• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

GJUHA SHQIPE NË UNIVERSITETIN ‘CA’ FOSCARI VENECIA’ TË ITALISË

May 10, 2021 by dgreca

Prof. Giuseppina Turano nga Universiteti ‘Ca’ Foscari Venecia’, Itali, në një rrëfim ekskluziv dhënë gazetarit Sokol Paja për gazetën “Dielli”, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, New York, tregon historikun dhe funksionimin e Katedrës së gjuhës shqipe ku krahas mësimit, organizohen takime, kuvende dhe bashkëpunime me Universitetin e Tiranes dhe me atë të Prishtinës në kuadër të programit Erasmus + që çdo vit sjell në Venecia profesorë dhe studentë nga Shqipëria dhe nga Kosova. 

NJË ARBËRESHE QË IU MËSON ITALIANËVE GJUHË DHE LETËRSI SHQIPE

Prof. Giuseppina Turano është arbëreshe nga Kalabria. Ajo ka mbaruar studimet bachelor në Universitetin e Firences dhe është doktoruar në Universitetin e Kalabrisë. Ka qenë profesore në Universitetin e Kalabrisë, në Universitetin e Barit dhe në Universitetin e Firences. Që nga viti 2002 punon në Universitetin ‘Ca’ Foscari Venezia’, ku është profesore e asociuar e lendës Lingua e letteratura/cultura albanese ‘Gjuhë dhe letërsi/kulturë shqiptare’. Interesimi për gjuhën, letersinë, kulturën dhe historinë shqiptare merr impuls nga origjina arbëreshe e saj.

MORFOSINTAKSA E GJUHËS SHQIPE DHE E FOLMJA ARBËRESHE

Veprimtaria ime shkencore lidhet me morfosintaksën e gjuhës shqipe dhe të të folmeve arbëreshe. Në punimet e mia përdor modelet teorike të zhvilluara në kuadrin e gramatikës gjenerative-transformacionale të gjuhëtarit amerikan Noam Chomsky, rreth viteve ’50 dhe ‘90 të shek. XX, të njohura si Teoria e Parimeve dhe Parametrave dhe Programi Minimalist. Parimet teorike, metoda dhe teknikat e gramatikës çomskiane qëndrojnë në bazë të lëndës së gjuhësisë në Universitetin e Venecias që njihet si një qendër i institucionalizuar studimore për gjuhësinë gjenerative. 

E FOLMJA TOSKË, GEGË DHE ARBËRESHE

Në studimet dhe kërkimet e mia jam marrë me analizën e strukturës së brendshme të fjalisë me folje në mënyrën lidhore, të fjalisë pyetëse, të ndërtimeve me forma foljore të pashtjelluara, kryesisht me disa ndërtime me trajtën e infinitit në të folmen toskë, gegë dhe arbëreshe, me humbjen e infinitivit dhe zëvëndësimin e tij me foljen lidhore, me tiparet sintaksore të fjalive lokative dhe ekzistenciale, me Raising constructions, me strukturat pronore, me rrjedhore, partitive, kauzative, mohore, pasive, refleksive, me strukturën e sintagmës emërore dhe me strukturën e klitikeve, me marrëdhëniet e shqipes me dialektet arbëreshe. 

GRAMATIKA DESKRIPTIVE E GJUHËS SHQIPE, NJË KËNDVËSHTRIM KRAHASUES ME ITALISHTEN

Kam botuar një gramatikë deskriptive të gjuhës shqipe e parë nga një këndvështrim krahasues me italishten. Kam botuar, së bashku me Flora Kolecin (nga Universiteti i Tiranës), një gramatikë në të cilën disa aspekte të sintaksës së shqipes janë trajtuar duke përdorur modelin teorik të gramatikës gjenerative. Në një libër tjetër kam trajtuar disa varësi sintaksore të shqipes. Puna ime sado e kufizuar, ndikon në përhapjen e studimeve për shqipen, gjuhë së cilës i mungojnë akoma zbatimet e metodave gjenerative-transformacionale sepse studimet gjenerative për shqipen, në vend si dhe jashtë vendit, janë akoma të pakta.

GJUHA SHQIPE NË UNIVERSITETIN E VENECIAS

Në Universitetin e Venecias, gjuha shqipe mësohet që prej vitit 2002. Katedra e gjuhës shqipe, krahas mësimit, organizon takime, kuvende dhe bashkëpunon me Universitetin e Tiranes dhe me atë të Prishtinës në kuadër të programit Erasmus + që çdo vit sjell në Venecia profesorë dhe studentë nga Shqipëria dhe nga Kosova. Marrëdhëniet mes Universitetit të Venecias dhe atë të Tiranës dhe të Prishtinës kanë të bëjnë si me sferën didaktike ashtu edhe me atë të kërkimit shkencor. Në Itali gjuha shqipe mësohet që nga fillimi i shekullit të kaluar: duke filluar nga Jugu dhe duke shkuar drejt Veriut ka katedra të gjuhës shqipe në Universitetin e Palermos, Kozencës, Leçes, Napolit, Romës, Venecias. Për disa vite, gjuha shqipe është mësuar edhe në Bari, Firence dhe Trieste. Të gjitha këto institucione kanë marrëdhënie të vazhdueshme me Shqipërinë, marrëdhënie që pasqyrojnë një lidhje të fortë historike midis Italisë dhe Shqipërisë.

STUDENTËT SHQIPTARË RUAJNË GJUHËN DHE TRADITËN

Gjuha shqipe, kultura, tradita shqiptare vazhdon të ruhet në Itali nëpërmjet studenteve shqiptarë që studiojnë në Universitetet italiane, midis shoqatave të ndryshme (në Veneto, Emilia Romagna, Trentino Alto Adige) që merren me emigracionin e shqiptarëve në Itali, me shqiptarët që jetojnë dhe punojnë në Itali, me fëmijët të lindur në Itali që kanë dëshirën për ta ruajtur identitetin e tyre. 

KARRIERA AKADEMIKE E PROFESORESHËS GIUSEPPINA TURANO

Prof. Giuseppina Turano është diplomuar për gjuhë të huaj dhe letërsi në Universitetin e Firences më 1989 dhe më pas ka mbrojtur gradën shkencore Ph.D. në Albanologji në Universitetin e Kalabrisë 1991-1994. Prof. Giuseppina Turano kreu studimet e post doktoraturës në Albanologji në Universitetin e Kalabrisë 1995-1997. Aktualisht është profesore e asociuar e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe në Universitetin Ca ’Foscari të Venecias që nga viti 2015 e në vazhdim. Ka mbajtur pozicionin e asistent profesores në Universitetin Ca ’Foscari të Venecias që nga viti 2002 deri në vitin 2015. Prof. Turano ka qenë pedagoge e ftuar në Universitetin e Prishtinës në 2015, 2016, 2017, 2018, 2019, në Universitetin e Tiranës në 2010-2011, në Universitetin e Shkodrës në vitin 1999 dhe në 2001. Më heret Prof. Giuseppina Turano ka qenë profesore e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe në Universitetin e Firences nga 2002 në 2008, në Universitetin e Barit nga 2000 deri në 2002 dhe në Universitetin e Kalabrisë nga 1997 në 2002. Numëron disa botime, dhjetëra artikuj të botuar në revista prestigjioze me faktor të lartë impakti dhe dhjetëra pjesëmarrje në konferenca shkencore ndërkombëtare. 

Filed Under: Featured Tagged With: Prof. Giuseppina Turano, Sokol Paja, Universiteti ‘Ca’ Foscari Venecia’

“OLD BRIDGE-URA E VJETËR” PROMOVOHET NË VATËR

May 9, 2021 by dgreca

“OLD BRIDGE-URA E VJETËR” E STUDIUESES ARJETA FERLUSHKAJ PROMOVOHET NË VATËR TË DIELËN, 16 MAJ 2021/

-Promovimi organizohet nga Federata Panshqiptare e Amerikës”VATRA”, Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë dhe Albanian-American Dual Language & Culture-

Të Dielën me 16 Maj 2021, në orën 3.00 PM, në selinë e Federatës Panshqiptare të Amerikës”VATRA” organizohet promovimi I librit”OLD BRIDGE-URA E VJETËR” i studiueses Arjeta Ferlushkaj, anëtare e Këshillit të Përgjithshëm të Federatës Panshqiptare të Amerikës”VATRA”.

Promovimi organizohet nga Federata Panshqiptare e Amerikës”VATRA”, Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë dhe Albanian-American Dual Language & Culture. 

Veprimtaria do të moderohet nga Marjana Bulku.

Bëhuni pjesë e këtij promovimi.

Filed Under: Featured Tagged With: Arjeta Ferlushkaj, Old Bridge, Promovohet, Vater

Pse do të votoj për Marko Kepin këtë bir të Arbërisë?

May 8, 2021 by dgreca

Nga Keze Kozeta Zylo/

Marko Kepi po kandidon për Këshilltar në Bashkinë e Nju Jorkut dhe ne si shqiptarë doemos që na bën të ndihemi krenar.  Personalisht nuk dua të shoh se është republikan apo demokrat, kjo nuk më intereson fare, pasi duke e njohur nga afër punën e tij të jashtëzakonshme për komunitetin shqiptar si dhe të gjitha komunitetet e tjera në Amerikë më bind që votën t’ja dhuroj Marko Kepit.  

Marko Kepi është një djalë i lindur në Shkodër, ka ardhur në Amerikë në moshë të vogël, por gjuhën e nënës dhe dashurinë për Atdheun se ka harruar kurrë.  Këto i ka treguar me veprat e tij dhe përkushtimin maksimal.  

Ne si Diasporë e kemi një bir tjetër të devotshëm të Arbërisë në Bashkinë e Nju Jorkut z.Mark Gjonaj dhe kjo na e ka rritur kudo krenarinë si shqiptarë. Z.Mark Gjonaj është nje shembull i jashtëzakonshëm për të gjithë brezat, pasi për herë të parë në Diasporën shqiptaro amerikane zë vend si këshilltar në Bashkinë e Nju Jorkut.

Marko Kepi ka qenë me dekada në krye të organizatës së mirënjohur “Rrënjët shqiptare” dhe pikerisht me këtë organizatë kanë dalë në pah tiparet e një lideri të vërtetë.  

E kush si Marko Kepi organizon shqiptarët çdo vit në muajin qershor në Manhattan dhe i mbledh në Paradën Internacionale duke parakaluar me Flamurin kuq e zi para botës?  

Shqiptarët e Diasporës vërshojnë si lumë në Manhattan veshur me simbolet e Flamurit Kombëtar.  Por nuk ka qenë vetem veshja kuq e zi, ngase çdo vit Parada i është kushtuar çështjes kombëtare si: Kosova, Çameria, Mali i Zi, UÇK-ja, vëllezërve Bytyqi etj.  Nëpërmjet paradës ai së bashku me ekipin e tij sensibilizon mbarë opinionin botëror ku kanë përshëndetur mjaft politikanë amerikanë nga podiumi i paradës.  

Marko Kepi ka një komunikim plot mirësi dhe respekt me të gjithë shoqerinë dhe miqësinë pa marrë parasysh shqiptar apo nga vende të tjera.  Më lejoni të sjellë se çfarë më ka thënë një zonjë e nderuar amerikane që fati e ka sjelle ta kemi mikeshë të përbashkët këtu në New York, me te cilen Qemali punoi 15 vjet në Norwegian Christian Home në Brooklyn ku njëherazi ushtron detyrën si zv/presidente e Bordit të Trustisë të këtij institucioni.  Ne si familje e kemi njohur qysh në muajtë e parë të ardhjes në Amerikë.  Zonja Arlene Bakke Rutuelo tha fjalë miradie për Marko Kepin pasi dhe ajo ka punuar bashkë në zyrën e senatorit Marty Golden.  Ajo u shpreh se Marko Kepin është fat ta njohësh dhe unë tek ai shoh një të ardhme të shkëlqyer.  Ai është punë mbaruar, korrekt, i devotshëm dhe i ka dhënë Amerikës duke e mbrojtur me dashuri si marins këtë vend të bekuar.  Ai ka fituar zemrat e shumë amerikanëve pasi vetem me punë mund ta arrish atë vazhdoi zonja amerikane Rutuelo.   

Marko Kepi eshte nje mbështetës i madh i shkollave Shqipe “Alba Life” në New York.  Ai ka qenë disa herë pranë çdo shkolle shqipe në lagjet e Nju Jorkut dhe i ka frymëzuar dhe më shumë prindërit për të sjellë fëmijë në këto shkolla.  Vetë gjuha shqipe që ai flet është frymëzim për gjithë nxënësit.  Marko Kepi ka marrë pjesë pa hezitim në shumë aktivitete të organizatave shqiptaro amerikane, po ashtu ka qenë së bashku ndër festimet fetare pa dallime feje, por thjesht si vëlla shqiptar.  

Marko Kepi së bashku me ekipin e tij mblodhi më shumë se çdo organizatë tjetër në Diasporë fonde për t’ju ardhur në ndihmë familjeve shqiptare që u dëmtuan rëndë nga tërmeti i 26 nëntorit të 2019ës.  Ai mblodhi 1.6 milionë dollarë për të pa strehët. Gjate fushates se tij ajo që më ka bërë përshtypje më shume se çdo gjë tjetër, ndoshta dhe si themeluese dhe mësuese e shkollave shqipe në New York, është premtimi që po u bën zgjedhësve për të ndërtuar “Illyrya House” në Staten Island ku do të jetë një qendër e gjithë shqiptarëve për aktivitete të ndryshme dhe të rëndësishme për komunitetin.  Ajo që ma ngazëllen shpirtin dhe më realizon ëndrrën e kahershme është se do të ketë dhe mjedise dhe për klasat e shkollës shqipe. 

Ai është diplomuar nga John Jay, Kolegji i Drejtësisë Penale, drejtimi në Shkenca Politike dhe Histori, dhe fitoi per Master Ekzekutiv i Administrimit të Biznesit (EMBA) nga Kolegji Wagner.

Marko Kepi u regjistrua në Marine Corp të Shteteve të Bashkuara për të demonstruar dashurinë dhe vlerësimin e tij për një vend që i dha atij dhe familjes kaq shumë liri dhe mundësi.

Prandaj për të gjitha këto cilesi të një lideri të vërtetë ftoj të gjithë shqiptarët të cilët janë të shumtë në numër  që të mbështesin kandidaturën e Marko Kepit një djalë plot perspektivë dhe me vizion për të ardhmen në Amerikë.  

Ekipi i fushatës për zgjedhjen e Marko Kepit po punon fort me të gjitha mundësitë për të regjistruar zgjedhësit dhe për ta çuar më tej punën gjer në fitore të tij.

Marko Kepi premton se do të punojë me shpirt për komunitetin, për Amerikën që i ka dhënë aq shumë dhe mezi pret te shërbejë si Këshilltari yne në Bashkinë e Nju Jorkut.

Për të gjitha këto që shkruajta më lart pohoj me gjithë forcën e shpirtit se: 

Ja pse votoj për Marko Kepin këtë bir të Arbërisë!

8 Maj, 2021

Staten Island, New York

Filed Under: Featured Tagged With: Keze Kozeta Zylo, Marko Kepi, Pse e votoj

NATA E KADRIT NË KOMUNITETIN SHQIPTAR MYSLIMAN NË LONDËR

May 8, 2021 by dgreca

Imam Blerim Ciroka, Imami i Xhamisë Shqiptare në Londër, në një rrëfim ekskluziv dhënë gazetarit Sokol Paja për gazetën “Dielli”, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës Vatra, shpjegon rëndësinë e Natës së Kadrit në besimin Islam, organizimin fetar dhe atdhetar të shqiptarëve në Londër, muajin e Ramazanit në komunitetin shqiptar në Londër, aktet e bamirësisë së bashkësisë shqiptare myslimane ndaj shqiptarëve në nevojë dhe funksionimin e riteve e ceremonive fetare në kushtet e pandemisë globale.   

RËNDËSIA E NATËS SË KADRIT NË BESIMIN ISLAM

Nata e Kadrit është nata e lutjeve, është nata kur Zoti dërgon engjujt, të shumtë në numër, aq sa ka guralecë toka, i dërgon në mbi njerëzi, deri në agim ka vetëm paqe, pranojnë e përcjellin lutjet dhe kërkesat e atyre që besojnë e luten. Pranimi i lutjeve, kjo arritje e madhe, është më shumë e lehtë në këtë natë. Nata e Kadrit është ajo natë e bekuar kur 14 shekuj më parë erdhi Engjulli i Madh, Xhebraili, dhe filloj t`i përcjellë Muhamedit a.s. Librin e fundit hyjnor, Librin që e udhëzon njeriun, Librin që i`a mëson njeriut atë që nuk e di, Librin që është dritë për besimtarët, Librin në të cilin nuk ka pikë dyshimë, Librin që flet e dialogon me njeriun vetëm me fakte, Libri që e fton njeriun të logjikojë e meditojë, Librin argumentat e të cilit janë të patjetërsueshëm, Librin e moralit, Librin e familjes, Librin e shoqërisë, Librin që e dallon të mirën nga e keqja. Libri që ua siguron mirësinë edhe në këtë botë por edhe në të Amshueshmen besimtarëve që e ndjekin me kujdes. Kjo natë e bekuar kur miliarda besimtarë anë e kënd botës, edhe ata që ndoshta e praktikojnë më pak besimin, agjërojnë posaçërisht në ditën e kësaj nate, të gjithë sa jemi njëherazi i ngrejmë duart dhe lutemi, kërkojmë nga Zoti ynë. Kjo natë më e mirë se 1000 muaj, më e gjatë në vlerë se krejt jeta e njeriut, kjo natë kuptimin dhe vlerën e së cilës njeriu ndoshta nuk e kupton plotësisht por më shumë e ndjen. Këtë natë besimtarët ngrejnë duart lart e duke thënë: O Zot, ti je falës, na fal neve.., ata falen. Ndoshta kryefjala e kësaj nate është falja dhe paqja por besimtarët kërkojnë edhe begati, edhe shëndet, edhe harmoni, edhe jetëgjatësi me vepra të mira, besimtarët kërkojnë dhe duhet të kërkojnë edhe prosperitet, zhvillim ekonomik dhe unitet kombëtar. Është pikërisht Kurani i cili ka fillu të shpallet në këtë natë që na mëson të kërkojmë edhe të mirat e kësaj bote por edhe të amshueshmes. Vetë kjo natë na mëson se krahas sasisë cilësia mbetet kusht për çdo gjë. Për një natë, sic është kjo e bekuar, njeriu mund të arrijë shumëçka më bekimet e Zotit. Kjo natë na mëson se ne besimtarët duhet të jemi cilësorë para së gjithash.

MUAJI I RAMAZANIT ME BASHKATDHETARËT SHQIPTARË NË LONDËR

Ramazani si gjithnjë vjen i bekuar, qëndron me ne për 30 ditë dhe largohet krejt lehtë dhe këndshëm. Mëshirë, shëndet, durim, tolerancë, mirësitë e pafudme Hyjnore në sipërfaqe të tokës, njerëz më të mirë, njerëz më të durueshëm, njerëz më dorëdhënës, njerëz që janë të përqendruar për t`u përmirësuar, për të përmirësuar vetveten e tyre para se të diskutojnë çështjet e tjera. Ramazani është muaj i devotshmërisë, e devotshmëria është një arritje e madhe për besimtarët. Agjërimi, si edukues dhe skalitës i drejtpërdrejtë i vlerave njerëzore, agjërimi fizikisht dhe agjërimi shpirtëror, të dyja plotësuese kusht të këtij riti themelor të Islamit, përjetohet bukur me bashkatdhetarët tanë këtu në Londër. Ngrënia e mëngjesit të hershëm, ngrënia e darkës kur perëndon dielli, falja e darkës në Xhami, leximi i Librit të Shenjtë, Kuranit, bisedat e ndryshme fetare, rritja e konsiderueshme e pjesëmarrësve në faljen e ditës së premte shëmbëllen pikërisht mrekullinë që ndodh tek besimtarët gjatë këtyre ditëve. Bashkatdhetarët tanë i kanë shtuar akoma më shumë lëmoshat e tyre, bujarinë e tyre përmes darkave shtruar gjatë këtyre netëve. Ka një unitet dhe frymë vëllazërore në mesin e shqiptarëve këtu. Ramazani dhe mirësitë e tij na sjellin më afër trojet tona ku jemi mësuar ta përjetojmë Ramazanin, me iftare e teravi, me lutje për njëri-tjetrin e me biseda fetare të agjërimit, iftaret familjare janë ndër zbukurimet më të bukura ndoshta të këtyre ditëve. Edhe ata që nuk agjërojnë e ndjejnë këtë muaj, përmes agjërimit dhe durimit të agjëruesve. Bashkatdhetarët kanë kontribuar më shumë për të afërmit dhe nevojtarët e tjerë në vendlindjet tona, altruizëm për t’u admiruar.

RELIGJIONI NË KUSHTET E PANDEMISË GLOBALE

Pandemia si një rast i veçantë në historinë njerëzore ka ndikuar goxha në komunimin tonë me besimtarët. Mbyllja e xhamive, qoftë për faljen pesë kohëve, qoftë për faljen e të premteve, jetët e humbura dhe pasiguria që krijoi ajo domosdoshmërisht bëri që të largohemi fizikisht me besimtarët dhe ndjekësit e Xhamisë. Këto kushtëzime të reja sollën edhe imponimin për forma të tjera të komunikimit, kryesisht rrjetet sociale, ligjeratave online, etj. Në Xhaminë tonë janë mbajtur rregullisht ligjëratat më këshilla të faljes së të premtes dhe të gjitha janë përcjelluar në kanalin youtube, komunikimet përmes facebook-ut të Xhamisë ka qenë po ashtu i rregullt. Në rastet e morteve në këtë periudhë pandemie kur vdekjet fatkeqësisht kanë qenë më të shumta në numër se zakonisht, Xhamia ka qenë 24 në shërbimin e bashkëatdhetarëve tanë duke patur parasysh se Xhamia jonë ofron plotësisht shërbimin funerale të xhenazeve. Takimet postmortore në kryerjen e riteve fetare të të ndjerëve me familjarë të tyre, duke i respektuar të gjitha rregullat e paraqitura nga qeveria e vendit, ka qenë e vazhdueshme. 

XHAMIA SHQIPTARE E LONDRËS, ORGANIZIMET DHE PROJEKTET E  BAMIRËSISË

Xhamia ka qenë dhe është vazhdimisht aktive në organizimet e projekteve të bamirësisë. Më konkretisht, sipas nevojës janë ndihmuar familjet që kanë humbur të afërmit e tyre, janë krijuar fonde për të ndihmuar bonjakët në trojet tona, Shqipëri, Kosovë e më gjërë, janë ndihmuar vazhdimisht ndërtimi i shtëpive për shtresat në nevojë, janë mbështetur vazhdimisht individë me problem shëndetsorë të cilat nuk kanë mundur t`i përballojnë shpenzimet e mjekimit të tyre. Xhamia ka qenë dhe është gjithmonë e hapur për të ndihmuar rastet e vështira dhe për të bashkëpunuar me donatorët e ndryshëm. 

NJË MESAZH PËRSHËNDETJEJE PËR DIASPORËN SHQIPTARE NË USA, DIELLIN DHE VATRËN

Është kënaqësi të të jepet mundësia të komunikosh me të mirënjohurit Diellin dhe Vatrën, më shqiptarët e Amerikës, sidomos përmes gazetës tuaj. Dielli dhe Vatra janë dhe mbeten ndër më të vjetrat qendra mediatike dhe organizative shqiptare nëpër mërgatën shqiptare, janë dhe mbeten paraprirëse shembuj për të gjithë emigrantët shqiptarë nëpër botë. Historikisht i kanë shërbyer shqiptarisë dhe vazhdojnë t`i shërbejnë me mish e me shpirt. Mesazhi im fillon me një lutje dhe një homazh për të gjithë atë idealist të Vatrës dhe të Diellit dhe krejt shqiptarisë, që kanë kaluar në amshim, që e kanë mbajtur të ndezur dhe ruajtur ndjenjën dhe aspiratat kombëtare për shërbim ndaj atdheut. Shprehi mirënjohje për të gjithë ata bashkëkohës të tjerë që e ruajnë me çdo kusht letërnjoftimin tonë kombëtare pavarësisht se jetojmë dhe punojmë në vende të huaja, siç janë kryesisht ruajtja e gjuhës sonë shqipe, ruajta e lidhjeve me vendindlindjet tona, ruajta e lidhjeve me të afërmit tonë që jetojnë në mëmëdhe, ruajtja e lidhjeve me bashkatdhetarët tonë në vendet përkatëse ku ne jetojmë. Përcjellja e identitetit tonë kombatër me shumë dashuri tek brezi i ri e bën kombin akoma më të fuqishëm, akoma më me dinjitet. 

DIELLI DHE VATRA SHEMBUJ ATDHEDASHURIE PËR SHQIPTARËT ANËKËND GLOBIT

Dua të them se VATRA dhe shqiptarët e Amerikës, më shërbimet që i kanë ofruar atdheut dhe kombit mbeten shembuj për të gjithë mërgimtarët anëkënd globit. Kur shikon dhe lexon për historitë e Vatrës, kur lexon për personalitet dhe familjet e famshme që i kanë shërbyer Vatrës dhe përmes saj i kanë shërbyer kombit nuk ka se si të mos mbushesh me kanaqësi. Shembulli juaj na inspiron të gjithëve. Lutem në këto ditë të bekuar që kombi ynë të ketë prosperitet, të gjejë qetësinë dhe rehatinë e munguar. Uniteti ynë kombëtar është një xhevahir i madh i qënies tonë, është shumë i çmuar dhe duhet të ruhet pa asnjë kompromis nga të gjithë ne. Ju uroj të gjithë ndjekësve të gazetës tuaj të cilët po agjërojnë në këto ditë, agjërim të lehtë e të pranuar. Duke ditur se pak ditë na ndajnë nga festa e madhe e Bajramit të Fitrit, dua ta mbyllë me dy kolos, patriotë të thekur dhe besimtarë të përkushtuar ndaj Zotit krijues, të famshmin At Gjergj Fishta, kur thotë vërtetë ne kemi Bajram e Pashkë por Shqiptarinë e kemi bashkë, dhe tjetër kolosi ynë Hafiz Ali Korça: “Si ay ta duam iman’ e vatanë, për udhë rrefenjës mjaft kemi Kur’anë. Po mbajtmë Kur’anë, mbajtmë lumtërinë, Me të munt ta mbajme din’ e kombësinë.

Filed Under: Featured Tagged With: Blerim Cirka, Nata e Kadrit, Sokol Paja, Xhamia ne London

GJERGJ KASTRIOTI-SKENDERBEU IDENTITI HISTORIK SHQIPTAR

May 7, 2021 by dgreca

Shkruan: Prof. asoc. Bedri Muhadri – INSTITUTI I HISTORISË “ALI HADRI” PRISHTINË/

Viti 1405 datë 6 maj shënon ditëlindjen e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, kryevlerës së historisë sonë shqiptare. Në nderim të veprës së Skënderbeut ne sot me respektin tonë evukojmë Skënderbeun, personalitet Ky që është emblemë e identitetit historik shqiptar. 

Viti 1443 shënon kthesën e madhe historike për shqiptarët, vit i kthimit të Skënderbeut në trojet Arbërore.  Ky kthim historik ndodhi në Betejën e Nishin, me 3 nëntor 1443, ku u ndeshën ushtritë e Sulltan Muratit II dhe ato hungarezë të udhëhequra nga Janosh Huniadi. Dhe Skënderbeu që sipas shkruesit më të mirë të Historisë shqiptare Marin Baleti, Skënderbeu i përgatitur që me kohë më 300 kalorësit e tij, shfrytëzoi rasti dhe iku nga kapmi osman për të marrë rrugëtimin e tij për në trojet e të parëve të tij,. Në rrugëtimin e kthimit  nga Qyteti i Nishit, Skënderbeu kaloni në qytetin e Prizrenit, dhe qëndroi për një kohë për të riorganizuar mbrojtjen e vendit. Nga tregimet folklorike të kësaj kohe  të mbledhura nga Qamil Haxhihasani thuhet: “Skënderbeu kishte mbledhur gurë në lumin e Drinit të Bardhë dhe kishte meremetuar kalanë e Prizrenit. Prej qytetit të Prizrenit Skënderbeu u drejtua për në Tetove dhe Dibër. 

 Më 1443 kur ai u vu në krye të kryengritjes së përgjithshme çlirimtare të popullit shqiptar, osmanët pasi kishin pushtuar Gadishullin Ballkanik, po i turreshin Hungarisë për të hapur rrugën drejt Evropës Qendrore dhe Shqipërisë për të kaluar në Gadishullin Italik. Skënderbeu arriti t’i bindte krerët feudalë, të demoralizuar nga dështimet e mëparshme që t’i linin mënjanë mosmarrëveshjet midis tyre dhe të bashkoheshin në një front të vetëm luftarak kundër armikut të huaj. Ai formoi më 2 mars 1444, Besëlidhjen Shqiptare të Lezhës. Në kuvend morën pjesë bujarët më të shquar shqiptarë. Gjergj Arianiti, Andre Sopia, Nikollë e Pal Dukagjini, Gjergj Stres Balsha, Pjetër Spani, etj. Ajo që tërheq vëmendjen më tepër është se, në Kuvend u vendos që bashkimi i forcave shqiptare të kryhej, duke formuar një lidhje midis sundimtarëve shqiptarë. Ajo do të kishte karakterin e një konfederate apo të një aleance politike shqiptare. Kryetar i saj u zgjodh promotor i Kuvendit të Lezhës, Gjergj Kastrioti – Skënderbeu. Një tjetër vendim shumë i rëndësishëm, që u mor në kuvend, ishte formimi i një ushtrie të përbashkët, që do të ishte në gatishmëri për të marrë pjesë në luftë e në rast nevoje do të ndihmonte sundimtarët shqiptarë për mbrojtjen e zotërimeve të tyre. Kapiten i përgjithshëm (Capitaneus generalis) i ushtrisë u zgjodh Gjergj Kastrioti – Skënderbeu. Për të përballuar shpenzimet e nevojave ushtarake dhe të luftës u vendos të krijohej një arkë e përbashkët. Fondet e saj do të formoheshin, ndër të tjera, nga kontributi në të holla që do të jepnin sundimtarët arbëror sipas kuotës që u caktua për secilin.

Skënderbeu si kryekomandant i Lidhjes Shqiptare, ia arriti që për një kohë të shkurtër të krijojë një ushtri të rregullt.

Realiteti historik u bë gur më i mirë i provës për këtë bashkim që nuk ishte një lidhje e thjeshtë e sunduesve të vendit, por kishte baza të thella. Sikurse na njofton Marin Barleti, bashkëkohës i Skënderbeut dhe shkruesi i veprës monumentale “Hisotira e jetes dhe veprës së Skënderbeut Princit Epirot” (“Historiae de viva et rebus gestis Scanderbegi…epirota principis”), Skënderbeu sapo shpalosi në kalanë e Krujës flamurin e kuq me shkabën e zezë dykrenore. Kryeheroi i historisë sonë shkoi prej një vendi në vend tjetër për ta ftuar popullatën në luftën çlirimtare kundër sundimit të huaj. Skënderbeu si kryekomandant i Lidhjes Shqiptare, ia arriti që për një kohë të shkurtër të krijojë një ushtri të rregullt, por edhe ta mobilizojë popullin për luftë.

Lufta çlirimtare e popullit shqiptar nën udhëheqjen e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut shënon faqe të ndritshme në historinë mesjetare shqiptare. Ajo ishte luftë e përgjithshme e vendit e cila nuk linte pa përfshirë as gratë, as fëmijët, e jo vetëm si viktima, por në radhë të parë si bashkëluftëtarë. Ajo kishte bashkuar mbarë popullin e vet (katolik, ortodoks, mysliman, aristokrat, fshatarë e feudal) në luftë për liri dhe mbrojtje të vendit. Lufta çlirimtare shqiptare në kohën e Skënderbeut me sukses u bëri ballë mese njëzet ekspeditave osmane të ndërmarra sistematikisht kundër vendit, dhe duke u shkaktuar humbje të mëdha atyre. Rezistenca shqiptare e kohës së Skënderbeut, me turp të madh i detyroj para mureve të Krujës që të largohen dy sulltanët e mëdhenj të Perandorisë Osmane: Sulltan Muratin II me 1450 dhe Sulltan Mehmetin II me 1466-1467. 

Fitoret e njëpasnjëshme të Rezistencës Shqiptare provuan se Skënderbeu ishte një strateg i shkëlqyeshëm me aftësi të rralla për tu gjetur kurdoherë sipas rastit. Ai diti të siguronte fitoren duke u tërhequr si në Tervioll me 1444, ose duke sulmuar si në Albulenë me 1457 duke luftuar kundër kalorësve të lehtë turq, ose kalorësisë së rëndë italiane me 1462, duke i hapur beteja ushtrisë armike në fushë si në Oranik e Polog me 1462, ose në shtigjet malore si në grykën e Vajkalit me 1465.  Nga vargu i gjatë i fitoreve duhet veçuar, sidomos atë në Ujëbardhë (1457), të cilën e kishte vlerësuar lartë John Neëport, kalorës anglez, pjesëmarrës vullnetar i betejës. Gjatë qëndrimit të tij në Romë (1458), ai kishte deklaruar: “Po të bjerë kështjella arbërore, pushtimi i Evropës nga osmanët është i sigurt, pasi nuk ka fuqi tjetër që ta bëjë këtë rezistencë”.

Pas fitores madhështore që u arritën nën muret e Krujës, me 1450, Skënderbeu filloi të mos i përfillte ku e donte interesi i luftës, autonomin e feudalëve separatist. Ai, filloi të merrte masa të rrepta kundër feudalëve të lëkundshëm, të hiqte nga postet që zinin oficerët e pa aftë dhe t’i zëvendësonte me oficer të rijnë, të aftë dhe besnik. Për më tepër ai filloi t’i zhveshtë nga koha në kohë bujarët e dyshimtë dhe nga zotërimet feudale të cilat ua shpërndau ushtarëve të dalluar. Lufta e suksesshme nën udhëheqjen e Skënderbeut ndikoi pozitivisht për integrimin në një shtet të përbashkët të fisnikëve shqiptarë.

Kryetari i Shtetit, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, qëndronte në krye të piramidës shtetërore me të drejtat e një monarku feudal.

Heroi shqiptar përdori mjete të ndryshme për afrimin e bashkimin sa më të ngushtë e të qëndrueshëm të feudalëve të fuqishëm shqiptarë e rrjedhimisht të të gjithë vendit. Kësisoj vetë Skënderbeu u martua me Donikën, vajzën e Gjergj Arianitit i cili ishte ndër princërit me të fuqishëm arbëror.

Shteti shqiptar i kohës së Skënderbeut formohet në vitet 1450, në kohën kur Perandoria Osmane pas pushtimit të Kostandinopojës me 1453) gjendej para aktit të vendosjes së superioritetit aziatik mbi atë evropian, pikërisht në kohën kur shtetet e krishterë të Ballkanit binin me radhë nën sundimin e Perandorisë osmane, prandaj ekzistenca e saj në atë kohë përveç rëndësisë historike që për një çerek shekulli populli shqiptar i bashkuar politikisht e ushtarakisht në shkallë kombëtare frymoi lirinë shpirtërore në betejat e përgjakshme. Ajo e kishte edhe rëndësinë ndërkombëtare sepse 25-vjet do ta mbajë të ngujuar Perandorinë Osmane përpara rezistencës shqiptare, rëndësinë e së cilës do ta ndjejë shumë qytetërimi evropian.

Skënderbeu ishte arkitekti dhe qeveritari i shtetit (dominus Albania) shqiptar mesjetar. Titulli zyrtar i tij ishte Zot i Arbërisë (Dominus Albaniae). Në vitin 1464 Skënderbeu ishte paraparë të kurorëzohej mbret prej Papa Piut II, një e drejtë ekskluzive kjo nga ana e Selisë së Shenjtë. Ceremonia për marrjen e skeptrit mbretëror nga Skënderbeu ishte parashikuar të organizohej me rastin e ardhjes në Shqipëri të vetë Papa Piut II në krye të një ushtrie evropiane, si kryekomandant i së cilës do të ishte Skënderbeu. Por, vdekja e Papa Piut II me 14 gusht 1464 në Ancona të Iltalisë, u pamundësua që Skënderbeu të mos merr titullin Mbret. Në ndërkohë rrjedha e ngjarjeve e stërmbushur me luftëra të suksesshëm të Perandorisë Osmane e shtynë në pafundësi interesimin e Vatikanit për ta kurorëzuar Skënderbeun Mbret, qëndrim ky aspak i drejt karshi sukseseve të vazhdueshme të Skënderbeut në luftë kundër Osmanëve.

Forma e sistemit politik ishte monarki feudale. Organi më i lartë i pushtetit shtetëror ishte monarku – Skënderbeu. Pushteti Skënderbeut si kryezot ishte i gjerë, ai shpallte luftë bënte paq, lidhje marrëveshje me shtetet tjera. Skënderbeu kishte një aparat të veçantë të përbërë nga kancelarët dhe nga ambasadorët apo të ngarkuarit (oratorët) kancelar të cilët përpilonin në gjuhë të huaj shkresa të ndryshme, si traktate që u nënshkruan me vendet e tjera. Ambasadorët dhe oratorët e Skënderbeut ishin klerikë e laikë të kulturuar, që njihnin me themel gjuhët e huaja, si latinisht, osmanisht, sllavishten, greqisht, etj. Sipas praktikës mesjetare pushteti i Skënderbeut ishte i trashëgueshëm. 

Shteti shqiptar, i bashkuar nën drejtimin e Skënderbeut, kishte simbolet e veta, që mbështeteshin në traditën e vendase dhe shprehnin sovranitetin e tij.  Simboli më përfaqësuese për shtetin shqiptar të Skënderbeut është Flamuri me shqiponjën dykrenore me krahë të ulur dhe yllin me gjashtë ose tetë cepa. Syshqiponja e zezë dykrenore, siç e ka treguar M. Barleti, ka qenë e vendosur  në qendër të flamurit të Skënderbeut që fushën e kishte të kuqe. Skënderbeu krenohej me historinë e lavdishme të paraardhësve. Skënderbeu përdori edhe simbolet shtetërore të Pirros së Epirit (Shqiponjën dhe përkrenarën e zbukuruar me një kohë dhie), të Aleksandërit të Madh të Maqedonisë (shenjën e Diellit), si dhe simbole pellazgjike. Vula e madhe e Skënderbeut kishte karakter shtetëror. Përmbajtja e saj në mes të tjerash ka shënuar inicialet ose siglat e fjalëve “D (Dominus dhe AL albaniae) apo Zot i Arbërisë.

    Cilat territore përfshinte shteti: Skënderbeut?

 Kufijt e mundshëm të Shtetit Mesjetar të Skënderbeut, në  kulmin e lulëzimit të vet, shtriheshin në Perëndim, me brigjet shqiptare të Adriatikut, që nga Velipoja deri në Seman, me përjashtim të qyteteve të Lezhës dhe të Durrësit, në Lindja ato arrinin përtej Drinit të Zi, deri në malet e Korabit, të Kërçinit e të Strogovës, së bashku me grykën e Radikës, në Veri ato kufizoheshin me zotërimet e Dukagjinëve, deri të Mati, e në jug deri në afërsi të qytetit të Beratit. Kryeqytet i shtetit të bashkuar u bë Kruja.

Lufta e popullit shqiptar në gjysmën e dytë të shekullit XV bëri që shteti shqiptar i Skënderbeut të ketë marrëdhënie politike me shumë shtete evropiane. Marrëdhëniet politike të shtetit shqiptar të Skënderbeut me kompleksivitetin e tyre shënojnë ngjarjet nga më të rëndësishmet të periudhës 25-vjeçare të shtetit të lirë e të pavarur shqiptar. Në tërësi marrëdhëniet politike ndërkombëtare të Evropës Mesjetare ishin të drejtuara kundër ndërhyrjes osmane në Evropë, në kornizat e së cilës politika shqiptare e udhëhequr nga Kryeheroi  Skënderbeu, jo vetëm që ishte përbërësja kryesore e saj, pro do të jetë ajo e cila më së shumti efektivisht veproi kundër invazionit osman. Mirëpo, Evropa mesjetare e përçarë, e veçmas në Gadishullin Italik, mbizotëronte anarkia feudale, bëheshin lufta të mëdha dinastike, mbretëronte injoranca dhe abuzimet, të gjitha këto bënë që të mos vijnë në shprehje aq sa kërkohej përkrahja e luftës shqiptare kundër invazionit osman. Madje, ndonjë shtet si Republika e Venedikut, bëri çmos për ta minuar luftën e denjë të popullit arbëror dhe dobësimin e shtetit të Skënderbeut. Shtetet feudale të Evropës, në përgjithësi, përpiqeshin të përfitonin nga sakrificat e panumërta të shtetit shqiptar me qëllim të mbajtjes së rrezikut osman sa më larg vendit të vet. Përçarja e shteteve mesjetare e lehtësoi përparimin e shpejtë të osmanëve në Ballkan dhe pengoi krijimin e një koalicioni që t’i priste rrugën agresionit osman me forcat e përbashkëta. Në këto rrethana, kryeheroi  i historisë sonë ishte i detyruar të mbështetej krejtësisht në forcat e brendshme të vendit.

Megjithatë, gjatë periudhës 25-vjeçare të ekzistencës së shtetit të pavarur shqiptar, kryetrimi ynë luftoi për të siguruar ndihmën e nevojshme dhe bashkëpunimin ndërkombëtar kundër Perandorisë Osmane. Për këtë qëllim ai hyri në marrëdhënie diplomatike me disa shtete të fuqishme të Evropës së atëhershme. Marrëdhënie të shpeshta shteti i Skënderbeut pati sidomos me shtetet italiane si; Republikën e Venedikut, Napolin, Milanon, Papatin, pastaj me Hungarinë, Republikën e Raguzës, dukatin e Burgonjës, etj. Në ndonjë rast, për problemet e luftës, Skënderbeu ka zhvilluar bisedime edhe me vetë Perandorinë Osmane. Në tërësi politike e jashtme që ndoqi Heroi i ynë i’u nënshtrua plotësisht, me konsekuencën më të lartë, qoftë edhe duke marrë sakrifica të ndjeshme mbi vete, interesave të luftës çlirimtare kundër pushtuesve të huaj. 

Skënderbeu si burrështetas dhe luftëtar ka marrë vlerësime të shumta që e lartësojnë veprimtarin e tij. Papa Kalisti III shkruante: “Ska njeri në botë që të mos e dijë trimërinë që keni bërë dhe mos të ju lëvdojë gjerë në qiell si një mbrojtës të vërtet dhe krye luftëtarë bujarë të krishterimit”. Napoleon Bonaparta gjenerali i shquar francezi i shek XIX thoshte: “Skënderbeu ishte njëri ndër katër gjeneralët më të mëdhenj të të gjitha kohërave”. Iluministi i shquar francez Volteri duke komentuar rëndësinë e fushatave të Skënderbeut për Evropën, ai shkruan: “Kjo është mjaft që historia evropiane ti jep Skënderbeut një vend të nderuar midis mbrojtësve më të mëdhenj të saj, kundër barbarisë aziatike, si ai, mund të kishte bërë më shumë po ta kishin ndihmuar fuqitë Evropiane si duhet”. 

Dhoma e Përfaqësuesve e Kongresit Amerikan në vitin 2005, me rastin e 600 vjetorit të Lindjes së Skënderbeut kishte nxjerr Rezolutë: “e cila lavdëron shqiptarët kudo për nderim që i bëjnë prijësit të tyre trim, heroit dhe birit të tyre, Gjergj Kastriotit Skënderbeut dhe kërkon nga qeveria Amerikane që të punojnë me partnerët e vet evropianë për shpejtimin e integrimit të Shqipërisë dhe të një Kosove të lirë në Bashkimin Evropian, në njohje të kontributit dhe sakrificës që dha Gjergj Kastrioti Skënderbeu dhe populli shqiptar në shpëtimin e Evropës Perëndimore nga dominim ottoman’.

Një ndër studiuesit e shkëlqyeshëm të tij është historiani i madh italian Zef Valentini i cili shkruan: “Kush mund të mendojë se do të ishte jo vetëm mëkat, por çështje e pamundshme për të zvogëluar personalitetin e shkëlqyeshëm të Skënderbeut në nivel të një heroi vendas mendjeshkurtër. Skënderbeu e ka gjithë Evropa, e ka bota të vetin, e nëpër të e vetëm nëpër shpirt të tij ia njeh vlerën e meritat e hershme edhe të Shqipërisë”. Studiuesi me i shquar shqiptar për Skënderbeun, Kristo Frasheri personalitetin e Skënderbeut e quan Krye vlerë e historisë sonë kombëtare.

Që këtej për merita ndaj jetës dhe veprës, në shumë qendra të Evropës gjatë shekujve të mëvonshëm u ngritën shumë përmendore e sheshe  kushtuar Kreshnikut shqiptar, u shkrua një numër shumë i madh i veprave për kryetrimin tonë. Ngritja e përmendoreve të Skënderbeut në qendra të Evropës, u tregon miqve tanë për qenien tonë si komb dhe fisnikërinë e vlerave tona evropiane.

Këto vepra janë një mrekulli që provon ekzistimin tonë etnik dhe përjetëson shqiptarizmin, të cilin as vargu më dërmues i ekstremeve historike nuk arriti ta mposht, meqë ne, si një ndër popujt më të lashtë të Evropës, ndiejmë në vete hove të gjalla vitaliteti që befasojnë edhe armiqtë tanë më të ashpër. Sot emri i Skënderbeut nuk duhet të konsiderohet vetëm ngadhënjyes i betejave të mëdha, apo vetë luftëtarë i shquar që luftoi pandërprerë për lirinë e vendit, por, duhet të ngjallë në shpirt lakminë për një Shqipëri dhe Kosovë Euroatlantike, dhe për vetë administrim dhe qeverisje ekzekutive dhe politike te pavarur në hapësirat shqiptare në Maqedoni dhe Serbi, e Mal të Zi. Këta  shkrim si prolog për shënimin e 550-vjetorit të vdekjes së Skënderbeut po e përmbyllim me konstatim se Figura më madhështore shqiptare dhe e Evropës në vitet 1444-1468, ishte Gjergj Kastrioti-Skënderbeu. Ai ishte gjeni i artit ushtarak, ai ishte largpamës i madh në çështjet politike, ai ishte organizator dhe aleat i shkëlqyeshëm, ai ishte dhe mbeti ylli më i ndriçues në popullin e vet dhe në historinë njëzet e pesë vjeçare të Evropës she shekullit XV.

Duhet thënë se bota shqiptare ka ditur ta çmoj këtë personalitet, me faktin se portreti i Gjergj Kastriotit – Skënderbeut është simbol nacional që personifikon unifikimin e etnisë shqiptare, por, duke u nisur nga përvoja e aspekteve që dalin nga Epoka e lavdishme e heroit tonë kombëtar, shtrohet domosdoshëm uniteti strategjik kombëtar. Arbëreshët e Italisë në një këngë të vetën thonë që: “Skënderbeu gëzohet dhe zbret nga qielli kur janë bashkë gjithë arbëreshët”, pra gjithë shqiptarët, E ne besojmë dhe shpresojmë se një ditë ai i madhi Skënderbeu dhe shqiptarët të jenë të bashkuar pra të gëzuar. 

Filed Under: Featured Tagged With: Gjergj Kastrioti-Skenderbeu, Prof. Bedri Muhadri

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 124
  • 125
  • 126
  • 127
  • 128
  • …
  • 901
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kur Michigan-i bëhet Ballkan: Kush po e financon garën dhe pse shqiptarët nuk duhet të flenë
  • PATRIOTI LIBERAL VELI HASHORVA DHE GAZETA “DRITA” E GJIROKASTRËS (1920-1924)
  • POEZIA E FATMIR MUSAIT: VAZHDIM I NJË TRADITE LETRARE
  • Misioni i amerikanes, Rose Wilder Lane në “Majat e Shalës” dhe historia një komiti
  • SAVE THE DATE
  • THE AUCKLAND STAR (1930) / RRËFIMI I ARTISTIT HUNGAREZ, MIHÁLY MÉSZÁROS : “JETA E PËRDITSHME E AHMET ZOGUT, MONARKUT PROGRESIV TË SHQIPËRISË…”
  • Lufta ndaj fesë përgjatë diktaturës në Shqipëri e mishëruar në sulmet ndaj Biblës, Kuranit, Ikonave dhe bazës spirituale fetare
  • Lionel Jospin, një nga politikanët e rrallë të virtutit dhe të moralit
  • SOT NË DITËN E TEATRIT
  • Andon Zako Çajupi, in memoriam…
  • Kosova edhe 1 finale larg Botërorit, Shqipëria pa fat në Poloni
  • “LISSITAN/LIS/LISSUS, Qyteti i 12 portave” dhe fortifikimet e tij të admirueshme…
  • ME Dr ELEZ BIBERAJN NË TIRANË NË ÇASTIN KUR U THYE VET-IZOLIMI KOMUNIST, MARS, 1991
  • Beyond the Game: Kosova’s Roadmap to Victory 2026 FIFA World CUP
  • “Saint Paul in Dyrrach”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT