• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Pse njohja ndërkombëtare e Mbretërisë Shqiptare?

September 2, 2020 by dgreca

NGA EKREM SPAHIU- Me rastin e 92 vjetorit, 1 shtator 1928 – 2020Në 92 vjetorin e Mbretërisë Shqiptare dhe në kontekst të zhvillimeve të sotme shqiptare, në mënyrë legjitime mund të shtrohet pyetja: pse Mbretëria Shqiptare u njoh menjëherë nga aleatët natyralë të Shqipërisë?Në këto 108 vjet të shtetit shqiptar, spektri qeverisës i Shqipërisë në momente të veçanta ka qenë i paqëndrueshëm, madje dhe ka munguar plotësisht. Shqipëria provoi një qeverisje rreth njëvjeçare të themeluesit të saj Ismail Qemalit që ndërkombëtarët e pasuan me një qeveri gjashtëmujore të një princi joshqiptar të përzgjedhur prej tyre. Në Luftën e Parë Botërore Shqipëria u gjet krejt pa qeveri kombëtare. Qeveria disa mujore e Fan Nolit pothuajse nuk u njoh ndërkombëtarisht. Në Luftën e Dytë Botërore Shqipëria u gjet përsëri pa qeveri kombëtare. Qeveria e diktaturës komuniste 45 vjeçare u njoh vetëm nga vendet komuniste dhe, formalisht, edhe nga pak vende perëndimore, por asnjëherë nga SHBA dhe Mbretëria e Bashkuar.Përkundër, qeveria disavjeçare e Ahmet Zogut si kryeministër e president dhe Mbretëria 11 vjeçare Shqiptare u njohën nga të gjitha shtetet perëndimore, më së pari nga SHBA dhe Mbretëria e Bashkuar. Njohja e shteteve është një ndër elementët më të rëndësishëm që përcakton vetē ekzistencën e shtetit si subjekt i njohur i të drejtës ndērkombëtare. Në këtë kuadër, njohja ndërkombëtare e qeverisë plotëson njohjen e shtetit dhe e jetëson atë. Njohja ndërkombëtare e shtetit kushtëzohet nga pranimi i të drejtës së një populli të ketë shtet. Njohja ndërkombëtare e një qeverie kushtëzohet nga shkalla e legjitimitetit të saj për të përfaqësuar shtetin. Shteti mund të funksionojë edhe pa njohje, por një shtet i tillë ose e ka jetën të shkurtër, ose shndërrohet në diktaturë. Përvoja e Shqipërisë e konfirmon plotësisht këtë përfundim.Të gjitha vendet e Ballkanit midis dy luftrave ishin monarki, përveç Shqipërisë. Si të tilla ato përfaqësonin më mirë dhe përcillnin më me efektivitet interesat kombëtare të vendeve të tyre. Mbretërit përfaqësonin gjithë kombin në krahasim me politikanët që përfaqësonin vetëm forcën e tyre politike. Mbretërit ofrojnë përfaqësim afatgjatë, jo interesa afatshkurtra siç përfaqësojnë politikanët. Mbretëritë, duke qëndruar mbi politikën, sigurojnë stabilitet politik duke i dhënë të drejtën një figure qëndrore të ndërhyjë për të mos e lënë vendin të bjerë në kaos politik. Politikanët bëjnë premtime për vendin të cilat të nesërmen i kompromentojnë, ndërsa mbretëria nuk është e interesuar të zhvleftësojë veten.Shqipëria e vitit 1928 kishte ardhur në një domosdoshmëri të tillë. Pas vitit 1914, deri në Kongresin e Lushnjes, Shqipëria ishte pothuajse pa qeveri dhe kombi pa një shtet amë. Kjo do të sillte pasoja të rënda kombëtare për shtetin dhe kombin shqiptar deri në rrezikun e vënies në pikëpyetje të ekzistencës së tyre. Do të ishte kryesisht për meritë të filozofisë politike të Presidentit amerikan Uillson që Shqipëria shpëtoi pa u goditur deri në shpërbërje.Një Shqipëri e shpërbërë do të ishte goditje fatale për kombin shqiptar. Një Shqipëri e shpërbërë do të ndryshonte gjithashtu të gjitha balancat gjeopolitike në Ballkan. Në këto kushte, Shqipëria e shqiptarët shpëtoheshin vetëm nga një dorë e fortë e centralizuar. Nga një Shqipëri e centralizuar lehtësohej dhe Ballkani, madje edhe Europa nga një konflikt të cilit nuk i dihej fundi. Në funksion të këtyre imperativave gjeopolitikë e kombëtare, si dhe në respekt të vlerave e kritereve për njohje ndërkombëtare, Mbretëria Shqiptare u njoh nga një numër relativisht i madh shtetesh për kohën. Por shumë më e rëndësishme se sa numri, është fakti që Mbretëria Shqiptare u njoh nga të gjitha shtetet me histori të gjatë demokratike të cilat si kriter themelor kanë legjitimitetin. Ndërkohë, Europa ishte shumë e interesuar për një Ballkan të qëndrueshëm dhe, në këtë mes, edhe për një Shqipëri të qëndrueshme. Në këtë kuadër, do të ishte e rrezikshme që një vend me histori dhe përkatësí natyrale europiane siç ishte Shqipëria, të pushtohej nga bolshevizmi. Në këto kushte kombëtare dhe ndërkombëtare, Mbretëria ishte alternativa më e mirë e mundshme për të zgjidhur jo vetëm ngërçin kombëtar shqiptar, por edhe problemin ndërkombëtar që mund të shkaktonte shthurja e Shqipërisë. Ishin pikërisht këto domosdoshmëri të kohës që përbënë bazën e njohjes ndërkombëtare të Mbretërisë. Ajo u njoh menjëherë nga aleatët natyralë të saj. Italia ishte e para që e njohu Mbretërinë Shqiptare. Brenda muajit shtator kur ajo u shpall, u njoh zyrtarisht nga Britania e Madhe, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Austria e Gjermania. Sigurisht ishte një sukses diplomatik që u njoh edhe nga Greqia, Franca, Jugosllavia, Bullgaria, Rumania, Spanja e deri edhe Uruguaji, Japonia, Lituania, etj. Një njohës dhe pjesmarrës aktiv në zhvillimet politike në Shqipërinë të atyre kohëve, Eqrem bej Vlora, vlerësonte se: “Në këtë botë egoiste askush nuk të dhuron gjë badihava. Ahmet Zogu e ka merituar suksesin e tij me vështirësitë, mundimet dhe rreziqet që iu desh të përballojë”.Nga letër këmbimet për njohjet e Mbretërisë Shqiptare, po pasqyrojmë vetëm atë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku Mbreti Zog i drejtohet Presidentit të SHBA – Calvin Coolidge dhe të Ministrit të Jashtëm Amerikan Frank B. Kellogg. ___________________________________________________________875.91 /280 : Telegram

The Secretary of State to the Minister in Albania (Hart)WASHINGTON, September 12, 1928 – 5 p.m35. Your No. 58, September 6, 11 a.m., and Department’s 30, September 5, 6 p.m. Upon receipt of this telegram please address a note in the following terms to the Minister for Foreign Affairs:”My Government has taken note of the action of the Constituent Assembly of Albania in changing the form of the government of Albania to that of a constitutional monarchy and in proclaiming President Ahmed Zogu ‘Zog First, King of the Albanians.’ I now take pleasure in informing Your Excellency, under instructions from my Government, that the Government of the United States extends recognition to the Kingdom of Albania, it being understood that the exchange of notes of June 22, 1922, between the United States and Albania 7 and the provisions of Albanian law enacted in pursuance therewith will continue in force.” The following telegram is being sent today by the President to the King of the Albanians :”It is with pleasure that I extend to Your Majesty and to the people of Albania congratulations on the occasion of your accession to the throne. The American people join with me in expressing best wishes for Your Majesty’s good health and happiness and for the prosperity of Albania.”The Department will communicate with you later concerning new letters of credence.

KELLOGG__________________________________________________________Sekretari i Shtetit për Ministrin në Shqipëri (Hart)Uashington 12 Shtator 1928Sapo të merrni këtë telegram lutem adresoni një notë për Ministrin e Punëve të Jashtme me përmbajtjen si më poshtë:“Qeveria ime ka marrë shënim veprimin e Asamblesë Kushtetuese të Shqipërisë për ndryshimin e formës së qeverisë së Shqipërisë në atë të një monarkie kushtetuese dhe shpalljen e Presidentit Ahmed Zogu, ‘Zogu i Parë, Mbret i Shqiptarëve”. Tani kam kënaqësinë të informoj Shkëlqesinë Tuaj, sipas udhëzimeve nga Qeveria ime, se Qeveria e Shteteve të Bashkuara i jep njohje Mbretërisë së Shqipërisë, duke kuptuar me këtë se shkëmbimi i notave të 22 qershorit 1922, midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë dhe dispozitat e ligjit shqiptar të dekretuara në zbatim të tij, do të vazhdojnë të mbeten në fuqi.Telegrami i mëposhtëm është dërguar sot nga Presidenti për Mbretin e Shqiptarëve:“Është kënaqësia ime t’ju çoj Madhërisë Tuaj dhe popullit të Shqipërisë urimet me rastin e ardhjes tuaj në fron. Populli Amerikan bashkohet me mua për të shprehur urimet më të mira për shëndet të mirë dhe lumturinë e Madhërisë suaj dhe për prosperitetin e Shqipërisë”.Departamenti do të komunikojë me ju më vonë lidhur me letrat e reja kredenciale. KELLOGG___________________________________________________________875.001Zog/19 :

TelegramKing Zog to President CoolidgeTIRANA, September 14, 1928 – 1 p.m.Deeply moved by the congratulations and the good wishes Your Excellency has so kindly expressed on the occasion of my accession to the throne of Albania, I hasten to present to you the assurance of my most profound gratitude for this act of cordial friendship toward my person and for the Albanian people. On this occasion it is a pleasure for me to convey to you an expression of the sentiments of gratitude which my people continue to cherish toward the noble people of the United States for the humane assistance which they gave through the medium of the American Red Cross to my people at a critical time.Furthermore, the Albanian people are most grateful for the generous hospitality which the great Republic of the United States so liberally extends to the Albanians in the United States, thus bestowing upon them the benefits of American culture and welfare.Please accept, Excellency, my most sincere good wishes for your happiness and for the greater prosperity of the noble people of the United States.ZOG __________________________________________________________Telegrami i Mbretit Zog për Presidentin CoolidgeTiranë, 14 Shtator 1928 Thellësisht i emocionuar nga urimet dhe dëshirat e mira që Shkëlqesia Juaj ka shprehur kaq mirësisht me rastin e ardhjes time në fronin e Shqipërisë, unë nxitem t’ju paraqes sigurimet e mirënjohjes time më të thellë për këtë akt të miqësisë së përzemërt ndaj meje personalisht dhe për popullin shqiptar. Me këtë rast, është kënaqësi për mua t’ju transmetoj shprehjen e ndjenjave të mirënjohjes, të cilat populli im vijon të ushqejë ndaj popullit fisnik të Shteteve të Bashkuara për asistencën humane që dhanë përmes Kryqit të Kuq Amerikan për popullin tim në një kohë kritike. Për më shumë akoma, populli shqiptar është tepër mirënjohës për mikpritjen bujare që Republika madhështore e Shteteve të Bashkuara iu dha kaq lirshëm shqiptarëve në Shtetet e Bashkuara, duke iu ofruar atyre përfitimet e kulturës dhe mirëqënies amerikane. Pranoni, ju lutem, Shkëlqesi, urimet e mija më të sinqerta për lumturinë tuaj dhe për prosperitet më të madh të popullit fisnik të Shteteve të Bashkuara. ZOG

Filed Under: Featured Tagged With: Ekrem Spahiu, Mbreti Zog

Banda Kombёtare Vatra nё Luftёn e Vlorёs

September 1, 2020 by dgreca

Banda hyn ne Vlore. Ne krye Aqif Permeti dhe Thoma Nasi…

“Banda Kombёtare Vatra nё Luftёn e Vlorёs, 1920 dhe krijimi i kёngёs himn “Vlora-Vlora”-

Banda Vatra ne Vlore.

– Dëshmitari i asaj lufte Ago Agaj, në kujtimet e tij shkruan pёr efektin qё shkaktoi ardhja e Bandёs Kombёtare VATRA tek luftёtarёt:… pa le kur u dëgjua, që “Vatra e famshme”, kishte nisur nga Amerika një bandë muzikore të shquar për të ardhur në Drashovicë e për të marrë pjesë në luftë. Atëhere gëzimi i luftëtarëve u rrit dhe më shumё…..

Shkruan: Akademik Vasil S. TOLE

Banda Kombёtare VATRA mori pjesë në Luftën e Vlorës jo thjesht e vetëm me pushkë, por me një instrument muzikor në dorë, i cili provoi se u shndërrua në “armën” e tyre më efikase për të mbështetur çlirimin e Vlorës.Ata shkuan nё Vlorё duke u nisur nga Korça dhe aktiviteti i parafundit i bandës “Vatra” në Korçë, përpara se të shkonin në Vlorë, ishe ai i datës 23 qershor 1920, i cili u organizua si protestë e hapur ndaj masakrave të Italisë në Vlorë. Thoma Nasi, drejtuesi i bandёs kujton: …nuk kishim shumë kohë që ndodheshim në Korçë, kur në qershor të 1920 morëm një lajm alarmues nga forcat luftarake të Vlorës të cilat na kërkonin t’u shkonim për t’i ndihmuar të mbanin lart moralin nga që sapo kishin marrë Tepelenën e Drashovicën – kjo e fundit vetëm rreth 20 milje nga Vlora – dhe tani po luftonin kundër italianëve në kodrat përreth Vlorës.

Kronika e kohës jep këtë dinamikë të zhvillimit të ngjarjeve nё Korçё: … që m’ora 8 në mëngjes, zunë të mbyllen dyqanet dhe populli të mblidhet në boulevard e Shënt Gjergjit. M’ora 9 me flamur të zi në krye të shkrojtur mi te: PROTESTIM KONDRA MASAKRAVE T’ITALISË NË VLORË dhe me bandën Kombëtare “Vatra” vanë para shtëpisë së ish-Qeveritarit Delegat të këtushme, z.Cretin, i cili atere po azëroheshe që të lërë Korçën. Kur dolli Koloneli Cretinper të ipur otomobillë që të shkojë, Banda “Vatra” atere i bie “Marseiëzës”, të cilën e mbuluan duartrokitjet dhe të thirurat rroftë Franca, rroftë Shqipëria. Si mbaroj Banda del Z. Llambi Lapi dhe mban fjalë dyke çpjeguar shkakun e metingut. Thotë se, ky meting u mbajt, për të protestuar kondra masakrave t’Italisë në Vlorë dhe i lutet z. L Kolonelit Cretiu që të dërgojë këtë protestim, të cilin ja dha të shkrojtur, ne Kryeministri Francës Z. Milerand. Si mbaroj fjalën Z. Lapi, Banda i bie “Himnit të Flamurit”, të cilin e mbulojnë duartrokitjet dhe të thirurat rroftë. Me të mbaruar Banda Himnin e Flamurit, z. L Kolonel Cretin shkoj për në Francë në mest të duartrokitjeve dhe të thirurat e popullit rroftë Franca rroftë Shqipëria, rroftë L Kolloneli Kretin[1].

Pas Korçёs, Faik Konica e përshkruan kështu këtë segment të udhëtimit të tyre: …. në rrethet e Vlorës u bashkuan me kryengritësit heroike që leftojin për çlirimin e vendit, edhe topat e italianëve përcuallnë marshet e bandës me nota të forta, të përshkruara në kartë[2].Thoma Nasi thekson faktin se:…kjo luftë epike kishte tërhequr vëmendjen e të gjithë botës dhe midis korrespondentëve që mbulonin luftën, më i shquari ishte Edsel Mowrer i Chicago Daily News dhe Washington Post. Dukej që të gjithë korrespondentët mbanin anën e shqiptarëve guximtarë, trimëria e të cilëve përshkruhej në njoftimet e përditëshme. Duhet përmendur se luftëtarët shqiptarë kishin hedhur gunat e tyre të leshta e të rënda mbi barrikadat e telave me gjëmba dhe kapërcenin mbi to për të terrorizuar italianët. Për më tepër, sapo që italianët i nisnin aeroplanët e tyre, shqiptarët i rrëzonin shumë syresh[3].

Dëshmitari i asaj lufte Ago Agaj, në kujtimet e tij shkruan pёr efektin qё shkaktoi ardhja e Bandёs Kombёtare VATRA tek luftёtarёt:… pa le kur u dëgjua, që “Vatra e famshme”, kishte nisur nga Amerika një bandë muzikore të shquar për të ardhur në Drashovicë e për të marrë pjesë në luftë. Atëhere gëzimi i luftëtarëve u rrit dhe më shumё. Sadoqë nuk ua merrte mendja se si do t’ trembeshin italianët e do të viheshin në ikje me anë të veglave muzikore, të cilat ata i admironon më tepër se c’do gjë[4].

Pas vizitës së parë të bandës “Vatra” në atdhe, dëshira popullore për një muzikë të re, i dha mundësinë Thoma Nasit të kompozonte shumë këngë. Njëra prej këtyre këngëve, në mos më e njohura, ishte kënga “Vlora-Vlora”[5], me fjalë të Ali Asllanit (1884-1966). Peshkop Fan S. Noli e thotë shkoqur se …edhe kënga “Vlora, Vlora”, sikundër e dini është bërë nga një përfaqësonjës i “Vatrës”, të cilin e kemi këtu në mes tonë. Ia dini emrin, por do ta thom, profesor Thoma Nashi[6]. Në kujtimet e Nasit të shumë viteve më vonë, ai ngatërron pa dashje emrin e krijuesit të poezisë së kësaj kënge. Në versionin e tij ai përmend Bajram Currin, gjë që nuk provohet të jetë e vërtetë. Referuar kujtimeve të Hajredin Bej Cakranit: …ata (banda “Vatra” – shënimi ynë”) e bënë dhe ujdisnë vjershnë që kish bërë ato ditë shkronjëtori Ali Aga Asllani dhe e bënë hymn, si frëngjtë asokohe Marsejezën[7]. Pra kënga “Vlora, Vlora”jo vetëm është kompozuar në flakët e luftës, por si e tillë është dëshmia më e prekshme e trashëgimisë shpirtërore që vjen nga Lufta e Vlorës.

Sipas Nasit, një nga çastet më të paharruara të veprimtarisë së “Vatrës” në front më 1920 ishte kur: …pas largimit të italianëve, ‘të gjithë shqiptarët që kishin marrë pjesë në luftë u futën në Vlorë me bandën në krye duke kënduar Vlora, Vlora, bjeri më të lumtë dora! Kënga pati sukses të menjëhershëm dhe brenda pak ditëve u përhap në të gjithë Shqipërinë. Në një nga transmetimet e saj në radio, Dorothe Thompson tha se shqiptarët kur hidheshin në sulm kundër italianëve këndonin këngën Vlora, Vlora. Kjo këngë është bërë një nga klasiket shqiptare dhe ende këndohet sot. Gjëja që më ka habitur e befasuar më shumë është se si këngët që shkruaja arrinin të shpërndaheshin pothuajse brenda natës në të gjithë vendin dhe të këndoheshin e ekzekutoheshin pa nota të shtypura nga orkestrat vendase. Kudo që vizitonim qytete të mëdhenj a të vegjël, popullata vendase do të na përshëndeste duke kënduar këto këngë![8]

Kush nuk i di vargjet e saj?

I.

Jam vlonjat e jam vlonjat,
zhgabën e kam mëm’ e atë,
zhgaba trime dykrenorë
fron’ e saj e ka në Vlorë!
Ref.

Vlora, Vlora, Vlora, Vlora,
rroki armët, bëja forra!
Vlora, Vlora, Vlora, Vlora,
Bjeri më të lumtë dora.

II.

Vlora trime shqipëtare
si rob jetën s’e do fare,
a do mbetet Shqipëri,
a do bëhet tym e hi!

III.
Jam vlonjat e jam burrë,
s’duron burri zgjedhë kurrë,
jam vlonjat e si vlonjat
do bëj luftë me të shtat’!
IV.
Jam vlonjat dhe trim me besë,
rreth flamurit di të vdesë,
a me hir a me pahirë
doemos do rroj i lirë!

Më 3 shtator 1920 forcat shqiptare me në krye bandën “Vatra” hynë triumfalisht në qytetin e çliruar të Vlorës, gjё e cila provohet edhe nga disa fotografi historike, njё pjesё tё tё cilave i botojmё pёr herё tё parё nё librin “Banda Kombёtare Vatra, njё histori unikale shqiptaro-amerikane”, botim i Akademisё sё Shkencave, 2020. Para se banda të hynte triumfalisht në Vlorë, Gazet’e Korçës e datës 4 shtator 1920, u kujtonte lexuesve të saj se: …triumfi panegjerik i kësaj bande u tregua në Drashovicë, ku me marshet e saj patriotike u dha fuqi të reja luanëve vlonjatë dhe të tjerëve vetëdashës, të cilët me hovet e tyre shtrënguan armikun e djeshëm dhe mikun e sotmë të lërë Vlorën[9]. Korrespodenti i gazetës së Korçës shkruante: …Banda kombëtare “Vatra” arrin atje e cila pritej me padurim të madh nga populli… Më ora 8 në mëngjes u dëgjua zëri i bandës “Vatra” e cila vajti në kazermë ku ushtri e Korçës nënë Ferid Frashërin e priti me armë për nder dhe që andej, bashkë me ushtrinë vajti për të marrë vendin e caktuar përballë monumentit të dëshmorëve[10].

Ngritja e flamurit të fitores në Vlorë u prit me entuziazëm të papërshkrueshëm popullor dhe u bekua me gjakun e 175 dëshmorëve, të 422 të plagosurve[11] dhe të sakrificave të panumërta të popullit vlonjat. Këto sakrifica kishte parasysh kolonel Aqif Përmeti, komandanti i “Trupës vullnetare” tё ardhur nga Amerika sё bashku me bandёn Kombёtare VATRA, kur me mbarimin e luftës lëshoi thirrjen për të mbështetur popullin që vuante nga mjerimi i pasluftës me kёto fjalё”…Vlora sot ndodhet në duar të ushtrive shqipëtare. Por ky vend historik nuk u dorëzua me dashjen e italianëve por u mor me luftë duke derdhur gjak shqiptari për të shpëtuar Vlorën. Ata që ranë dëshmorë të këtij qëllimi, kanë lënë fëmijën, gratë dhe mëmat e tyre në duart tona. Ata dëshmorë sot prehen në gji të Perëndisë, por fëmijes së tyre mbase i dridhet dora e buza për një kafshore bukë. Prandaj që të mos lihen fëmijët e dëshmorëve të vuajnë, duhet çdo njëri që mban emrin shqiptar, pa kursim të japë ndihmën e tij[12].Njё foto e veçantё ёshtё shkrepur nga fotografi Petro Dhimitri mё 3 shtator 1920 nё ditën e çlirimit të Vlorёs ku janё sё bashku 250 vullnetarë nga qarku i Korçës[13], në mes të të cilëve ndodheshin 120 trupat e ardhura nga Amerika dhe pjestarёt e Bandёs Kombёtare VATRA.

Ngritja simbolike e flamurit shenjoi fitoren e luftës. Për ato çaste, në shtypin e shkruar thuhet:…bandat po buçisnin për himnin e flamurit dhe z. Qazim Kokoshi po ngrinte flamurin sipas muzikës[14]. Bëhet fjalë për bandën “Vatra”[15] dhe bandën “Afërdita” të Elbasanit, prezencën e të cilave konfirmohet nga disa drejtime, nder to edhe Syrja Vlora[16] në kujtimet e tij: …dalëngadalë italianët u tërhoqën nga toka e Vlorës dhe, më së fundi, në kohën e caktuar, e liruan krejt vendin duke u transferuar në ishullin e Sazanit. Pas kësaj, me plot gaz e muzikë të luajtur nga banda e Korçës dhe ajo e Elbasanit, i tërë populli festoi i gëzuar e i lumtur. Kështu iu dha fund luftës.(Te plote lexoje ne Gazeten DIELLI ne Print)


[1] Shih: “Metingu për të protestuar kondra masakrave të Italis në Vlorë”, te Gazet’ e Korçës, 23 qershor 1920.

[2] Cituar sipas artikullit “The sweet power of music”, 1920, të shkruar nga Faik Konica.

[3] Cituar sipas leksionit të mbajtur nga Thoma Nasi me studentët shqiptarë të Universitetit të Harvardit, 1960.

[4]Shih “Lufta e Vlorës”, Tiranë, 2002, f. 255.

[5] Kënga “Vlora-Vlora” u kompozua nga Thoma Nasi gjatë Luftës së Vlorës.

[6] Cituar sipas: Fan S. Noli. Vepra 6, Tiranë, 1996, f. 217.

[7] Te: Kujtimet e një firmëtari. Tiranë, 2016, f. 359.

[8] Shih: Thoma Nasi. Ligjërata. 1960.

[9] Cituar sipas: Gazet’ e Korçës, 4 shtator 1920.

[10] Cituar sipas: Gazet’ e Korçës, 8 shtator 1920.

[11] Shifrat janë cituar sipas: Syrja Vlora. Kujtime, nga fundi i sundimit soman në Luftën e Vlorës, Tiranë, 2013, f. 335

[12] Cituar sipas gazetës Koha, Korçë, 7 gusht 1920.

[13] Shih gjithashtu: Syrja Vlora. Kujtime, nga fundi i sundimit osman në Luftën e Vlorës. Tiranë, 2013, f. 334 (perifr.).

[14] Shih: gazeta Koha, datë 11 shtator 1920, f. 3 (shkrim).

[15] Shih gjithashtu: Enver Memishaj. Emblema e një Epopeje. Tiranë, 2010, f. 367-368.

[16] Syrja Vlora. Kujtime, nga fundi i sundimit osman në Luftën e Vlorës, Tiranë, 2013, f. 199. Libër i cituar.

Filed Under: Featured Tagged With: Akademik Vasil S Tole, banda e vatres, Lufta e Vlores

KUJTESA- 18 VJET PA BABE TAHIRIN

September 1, 2020 by dgreca

Në Kujtim të Patriotit Tahir Kerrnaja dhe Përpjekjeve për Njohjen e Cështjes së Kosovës dhe Viseve Shqiptare në Ballkan – (Me rastin e 18 vjetorit të vdekjes)–

Nga: Drita Gjongecaj-New York- Më 4 shtator mbushen 18 vjet që kur u nda nga jeta Tahir Kerrnaja i cili njihej me emrin “Babë Tahiri” apo “Njeriu i Demonstratave”. Tahir Curran Kerrnaja ia kushtoi krejt jetën përpjekjeve për njohjen e cështjes së shqiptarëve në trojet etnike e sidomos Kosovës. 

Ai ishte nga fshati Kerrnajë në zonën e Gashit të Tropojës nga një familje e njohur për tradita patriotike. Megjithëse kjo ishte në të vërtetë familja e nënës sime, për arsye sigurie nga rregjimi komunist, nuk flitej shumë për të në praninë e ne të rinjve pasi, i akuzuar për vepra që nuk i kishte kryer, ai ishte arratisur nga Shqipëria.  

Ndër ato që kisha dëgjuar unë ishte se ai i jepte një rëndësi të vecantë arsimimit dhe, në një kohë kur shumica dërrmuese e popullsisë në Shqipëri ishte analfabete, pikërisht në vitet ‘30 ai kishte ndjekur shkollën Amerikane Bujqësore në Kavajë. Më vonë ai ndoqi edhe shkollën e Kuesturës në Itali. 

Personalisht e kuptova nga afër ndjeshmërinë dhe vlerësimin e tij ndaj arsimimit në verën e vitit 1991 kur ai më dërgon nga Amerika një cantë lëkure cilësore librash, ngjyrë kafe, me shënimin: “… Mos ju ndaj shkollimit se vetëm dituria të con përpara. …”

Deri në atë kohë askush nga familja nuk kishte dijeni për punën e tij madhore në NY në shërbim të kombit e shqiptarëve pasi lidhjet me jashtë ishin të këputura plotësisht. Unë u vendosa në Amerikë në muajt e fundit të jetës së tij, kështu që përvec dy-tre takimeve të shkurtra nuk pata fatin të shpenzoj kohë me të. Ishte fjalëpak dhe më se modest. Duke e quajtur veten thjesht ushtar në cështjen e Kosovës, punën kolosale dhe arritjet ia atribuonte bashkëpunëtorëve e mbështetësve të shumtë të aktivitetit të tij dhe organizatës Rinia Shqiptare e Kosovës në Botën e Lirë (RShKBL) e themeluar nga vetë ai. 

Në rininë e tij në Shqipëri, Tahir Kerrnaja i ishte bashkuar forcave partizane, më vonë forcave nacionaliste dhe kishte shërbyer edhe në kuesturën e Tiranës. Me një akuzë të sajuar nga qeveria komuniste, ai qe dënuar fillimisht me vdekje. Meqë nuk kishte prova dhe duke qenë se asnjë nga dëshmitarët nuk e mbështetën akuzën ndaj tij, vendimi ndryshoi në dënim me burgim të përjetshëm që më vonë përsëri u ul në disa vite. Për afro 10 vjet ai vuajti në kampet e burgjet famëkeqe të Shqipërisë së atëhershme përfshi edhe Kampin e Vdekjes në Kavajë. Vuajtje e tortura të paimagjinueshme përjetoi ai pastaj në ish-Jugosllavi derisa më në fund fitoi statusin e emigrantit politik dhe në vitin 1963 hyri në Amerikë.

Me largpamësi, ai themeloi Shoqërinë RShKBL (Albanian Kosovar Youth in the Free World-AKYFW) dhe mblodhi rreth vetes shumë anëtarë e bashkëpunëtorë me të cilët nuk reshtën punën e organizuar për sensibilizimin ndaj shtypjes së rëndë sllavo-komuniste të shqiptarëve në Kosovë dhe territore tjera në Jugosllavi, kërkesës për mbrojtjen e të drejtave të tyre, si dhe të drejtat e shqiptarëve kudo në trojet etnike. Disa nga bashkëpunëtorët më të ngushtë ishin familja e Musë dhe Shahe [Kerrnaja] Zherka (të vetmit të afërm të tij në Amerikë në atë kohë), Vëllazrit Bytyci (Bitici), Maliq Arifaj, Prof. Dr. Rexhep Krasniqi, Kryetar i Komitetit Shqipëria e Lirë, Prof. Sami Repishti, Prof. Peter Prifti, e shumë e shumë të tjerë. Sic e përshkruajnë, muret e apartamantit i kishte mbushur me parulla, fletëthirrje e pjesë të shkëputura nga gazetat e kohës duke e kthyer banesën e tij në 43 Street në zyrë të organizatës. Në program shkruhej shprehimisht se vullnetarët e këtij grupimi janë të mobilizuar në shërbim të kauzës së kombit shqiptar dhe asaj të ribashkimit nacional shqiptar; se në kushtet aktuale, detyra më urgjente është qartësimi i opinionit publik i pozitës në të cilën ndodhen vëllezërit e motrat kosovare; se veprimet do të zhvillohen në mënyrë paqësore, etj. Vetëm në harkun kohor të një muaji, përgjatë më se 30 vjetëve, fletushkat në anglisht dhe në shqip kapnin shifrën e 4 apo 5000 të tilla të shpërndara. Një aktivitet patriotik në këto përmasa në llojin e vet mbetet padyshim unik jo vetëm për volumin e materialeve, por edhe për kohështrirjen në dekada dhe përhapjen gjeografike brenda e jashtë Amerikës. Njohja e thellë e gjendjes, largpamësia, energjia, trimëria e përkushtimi deri në vetëmohim ishin mbledhur në figurën e Babë Tahirit.

Në aktivitetin e tij në Amerikë, Tahir Kerrnaja mbetet unik edhe si individ në disa drejtime: forma e organizimit të RShKBL, përkushtimi maksimal, shtytja dhe motivimi që u jepte anëtarëve dhe përkrahësve, etj. Qysh me ardhjen në Amerikë e deri në fund të jetës, Tahir Kerrnaja ia dedikoi tërësisht cështjes kombëtare kohën, mundin, biles edhe të gjitha të ardhurat e veta personale që i mbeteshin pas detyrimeve të qirasë e ushqimit. Ai ishte nismëtari, themeluesi, udhëheqësi, dhe propaganduesi i RShKBL. Ishte aktiviteti i mirëorganizuar dhe paqësor i drejtuar nga Babë Tahiri dhe RShKBL i cili i parapriu dhe krijoi kushtet për krijimin më vonë të Lidhjes Qytetare Shqiptaro-Amerikane (American Albanian Civic League (AACL) dhe Këshillit Kombëtar Shqiptaro Amerikan (National Albanian American Council-NAAC) të cilat gjithashtu luajtën rol esencial në lobimin ndaj cështjes së Kosovës.

Vetë ish-Presidenti Ibrahim Rugova e ka vlerësuar punën e Tahir Kerrnajës me këto fjalë: “… Duke ndjekur traditën shqiptare, Babë Tahiri u bë lajmëtar i çështjes së Kosovës, u bë burrë i kushtrimit, që nuk pushoi natë e ditë… Babë Tahiri me veprën e tij ishte një pioner i lëvizjes shqiptare në mbështetje të Kosovës në Shtetet e Bashkuara, lëvizje kjo e cila së shpejti u bë aq e fuqishme sa që të siguronte respektin dhe admirimin e Kongresit, të Administratës dhe të popullit amerikan. Me punën e tij, ai përshpejtoi lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Tahir Kërrnaja do të mbetet si njëri ndër burrat e shquar të Kosovës dhe të botës shqiptare. Ai e përmbylli shekullin e tij të mbushur me një vepër të shkëlqyer për Kosovën dhe kombin shqiptar. Jemi krenar që e patëm.”       

Në librin e tij “Kosova: Rruga e Lirisë – Roli i Rinisë Shqiptare të Kosovës në Botën e Lirë në Clirimin e Kosovës”, autori Sergio Bitici përshkruan qartë rolin e pakrahasueshëm të Babë Tahirit dhe shton se  “… pa angazhimin e palodhur të Tahir Kerrnajës kjo organizatë nuk do të egzistonte”. 

Tahir Kerrnaja nuk krijoi familje por iu përkushtua Kosovës më gjithë fuqitë e tij. Trupi i tij u cua në Kosovë i shoqëruar nga nipat e tij Hysen Kerrnaja e Kujtim Zherka, bashkëpunëtorë, miq dhe admirues duke plotësuar kështu amanetin e tij për t’u prehur në Prishtinën e lirë.  

Premtime janë dhënë herë pas here që Tahir Kerrnajës do t’i ngrihet një shtatore në Prishtinë por deri më sot nuk ka filluar një projekt i tillë. Të shpresojmë se arsenali i cmuar i punës së tij do të përjetësohet në një mënyrë a formë që edhe brezat e ardhshëm të mësojnë kush ishte Babë Tahiri dhe cili ishte roli i tij në historinë e lirisë së Kosovës.  

http://illyriapress.com/illyria_content/uploads/2017/08/14086442_1192947980770120_8714296445491357976_o-1-640x519.jpg
http://illyriapress.com/illyria_content/uploads/2017/08/6-DSC05656.jpg

Shtator 202

Filed Under: Featured Tagged With: 18 vjet, Drita Gjongecaj, Tahir Kerrnaja

NGA GJERMANIA FLET PER DIELLI DR.ERMAL XHAHO

September 1, 2020 by dgreca

Dr. Ermal Xhaho mjek specialist Otorinolaringolog dhe kirurgji plastike/estetike të fytyrës rrëfen ekskluzivisht për gazetën Dielli, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, New York, Gjermaninë në përballje me Covid-19 dhe pasojat në ekonomi, turizëm dhe shëndetin mendor të popullsisë. Ndër të tjera Dr. Ermali analizon edhe sfidën e Shqipërisë përballë pandemisë globale.

Me Dr. Ermal Xhaho bisedoi gazetari i Diellit Sokol PAJA.

SHQIPËRIA DHE BETEJA NDAJ COVID SIPAS DR.ERMAL XHAHO

Shqipëria ka qenë ndër vendet më të kujdesshme përsa i përket masave të marra në fillim edhe pse këto masa nuk ishin shumë demokratike. Me shifrat në rritje mendoj se tashmë po bëhet përsëri një problem global. Një trend në rritje po vërejmë kudo. Shqipëria kapi dy ekstreme, masa drastike për karantinen dhe “harresën“ e përmbajtjes të masave në ditët e sotme. Por gjithësesi nuk është e drejtë të hedhim sytë nga Shqipëria gjithmon me fjalët gabime apo të qënit kritik  ndaj saj. Mendoj që komiteti i eksperteve u referohet sugjerimeve globale dhe nuk mund të flas për një gabim, përkundrazi i përgëzoj të gjithë stafin shëndetësor që pavarsisht kushteve apo vështiresive në sistem, ja kanë arritur të shmangin kolapsin. Ndjehem krenar dhe shumë i lumtur për arritjet e tyre.

COVID-19 NË GJERMANI, SHQIPTARËT NË DUSELDORF

Përsa i përket situatës në Gjermani nuk do ndalem shumë sepse tashmë siç ju kanë informuar dhe kolegët e mi në Gjermani gjendja është e qetë, pavarësisht kësaj të qënit “standby“ tashmë të shoqëron në rutinën e përditshme. Kujdesi i qytetarit ngelet gjithnjë i lartë. Shifrat e infeksioneve të reja në Düsseldorf në krahasim me qytetet e tjera të mëdha në Gjermani nuk janë heterogjene dhe variojnë çdo javë. Për shkak të situatës dhe mungesës së mbledhjeve të unioneve të ndryshme edhe informacionet brenda komuniteteve janë të pakta. Ndërsa nga ana e statistikave nuk kemi statistika të mirëfillta për komunitete të caktuara. Nga eksperienca ime, komuniteti shqiptar këtu nuk ka pasur rritje të infeksioneve të reja, theksoj këtu që ndër të infektuarit mes shqiptarëve ka pasur kryesisht brenda stafit mjekësor që statistikisht shpjegohet me ekspozicionin e lartë ndaj virusit në punë sesa  përkatësisht me komunitetin.

PASOJAT E COVID NË EKONOMINË, TURIZMIN DHE SHËNDETIN MENDOR NË GJERMANI

Pandemia si në çdo vend të botës ka dhënë dhe në shtete shumë të fuqishme ekonomike pasoja të rënda. Një numër i konsiderueshem biznesesh ka zgjatur oraret me punë të pjesshme deri në fund të vitit madje deri në 2021. Ecuria stabile e tregut imobiliar  pritet të ketë luhatje brenda muajve në vazhdim. Liria dhe kontakti social është çelësi kryesor i shëndetit mendor. Duke ditur që ekzistojnë ende frika dhe kufizimet, preket edhe shëndeti mendor. Gjermaninë e karakterizon puna dhe udhëtimet ndërkombëtare në kohën e lirë. Paralajmërimi për udhëtime ka ulur ndjeshëm udhëtimet jashtë vendit, ndërsa në anën tjetër kemi një rritje të turizmit sidomos në Gjermaninë veriore. Mobiliteti në krahasim me vitin e kaluar është ende më i vogël por shpejtësia e rikuperimit është më e lartë. Megjithatë të dhënat kartografike  nuk janë homogjene në të gjithë Gjermaninë.

BETEJA NDAJ COVID-19 DHE PËRJETIMET SI MJEK NË FRONTIN E SË KEQES

Si kundër pandemitë e SARS-CoV 2003 dhe MERS-CoV 2012 ky virus është më infeksioz dhe replikohet jashtëzakonisht mirë në fyt dhe në hundë. Ndërkohë që gripi sezonal ka vdekshmërine 0,1-0,2%, COVID-19 arrin sipas të dhënave të deritanishme 0,8%. Siç e kam përmendur më parë, doktoret Otorinolaringologë për shkak të llojit të egzaminimit fizik (hundë, gojë, fyt) kanë një ekspozim shumë të lartë ndaj Coronavirusit dhe paraqesin rrezik serioz ndaj infeksionit. Sidomos egzaminimi me endoskop ndodh në vendin më të lartë të replikimit të virusit. Një egzaminim i tillë shpesh shoqërohet dhe me një reflex kollitjeje. Një simptomë shumë interesante për mjekët ORL është çregullimi i nuhatjes. Pra një pacient pa simptoma të tjera dhe çregullim nuhatjeje papritmas është pacient i mundshëm i infektuar. Edhe spektri i operacioneve ka një rrezik shumë të lartë. Përsa i përket operacioneve plastike/estetike të planifikueshme numri është ulur ndjeshëm. Ka qenë thelbësore për ne të tregohemi të  përgjegjshëm që të minimizojmë sa të mundemi përhapjen e virusit.

MESAZHI PËR LEXUESIT E DIELLIT DHE DIASPORËN NË USA

Si fillim përshëndes diasporën dhe veçanërisht lexuesit e gazetës “Dielli” dhe një mirënjohje për punën tuaj intensive në këtë kohë pandemie. Jam krenar që kjo situatë na ka njohur me arritjet e shqiptarëve në të gjithë botën dhe gjithësecili ka dhënë kontributin maksimal në mënyrën e vet. Mesazhi im për lexuesit e gazetës “Dielli“ dhe diasporën në USA është që të vazhdojmë të mos jemi egoistë, të informohemi sa më shumë dhe të fokusohemi në fakte dhe jo në teori konspirative. Përgjegjësia dhe solidariteti na takon të gjithëve. Me ruajtjen e distancimit social, me masat higjenike dhe  mbajtjen e maskave ne fitojmë kohë dhe njohuri. Mos të harrojmë që deri tani në këtë betejë kjo është arma jonë më e fuqishme kundër virusit.

KUSH ËSHTË DR. ERMAL XHAHO 

Dr. Ermal Xhaho është mjek specialist Otorinolaringolog dhe kirurgji plastike/estetike të fytyrës. Studimet e larta i ka kryer në Gjermani  në “Friedrich Ëilhelm Universität” në Bonn dhe jeton në Gjermani që prej vitit 2005. Pas diplomimit ka punuar si mjek ORL në Spitalin Universitar  Ëitten Herdecke “St. Joseph” në Hagen dhe që prej vitit 2017 në “Schön Klinik”  në Düsseldorf. Krahas punëve të shumta vullnetare gjatë studimeve dhe përfaqësues i komitetit të huaj në parlamentin studentor, është drejtues i shoqatës së mjekeve shqiptarë në Gjermani për Landin e Nordrhein-Ëestfalen.

Filed Under: Featured Tagged With: Dr. Ermal Xhaho, Sokol Paja

FITUAN APO HUMBËN SHQIPTARËT NË MAL TË ZI?

August 31, 2020 by dgreca

LISTAT SHQIPTARE NË MAL TË ZI ME 2 DEPUTETË-

Shqiptarët në Mal të Zi nuk mundën që të realizonin bashkimin e plotë paraelektoral, por u paraqitën me 2 lista. Në pritshmëri, listat shqiptare pritet të përfaqësohen me dy deputetë në Parlament, nga një që kishin mandatin e kaluar, ndërkohë që rol kyç është konsideruar se do të luaj në formimin e Qeverisë së re në Mal të Zi koalicioni  “E zeza në të bardhë”, që udhëhiqet nga politikani shqiptar Dritan Abazoviç, një grupim ky që mbështet opozitën pro serbe e pro ruse, që duket se do të ketë gjasa të formojë Qeverinë e re. PDS e Gjukanoviçit pas 30 vjetësh e sheh veten humbse për shkak se nuk ka shumicën dhe nuk ka hapsira për koalicione. Ajo fitoi 35.05 për qind të votave, e kthyer në mandate; 30 mandate, ndërsa koalicioni proserb ka marrë 32.55 për qind të votave ose 27 mandate, por asnjëra nuk ka fituar shumicën e e 81 vendeve te Parlamentit, për të formuar e vetme qeverinë.

Këto zgjedhje më shumë se gjithçka ishin sfidë për Perëndimin.

Synimi I shqiptareve per te fituar edhe një komunë tjetër në Mal të Zi, pas asaj të Tuzit në zgjedhjet e kaluara ka dështuar. DPS ka fituar komunën e Gucisë ndërsa shqiptarët nuk kanë marrë as vendin e dytë,ata kane siguruar vetem 469 vota, DPS 776 vota, Social Demokratët 500, boshnjaket 242.

Pyetja është:Fituan apo humbën shqiptarët në Mal të Zi? Le ta leme pyetjen retorike, pa pergjigje.

Opozita, që ka shanset për të formuar qeverinë, ka shfryrë shumë antishqiptarizëm në fushatë, – pas saj është Kisha, e cila ishte fitusja reale e ketyre zgjedhjeve.

Filed Under: Featured Tagged With: Fituan a humben, shqiptaret, Zgjedhjet ne Mal te Zi

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 203
  • 204
  • 205
  • 206
  • 207
  • …
  • 902
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • The Alliance That Doesn’t Exist
  • MAXIMILIAN LAMBERTZ – DIJETARI AUSTRIAK QË IA KUSHTOI JETËN STUDIMIT TË GJUHËS DHE FOLKLORIT SHQIPTAR
  • Shkodër, 8 prill 1937, kur vetëdija jonë kombëtare u lartësua nga “Lahuta e Malcis”, rrokaqielli i eposit në vargje i At Gjergj Fishtës
  • MASAKRA E TIVARIT DHE AJO NË FRONTIN E SREMIT – KRIM KUNDËR NJERËZIMIT!
  • MËRGIM KORҪA – “HISTORI TË PASHKRUARA”
  • Një jetë në shërbim, një dekadë në bashkim
  • MBRESAT E MIA ME KOMUNITETIN SHQIPTAR KËRÇOVAR NË OLLTEN TË ZVICRRES
  • Misioni i Madh i Studentave të Shkupit! Shqiptar bashkohuni studentave!
  • NJË GJUHË, NJË IDENTITET – STUDENTËT DALIN NË MBROJTJE TË SHQIPËS
  • “Shqiptarët e Amerikës” ndjekin me shqetësim të thellë zhvillimet e fundit në Maqedoninë e Veriut
  • Eshtrat e Hasan Tahsinit duhet të sillen në atdhe
  • “Irani dhe Siguria Kombëtare”!
  • Pamja e Hënës të cilën nuk jemi mësuar ta shohim
  • Analizë strategjike: Roli i SHBA-ve dhe ndikimi i NATO-s në suksesin operacional ushtarak
  • MICKOSKI DHE POLITIKA E KAMUFLUAR NË BALLKAN

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT