• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

ARIANA KOSOVA HOXHA, KANDIDATE PËR ZGJEDHJET POLITIKE NË RAJONIN MARCHE – ITALI

September 9, 2020 by dgreca

Ariana Kosova Hoxha Kryetarja e parë e lidhjes së mësuesve shqiptarë në Itali rrëfen ekskluzivisht për gazetën Dielli, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, New York, angazhimin profesional dhe politik si kshilltare në zgjedhjet e 20 shtatorit në Rajonin Marche –Itali, në një intervistë dhënë gazetarit të Diellit Sokol PAJA. 

KUSH ËSHTË SHQIPTARJA QË SYNON TË FITOJË NË RAJONIN MARCHE

Kandidatja shqiptare për zgjedhjet rajonale në Itali në Rajonin Marche, Ariana Kosova Hoxha ka lindur në Durrës në 1977 dhe është kryetarja e parë e lidhjes së mësuesve shqiptarë në Itali, njëkohësisht presidente e shoqatës së studentëve shqiptarë për Universitet e Maçeratës dhe Camerinos në Marche Itali. Pas shkollës së mesme ndoqi studimet e larta për mësuese e ciklit të ulët në Universitetin “Aleksandër Xhuvani” në Elbasan. Për tre vite punoi mësuese në shkollën Shaqe Mazreku në Durrës. Gjatë vitit 2002 trasferohet në Itali ku sjell në jetë dy vajzat e saj Giulia dhe Sara. Dashuria dhe ëndrra për një të ardhme më të mirë i japin forcën për të rifilluar studimet në dhe të huaj sikurse edhe njohjen e diplomës shqiptare. Në Itali diplomohet në: Shkencat e edukimit dhe formimit në Universitetin Luigi Bertelli( Macerata),  Master në Pedagogji për dizabilitetin( disabilitá e marginalitá LM 85. Universiteti Luigi Bertelli, Macerata), Master në shkencat politike në Universitetin Spocri, Macerata. Aktualisht studion në Fakultetin e Juridikut për Cooperazione internazionale,Universiteti i Camerinos. Në 20 dhjetor 2014 fillon të shkruaj si gazetare publiciste në gazetën Orizzonti della marca në qytetin Camerino dhe më pas në gazetën online Cronache Maceratesi të qytetit të Maçeratës. Gjatë panairit të librit në vitin 2016 zbulon hapjen e shkollës së parë shqipe në qytetin e Maçeratës dhe zgjidhet nga nënkryetarja e komunës të jetë mësuesja e gjuhës dhe kulturës shqipe. Protagoniste e shumë seminareve universitare në Itali të cilët do t’ i japin mundësinë e krijimit të projekteve për binjakëzimin e universiteteve italiane me universitetet shqiptare sidomos me Universitetin Hasan Prishtina në Prishtinë dhe Ukshin Hoti në Prizren. Para një viti mundësoi marrëveshjen ndërkombëtare ndërmjet Ministrisë së Arsimit të Kosovës dhe Universitetit të Camerinos themeluar në vitin 1336. Falë kësaj marrëveshje sot në Camerino studiojnë 14 studentë shqiptarë të ardhur nga Malisheva, Mitrovica, Kaçaniku, Gjakova, Fushë Kosova, Prizreni dhe Prishtina. Çdo fundjavë prej 4 vitesh drejton mësimin e gjuhës dhe kulturës shqipe në mënyrë vullnetare për fëmijët shqiptarë të lindur në Maçerata dhe Tolentino nga familjet që i përkasin të gjitha trevave shqiptare. Shqiptarja e parë në qytetin e Maçeratës që u punësua në zyrën e gjendjes civile dhe aktualisht është edhe pedagoge në qendrën Anffas të qytetit për të rinjtë me aftësi të kufizuar dhe autizëm. Njohja e diplomës shqiptare nga Ministria e Arsimit italian MIUR dhe studimet universitare në Itali po i mundësojnë pjesëmarrjen në konkurset shtetërore italiane për mësuesi në ciklin e ulët dhe në gjimnaze për degët Filozofi dhe Psikologji.

SHQIPTARËT NË RAJONIN MARCHE

Ariana Kosova Hoxha jeton në Rajonin Marche, Rajon i populluar nga shqiptarët që në Mesjetë. Në qytetin e Loretos ndodhet kolegji ku që nga viti 1500-1800 studiuan rreth 1000 studentë shqiptarë ndërmjet tyre Andrea dhe Pjetër Bogdani, Pjetër Budi, Gjon Buzuku, Frank Bardhi e shumë të tjerë të cilët studionin në italisht dhe latinisht por zhvilluan gramatikën e gjuhës shqipe duke botuar librat e parë edhe pse fetarë në gjuhën shqipe.  Sot në këtë Rajon jetojnë shqiptarë nga të gjitha trevat shqiptare, punojnë ,të rinjtë studiojnë në universitetet që janë krijuar në Marche konkretisht në vitin 1290 Universiteti i Maceratës dhe në vitin 1336 Universiteti i Camerinos. Më parë ndonjë nga shqiptarët ka marrë pjesë në kandidaturat komunale, por asnjëherë në kandidaturën Rajonale. Vendimin e mora nga dëshira dhe vullneti i mirë i bashkëatdhetarëve tanë. Ndihej nevoja që dikush ti përfaqësonte edhe në institucionet politike italiane. U diplomova vitin e kaluar për Master në Shkencat Politike, ndërsa tani po studioj për Marrëdhënie Ndërkombëtare ndaj mu duk e drejtë që njohuritë e fituara në studime ti vë në dispozicion për të mirën e çdo qytetari. Kur komunikova me një nga miqtë e mi gazetar italian për vendimin e kandidaturës e priti mjaft mirë dhe falë tij mu ofruan 4 kandidatura, por duhet të zgjidhja dy, një për këshilltare komunale në listën: La nostra città dhe kandidatura më e rëndësishme ajo Rajonale: Marche Coraggiose.

PROGRAMI POLITIK

Votuesit e interesuar për të votuar janë nga të gjithë komunitetet, por edhe italianë. Votuesit me kombësi të huaj shohin një shpresë për të ardhmen nëpërmjet një përfaqësuese që i përket një komuniteti të huaj. Kush ka sakrifikuar në jetë njeh edhe vështirësitë e tjetrit drejt integrimit. Programi im është: 

-Imigracioni dhe integrimi

-Arsimi, binjakëzimet e universiteteve shqiptare dhe italiane

-Mjekësia

-Punësimi

-Mbrojtja e personave të brishtë: Të moshuar dhe njerëzit me aftësi të kufizuar

ARSIMIMI I STUDENTËVE SHQIPTARË

Politika për mua ka filluar me kohë. Kur njeh ligjet ndihmon edhe popullin. Në të shkuarën ka patur ligje përsa i përket shëndetësisë për qytetarët e vendeve extra komunitare dhe askush nuk i dinte, perpiqesha ti ndihmoja të gjithë pa dallim kombësie. Politika në arsim, zbulimi i bursave universitare dhe kam mundësuar ardhjen e 25 studentëve shqiptarë nga Kosova dhe 10 nga Shqipëria. Politika sociale: vjet fitova një konkurs dhe punova pranë asistentëve socialë në komunën e qytetit. Pikërisht prezenca ime në një ambjent të tillë më bëri të shoh dhe të njoh probleme të ndryshme shoqërore sikurse edhe nevojën për ti zgjidhur dhe për ti ardhur në ndihmë çdo qytetari. Nuk jam ndalur kurrë edhe në mësimdhënien e gjuhës dhe kulturës shqipe tek fëmijët shqiptarë të lindur në Itali. Kam punuar falas dhe e kam bërë me shumë dashuri, ndaj sot gjatë fushatës elektorale janë pikërisht prindërit e nxënësve që po japin kontributin maksimal duke shpërndarë lajmin kudo. Shpresoj që informacioni të përcillet kudo dhe shqiptarët të votojnë kandidaten e tyre. Nëse do të fitoj do të ndryshoj shumë problematika në lidhje me jetën e shqiptarëve si për shembull: mungesa e zyrës konsullore në Rajonin Marche, problemet e bashkimit të viteve të punës, nënshtetësia e fëmijëve shqiptarë që lindin në Itali, pra mos të presin të mbushin 18 vjeç për tu ndier italianë para ligjit dhe ndihen të huaj në vendin ku linden sikurse të huaj në truallin e origjinës.

MESAZHI PËR DIASPORËN NË USA

Mesazhi patriotik: Gjaku nuk bëhet ujë, ndaj kudo që të shkojmë nëpër botë duhet të njohim dhe të mbrojmë identiten tonë. Shpesh kur jam në seminare recitoj vargjet e At Gjergj Fishtës: “Gjuha shqype” për ti kujtuar çdo shqiptari që fëmijëve duhet tu flasim me gjuhën e shpirtit. Të punojmë së bashku për ti falur fëmijëve tanë një të ardhme të sigurt por të vetëdijshëm që jemi shqiptarë. 

Filed Under: Featured Tagged With: Ariana Kosova Hoxha, Itali

Stoltenberg – Hoti: Kosova sa më parë të bëhet anëtare e NATO-s

September 8, 2020 by dgreca

Avdullah Hoti from Kosovo visits NATO and meets with NATO Secretary General Jens Stoltenberg

-Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, u takua, me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg/

Avdullah Hoti from Kosovo visits NATO and meets with NATO Secretary General Jens Stoltenberg

-NATO-ja përkrahje të gjithanshme për Kosovën, për të siguruar një mjedis paqësor dhe një të ardhme të sigurt për të gjithë qytetarët e saj/

Avdullah Hoti from Kosovo visits NATO and meets with NATO Secretary General Jens Stoltenberg

Bruksel, 8 Shtator 2020-Gazeta DIELLI/ Kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti, në kuadër të vizitës zyrtare në Bruksel, është pritur në selinë e NATO-s nga Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg.

Avdullah Hoti from Kosovo visits NATO and meets with NATO Secretary General Jens Stoltenberg

Në këtë takim, në të cilin u bisedua për zhvillimet politike dhe ato të sigurisë në vendin tonë, kryeministri Hoti shprehu falënderimin e tij dhe të popullit të Kosovës për misionin e KFOR-it në Kosovë, duke theksuar se prania e NATO-s/KFOR-it, është e një rëndësie të veçantë për forcimin e paqes dhe të stabilitetit në këtë pjesë të Evropës Juglindore. 

Kryeministri Hoti e ka falënderuar sekretarin Stoltenberg edhe për ndihmën që u ka dhënë KFOR-i institucioneve të Republikës së Kosovës për menaxhimin e pandemisë COVID-19.

Duke e vlerësuar rolin e Aleancës Veriatlantike për paqen dhe stabilitetin ndërkombëtar, kryeministri Hoti theksoi përkushtimin e Kosovës për ndërtimin e një të ardhmeje euroatlantike dhe synimin që Kosova sa më parë të bëhet anëtare e NATO-s.

Ndërsa, Sekretari Stoltenberg tha se NATO-ja do të ofrojë edhe më tej përkrahje të gjithanshme për Kosovën, për të siguruar një mjedis paqësor dhe një të ardhme të sigurt për të gjithë qytetarët e saj. 

Në fund të këtij takimi, kryeministri Hoti e ftoi Sekretarin Stoltenberg të vizitojë Kosovën, sa më parë që t’i jepet rasti, theksohet në komunikatën e dërguar nga Zyra për Komunikim Publik – Zyra e Kryeministrit.

Filed Under: Featured Tagged With: Avdullah Hoti, Jens Stoltenberg, Kryeministri i Kosovës, me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, u takua

Kosova Rapublikë me Kushtetutë para 30 viteve drejt Pavarësisë

September 7, 2020 by dgreca

 -Kosova para 30 viteve, në 7 Shtator 1990, u shpall Republikë me Kushtetutën e miratuar nga Kuvendi i saj në një mbledhje në Kaçanik, që pasonte Deklaratën Kushtetuese të 2 Korrikut 1990 e pasohej me Referendumin për Kosovën shtet sovran dhe i pavarur të mbajtur nga 26 deri në 30 Shtator 1991 me votimin pro 99,87 për qind, si dhe nga zgjedhjet e para pluraliste parlamentare dhe presidenciale të 24 Majit 1992

 -Në Kuvendin e Kosovës sot në një ceremoni solemne u bë ndarja e mirënjohjeve për delegatët, të cilët në 7 Shtator të vitit 1990 morën pjesë në shpalljen e Kushtetutës së Republikës së Kosovës
-Kosova e pavarur e shpallur para më shumë se 12 vitesh në 17 Shkurt 2008 deri tani është njohur nga 117 shtete anëtare të OKB-së dhe njohja më e re është nga Izraeli, për të cilën delegacioni i Kosovës u njoftua derisa ishte në Uashington në Shtëpinë e Bardhë në 4 Shtator 2020.

 -Presidenti historik i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova në  mesazhet e 7 Shtatorit -Viti 1998: Miratimi i Kushtetutës së Republikës së Kosovës më 7 Shtator të vitit 1990 shënon aktin fundamental për shtetin e Kosovës. Viti 2005: Dhashtë Zoti që sa më shpejt ta gëzojmë njohjen direkte të pavarësisë së vendit tonë nga Shtetetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian, çfarë do të qetësonte popullin e Kosovës dhe këtë pjesë të Europës e të botës/

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari

PRISHTINË, 7 Shtator 2020/  Para 30 viteve, në 7 Shtator 1990, Kosova u shpall Republikë me Kushtetutën e miratuar nga Kuvendi i saj në një mbledhje në Kaçanik, që pasonte Deklaratën Kushtetuese të 2 Korrikut, poashtu të vitit 1990, e pasohej me Referendumin për Kosovën shtet sovran dhe i pavarur të mbajtur nga 26 deri në 30 Shtator 1991 me votimin pro 99,87 për qind dhe pjesëmarrjen masive 87,01%  të 1.051.357 qytetarëve me të drejtë vote.

Republika e Kosovës me kushtetutën e vet e institucionet demokratike të zgjedhjeve parlamentare e presidenciale që pasuan, të 24 Majit 1992, atëherë nuk u njoh ndërkombëtarisht, megjithatë ishte dhe njihej si deklarim i fuqishëm i vullnetit  të popullit mbi 90 përqind shumicë shqiptare, si edhe pjesëtarëve të komuniteteve pakicë.

Në krye të Kuvendit të Kosovës në atë kohë të vendimeve e ngjarjeve historike ishte Ilaz Ramajli. Ishin këto ngjarje e zhvillime drejt lirisë dhe pavarësisë së Kosovës, gjithnjë në rrethana të rënda të okupimit e shtetrrethimit ushtarako-policor që kishte vendosur Beogradi, kur në mënyrë kundërkushtetuese dhe përgjakshëm me kushtetutën serbe të tankeve u rrënua autonomia që kishte Kosova me Kushtetutën e vitit 1974 element konstituv me të drejtë vetoje i federates. Ajo Kushtetutë ishte e para në historinë kushtetuese të Kosovës, ndërsa e dyta ishte ajo e 7 Shtatorit 1990, në rrugën drejt lirisë e pavarësisë.

“Deklarata Kushtetuese e 2 Korrikut dhe Kushtetuta e Republikës së Kosovës e 7 Shtatorit 1990, jo vetëm që ishin akte kushtetuese juridike, por në kohën kur u nxorën ishin edhe akte mbrojtëse dhe pozicionuese në raport me situatë e krijuar në ish Jugosllavi”, ka theksuar Ramajli në një nga intervistat që kam zhvilluar për Agjencinë Shtetërore-Zyrtare të Lajmeve të Shqipërisë.

Nga shpërbërja e ish Jugosllavisë, nga elementet konstituive të federatës, mes të cilave ishte edhe Kosova që u bë shtet, shtete të reja të rajonit dolën gjithësej shtatë – edhe Sllovenia, Kroacia, Bosnja e Hercegovina, Maqedona, Mali i Zi dhe Serbia.

“Akti i nxjerrjes së Kushtetutës u bë pikërisht në kohën kur më nuk kishte asnjë dyshim se Jugosllavia kishte hyrë në rrugën e pa kthim të shpërbërjes së sajë. Nxjerrja e Kushtetutës dhe shpallja e Republikës së Kosovës nga Kuvendi me 7 Shtator 1990 ishte dhënie e formës kushtetuese juridike të vullnetit të shprehur unanimisht nga shumica dërmuese e qytetarëve të Kosovës, dhe nga subjektet e atëhershme politike në Kosovë”, është shprehur Ilaz Ramajli në intervistën ekskluzive që kam zhvilluar në 20 vjetorin e Referendumit për Kosovën Shtet Sovran dhe të Pavarur të mbajtur nga 26 deri më 30 Shtator 1991.

Ndërsa në 30 vjetorin e Kushtetutës së 7 Shtatorit 1990, për median kosovare – Kohën, Ramajli tha se ndonëse për shkak të rrethanave, Kushtetuta e Kaçanikut nuk ka pasur mundësi të që të zbatohet plotësisht në territorin e Kosovës, por ajo ka qenë njëra ndër aktet më të përparuara në regjion.

“Deklarata e Pavarësisë e 2 korrikut dhe Kushtetuta e Republikës së Kosovës e shpallur më 7 shtator 1990 u shndërruan me kohë në busullë të lëvizjes sonë paqësore politike dhe besoj se po këto akte kanë qenë edhe pikënisje e të gjitha sakrificave. Mbështetur në Kushtetutën e Kaçanikut u organizua komplet jeta në Kosovë jashtë sistemit të Serbisë dhe mundësoi që shqiptarët e Kosovës dhe popujt e tjerë joserbë të organizojnë rezistencën e tyre jo të dhunshme më vonë edhe luftën çlirimtare”, ka thënë Ramajli.

Në Kosovën e lirë nga qershori 1990, prej vitit 2001 deri para 12 viteve, Kosova ka pasur një Kornizë Kushtetuese, e miratuar nga OKB-ja, e cila ishte dokument më shumë inicial kushtetues, por ka mundësuar zhvillimin e vendit nga një krijesë de fakto e pavarur, ndonëse nën protektorat, në një entitet shtetëror të pavarur, edhe pse nën mbikëqyrje ndërkombëtare për një kohë.

Kosova para 12 viteve miratoi Kushtetën e Republikës, e cila në nenin 1 e përcakton “shtet i pavarur, sovran, demokratik, unik, dhe i pandashëm”.  Ishte viti 2008 kur nga Kuvendi i Kosovës u miratua Kushtetuta – akti më i lartë  juridik i shtetit në ditën e 9 Prillit, më pak se dy maj pas shpalljes së pavarësisë në 17 Shkurtin historik, ndërsa ka hyrë në fuqi në 15 Qershor.

Atëherë, dekretimi i 41 ligjeve, të  dala nga paketa e Propozimit Gjithpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës të Kryenegociatorit Martti Ahtisaari – Emisarit Special të OKB-së, ishte një nga zhvillimet më të rëndësishme të ditës së hyrjes në fuqi të Kushtetutës.

Zhvillimet më të rëndësishme brenda dymbëdhjetë viteve ishin në 2012-tën, kur Kuvendi, në 7 Shtator që ishte ditë e përvjetorit të Kushtetutës 1990,  ka miratuar amendamentimin e  Kushtetutës së Republikës lidhur me përfundimin e mbikëqyrjes  ndërkombëtare të pavarësisë së Kosovës, ndërsa në 10 Shtator pasoi vendimi i Grupit Drejtues Ndërkombëtar, i mbledhur në Prishtinë, për përfundimin e mbikëqyrjes ndërkombëtare.

“Përmbyllja e mbikëqyrjes është vlerësimi më i lartë ndërkombëtar, që i është bërë shtetit të Kosovës pas shpalljes së Pavarësisë”, u vlerësua atëherë.

Grupi Drejtues Ndërkombëtar (ISG) për Kosovën, i cili përbëhej nga vendet që e kanë njohur pavarësinë, ishte formuar në 28 Shkurt të vitit 2008 dhe synonte të orientojë dhe mbikëqyrë zhvillimin demokratik të shtetit të ri, të nxisë qeverisjen e mirë dhe shumetnicitetin.

Kosova e pavarur e shpallur para më shumë se 12 vitesh në 17 Shkurt 2008 deri tani është njohur nga 117 shtete anëtare të OKB-së dhe njohja më e re është nga Izraeli, për të cilën delegacioni i Kosovës u njoftua derisa ishte në Uashington në Shtëpinë e Bardhë në 4 Shtator 2020.

“Njohja nga Izraeli është një prej njohjeve më të rëndësishme që i ka ardhur Kosovës qe një kohë të gjatë. Kjo edhe njëherë dëshmoi se që nga shpallja e pavarësisë sonë, Shtetet e Bashkuara kanë rol ekzistencial në përkrahjen dhe konsolidimin e subjektivitetit ndërkombëtar te Kosovës”, ka deklaruar kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani.

Në Kuvendin e Kosovës sot u shënua 7 Shtatori, respektivisht 30 vjetori i Kushtetutës së Kaçanikut.

Në këtë solemnitet morën pjesë delegatë të përbërjes së atëhershme të Kuvendit të Kosovës, të cilët kanë shpallur Kushtetutën e Kaçanikut në 7 Shtator të vitit 1990.

Në ceremoninë solemne në sallën e seancave plenare të Kuvendit të Kosovës u bë ndarja e mirënjohjeve për delegatët, të cilët në 7 Shtator të vitit 1990 morën pjesë në shpalljen e Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

PRESIDENTI THAÇI: NGJARJET E 2 KORRIKUT DHE 7 SHTATORIT 1990, AKTE TË GUXIMSHME TË DELEGATËVE SHQIPTARË

 Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi shkruan:

Vullneti i popullit tonë për liri dhe pavarësi ishte shekullor. I tillë ishte edhe vullneti i përfaqësuesve politikë. Ngjarjet e 2 Korrikut dhe 7 Shtatorit të vitit 1990 ishin akte të guximshme të delegatëve shqiptarë, që dëshmuan vendosmëri dhe vetëdije të lartë kombëtare e shtetformuese.

Sot, me respekt të veçantë, kujtojmë sakrificën dhe përkushtimin e deputetëve të atëhershëm të Kuvendit të Kosovës, që në rrethana të jashtëzakonshme miratuan Kushtetutën e Kaçanikut, e cila ishte bazament i fuqishëm për ndërtimin e jetës demokratike dhe institucionale në Kosovë.

Liria dhe pavarësia ishin ëndërr e shumë brezave, që sakrifikuan gjithçka për t’i bërë realitet.

KRYEMINISTRI HOTI: TRI DEKADA NGA MIRATIMI I KUSHTETUTËS SË KAÇANIKUT

Kryeministri i Republikës së Kosovës Avdullah Hoti  shkruan:

Më 7 Shtator të vitit 1990, delegatët e atëhershëm të Kuvendit të Kosovës e miratuan Kushtetutën e Kaçanikut, akt ky që erdhi si rezultat i shpalljes se Deklaratës kushtetuese të 2 Korrikut të po atij viti.

Këto dy akte dhe sakrifica e pamohueshme e popullit shqiptar për liri dhe pavarësi, i vunë themelet e shtetit të pavarur të Kosovës.
Megjithëse nën presionin dhe kërcënimin e tytave të armëve, Kushtetuta e Kaçanikut u votua me shumicë votash nga delegatët e Kuvendit të Kosovës, ndaj të cilëve jemi përherë mirënjohës.

PRESIDENTI HISTORIK DR. IBRAHIM RUGOVA: 7 SHTATORI 1990, THEMEL I SHTETËSISË SË KOSOVËS

 -Miratimi i Kushtetutës së Republikës së Kosovës më 7 Shtator të vitit 1990 shënon aktin fundamental për shtetin e Kosovës/

Presidenti historik i Republikës së Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, vlerësonte se miratimi i Kushtetutës së Republikës së Kosovës në 7 Shtator të vitit 1990 shënonte aktin fundamental për shtetin e Kosovës. Po risjellim dy mesazhe të Presidentit Rugova për 7 Shtatorin, të vitit të luftës 1998 dhe të vitit të lirisë 2005 – të fundit të Presidentit historik për ditën historike të Kushtetutës së Republikës së Kosovës:

 VITI  1998: DEKLARATË E PRESIDENTIT TË REPUBLIKËS SË KOSOVËS DR. IBRAHIM RUGOVA ME RASTIN E 7 SHTATORIT 

PRISHTINË, 7 Shtator 1998/ Me rastin e 7 Shtatorit – Ditës së miratimit të Kushtetutës së Republikës së Kosovës – Presidenti i  Republikës Dr. Ibrahim Rugova dha një deklaratë në të cilën thuhet:

Pas shpalljes së Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës më 2 korrik të vitit 1990, miratimi i Kushtetutës së Republikës së Kosovës më 7 shtator të vitit 1990 shënon aktin fundamental për shtetin e Kosovës. Kjo ngjarje e rëndësishme në historinë më të re të Kosovës, ka vënë themelet juridike e politike të shtetësisë së Kosovës.

Sot, tetë vjet pas miramitit të këtij akti të lartë, populli i Kosovës edhe pse në gjendje okupimi dhe i ballafaquar me ofensivat e egra të forcave serbe, me një vullnet të fortë po ndërton shoqërinë demokratike e civile në Kosovë. Dhe, përkundër vuajtjeve nëpër të cilat po kalon, ai është i përcaktuar që me mjete politike ta realizojë pavarësinë e Kosovës.

Në këto çaste të vështira që po përjeton, populli i Kosovës me përkrahjen dhe ndihmën e botës demokratike e sidomos të SHBA-ve dhe Unionit Evropian, do të dijë ta kapërcejë këtë gjendje të rëndë.

Zoti e bekoftë popullin e Kosovës!

VITI 2005: PRESIDENTI RUGOVA U DREJTOI NJË MASAZH QYTETARËVE TË KOSOVËS ME RASTIN E 7 SHATORIT


PRISHTINË, 7 Shtator 2005/ Presidenti i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, ka përgëzuar qytetarët e Kosovës me rastin e 7 Shtatorit, ditës kur para 15 vjetësh u miratua Kushtetuta e Republikës së Kosovës në Kaçanik.

  
Në mesazhin e Presidentit Rugova thuhet:


Me rastin e 7 Shtatorit, në 15 vjetorin e miratimit të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, Ju shpreh urimet e mia të përzemërta.


Dita e 7 Shtatorit e vitit 1990 është një ditë e rëndësishme në historinë tonë të re, sepse u miratua Kushtetuta e Republikës së Kosovës, që u bë pas shpalljes së Deklaratës së Pavarësisë në korrik të po atij viti.

Kjo i vuri themelet e shtetit të Kosovës, që u vërtetua me Referendumin për pavarësi dhe hapi perspektiva për ndërtimin e jetës shtetërore demokratike.

Dhashtë Zoti që sa më shpejt ta gëzojmë njohjen direkte të pavarësisë së vendit tonë nga Shtetetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian, çfarë do të qetësonte popullin e Kosovës dhe këtë pjesë të Europës e të botës

Filed Under: Featured Tagged With: 2 korrik 1990, Behlul Jashari, Kushtetuta

Kosovë-Serbi, nga Uashingtoni në Bruksel për dialogun

September 7, 2020 by dgreca

-Në një Deklaratë të përbashkët nga Brukseli të ditës së sotme theksohet se, dokumentet e rëna dakord së fundmi në Uashington, D.C., duke u mbështetur në angazhimet e mëparshme të lidhura me Dialogun, të ndërmarra nga të dy palët mund të japin një kontribut të dobishëm për arritjen e një marrëveshje gjithëpërfshirëse, ligjërisht të detyrueshme për normalizimin e marrëdhënieve/

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari

PRISHTINË, 7 Shtator 2020/ Kosova e Serbia  vijojnë dialogun në nivel të lartë pas takimit të parë e historik në 3 e 4 Shtator 2020 në Uashington-Shtëpinë e Bardhë dhe marrëveshjeve të nënshkruara me praninë e garancitë e Presidentit Amerikan Donald Trump.

Në Bruksel sot u takuan Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, dhe Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Në një Deklaratë të përbashkët nga Brukseli të ditës së sotme – 7 Shtator 2020 theksohet:

“Me rastin e vazhdimit të Dialogut të Lehtësuar nga BE-ja në mes të Prishtinës dhe Beogradit, Kryeministri Avdullah Hoti dhe Presidenti Aleksandar Vuçiq i konfirmuan Përfaqësuesit të Lartë të BE-së për Punë të Jashtme dhe Politika të Sigurisë/Nënkryetarit të Komisionit Evropian, Josep Borrell, se ata i kushtojnë përparësi të lartë integrimit në BE dhe vazhdimit të punës në Dialogun Prishtinë-Beograd të lehtësuar nga BE, i cili është element kyç në rrugën e tyre drejt BE-së.

Ata gjithashtu u zotuan se do të dyfishojnë përpjekjet e tyre për të siguruar harmonizimin e mëtejshëm me BE në përputhje me detyrimet e tyre përkatëse.

Në këtë drejtim, dokumentet e rëna dakord së fundmi në Uashington, D.C., duke u mbështetur në angazhimet e mëparshme të lidhura me Dialogun, të ndërmarra nga të dy palët mund të japin një kontribut të dobishëm për arritjen e një marrëveshje gjithëpërfshirëse, ligjërisht të detyrueshme për normalizimin e marrëdhënieve.”

Para takimit të dytë – të sotëm, Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, dhe Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, janë takuar për herë të parë në Bruksel në 16 Korrik 2020, pas një takimi virtual nëpërmjet video-konferencës në 12 Korrik 2020, ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, në rifillimin e dialogut mes dy vendeve të ndërprerë para 20 muajsh, pas takimit të 8 Nëntorit  2018.

Në dialogun në Bruksel Kosovë-Serbi takimi i parë i nivelit të lartë kryeminsitror është mbajtur në vitin 2012  në 19 Tetor, i cili pasonte dialogun teknik, të filluar në 8 Mars 2011.

 KRYEMINISTRI HOTI: KOORDINIM I PLOTE NE MES TE BE-se DHE SHBA-se LIDHUR ME MARREVESHJEN FINALE NE MES TE KOSOVES DHE SERBISE

 Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, në 6 Shtator 2020, para takimit të sotëm Kosovë-Serbi ka shkruar:

Sot ne Bruksel takuam Emisarin Special te BE-se per dialog ne mes te Kosoves dhe Serbise, Mirosllav Lajcak, dhe Zevendes Ndihmes Sekretarin e Departamentit te Shtetit te SHBA-ve, Mattheë Palmer. Diskutuam per zhvillimet ne dialog deri me tani dhe takimin e neserm te nivelit te larte.
Jam shume i kenaqur qe po shoh koordinim te plote ne mes te BE-se dhe SHBA-se lidhur me marreveshjen finale ne mes te Kosoves dhe Serbise.

Filed Under: Featured Tagged With: Hoti, Palmer-Kosove-Serbi

SHQIPTARËT SI FAKTOR PËRCAKTUES NË SKENËN POLITIKE TË MAQEDONISË SË VERIUT

September 7, 2020 by dgreca

Albulenë Halili kërkuese shkencore në  Insitutin kërkimor “Max van der Stoel” në Universitetin e Evropës Juglindore në Maqedoninë e Veriut, analizon ekskluzivisht për gazetën Dielli, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, Neë York, faktorin politik shqiptar në politikëbërjen dhe ndërtimin e institucioneve shtetërore në Maqedoninë e Veriut. Me doktorante Albulenë Halilin bisedoi gazetari i Diellit Sokol PAJA. 

FAKTORI POLITIK SHQIPTAR NË POLITIKËBËRJEN E MAQEDONISË SË VERIUT

Në Maqedoninë e Veriut, sepse që nga 2019-ta ky shtet ka emër të ri. Ndonëse raporti i shqiptarëve me emrin e shtetit, për shkak të rrethanave, ka qenë, disi indiferent. Përpara se të flasim mbi aktorët politikë shqiptarë, dhe nëse ata janë faktor në politikëbërje, po e sjellim një tablo për Maqedoninë e Veriut. Maqedonia e Veriut është një shtet unitarist atipik. Është një shtet de jure monoetnik, madje etnocentrik, i ndërtuar në një shoqëri de facto multietnike. Problemet, apo të gjitha çështjet e hapura në Maqedoninë e Veriut janë të natyrës ontologjike, pra, kanë të bëjnë me vetë qenien e saj. E para, gjeneza e Maqedonisë së Veriut si shtet. Maqedonia u krijua në vitin 1945, nga Tito, si shtet-tampon mes Shqipërisë dhe Bullgarisë nga njëra anë, dhe Serbisë e Greqisë nga ana tjetër, në një territor të kontestueshëm, për të siguruar një stabilitet gjeostrategjik dhe gjeopolitik rajonal. Maqedonia qe njësi e Federatës jugosllave me status të republikës, pra, sipas kushtetutës së 1974, edhe me të drejtë shkëputjeje. Në vitin 1991, Maqedonia organizoi referendumin për pavarësi, të cilin e bojkotuan shqiptarët, të cilët pa vullnetin e tyre mbetën brenda kufijve të këtij shteti. Ky fakt, e bën procesin e pavarësimit një proces jolegjitim. Për më tepër, në vitin 1992, shqiptarët organizuan vetë një referendum për autonomi territoriale dhe politike, ku 92% e pjesëmarrësve u deklaruan për. Ky referendum u injorua nga të gjithë aktorët, të vendit e ndërkombëtarë. Së dyti, filli i të gjitha problemeve, të cilat pengojnë mbarëvajtjen e këtij shteti, gjendet pikërisht në aktin më të lartë juridik të këtij shteti, që është kushtetuta. Në preambulën e saj thuhet se shteti i takon popullit maqedonas dhe pjesëve të popujve të tjerë që jetojnë në këtë shtet, në mesin e të cilëve radhiten edhe shqiptarët. Pra, shqiptarët, janë kategori e nënrenditur kushtetuese. E njëjta vlen edhe për gjuhën shqipe, të cilës, si kushtetuta edhe Ligji për përdorimin e gjuhëve, i referohen me frazën “gjuhën të cilën e flasin më shumë se 20% e popullatës”. Pas luftës së vitit 2001, me Marrëveshjen e Ohrit, e cila u nënshkrua me ndërmjetësimin ndërkombëtar, u bënë ca ndryshime kushtetuese, por nuk u krijuan mekanizmat të cilat do të siguronin jetësimin e tyre. Koncepti i shtetit vijon të jetë i paprekur, pra në shpërputhje me natyrën e shoqërisë që jeton në këtë shtet. Së treti, terri demografik. Për shkak të natyrës së këtij shteti, numri i banorëve të etnive që jetojnë në Maqedoninë e Veriut përcakton gjithçka, duke nisur nga kushtetuta ku përcaktohet se kujt i përket sovraniteti, pra, pronësia mbi shtetin, të drejtat kolektive, përfaqësimi në institucione, ndarja territoriale, listat zgjedhore, përdorimi i gjuhës shqipe në territorin e shtetit, shpërndarja buxhetore nëpër rajone, e kështu me radhë. Maqedonia e Veriut nuk e ka kryer procesin e regjistrimit të popullsisë që nga viti 2002. Maqedonasit vazhdojnë të sundojnë me politikat e bazuara nga të dhëna të vjetëruara. Trendet demografike ndryshojnë me ritëm të shpejtë, sidomos kur krahasojmë numrin në rritje të lindjeve te shqiptarët në raport me maqedonasit, apo edhe për shkak të migrimit masiv të të rinjve në vendet e Evropës Qendrore. Së fundmi, kontestet bilaterale të Maqedonisë së Veriut me të gjithë fqinjët, me përjashtim të shqiptarëve. Mëdyshjet identitare dhe përpjekjet utopike për krijimin e një kombi të ri politik u ndeshën me interesat e të gjithë fqinjëve përreth: greke (për flamurin dhe emrin), bullgare (gjuhën dhe etnogjenezën), serbe (kishën), ndërkaq së brendshmi edhe me interesat e shqiptarëve të cilët jetojnë në këtë shtet, të cilët nuk pranojnë të bëhen pjesë e këtij konstruksioni të paqenë, pra e një kombi politik, ku ata do të ishin maqedonas me prejardhje shqiptare. Mospërfillja e çështjeve të lartpërmendura mund të sjellë “mjellmat e zeza”, apo ato që në anglisht njihen si black sëans për Maqedoninë e Veriut. Aktorët politikë shqiptarë në Maqedoninë e Veriut, të organizuar kryesisht në formë partish politike, kanë qenë prania e papranishme apo e keqja e domosdoshme në pushtetin e këtij shteti. Pa dashur të amnistoj fajin e të gjitha strukturave politike shqiptare deri tani, gjykoj se kjo ka ndodhur për disa arsye: së pari, për shkak se inferioriteti shqiptar është kushtetues; së dyti, për shkak të ndikimit të strukturave shtetërore maqedonase në përzgjedhjen e kuadrove udhëheqëse shqiptare; së treti, mungesa e përvojës institucionale e shqiptarëve, e determinuar nga rrethana të njohura historike; dhe së fundmi, përzgjedhja e kuadrove në bazë të kritereve të tjera, përpos atyre të meritorkracisë e kompetencës. Këto arsye kanë bërë që pushtetizimi i individit të ecë në raport të zhdrejtë me pushtetizimin e popullit shqiptar në Maqedoninë e Veriut. Sot, për shkak edhe të ndërrimit të rrethanave dhe arsimimit (Universiteti i parë shqiptar në Maqedoninë e Veriut, Universiteti i Tetovës, është themeluar në vitin 1994), shqiptarët po politizohen në kuptimin e njëmendët të fjalës, duke u bërë të vetëdijshëm për domosdonë e drejtësisë dhe statusit të barabartë kushtetues e shoqëror në këtë shtet. Ky politizim, ka filluar dalëngadalë të pasqyrohet edhe në politikëbërjen dhe ndërrimin e mendësisë shtetërore. Ndonëse ky është një proces i gjatë, i cili do kohë, vullnet, mund, dhe mbi të gjitha, ndryshime thelbësore, në kuptimin e përshtatjes së rregullimit kushtetues, me realitetiin e shoqërisë që jeton në Maqedoninë e Veriut.  

ORGANIZIMI DHE PËRFAQËSIMI I PARTIVE POLITIKE SHQIPTARE NË ZGJEDHJE

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare të cilat u mbajtën në korrik të këtij viti, qenë zgjedhje jo të rëndomta. Për herë të parë, këto zgjedhje u organizuan gjatë muajve të verës dhe për më tepër në kushte të një pandemie globale siç është Covid 19. Shqiptarët, u përfaqësuan nga më shumë subjekte politike: Bashkimi Demokratik për Integrim, parti e cila doli fituese e zgjedhjeve te shqiptarët, me gjithsejt 15 mandate; koalicioni i përbërë nga Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa, i cili fitoi 12 mandate; partia Besa, e cila garoi bashkë me koalicionin maqedonas social-demokrat në krye me LSDM-në, fitoi 4 mandate; dhe partia më e vjetër shqiptare, Partia Demokratike Shqiptare, e cila fitoi vetëm një mandat. Këto qenë zgjedhje historike për shqiptarët, me gjithsejt 33 mandate të fituara, duke përfshirë edhe deputetin shqiptar në LSDM-në maqedonase. BDI garoi në këto zgjedhje me moton “Për kryeministrin e parë shqiptar”, e cila eklipsoi tërë debatin e pritur lidhur me veprimtarinë e suksese-dështimeve të këtij subjekti, i cili është pjesë e pushtetit që nga viti 2002. Koalicioni ASH-AA, qe një koalicion i panatyrshëm, do të thoja, për dy arsye: e para, për shkak se në periudhën parazgjedhore, njëri subjekt ndodhej në pozitë e tjetri në opozitë, dhe e dyta, për shkak se këto dy parti kanë dallime thelbësore në botëkuptimet e tyre, lidhur me çështjet e identitetit, aleancave strategjike dhe ideologjive nga të cilat ato udhëhiqen. Spektri politik shqiptar, për dallim nga votuesi shqiptar, nuk është i politizuar sa duhet. Ai nuk ka maturinë, dijet dhe profesionalizmin për të hapur e trajtuar çështjet thelbësore të cilat do të sillnin ndryshimin dhe do t’u siguronin shqiptarëve statusin kushtetues e shoqëror, i cili u përket atyre – statusin e popullit shtetformues, të barabartë me maqedonasit. Subjektet politike në tërë hapësirën shqiptare, duhet të mësohen që të bëjnë diferencën midis diskursit politik ditor dhe çështjeve të interesit kombëtar, lidhur me të cilin, të gjitha subjektet politike, jo vetëm në Maqedoninë e Veriut, por edhe në Shqipëri, Kosovë, Kosovë Lindore e Mal të Zi, duhet të kenë qëndrim unik.      

ZGJEDHJET PARLAMENTARE SI FAKTOR KYÇ PËR INTEGRIMIN EUROATLANTIK TË MAQEDONISË SË VERIUT

Në tetor të 2019-s, Maqedonia e Veriut nuk mori datë për fillim të negociatave për anëtarësim në BE, për shkak të kundërshtimit francez, ndaj kjo qe një arsye që kryeministri Zaev pati shpallur zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Në ndërkohë, për shkak të pandemisë, mbajtja e zgjedhjeve qe shtyrë, por Maqedonia e Veriut, më 27 mars 2020 u bë anëtarja e 30-të e Aleancës më të fuqishme politiko-ushtarake në glob, NATO-s, që shënon një nga rrëfimet më të suksesshme të këtij shteti. Shqiptarët, gjatë kohë ndiheshin të marrë peng për shkak të kontesteve bilaterale të këtij shteti dhe një pjese të popullit të saj. Sidomos, përgjatë regjimit të Gruevskit, i cili kishte bërë që shteti të rrëshqiste në autoritarizëm dhe të minojë proceset euro-atlantike, duke i hapur rrugë ndikimit të fuqishëm rus, jo vetëm në vend por edhe në rajon. Integrimi euro-atlantik ka qenë dhe mbetet një nga aspiratat më të mëdha të shqiptarëve, kudo ku jetojnë ata. Interesi euro-atlantik i shqiptarëve lidhet me praninë e Shqipërisë në NATO, praninë e NATO-s në Kosovë, ndërkaq tani edhe me praninë e Maqedonisë së Veriut, si anëtarja më e re e kësaj organizate. Historia e Maqedonisë së Veriut jashtë NATO-s shpiente në rreshtim gjeopolitik të pavullnetshëm të shqiptarëve që jetonin në këtë shtet, me aleanca të tjera, në kundërshtim me Aleancën Veri-Atlantike, ndaj shqiptarët kanë qenë njëri nga faktorët kyçë në realizimin me sukses të procesit të anëtarësimit. Aspirata e ardhshme do të jetë integrimi i Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian, megjithëse kjo hëpërhë duket si aspiratë utopike. Dhe kjo më shumë për shkak të mungesës së kohezionit të brendshëm dhe lodhjes së BE-së nga procesi i zgjerimit, sesa për shkak të mosplotësimit të kritereve për anëtarësim nga vendet e Ballkanit Perëndimor. Në Maqedoninë e Veriut, koalicioni qeveritar i ri, me partnerë të vjetër, është shprehur deklarativisht se punon për një të ardhme pro-perëndimore të vendit, por për ta realizuar këtë, nevojitet vullnet për reformë të njëmendët dhe entuziazëm i pashoq, për të cilët, duhet të presim 100 ditë që t’i vlerësojmë. Ata po ashtu kanë premtuar se do të hapin 80% të kapitujve të Aquis Communitaire të BE-së, deri në vitin 2024, që Maqedonia e Veriut të jetë e gatshme për valën e ardhshme të anëtarësimit.

SITUATA E COVID-19 NË MAQEDONINË E VERIUT

Në Maqedoninë e Veriut, ka pasur gjithsejt 14 600 raste të infektuara me Covid 19 dhe mbi 600 vdekje. Gjykoj se nuk ka pasur një menaxhim të mirë të pandemisë. Gjendja e jashtëzakonshme është shpallur disa herë. Kjo gjendje mbivendosej mbi jashtëzakonshmërinë e jetës së shqiptarëve në këtë shtet. Ajo u trajtua si gjendje e shpallur në rast lufte, për dallim nga koncepti perëndimor i emergjencës shëndetësore apo gjendjes së krizës. Shtetet e Ballkanit Perëndimor me demokraci të brishta dhe histori famëkeqe të diskriminimit e kufizimit arbitrar të lirive e dhunimit të të drejtave njerëzore, kanë qenë pamjaftueshëm të përgatitura për fatkeqësi të kësaj natyre. Qeveria që menaxhonte me krizën, qe teknike deri në krijimin e qeverisë së re, pra deri më 31 gusht. Pandemia shpërfaqi edhe më shumë mendësinë diskriminuese shtetërore ndaj shqiptarëve. I gjithë komunikimi zyrtar, materiali informativ dhe njoftimet nëpër rrjetet sociale janë bërë kryesisht në gjuhën maqedonase. Strukturat udhëheqëse u përpoqën që dështimin e vet në menaxhimin e krizës, t’ia veshin qytetarit, e sidomos atij shqiptar, duke e stigmatizuar si të papërgjegjshëm. Shëndeti publik bën pjesë në sigurinë kombëtare dhe si i tillë është përgjegjësi parësore e shteteve. Është e vërtetë se në rastin e pandemive, duhet të ekzistojë një infrastrukturë më e gjerë publike që përbëhet nga palët e interesuara që marrin pjesë në të gjitha aspektet e planifikimit, por kjo në asnjë mënyrë nuk nënkupton se në këtë infrastrukturë vitale duhet të ketë rol thelbësor qytetari i thjeshtë. Pa dashur ta amnistoj secilin prej nesh, përgjegjësia për shëndetin publik nuk lihet kurrë dhe kurrsesi në ndërgjegjen dhe vetëdijen e popullatës. Më e rëndësishmja, në kohën kur në të gjitha shtetet nxënësit kanë filluar shkollën, në Maqedoninë e Veriut është paralajmëruar që viti shkollor do të fillojë më 1 tetor. Nxënësit deri në klasën e tretë do të mbajnë mësim me prezencë fizike, ndërkaq të tjerët online. Gjithashtu, flitet për mbajtje të mësimit me prezencë fizike në shkollat ku klasat numërojnë jo më shumë se njëzet nxënës. Ky do të jetë një shembull, si shumë të tjerë, ku pandemia shpërfaq diskriminimin sistemor ndaj shqiptarëve. Shumica e shkollave me nxënës shqiptarë, mësimin e kryejnë në tre ndërrime, nuk kanë kushtet elementare as në kohët normale, dhe kanë klasa me nga 40 nxënës. Efekti i pandemisë te shkollarët duhet të jetë brenga më e madhe e një shoqërie të shëndoshë dhe e njerëzve në krye të institucioneve gjegjëse. Nga ana tjetër, për mendimin tim, mësimi online ka qenë një dështim i madh, pasojat e të cilit do të mbivendosen mbi cilësinë edhe ashtu shumë të dobët të arsimit në Maqedoninë e Veriut.  

MESAZHI JUAJ PATRIOTIK PËR LEXUESIT E GAZETËS DIELLI DHE DIASPORËN SHQIPTARE NË USA

Në këtë kohë, ne duhet të mendojmë dhe të sillemi si një komb, pa marrë parasysh shtetet ku jetojmë. Këtë e them sidomos për shqiptarët që jetojnë në trojet e të parëve. Territoret etnike kompakte, ku shqiptarët jetojnë historikisht, duhet të krijojnë në kokat tona hapësirën shqiptare në Ballkan. Kufijtë e vendosur fizikisht nga të tjerët, duhet të bëhen të padukshëm në mendjet tona. Shqiptarët në Ballkan, përmes institucioneve zyrtare, por edhe përmes të gjitha formave dhe mënyrave të tjera të mundshme, duhet të përforcojnë bashkëpunimin dhe ndërveprimin në të gjitha sferat, duke filluar nga: infrastruktura, ekonomia, e sidomos arsimi e shkenca, pa përjashtuar asnjë sferë tjetër. Në këtë ndërveprim duhet gjithsesi të përfshihet diaspora shqiptare, si aseti ynë më i çmuar, ndërkaq Piemonti ynë duhet të jetë Tirana zyrtare. Shqiptarët janë një ndër kombet më të lashta të Evropës, me shumë histori, të lavdishme, por edhe  të trishtë, me shumë potencial e me vlera të pashoqe, si dhe një popull vital, me popullsinë ndër më të rejat në kontinent. Diskursin religjioz, bashkë me fjalorin dhe sintaksën e huaj duhet ta çrrënjosim nga jeta jonë publike, institucionet shtetërore e ato arsimore. Në vend të tyre duhet të kultivojmë shekullarizmin, laicizmin dhe vlerat perëndimore. Duhet të punojmë së bashku, për ndërtimin e një kujtese kolektive të përbashkët, të cilën do t’ua lëmë pas brezave që vijnë. Të pajisemi sa më shumë, me dije dhe shkathtësi bashkëkohore të cilat na ndihmojnë që të krijojmë mendësi institucionale, e cila individualisht nuk na ka munguar, por kolektivisht e për shkak të rrethanave historike, po. Dhe krejt fund, kultivimi i identitetit tonë kombëtar individual duhet të ecë krahpërkrah me kultivimin e identitetit kombëtar kolektiv.  

KUSH ËSHTË ALBULENË HALILI

SONY DSC

Albulenë Halili është doktorante për Marrëdhënie Ndërkombëtare në Universitetin e Tiranës. Fusha e saj hulumtuese është e përqëndruar në marrëdhëniet transatlantike. Ka magjistruar për Diplomaci dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare me temën “Sistemi i Versajës: një rend ndërkombëtar i paqëndrueshëm”. Punon në Insitutin kërkimor “Max van der Stoel” në Universitetin e Evropës Juglindore. Është themeluese e Rrjetit PanAlbanica (panalbanica.net).  

Filed Under: Featured Tagged With: Albulena Halili, Shqiptaret en Maqedoni, Sokol Paja

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 200
  • 201
  • 202
  • 203
  • 204
  • …
  • 902
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • The Alliance That Doesn’t Exist
  • MAXIMILIAN LAMBERTZ – DIJETARI AUSTRIAK QË IA KUSHTOI JETËN STUDIMIT TË GJUHËS DHE FOLKLORIT SHQIPTAR
  • Shkodër, 8 prill 1937, kur vetëdija jonë kombëtare u lartësua nga “Lahuta e Malcis”, rrokaqielli i eposit në vargje i At Gjergj Fishtës
  • MASAKRA E TIVARIT DHE AJO NË FRONTIN E SREMIT – KRIM KUNDËR NJERËZIMIT!
  • MËRGIM KORҪA – “HISTORI TË PASHKRUARA”
  • Një jetë në shërbim, një dekadë në bashkim
  • MBRESAT E MIA ME KOMUNITETIN SHQIPTAR KËRÇOVAR NË OLLTEN TË ZVICRRES
  • Misioni i Madh i Studentave të Shkupit! Shqiptar bashkohuni studentave!
  • NJË GJUHË, NJË IDENTITET – STUDENTËT DALIN NË MBROJTJE TË SHQIPËS
  • “Shqiptarët e Amerikës” ndjekin me shqetësim të thellë zhvillimet e fundit në Maqedoninë e Veriut
  • Eshtrat e Hasan Tahsinit duhet të sillen në atdhe
  • “Irani dhe Siguria Kombëtare”!
  • Pamja e Hënës të cilën nuk jemi mësuar ta shohim
  • Analizë strategjike: Roli i SHBA-ve dhe ndikimi i NATO-s në suksesin operacional ushtarak
  • MICKOSKI DHE POLITIKA E KAMUFLUAR NË BALLKAN

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT