• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

SHQIPTARËT SI FAKTOR PËRCAKTUES NË SKENËN POLITIKE TË MAQEDONISË SË VERIUT

September 7, 2020 by dgreca

Albulenë Halili kërkuese shkencore në  Insitutin kërkimor “Max van der Stoel” në Universitetin e Evropës Juglindore në Maqedoninë e Veriut, analizon ekskluzivisht për gazetën Dielli, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, Neë York, faktorin politik shqiptar në politikëbërjen dhe ndërtimin e institucioneve shtetërore në Maqedoninë e Veriut. Me doktorante Albulenë Halilin bisedoi gazetari i Diellit Sokol PAJA. 

FAKTORI POLITIK SHQIPTAR NË POLITIKËBËRJEN E MAQEDONISË SË VERIUT

Në Maqedoninë e Veriut, sepse që nga 2019-ta ky shtet ka emër të ri. Ndonëse raporti i shqiptarëve me emrin e shtetit, për shkak të rrethanave, ka qenë, disi indiferent. Përpara se të flasim mbi aktorët politikë shqiptarë, dhe nëse ata janë faktor në politikëbërje, po e sjellim një tablo për Maqedoninë e Veriut. Maqedonia e Veriut është një shtet unitarist atipik. Është një shtet de jure monoetnik, madje etnocentrik, i ndërtuar në një shoqëri de facto multietnike. Problemet, apo të gjitha çështjet e hapura në Maqedoninë e Veriut janë të natyrës ontologjike, pra, kanë të bëjnë me vetë qenien e saj. E para, gjeneza e Maqedonisë së Veriut si shtet. Maqedonia u krijua në vitin 1945, nga Tito, si shtet-tampon mes Shqipërisë dhe Bullgarisë nga njëra anë, dhe Serbisë e Greqisë nga ana tjetër, në një territor të kontestueshëm, për të siguruar një stabilitet gjeostrategjik dhe gjeopolitik rajonal. Maqedonia qe njësi e Federatës jugosllave me status të republikës, pra, sipas kushtetutës së 1974, edhe me të drejtë shkëputjeje. Në vitin 1991, Maqedonia organizoi referendumin për pavarësi, të cilin e bojkotuan shqiptarët, të cilët pa vullnetin e tyre mbetën brenda kufijve të këtij shteti. Ky fakt, e bën procesin e pavarësimit një proces jolegjitim. Për më tepër, në vitin 1992, shqiptarët organizuan vetë një referendum për autonomi territoriale dhe politike, ku 92% e pjesëmarrësve u deklaruan për. Ky referendum u injorua nga të gjithë aktorët, të vendit e ndërkombëtarë. Së dyti, filli i të gjitha problemeve, të cilat pengojnë mbarëvajtjen e këtij shteti, gjendet pikërisht në aktin më të lartë juridik të këtij shteti, që është kushtetuta. Në preambulën e saj thuhet se shteti i takon popullit maqedonas dhe pjesëve të popujve të tjerë që jetojnë në këtë shtet, në mesin e të cilëve radhiten edhe shqiptarët. Pra, shqiptarët, janë kategori e nënrenditur kushtetuese. E njëjta vlen edhe për gjuhën shqipe, të cilës, si kushtetuta edhe Ligji për përdorimin e gjuhëve, i referohen me frazën “gjuhën të cilën e flasin më shumë se 20% e popullatës”. Pas luftës së vitit 2001, me Marrëveshjen e Ohrit, e cila u nënshkrua me ndërmjetësimin ndërkombëtar, u bënë ca ndryshime kushtetuese, por nuk u krijuan mekanizmat të cilat do të siguronin jetësimin e tyre. Koncepti i shtetit vijon të jetë i paprekur, pra në shpërputhje me natyrën e shoqërisë që jeton në këtë shtet. Së treti, terri demografik. Për shkak të natyrës së këtij shteti, numri i banorëve të etnive që jetojnë në Maqedoninë e Veriut përcakton gjithçka, duke nisur nga kushtetuta ku përcaktohet se kujt i përket sovraniteti, pra, pronësia mbi shtetin, të drejtat kolektive, përfaqësimi në institucione, ndarja territoriale, listat zgjedhore, përdorimi i gjuhës shqipe në territorin e shtetit, shpërndarja buxhetore nëpër rajone, e kështu me radhë. Maqedonia e Veriut nuk e ka kryer procesin e regjistrimit të popullsisë që nga viti 2002. Maqedonasit vazhdojnë të sundojnë me politikat e bazuara nga të dhëna të vjetëruara. Trendet demografike ndryshojnë me ritëm të shpejtë, sidomos kur krahasojmë numrin në rritje të lindjeve te shqiptarët në raport me maqedonasit, apo edhe për shkak të migrimit masiv të të rinjve në vendet e Evropës Qendrore. Së fundmi, kontestet bilaterale të Maqedonisë së Veriut me të gjithë fqinjët, me përjashtim të shqiptarëve. Mëdyshjet identitare dhe përpjekjet utopike për krijimin e një kombi të ri politik u ndeshën me interesat e të gjithë fqinjëve përreth: greke (për flamurin dhe emrin), bullgare (gjuhën dhe etnogjenezën), serbe (kishën), ndërkaq së brendshmi edhe me interesat e shqiptarëve të cilët jetojnë në këtë shtet, të cilët nuk pranojnë të bëhen pjesë e këtij konstruksioni të paqenë, pra e një kombi politik, ku ata do të ishin maqedonas me prejardhje shqiptare. Mospërfillja e çështjeve të lartpërmendura mund të sjellë “mjellmat e zeza”, apo ato që në anglisht njihen si black sëans për Maqedoninë e Veriut. Aktorët politikë shqiptarë në Maqedoninë e Veriut, të organizuar kryesisht në formë partish politike, kanë qenë prania e papranishme apo e keqja e domosdoshme në pushtetin e këtij shteti. Pa dashur të amnistoj fajin e të gjitha strukturave politike shqiptare deri tani, gjykoj se kjo ka ndodhur për disa arsye: së pari, për shkak se inferioriteti shqiptar është kushtetues; së dyti, për shkak të ndikimit të strukturave shtetërore maqedonase në përzgjedhjen e kuadrove udhëheqëse shqiptare; së treti, mungesa e përvojës institucionale e shqiptarëve, e determinuar nga rrethana të njohura historike; dhe së fundmi, përzgjedhja e kuadrove në bazë të kritereve të tjera, përpos atyre të meritorkracisë e kompetencës. Këto arsye kanë bërë që pushtetizimi i individit të ecë në raport të zhdrejtë me pushtetizimin e popullit shqiptar në Maqedoninë e Veriut. Sot, për shkak edhe të ndërrimit të rrethanave dhe arsimimit (Universiteti i parë shqiptar në Maqedoninë e Veriut, Universiteti i Tetovës, është themeluar në vitin 1994), shqiptarët po politizohen në kuptimin e njëmendët të fjalës, duke u bërë të vetëdijshëm për domosdonë e drejtësisë dhe statusit të barabartë kushtetues e shoqëror në këtë shtet. Ky politizim, ka filluar dalëngadalë të pasqyrohet edhe në politikëbërjen dhe ndërrimin e mendësisë shtetërore. Ndonëse ky është një proces i gjatë, i cili do kohë, vullnet, mund, dhe mbi të gjitha, ndryshime thelbësore, në kuptimin e përshtatjes së rregullimit kushtetues, me realitetiin e shoqërisë që jeton në Maqedoninë e Veriut.  

ORGANIZIMI DHE PËRFAQËSIMI I PARTIVE POLITIKE SHQIPTARE NË ZGJEDHJE

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare të cilat u mbajtën në korrik të këtij viti, qenë zgjedhje jo të rëndomta. Për herë të parë, këto zgjedhje u organizuan gjatë muajve të verës dhe për më tepër në kushte të një pandemie globale siç është Covid 19. Shqiptarët, u përfaqësuan nga më shumë subjekte politike: Bashkimi Demokratik për Integrim, parti e cila doli fituese e zgjedhjeve te shqiptarët, me gjithsejt 15 mandate; koalicioni i përbërë nga Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa, i cili fitoi 12 mandate; partia Besa, e cila garoi bashkë me koalicionin maqedonas social-demokrat në krye me LSDM-në, fitoi 4 mandate; dhe partia më e vjetër shqiptare, Partia Demokratike Shqiptare, e cila fitoi vetëm një mandat. Këto qenë zgjedhje historike për shqiptarët, me gjithsejt 33 mandate të fituara, duke përfshirë edhe deputetin shqiptar në LSDM-në maqedonase. BDI garoi në këto zgjedhje me moton “Për kryeministrin e parë shqiptar”, e cila eklipsoi tërë debatin e pritur lidhur me veprimtarinë e suksese-dështimeve të këtij subjekti, i cili është pjesë e pushtetit që nga viti 2002. Koalicioni ASH-AA, qe një koalicion i panatyrshëm, do të thoja, për dy arsye: e para, për shkak se në periudhën parazgjedhore, njëri subjekt ndodhej në pozitë e tjetri në opozitë, dhe e dyta, për shkak se këto dy parti kanë dallime thelbësore në botëkuptimet e tyre, lidhur me çështjet e identitetit, aleancave strategjike dhe ideologjive nga të cilat ato udhëhiqen. Spektri politik shqiptar, për dallim nga votuesi shqiptar, nuk është i politizuar sa duhet. Ai nuk ka maturinë, dijet dhe profesionalizmin për të hapur e trajtuar çështjet thelbësore të cilat do të sillnin ndryshimin dhe do t’u siguronin shqiptarëve statusin kushtetues e shoqëror, i cili u përket atyre – statusin e popullit shtetformues, të barabartë me maqedonasit. Subjektet politike në tërë hapësirën shqiptare, duhet të mësohen që të bëjnë diferencën midis diskursit politik ditor dhe çështjeve të interesit kombëtar, lidhur me të cilin, të gjitha subjektet politike, jo vetëm në Maqedoninë e Veriut, por edhe në Shqipëri, Kosovë, Kosovë Lindore e Mal të Zi, duhet të kenë qëndrim unik.      

ZGJEDHJET PARLAMENTARE SI FAKTOR KYÇ PËR INTEGRIMIN EUROATLANTIK TË MAQEDONISË SË VERIUT

Në tetor të 2019-s, Maqedonia e Veriut nuk mori datë për fillim të negociatave për anëtarësim në BE, për shkak të kundërshtimit francez, ndaj kjo qe një arsye që kryeministri Zaev pati shpallur zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Në ndërkohë, për shkak të pandemisë, mbajtja e zgjedhjeve qe shtyrë, por Maqedonia e Veriut, më 27 mars 2020 u bë anëtarja e 30-të e Aleancës më të fuqishme politiko-ushtarake në glob, NATO-s, që shënon një nga rrëfimet më të suksesshme të këtij shteti. Shqiptarët, gjatë kohë ndiheshin të marrë peng për shkak të kontesteve bilaterale të këtij shteti dhe një pjese të popullit të saj. Sidomos, përgjatë regjimit të Gruevskit, i cili kishte bërë që shteti të rrëshqiste në autoritarizëm dhe të minojë proceset euro-atlantike, duke i hapur rrugë ndikimit të fuqishëm rus, jo vetëm në vend por edhe në rajon. Integrimi euro-atlantik ka qenë dhe mbetet një nga aspiratat më të mëdha të shqiptarëve, kudo ku jetojnë ata. Interesi euro-atlantik i shqiptarëve lidhet me praninë e Shqipërisë në NATO, praninë e NATO-s në Kosovë, ndërkaq tani edhe me praninë e Maqedonisë së Veriut, si anëtarja më e re e kësaj organizate. Historia e Maqedonisë së Veriut jashtë NATO-s shpiente në rreshtim gjeopolitik të pavullnetshëm të shqiptarëve që jetonin në këtë shtet, me aleanca të tjera, në kundërshtim me Aleancën Veri-Atlantike, ndaj shqiptarët kanë qenë njëri nga faktorët kyçë në realizimin me sukses të procesit të anëtarësimit. Aspirata e ardhshme do të jetë integrimi i Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian, megjithëse kjo hëpërhë duket si aspiratë utopike. Dhe kjo më shumë për shkak të mungesës së kohezionit të brendshëm dhe lodhjes së BE-së nga procesi i zgjerimit, sesa për shkak të mosplotësimit të kritereve për anëtarësim nga vendet e Ballkanit Perëndimor. Në Maqedoninë e Veriut, koalicioni qeveritar i ri, me partnerë të vjetër, është shprehur deklarativisht se punon për një të ardhme pro-perëndimore të vendit, por për ta realizuar këtë, nevojitet vullnet për reformë të njëmendët dhe entuziazëm i pashoq, për të cilët, duhet të presim 100 ditë që t’i vlerësojmë. Ata po ashtu kanë premtuar se do të hapin 80% të kapitujve të Aquis Communitaire të BE-së, deri në vitin 2024, që Maqedonia e Veriut të jetë e gatshme për valën e ardhshme të anëtarësimit.

SITUATA E COVID-19 NË MAQEDONINË E VERIUT

Në Maqedoninë e Veriut, ka pasur gjithsejt 14 600 raste të infektuara me Covid 19 dhe mbi 600 vdekje. Gjykoj se nuk ka pasur një menaxhim të mirë të pandemisë. Gjendja e jashtëzakonshme është shpallur disa herë. Kjo gjendje mbivendosej mbi jashtëzakonshmërinë e jetës së shqiptarëve në këtë shtet. Ajo u trajtua si gjendje e shpallur në rast lufte, për dallim nga koncepti perëndimor i emergjencës shëndetësore apo gjendjes së krizës. Shtetet e Ballkanit Perëndimor me demokraci të brishta dhe histori famëkeqe të diskriminimit e kufizimit arbitrar të lirive e dhunimit të të drejtave njerëzore, kanë qenë pamjaftueshëm të përgatitura për fatkeqësi të kësaj natyre. Qeveria që menaxhonte me krizën, qe teknike deri në krijimin e qeverisë së re, pra deri më 31 gusht. Pandemia shpërfaqi edhe më shumë mendësinë diskriminuese shtetërore ndaj shqiptarëve. I gjithë komunikimi zyrtar, materiali informativ dhe njoftimet nëpër rrjetet sociale janë bërë kryesisht në gjuhën maqedonase. Strukturat udhëheqëse u përpoqën që dështimin e vet në menaxhimin e krizës, t’ia veshin qytetarit, e sidomos atij shqiptar, duke e stigmatizuar si të papërgjegjshëm. Shëndeti publik bën pjesë në sigurinë kombëtare dhe si i tillë është përgjegjësi parësore e shteteve. Është e vërtetë se në rastin e pandemive, duhet të ekzistojë një infrastrukturë më e gjerë publike që përbëhet nga palët e interesuara që marrin pjesë në të gjitha aspektet e planifikimit, por kjo në asnjë mënyrë nuk nënkupton se në këtë infrastrukturë vitale duhet të ketë rol thelbësor qytetari i thjeshtë. Pa dashur ta amnistoj secilin prej nesh, përgjegjësia për shëndetin publik nuk lihet kurrë dhe kurrsesi në ndërgjegjen dhe vetëdijen e popullatës. Më e rëndësishmja, në kohën kur në të gjitha shtetet nxënësit kanë filluar shkollën, në Maqedoninë e Veriut është paralajmëruar që viti shkollor do të fillojë më 1 tetor. Nxënësit deri në klasën e tretë do të mbajnë mësim me prezencë fizike, ndërkaq të tjerët online. Gjithashtu, flitet për mbajtje të mësimit me prezencë fizike në shkollat ku klasat numërojnë jo më shumë se njëzet nxënës. Ky do të jetë një shembull, si shumë të tjerë, ku pandemia shpërfaq diskriminimin sistemor ndaj shqiptarëve. Shumica e shkollave me nxënës shqiptarë, mësimin e kryejnë në tre ndërrime, nuk kanë kushtet elementare as në kohët normale, dhe kanë klasa me nga 40 nxënës. Efekti i pandemisë te shkollarët duhet të jetë brenga më e madhe e një shoqërie të shëndoshë dhe e njerëzve në krye të institucioneve gjegjëse. Nga ana tjetër, për mendimin tim, mësimi online ka qenë një dështim i madh, pasojat e të cilit do të mbivendosen mbi cilësinë edhe ashtu shumë të dobët të arsimit në Maqedoninë e Veriut.  

MESAZHI JUAJ PATRIOTIK PËR LEXUESIT E GAZETËS DIELLI DHE DIASPORËN SHQIPTARE NË USA

Në këtë kohë, ne duhet të mendojmë dhe të sillemi si një komb, pa marrë parasysh shtetet ku jetojmë. Këtë e them sidomos për shqiptarët që jetojnë në trojet e të parëve. Territoret etnike kompakte, ku shqiptarët jetojnë historikisht, duhet të krijojnë në kokat tona hapësirën shqiptare në Ballkan. Kufijtë e vendosur fizikisht nga të tjerët, duhet të bëhen të padukshëm në mendjet tona. Shqiptarët në Ballkan, përmes institucioneve zyrtare, por edhe përmes të gjitha formave dhe mënyrave të tjera të mundshme, duhet të përforcojnë bashkëpunimin dhe ndërveprimin në të gjitha sferat, duke filluar nga: infrastruktura, ekonomia, e sidomos arsimi e shkenca, pa përjashtuar asnjë sferë tjetër. Në këtë ndërveprim duhet gjithsesi të përfshihet diaspora shqiptare, si aseti ynë më i çmuar, ndërkaq Piemonti ynë duhet të jetë Tirana zyrtare. Shqiptarët janë një ndër kombet më të lashta të Evropës, me shumë histori, të lavdishme, por edhe  të trishtë, me shumë potencial e me vlera të pashoqe, si dhe një popull vital, me popullsinë ndër më të rejat në kontinent. Diskursin religjioz, bashkë me fjalorin dhe sintaksën e huaj duhet ta çrrënjosim nga jeta jonë publike, institucionet shtetërore e ato arsimore. Në vend të tyre duhet të kultivojmë shekullarizmin, laicizmin dhe vlerat perëndimore. Duhet të punojmë së bashku, për ndërtimin e një kujtese kolektive të përbashkët, të cilën do t’ua lëmë pas brezave që vijnë. Të pajisemi sa më shumë, me dije dhe shkathtësi bashkëkohore të cilat na ndihmojnë që të krijojmë mendësi institucionale, e cila individualisht nuk na ka munguar, por kolektivisht e për shkak të rrethanave historike, po. Dhe krejt fund, kultivimi i identitetit tonë kombëtar individual duhet të ecë krahpërkrah me kultivimin e identitetit kombëtar kolektiv.  

KUSH ËSHTË ALBULENË HALILI

SONY DSC

Albulenë Halili është doktorante për Marrëdhënie Ndërkombëtare në Universitetin e Tiranës. Fusha e saj hulumtuese është e përqëndruar në marrëdhëniet transatlantike. Ka magjistruar për Diplomaci dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare me temën “Sistemi i Versajës: një rend ndërkombëtar i paqëndrueshëm”. Punon në Insitutin kërkimor “Max van der Stoel” në Universitetin e Evropës Juglindore. Është themeluese e Rrjetit PanAlbanica (panalbanica.net).  

Filed Under: Featured Tagged With: Albulena Halili, Shqiptaret en Maqedoni, Sokol Paja

Artikujt e fundit

  • AT SHTJEFËN GJEÇOVI DHE DR. REXHEP KRASNIQI, APOSTUJ TË IDESË PËR BASHKIM KOMBËTAR
  • Marjan Cubi, për kombin, fenë dhe vendlindjen
  • Akademik Shaban Sinani: Dy popuj me fat të ngjashëm në histori
  • THE CHICAGO TRIBUNE (1922) / WOODROW WILSON : “NËSE MË JEPET MUNDËSIA NË TË ARDHMEN, DO T’I NDIHMOJ SËRISH SHQIPTARËT…”
  • SHQIPËRIA EUROPIANE MBRON HEBRENJTË NË FUNKSION TË LIRISË
  • KONGRESI KOMBËTAR I LUSHNJES (21-31 JANAR 1920) 
  • Një zbulim historik ballkanik
  • VATRA DHE SHOQATA E SHKRIMTARËVE SHQIPTARO-AMERIKANË PROMOVOJNË NESËR 4 VEPRA TË PROF. BESIM MUHADRIT
  • Që ATDHEU të mos jetë veç vend i dëshirës për të vdekur…
  • KAFE ME ISMAIL KADARENË
  • Kosova paraqet mundësi të shkëlqyeshme për investime
  • PARTIA NUK ËSHTË ATDHEU, O KOKËSHQOPE
  • 50 VJET VEPRA POETIKE KADARE
  • IT’S NOVEMBER 28TH
  • Një arritje për shqiptarët në Michigan

Kategoritë

Arkiv

Tags

alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Hazir Mehmeti Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT