• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Një fije shprese, një fije shkrepëse…

November 6, 2023 by s p

Dr. Agim Z. Dobruna/

Kur isha në klasën e gjashtë, flitej gjithandej për ardhjen e një shkrimtari të ri e të madh shqiptar. Emri i tij ishte Ismail Kadare. U bëra kureshtar ta lexoja një libër të tij dhe i pari që e gjeta ishte “Dasma”. E lexova dhe nuk më pëlqeu fare! Në ndërkohë lavdërimet për të vazhdonin dhe unë bindesha që fajtor nuk ishte libri por papjekuria ime si lexues. Kështu e ruajta kureshtjen dhe më vonë hasa në një vepër të tij që nuk e kisha dëgjuar më parë. Më magjepsi që në titull: “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”! Ky titull, kjo lojë e fjalëve me kuptime thellësisht të kundërta, mu duk sikur ishte më e madhe se sa vet libri! “Gjenerali”, një fjalë që para nesh shfaqë figurën e fuqishme, autoritare, thuajse hyjnore, vihej përbri “ushtrisë së vdekur”, një fjalie që e rrënonte atë për toke, madje nëntokë. Përdorimi i antitezës është veçori e mjeshtërisë letrare që nga antikiteti. Shprehjet me kuptime të kundërta, si “heshtja është shurdhuese”, kanë vlerë të lartë artistike dhe mbahen lehtë në kujtesë. Këtë e kishte arritur Kadareja që në romanin e tij të parë.

Kaluan shumë vite deri sa hasa në një titull magjepsës e po aq të fuqishëm: “Një fije shprese, një fije shkrepëse”. Një ndarje e jetës nga vdekja për vetëm një fije.

Ky roman i shkrimtarit Ag Apolloni është kronikë lufte e dokumentuar deri në imtësi, pa folklorizëm e patetikë. Autori, njohës i mitologjisë, dramaturgjisë, rrëfyes i shkathët, mjeshtër i psikologjisë e karaktereve, monologut e dialogut, i pajisur me kulturë të përgjithshme e njohuri të historisë së popujve, nuk ka si të ndodhë ndryshe pos të ketë një të ardhme brilante.

Në libër Apolloni shkruan, ndër tjerash, për të përbashkëtën e popullit hebre me vuajtjet e popullit shqiptar. Përkundër dallimit kohor, ngjashmëria e krimeve serbe në Kosovë me Holokaustin është e frikshme. Në një rrëfim mbi këtë temë, rikujtohet takimi i Presidentit Klinton me nobelistin, humanistin, të mbijetuarin e kampit të përqendrimit Buhenvald, Eli Vizel, në kohën kur në Kosovë po kryhej gjenocid. Me kërkesën Presidentit Klinton, Vizel e bën një vizitë në një kamp të strehimit ku ai takon shumë refugjatë dhe dëgjon për krimet që bëjnë forcat serbe në Kosovë. Në një moment i ofrohet një të pashpresi dhe e pyet: “Çka po mendon?” “Çfarë rëndësie ka çka mendoj unë”, përgjigjet ai, “e rëndësishme është se çka mendon Amerika”! Vizel në raportin e tij, pos tjerash, kishte shkruar, “E quaj të patolerueshme egërsinë shtazarake të serbëve.”

Në libër, Bllaca përshkruhet si një skenë masive tmerri . “Në mëngjes me diell shihje avullin duke dalë nga trupat e lagur gjatë natës. Dukej si t’i shihje shpirtrat duke dalë nga ata trupa”.

Në një nga skenat tjera tragjike, autori e përshkruan hyrjen e dhunshme në shtëpinë e intelektualit dhe atdhetarit Esad Mekuli, mbi bazën e një hakmarrjeje, ku ndaj familjarëve u ushtruan tortura. Në atë shtëpi, mjekja, profesoresha Sahadete Mekuli ishte në një gjendje të rënduar shëndetësore nga skleroza. Megjithëkëtë, anëtarët e rrahur e të dërmuar të familjes e lakmonin atë për sëmurjen e saj sepse në atë gjendje ajo nuk e kuptonte seriozitetin e asaj që po ndodhte. Një skenë krejtësisht kafkiane.

Kryekrimineli i djeshëm, lideri i sotëm i Serbisë, publikisht kishte paralajmëruar se serbët në Bosnjë do t’i vrisnin 100 myslimanë për një serb të vrarë. Kjo u bë realitet në Srebrenicë dhe u përsërit në Mejë të Gjakovës. Tani 100 katolikë u vranë për një serb. “Dikush i kishte numëruar të shtrirët dhe kishte thënë se ishin 400 civilë. Pra, ishte plotësuar numri i hakmarrjes, për katër milicë të vrarë serbë 400 civilë shqiptarë”.

Asnjë zë nga lart, asnjë krismë nga mali

Nënës Pashkë, besimtare e devotshme katolike, iu zhdukën dy djemtë në luftë përkundër lutjeve ndaj Zotit për ta shpëtuar familjen e saj. Ajo u zotua të mos vdiste pa e kuptuar fatin e tyre. Kur pas katër vjetëve trupat e tyre u zbuluan dhe u rivarrosën, ajo iu drejtua përsëri Zotit me thirrjen: “O Zot që rri atje lart, mos e ke ftohtë?! (A po nerth?) Zbrit poshtë që të ngrohesh në flaket e mia!”—dhe i vuri zjarrin vetës me një fije shkrepëse. Kjo që kishte ndodhur në Korenicë të Gjakovës i ngjante një flijimi tjetër në Pragë të Çekisë. Studenti Jan Pallah i kishte vënë flakën vetes në shenjë proteste kundër pushtimit të Çekisë nga Bashkimi Sovjetik.

Tutje pyetjet vazhdojnë, “Kush është Zoti? Çka është Zoti? Zoti është ai që bën shfaqjen e nuk shfaqet kurrë!” Tragjeditë kolektive janë shuma e tragjedive individuale. Këto të fundit kanë ngjashmëri të frikshme, ani se në kohë dhe hapësira të ndryshme.

Nënë Ferdonija, së cilës ia rrëmbyen nga shtëpia burrin me katër djemtë e saj, është personifikimi i qindra mijëra nënave të Kosovës, ku nga 104 masakra u zhdukën 1,617 civilë. Në një nga rrëfimet më të jashtëzakonshme në libër përshkruhet një ëndërr e nënës Ferdonije disa vite pasi kishte përjetuar tragjedinë. Në atë ëndërr i biri i saj më i vogël i kërkon të luajnë kukafshehtas. Kur ajo i thotë se ai është i rritur për lojëra të tilla, se tashmë shokët e tij ishin martuar e kishin krijuar familje, i biri ia rikujton se ai është vetëm 14 vjeç, mosha kur e kishin rrëmbyer. Gjithçka rreth këtij tregimi përbën material për kineastët që të bëjnë histori filmike duke e ekranizuar atë. Nënë Ferdonija sensibilizoi botën për këto vuajtje dhe gjeti sadopak ngushëllim kur Ministria e Kulturës e shndërroi shtëpinë e saj në muze. Kështu, pavdekësinë kunderiane autori e ngriti në një shkallë më të lartë: në pavdekësi muzeore (apolloniane).

Libri ka një rrjedhë që imponon të lexohet me një frymë. Ai duhet të jetë i deponuar në çdo përfaqësi diplomatike e t’i dhurohet njerëzve të kulturës, politikës, artit e qarqeve intelektuale. Ai është i kuptueshëm këtu e në Zelandë, me një gjuhë universale të shkruar si për një seancë të OKB-së.

Në letërsinë shqipe ka ardhur një shkrimtar ndryshe.

Filed Under: ESSE

Nuk është fajtore pasqyra që dalim ashtu si jemi

November 3, 2023 by s p

Në vendet me traditë demokratike, zgjedhjet janë çështje normale e çdo mjedisi, ku qytetarët me votën e tyre shprehin vullnetin  për subjektin politik dhe individët të cilët ata i përfaqësojnë, duke dëshmuar mbeshtetje për pushtetin aktual, apo dënuar ate për mos realizimin  e premtimeve ndaj qytetarëve, që paraqet reflektim për të ndryshuar, sepse askush nuk është i përhershëm në skenën politike

Nail   Draga

Nga miratimi i pluralizmit edhe në vendet e ish kampit socialist janë organizuar zgjedhje në nivele të ndryshme ku ekziston një përvojë e mjaftueshme që mund të trajtohet jo vetëm nga aspekti i sociologjisë politike. Ne këtë aspekt edhe shqiptarët në hapësirën e tyre etnogjeografike kanë realizuar një numër të konsideruar zgjedhjesh duke dëshmuar kapacitetin e tyre politik  në mjedisin përkatës,  ku në këtë aspekt as shqiptarët në Mal të Zi nuk janë përjashtim. 

Dimensioni i dyfishtë i përfaqësuesëve të politikës

  Duke marrë parasysh se në plurarizëm zhvillohen zgjedhjet për të qeverisur si në nivelin lokal dhe atë shtetëror, çështje të veçantë paraqet përfaqësimi në pushtetet përkatëse. Në krahasim me kohën e monizmit në pluralizëm përbërja e pushtetit varet nga formimi i shumicës parlamentare. Pikërisht kemi të bëjmë me përgjegjësinë e subjektëve përkatëse për emërimin e kuadrove  sipas resorëve.  

  Edhe pse aty emërohen individë të profileve të ndryshme të tillët kanë dimension të dyfishtë, sepse ata  fillimisht përfaqësojnë  subjektin i cili i ka emëruar  dhe së dyti edhe vetën e tyre. Në saje të përvojës së deritashme del  së  në resorët  përkatëse, me përjashtime të rastit, nuk janë emëruar personat e qëlluar në aspektin profesional, nga del se kemi të bëjmë me përgjegjësinë  e subjektëve politike përkatësisht me keqpërdorimin e demokracisë pluraliste. 

Rastet e tilla dëshmojnë se kemi të bëjmë  më deformimin e parimeve  elementare sepse në vend që të vlerësohen vlerat profesionale e meritokracia, parësore janë përkatësia partiake, ku jo rrallë depërtojnë militantët dhe të dëgjueshmit të cilët janë bërë dukuri e kohës. 

Grupet e interesit

Pikërisht nga qasjet e tilla në partitë politike, të cilat ma tepër iu ngjajnë grupeve të interesit apo të klanëve të ndryshme në ato anëtaresohen individë të ndryshëm jo për shkaqe programore apo ideologjike, por për interesa e ambicie personale të cilat ua mundëson partia ti realizojë kur të vie në pushtet. Të tillët nuk vijnë aty për të dhënë kontributin në qeverisjen  e pushtetin lokal apo në qeverisjen qendrore, por për të realizuar interesat e veta  personale, familjare e pastaj ata partiake. Dhe në sajë të rasteve  të tilla del qartë   se nuk është fajtore pasqyra qe dalim ashtu si jemi.

Dualizmi i mendimit politik 

  Përvoja e deri tashme në pluralizëm dëshmon se nuk mund të jemi të kënaqur në lidhje me ekzistimin e mendimit kritik për dukuritë e ndryshme shoqërore e ato politike. Madje këtu duhet cekur se kemi të bëjmë me një dualizëm politik, sepse kemi të bëjmë  me partitë politike të cilat kanë qasje tjetër kur janë në opozitë e ndryshe kur janë në pushtet. Një qëndrim i tillë dëshmon se kemi të bëjmë me individë pa parime  me interesa të rastit dhe si të tillë  janë  të politizuar dhe të dëmshëm për shoqërinë por përfitues të rastit.

  Ndërsa një qëndrim i tillë nuk vlen për intelektualët në kuptimin e plotë të fjalës, sepse ata kanë  mendim kritik  të vazhdueshëm, për të prezantuar çështjet kontestuese shoqërore e politike  me argumente, e jo duke anuar sipas shijes së klaneve  apo preferencave të subjekteve në skenën  politike. 

  Nuk ka dilemë se për intelektualë të tillë  ka nevojë çdo mjedis, sepse mendimi kritik është në favor të avancimit të çështjeve shoqërore dhe politike. E kundërta ndodhë me intelektualët pasiv, përkatësisht oportunist, të cilët janë peng i vetvetes dhe i mjedisit  si rezultat i interesit personal apo klaneve të ndryshme, andaj të tillët do mbesin individë të amortizuar përkatësisht  anonimus pa autoritet shoqëror  në mjedisin ku punojnë e jetojnë.

Presioni publik përmes guximit intelektual

  Përfundimisht intelektuali nuk duhet të jetë spektator ndaj  devijimeve  shoqërore, por me guxim  duhet ngritur zërin, duke qenë shëmbull për të tjerët.  Ndërsa duke marrë parasysh mjedisin ku jeton duhet cekur se reagimi individual nuk ka peshën e duhur sikurse mund ta ketë përmes të një subjekti nga shoqëria civile, siç janë shoqatat e ndryshme si p.sh. të shkrimtarëve, artistëve, pedagogëve, sociologëve, gjuhëtarëve, arkitektëve, ekologëve, mediat etj. Qëndrimi  për mes një subjekti të tillë  nuk humb në vlerë, përkundrazi ka peshë të veçantë për të bërë presion publik për çështjet kontestuese shoqërore dhe si i tillë është më i pranueshëm në opinionin e gjërë. 

  Madje në saje të një qëndrimi të tillë do të dëshmohet se opinioni shoqëror  nuk duhet të mbes peng  vetëm nga përfaqësuesit e pushtetit apo të kumtesave të partive  politike që janë kryesisht nga opozita parlamentare.                       

Vetëm me qasje  konstruktive, në një ambient me kapacitet demokratik  mund të arrihet konsenzusi i cili është i domosdoshëm për avancimin e çështjeve preokupuese shoqërore për të tashmen dhe të ardhmen.

(Nëntor 2023)

Filed Under: ESSE Tagged With: Nail Draga

IZRAELI, PLOJA DHE BOTA PËR SË PRAPTHI

November 1, 2023 by s p

Nga PAOLO MIELI – “Corriere della Sera”, 24 tetor 2023  – Përktheu: Eugjen Merlika /

Deri tani goditjen më të ashpër Hamasit i a ka dhënë një gazetare e re arabe, Rasha Nabil, që duke e intervistuar tek Al Arabija, udhëheqësin e organizatës terroristike, Kaled Meshal, e ka vënë në vështirësi disa herë. Al Arabija – shemër e katariotes Al-Zhazira – është një stacion televiziv i themeluar në Emiratet arabe të bashkuar njëzet vite më parë, ka selinë në Dubai dhe gëzon financime saudite. Për të tjerat përgjigja e Izraelit atentatit shkandullues  të 7 tetorit ka qënë deri tani e paefektëshme, pak e kuptueshme dhe simbas çdo vështrimi, kundërprodhuese. Në gjithë botën – duke bërë përjashtim për pakica të vogla – është ngritur një valë e fuqishme kundërizraeliane e gjithënjë e më shumë kundërsemite me përmasa shqetësuese. Vala ka gjetur jehonë  deri tek kryet e Kombeve të Bashkuar ku sekretari i përgjithshëm Antonio Gutierres  – edhe se pa rënë në stereotipe kundër judaike  – mbas fjalëve të dënimit të sulmit të 7 tetorit, që mund të dukeshin të pasinqerta, e ka shpënë përgjegjësinë e ngjarjes në “pesëdhjetegjashtë vitet e pushtimit mbytës izraelian”. Një gjëmë. Fjalë të një nënkuptimi të pamohueshëm justifikues. Edhe se për tepri ngutjeje gaboi delegati izraelian duke kërkuar dorëheqjen e sekretarit të Kombeve të Bashkuar. Gutierres, në çdo rast, nuk është i vetëm. Veprimi fillestar i konfliktit të sotëm , më shumë se njëmijë banorët e therur, të djegur për së gjalli e, pjesërisht të rrëmbyer të Izraelit, ai veprim pothuajse është zhdukur nga gjithësia e komunikimeve. I është dashur t’i lëshojë vëndin “gjenocidit” të kryer kundër popullsisë së Gazës për të cilin hedh fjalën sekretari i OKB-së. Personalitete të mëdhenj të mbarë botës – edhe t’asaj perëndimore ndjekin “modelin Gutierres” dhe i përshtaten gjithënjë e më shumë kësaj mënyre të frikëshme të vështrimit të asaj që po ndodh në Izrael. Çdo shpresë e pakët i është besuar “ndërmjetësimeve” të Katarit (njëri ndër mbështetësit kryesorë të Hamasit), në sajë të të cilëve arrihet të kihet , pikë pikë  lirimi i ndonjë të burgosuri. Edhe në Izrael gazetat diskutojnë se kur do të vijë ora e dorëheqjes së Netaniahut – për disa ka kaluar – dhe përshkruajnë pa u vetëpërmbajtur ndasitë në brendësitë e ushtrisë. Tregojnë për drejtues politikë e ushtarakë, synimi kryesor i të cilëve është të mbeten jashtë kundërshtimeve dhe padive mbrapa, kur gjithshka të ketë mbaruar.

Por a do të vijë shpejt ajo mbrapa? Mund të them se është çështje ditësh, të ndonjë jave? Të na lejohet të dyshojmë. Çdo krahasim me luftërat e së shkuarës është i pasaktë. Në kuptimin që ato të peëdhjetë, gjashtëdhjetë viteve më parë(1956, 1967, 1973) qenë luftëra të një Shteti kudër Shteteve të tjera. E pjesërisht përsa i përket Libanit qe kështu. Por kundër organizatave terroriste – veçanërisht kur kanë dhënë prova se gëzojnë ndonjë miratim nga popullsia civile – çështja është krejtësisht e ndryshme. Që kur Sharoni “liroi” Gazën (2005) luftërat me Izraelin janë shumëzuar, e secila nga këto luftëra ka përfunduar në mënyrë të tillë që të mund të rifillonte pak kohë më mbrapa. Këtë tip ndeshjesh me terroristët mund të “fitohet” vetëm në mënyrën që Putini përdori në kohën e tij me Çeçeninë. Një terren mbi të cilin urojmë që asnjë drejtues i Izraelit të mos ketë ndërmënd të kuturiset.

Biden-i kur me guxim i ka kujtuar se si shkuan gjërat në Irak e kryesisht në Afganistan, ka provuar t’u a bërë t’a kuptojnë. Nuk është ajo rruga për t’u rrahur. Sulmi i zgjatur në Gaza, i shoqëruar me pamje të përditëshme pleqsh, grash e fëmijësh që tregojnë zitë e tyre, nuk “kompensohet” me lajmin që u godit ky apo ai drejtues i Hamasit, aspak. Me kohë do të jenë të shtrënguar të jenë të pranishëm në shtime tensioni dhe në mbërritjen e raketave edhe në pjesën tjetër të Izraelit, duke patur në sfond rivendikimin provokues nga ana e Iranit të regjisë së gjithshkaje që po ndodh.

Nuk vlen asgjë fakti që Hamasi nuk e ka aspak në zemër fatin e palestinezëve, që obietivi i shpallur në operacionin e filluar më 7 tetor është shkatërrimi i Shtetit të Izraelit. Evropa (për fat jo e gjitha) e veçon çdo ditë e më shumë Ursula von der Leyen që – siç ndodh tashmë për Ukrainën – duket se është nga të paktat që kupton atë që po ndodh në të vërtetë. Manifestimet armiqësore kundrejt hebrenjve si në Vitet Tridhjetë nuk bëjnë përshtypje. Bën përshtypje të jesh i pranishëm në shfaqjen e njerëzve që nuk derdhën asnjë pikë loti për vrasjen e të pafajshmëve në Mariupol, e tani shqyejnë rrobat për diçka – që deri tani – nuk mund të krahasohet as së largëti me atë që është parë në Ukrainë. 

Megjithatë , fakti që Rasha Nabil ka guxuar të sfidojë Kaled Meshalin na shtyn të shpresojmë se pëlhura e endur me Arabinë Saudite  nuk është çjerrur plotësisht. Që mbreti Abdullah II i Jordanisë nuk ka pranuar të takohet me Biden-in vetëm për oportunizëm. Që n’Egjypt Al Sizi të jetë ndoshta më i shqetësuar se Netaniahu për atë që po ndodh. Që Emiratet arabe të bashkuar janë duke vlerësuar me kujdes kuptimin e vërtetë të “ndërmjetësimit” të Katarit. Vite më parë në raste të tilla i drejtoheshim “islamit të moderuar”. Këtë herë – për ndershmëri kundrejt vetes sonë, nuk e kemi bërë atë thirrje. Megjithatë, ndoshta, kur bënte ato pyetje bezdisëse Meshalit, Rasha Nabil ishte e ndërgjegjëshme se kishte mbas shpatullave një botë, një botë më të madhe se sa ajo që mund të përfytyrojmë sot.

“Corriere della Sera”, 24 tetor 2023  – Përktheu: Eugjen Merlika  

Filed Under: ESSE Tagged With: Eugjen Melika

DR. ELEZ BIBERAJ, IKONA E GAZETARISË DHE FJALËS SË LIRË NË ZËRIN E AMERIKËS DEL NË PENSION

October 31, 2023 by s p

A person standing at a podium with a flag behind him

Description automatically generated with medium confidence

Nga Frank Shkreli 

Po mbyllet një kapitull i artë në historinë e gazetarisë së Zërit të Amerikës dhe një tjetër po rifillon në jetën private të një gazetari shqiptaro-amerikan, i mirënjohur tashmë për botën shqiptare dhe atë amerikane.  Dr. Elez Biberaj, ikona e gazetarisë amerikane dhe shqiptare — për 43 vjetë në Zërin e Amerikës – njoftoi të hënën se po del në pension.  Në një njoftim shpërndarë miqëve të vetë, Dr. Elez Biberaj thotë se ka njoftuar kolegët e tij në Zërin e Amerikës se pas një karriere 43-vjeçare, ka vendosur të dalë në pension në fund të këtij viti, më 31 dhjetor 2023. “Ka qënë privilegji dhe krenaria më e madhe e jetës time që kam patur fatin të punoj për një organizatë kaq të jashtëzakonshme mediatike. Do t’i jem përherë mirënjohës Zërit të Amerikës për mundësitë që më ka krijuar”, shkruan ndër të tjera, Dr. Biberaj në njoftimin e tij. Ja njoftimi i plotë: 

                                             ——————————

A close-up of a logo

Description automatically generated

                Mesazh Lamtumire me Rastin e Daljes në Pension 

                                              30 tetor 2023

Të nderuar miq dhe kolegë, 

            Kam kënaqësinë t’ju njoftoj, se pas një karriere 43 vjeçare me Zërin e Amerikës, kam vendosur të dalë në pension më 31 dhjetor 2023. Ka qënë privilegji dhe krenaria më e madhe e jetës time që kam patur fatin të punoj për një organizatë kaq të jashtëzakonshme mediatike. Do t’i jem përherë mirënjohës Zërit të Amerikës për mundësitë që më ka krijuar.

Misioni i Zërit të Amerikës dhe ruajtja e standarteve më të larta të gazetarisë kanë qënë në qendër të rrugëtimit tim profesional. Gjatë gjithë karrierës sime që shtrihet në mbi katër dekada, gjatë gjashtë administratave presidenciale dhe me mbi dhjetë drejtorë të Zërit të Amerikës, kam bërë përpjekjet maksimale për të mbajtur lart vlerat që e kanë bërë Zërin e Amerikës një nga organizatat mediatike më të njohura dhe të besueshme në botë. Unë kam patur privilegjin të punoj në role të ndryshme, nga gazetar radioje në Shërbimin Shqip (1980-1982), Analist për Çështjet Sovjetike dhe të Europës Lindore në Drejtorinë e Shtypit të USIA (Agjencia e Shteteve të Bashkuara për Informacionin) (1982-1986), Shef i Shërbimit Shqip (1986-2004), Kryeredaktor i Drejtorisë së Euroazisë (2004-2005), dhe së fundmi, që nga viti 2005, Drejtor i Drejtorisë së Euroazisë. Kam shërbyer gjithashtu si Drejtor i Përkohshëm i Zërit të Amerikës gjatë përiudhës qershor-dhjetor 2020.

Nuk mund të kisha shpresuar për një karrierë më shpërblyese nga ana intelektuale dhe profesionale. Zëri i Amerikës më krjoi mundësinë të ndjek nga afër disa nga ngjarjet më gjurmëlënëse botërore, që nga Lufta e Ftohtë, përmbysja e komunizmit dhe lindja e demokracisë në ish Bashkimin Sovjetik dhe Europën Lindore, luftrat ballkanike, integrimin e vendeve të Europës Lindore në institucionet Euro-Atlantike, kthimin e Rusisë në një sistem autoritar dhe së fundmi, agresionin e saj mizor ndaj Ukrainës. Ndihem krenar dhe i privilegjuar që kam punuar krahas shumë kolegëve të nderuar në përmbushjen e misionit fisnik të Zërit të Amerikës, transmetimin e lajmit dhe informacionit të vërtetë dhe objektiv për audiencën globale, përhapjen e vlerave demokratike dhe rrëfimin e historisë së pashembullt të Amerikës. Ndihem tejet krenar për arritjet tona të jashtëzakonshme.

Zhvillimet e fundit në botë, përhapja e dezinformimit dhe keqinformimit, cënimi i lirisë së shtypit, përparimi i shpejtë i teknologjisë, përdorimi gjithnjë e më i shpeshtë i inteligjencës artificiale, e kanë ndryshuar rrënjësisht peizazhin botëror të gazetarisë. Zëri i Amerikës vepron sot në një botë krejt të ndryshme, por misioni i përhapjes së lirisë dhe demokracisë, dhe fuqizimi i audiencës me lajme dhe informacione të vërteta, objektive dhe të balancuara, nuk ka qënë kurrë më jetik.

Me mirënjohje të thellë dua të falenderoj ekipin e përkushtuar e të palodhur në përmbushjen e misioit të Drejtorisë së Euroazisë. Drejtimi i një grupi të tillë të talentuar gazetarësh ka qënë një kënaqësi e veçantë. Po ashtu u jam mirënjohës miqve dhe kolegëve në sektorët e tjerë të Zërit të Amerikës për përkrahjen e palëkundur.

Falenderime të përzemërta kolegëve në postet e larta drejtuese dhe në të gjithë organizatën, të cilët punuan ngushtë me mua gjatë periudhës gjashtë-mujore kur shërbeva si Drejtor i Përkohshëm i Zërit të Amerikës në vitin 2020. Ishte një nder i veçantë të qënit në krye të Zërit të Amerikës gjatë një prej periudhave më të trazuara në historinë e tij. Ndihem shumë krenar, që përballë sulmeve të pandërprera dhe frontale ndaj integritetit të Zërit të Amerikës, ne arritëm të drejtonim me sukses në një labirinth jashtëzakonisht sfidues dhe të mbronim me forcë pavarësinë tonë editoriale. 

Më duhet ta pranoj, se edhe pas 43 vitesh të mrekullueshme, nuk është e lehtë t’i thuash lamtumirë Zërit të Amerikës. Por unë largohem me krenari të thellë dhe mirënjohje të pakufishme për punën e madhe që kemi bërë dhe jam i sigurtë, që ju do të vazhdoni të bëni. Zëri i Amerikës është bërë sot një organizatë mediatike shumë e efektshme dhe e shkathët, duke prodhuar gazetari të cilësisë së lartë. Shtrirja dhe ndikimi i Zërit të Amerikës nuk kanë qënë kurrë më të mëdha se sot. Dhe përsa kohë që të mbetet i angazhuar ndaj vlerës së tij themelore të nxitjes së lirisë e demokracisë dhe prodhimit të gazetarisë së pavarur të bazuar në fakte, Zëri i Amerikës do të vazhdojë të jetë burim shprese dhe një fener ndriçues i së vërtetës për miliona njerëz në mbarë botën.

Me respekt të thellë,

A black text on a white background

Description automatically generated

Dr. Elez Biberaj
Drejtor

Drejtoria e Euroazisë

Zëri i Amerikës

A person with a mustache and a mustache

Description automatically generated

                         Dr. Elez Biberaj, ikona e gazetarisë shqiptare dhe amerikane 

                                                 ———————————–

Me rastin e emrimit të Dr.Elez Biberaj në krye të Zërit të Amerikës, si Drejtor i Përgjithshëm në detyrë i VOA-s, portali amerikan i lajmeve, VOX është shprehur se “Z. Biberaj gëzon një reputacion shumë të mirë si një njeri serioz dhe profesionist i disiplinuar. Ai është dhënë me gjithë shpirt ndaj përhapjes së lirë të lajmeve dhe informacionit në vendet dhe kontinentet ku kjo liri u mohohet njerëzve”, thuhej në komentin e portalit amerikan të lajmeve VOX.

Por, përkushtimi i Elez Biberaj ndaj lirisë së fjalës shkoi përtej vendeve dhe kontinenteve ku mohohet përhapja e lirë e fjalës dhe lajmeve. Dr. Biberaj u dallua edhe këtu në Shtetet e Bashkuara për mbrojtjen e lirisë së fjalës, madje edhe aty mu në zemër të Zërit të Amerikës, gjatë periudhës  kur ka shërbyer si Drejtor i Përkohshëm i Zërit të Amerikës në vitin 2020. “Ishte një nder i veçantë të qënit në krye të Zërit të Amerikës gjatë një prej periudhave më të trazuara në historinë e tij. Ndihem shumë krenar, që përballë sulmeve të pandërprera dhe frontale ndaj integritetit të Zërit të Amerikës, ne arritëm të drejtonim me sukses në një labirinth jashtëzakonisht sfidues dhe të mbronim me forcë pavarësinë tonë editorial”, shkruan Elezi në njoftimin e shpërndarë për të njoftuar daljen në pension. Ishte kjo një periudhë e vështirë për Elezin si gazetar i karrierës dhe si mbështetës i flakët dhe i patundur i lirisë së fjalës – por edhe për Zërin e Amerikës si një ent mediatik me reputacion botëror.  Krenar për Elez Biberaj që me urtësi por edhe me trimëri, qendresë prej malësori dhe me besimin e tij të patundur në lirinë e fjalës dhe të shtypit të lirë që na garanton të gjithëve Kushtetuta amerikane — Elez Biberaj, si Drejtor i përgjithëshëm i VOA-s, në vitin 2020 u përball me sfidat që kishte përball dhe ia doli. Si përfundim, Zëri i Amerikës sot – në pavaraësinë e tij editoriale — është edhe më i fortë se kurrë më parë në historinë e tij krenare prej 80-vitesh ekzistencë.

Elez Biberaj ka doktoraturën (PHD) në Shkencat Politike nga Universiteti Columbia në Nju Jork dhe është autor i katër librave, përfshirë, “Shqipëria në Tranzicion: Rruga e Vështirë Drejt Demokracisë, 1990-2010.”  Ai ka doktoraturën (PHD) në Shkencat Politike nga Universiteti Columbia në Nju Jork dhe është autor i katër librave, përfshirë, “Shqipëria në Tranzicion: Rruga e Vështirë Drejt Demokracisë, 1990-2010”.

A close-up of a building

Description automatically generated

Kryeqendra e Zërit të Amerikës në Washington DC dhe “shtëpia” e dytë e Elez Biberajt për 43-vite – prej këtu kumbonte zëri i Elez Biberaj drejtuar trojeve shqiptare

Dr. Biberaj njihet si ekspert në fushën e transmetimeve radio-televizive ndërkombëtare, gazetar i shquar, autor librash dhe artikujsh të shumtë akademikë në median e shkruar amerikane, ndër të tjera fushë edhe si njohës i mirë i çështjeve të Ballkanit, Shqipërisë, Kosovës dhe Rusisë.  Gjatë karrierës së tij të gjatë, Dr. Biberaj ka vizituar shpesh shtetet dhe zonat ku fliten gjuhët në të cilat transmeton Zëri i Amerikës programet e veta, veçanërisht në Evropë, Rusi e gjetkë.  Si njëri prej “vëzhguesve dhe analistëve më të respektuar të botës për zhvillimet e periudhës komuniste dhe paskomuniste në Shqipëri dhe në Kosovë.”, siç e ka cilësuar atë miku ynë i përbashkët Profesor Nikola Pano, dhe si eskpert i njohur gjatë karrierës së tij në Washington, Dr. Biberaj është ftuar shpesh për të folur nga pikëpamja e një eksperti — për situatat në zonën e Euro-Azisë, në Ballkanin Perëndimor dhe mbi Rusinë – qoftë nga ente të ndryshme të qeverisë federale amerikane, qoftë nga organizata mediatike, jo-qeveritare dhe akademike. Përveç posteve të tjera me rëndësi, me emërimin e tij në postin e Drejtorit të Përgjithshëm në detyrë të Zërit të Amerikës, Dr. Biberaj ka arritur – kulmin e karrierës së tij të shkëlqyer, një sukses ky për të cilin ai vet dhe familja e tij janë krenarë, por edhe të gjithë ne që e njohim dhe punuam me të, përfshir edhe autorin e këtyre rreshtave modestë – si një shok i ngushtë, mik i familjes dhe bashkpuntorë i pa ndarë në rrugëtimin e përbashkët e të gjatë prej gjysëm shekulli në përpjekjet për liri e

demokraci, jo vetëm në trojet tona shqiptare, por edhe anë e mbanë botës. Kur Zotit Biberaj i qe besuar një përgjegjësi e madhe nga ana e qeverisë së Shteteve të Bashkuara në vitin 2020, duke e njohur shumë mirë Elez Biberajn,  aftësitë, përgatitjen, përvojën dhe përkushtimin e tij ndaj VOA-s, kushtimit të tij ndaj së Vërtetës–respektit të tij për dëgjuesit, shikuesit, lexuesit si dhe ndaj misionit të Zërit të Amerikës.  Mision ky i përcaktuar me ligj nga Kongresi Amerikan, për të raportuar të Vërtetën anë e mbanë botës, në kohë të mira dhe në kohë të vështira.  Qofshin lajme të mira ose të këqia — do tu themi të vërtetën — ishte dhe mbnetet motoja e VOA-s, ç’prej fillimit. Një moto të cilën Z. Biberaj e ka zbatuar me përpikëmëri të një profesionisti të rrallë në gazetarinë shqiptare dhe amerikane. Me atë rast, isha shprehur në një shkrim se, “Unë jam i bindur se autoritetet amerikane, nuk mund të kishin gjetur njeri më të përshtatshëm, më të përsosur, më të aftë dhe më të zotin për këtë detyrë që i kanë besuar, sidomos në këtë kohë dhe nën këto rrethana në këtë vend dhe në botë”, se Dr. Elez Biberaj”. 

Nepërmjet misionit të Zërit të Amerikës ndaj të së Vërtetës, lirisë, demokracisë dhe të drejtave bazë të njeriut, Dr Elez Biberaj ia kushtoi 43 vite të jetës së tij në shërbim të lirisë së shtypit. Në çdo fushë veprimi, Dr. Elez Biberaj dhe familja e tij dallohen për dashurinë për Shqipërinë, e sidomos për Kosovën dhe për shqiptarët kudo, por ata dallohen gjithashtu edhe për dashurinë ndaj vendit që i ka marrë në strehim – Shtetet e Bashkuara të Amerikës – në Amerikën tonë të dashur ku të gjithë ne gjetëm demokracinë dhe lirinë që kërkonim, realizimin e vërtetë të “ëndrrës amerikane” dhe mundësitë për të shkuar përpara, në fushë-veprimet e preferuara tona si shqiptarë dhe shqiptaro-amerikanë.

Për veprimtarinë e tij shembullore pranë Zërit të Amerikës gjatë dekadave, Dr. Elez Biberaj është dekoruar dhe shpërblyer nga Zëri i Amerikës si dhe nga Tirana dhe Prishtina zyrtare për punën e tij në mbështetje të demokratizimit të Shqipërisë, e sidomos për përpjekjet e tija historike për sigurimin e të drejtave të shqiptarëve të Kosovës, përpjekjet këto që më në fund çuan në çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës. Dr. Biberaj ka luajtur një një rol të veçant ndër vite dhe është dalluar për  punën e tij të palodhshme në forcimin e marrëdhënieve midis Shteteve të Bashkuara dhe Kombit shqiptar.  Elez Biberaj i ka pranuar gjithmonë me përvujtëni shpërblimet dhe dekoratat e ndryshme gjatë viteve, duke falënderuar gjithmonë bashkpuntorët e tij për suksesin që të gjithë së bashku kanë arritur gjatë viteve. Mbi të gjitha, ai është treguar mirënjohës ndaj Zërit të Amerikës që i ka ofruar mundësinë të arrijë nivelet më të larta të këti enti mediatik me famë botërore, si “Një bir i denjë i Shqipërisë”, siç e pat cilësuar me një rast Elezin, ish-Drejtori i Përgjithëshëm i VOA’s, Z. David Ensor.  

Elezit, kolegut dhe mikut tim të ngushtë prej 5-dekadash, me të cilin kam patur nderin dhe privilegjin të punoja dhe të bashkpunoja gjatë viteve, në kohë të mira e në periudha të vështira — – i uroj pensionim të mbarë.  Vetëm mbaje mend mik e koleg i dashur: Në këtë jetë nuk ka as fillime as mbarime, por ka tranzicione — nga një kapitul i jetës në tjetrin, nga një mision të jetës në tjetrin. Misioni nuk ka mbaruar. REMEMBER: THE MISSION GOES ON, MY FRIEND!  

Frank Shkreli

ELEZ BIBERAJ EMËROHET DREJTOR I PËRGJITHËSHËM I ZËRIT TË AMERIKËS ...

Dr. Elez Biberaj në zyrën e tij në Washington –si Drejtor për Euro-Azinë

Dr. Elez Biberaj – Nderi i Tropojës – Gjithmonë krenar për vendlindjen dhe Atdheun e të parëve

A couple of men sitting in a chair

Description automatically generated

Autori me Dr Elez Biberaj, ikonën e gazetarisë shqiptare dhe më gjërë, gjatë viteve të shërbimit tonë të përbashkët në Zërin e Amerikës. Foto në zyrën e Shërbimit shqip të Zërit të Amerikës, në mesin e viteve të 1990-ave.

                A person shaking hands with another person

Description automatically generated Me kolegun dhe mikun tim të ngushtë prej më shumë se gjysëm shekulli, Drejtorin e VOA-s për Euro-Azinë, Dr. Elez Biberaj, gjithmonë kënaqësi për të kujtuar vitet më të mira të jetës tonë dhe veprimtarisë profesionale në Zërin e Amerikës. Foto (Prill, 2023) në Zërin e Amerikës, para njoftimit të daljes në pension nga Elez Biberaj.

                         A microphone with a sign

Description automatically generated Mikrofoni i Zërit të Amerikës – simboli i fjalës së lirë për 8 dekada – 43 vite prej të cilave ia ka kushtuar edhe Elez Biberaj: lirisë së fjalës, mbrojtjes së të drejtave të njeriut, dinjitetit njerëzor, lirisë dhe demokracisë. Dikur nepërmjet valëve radiofonike të Zërit të Amerikës e deri më sot me mënyrat më moderne digjitale të shpërndarjes së informacionit të lirë, përfshirë TV, për vendet dhe kontinentet ku gazetaria e lirë shkelet dhe abuzohet nga autokratët dhe diktatorët e kësaj bote të shekullit XXI.

Filed Under: ESSE

DURRËSI NË DY VEPRIMTARI 

October 31, 2023 by s p

Kadri Tarelli/

Art dhe letërsi bashkë

Në qytetin e Durrësit, në galerinë e artit pamor “Nikolet Vasia”, më: 17, të vjeshtës së dytë, 2023, në prani të shumë qytetarëve artdashës durrsak, u hap ekspozita e një grupi piktorësh, me simbolikën “Pëllumbat e PAQES”, ku kryesues ishte artisti i njohur Jetullah Haliti, artisti i ri Blendi Zogaj dhe tê tjerë nga hapësirat mbarë-shqiptare, të cilët na sollën tablo e punime, ku shprehej nëpërmjet ngjyrave, poezia e shpirtit, dëshira e popullit dhe e kombit shqiptar, për paqe e ringritje shpirtërore.

Një orë më pas, në sallën “Odeon”, në mjediset e Pallatit të Kulturës “A. Moisiu”, të qytetit të Durrësit, nga OBVL në bashkëpunim me Bibliotekën Publike të qytetit, u përurua libri “VUAJTJA E QYTETIT, Shkodra”, me autor Mark Zadeja, anëtar i Akademisë Evropiane

Në këtë kuvend libri, në prani të shumë qytetarëve dhe intelektualëve të Durrësit, së bashku me artistët piktorë nga Dardania, përshëndetën: Shpendi Topollaj, Fatmir Minguli, Arben Kristani, Jetullah Haliti, Merita Kuç-Thartori, Myzejen Konduri, etj.

Me këtë rast edhe unë Kadri Tarelli, munda të jap vlerësimin tim për këtë vepër të rrallë, me peshë të madhe në mendimin historik e filozofik shqiptar. 

Shkrimin tim e titullova: 

“VUAJTJA E QYTETIT, SI HISTORI, PSIKOLOGJI DHE FILOZOFI”

Kujtesa, heshtja, humori dhe e qeshura, mbajti gjallë një qytet

Në vështrim të parë, duke lexuar titullin: “Vuajtja e qytetit. Shkodra”, mendova se me këtë libër do të pasuroj dijen time me vuajtjet e qytetarëve shkodran, si rrëfime të pa njohura më parë. Madje me vete thashë: “Përsëri do të futem në përjetim të atyre ngjarjeve që kanë fillim, por jo fund, ngjarje plot vuajtje e dhimbje njerëzore, të ndodhura e të shkaktuara çuditërisht jo nga pushtuesi, por me  shqiptarët nga shqiptarët. 

Isha i gabuar. Ky libër i vogël në dukje, përcjell vuajtjet e dhimbjet njerëzore të një qyteti, jo konkretisht në formë klasike (rrëfim apo kujtim të përjetuar në kohë dhe vend, me personazh vuajtës dhe xhelat, siç jemi mësuar në të gjitha shkrimet e kësaj tematike.

Autori nuk merret me këtë lloj letërsie. Sepse sot, të gjithë i dinë këto, pasi ka 30 vjet që është shkruar dhe vazhdon të shkruhet, prandaj Marku nuk rri t`i numërojë ato. Kanë shkruar për to, pena të shquara të letrave shqipe: Arshi Pipa, At Zef Pllumi, Uran Kalakula, Visar Zhiti, Fatos Lubonja, Pjetër Arbnori, Spartak Ngjela, Maks Velo e plot të tjerë, të burgosur të ndërgjegjes ose fare pa faj, që me rrëfimet e tyre të trishta e plot dhimbje, kanë sjellë të gjallë atë pjesë të shëmtuar, të nëmur e të mallkuar të historisë shqiptare, që na dhemb, na tmerron dhe na turpëron njëherazi, duke pyetur veten: Pse…Pse pse? Pa kërkuar përgjigje, të cilën e mban gjallë heshtja dhe kujtesa. 

Autor Marku, nga ana e tij, gjen një formë të re, të pa ndeshur më parë, të paktën nga unë si lexues i hershëm. Ai bën zbërthimin shpirtëror, zbulon fenomenet që ngjasin në ndërgjegjen e tij dhe të bashkëqytetarëve, studion deri ku të çon durimi dhe si mundet që njeriu para këtyre llahtarive të mbetet përsëri njeri dhe qytetar. Ai, më konkretisht, merret me dukurinë e kujtesës individuale e kolektive, si proces mendor e më pak fizik, duke e trajtuar në ndjesitë psikologjike, më pas të përgjithësuar në mendim historik e filozofik. Diçka vërtet për t’u përgëzuar e admiruar. 

Besoj se jam i saktë, se në rastin e parë, libra të tillë vlerësohen nga mjeshtëria e shkrimtarit për të rrëfyer bukur artistikisht, ndërsa në këtë libër, duhet një njohje e thellë në fushën e psikologjisë individuale dhe kolektive, për të hyrë në thelb të çështjes. Pra një shkallë e lartë e të menduarit dhe të shkruarit, madje kërkohet edhe një nivel i lartë edhe i lexuesit. 

Kam ndjesi se duke dëgjuar këto fjalë, cilitdo nga ne i lind e drejta të mendojë e të gjykojë, se ky libër është i vështirë për t’u lexuar e kuptuar. Mendoj se gabohet, pasi është shkruar më gjuhë e fjalor të thjesht, të kuptueshëm nga të gjithë, pa fjalë të mëdha, apo të ngjeshura me fjalë “të jashtme”. I vështirë është si të rroket e përthithet mendimi në rrafshin e një analize teorike, njëherazi edhe praktike. Bie fjala: si përjetohet e përballohet vuajtja e mbarë qytetit, si durohet durimi, poshtërimi dhe mjerimi! Si përcillet dhunimi, pushkatimi, internimi, heshtja dhe pikëllimi, jo për një apo pak individë të thjeshtë apo të shumë njohur si personalitete të qytetit, jo një herë, apo një ditë, por në vazhdimësi me dekada, duke i mbështjellë me shpresën dhe zhgënjimin, jo thjesht për të mbijetuar por për të rilindur e ringritur. 

Përfundimi: Dhe, qyteti mbijetoi falë kujtesës, si fillim, heshtjes si durim dhe shkrimit në vazhdim. Ah heshtja….. Ky thesar mbrojtës i trupit dhe shpirtit. Heshtja, kujtesa dhe humori, armët më të fuqishme të qytetit dhe qytetarëve për të mbijetuar dhe rilindur. Këtu nuk them gjë të re për lexuesin, që e njeh sado pak Shkodrën dhe shkodranët, që dhimbjen e përtypnin dhe e gëlltisnin përherë me buzëqeshje, por shoqëruar me humor të hidhur, që shponte sistemin, por mbante gjallë një shpirt të trazuar e të mbushur me mllef për diktaturën dhe shërbëtorët e saj. Qyteti përqeshte dhe tallte diktaturën, që nuk ngopej me persekutimin dhe hakmarrjen ndaj një qyteti, nga më të bukurit, më të diturit, më të qeshurit, që përherë rrezatonte kulturë dhe art të mirëfilltë. Ne ende mbajmë në kujtesë barcaletat me theks politik të shkodranëve, që i përsërisim duke u gajasur së qeshuri, edhe sot pas kaq vjetësh. Çudi… të mbijetosh vetëm duke qeshur…!?

Po sjell në mendje një prej tyre: Një shkodran do të rrëfente më bukur, duke e sjellë në dialektin e vet.

Ishte koha e tollonave. Një lloj triskëtimi i të gjitha produkteve ushqimore, kafe, mish, vezë, etj, etj. Bëhet fjalë për vitet 1980, e në vijim…. Në Shkodër vjen një italian. Në mëngjes pas përshëndetjes, dëgjon: Nadja e mirë! Si ke nje…? Më pas vijonte fjala “A more?”. Po kjo fjale u bë e shenjtë, se përsëritej për çdo ditë edhe në drekë e mbrëmje. Pas 5-6 ditësh italiani u kthye në Itali dhe miqtë e tij e pyeten si doli dhe a u kënaq. Italiani iu përgjigj: Në Shkodër flitej dhe bëhej vetëm dashni. Njerëzit, madje edhe pleqtë, përshëndeteshin dhe shtonin: “Amore”, “Amore”, “Amore….!” 

Nuk është e vështirë të kuptohet, se libri fillon me “Murrin e gjakut”, pra Shkodra në prag-fundi i vitit 1944 dhe fillim i vitit 1945, kur fjala pushkatim ishte bërë e zakonshme, ndërsa vuajtja përjetohej me lot dhe heshtje. Kështu me radhë, historia vazhdon edhe me ngjarje, që kanë lënë gjurmë në historinë e qytetit dhe mbarë Shqipërisë, duke mos kursyer dukuri edhe të ditëve tona. Bie fjala “letërsia e realizmit socialist”, ose “Revolta e Spaçit”, ndërkaq edhe në ditët e sotme, korrupsioni në administratë e deri te mjeku……. Etj, etj.

Si zakon i imi, nuk merrem me analizë të përmbajtjes. Atë e lexon, e njeh dhe e gjykon vetë lexuesi. Pa përmendur poezitë, thurur nga vetë autori, si përjetim dhe përforcim i vuajtjes dhe dhimbjes: Ja disa tituj: “Mbas vorrezës”: “Kufomat ngrihen sodisin, / mbas vorrezës, te muri i gjakut…”,  “Muri i gjakut”, “Dom Ndre Zadejes”, “Luftë klasash”…….. nata kërkon të vrasë/ jetë e zhgënjyeme, luftë klasash/ prej shpirtit të hanës kullon loti…..”, “Qyteti im-Gravurë e përjetshme”, etj, etj. 

Veç dua të shtoj diçka që e vlen të thuhet: Shprehje dhe fjali që bartin mendim të ngjeshur e përgjithësues historik, psikologjik dhe filozofik. Shprehje, që duhen futur në kujtesë, për t’u përdorur në fjalime, në takime, në biseda në odat e burrave, pse jo edhe për ilustrim shkrimesh.

Po rendis disa. Gjykoni vetë për forcën dhe përmbajtjen e tyre: 

. Marrim përsëri mendimin e kohës, për kohën: qëllimi qëndron te realiteti: etja për të vërtetën krijon rrjedhojën për të shtjelluar ato çfarë ndodhën.

. Gjithnjë duhet të flasë njeriu me mendimin, pastaj vjen shkrimi. Shkrimi duhet të jetë i saktë për të dhënë atë çfarë ka ekzistuar, ndodhur, por kurrë atë çfarë ndokush aludon, fantazon apo trillon.

. Heshtja, ky element bazë i jetës sime, më ka dhuruar të domosdoshmen, “shpëtimin e qenies”.

. Historia e qytetit ishte shume më e vjetër se liria e tij.

. Shkodra ime, qytet i vuajtur, me lotët e saj bashkonte njerëzit pa asnjë dallim feje apo ideje.

. Mbijetesa e qytetit tim është një mrekulli e vërtetë…….

. Durimi është cilësi që të jep mundësinë e arritjes, por kur shpërthen, nuk dihet se çfarë ndodh.

. Duhet të njohësh çelësin e së drejtës, për të parë (vlerësuar) më mirë të vërtetën, në qoftë se ti do të arrish të krijosh.

. Burim i ndjenjës është baza (bërthama), që krijon mundësinë, lirinë shpirtërore, art, finalizim i pasqyrë e së vërtetës, me përqafimin e së drejtës.

. Krijimi për momentin nuk e percepton kahen, por instikti i ndjenjës i jep vrull, guxim, kap thelbin e saj për t’u ngjitur lart…. Vrullin për të evoluar vazhdimin, frymën, ndjenjën shpirtërore, përparësinë për të arritur…….. etj, etj.

Urime i nderuar Mark! Ke sjellë një libër të rrallë për nga forma, por të ngjeshur në mendime, vuajtje, përjetime dhe zhgënjime!

Sikur ta kishe kripur me pak humor shkodran, libri do të ishte edhe më i bukur. Do na bënte të qeshim përsëri!

Suksese në udhën e ndritur të krijimtarisë letrare dhe artistike!

Kadri Tarelli

Vjeshta e dytë. 2023.

Pushtetarët kriminelë, i varfërojnë popujt e tyre aq shumë, në mënyrë që ata të kalojnë gjithë kohën për të siguruar bukën e gojës dhe të mos u mbetet më kohë për t’u hedhur në revoltë”. Aristoteli 

Filed Under: ESSE

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 95
  • 96
  • 97
  • 98
  • 99
  • …
  • 607
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT