• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

SHKURTE FEJZA: Pavarësia e Kosovës,kulmi i një ngjarje që më ka sjellur jeta t’a përjetoj…

February 19, 2021 by dgreca

Intervistë me këngëtaren SHKURTE FEJZA: Pavarësia e Kosovës,  është kulmi i një ngjarje që më ka sjellur jeta t’a përjetojë–

Këngëtarja e cila ka bërë epokë në muzikën popullore shqiptare, pamëdyshje është Mbretëresha e muzikës popullore Shkurte Fejza.

E vlerësuar me çmimet më të larta nga institucionet e trojeve shqiptare, me shumë e qindra koncerte Shkurte Fejza. vazhdon të jetë shumë aktive në skenë me projekte muzikore  dhe tejet e pëlqyer nga publiku shqiptar brenda dhe jashtë vendit.

Në një intervistë ekskluzive, këngëtarja përgjigjet në shumë pyetje rreth jetës dhe karrierës së saj.

Cila është historia e hitit kombëtar “Xhamadani vija vija”, Për cilën ngjarje të fëmijërisë ka nostalgji, A ka këngë më të realizuar se “Mora Fjalë” e cila i dedikohet Komandantit legjendar Adem Jashari, për këto dhe shumë gjëra tjera, ju ftoj t’i lexoni gjatë intervistës në vijim me këngëtaren e mirënjohur Shkurte Fejza.

Këtë vit keni publikuar disa këngë si: “Të dy kemi qenë me fat”, ”Telefoni”, por dueti i fundit me Gresa Behlulin “Nuse, mësuese”, bëri bujë në media, duke u kritikuar për përmbajtjen e tekstit, sa jeni ndarë e kënaqur me realizimin e këngëve, kush janë autorët dhe a po mundohen disa individë ta njollisin karrierën tuaj të krijuar me përkushtim?

Shkurte Fejza: Edhe pse ky vit ishte pa aktivitete publike, në krijimtari artisti  nuk ndalet  dhe si fryt i kësaj dolën disa këngë të realizuara si këto që i përmendet dhe disa që janë në fazën e përfundimit. Artisti përmes këngës pasqyron jetën e vetë si te kënga “Të dy kemi qenë me fat” tekstin e së cilës e kam shkruar vetë.

Kur kënga pasqyron  realitetin në rrethin e tij te kënga “Telefoni” që tekstin e ka shkruar gazetari dhe këngëtari i mirënjohur z.Refki Reshitaj, dhe e treta Pasqyrimi realitetit të shoqërisë ku jeton te kënga “Nuse mësuese” që tekstin dhe muzikën e ka shkruar z. Ilir Berani. Kënga është argëtim dhe mbanë në vete pos mesazhit edhe nganjëherë humor, ironi, sarkazmë, kritikë apo edhe një formë debati në mes të personazheve dhe kështu duhet kuptuar. Mua më vjen mirë dhe jam e lumtur që publiku i gjerë dhe adhuruesit e mi e kanë kuptuar drejtë sarkazmën, përmbajtjen dhe  mesazhin e kënges ashtu si e ka paraqitur autori në këngë. Të tjerat nuk kanë rëndësi për mua. Dua t’i falenderojë nga zemra të gjithë dashamirët e këngëve të mia kudo që janë për mbështetjen e pakursyer që kanë shprehur gjatë gjithë karrierës sime deri më tani.

Ndër vite popullit shqiptar i keni dhuruar këngë perla, duke i frymëzuar edhe në kohët më të vështira, dua të ndalem te historia e këngës “Xhamadani vija vija”, e cila tanimë është shndërruar në një himn kombëtar?

Shkurte Fejza: Në vitin 1992, unë realizoj ëndërren time jetësore dhe vizitojë për herë të parë Shqipërinë. Gjatë tërë rrugës bisedonim me Hajrushin për realizimin e ëndrrës tonë për kete vizitë. Morëm rrugën për Shqipëri na percjellë ky Drini i zi, sepse ne shkuam nga Struga dhe u nisëm për me ardhë por si vala e Drinit të bardhë, ashtu si ishte deshira e jonë e që e kishim të ndaluar. Kështu e krijuam nje tregim për këtë udhëtim. E takojmë regjisoren Vera Grabocka dhe kërkon që të shkoj mysafirë në një emision të saj dhe Hajrushi i premton po do të vjen Shkurta me një këngë të re.  Kështu vendosëm t’a bëjmë këngen nga ky tregim. Të nesërmen do të shkonim për Shkodër, se donim ta takonim kompozitorin Pjetër Gaci. Ja tregojmë idenë Pjetrit por nuk mund t’a realizimin sepse ai nga hallet e kishte shitur pianon për të realizuar vijen melodike qe do ta inçizonim si demo për ta realizuar pastaj ne ndonjë studio. Ai na drejtoj te një mik i tij kompozitor, te Zef Qoba, ai ka piano dhe punon nëeRadio Shkodra. Shkuam te Zefi dhe i tregojmë për këtë ide. Ishte pasdite vonë dhe nuk kishim shumë kohë. Për disa orë me Zefin e bëmë një melodi. Zefi na propozojë  mikun e tij poet që do ta rregullonte tekstin në poezi sepse duhej rimuar dhe strofuar dhe bërë tamam për këngë dhe ashtu ishte sepse duhej një dorë profesionisti. Natën shkuam te Alfred Çapaliku. Ai e kompletojë edhe me vargje të reja dhe aty brenda asaj nate, u rrumbullakua edhe teksti edhe muzika. Në mëngjes, u nisem për Tiranë dhe me propozimin e Zefit, shkuam në Radio Tirana e takuam Shpetim Saraqin, te  i cili e realizuam këngën “Xhamadani vija vija”. Është interesante se atë ditë ai ishte fejuar me këngëtaren Mira Konçi. Premiera e këngës u bë në emisionin e Vera Grabockes “12 javë në Holivood”. Pra kjo këngë ka një histori interesante dhe shumë domethënëse për mua. Është e shkruar si  një këngë-rrëfim (biografi), për udhetimin e parë drejtë Shqipërisë por tani është shëndërruar në vijë melodike të çdo eventi kombëtarë dhe këtë fakt e përjetojë jashtëzakonisht mirë

Thuhet se vitet e fëmijërisë janë më të ëmblat, na kujtoni ndonjë ngjarje, për të cilën edhe sot ke nostalgji?

Shkurte Fejza: Koha e fëmijërisë, është përplotë ngjarje dhe momente që shpesh i kujtojë. Zakonisht kur bëhesha me shoqe të lagjës, më kërkonin të këndoja dhe gjithmonë kisha siklet dhe i ikja rastit. Por kur shkoja te dajtë  edhe atje kisha të njejtat kërkesa. Dajtë e mi kanë qenë nga Karaçica një vend malor mbi malet e Berishës, por kishin zbritur në Magurë të Lipjanit. E kam pas gjyshen time një grua tipike shqiptare dhe këndonte shumë bukur, aq bukur sa nuk besojë se kam takuar një zë ashtu të paster dhe të kthjellët.Është mëkat që femrat shqiptare nuk kanë pasur mundësi të shfaqin talentin e tyre në ato kohëra dhe kjo ka ndikuar të shuhen talente për mungesë të kushteve për emancipimin e tyre. Kur më kërkonin të këndoja unë gjithmonë ju thoja pa këndue gjyshja as unë nuk këndojë. Kështu që ajo në fillim këndonte një këngë, pastaj unë një e kështu me radhë dëri natën vonë. Edhe tani më mungojnë ato mbrëmje magjike.

A ju ka ndodhur ndonjëherë, ta refuzosh ndonjë këngë, për arsye se nuk ju ka përshtatur karakterit tënd?

Shkurte Fejza: Unë gjatë tërë karrierës time, vetë jam kujdesur për përzgjedhjen e temave dhe gjithmonë kam kërkuar nga tekstshkruesit çka të shkruajnë. Kështu që gati gjithmonë jam bashkëpjesmarrëse e teksteve, pastaj i kompletojë derisa i plotëson kërkesat e mia. Ashtu ndodhë edhe te melodia dhe mund të them se krejtë në fund me orkestruesin në studio kënga e merr formën që e degjon publiku. Jam tip kërkuesi dhe kam shumë vetëkritikë si të them gati asnjëherë nuk kënaqem me ato që realizojë. Më kujtohet, përpara përgatitnim albume me nga dhjetë këngë dhe derisa e përfundoja me siguri merresha me nja 15 apo 20 këngë dhe nga ato i zgjedhja ato që më pelqenin. Ma tepër me dilte punë kur bëja bashkpunime, dmth duete apo në grup më ka ndodhur me refuzue për arësye se nuk më konvenonin këngët sidomos kur kisha kërkesa për këngë që i përshtateshin tregut por nuk më përshtateshin mua dhe kritereve të mia.

Si e gjithë bota edhe Kosova po përballet me luftën kundrejt koronavirusit (COVID-19), si i kalojë këta muaj zonja Shkurte, duke marrë për bazë se gjatë vitit 2020 mbrëmjet muzikore dhe dasmat u anuluan nga Qeveria?

Shkurte Fejza: Ky vit si thotë populli shkoftë e mos u ktheftë. Vit me shumë pasoja në aspektin ekonomik për të gjithë popullin por edhe për ne në veçanti. Unë lirisht mund të them ishe viti zero sepse u anuluan të gjitha aktivitetet dhe na ka dëmtuar shumë materialisht por prap me rëndësi është shëndeti. Pandemia na ka penguar në punë me publikun, por jo edhe në krijimtari sepse kam realizuar disa këngë. Në fillim kam qendruar në Prishtinë dhe pas një muaji kam shkuar në fshat në Mushtisht dhe atje kam qëndruar gjatë gjithë Verës deri në Vjeshtë. Tani jam prapë në Prishtinë sepse duhej realizuar këngët por edhe punët tjera dhe bashkimi me femijet. Urojë që të kalojë më në fund dhe t’i kthehemi normalitetit.

Shumë këngëtarë i kanë kënduar Komandantit legjendar Adem Jashari, por kënga “Mora Fjalë mbetet interpretimi më i realizuar në të gjitha komponentë, si ndiheni kur vlerësoheni me premisa të larta për këtë këngë?

Shkurte Fejza: “Mora fjalë”, është një kushtim për legjendarin Adem Jashari që ngjanë në këngët antike që u këndoheshin heronjëve me përmasa hyjnore. Është një thirrje që qëllimshëm s’i përfillë kufizimet e realitetit e as dimensionet kohore. Kjo këngë duke i kënduar pavdekësisë historike ka përfituar pavdekësinë artistike.

Unë jam shumë e lumtur, që ia kam arritur t’a ngrisë në këtë nivel por gjithmonë duke iu falenderuar autorit të tekstit dhe kompozitorit të kësaj kënge z.Naim Gjoshit dhe aranzhuesin dhe realizuesin në studio z. Xhevdet Gashi.

Cila është dita më e lumtur e jetës tënde?

Shkurte Fejza: Është e vështirë të ndashë një ditë të vetme, sepse jeta të jepë shumë kënaqësi p.sh rasti i të bërit nënë, sukseset në jetë, realizimi i këngëve, koncerteve të mëdha, liria e Kosovës të gjitha këto të japin kënaqësinë e vetë. Do t’a veçoja  shpalljen  e Pavarësisë së Kosovës,  është kulmi i një ngjarje që më ka sjellur jeta t’a përjetojë, kur dihet se sa  gjenerata janë sakrifikuar për këtë ditë.

Sipas teje, a është e nevojshme që një këngëtar/e të provokojë në skenë, apo nuk mund të kuptohet një këngëtar/e, i/e pëlqyer sot pa provokime?

Shkurte Fejza: E nevojshme kurrësesi, por ja që ndodhin këto gjëra që i bëjnë disa në mungesë të cilësisë dhe talentit që nuk e kanë. Kjo është edhe një krizë identiteti dhe mundohen të përfitojnë nga kriza morale që e ka pllakosur shoqerinë tonë.

Gjatë vitit 2020 u shuan fizikisht artistët që lanë gjurmë në muzikën shqipe si: Nexhmije Pagarusha, Ismet Peja e Shahindere Bërjalolli, a është momenti i fundit që shteti t’i kushtojë vëmendje më shumë artistëve?

Shkurte Fejza: Ky vit për shumëçka i mbrapshtë por edhe në këtë aspekt i rëndë, sepse na i mori edhe shumë personalitete të mëdha që i dhanë shumë kulturës sonë. Nexhmije Pagarusha, Ismet Peja, Shahindere Bërlajolli, Isë Llapqeva por edhe Leze Qena e Adem Mikullovci. Poashtu edhe në Shqiperi janë shuar artistë të medhenjë që na krijuan një boshllëk në mozaikun e artit shqiptarë. Do t’i kujtojmë me shumë respekt dhe do të jetojnë veprat e tyre. Artisti krijuesi gjithmonë ka nevojë për mbështetje institucionale. Uroj që Kosova të stabilizohet dhe artistët ta ndjejnë dorën e shtetit.Shpresoj që të ndryshohet kjo gjendje e mjerë dhe të del dikush që mendon, vepron  dhe e ka preokupim kulturën dhe artin.

Si ishte viti 2020 për zonjen Shkurte?

Shkurte Fejza: Falë Zotit, që veprojnë ligjet e Universit dhe kalendari ecë dhe shkojë ky vit i mbrapshtë me frikë dhe zymtësi, pa aktivitete dhe pa punë por  në krijimtari kam punuar mjaftë dhe kam realizuar disa këngë që i kam publikuar dhe të tjerat që janë në proces.

A keni planifikuar ndonjë këngë të re, pse jo edhe ndonjë album gjatë 2021 – të’s?

Shkurte Fejza: Po i kam dy këngë thuaja të përfunduara dhe pres t’i xhiroj edhe si videoklipe vitin që po vjen. Besoj se do të pëlqehen se janë edhe tema interesante dhe me peshë, poashtu edhe disa të tjera që i kam filluar dhe shpresoj t’i realizojë. Çështja e albumeve është punë që nuk ka kuptim të bëhen sepse nuk ke kujt dhe si të ia ofrosh sepse ka ndryshuar forma e komunikimit me publikun.

Cilat janë tri gjërat që ëndërron t’i ralizosh deri në fund të jetës?

Shkurte Fejza: Hahaha (Qeshet), është  një kufizim i vrazhdë për mua në tri gjëra sepse kam plane e plane për të realizuar dhe secila për natyrën e vetë është mjaftë e rëndësishme. Asnjëherë nuk e harrojë një mendim se “Njerëzit bëjnë plane e Zoti qesh se nuk varen krejt nga njeriu”. Por gjithmonë duke shpresuar se do të kemi kohë për të realizuar ëndrrat tona.

Natyra e punës sonë është punë në kontinuitet në hulumtimin e temave, gjetjet më të mira, bashkpunimi me profesionist të mirë dhe realizimi i këngëve dhe kjo punë zakonisht zgjatë shumë. Për shumë njerëz kjo duket e lehtë por për mua jo sepse nuk guxoj të eksperimentoj për shkak të karrierës sime dhe kritereve që i vë vetës.

Për fund, cila është motoja e Shkurte Fejzes, për vitin 2021?

Shkurte Fejza: Punë, punë natë e ditë që të shofim pakëz dritë. Shumë mirë e ka thënë Naimi i madh dhe mendoj se ende vlenë. Mendoj se secili në profesionin e vetë dhe duke shfrytëzuar talentin e vetë të jepë kontribut për të mirën e vendit dhe njerëzve të vetë. Uroj që në Vitin e ri  2021, të marrim mësim nga kjo moto dhe të mbizotërojë një unitet i domosdoshëm në mes të shqiptarëve që të mos vendnumrojmë edhe më tutje dhe të mos na përsëritet historia e gjërtanishme.

Intervistoi: Armend Preteni

Filed Under: Featured Tagged With: pavaresia e Kosoves, PAVARESIA E KOSOVES DHE

Flamuri i Kosovës më i madhi në botë i formuar me origami – rekord Guinness

February 19, 2021 by dgreca

-Ministrja Haradinaj-Stublla përgëzon znj.Arbnora Fejza-Idrizi për Rekordin Guinness me Flamurin e Kosovës/

PRISHTINË, 19 Shkurt 2021-Gazeta DIELLI/ Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, znj.Meliza Haradinaj-Stublla ka përgëzuar znj.Arbnora Fejza-Idrizi për arritjen e një tjetri rekord Guinness për flamurin më të madh në botë të formuar me origami. Flamuri i Kosovës i përbërë nga një mozaik me mbi 120 mijë origami është krijuar nga znj. Fejza-Idrizi me ndihmën e studentëve të gjimnazit ‘Hamëz Jashari’ në Skënderaj.

Ministrja Haradinaj-Stublla ka uruar znj. Fejza-Idrizi për rekordin e saj të radhës në Librin Guinness, duke e cilësuar këtë arritje si një dhuratë e përzemërt për Kosovën dhe për lartësimin e imazhit të vendit.  

“Flamuri më i madh në botë i formuar me origami është ai i Kosovës, i njohur zyrtarisht nga Libri i Rekordeve Guinness! Falë përkushtimit të znj. Fejza-Idrizi dhe studentëve nga Skënderaj kjo u bë e mundur – Faleminderit që jeni ambasadorë të Kosovës.”, është shprehur ajo.

Kryediplomatja e Kosovës më tej ka shtuar “se çdo vepër e mirë, secili gur/origami i vendosur për të mirën e Kosovës, është akti më i vlefshëm për ta bërë krenar vendin e popullin e Kosovës.” 

Filed Under: Featured Tagged With: Behlul Jashari, Flamuri i Kosoves, Rekord Guinnes

IOWA-KOSOVA, ALEATË MODERNË USHTARAKË

February 18, 2021 by dgreca

Foto-arkiv/

-Garda Kombëtare e Iowa dhe Forca e Sigurisë së Kosovës aleatë modernë ushtarakë/

-Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj-Stublla:  Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë një vend shumë të veçantë në zemrat dhe mendjet e gjithë popullit të Kosovës, dhe gjithashtu një vend shumë të veçantë në historinë e Republikës sonë të re/

-Guvernatorja e Iowa, Kim Reyonlds: Lidhjet tona janë të thella dhe jemi të nderuar që Kosova na ka dhuruar misionin e parë diplomatik në Iowa/

-Senatorja Amerikane Joni Ernst: Partneriteti si shtete simotra ka mundësuar rritjen e jashtëzakonshme të marrëdhënieve midis komuniteteve tona, ndërsa ne jemi krenarë qe jemi aleatë modernë ushtarakë. Jam e lumtur të mund t’ju uroj Gëzuar Ditën e Pavarësisë/

Senatorja Joni Ernst/

18 Shkurt 2021-Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë/

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës përmes Konsullatës në Iowa ka organizuar një ngjarje virtuale solemne në trembëdhjetë vjetorin e Pavarësisë së Kosovës.

Në këtë aktivitet virtual, me pjesëmarrjen e miqve të nderuar të Kosovës nga shteti i Iowa dhe Garda Kombëtare e Iowa, znj. Kim Reynolds, Guvernatore e Shtetit të Iowa, znj. Joni Ernst, Senatore e SHBA-ve dhe Gjeneralit të pensionuar Tomothy E. Orr, ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, znj.Meliza Haradinaj-Stublla, në fjalën e saj përshëndetëse, ka falënderuar miqtë tanë të përjetshëm, Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

 “Nuk mund ta theksoj mjaftueshëm se Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë një vend shumë të veçantë në zemrat dhe mendjet e gjithë popullit të Kosovës, dhe gjithashtu një vend shumë të veçantë në historinë e Republikës sonë të re”, ka thënë ajo.

 “Unë dua të shpreh vlerësimin tim për popullin e Iowa-s për lidhjen e veçantë gjatë viteve. Miqësia jonë filloi me partneritetin midis Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe Gardës Kombëtare të Iowa-s, dhe këto ditë, ajo do të përparojë në mënyrë thelbësore me misionin tonë të parë historik si paqeruajtës”.

Shefja e diplomacisë kosovare ka thënë se ky është një hap monumental dhe domethënës në zhvillimin dhe njohjen e vendit tonë.

“Ky është gjithashtu një simbol dhe dëshmi e marrëdhënies së veçantë midis Kosovës dhe Iowa-s. Shtetet e Bashkuara na kanë besuar si një mik, dhe tani ju po na besoni si një partner në një nga misionet më të rëndësishme ndërkombëtare”.

Secili prej jush, shtoi ajo, është një kontribuues i palëkundur i miqësisë sonë të fortë.

Guvernatorja e Iowa, znj. Kim Reyonlds, u shpreh se “lidhjet tona janë të thella dhe jemi të nderuar që Kosova na ka dhuruar misionin e parë diplomatik në Iowa”.

“Një arritje e jashtëzakonshme që të mund të dërgojmë Gardën Kombëtare të Iowa në mision me FSK. Si shtete simotra ne kemi lidhur marrëdhënie të ngushta edhe përmes qyteteve e popujve tanë, duke ndarë së bashku strategji të zhvillimit e partneritete në edukim, kulturë, rini e sport. Jemi më të fortë së bashku. Gëzuar Ditën e Pavarësisë”, u shpreh ajo.

Senatorja amerikane znj.Joni Ernst, u shpreh ndërkaq se Kosova dhe Iowa kanë një marrëdhënie të rëndësishme mes tyre si aleatë modernë ushtarakë, por që tashmë është zhvilluar edhe përtej asaj ushtarake.

“Partneriteti si shtete simotra ka mundësuar rritjen e jashtëzakonshme të marrëdhënieve midis komuniteteve tona, ndërsa ne jemi krenarë qe jemi aleatë modernë ushtarakë. Jam e lumtur të mund t’ju uroj Gëzuar Ditën e Pavarësisë”, u shpreh ajo duke shtuar se “Kosova zë një vend të veçantë në mendjen dhe zemrat e qytetarëve të Iowa. Urime për shumë vite të partneritetit tonë në të ardhmen”.

Filed Under: Featured Tagged With: Behlul Jashari, IOWA-Kosova

VDEKJA E GJUHËS SË NËNËS SJELL VDEKJEN E NJË KOMBI

February 18, 2021 by dgreca

“DIELLI” me shqiptarët në Selanik/

VDEKJA E GJUHËS SË NËNËS SJELL VDEKJEN E NJË KOMBI/

Eva Paloka mësuese në mërgatën shqiptare në Selanik, Greqi, rrëfen ekskluzivisht për gazetën “Dielli”, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, New York, ruajtjen e identitetit kombëtar të shqiptarëve si dhe organizimin e aktiviteteve të ndryshme për kultivimin e kulturës, traditës, gjuhës shqipe dhe vlerave të tjera kombëtare shqiptare në Selanik. Me mësuesen Eva Paloka bisedoi gazetari i “Diellit” Sokol PAJA.

SHKOLLA SHQIPE E SELANIKUT

Krijimi i një shkolle të parë shqipe në Selanik daton që prej 7 marsit 2001 me mësuesen aktiviste Mimoza Dako, vit i cili duhet mbajtur mend në historinë tonë. Hapja e një shkolle të tille ishte jashtë çdo imagjinate dhe vështirësitë që u paraqiten ishin të shumta. Puna të mëson vetë, thotë një shprehje e urtë e popullit tonë. Rrugët ishin hapur, çfarë kërkohej? Dëshirë, pasion, atdhedashuri, mbështetje, përkrahje e mbi të gjitha bashkim shqiptarësh për të treguar se gjuha jonë e bukur me rrënjët e saj të thella nuk duhet të vdesë. Më 7 mars të vitit 2014 u hap edhe një shkollë tjetër shqipe, unë isha një prej mësuesve të saj ku vazhdoj dhe sot të kontribuoj për gjuhën e kombit tonë. Ish Konsulli i parë në Konsullaten  Shqiptare të Selanikut z. Artur Porpollogu më kërkoi të ndihmoja në dhënien e mësimit, në mënyrë vullnetare, të gjuhës shqipe. Më besoni, pranimin e kërkesës për të kontribuar për gjuhën shqipe e shoqërova me lot mallëngjimi. Lodhja ditore prej një pune të rëndomte largohej atje, tek klasa me fëmijët shqiptarë që do mësonin të flisnin e shkruanin gjuhën tonë amtare. Shihje vërtetë  mosha të ndryshme të interesuara për të mësuar gjuhën shqipe, kurioziteti dhe dëshira e njëjtë nga nxënës, prindër e mësues, të tërë bashkë të emocionuar. Si fillim, kur nisëm mësimin e gjuhës shqipe, na u dha një klasë, ( procedura që ndiqet për marrjen e një ambjenti klase është e gjatë dhe disi e vështirë) numri i madh i nxënësve, ishin të pamjaftueshme numri i bankave dhe karrigeve. Kjo situatë  e detyroi kryetarin e shoqatës “Progresi”, një shoqatë e sukseshme me 20 vjet aktivitete në dobi të veprimtarisë kombëtare, e cila mundësonte shkollën tone, z.Thodhori Miho, të dërgonte në Bashki të qytetit një kërkesë tjetër, për një klasë të dytë të mësimit shqip. Programin mësimor që do zbatonim ne mësuesit ishte ai për klasa të bashkuara. Gjithashtu në Selanik shoqata tjetër e njohur “Nënë Tereza”, me kryetar z. Arjan Cara mban hapur prej 10 vitesh një shkollë shqipe. Pranvera që të duket e bukur si stinë do ngjyra e lule. Përpjekjet vazhduan edhe nga shoqata të tjera ku do të veçoja: “Drita e Diturisë” shoqatë kjo e studentëve dhe intelektualeve të Greqisë, kryetare e të cilës është znj. Fotini Shehu, që hapi dy klasa të tjera në dy zona të ndryshme të Selanikut. Vështirësitë e hasura gjatë rrugëtimit detyruan mbylljen e tyre, (znj. Fotini është një grua që nuk e trembin vështirësitë, përpjekjet e saj ende vazhdojnë për çeljen e një shkolle tjetër të mësimit shqip).

PROGRAMI I MËSIMIT SHQIP NË SELANIK

Është viti i shtatë që shkolla jonë vazhdon rregullisht programin e saj për transmentimin dhe përcjelljen e gjuhës shqipe tek fëmijët që janë të lindur në vendet pritëse. Një i tillë vend dhe Greqia, që të funksionojë rregullisht dhe në mënyrë rezultative duhet dhe një bashkëpunim i ngushtë mes kolegësh. Ata kthehen në miqtë më të mirë sepse na lidhin shumë gjëra të përbashkëta. Jetojmë në një vend dhe bashkëpunimi është domosdoshmëri pasi flasim një gjuhë, jemi pothuajse moshatarë, kemi mbi të gjitha pasion mësimdhënien dhe dashurinë për gjuhën shqipe. Kolegu i parë që në fillimet e shkollës është z. Arjan Polisi, më pas rritja e numrit të nxënësve shtoi domosdoshmërisht nevojën dhe për mësues të tjerë të gjuhës shqipe. Programit të mësimit shqip dhe stafit tonë iu bashkangjitën edhe vajzat e mrekullueshme Lindita Bino, Merita Ymeri, Violeta Skopeci, duke formuar me të drejtë skuadrën më të mirë. Bashkë kudo, në orë mësimi, festa, seminare trajnimi, aktivitete të ndryshme dhe për kafe e biseda të ngrohta pune. Kemi qenë kurdoherë në ndihmë të njëri-tjetrit, në ndihmë të gjuhës amtare, bashkimi bëri fuqinë dhe ne patëm një sukses të madh. Tekstet mësimore i shpërndan Konsullata e Përgjithshme në Selanik me kërkesë të mësuesit sipas nevojave për numër nxënësish, tekstet dhe programet janë të miratuara nga Ministria e Arsimit të Shqipërisë në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit të  Kosovës dhe qendrën e botimeve për diasporën.

TË TREGOJMË VLERAT DHE VIRTYTET TONA SHQIPTARE

Koha ka ecur në të mirë të të gjithëve. Jemi dy popuj fqinjë që në periudha të ndryshme historike kemi ndihmuar njëri tjetrin edhe pse ende paraqiten vështirësi në marrjen apo çeljen e një klase për mësimin e shqipes, këto vështirësi po vijnë e zbuten. Qëndrimi prej 20 vitesh në Selanik dhe përshtatja me jetën e këtushme më dhanë mundësinë të krijoj dhe miqësi me grekë por asnjëherë nuk mund të shmang e të harroj racizmin e ndjerë në kurrizin tonë e të fëmijëve tanë në shumë raste. Më lejoni t’ju tregoj një histori: tema e një aktiviteti të shkollës tonë ishte bullizmi. Intervistuam nxënës të ndryshëm ku përgjigjja e njërit prej tyre na lotoi dhe na preku të gjithëve pa përjashtim. Në shkollën ku ai studionte( atë të formimit të përgjithshëm në gjuhën greke), ai ngacmohej taktikisht nga fëmijë më të rritur grekë. Një çast i lodhur dhe i munduar nga gjendja, merr guximin e u thotë: – Pse duhet të më ngacmoni e shani, unë jam vërtetë shqiptarë, por jam fëmijë i mbarë. Përpjekjet për të qënë shqiptarë të mbarë, të formuar e atdhetarë do ti vazhdojmë edhe mes vështirësishë që ne hasim kudo dhe kurdo në mërgim, ne do të tregojmë vlerat dhe virtytet tona shqiptare dhe do t’ua trashëgojmë edhe fëmijëve tanë.

VDEKJA E GJUHËS SË NËNËS SJELL VDEKJEN E NJË KOMBI

Në  përgjigjet e pyetjeve pak a shumë i kam mëshuar dashurisë për gjuhën, përpjekjet  dhe rrugët që do të ndjekim për të mbajtur gjallë këtë gjuhë të lashtë por të artë. Vdekja e gjuhës së nënës sjell vdekjen e një kombi. Rilindasit luftuan me pushkë e penë, ne do të luftojmë me penë dhe duke u bashkuar sëbashku të gjithë për qëllimin tonë të ruajtjes së gjuhës sonë të bukur dhe identitetit tonë kombëtar. Dhe e them me plot bindje se pavarësisht vështirësive ne do t’ja dalim siç kemi bërë gjithmonë falë po kësaj dashurie për gjuhën, për të parët tanë dhe atdheun.

MESAZH PËR DIASPORËN SHQIPTARE NË AMERIKË

Mërgata ne jemi të mërguar por na duhet të punojmë bashkë për të mirën e kombit. Historikisht, ngjarje të shumta me emër të historisë tonë kombëtare kanë treguar se nga diaspora e Amerikës kanë dalë figura të shquara të Shqipërisë të cilët kanë sakrifikuar jetë e pasuri në emër të atdhedashurisë e kombit. Dua vetëm t’ju uroj me zemër e shpirt ju faleminderit që na keni bërë krenarë si atëherë e tani.      

Filed Under: Featured Tagged With: Selanik, Shkolla shqipe, Sokol Paja

KOSOVA FESTON DITEN E PAVARESISE

February 17, 2021 by dgreca

FSK-ja me ceremoni ushtarake shënoi 13-të vjetorin e Pavarësisë së Kosovës/

Në kazermën „Adem Jashari“ të FSK-së, në Prishtinë, sot u shënua me ceremoni ushtarake manifestimi qendror i shënimit të 13-të vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës.

Në ceremoni morën pjesë: UD. e presidentit, znj. Vjosa Osmani, kryeministri në detyrë, z. Abdullah Hoti, ministri i Mbrojtjes, z. Anton Quni, komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama, sekretarja e përgjithshme e MM-së, znj. Rozafa Ukimeraj, zyrtarë të Qeverisë së Kosovës, Ministrisë së Mbrojtjes, ambasadorët e QUINT-it, atashe të korit diplomatik, këshilltarë të NALT-it, ushtarë, nënoficerë dhe oficerë të FSK-së. 

U.D. e presidentit, znj. Vjosa Osmani, pasi përshëndeti të pranishmit tha: „Pavarësia e vendit nuk do të arrihej pa rezistencën qytetare të prirë nga presidenti Ibrahim Rugova, pa sakrificën sublime të djemve dhe vajzave të UÇK-së dhe komandantit Adem Jasharit me familje, por edhe të heronjve e dëshmorëve të tjerë të vendit, pa të cilët, liria do të mbetej vetëm ëndërr! Kjo nuk do të ishte e mundshme as pa kontributin e të gjithë qytetarëve të Kosovës, ngase secili nga ta bëri diçka për ta vendosur një gur në projektin e pavarësisë së vendit! Ata guxuan, prandaj fituan”!   

                      

  Ajo pati edhe një falënderim të veçantë për aleatët të cilët ndihmuan në çlirimin e Kosovës. “U jemi përjetë mirënjohës NATO-s, SHBA-ve dhe Evropës, ngaqë pavarësia e vendit nuk mund të imagjinohej pa ndihmën e tyre”. Në fund, UD. znj. Osmani shprehi synimet e FSK-së dhe shtetit të Kosovës: “Forca e Sigurisë së Kosovës është ushtria më e re në botë dhe po kalon nëpër periudhën e tranzicionit 10-vjeçar. Por, gjatë gjithë kësaj kohe, FSK-ja krahas ngritjes dhe zhvillimit të kapaciteteve të veta, po punon edhe për realizimin e synimit strategjik të anëtarësimit në NATO. Shpresojmë dhe besojmë që në një të ardhme të afërt, ushtarët tanë do të jenë krahas atyre të NATO-s, kudo ku nevojë për ta mbrojtur paqen globale! Synim i vendit tonë është integrimi në bashkësinë e popujve evropianë”.      

Ndërsa, në fjalën e tij, kryeministri në detyrë, z. Abdullah Hoti, tha: „Përvjetorët janë momente të veçanta, për të kujtuar ata që sakrifikuan çdo gjë për realizimin e aspiratës shekullore për liri dhe pavarësi. Sot me shumë mirënjohje përkulemi para kontributit të të gjithë atyre që udhëhoqën rezistencën paqësore dhe ushtarake dhe para gjakut të dëshmorëve“.                                          

Më tej, kryeministri në detyrë, Hoti, shtoi se: “Ditët si këto, na sjellin në vëmendje vlerat më të larta të atdhedashurisë, që jetojnë në përjetësi. Ndërkohë, në ditët si këto ne marrim fuqinë dhe përkushtohemi për borxhin që iu kemi fëmijëve tanë që Kosovën ta bëjmë një vend të realizimit të ëndrrave të çdo të riu, çdo prindi e çdo gjyshi, çdo mësuesi, çdo artisti, çdo bujku dhe gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës“.                                                                                                         

Ai tha se ende mbetët shumë punë për të realizuar aspiratën për integrime euroatlantike. „Edhe në këtë përvjetor, kujtimi dhe mirënjohja për kontributin e pashembullt na bëhen udhërrëfyes që na jep forcë për të ngritur flamurin e Kosovës përkrah vendeve më të fuqishme për të garantuar paqen dhe sigurinë në misionet paqeruajtëse ndërkombëtare“.                                                                

Manifestimi qendror u përmbyll me ekzekutimin artistik të Orkestrës Frymore të FSK-së.

Filed Under: Featured Tagged With: ceremoni, FSK, Pervjetori i Pavaresise

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 147
  • 148
  • 149
  • 150
  • 151
  • …
  • 901
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kullat e familjeve të mëdha patriotike si objekte të trashëgimisë historike
  • ALARM SIGURIE DHE NDËRGJEGJËSIMI KOMBËTAR
  • Edith Durham – Shqiptarët dhe serbomalazezët në 1910-1912
  • Public Statement from VATRA
  • “Universi Biblik” si pasuri e Muzeut të Artit Mesjetar
  • Lavdi përjetë martirëve të 2 prillit!
  • KOSOVA DHE PAVARËSIA E SAJ NË KËNGËT E ARIF VLADIT
  • Masakra e Tivarit – Një e vërtetë e shtypur për shumë kohë
  • Pasqyrimi në filateli i mbështetjes amerikane ndaj Shqipërisë gjatë L2B
  • MASAKRA E TIVARIT, 1945: HESHTJA ZYRTARE QË VAZHDON TË VRASË
  • DR.ATHANAS GEGAJ, EDITORI I “DIELLIT” NË OPTIKËN E DOKUMENTEVE ARKIVORE TË VATRËS (1963-1971)
  • Kujtojmë në ditën e lindjes patriotin e shquar Kostandin Çekrezi, figurë e rëndësishme e historisë dhe publicistikës shqiptare
  • Vasil Rakaj, malësori që ngjizi me shkëmb, metal, dru, baltë dhe shpirt, altarin e përjetësisë
  • “Ajo që pashë në Raçak më ndryshoi jetën”, ambasadori Walker rrëfen në Boston çfarë ndodhi në Kosovë
  • VATRA Boston dhe Kisha “Holy Trinity” promovuan librin “Saint Paul in Dyrrach” të profesor Thanas Gjikës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT