëpër vakum, që do të thotë se ndryshe nga qeniet e gjalla, nuk ka nevojë për një medium (si ajri ose uji) për t’u përhapur.

Drita nuk zbehet me kalimin e kohës, as nga fortuna dhe era, por mund të shpërndahet ose përthithet ndryshe nga materia, gjë që mund të zvogëlojë intensitetin ose të ndryshojë drejtimin e saj të udhëtimit.

Për shembull, drita nga një yll që është miliarda vite dritë larg nga Toka mund të dobësohet nga pluhuri dhe gazi në hapësirën ndëryjore, dhe gjithashtu mund të ndikohet nga fushat gravitacionale të objekteve qiellore si planetët dhe galaktikat.

Megjithatë, edhe nëse drita absorbohet ose shpërndahet, ajo nuk zhduket. Në vend të kësaj, ajo shndërrohet në forma të tjera të energjisë, të tilla si nxehtësia ose energjia kinetike. Në këtë kuptim, drita mund të thuhet se është e përjetshme, në kuptimin se nuk mund të shkatërrohet kurrë plotësisht, por mund të ndryshojë formë dhe të shndërrohet në lloje të tjera energjie.

Edhe dija, si drita, kur fitohet në mendje, mund të dobêsohet, ndonjëherë si qiriut edhe devijon, por përfundimish ndriçon, dhe e zgjon njeriun nga gjumi. Ajo i ngjan çdo qenie në tokë, që nuk vdes, por transformohet. Ashtu si njeriu, ose bimësia që rikthehet në fidanë, apo si zjarri që shkrin gjithë borën përreth.

Filed Under: ESSE

ANA TJETËR E MEDALJES

January 25, 2024 by s p

Jerida Kulla/

Në sofrën e madhe të arsimit ka vend për të gjithë ata që punojnë në heshtje, me thjeshtësi e përkushtim.

24 janar, Dita ndërkombëtare e arsimit – Arsimi, një e drejtë ndërkombëtare për të gjithë fëmijët anë e kënd botës. Në këtë ditë të shënuar, plasi facebboku nga “fjalët e bukura” dhe nga lëvdatat, duke ngritur në piedestal arsimin!

Në emër të kësaj dite dhe të arsimit, po rrihen gjokset se kush e kush të ngrejë lart punën e tij/saj, përkushtimin e tij/saj. Po ku jemi ne në raport me këtë ditë, në raport me peshën që mbart arsimi?!

Ne jemi nga fundi.

Nuk dua të shumëzoj me zero punën që është bërë e bëhet për arsimin, se po të mos ishte bërë punë, nuk do të kishim kuadro dhe edukatorë të përkushtuar që kanë dhënë gjithçka për të.

Në sofrën e madhe të arsimit ka vend për të gjithë ata që punojnë në heshtje, me thjeshtësi e përkushtim, ashtu si ka thënë edhe Kadareja “të thjeshtat deri në madhështi”.

Qëndrojnë larg kamerave e televizioneve, larg atyre që rrahin gjoksin, sikur kanë shpikur “alfabetin”. Madje edhe nëse ndonjë prej tyre, rastësisht u përmendet emri për punën e bërë, “madhështorët” hidhërohen, se nuk dolën dot këtë radhë në televizion, madje mundohen të rrëmojnë, sa shpikin lloj-lloj historish…

Do thoni ju, se ç’na duhen këto?!

Vërtet, nuk kanë ç’ju duhen.

Po janë pikërisht, këta “madhështorët”, që në fakt, me fudullëkun e tyre se dinë gjithçka, po pengojnë zhvillimin dhe përhapjen e dijes, te ata që kanë vërtetë nevojë, po u vënë shkopinj nën rrota atyre që punojnë, se po të përmenden punëtorët, mbetet në hije “madhështia” e tyre.

Më duket se u zgjata me këto gjëra.

Po mundohem të flas më shkoqur, siç thotë populli.

Arsimi shqiptar nuk është aty ku duhet të jetë, si brenda, ashtu edhe jashtë. Nëse do të kesh arsim cilësor, investo te mësuesit, te kualifikimet e tyre; krijo tekste cilësore, jo copy-paste të literaturave të viteve të shkuara, që u ka ikur moda në vendet ku kanë qenë dhe ne i marrim dhe i stërmundojmë nxënësit dhe mësuesit, me tekste bajate, me gabime konceptuale e drejtshkrimore.

Fatkeqësisht, edhe pse në kopertinë e paskopertinë të librave është një grup pune, i ngritur për këtë tekst, libri ka jo një qerre me gabime, po një karvan. Çfarë ka bërë ky grup pune? Nuk i kanë parë këto gabime?

Në fakt, teksti mësimor sot është kthyer në biznes, pa i kushtuar rëndësi cilësisë dhe asaj që duhet të mësohet nga nxënësit.

Nëse për krijimin e një teksti mësimor, do të merrej mendimi i mësuesve që i kalojnë temat e mësimit, që e dinë se ku duhet të theksohet më shumë koncepti dhe se si mund të shtrohen konceptet, që të jenë të kuptueshme për të gjitha nivelet e nxënësve, do të rritej cilësia e arsimit dhe prindi nuk do të nxjerrë në faqet e facebook-ut se si bëhen këto ushtrimet e djalit/vajzës, në klasë të tretë…

Mësuesit e ngrenë zërin e tyre, kuptohet ata mësues që u dhemb në shpirt që nxënësi mbaron nëntëvjeçaren dhe nuk di të shkruajë saktë emrin e tij.

Ua kanë marrë frymën mësuesve me shkresa e dokumente, me regjistra elektronikë, me fletore-regjistër, me lloj-lloj letrash, sa në fund të ditës mësuesi thonë me vete: “O si nuk kam një grusht të fortë!”

Të mos flasim për komunikimin e pasdites në rrjete sociale, whatuup, viber, ku duhet të raportohet te drejtori për shumë “gjëra të rëndësishme”… Dhe ikën dita dhe mësuesi është i rraskapitur, sa nuk ka kohë të merret as me fëmijët e tij.

Kështu që nuk mund të flasim për punë kërkimore apo shkencore që duhet të bëjë vetë mësuesi për të rritur nivelin e tij pedagogjik.

Ku të ankohet mësuesi?

Askush nuk e dëgjon. Sindikatë që ta mbrojë, nuk ka. Kështu që i mbetet të heshtë e të kërruset mbi letrat, si personazh i Kafkës e të tërheqë zvarrë peshën e burokracirave, se edhe ai ka familje, ka fëmijë që kërkon t’i shkollojë.

Po në Diasporë, si është situata?

Në përgjithësi, në vende si: Zvicra, Gjermania, Anglia, Suedia etj, mësimi i gjuhës shqipe dhe i kulturës shqiptare është në rrugë të mbarë.

Në Greqi? Ah Greqia!

Gjithmonë mësuesit e Greqisë janë jetimë, me dekada punojnë vullnetarisht, nën presione e vështirësi të shumta.

Ku është shteti ynë, që t’u japë zgjidhje problemeve që ngrenë mësuesit, mjediset ku do të zhvillohet mësimi dhe pagesa e tyre?! Ku është?!

Ju, të dashur lexues, për sa kohë do të punoni falas?

Misioni ynë, dhënia e gjuhës shqipe dhe kulturës shqiptare, me të vërtetë është i shenjtë. Kur kam qenë në Shqipëri, edhe pse e kam dhënë dhe e jap me pasion gjuhën shqipe, nuk e kam ndier këtë shenjtëri.

Në 7 vite e gjysmë emigracion, punë vullnetare, e ndiej dhe më vjen keq që jemi në këtë gjendje.

Kjo është ana tjetër e medaljes, jo ajo e bukura, me ngjyra, që serviret në facebook.

Të përpiqemi të jemi sa më bashkëpunues, bashkëveprues, që aty ku është e mundur, të përmirësohet procesi i mësimdhënies etj.

Në këtë aspekt, shumë bukur mund të shfrytëzohen përvojat që kanë dhënë rezultate pozitive në vende, si: Gjermania, Zvicra etj.

Mund të përshtatet përvoja e mësimdhënies në këto vende, bashkëpunimi që ka vendosur qeveria e Kosovës me vendet pritëse, se si është ndërtuar sistemi i mësimit plotësues të gjuhës shqipe, ku ka shqiptarë në këto vende; si janë marrëdhëniet e shtetit të Kosovës me këto vende.

Mbase mund të gjendjet një zgjidhje, që këto përvoja mund të përshtaten në Greqi.

Filed Under: ESSE

MAGJEPSJE DHE FRIKË

January 23, 2024 by s p

Dom Gjergj Meta/

Universi, në një natë me qiell të pastër dhe një det i qetë i paskaj, sa më magjepsin, aq edhe më frikësojnë.

Ndërsa pohoj këtë gjë, më vijnë ndërmend leksionet rreth fascinosum et tremendum lidhur me Qenien apo Zotin, në lëndën e Metafizikës. Për shembull, kundrimi i një qielli plot me yje apo pamjet nga teleskopët gjigandë të NASA-s, shkaktojnë brenda meje këtë përzierje ndjesish magjepsjeje dhe frike.

Nuk e di për ç’arsye konkrete, por ndjenja ime religjioze ka nisur disi e lidhur me vdekjen dhe me pafundësinë e gjithësisë apo thënë më mirë, me mbijetesën e saj ndaj vdekjes sime. Ndieja gati-gati një lloj xhelozie që gjithësia do t’i mbijetonte vdekjes sime.

Hera e parë që jam përballur me infinitin, ka qenë në orën e Matematikës. Aty e kam mësuar edhe simbolin e tij “♾️”. Në vitin 1994, kam qenë i shtruar në një prej spitaleve të Barit. Një mjek, i cili punonte atje, më pati thënë se çdo sëmundje, qoftë e lehtë, qoftë e rëndë, ka një pafundësi mundësish, pasi ndërmjet 0-s dhe 1-shit gjenden një infinit numrash dhe po ashtu nga 0-ja fillon një infinit numrash.

Nuk e di nëse ky infinit është real apo ka të bëjë me pamundësinë e njeriut për të imagjinuar a vërtetuar më përtej, por mua më bëhet gjithnjë e më i vështirë imagjinimi i infinitit. Aq i vështirë sa është njëherazi magjepsës dhe i frikshëm.

Cila mbizotëron mbi tjetrën? Nëse mbizotëron magjepsja, lind guximi deri në marri. Kështu pyesja veten dhe përballë një deti të qetë (edhe deti e jep këtë efekt pafundësie). Kur isha adoleshent, nganjëherë shkoja e zhytesha në det qysh në orën 6 të mëngjesit dhe notoja me epsh a thua se doja t’i dilja në fund e ta zotëroja infinitin që më shfaqej para syve. Lodhja e gjymtyrëve, të cilat përplaseshin me ujin duke e çarë drejt thellësisë, shenjonte edhe trajtat e para të frikës. Magjepsja më thoshte: “Vazhdo edhe pak!”, kurse frika më pëshpëriste ngadalë: “Ndalu e kthehu!” Derisa një ditë u deshën krahët e fuqishëm të një shokut tim më të madh, që të më shpëtonin nga mbytja. Aty njoha limitin dhe në ditët në vazhdim nuk shkoja më tej tij.

E megjithatë, limiti nuk e kishte fshirë as magjepsjen, as frikën. Por ai u bë një udhërrëfyes i mirë në shtigjet e infinitit, një lloj Virgjili në botën e Hadës, madje edhe në ëndrra, të cilat për vetë natyrën e tyre nuk kanë një nisje e as një mbarim ose të paktën ne nuk i kujtojmë ata.

Kur në kapërcyell të shekullit XIX, Freud-i zbuloi pandërgjegjen, element i së cilës janë edhe ëndrrat, njeriu preku një univers tjetër, magjepsës dhe të frikshëm njëherësh, të cilin, vetë zbuluesi i tij, e krahasonte me një ajsberg të ndarë në tri pjesë: Ego, Superego dhe Idi. Në ato vite, anija “Titanic”, simboli i një krenarie gati të pathyeshme detare, u fundos në oqean nga përplasja me një ajsberg.

Ai ajsberg u bë limiti i krenarisë njerëzore, racionale, shkencore dhe shpikëse. Këto të fundit u mbytën nga një ajsberg, sikurse strategu i madh, Pirro, nga një vazo me lule.

Filed Under: ESSE

Dëshironi të provoni agjërimin me ndërprerje. Ja si ta bëni atë

January 20, 2024 by s p

person taking a bite of a sandwich

Rafael Floqi

Foto nga Gardie Design & Social Media Marketing nëpërmjet Unsplash

Ushqimi juaj mund të shijojë edhe më mirë nëse keni pritur një ditë për ta ngrënë atë.

Kontrolloni çdo përmbledhje të fundit të dietave të njohura dhe me siguri do të shihni agjërimin me ndërprerje (Intermitent Fasting) në listë. Ashtu si çdo program për humbje peshe, ky – i cili kërkon periudha të gjata kohore pa ushqim të kufizuar – nuk është një zgjidhje e shpejtë. Por sipas ekspertëve të të ushqyerit, mund të jetë efektive nëse funksionon për ju.

Së pari, një mohim: ndërsa studimet në minj dhe minjtë tregojnë një mori përfitimesh shëndetësore – duke përfshirë humbjen e peshës – nga agjërimi me ndërprerje, ka më pak kërkime nëse të njëjtat përfitime vlejnë edhe për njerëzit. “Në këtë pikë, grupi që kemi më shumë kërkime jashtë kafshëve janë njerëzit që janë mbipeshë ose obezë, jo aq shumë te njerëzit me peshë të shëndetshme,” thotë Colleen Tewksbury, një studiuese e lartë kërkimore dhe menaxhere e programit bariatriks në Penn Medicine

Dhe ndërsa studimet njerëzore tregojnë se agjërimi me ndërprerje ndoshta mund t’i ndihmojë njerëzit të humbin peshë, ai nuk është më efektiv se dietat e tjera që kufizojnë sasinë e kalorive që një person ha në një ditë. Megjithatë, ka tendencë të jetë pak më pak kufizuese se disa metoda dhe ndoshta nuk do të shkaktojë ndonjë dëm, thotë Kelsey Gabel, asistent profesor klinik dhe postdoktoratures në Universitetin e Illinoit në Çikago. “Duket se programet janë të sigurta,” thotë ajo.

Disa njerëz, si atletët që bëjnë nivele të larta të aktivitetit fizik, duhet të jenë më të kujdesshëm me agjërimin me ndërprerje, megjithatë, thotë Tewksbury. Gjithashtu nuk rekomandohet për adoleshentët, personat mbi moshën 65 vjeç, ose këdo që shërohet nga ushqimi i çrregullt, qoftë anoreksia apo ngrënia e tepërt. Njerëzit me diabet mund të praktikojnë agjërimin me ndërprerje në mënyrë të sigurtë, por ata duhet të mbikëqyren nga një nutricionist ose profesionist mjekësor. Dhe si me çdo ndryshim diete në përgjithësi, është mirë të kërkoni këshilla profesionale, thotë ajo.

Me këtë këshillë në mendje, fillimi i agjërimit me ndërprerje do të thotë të zgjedhësh një metodë. 

Më e mira, thotë Gabel, është strategjia që mendoni se do të përshtatet më së miri në jetën tuaj – kështu që do t’i përmbaheni asaj. “Ju gjithashtu duhet të vazhdoni të mendoni për të bërë zgjedhje të shëndetshme kur jeni duke ngrënë,” thotë ajo. “Gjërat që ju bëjnë më të suksesshëm janë gjërat që përfitojnë gjithsesi: ushqimet me më shumë fibra, fruta dhe perime, pirja e shumtë e ujit, ushqime të pasura me proteina dhe yndyrna të shëndetshme.”

Ka disa mënyra për të praktikuar agjërimin me ndërprerje – këto janë më të njohurat:

____________________________________

Agjërimi me Ditë Alternative

Agjërimi i ditëve alternative është metoda më kufizuese, pasi përfshin një agjërim absolut – abstenim tërësisht nga ushqimi – çdo ditë tjetër. “Janë të paktën plot 24 orë pa ngrënë”, thotë Tewskbury. Megjithatë, duhet të pini ujë në ditët e agjërimit, dhe shumë njerëz hidratohen edhe me pije pa kalori, si çaji, gjatë agjërimit.

Agjërimi i modifikuar

Agjërimi i modifikuar përfshin të hani disa ushqime në ditët e agjërimit, por drastikisht më pak se sa do të hani në një ditë normale. Në ditët e agjërimit, njerëzit hanë rreth 25 për qind të kalorive që u nevojiten zakonisht, kështu që dikush që konsumon normalisht 2000 kalori do të hante 500 gjatë agjërimit të tyre.

Me këtë strategji, nuk ka një orar të caktuar për ditët e agjërimit. Ju mund të dëshironi të agjëroni çdo ditë tjetër, ose mund të filloni me programin popullor pesë-dhe-dy: pesë ditë normale të ngrënies, të ndjekura nga dy ditë agjërimi.

Ushqimi me kohë të kufizuar

Për të praktikuar ushqimin me kohë të kufizuar, duhet të hani vetëm brenda një periudhe kohe të caktuar gjatë ditës. Një metodë popullore përfshin agjërimin e plotë për 16 orë, pastaj ngrënien gjatë një periudhe 8-orëshe. “Ju mund të mbani një model normal të të ngrënit edhe kur jeni duke bërë një dritare të ushqyerjes 8-orëshe,” thotë Gabel. “Ju ende mund të përshtatni mëngjesin, drekën dhe darkën.”

Disa prova sugjerojnë se është më mirë të vendosni dritaren tuaj të ngrënies më herët gjatë ditës, por Gabel thotë se kjo mund të mos funksionojë për oraret e shumë njerëzve. “Në mënyrë anekdotike, njerëzit janë më aderues nëse janë në gjendje të hanë me familjet e tyre. Zhvendosja e dritares atje ku funksionon në jetën tuaj mund të jetë e dobishme.”

____________________________________

Çfarë duhet pasur kujdes

Nëse po praktikoni ndonjë formë të agjërimit me ndërprerje, është e rëndësishme të jeni në vëzhgim për shenjat që tregojnë se është bërë i pashëndetshëm, thotë Gabel. Flamujt e kuq mund të përfshijnë humbje të tepruar në peshë, veçanërisht nëse për fillim jeni me një peshë të shëndetshme. Dëgjojeni trupin tuaj, thotë ajo, dhe vini re se si ndihet: Nëse keni trullosje ose marramendje gjatë një agjërimi, kërkoni të hani ushqim të shëndetshëm.

Ndryshimet në aftwsitë njohëse janë gjithashtu një shkak për t’u shqetësuar. “Mund të jetë e vështirë të përqendrohesh dhe mund të ndihesh i mjegulluar, nëse nuk e bën këtë në një mënyrë të shëndetshme”, thotë Tewksbury.

Në përgjithësi, shumica e njerëzve marrin ushqimin që u nevojitet gjatë agjërimit me ndërprerje, thotë Tewskbury. “Nëse njerëzve u pëlqen dhe ata mund ta bëjnë atë në mënyrë të sigurtë, bëjeni për të.”

Filed Under: ESSE

Përkujtohet Isa Boletini, atdhetar i shquar e strategu i lëvizjes për çlirim e bashkim kombëtar

January 15, 2024 by s p

Edlira Ruzi/

TIRANË, 15 janar/ATSH/ Më 15 janar 1864, lindi atdhetari Isa Boletini. Shqipëria e pavarur ishte kryefjala e jetës së tij. Udhëhoqi qendresën antiosmane, së bashku me Ismail Qemalin, Hasan Prishtinën, Bajram Currin etj. Pas përfundimit me sukses të kryengritjes, Porta e Lartë e Stambollit u detyrua të ulej në bisedime dhe të plotësonte kushtet e palës shqiptare, ku më kryesorja do të ishte shpallja e Pavarësisë Kombëtare më 28 nëntor.

Në ditën e Pavarësisë, u ndodh sërish përkrah plakut të urtë të Vlorës dhe mori pjesë aktive në organizimin e forcave të armatosura në mbrojtjen e Qeverisë së Përkohshme të Vlorës. Më 1913, si anëtar i delegacionit shqiptar, u nis drejt Londrës, ku kundërveproi ndaj vendimit të Fuqive të Mëdha për copëtimin territorial të vendit.

Jeta dhe vepra e këtij patrioti të përveçëm, që kontribuoi në hedhjen e gurthemeleve të shtetit të pavarur shqiptar, përfundoi më 23 janar 1916, kur Boletini mbeti i vrarë në përballje me trupat malazeze.

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave kujton sot shprehjen e njohur të Isa Boletinit: “Unë jam mirë kur asht mirë Shqypnia”.

Filed Under: ESSE

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 85
  • 86
  • 87
  • 88
  • 89
  • …
  • 607
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT