• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

SI KA NDRYSHUAR RAPORTI I NJERIUT ME ZOTIN NË KUSHTE PANDEMIE GLOBALE

October 22, 2020 by dgreca

IMAM DR. TAHIR KUKAJ: SI KA NDRYSHUAR RAPORTI I NJERIUT ME ZOTIN NË KUSHTE PANDEMIE GLOBALE

Imam Dr. Tahir Kukaj, Këshilltar për Çështjet Fetare i Kryetarit të Bashkisë së New Yorkut Bill DeBlasio, NYPD Chaplain dhe Zv. President i Qëndrës Islame Kulturore Shqiptare në Staten Island New York, rrëfen ekskluzivisht për gazetën “Dielli”, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, New York, ndryshimet e jashtëzakonshme që ka pësuar shoqëria njerëzore dhe besimtarët në vëçanti pas prekjes nga Covid-19. Një raport i ri i njeriut me Zotin, teknologjia dhe religjioni, si motivohen besimtarët për të mos humbur besimin e shpresën? Çfarë do të thotë të jetosh në një botë të pasigurtë? Roli i prijësve fetarë. Me Imam Dr. Tahir Kukaj bisedoi gazetari i “Diellit” Sokol PAJA.

SI KA NDRYSHUAR BOTA, PSIKOLOGJIA E BESIMTARËVE PARA DHE PAS PREKJES NGA COVID 

Bota ka ndryshuar shumë pothuajse në të gjitha aspektet, me këtë ndryshim është krijuar edhe një huti e madhe. Në këtë kaos mund të them kan ra shumë imazhe në të cilat njerëzit kishin besim. Dashuria për njeriun, vlerat njerezore, qyteterimi u testue në një shkallë të ndjeshme. Gjendja e besimtareve ishte e rëndë sikur edhe gjendja e  gjithë të tjerëve, edhe pse aspekti shpirtëror ishte më i qëndrueshëm, ishte një burim forcë dhe stabiliteti. Në fakt krizat dhe gjendja e rëndë e dallon besimtarin nga të tjerët. Besimtarët nuk kan humbur besimin në Krijuesin e gjithësisë, në këtë krizë besimtarët shohin edhe mëshirën e Zotit, duke përdorë forcën e besimit për ti dal në ndihmë atyre që kanë nevojë. Faltoret: Kishat, Xhamiat, Sinagogat ishin të parët që organizuan ndihma humanitare, Imamët, Priftërinjtë e klergjitë tjerë ishin në radhën e first responders – aktivistëve të parë. Falë bujarisë së besimtarëve, skamnorët e të varfërit kanë gjetur strehë dhe ushqime si dhe shërbime medicionale. Kjo krizë ishte një rast që besimtarët ti tregojnë botës se humanizmi është rruga e shpëtimit, besimi në Zot është fuqia dhe urtësia me të cilën do ta kalojmë këtë krizë.

NJERIU, BESIMI, MOSBESIMI, DASHURIA

Njeriu në kriza e gjendje të rëndë është përherë më i ndjeshëm dhe aktiv. Me siguri se distanca gjeografike nga njeri-tjetri ka pasur edhe ndikimin e vet psikologjik. Është e vërtetë se në shumë raste kemi edhe largim dhe izolim në mes njerëzve, edhe pse kjo nuk është e shëndoshë në aspekin mental, megjithatë kjo krizë ka ofruar grupe të njerëzve edhe më shumë, këtu e kam fjalën për besimtarët e të gjitha besimeve pa dallim. Besimtari ndjen përgjegjësi morale dhe shpirtërore të jetë optimist dhe konstruktiv. Njerëzit në kriza janë më besimtarë, kërkojnë qetësi dhe prehje, fatkeqësisht, njerëzit kur është koha e qetësisë e jetës normale, harrojnë Zotin, harrojnë se situata ndryshon, duhet të jemi mirënjohës ndaj Krijuesit për mirësitë e Tij të pa numerta. 

VDEKJE, DHUNË, LUFTËRA, EPIDEMI, KU ËSHTË ZOTI? NGJARJE NATYRORE APO NDËSHKIM I ZOTIT MBI BOTËN MËKATARE?

Kjo pyetje është shumë me vend, aq sa është edhe e vjeter. Vëlla i dashur, njeriu është krijese autoritative në këtë planet, çdo gjë i shërben atij, kështu Zoti e ka krijue këtë sistem, ashtu e ka pajis njeriun me aftësi dhe talent që të jetë i aftë dhe dominant në botën ku jetojmë. Këtë aftësi të tij, jo rallë njeiu e ka përdore dhe e përdorë në mënyrë të gabuar dhe nganjëherë tejet të dëmshme. Kështu kur krijojmë kaosin e tragjedinë, kërkojmë ta fajësojmë dikënd tjetër, kështu në këtë rast ata që nuk besojnë në Zot, thua se e gjejnë momentin të shfryjnë mllefin e mosbesimt të tyre ndaj Zotit dhe besimtareve, thua se Zoti duhet të jetë shërbetorë i marrive dhe mëkateve të njerëzve. Por, nëse e shohim këtë aspekt nga këndi i besimtarit, e shohim prezencën e Zoti përherë, e në mënyrë të veçantë në raste të krizave. Zoti është aty ku njeriu sakrifikon pasurinë e tij për të ushqyer  skamnoret, Zoti është aty kur njeriu i del në krah atij që është i shtypur, Zoti është aty pranë babës e nënës që kujdesen për ti rritur fëmijët me edukatë dhe moral që të mos përfundojnë me droga apo në rrugë të ligë ku është shkatërrimi i tyre. Ai që nuk ka sy të shohë dritën e Zotit në shërbim të krijesave të Tij, ai njeri asnjëherë nuk do e ndjejë prezencën e Zotit.

Zoti na mëson se njeriu në këtë botë sprovohet në shumë aspekte, me shëndet, sëmundje, vështirësi ekonomike dhe me pasuri, me liri dhe burg e po ashtu edhe me fatkeqësi natyrore. Zoti nuk na ndëshkon, Zoti është i Mëshirëshëm, këtu ne vuajmë rezultatin e veprimeve tona si njerëz. Kur thashë më herët se humanizmi është testuar rëndë, e kemi vërejtur qartë se si vendet e mëdha dhe të zhvilluara, janë tregu shumë të ngadalshëm e të mos them ma keq ndaj vendeve të varfra, sa është ndihma ndaj vendeve dhe popujve që vuajnë për bukë goje a po për ndonjë penicilin e gjera esenciale për jetë. Investimet marramëndëse në armatim dhe shkatërrim, sikur një përqindje e vogël e kësaj gare për armatim të përdorej për mirë qenien njerëzore, me siguri se jeta do ishte shumë më vlefshme. Planifikohet se si të shumëfishon bilionat e trilionat për ata që nuk kanë nevojë për to, por nuk planifikohet se si të luftohet varferia, urrjetja, sëmundja, dhe në fund, fajësohet Zoti?

TË MOTIVOSH BESIMTARËT NË KOHË TË VËSHTIRA PANDEMIE GLOBALE

Prijësit fetarë, si Imamet, Priftërinjtë apo Rabinët, janë shembull për besimtarët, duhet të gjejnë forcë dhe guxim të jenë në vijën e parë të frontit. Feja na mëson se Zoti është në kontroll mbi çdo gjë. Ne gjejmë mbështetje dhe përkrahje në Zotin. Mëshira e tij është e pafund. Bëjmë thirrje përherë te besimtarët, besoni në Zotin tuej Krijues, përpiqu ta ndihmosh njeriun, vëllaun-motrën tuej njeri pa dallim. Ajo që i ka ndodhur sot dikuj nesër mund të të ndodhë ty, andaj bëhu dorë ndihme, thuej fjalë optimizmi, ndriço mëndjen e njerëzve me udhëzime të shenjta.  Besimtarët gjatë gjithë historisë njerëzore kanë lanë gjurmë të heroizmit dhe urtësisë që ne si njerëz mund të mësojmë nga ta për të ndryshuar gjëndjen në dobi të njeriut.

PANDEMIA-RELIGJIONI-TEKNOLOGJIA-BESIMTARËT

Teknologjia është vënë në shërbim të njeriut në shumë aspekte, kjo është si rezultat i mëndjeve të ndriçuara, kështu është kur përdoret dhuntia e Zotit për mirësi e progres. Lutjet fetare të organizuara  në aspekt virtual ka lehtësuar gjëndjen shumë, pastaj takimet e konsultimet përmes rrjetit -internetit- ka ndihmue të lehtësohet jeta e njerëzve shumë. A nuk e shohin njerëzit mëshirën e Zotit në këtë mirësi- invencion-. Pse nuk e shohin Zotin këtu pikërisht. 

MESAZHI PËR LEXUESIT E DIELLIT DHE BESIMTARËT KUDO NË BOTË

Lexuesve të Diellit, ju përshëndes nga zemra, ju uroj jetë dhe shëndet, keni kujdes mirëqënien e familjes,  edukoni fëmijët në frymë besimi në Zot, duajeni dhe vlerësoni lart kombin në të cilin Zoti ju krijojë. Ruani traditat shekullore të shqiptarëve në aspektin e vëllazërisë së gjakut dhe besimit. Besimi nuk është arsye ndarje por arsye bashkimi.

Filed Under: Featured Tagged With: Dr.Imam tahir Kukaj, Kushte Pandemie, Raporti me Zotin

Sukseset e Presidentit Trump ….

October 21, 2020 by dgreca

–…. në emigracion, ndërtimin e murit, politikën e jashtme, paqja dhe tregtia/

Opinion nga Klajd Kapinova-

Presidenti Trump po punon për të siguruar kufirin amerikan, gjë e cila nuk ka ndodhur prej shumë dekadash. Në shumë zona me kufi me Meksikën, nuk ka pasur asnjiherë barrier apo kufi fizik mbrojtës, e cila ka mundesuar emigrantët e paligjshëm të hyjnë lehtësisht me drogë, keqbërës që i fehshen policies së shteteve të tyre etj., tradikant të vajzave dhe fëmijëve tj.. 

Në këtë mënyrë, Presidenti ynë po përmbush premtimin e tij për të ndërtuar një mur kufitar, me pjesë të konsiderueshme tashmë të përfunduara dhe pak ka mbetur që është në ndërtim e sipër. 

Kështu pritet që më pak se 400 milje të përfundojnë deri në fund të vitit 2020, ku mbi 222 milje të murit kufitar tashmë kanë përfunduar dhe 333 milje muri kufitar janë në ndërtim e sipër. 

Për më tepër 183 milje mur kufiri janë në ndërtim. Po ashtu nën drejtimin e suksesshëm të administratës Trump, Patrulla Kufitare e SHBA-së, ka arrestuar qindra anëtarë të bandave të rrezikshme të drogës, trafikimit të qënieve njerëzore, MS13 etj.

Gjatë kësaj kohe ai ka zbatuar me korrektësi dhe forcë ligjet e imigracionit amerikanë, duke goditur imigracionin e paligjshëm.

Presidenti, i ka bërë thirrje Kongresit, që të mbyllë boshlleqet e rrezikshme të tilla si “Kap dhe Liro“, duke i dhënë fund migrimit zinxhir dhe t’i japë fund gjithashtu Programit të Lotarisë së Vizave, që mundëson imigrim të paligjshëm.

Administrata po kërkon të mbyllë Marrëveshjen e Zgjidhjes së Flores, që i kërkon Qeverisë të lirojë familjet në vend pas 20 ditësh. 

Ky shteg është shfrytëzuar nga kontrabandistët, që përdorin fëmijët si peng, për të hyrë në SHBA, duke mbyllur boshllëqet e azilit kohët e fundit. 

Në këtë mënyrë, administrata republikane vendosi një rregull të ri, që kërkon që migrantët që vijnë në kufirin tonë të kenë aplikuar më parë dhe të refuzohen në një vend ku ata kaluan.

Presidenti Trump ishte i suksesshëm në përpjekjet e tij për të bërë që Meksika dhe vendet e Trekëndëshit Verior të rriten dhe të ndihmojnë në ndalimin e krizës në kufi.

Negociatat e suksesshme të tij çuan në ruajtjen e kufijve që bien më shumë se 70% nga maji (kulmi i krizës) deri në nëntor të vitit 2019.

Në maj të vitit 2019, Presidenti njoftoi një propozim të ri të imigracionit, që do të modernizonte sistemin tonë dhe do të siguronte kufirin, duke i dhënë përparësi politikës, për t’i dhënë fund trafikimit të qenieve njerëzore dhe po përdor shumë burime, për ta bërë këtë plan të realizueshëm.

Tashmë, dihet se nëntë pjesë e legjislacionit, që synojnë të luftojnë trafikimin njerëzor dhe skllavërinë moderne, janë nënshkruar në ligj nga Presidenti Trump.

Shumë e rëndsishme është se administrata gjatë katër vitëve siguroi fonde, për të mbështetur Linjën Kombëtare të Trafikimit të Qenieve Njerëzore.

Iniciativa e Ekipit Koordinues Kundër Trafikimit (ACTeam), dyfishoi dënimet e trafikantëve të qenieve njerëzore dhe rriti numrin e të pandehurve të akuzuar në rrethet ACTeam.

Presidenti Trump, u bë presidenti i parë i SHBA-së i ulur ndonjëherë në tryezë, për të marrë pjesë në takimin vjetor të Task Forcës Ndër-Agjencive të Presidentit, për të Monitoruar dhe Luftuar me Vendosmëri Trafikimin.

Ai nënshkroi një urdhër ekzekutiv, për të vendosur një pozicion në zyrën e politikave të Shtëpisë së Bardhë, që i kushtohet vetëm punës, për të luftuar trafikimin e njerëzve.

Sukseset në politikën e jashtme, shktërrimi i ISIS dhe vrasja e terroristëve #1 islamik ndërkombëtar

Presidenti Trump, ka rivendosur qëndrimin dhe prestigjin amerikan në botë dhe po u qëndron përpara aktorëve të këqij.

Dy vite më parë Shtetet e Bashkuara e kanë shkatërruar me sukses ISIS-in, shtetin islamik, që bëri Genocide kundër njerëzve të pafajshëm etnik të krishterë dhe muslimanë në Iraq dhe Siri.

Trupat special profesionistë amerikanë nën drejtimin e komandantit të forcave të armatosura të SHBA-së Presidentit Trump, udhëheqësi numër një terrorist Abu Bakr al-Bagdadi u vra në strofën e tij.

Po ashtu Presidenti Trump urdhëroi vrasjen e Qassem Soleimani, kreu i Forcës Elite të Iranit Quds dhe një terrorist i lig, i pamëshirshëm dhe vdekjeprurës.

Rikthehet Jeruzalemi kryeqytet i lashtë i Izraelit

“SHBA do ta vendosin Ambasadën e saj në Jeruzalem. Kjo është ajo, që na kërkon populli amerikan dhe është veprimi i drejtë, që duhet bërë. Ne, do t’jua themi ndershmërisht: kur ne japim kontribute zemëgjera për Kombet e Bashkuara. Ne kemi gjithashtu shpresën legjitime, se dëshira jonë e mirë do të njihet dhe do të respektohet.” – Nikki Haley, ish Ambasadore e SHBA-së në Kombet e Bashkuara 

Për 50 vjet me radhë, të gjithë presidentët amerikanë paraardhës “demokratë” dhe republikanë, kishin premtuar (por futur në syrtarin burokratik premtimin), se do të njihnin Jeruzalemin e lashtë si kryeqytet i lashtë i shtetit të Izraelit (1948). 

Kështu Presidenti Trump, përmbushi premtimin e tij për të emërtuar Jeruzalemin kryeqytetin e Izraelit dhe lëvizi Ambasadën e re të SHBA-së. 

Për hir të së vërtetës historike, duhet theksuar, se Libri i Shenjë, Bibla e permed Jeruzalemin 95 herë si kryeqytetin e lashtë të ebrejve, me një histori të lavdishme mbi 3,000 vjeçare.

Shqipëria neo-komuniste kundër Izraelit dhe SHBA-së

Në Konferencën e mbajtur në OKB në New York, në fillim të muajit shkurt të vitit 2019, me temë: “Një çështje e njerëzimit: Shpëtimi i Hebrejve në Shqipëri gjatë holokaustit” e organizuar nga Departamenti i Komunikimit Global të OKB-së, në bashkëpunim me misionin e Shqipërisë në Kombet e Bashkuara dhe Kongresin Hebraik Botëror, ambasadorja antiamerikane e Shqipërisë në OKB, Besiana Kadare, lexoi se: 

“Shqiptarët i dërguan botës një mesazh ndriçues dhe të fuqishëm, përmes historisë së mikpritjes, sakrificës dhe harmonisë fetare, një mesazh që nevojitet shumë në botën e sotme. Jam krenare sot, që nderoj trashëgiminë e popullit shqiptar dhe që jam pjesë e një kombi, i cili, qëndroi në anën e drejtë të historisë, në kohën e duhur dhe mori vendimin e drejtë. Nuk duhet harruar kurrë thelbi moral i besës, që është kultivimi i tolerancës dhe respektit ndaj çdo qënieje njerëzore, pavarësisht nga origjina apo feja e tyre.” 

Ky ishte një fjalim tipik komunist, i mbushur me hipokrizi alla turke e alla shqiptarshe, me dy standarte, sepse Shqipëria votoi kundër Izraelit dhe SHBA-së në OKB.

Presidenti republikan Donald J. Trump tha dhe e bëri realitet botërisht rikthimin e Ambasadën së SHBA në Jeruzalem edhe pse “demokratët” globalistë socialistë amerikanë e kundërshtuan me forcë. 

Shqiptarët e kohës së neo-komunizmit, që fatkeqsisht vegjetojnë edhe këtu në New York, Michigan (Detroit), dhe Washington D.C., me vesin e keq të shumë fytyrave (një zakon i lënë trashëgim qysh nga koha e pushtuesve barbar islam osman), mburrën para pasqyrës, se e kanë mik SHBA dhe votuan kundër saj më 3 Prill 2017 dhe 2 herë në vitin 2018, për hir të vëllazërisë me fenë islame me palestinezët terroristë të Hamasit. 

Dhe për ketë akt të turpshëm, “diplomatja” Besiana, ka marrë edhe përgëzimin e palestinëzëve në New York. Kështu Presidenti i Palestinës, Mahmoud Abbas e ka cilësuar “fitore historike për Palestinën”, votën e Shqipërisë muslimane socialiste, kundër SHBA (dhe Izraelit) në OKB. 

Votimi në OKB dhe qëndrimi i Shqipërisë pro Rezolutës absurde, që kundërshton SHBA, është turpi i radhës së administratës anti amerikane të Edvin Krustaq Ramës, ashtu sikurse ka bërë dikur babai i tij shpirtëror diktatori antiamerikanë dhe antiizraelitë Enver Hoxha.

Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, atë ditë votoi me 128 vota pro, 9 kundër dhe 35 abstenime, për një Rezolutë (pa forcë ekzekutive), që kundërshton njohjen e SHBA për Jeruzalemin si kryeqytet i shtetit të Izraelit. 

Izraelin dhe Paqja në pellgun arabik

Presidenti Trump lëshoi një vizion të guximshëm për paqen në Lindjen e Mesme. Ai siguroi Marrëveshjen historike Abraham midis Izraelit dhe Emirateve të Bashkuara Arabe. 

Kështu Izraeli dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, do të normalizojnë plotësisht marrëdhëniet diplomatike dhe do të vendosin ambasadën e tyre në Jeruzalem. Të dy kombet do të shkëmbejnë ambasada dhe ambasadorë.

Burrshteti me vizion largpamës paqedashës Trump, mbajti dy samite historike me udhëheqësin e Koresë së Veriut Kim Jong Un, duke demonstruar më tej përkushtimin e Administratës për një gadishull Kore të denuklearizuar. Edhe pse u takua me liderin komunist, ai ka mbajtur sanksione të ashpra ndaj Koresë së Veriut, ndërsa negociatat janë zhvilluar.

Fushata maksimale e presionit të Presidentit Trump, po kundërshton ndikimin e Iranit dhe po bën presion ndaj regjimit për të braktisur aktivitetet e tij nuklear.

Presidenti tërhoqi SHBA nga Marrëveshja Bërthamore e Iranit dhe vendosi sanksionet më të ashpra në histori për të çuar eksportet e naftës në regjim në zero dhe autorizoi sanksione gjymtuese ndaj regjimit iranian.

Sanksione ndaj rusëve dhe rritja e shpenzimeve të NATO-s

Nga ana e tjetër administrata Trump, ka vendosur sanksione ndaj subjekteve ruse dhe individëve të paditur më parë për rolet e tyre në ndërhyrjen ruse në zgjedhjet amerikane.

Për të promovuar më mirë demokracinë në të gjithë globin, Presidenti vendosi sanksione ndaj regjimeve komuniste diktatoriale të Amerikës Latine, si ndaj Venezuelës, Kubës dhe Nikaraguas.

Ndryshe nga socialisti deshtak Barok Hysen Obama, Presidenti Trump ndryshoi politikën e administratës së mëparshme mbi Kubën, qeverinë e regjimit komunist.Kur vizitoi Europën Perëndimore, Trump u bëri thirrje anëtarëve të NATO-s, që të rrisin shpenzimet e mbrojtjes.

Presidenti gjithashtu përmbush premtimin e tij për të korrigjuar ç’ekuilibrat tregtarë, duke ndërmarrë hapa të paparë për të modernizuar dhe përmirësuar praktikat tregtare dhe për të negociuar marrëveshje tregtare më të lira, më të drejta dhe reciproke me aleatët tanë globalë.

Kësisoj Trump, ka mbajtur premtimin e tij, për të dhënë një marrëveshje tregtare moderne dhe të ekuilibruar për të zëvendësuar NAFTA. Marrëveshja e Shteteve të Bashkuara – Meksikë – Kanada (USMCA).

Ai negocoi një marrëveshje të re tregtare Shtetet e Bashkuara-Japoni me Kryeministrin Shinzo Abe. 

Japonia, është një nga partnerët tanë më të fortë ekonomik dhe kjo marrëveshje tregtare bazohet në atë partneritet. Ishte një fitore e madhe për fermerët, punëtorët dhe bizneset e bujqësisë amerikane.Administrata rishikoi Marrëveshjen e Tregtisë së Lirë të Shteteve të Bashkuara – Korea (KORUS), për ta bërë atë më të dobishme për punëtorët amerikanë.Presidenti Trump dhe Presidenti i Bashkimit Evropian Juncker, ranë dakord për një marrëveshje të re tregtare, që forcon dhe reformon marrëdhënien tonë tregtare. 

Marrëveshja e re tregtare me BE

Reforma e re tregtare me vendet e Bashkimit Europian sipas administratës Trump synoi tarifat zero, barrierave jo-tarifore zero, subvencioneve zero, për mallrat industriale jo-automobilistike. 

Kjo marrëveshje e re e bën më të lehtë për BE-në blerjen e gazit të lëngshëm, edukton tregtinë dhe pengesat burokratike midis SHBA dhe BE. 

Presidenti Trump nënshkroi një marrëveshje historike të fazës një tregtare me Kinën, që përfshin angazhime kryesore nga Kina për ndalimin e praktikave të padrejta tregtare dhe rritjen e blerjeve të mallrave të SHBA. Ai tërhoqi Shtetet e Bashkuara nga Partneriteti Trans-Paqësor, sepse ishte e disfavorshme për interesat amerikane.

Filed Under: Featured Tagged With: Klajd Kapinova, Sukseset e Presidentit Trump

TURIZMI BREGDETAR MES KOLAPSIT DHE RIMËKËMBJES….

October 20, 2020 by dgreca

Dritan Sterkaj, menaxher në fushën e turizmit dhe në industrinë e Hoteleri-Resorteve pranë “Divjaka Resort” analizon ekskluzivisht për gazetën Dielli, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, New York, situatën ekonomike në industrinë e hoteleri – turizmit në Shqipëri dhe skanon masat e dështuara ekonomike dhe keqmenaxhimin shtetëror ekonomik të vendit çka e ka çuar industrinë e turizmit bregdetar drejtë rrënimit të plotë. Me Dritan Sterkajn bisedoi gazetari i “Diellit” Sokol PAJA.

TURIZMI BREGDETAR DHE INSTUSTRIA E HOTELERISË NËN EFEKTIN E PANDEMISË GLOBALE

Kriza globale që shkaktoi pandemia e COVID-19 ka dëmtuar rëndë turizmin në Shqipëri, ashtu si edhe në çdo vend të botës dhe në ekonominë shqiptare po ndjehen efektet e menjëhershme. Prenotimet që ishin bëra nga shtetasit e huaj u unulluan pothuajse të gjitha. Kjo çoi industrinë e turizmit bregdetar në kolaps. Një rol negativ këtu luajti edhe vendimi i BE-së për të mos hapur kufijtë me Shqipërinë duke e bërë krizën edhe më të madhe. Përveç turistëve nga Evropa perëndimore, vitet e fundit kemi pasur një bum turistik nga vendet e lindjes së Evropës si Ceki, Poloni, Hungari, Rumani etj. Pandemia ka krijuar një krizë totale dhe pasiguri të madhe për të ardhmen e turizmit kryesisht bregdetar dhe industrinë e hotelerisë. Ne këtë vit nuk kemi punuar me staf të reduktuar dhe kapacitetet akomoduese të restortit që ne menaxhojmë nuk u plotësuan as në 20 përqind të tyre. Pra, ta themi troç, nuk po punojmë më për fitim por për mbijetesë.

SI PARASHIKOHET E ARDHMJA E SEKTORIT TË TURIZMIT NË SHQIPËRI

Turizmi në Shqipëri është një ndër faktorët kyç të zhvillimit të vendit pavarësisht kujdesit të pakët nga ana qeverisë, sepse i jep zhvillim vendit dhe zonës ku ushtrohet turizmi. Vetë industria e turizmit në vetvete ndërthur një zinxhir të madh të zhvillimit sepse punëson banorët e zonës por edhe nxit ekonominë lokale të furnizimeve. Natyrisht, që turizmi ka të ardhme në Shqipëri por kërkohet ndërhyrje e madhe në infrastukturë dhe kujdes i veçantë nga qeveria. Shteti nuk duhet ta shohë industrinë e turizmit vetëm për të vjelur taksa por duhet ta fusë në strategjinë kryesore të zhvillimit të vendit. Qeveria duhet ta shikojë si aleatë industrinë e turizmit jo si një plaçkë që ti sulë ushtrinë tatimore. 

QEVERIA E PAAFTË NË MENAXHIMIN E KRIZËS DHE QËNDRUESHMËRINË EKONOMIKE TË VENDIT

Zyrtarisht kemi 7 muaj në pandemi globale dhe qeveria ka qenë shumë e dobët në menaxhimin e krizës dhe shumë e paaftë që të ruajë stabilitetin ekonomik të vendit. Me dhjetëra biznese që falimentojnë çdo ditë, me qindra të papunë çdo ditë, me rritje të lartë të borxhit publik, me rritjen e pesimizmit dhe vdekjen e shpresës se ky vend do kthehet një ditë në binarë. Keqmenaxhimi qeveritar i pandemisë ishte ekonomikisht rrënuese për çdo shqiptar dhe sidomos për bizneset, hotelet, resortet që punësojnë mijëra qytetarë në këtë industri shërbimesh. Qeveria nuk nxiti punësimin. Qeveria frikësoi qytetarët dhe sipërmarrësit. Qeveria pasuroi dhe ndihmoi vetëm oligarkët. E keqja më e madhe sot për shqipërinë dhe shqiptarët nuk është pandemia, por qeveria që zhytet në korrupsion dhe varfëron qytetarët e pambrojtur. Shoqëria shqiptare, insdustria shqiptare, bisnesi shqiptar është i dërrmuar dhe lufton në kushtet e mbijetesës. Mijëra biznese mbyllen çdo ditë, qindra të papunë çdo ditë dhe qeveria vazhdon propagandën neveritëse. Në menaxhimin e fatkeqësisë Qeveria nuk mori masat e duhura, por improvizoi akte normative në kundërshtim me ligjin dhe shpesh herë edhe me vetë ekspertët e komitetit teknik. Qeveria iu kundërvu bizneseve dhe qytetarëve me mjete represive, dhunë policore, inspektore, propagande dhe gjuhë kërcënuese gjobash apo privim i lirisë ekstreme nëpërmjet burgosjes. Qeveria shqiptare nuk ka një strategjitë antikrizë. Ndërhyrjet me paketa lehtësuese dhe mbështëse për të papunët, të varfërit dhe biznesin rezultuan të pa studjuara mirë, të pa kordinuara dhe ta pa harmonizuara çka jo vetëm që nuk rezultuan pozitive por thelluan krizën ekonomike dhe sociale. Qeveria u vonua të implementonte paketa financiare funksionale për të garantuar likujditetet shtesë në ekonomi. Shqipëria varfërohet çdo ditë, qeveria krekoset përballë humbjeve të jahstëzakonshme në ekonomi, industrinë e turizmit dhe nuk ka një plan për shpëtimin e kolapsit ekonomik të shtetit dhe qytetarëve. 

PSE PUSHUESIT DUHET TË VIZITOJNË PARKUN KOMBËTAR TË DIVJAKËS

Pushuesit duhet ta vizitojnë Divjakën sepse nuk ofron vetëm turizëm detar por edhe atë natyror, atë të  vëzhgimit të shpendëve ujorë dhe kulinarinë me bazë prodhimet e detit dhe perimet bio të fushave të saj. Ne operojojmë gjatë gjithë vitit duke u mbështetur në këto karakteristika që të ofron Divjaka. Divjaka Resort ndodhet në mes të Parkut Kombëtar dhe vizitorët që vijnë tek ne do të gjejnë një ndërthurje të turizmit, ata mund të çlodhen në bregdet apo të shëtisin në pyllin e veçantë me pisha të buta, të shijojnë peshkun apo ngjalat e shijshme të Kënetës së Karavastasë, por ata mund të vëzhgojnë edhe shpendë të ndryshëm në jetën e tyre të egër. 

Filed Under: Featured Tagged With: Sokol Paja, Turizmi bregdetar

Lumturimi i Nënës Tereze, në ceremoni Presidenti historik Rugova

October 19, 2020 by dgreca

Para 17 viteve, 19 Tetorin 2003 të lumturimit të Nënës Terezes, në Vatikan, nga Papa Gjon Pali i dytë, -Presidenti historik i Kosovës Dr. Ibrahim Rugova e vlerësonte ditë historike për shqiptarët dhe botën/

-Ishte viti 1995, kur në 7 Dhjetor Presidenti i Republikës së Kosovës, Ibrahim Rugova, Rrugës për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës takohet për hërë të parë e të vetme me Nobelisten Shqiptare Nënë Terezen në Aeroportin e Romës/

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari

PRISHTINË, 19 Tetor 2020/  Para 17 vitesh, më 19 Tetor 2003, Presidenti historik i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, në Vatikan, mori pjesë në ceremonitë e lumturimit të Nënës Tereze, misionares shqiptare Gonxhe Bojaxhiu me origjinë nga Kosova, lindur në Shkup. Para më se gjysmë milioni njerëzve, në sheshin Shën Pjetri në Vatikan, Papa Gjon Pali i dytë ka lumturuar Nënë Terezën.

Presidenti historik Rugova, pas kthimit nga pjesëmarrja në ceremonitë e lumturimit të Nënës Tereze, e vlerësoi këtë akt si ditë historike për Kosovën dhe popullin shqiptar.

 “Po kthehem nga Roma, ku ishim në ditën e beatifikimit të Nënës Tereze, që është një ditë e madhe për Kosovën, për popullin shqiptar.

 Mund të themi se është një ditë historike dhe një ditë e madhe për gjithë botën, sepse ajo është Nënë shqiptare dhe poashtu Nënë e gjithë botës”, theksoi Presidenti Rugova në një deklaratë para mediave në Aeroportin e Prishtinës, në 22 Tetor 2003.


Gjithashtu Presidentti Rugova shprehu kënaqësinë që në ceremoninë e lumturimit të Nënës Tereze morën pjesë me mijëra shqiptarë nga Kosova, viset shqiptare dhe nga bota.

Me këtë rast, Presidenti Rugova falenderonte Papa Gjon Pali II për lumturimin e Nënës Tereze dhe organizimin e ceremonisë madhështore që hapi rrugën për shenjtërimin e Nënës Tereze.

Në 17 Tetor 2003, para ceremonisë së lumturimit, Vatikani publikoi një biografi të Nënës Tereze. Teksti fillonte pikërisht me një deklarim të Nënë Tërezes në vitin 1995, ku ajo theksonte prejardhjen dhe besimin e saj me këto fjalë: “Me gjak jam shqiptare, me shtetësi jam indiane dhe me zemër i përkas Jezu Krishtit”.

 Rrugës për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Presidenti historik i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, ka takuar tëLumen Nënë Tereza, nobelisten – nënën tipike shqiptare, që është edhe e gjithë botës, siç është shprehur ai.

Ishte viti 1995, kur në 7 DhjetorPresidenti i Republikës së Kosovës, Ibrahim Rugova, takohet për hërë të parë e të vetme me Nobelisten Shqiptare Nënë Terezen.  “Do të lutem për popullin e Kosovës”, tha Nëna Tereze gjatë këtij takimi me Presidentin Rugova.  Takimi u zhvillua në Aeroportin e Romës, gjatë rrugës së Presidenti Rugova për në Uashington. “Unë e kam takuar vetëm një herë Nënën Tereze në Aeroportin e Romës, rastësisht, por veprën e saj e njoh shumë, shumë mirë…Ato pak çaste që kemi kaluar, kur iu prezantova si President i Kosovës i rodhën lotët, ishte në vitin 1995…dhe dëshiroi sukses dhe punë dhe e ndinte në zemër popullin e Kosovës dhe popullin shqiptar që e ka dëshmuar edhe me vepër”, ka treguar Presidenti Rugova…

Filed Under: Featured Tagged With: Behlul Jashari, DR. IBRAHIM RUGOVA, Lumturimi i Nënës Tereze

NËNË TEREZA SHENJTORJA SHQIPTARE, NË 17 VJETORIN E LUMTURIMIT NGA VATIKANI

October 19, 2020 by dgreca

NGA SOKOL PAJA-DIELLI-

17 vjet më parë Nënë Tereza, fituese e Çmimit Nobël për Paqen në vitin 1979, u lumturua nga Papa Gjon Pali i Dytë. Nënë Tereza tashmë e shpallur e Shenjtë nga Vatikani më 4 Shtator 2016 në Sheshin Shën Pjetër nga Papa Françesku, sot është një simbol i paqes botërore dhe dashurisë së pashtershme, Nëna shpirtërore e të varfërve, të braktisurve, të sëmurëve, jetimëve. Një Nënë universale, që nuk rreshti për asnjë moment, me qëllimin e vetëm ti përkushtohej botës dhe shërimit të shoqërisë. Nënë Tereza, Shenjtorja shqiptare është një nga figurat më të ndritura të Kishës Katolike universale dhe të popullit shqiptar. Me Nënë Terezën, Shenjtore, kombi shqiptar i dha botës një mesazh të fortë dashurie për njeriun, një dashuri aktive, të cilën as vetë nuk e kishte ndjerë ta merrte aq shumë nga bota, duke kapërcyer kufijtë shtetërorë dhe largësitë kontinentale, fetë, racat, orjentimet e ndryshme apo dhe interesat. Nënë Tereza, Shenjtorja shqiptare është shenjti i gjallë, lapsi i Zotit në shëmbëlltyrën njerëzore. Gonxhja shqiptare e dashurisë së pashterrshme u shndërrua në gjuhë, fjalët e së cilës njeriut i thanë dhe i provuan se dashuria është e mundur. Shembulli i Nënë Terezës për botën është universal. Misionarja shqiptare, Nënë Tereza na lë testamentin e fesë së patundur, të shpresës së pamposhtur e të bamirësisë së jashtëzakonshme. Ajo u bë Misionare e bamirësisë, “Nënë e të varfërve”, simbol i mëshirës për mbarë botën e dëshmitare e gjallë e dashurisë së etshme të Zotit për njerëzit.  Nënë Tereza, Shenjtorja shqiptare iu përkushtua të gjithë familjeve të botës. Nënë Tereza e mahniti botën me luftën e saj unike në zhdukjen e varfërisë, plagëve të shoqërisë dhe më kryesorja, në dobi të respektit dhe dinjitetit të qenies njerëzore. Shenjtorja shqiptare Nënë Tereza është pa dyshim bijë dhe nënë e gjithë njerëzimit. Ajo përballoi e vetme me forcën e mbinatyrshme të Perëndisë garën me të keqen që shfaqej në padrejtësitë ndaj të braktisurve, të sëmurëve, të pastrehëve e të pashpresëve. Nënë Tereza është pjesë e krenarisë kombëtare, pjesë e identitetit tonë kombëtar shqiptar. E gjithë bota do të ketë nevojë gjithmonë për Nënë Terezën, për mesazhet e një jete, që ushqeu me dashuri dhe shpresë jetën e njerëzve, të cilëve u mungonte dashuria, shpresa e besimi. Nënë Tereza me atë ç’ka i ka dhënë universalizmit është një figurë e shquar edhe kombëtare ku futet pa dyshim në kolonën e njerëzve më të rëndësishëm të kombit shqiptar. Me veprimtarinë e saj, Shenjtorja shqiptare Nënë Tereza është mbrojtësja më e guximshme dhe më e madhe e jetës, kultura e jetës dhe qytetërimi i dashurisë. Nënë Tereza u përket vlerave universale të njerëzimit. Kryetari i çmimit Nobel të Suedisë, profesor Xhon Sanes, pati deklaruar në ceremoninë e nderimit teksa qe shprehur me fjalë prekëse: “Veçoria e punës së saj ka qenë respekti për njeriun, për vlerat dhe dinjitetin e tij. Më të mjeruarit, më të vetmuarit, fatkeqët që po vdesin, lebrosët e braktisur janë pranuar nga ajo dhe motrat e saj me dashuri dhe ngrohtësi, pa përbuzje por të mbështetura mbi respektin për Krishtin te njeriu”. Shenjtorja shqiptare Nënë Tereza edhe pse prej shumë kohësh nuk jeton pranë nesh, jeton e gjallë vepra e saj. Ajo na lë testamentin e fesë së patundur, të shpresës së pamposhtur e të bamirësisë së jashtëzakonshme. Nënë Tereza ishte një misionare, me të cilën shqiptarët identifikohen kudo në botë. Shqiptarët duke u identifikuar me Nënë Terezën, identifikohen edhe me vlerat e saj, me humanizmin, empatinë dhe zemërgjerësinë. Nënë Tereza, për shqiptarët, mbi të gjitha është një shenjtore e vetëmohimit, e dashurisë për njeriun, që me veprën e saj humane i ka shërbyer mbarë njerëzimit, por edhe e ka nderuar emrin e kombit shqiptar. Shenjtorja shqiptare Nënë Tereza është një simbol i bashkimit të kombit tonë dhe identifikimit të shqiptarëve në botën e vlerave universale.

Filed Under: Featured Tagged With: NËNË TEREZA, Sokol Paja, Vatikani

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 185
  • 186
  • 187
  • 188
  • 189
  • …
  • 900
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT