• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Dashuria false e trumbetuar në kafazet e emisioneve televizivë

November 9, 2023 by s p

Gëzim Zilja/

Është fjala për emisione ku vajza e djem të bukur, të veshur ose gjysmë të zhveshur, mbyllen nëpër kafazë për muaj të tërë apo studio televizive dhe aty bëjnë gallatë derisa të bien në dashuri më njëri- tjetrin. Dashuria e vërtetë nënkupton një familje të shëndoshë, e pasuar kjo me fëmijët në të ardhmen, që do të lindin si rjedhojë e kësaj dashurie. Nuk ka përkufizim sesi mund të biesh në dashuri, as rregulla e as ligje. Shpikësit e këtyre formateve, në rang global, (shqiptarët vetëm imitojnë  si majmunë)  kanë gjetur një metodë të tyre të mbylljes në kafazë, ku ata filmohen pa ndërprerë ditë e natë ose pjesërisht. Jo rrallë kur aty nuk lind dashuri apo marrëdhënie në çift (shpesh ka thjesht kurvëri e shtirje lapërdharësh) hartuesit e programeve sajojnë skena artificiale me gjoja dashuri, ku banaliteti, gënjeshtra  e padija mbushin ekranin si ato kanalet e ujërave të zeza, kur shpërthejnë fekalet e  pisllëku merr dhenë rrugëve të lagjeve e gjithë qyetit.

Një djalë i zgjuar do të marrë për grua patjetër një vajzë të zgjuar me të cilën do të krijojë familje. Ndryshe nuk funksionon. Do të rrokulliset tenxherja e do të gjej kapakun, thotë populli. Unë mendoj se vajzat dhe djemtë që mbyllen nëpër kafazë dhe prej aty shndërrohen ne yje të ekranit apo lidhin martesa të lumtura janë sa të neveritshme aq dhe artificiale.Te ‘Princi i Kaltër,” princi, pasi shijon si frutat e stinës nja tre dyzina bukuroshesh që jo rrallë i fut në krevat si pjesë e emisionit, zgjedh vetëm një, për të krijuar familje.Tjetra është së këta bukuroshë e bukuroshe, që marrin pjesë në këto shfaqje paraqesin përgjithësisht vajza e djem që nuk u kërcet për asgjë veç qejfit, (harxhohen miliarda për këto emisione) dhe janë nën mesataren mendore të njeriut të zakonshëm. Veç gërmëreve neveritëse ( ma çorre, ta çorra) dhe ekspozimit të shalëve e të  cicave ata nuk kanë ç’të tregojnë tjetër. Aty nuk flitet për jetën e zakonshme të shqiptarëve, për problemet e sjelljet e brezit të ri, papunësinë, largimin nga atdheu, për familjen që do të krijojnë, për nevojat apo kufizimet, për dashurinë njerëzore, si dukuri, etj etj. Nuk flitet për historinë, kulturën, letërsinë, traditën dhe as ia kanë haberin asaj ane. Madje në raste të veçanta si në “Përputhen” apo diku tjetër një super bukuroshe nuk dinte se kur ishtë shpallur Pavarësia apo kush ishte Skënderbeu. Po ndërkaq dinte mirë se me një trup të bukur e një dashnor me para mund të kapje majat. Nga kjo pikëpamje aty ekspozohet një llum i vërtetë njerëzor. Janë një prerje vajzat e djemtë e kafazeve. Dikush i zgjedh me kujdes, që të tredhin trutë e njerëzve e të kësaj rinie mjerane, që rrugën ë lumturisë e gjen te servilizmi, gënjeshtra, humbja e dinjitetit, kurvërimi për një vend pune apo te droga. Rinia e sotme e konstaton të keqen por në vend të luftojë për ta mundur atë i nënshtrohet ose ia mbath nëpër botë. A mundemi të kemi emisione me kafazë të hapura apo të mbyllura ku të debatohet për të gjitha problemet e rinisë së sotme, por me përfaqësues djem e vajza që të jenë jo vetëm të bukur e të palestruar por edhe të mënçur e atdhetarë? Ky është problemi. Dua të pohoj së drejtuesit apo analistët e këtyre emisioneve janë me të vërtetë njerëz të mënçur. Ata e zgjedhin me kujdes “lëndën e parë,” kuptojnë kotësinë ë vajzave e djemve të kafazëve dhe jo rrallë tallin trapin me ta në mënyrë të stërholluar. Kafazllinjtë as kuptojnë fare e qeshin e qeshin dhe kthehen në majmunë e kllounë. Duket hapur që organizatorët dhe analistët kanë një qëllim të vetëm: Të bëjnë para dhe të tredhin trutë e rinisë shqiptare.

Në një status të vetin Pastor Akil Pano u shpreh se djemtë e sotëm “duan një vajzë për shtëpi.” Dhe hopa hidhen të shpjegojnë e të kritikojnë grerëzat e ekraneve e fb-së si maskilist e të prapambetur. “Për shtëpi” duhet kuptuar më gjërë. Po sigurisht, një vajzë nga “Ishulli i dashurisë,” “Përputhen,” “Grande fratello” e “Princi i Kaltër” nuk e mban dot për shtëpi, pra të krijosh një familje. Sepse ajo do shumë para dhe seks të lirë, do martesë të hapur, ku çiftet ndërrojnë partnerët për qejf e dado për fëmijën që mund të lindë. Familja është qeliza e një shoqërie të shëndetëshme, është zemra e atdheut, dhe i jep kuptim lumturisë njerëzore. Pa familje të shëndetëshme Atdheu merr rrokullimën si po e merr Shqipërinë këto tridhjetë vjet. Dashuria dhe familja nuk lindin e krijohen artificialisht, duk i mbyllur njerëzit nëpër kafazë për t’u çiftuar e shtuar me së s’bën, si kafshët në kopshtin zoologjik. 

PS. Shumë njerëz pyesin: Pse shikueshmëria është kaq e madhe kur qenkan të pështira dhe artificiale? Jo vetëm në Shqipëri por kudo në botë, ku bëhen këto eksperimente me njerëz-kavie, mendoj se ata që i ndjekin nga jashtë, janë me të njëjtin nivel me ata që janë në kafaze. Publiciteti i jashtëzakonshëm në TV të krijon prshtypjen e rrremë se janë të shumtë.

Filed Under: ESSE

TË DREJTAT NJERËZORE, PARADOKSI I IRANIT NË OKB

November 7, 2023 by s p

Nga GRETA PRIVITERA – “Corriere della Sera”, 3 nëndor 2023 – Përktheu: Eugjen Merlika/

Sadek Taxhik dhe Jadollah Faroki janë varur në të gëdhirë. Kur del dielli dhe qytetet ende flenë është çasti i parapëlqyer për regjimin për të ndëshkuar qytetarët që thyejnë ligjet e tyre. E ka bërë edhe dje, në ditën kur ka marrë kryesinë e Forumit shoqëror të Këshillit për të drejtat njerëzore të Kombeve të Bashkuar. Një bashkëndodhje e pafat?
Të shohim: nëse do t’a kishte marrë kryesinë dy ditë më parë, simbas Ojq Hrana, do t’a kishte filluar me ekzekutimin e pesë të burgosurve të tjerë; gjashtë ditë më parë, do të kishte përkuar me datën e vdekjes së Armita Garavand, gjashtëmbëdhjetë vjeçarja e vrarë nga policia morale sepse nuk kishte shaminë e kokës. Nuk ka orë në Iran në të cilën nuk ka një arrestim të padrejtë, një sulmim për flokët në erë, një kërcënim për një shënim në internet, një varje.
Megjithatë, në një ndeshje mes së vërtetës e pallateve të xhamit, më dy e tre nëndor, regjimi I ajatollahëve, me ambasadorin në Kombet e Bashkuar Ali Bahreini, mbikqyr konferencën në të cilën flitet për rolin e shkencës e teknologjisë në lartësimin e të drejtave njerëzore. Çfarë ndihmese përtëritëse mund të sjellë ambasadori i Vëndit që përdor teknologjinë për njohjen në fytyrë të grave pa shami në kokë?
Emërimi kishte arritur në maj, jo pa kritika e kërkesa anullimi. Forumi i Gjenevës është një kuvend mbi të drejtat njerëzore, një mbledhje më shumë simbolike se sa vendimtare, pork ky fakt nuk qetëson zemërimin e popullit Iranian që pyet si ka mundësi që OKB-ja të lerë në duart e Republikës islamike – mbështetëse të Hamasit, që vret Mahsa Aminin – një takim si ky. Në korrik Jozef Borreli ka mbrojtur emërimin e Iranit duke e paraqitur si një çështje qarkullimi rajonal. Por Ojq UN Watch ka shpjeguar që grupi I Vëndeve aziatike të cilit i përket Republika islamike e ka patur katër herë atë përgjegjësi në gjashtë vitet e fundit. Nga Teherani arrin një e dhënë e fundit: në tetor janë ekzekutuar me varje 78 të burgosur.

“Corriere della Sera”, 3 nëndor 2023 Përktheu Eugjen Merlika

Filed Under: ESSE

Një fije shprese, një fije shkrepëse…

November 6, 2023 by s p

Dr. Agim Z. Dobruna/

Kur isha në klasën e gjashtë, flitej gjithandej për ardhjen e një shkrimtari të ri e të madh shqiptar. Emri i tij ishte Ismail Kadare. U bëra kureshtar ta lexoja një libër të tij dhe i pari që e gjeta ishte “Dasma”. E lexova dhe nuk më pëlqeu fare! Në ndërkohë lavdërimet për të vazhdonin dhe unë bindesha që fajtor nuk ishte libri por papjekuria ime si lexues. Kështu e ruajta kureshtjen dhe më vonë hasa në një vepër të tij që nuk e kisha dëgjuar më parë. Më magjepsi që në titull: “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”! Ky titull, kjo lojë e fjalëve me kuptime thellësisht të kundërta, mu duk sikur ishte më e madhe se sa vet libri! “Gjenerali”, një fjalë që para nesh shfaqë figurën e fuqishme, autoritare, thuajse hyjnore, vihej përbri “ushtrisë së vdekur”, një fjalie që e rrënonte atë për toke, madje nëntokë. Përdorimi i antitezës është veçori e mjeshtërisë letrare që nga antikiteti. Shprehjet me kuptime të kundërta, si “heshtja është shurdhuese”, kanë vlerë të lartë artistike dhe mbahen lehtë në kujtesë. Këtë e kishte arritur Kadareja që në romanin e tij të parë.

Kaluan shumë vite deri sa hasa në një titull magjepsës e po aq të fuqishëm: “Një fije shprese, një fije shkrepëse”. Një ndarje e jetës nga vdekja për vetëm një fije.

Ky roman i shkrimtarit Ag Apolloni është kronikë lufte e dokumentuar deri në imtësi, pa folklorizëm e patetikë. Autori, njohës i mitologjisë, dramaturgjisë, rrëfyes i shkathët, mjeshtër i psikologjisë e karaktereve, monologut e dialogut, i pajisur me kulturë të përgjithshme e njohuri të historisë së popujve, nuk ka si të ndodhë ndryshe pos të ketë një të ardhme brilante.

Në libër Apolloni shkruan, ndër tjerash, për të përbashkëtën e popullit hebre me vuajtjet e popullit shqiptar. Përkundër dallimit kohor, ngjashmëria e krimeve serbe në Kosovë me Holokaustin është e frikshme. Në një rrëfim mbi këtë temë, rikujtohet takimi i Presidentit Klinton me nobelistin, humanistin, të mbijetuarin e kampit të përqendrimit Buhenvald, Eli Vizel, në kohën kur në Kosovë po kryhej gjenocid. Me kërkesën Presidentit Klinton, Vizel e bën një vizitë në një kamp të strehimit ku ai takon shumë refugjatë dhe dëgjon për krimet që bëjnë forcat serbe në Kosovë. Në një moment i ofrohet një të pashpresi dhe e pyet: “Çka po mendon?” “Çfarë rëndësie ka çka mendoj unë”, përgjigjet ai, “e rëndësishme është se çka mendon Amerika”! Vizel në raportin e tij, pos tjerash, kishte shkruar, “E quaj të patolerueshme egërsinë shtazarake të serbëve.”

Në libër, Bllaca përshkruhet si një skenë masive tmerri . “Në mëngjes me diell shihje avullin duke dalë nga trupat e lagur gjatë natës. Dukej si t’i shihje shpirtrat duke dalë nga ata trupa”.

Në një nga skenat tjera tragjike, autori e përshkruan hyrjen e dhunshme në shtëpinë e intelektualit dhe atdhetarit Esad Mekuli, mbi bazën e një hakmarrjeje, ku ndaj familjarëve u ushtruan tortura. Në atë shtëpi, mjekja, profesoresha Sahadete Mekuli ishte në një gjendje të rënduar shëndetësore nga skleroza. Megjithëkëtë, anëtarët e rrahur e të dërmuar të familjes e lakmonin atë për sëmurjen e saj sepse në atë gjendje ajo nuk e kuptonte seriozitetin e asaj që po ndodhte. Një skenë krejtësisht kafkiane.

Kryekrimineli i djeshëm, lideri i sotëm i Serbisë, publikisht kishte paralajmëruar se serbët në Bosnjë do t’i vrisnin 100 myslimanë për një serb të vrarë. Kjo u bë realitet në Srebrenicë dhe u përsërit në Mejë të Gjakovës. Tani 100 katolikë u vranë për një serb. “Dikush i kishte numëruar të shtrirët dhe kishte thënë se ishin 400 civilë. Pra, ishte plotësuar numri i hakmarrjes, për katër milicë të vrarë serbë 400 civilë shqiptarë”.

Asnjë zë nga lart, asnjë krismë nga mali

Nënës Pashkë, besimtare e devotshme katolike, iu zhdukën dy djemtë në luftë përkundër lutjeve ndaj Zotit për ta shpëtuar familjen e saj. Ajo u zotua të mos vdiste pa e kuptuar fatin e tyre. Kur pas katër vjetëve trupat e tyre u zbuluan dhe u rivarrosën, ajo iu drejtua përsëri Zotit me thirrjen: “O Zot që rri atje lart, mos e ke ftohtë?! (A po nerth?) Zbrit poshtë që të ngrohesh në flaket e mia!”—dhe i vuri zjarrin vetës me një fije shkrepëse. Kjo që kishte ndodhur në Korenicë të Gjakovës i ngjante një flijimi tjetër në Pragë të Çekisë. Studenti Jan Pallah i kishte vënë flakën vetes në shenjë proteste kundër pushtimit të Çekisë nga Bashkimi Sovjetik.

Tutje pyetjet vazhdojnë, “Kush është Zoti? Çka është Zoti? Zoti është ai që bën shfaqjen e nuk shfaqet kurrë!” Tragjeditë kolektive janë shuma e tragjedive individuale. Këto të fundit kanë ngjashmëri të frikshme, ani se në kohë dhe hapësira të ndryshme.

Nënë Ferdonija, së cilës ia rrëmbyen nga shtëpia burrin me katër djemtë e saj, është personifikimi i qindra mijëra nënave të Kosovës, ku nga 104 masakra u zhdukën 1,617 civilë. Në një nga rrëfimet më të jashtëzakonshme në libër përshkruhet një ëndërr e nënës Ferdonije disa vite pasi kishte përjetuar tragjedinë. Në atë ëndërr i biri i saj më i vogël i kërkon të luajnë kukafshehtas. Kur ajo i thotë se ai është i rritur për lojëra të tilla, se tashmë shokët e tij ishin martuar e kishin krijuar familje, i biri ia rikujton se ai është vetëm 14 vjeç, mosha kur e kishin rrëmbyer. Gjithçka rreth këtij tregimi përbën material për kineastët që të bëjnë histori filmike duke e ekranizuar atë. Nënë Ferdonija sensibilizoi botën për këto vuajtje dhe gjeti sadopak ngushëllim kur Ministria e Kulturës e shndërroi shtëpinë e saj në muze. Kështu, pavdekësinë kunderiane autori e ngriti në një shkallë më të lartë: në pavdekësi muzeore (apolloniane).

Libri ka një rrjedhë që imponon të lexohet me një frymë. Ai duhet të jetë i deponuar në çdo përfaqësi diplomatike e t’i dhurohet njerëzve të kulturës, politikës, artit e qarqeve intelektuale. Ai është i kuptueshëm këtu e në Zelandë, me një gjuhë universale të shkruar si për një seancë të OKB-së.

Në letërsinë shqipe ka ardhur një shkrimtar ndryshe.

Filed Under: ESSE

Nuk është fajtore pasqyra që dalim ashtu si jemi

November 3, 2023 by s p

Në vendet me traditë demokratike, zgjedhjet janë çështje normale e çdo mjedisi, ku qytetarët me votën e tyre shprehin vullnetin  për subjektin politik dhe individët të cilët ata i përfaqësojnë, duke dëshmuar mbeshtetje për pushtetin aktual, apo dënuar ate për mos realizimin  e premtimeve ndaj qytetarëve, që paraqet reflektim për të ndryshuar, sepse askush nuk është i përhershëm në skenën politike

Nail   Draga

Nga miratimi i pluralizmit edhe në vendet e ish kampit socialist janë organizuar zgjedhje në nivele të ndryshme ku ekziston një përvojë e mjaftueshme që mund të trajtohet jo vetëm nga aspekti i sociologjisë politike. Ne këtë aspekt edhe shqiptarët në hapësirën e tyre etnogjeografike kanë realizuar një numër të konsideruar zgjedhjesh duke dëshmuar kapacitetin e tyre politik  në mjedisin përkatës,  ku në këtë aspekt as shqiptarët në Mal të Zi nuk janë përjashtim. 

Dimensioni i dyfishtë i përfaqësuesëve të politikës

  Duke marrë parasysh se në plurarizëm zhvillohen zgjedhjet për të qeverisur si në nivelin lokal dhe atë shtetëror, çështje të veçantë paraqet përfaqësimi në pushtetet përkatëse. Në krahasim me kohën e monizmit në pluralizëm përbërja e pushtetit varet nga formimi i shumicës parlamentare. Pikërisht kemi të bëjmë me përgjegjësinë e subjektëve përkatëse për emërimin e kuadrove  sipas resorëve.  

  Edhe pse aty emërohen individë të profileve të ndryshme të tillët kanë dimension të dyfishtë, sepse ata  fillimisht përfaqësojnë  subjektin i cili i ka emëruar  dhe së dyti edhe vetën e tyre. Në saje të përvojës së deritashme del  së  në resorët  përkatëse, me përjashtime të rastit, nuk janë emëruar personat e qëlluar në aspektin profesional, nga del se kemi të bëjmë me përgjegjësinë  e subjektëve politike përkatësisht me keqpërdorimin e demokracisë pluraliste. 

Rastet e tilla dëshmojnë se kemi të bëjmë  më deformimin e parimeve  elementare sepse në vend që të vlerësohen vlerat profesionale e meritokracia, parësore janë përkatësia partiake, ku jo rrallë depërtojnë militantët dhe të dëgjueshmit të cilët janë bërë dukuri e kohës. 

Grupet e interesit

Pikërisht nga qasjet e tilla në partitë politike, të cilat ma tepër iu ngjajnë grupeve të interesit apo të klanëve të ndryshme në ato anëtaresohen individë të ndryshëm jo për shkaqe programore apo ideologjike, por për interesa e ambicie personale të cilat ua mundëson partia ti realizojë kur të vie në pushtet. Të tillët nuk vijnë aty për të dhënë kontributin në qeverisjen  e pushtetin lokal apo në qeverisjen qendrore, por për të realizuar interesat e veta  personale, familjare e pastaj ata partiake. Dhe në sajë të rasteve  të tilla del qartë   se nuk është fajtore pasqyra qe dalim ashtu si jemi.

Dualizmi i mendimit politik 

  Përvoja e deri tashme në pluralizëm dëshmon se nuk mund të jemi të kënaqur në lidhje me ekzistimin e mendimit kritik për dukuritë e ndryshme shoqërore e ato politike. Madje këtu duhet cekur se kemi të bëjmë me një dualizëm politik, sepse kemi të bëjmë  me partitë politike të cilat kanë qasje tjetër kur janë në opozitë e ndryshe kur janë në pushtet. Një qëndrim i tillë dëshmon se kemi të bëjmë me individë pa parime  me interesa të rastit dhe si të tillë  janë  të politizuar dhe të dëmshëm për shoqërinë por përfitues të rastit.

  Ndërsa një qëndrim i tillë nuk vlen për intelektualët në kuptimin e plotë të fjalës, sepse ata kanë  mendim kritik  të vazhdueshëm, për të prezantuar çështjet kontestuese shoqërore e politike  me argumente, e jo duke anuar sipas shijes së klaneve  apo preferencave të subjekteve në skenën  politike. 

  Nuk ka dilemë se për intelektualë të tillë  ka nevojë çdo mjedis, sepse mendimi kritik është në favor të avancimit të çështjeve shoqërore dhe politike. E kundërta ndodhë me intelektualët pasiv, përkatësisht oportunist, të cilët janë peng i vetvetes dhe i mjedisit  si rezultat i interesit personal apo klaneve të ndryshme, andaj të tillët do mbesin individë të amortizuar përkatësisht  anonimus pa autoritet shoqëror  në mjedisin ku punojnë e jetojnë.

Presioni publik përmes guximit intelektual

  Përfundimisht intelektuali nuk duhet të jetë spektator ndaj  devijimeve  shoqërore, por me guxim  duhet ngritur zërin, duke qenë shëmbull për të tjerët.  Ndërsa duke marrë parasysh mjedisin ku jeton duhet cekur se reagimi individual nuk ka peshën e duhur sikurse mund ta ketë përmes të një subjekti nga shoqëria civile, siç janë shoqatat e ndryshme si p.sh. të shkrimtarëve, artistëve, pedagogëve, sociologëve, gjuhëtarëve, arkitektëve, ekologëve, mediat etj. Qëndrimi  për mes një subjekti të tillë  nuk humb në vlerë, përkundrazi ka peshë të veçantë për të bërë presion publik për çështjet kontestuese shoqërore dhe si i tillë është më i pranueshëm në opinionin e gjërë. 

  Madje në saje të një qëndrimi të tillë do të dëshmohet se opinioni shoqëror  nuk duhet të mbes peng  vetëm nga përfaqësuesit e pushtetit apo të kumtesave të partive  politike që janë kryesisht nga opozita parlamentare.                       

Vetëm me qasje  konstruktive, në një ambient me kapacitet demokratik  mund të arrihet konsenzusi i cili është i domosdoshëm për avancimin e çështjeve preokupuese shoqërore për të tashmen dhe të ardhmen.

(Nëntor 2023)

Filed Under: ESSE Tagged With: Nail Draga

IZRAELI, PLOJA DHE BOTA PËR SË PRAPTHI

November 1, 2023 by s p

Nga PAOLO MIELI – “Corriere della Sera”, 24 tetor 2023  – Përktheu: Eugjen Merlika /

Deri tani goditjen më të ashpër Hamasit i a ka dhënë një gazetare e re arabe, Rasha Nabil, që duke e intervistuar tek Al Arabija, udhëheqësin e organizatës terroristike, Kaled Meshal, e ka vënë në vështirësi disa herë. Al Arabija – shemër e katariotes Al-Zhazira – është një stacion televiziv i themeluar në Emiratet arabe të bashkuar njëzet vite më parë, ka selinë në Dubai dhe gëzon financime saudite. Për të tjerat përgjigja e Izraelit atentatit shkandullues  të 7 tetorit ka qënë deri tani e paefektëshme, pak e kuptueshme dhe simbas çdo vështrimi, kundërprodhuese. Në gjithë botën – duke bërë përjashtim për pakica të vogla – është ngritur një valë e fuqishme kundërizraeliane e gjithënjë e më shumë kundërsemite me përmasa shqetësuese. Vala ka gjetur jehonë  deri tek kryet e Kombeve të Bashkuar ku sekretari i përgjithshëm Antonio Gutierres  – edhe se pa rënë në stereotipe kundër judaike  – mbas fjalëve të dënimit të sulmit të 7 tetorit, që mund të dukeshin të pasinqerta, e ka shpënë përgjegjësinë e ngjarjes në “pesëdhjetegjashtë vitet e pushtimit mbytës izraelian”. Një gjëmë. Fjalë të një nënkuptimi të pamohueshëm justifikues. Edhe se për tepri ngutjeje gaboi delegati izraelian duke kërkuar dorëheqjen e sekretarit të Kombeve të Bashkuar. Gutierres, në çdo rast, nuk është i vetëm. Veprimi fillestar i konfliktit të sotëm , më shumë se njëmijë banorët e therur, të djegur për së gjalli e, pjesërisht të rrëmbyer të Izraelit, ai veprim pothuajse është zhdukur nga gjithësia e komunikimeve. I është dashur t’i lëshojë vëndin “gjenocidit” të kryer kundër popullsisë së Gazës për të cilin hedh fjalën sekretari i OKB-së. Personalitete të mëdhenj të mbarë botës – edhe t’asaj perëndimore ndjekin “modelin Gutierres” dhe i përshtaten gjithënjë e më shumë kësaj mënyre të frikëshme të vështrimit të asaj që po ndodh në Izrael. Çdo shpresë e pakët i është besuar “ndërmjetësimeve” të Katarit (njëri ndër mbështetësit kryesorë të Hamasit), në sajë të të cilëve arrihet të kihet , pikë pikë  lirimi i ndonjë të burgosuri. Edhe në Izrael gazetat diskutojnë se kur do të vijë ora e dorëheqjes së Netaniahut – për disa ka kaluar – dhe përshkruajnë pa u vetëpërmbajtur ndasitë në brendësitë e ushtrisë. Tregojnë për drejtues politikë e ushtarakë, synimi kryesor i të cilëve është të mbeten jashtë kundërshtimeve dhe padive mbrapa, kur gjithshka të ketë mbaruar.

Por a do të vijë shpejt ajo mbrapa? Mund të them se është çështje ditësh, të ndonjë jave? Të na lejohet të dyshojmë. Çdo krahasim me luftërat e së shkuarës është i pasaktë. Në kuptimin që ato të peëdhjetë, gjashtëdhjetë viteve më parë(1956, 1967, 1973) qenë luftëra të një Shteti kudër Shteteve të tjera. E pjesërisht përsa i përket Libanit qe kështu. Por kundër organizatave terroriste – veçanërisht kur kanë dhënë prova se gëzojnë ndonjë miratim nga popullsia civile – çështja është krejtësisht e ndryshme. Që kur Sharoni “liroi” Gazën (2005) luftërat me Izraelin janë shumëzuar, e secila nga këto luftëra ka përfunduar në mënyrë të tillë që të mund të rifillonte pak kohë më mbrapa. Këtë tip ndeshjesh me terroristët mund të “fitohet” vetëm në mënyrën që Putini përdori në kohën e tij me Çeçeninë. Një terren mbi të cilin urojmë që asnjë drejtues i Izraelit të mos ketë ndërmënd të kuturiset.

Biden-i kur me guxim i ka kujtuar se si shkuan gjërat në Irak e kryesisht në Afganistan, ka provuar t’u a bërë t’a kuptojnë. Nuk është ajo rruga për t’u rrahur. Sulmi i zgjatur në Gaza, i shoqëruar me pamje të përditëshme pleqsh, grash e fëmijësh që tregojnë zitë e tyre, nuk “kompensohet” me lajmin që u godit ky apo ai drejtues i Hamasit, aspak. Me kohë do të jenë të shtrënguar të jenë të pranishëm në shtime tensioni dhe në mbërritjen e raketave edhe në pjesën tjetër të Izraelit, duke patur në sfond rivendikimin provokues nga ana e Iranit të regjisë së gjithshkaje që po ndodh.

Nuk vlen asgjë fakti që Hamasi nuk e ka aspak në zemër fatin e palestinezëve, që obietivi i shpallur në operacionin e filluar më 7 tetor është shkatërrimi i Shtetit të Izraelit. Evropa (për fat jo e gjitha) e veçon çdo ditë e më shumë Ursula von der Leyen që – siç ndodh tashmë për Ukrainën – duket se është nga të paktat që kupton atë që po ndodh në të vërtetë. Manifestimet armiqësore kundrejt hebrenjve si në Vitet Tridhjetë nuk bëjnë përshtypje. Bën përshtypje të jesh i pranishëm në shfaqjen e njerëzve që nuk derdhën asnjë pikë loti për vrasjen e të pafajshmëve në Mariupol, e tani shqyejnë rrobat për diçka – që deri tani – nuk mund të krahasohet as së largëti me atë që është parë në Ukrainë. 

Megjithatë , fakti që Rasha Nabil ka guxuar të sfidojë Kaled Meshalin na shtyn të shpresojmë se pëlhura e endur me Arabinë Saudite  nuk është çjerrur plotësisht. Që mbreti Abdullah II i Jordanisë nuk ka pranuar të takohet me Biden-in vetëm për oportunizëm. Që n’Egjypt Al Sizi të jetë ndoshta më i shqetësuar se Netaniahu për atë që po ndodh. Që Emiratet arabe të bashkuar janë duke vlerësuar me kujdes kuptimin e vërtetë të “ndërmjetësimit” të Katarit. Vite më parë në raste të tilla i drejtoheshim “islamit të moderuar”. Këtë herë – për ndershmëri kundrejt vetes sonë, nuk e kemi bërë atë thirrje. Megjithatë, ndoshta, kur bënte ato pyetje bezdisëse Meshalit, Rasha Nabil ishte e ndërgjegjëshme se kishte mbas shpatullave një botë, një botë më të madhe se sa ajo që mund të përfytyrojmë sot.

“Corriere della Sera”, 24 tetor 2023  – Përktheu: Eugjen Merlika  

Filed Under: ESSE Tagged With: Eugjen Melika

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 97
  • 98
  • 99
  • 100
  • 101
  • …
  • 609
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Shqiptarët dhe parimet themelore të së drejtës ndërkombëtare dhe përgjegjësia evropiane
  • Në Ditën e Gjenocidit në Kosovë, nevoja e Kualifikimi Juridik Ndërkombëtar për Krimet e Kryera në Kosovë (1998–1999)
  • FUNDI I REZISTENCËS SË NACIONALIZMËS 1946-1947
  • ZBULOHEN KONGRESET E BALLIT KOMBËTAR
  • 15 janari është Dita e Përkujtimit të Gjenocidit ndaj Shqiptarëve në Kosovë!
  • Editori Diellit Dr. Athanas Gegaj përkujtohet në New York më 25 Janar 2026
  • Arsyet e vërteta pse ngriu procesi i vizave emigruese për në Amerikë për shqiptarët!
  • ERNEST KOLIQI ( 20 MAJ 1903 – 15 JANAR 1975)
  • SHQIPTARËT NË SANREMO!
  • “Punë hajnash-punë krajlash” dhe mendtarë që heshtin
  • MBRETI ZOG (1933) : “BASHKIMI I KOSOVËS ME SHQIPËRINË, NJË DËSHIRË E MADHE PËR TË CILËN NUK DO TË KURSEJMË ASNJË PËRPJEKJE PËR TA REALIZUAR…”
  • Perspective of a Trauma Surgeon and Former Health Minister of Health of Kosova
  • “I huaji”
  • JO NE EMRIN TIM!
  • Krimi kundër njerëzimit në Reçak dhe lufta e narrativave

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT