• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

NGA BRUKSELI FLET PER DIELLIN DR. VALBONA SELIMAJ KONTONI

July 16, 2020 by dgreca

KOMPLIKIMET E RRALLA TE FËMIJËT QË PREKEN NGA COVID-19

Dr. Valbona Selimaj Kontoni, mjeke pediatre infeksiologe në Klinikën Saint Jean në Bruksel, Belgjikë, rrëfen ekskluzivisht për gazetën Dielli, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, New York, shtetin belg në betejën ndaj Covid-19 dhe mbi të gjitha fokusohet te problemet e fëmijëve që infektohen me Covid-19. Me Dr. Valbona Selimaj Kontoni bisedoi gazetari i Diellit Sokol PAJA.

COVID-19 DHE FËMIJËT

Aktualisht, pas rreth 6-7 muajsh qarkullimi të pandemisë SARS-CoV-2, ne e dimë që fëmijët e infektuar me këtë virus shfaqin simptoma të lehta e shpesh nuk kanë asnjë ankesë a shenjë infeksioni. Ne kemi të dhëna studimesh në shkallë popullate si në Islande, Kore e Jugut, Itali etj ku mund të shohim se fëmijët kanë sëmundshmëri shumë të ulët nga infeksioni me SARS-CoV-2, si dhe në 80% të rasteve infektohen nga një person i familjes. Pavarësisht nga këto të dhëna shpresëdhënëse, është e rëndësishme të flasim edhe për dy komplikime të rralla të fëmijëve pas sëmundjes Covid-19. Këto janë Sindroma Kaëasaki (SK) si dhe Sindroma Inflamatore Multi-Sistemike tek fëmijët (SIMS-F) e lidhur me Covid-19. Sindroma Kaëasaki në 80% të rasteve prek fëmijët e moshave 6 muaj me 5 vjeç dhe jep një vaskulit (dmth nj inflamacion të enëve të gjakut) të enëve të mesme. Nëse nuk trajtohet, SK mund të japë zgjerim të enëve që furnizojnë zemrën me gjak, por kjo sëmundje njihet shumë mirë nga pediatrët dhe shërohet me trajtimin e duhur. Gjithashtu, SIMS-F shfaqet 4-6 javë pas infeksionit me SARS-CoV-2 dhe jep temperaturë të lartë, mosfunksionim të shumë organeve si dhe shenja inflamacioni të lartë. Që në fillim të pandemisë, këto dy komplikime pas infektimit me virusin SARS-CoV-2 janë raportuar në shtypin mjekësor dhe pediatrët janë plotësisht të informuar për ti trajtuar agresivisht. Megjithatë, studimet japin një numër shumë të vogël rastesh nëse e krahasojmë me numrin total të fëmijëve të infektuar. Një artikull nga popullata në Nju Jork jepte një numër të 2 fëmijëve me SIMS-F për 100.000 të infektuar (nga këta 322 fëmijë), por duhet pasur parasysh se numri i vërtetë i fëmijëve të infektuar por të padiagnostikuar mund të jetë realisht disa herë më i lartë sesa ç’është dokumentuar,  por duke pasur parasysh mungesën e simptomave në këto mosha, testimet nuk bëhet rregullisht, duke ulur edhe numrin e rasteve të diagnostikuara. Gjithashtu është e rëndësishme të theksojmë impaktin negativ të mbylljes së shkollave tek femijët. Jemi të ndërgjegjshëm se pas kaq muajsh të mbyllur, po vërehet në të gjitha anët e botës një rritje e rasteve të abuzimit ndaj fëmijëve, rritje të aksidenteve shtëpiake, shumëfishim i  kohës së ekspozimit ndaj ekraneve, çrregullime të sjelljes, dhe ankth ; të gjitha këto fenomene paguhen shtrenjtë nga fëmijët sepse vonojnë zhvillimin dhe ndikojnë negativisht në mirëqënien e tyre psiqike dhe fizike. Si prindër dhe si shoqëri ne duhet të kujdesemi për këto aspekte madhore në rritjen e fëmijëve e të jemi positivë ndaj hapjes së shkollave.

COVID-19 DHE INFEKTOLOGJIA

Në fund të dhjetorit 2019, Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) u informua se në krahinën e Wuhan, në Kinë u paraqitën disa raste të një pneumonie jo-tipike me origjinë të panjohur. Më vonë, më datën 9 janar shkaku u identifikua si një koronavirus. Korona-viruset janë një familje e gjërë virusesh që shkaktojnë infeksion tek njerëzit dhe tek kafshët. Deri në vitin 2002, koronaviruset ishin një familje që jepte shenja të lehta infeksioni dhe shumë rrallë përkeqësime tek përsonat me imunitet të ulët apo tek fëmijët të vegjël. Në vitin 2002 – 2004 në krahinën Guangdong në Kinë u shfaq një koronavirus (SARS-CoV) që shkaktoi SARS ose  Sindroma e Rëndë Respiratore Akute  (Severe Acute Respiratory Syndrome). SARS u përhap në rreth 30 vende dhe pati rreth 900 viktima. SARS u ndoq nga një tjetër koronavirus MERS-CoV në 2012 që shkaktoi MERS (Middle-East Respiratory Syndrome) ose Sindroma Respiratore e Lindjes së Mesme. MERS-CoV është një koronavirus zoonotic dmth që transmetohet nga kafshët  (njeriu infektohet nga gamiljet e infektuara) dhe dallohet për vdekshmërinë e lartë të pacientëve të  infektuar. Sipas të dhënave të OBSH, 35% e të infektuarve nga MERS-CoV, vdesin. Që  nga viti 2012 janë raportuar rreth 858 viktima nga MERS. Covid -19 u emërua nga OBSH si sëmundja që shkaktohet nga virusi i ri SARS-CoV-2. Covid-19 u quajt kështu nga bashkimi i Co (corona)- Vi (Virus)- D(Disease)- 19( viti që u shfaq). Mënyra e  transmetimit fillestar tek njeriu mendohet se erdhi nga lakuriqët e natës.  Tashmë njihet transmetimi njeri-njeri nga pikëzat e vogla të pështymës, nga prekja e objekteve të infektuara por edhe nga ajri gjë që thekson rëndësinë e vendosjes së maskave në  ambjentet e mbyllura. Fakti se SARS-CoV 2 transmetohet nga ajri (ku një përson i infektuar  ka marrë frymë) duhet pasur parasysh dhe duhet respektuar me  fanatizëm dhe maskat duhen mbajtur në ambientet e mbylluara. Mos të harrojmë, se deri tani, pavarësisht punës  së palodhur të shkencëtarëve në çdo cep të botës, nuk kemi terapi shëruese për Covid-19, përveç disa të dhënave mbi Dexametazonin (kortizon) që ul vdekshmërinë si  dhe sëmundshmërinë, për momentin nuk kemi terapi të tjera shpresëdhënëse. Gjithashtu,  dalja e një vaksine është akoma e paqartë si dhe cilat grup-mosha do kenë përparësi. Nuk duhet të harrojmë, se pavarësisht se përballë semundjes jemi të gjithë të barabartë, kjo pandemi do të theksojë pabarazitë midis vendeve e regjioneve të ndryshme të botës.

COVID-19 NË BELGJIKË

Belgjika, ju bashkangjit strategjisë së përgjithshme europiane të mbylljes së popullatës për përballimin e epidemisë de SARS-CoV-2. Pjesa dërrmuese e punonjësve punonte nga shtëpia, shkollat dhe strukturat jo rrënjësore të shoqërisë u mbyllen. Ashtu si edhe shumë vende të tjera europiane, strategjia fillestare ishte testimi vetëm tek pacientet që kishin shënja të infeksionit të rrugëve të poshtme të frymëmarrjes dhe që do të shtroheshin në spital. Në fillimet e pandemisë, mungesa e testimeve masive rezultoi si pikë e dobët sidomos në azilet e  të moshuarve, ku u regjistrua edhe numri më i madh i viktimave, e kjo veçanërisht në fillim të pandemisë. Me pas, që në mes të muajit maj në pamë një liberalizim të testimeve dhe një marrje masash drastike sidomos në azilet e të moshuarve. Këto masa dhanë rezultat dhe numri i viktimave u ul drastikisht. Gjithsesi, duhet të kemi parasysh se ky është vetëm një kapitull i ‘luftës’ tonë ndaj pandemisë. Pavarësisht kushteve klimatike që shfavorizojnë shumëfishimin e SARS-CoV-2, si dhe faktit të qëndrimit në ambjente të hapura, rastet e pacientëve të infektuar rriten, gjë që s’është një ogur i mirë për stinët e ardhshme ku pritet të kemi më shumë raste, deri sa të arrijmë atë që quhet imuniteti i tufës (dmth qe 60-90% e popullatës të jenë të mbrojtur nga infeksioni ; ose ta kenë kaluar, ose të jenë të vaksinuar).

MESAZHI PËR LEXUESIT E GAZETËS DIELLI DHE DIASPORËN NË USA

E para gjë që të doja t’ju uroja të gjithë bashkatdhetarëve në Shtetet e Bashkuara është që të kenë durim për të përballuar këtë periudhë të vështirë për të gjithë qytetarët e globit. Covid-19 na e ndryshoi jetën, kjo sëmundje e uli vrapin e të përditshmes, si dhe paralizoi botën. Covid-19 po dëshmon sa i rëndësishëm është shëndeti për secilin nga ne si individë, por edhe për shoqërinë si e tërë. Gjithashtu, do të doja t’ju kujtoja se secili nga ne si qytetarë edhte i përgjegjshëm për kufizimin e pandemisë. Të kujdesemi për  njerëzit tanë të dashur, për kolegët e çdo person që takojmë. Të zbatojmë rregullat e  higjenes dhe të vendosim maskat në vendet e mbyllura, të ruajmë distancën fizike prej 2 metrash, të lajmë duart shpesh dhe mos të mendojmë se këto masa janë të tepërta. Janë  rregulla të domosdoshme dhe shprehje e respektit si dhe e dashurisë tonë për jetën.

KUSH ËSHTË VALBONA SELIMAJ KONTONI MD, MPH

Dr. Valbona Selimaj Kontoni është mjeke pediatre infeksiologe në Klinikën Saint Jean  në Bruksel. Dr. Selimaj Kontoni është anëtare e komitetit shkencor pediatrik Covid-19 në  Belgjikë si dhe është pjestare e Federatës së Mjekëve Shqiptarë në Europë. Studion Infeksiologji pediatrike në Universitetin e Oxfordit dhe ka përfunduar me sukses një Master në Shendet Publik si dhe është mbartëse e Diplomës në Infeksiologji e  Mikrobiologji në Belgjikë. Dr. Valbona Selimaj Kontoni ka prezantuar punime në kongrese kombëtare e ndërkombëtare.  

Filed Under: Featured Tagged With: COVID dhe Femijet, Dr.Valbona Selimaj, Kontoni, Sokol Paja

Dialogu Kosovë-Serbi, Hoti-Vuçiç takohen në Bruksel

July 15, 2020 by dgreca

-KRYEMINISTRI HOTI  NË BRUKSEL U TAKUA ME KOMISIONERIN PËR FQINJËSI DHE ZGJERIM, VARHELYI/

Visit of Avdullah Hoti, Kosovan* Prime Minister, to the European Commission

-Bashkimi Evropian ka njoftuar se takimi i nivelit të lartë Prishtinë-Beograd në Bruksel do të mbahet të enjten e 16 Korrikut 2020 në orën 16:00/

-Çështjen e të zhdukurve të luftës në Kosovë,  të përfunduar para më shumë se 21 viteve, pritet të jetë një nga temat e dialogut në axhendën e nesërme/

-Kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti ka mbërritur në Bruksel, sot u takua me Komisionerin e Bashkimit Evropian për Fqinjësi dhe Zgjerim, Oliver Varhelyi, për të dytën herë brenda pak ditësh. Liberalizimi i vizave, temë kryesore e takimit/

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari

Visit of Avdullah Hoti, Kosovan* Prime Minister, to the European Commission

 PRISHTINË, 15 Korrik 2020/ Kosova dhe Serbia dialogun në Bruksel të ndërprerë para 20 muajsh, pas takimit të 8 Nëntorit  2018, e vijojnë nesër – të enjten e 16 Korrikut 2020  në orën 16:00 me takim të Kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti, dhe Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, pasi e rifilluan të dielën e 12 Korrikut përmes një videokonference.

Bashkimi Evropian ka njoftuar: “Pas rikthimit virtual të dialogut Beograd – Prishtinë të ndihmuar nga Bashkimi Evropian, të dielën më 12 Korrik, një takim i dytë i nivelit të lartë do të mbahet në Bruksel të enjten më 16 Korrik. Nikoqir i takimit me prani fizike të Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç dhe Kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti, do të jetë Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Marrëdhënie me Jashtë dhe Politikë të Sigurisë, Josep Borrell, i shoqëruar nga Përfaqësuesi Special i BE-së për Dialogun dhe Çështjet tjera të Ballkanit Perëndimor, Miroslav Lajçak. Dialogu është paraparë të fillojë në orën 16:00. Përfaqësuesi i Lartë do të japë një deklaratë për media para fillimit të takimit dhe Përfaqësuesi Special i BE-së, Lajçak, në fund të takimit. Për shkak të kufizimeve të lidhura me koronavirus, nuk do të ketë qasje të mediave në ndërtesën e EEAS-së (Shërbimit të Jashtëm të BE-së)”.

Para këtij zhvillimi, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti mori pjesë në konferencën virtuale – Samitin e Parisit, në 10 Korrik, të organizuar nga Presidenti Francez, Emmanuel Macron dhe Kancelarja Gjermane, Angela Merkel. Në këtë video-konferencë, Bashkimi Evropian përfaqësohet nga Josep Borrell, Përfaqësuesi i lartë i politikës së jashtme, kurse Serbia nga Presidenti Aleksandar Vuçiç.

 Kryeministri i Kosovës, Hoti  në 7 Korrik në Paris takoi Presidentin e Francës Macron, i cili në 9 Korrik takoi edhe Presidentin e Serbisë Vuçiç.

Në vigjilje të takimit të së enjtes të dialogut Prishtinë-Beograd, Kryeministri Avdullah Hoti ka pritur përfaqësuesit e institucioneve për çështjen e të zhdukurve të luftës në Kosovë,  të përfunduar para më shumë se 21 viteve, e cila çështje pritet se do jetë një nga temat nesër në Bruksel, sipas burimeve të korrespondentit të Gazetës DIELLI.

Sipas Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur,  edhe 1641 persona vazhdojnë të jenë të evidentuar të zhdukur si pasojë e luftës në Kosovë të përfunduar në Qershor 1999.

Sipas Institutit për Hulumtimin e Krimeve të Luftës, në vitet 1998-99 forcat serbe me motive gjenocidale kanë vrarë e masakruar mëse 12 mijë civilë shqiptarë, ndërsa menjëherë pas luftës Kryqi i Kuq Ndërkombëtar evidenconte më shumë se 6.000 të zhdukur.

KRYEMINISTRI HOTI  NË BRUKSEL U TAKUA ME KOMISIONERIN PËR FQINJËSI DHE ZGJERIM, VARHELYI

 BRUKSEL, 15 Korrik 2020-Gazeta DIELLI/ Pasi ka mbërritur në Bruksel, sot Kryeministri i Republikë së Kosovës, Avdullah Hoti, brenda pak ditësh, ka takuar për të dytën herë Komisionerin e Bashkimit Evropian për Fqinjësi dhe Zgjerim, z. Oliver Varhelyi, me të cilin ka biseduar për zhvillimet politike në vend, si dhe për procesin e rimëkëmbjes ekonomike pas përballjes me pandeminë Covid 19, duke përfshirë këtu edhe bisedën për projektet e mëdha infrastrukturore, të cilat janë pjesë e pakos së rimëkëmbjes.

Temë kryesore e këtij takimi ishte procesi i liberalizimit të vizave. Kryeministri Hoti ka theksuar nevojën urgjente për përmbylljen e këtij procesi, si një ndër çështjet më me rëndësi të Kosovës në raport me Bashkimin Evropian.

Kosova dhe qytetarët e saj janë të përcaktuar në orientimin e tyre euroatlantik, prandaj kryeministri Hoti ka vlerësuar se është e rëndësishme që edhe Bashkimi Evropian të ndërmarrë hapat e nevojshëm, që të sigurohet lëvizja e lirë për qytetarët e Kosovës.

Në këtë takim u fol edhe për nevojën për strategji dhe protokolle të përbashkëta regjionale e evropiane për luftimin e pandemisë, ndërsa z. Varhelyi e siguroi kryeministrin Hoti se Kosova si pjesë e kontinentin është dhe do të jetë pjesë e kësaj strategjie, thekson njoftimi i dërguar nga Zyra për Komunikim Publik-Zyra e Kryeministrit.

NJOFTIMI I DËRGUAR NGA ZYRA E BASHKIMIT EVROPIAN NË KOSOVË:

Belgrade – Pristina Dialogue: Media advisory for second high-level Dialogue meeting taking place on Thursday 16 July

Following the virtual resumption of the Belgrade – Pristina Dialogue facilitated by the European Union on Sunday 12 July, a second high-level meeting will take place in Brussels on Thursday 16 July.

The in-person Dialogue meeting with President of Serbia Aleksandar Vučić and Prime Minister of Kosovo Avdullah Hoti will be hosted by High Representative for Foreign Affairs and Security Policy/Vice-President of the European Commission Josep Borrell accompanied by EU Special representative for the Dialogue and other Western Balkan regional issues Miroslav Lajčák.

The Dialogue is scheduled to start at 16:00. Photo and video coverage will be provided by the EEAS and streamed on Council and EbS channels.

The High Representative will give a press statement before the start of the dialogue meeting and EUSR Lajčák at the end of the meeting.

Both statements will be broadcast on Council and EbS channels at app. 16:30 and app. 20:00.

Due to the coronavirus related limitations, access for the media into the EEAS building will not be possible.

Filed Under: Featured Tagged With: Dialogu Kosove-Serbi, Hoti-Vucic, takohen ne Bruksel

FLET PËR DIELLIN DEPUTETJA E LDK:KOSOVA NË BETEJËN NDAJ COVID-19-

July 15, 2020 by dgreca

Rrezarta Krasniqi, Deputete e Kuvendit të Kosovës nga radhët e LDK, Anëtare e Komisionit për Qeverisje Lokale, Administratë Publike, Zhvillim Rajonal dhe Media, rrëfen ekskluzivisht për gazetën Dielli, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, New York, shtetin e Kosovës në betejën ndaj Covid-19 dhe masat e jashtëzakonshme që po merr qeveria në përballimin me sukses të situatës. Me deputeten Rrezarta Krasniqi bisedoi gazetari i Diellit Sokol PAJA.

KOSOVA NË BETEJËN NDAJ COVID-19

Pandemia e cila ka prekur gjithë botën Covid-19 ka lënë pasoja të mëdha, si në ekonomi ashtu edhe në shoqëri. Tek ne aktualisht gjendja me virusin korona është nën kontroll dhe po menaxhohet mirë nga institucionet e vendit, me gjithë shtimin e rasteve të infektimit nga ky virus përgjatë javëve të fundit që ka arritur në total 5,118 të infektuar, prej tyre 2,370 persona tashmë janë shëruar, ndërsa fatkeqësisht 108 deri më tani kanë vdekur si pasojë e Covid-19.

MASAT QË PO MERR QEVERIA E KOSOVËS

Me rritjen e numrit të infektuarve me virusin Covid-19, Qeveria e Republikës Kosovës në bashkëpunim edhe me Kuvendin e Kosovës dhe organet lokale, tashmë kanë marrë një serë masash kufizuese, për të ndaluar përhapjen e mëtejme të virusit Covid-19, duke nisur me kufizimin e lëvizjes së qytetarëve në qytetet me numër të madh të infektuarve si Prishtina, Prizreni, Ferizaj, Vushtrri, Fushë Kosova, Mitrovica Jugore dhe Mitrovica Veriore, prej 21:00 deri në 5:00, pastaj kufizimin e lëvizjes në nivel vendi për personat mbi moshen 65 vjeçare, të cilët kanë liri të lëvizjhes vetëm në dy orare, 05:00 – 10:00 dhe nga 18:00 – 21:00, bartja e maskave dhe mjeteve tjera mbrojtëse është bërë obligative, janë mbyllur çerdhet dhe parqet, janë ndaluar tubimet në më tepër se pesë persona, është pezulluar puna e tregjeve publike të automjeteve dhe tregjet e kafshëve si dhe janë pezulluar ceremonitë fetare. Këto janë disa prej atyre vendimeve që së fundmi organet drejtuese të vendit i kanë marrë me qëllim të ndalimit të përhapjes së virusit.

HAPJA E INSTITUCIONEVE ARSIMORE

Qeveria e Republikës Kosovës në koordinim të vazhdueshëm me këshillin për menaxhimin e pandemisë Covid-19 po e përcjell gjendjen në nivel vendi dhe deri më tani siç e ceka edhe më herë, situata është nën kontrollë dhe e menaxhueshme. Për rihapjen e çerdheve, shkollave dhe universiteteve, sigurisht se do të merren për bazë edhe rekomandimet e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike dhe do të vendoset po ashtu edhe në bazë të situatës epidemiologjike. Pra është ende herët të thuhet se çka do të ndodh, dhe nuk mund të jap një përgjigje hipotetike.

RIMËKËMBJA EKONOMIKE NË KOSOVË

Ekonomia e vendit ka ndjerë dëme të mëdha përgjatë këtyre katër muajve të përballjes me pandeminë Covid-19. Ende nuk është bërë një kalkulim total për të parë dëmet, por llogaritur edhe nga kryerja e obligimeve ndaj Administratës Tatimore të Kosovës, vërehet se ka një rënie të konsiderueshme te të hyrave, që nënkupton dhe dëmtim i bizneseve dhe ekonomisë së vendit. Marrë parasysh situatën reale në vendin tonë dhe duke ditur se virusi vazhdon të jetë i pranishëm, Qeveria e Kosovës ka hartuar një pako të Rimëkëmbjes, e cila do të ndikojë direkt në forcimin e ekonomisë dhe bazuar në vlerësimet e ekspertëve financiar, Kosova do të arrijë ta rimarrë vetën brenda këtij viti në aspektin ekonomik. Një prej veprimeve të rëndësishme në këtë drejtim nga ana e institucioneve është edhe ai i lejimit të tërheqjes së kurismeve pensionale nga Trusti, në vlerë prej 10%, vendim ky që është pritur mjaft mirë nga qytetarët dhe pritet të hy në fuqi brenda pak ditësh. Po ashtu është planifikuar edhe ndarja e granteve dhe subvencioneve të ndryshme, me qëllim të rimëkëmbjes së ekonomisë

KOSOVA DHE GJYKATA SPECIALE

Të gjithë qytetarët e vendit janë krenarë me atë çfarë ka bërë Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe dihet qartë roli i UÇK-së në luftën me Serbinë, pra ka qenë për të ruajtur vendin, pragun e shtëpisë. Ne besojmë në pastërtinë e UÇK-së.

MESAZHI PËR DIASPORËN NË USA

Shqiptarët janë populli më fisnikë dhe bujarë. Ne kemi ditur të ruajmë identitetin tonë dhe duhet të vazhdojmë të kontribuojmë në këtë drejtim. Kur jemi të bashkuar, jemi më të fuqishëm. Shqiptarët duhet ruajtur dashurinë mes vete si dhe respektin për atëdheun dhe para ardhësit tanë, që bën aq shumë sakrificë për të ruajtur identiteton tonë, prej shqiptari. Për fund me lejoni të shpreh falenderime ndaj gjithë diasporës shqiptare në mbarë botën, për angazhimet dhe kontributin e tyre. Ju faleminderit.

Filed Under: Featured Tagged With: Deputetja, Kosova COVID-19, Rezarta Krsaniqi, Sokol Paja

SHQIPTARËT NË JAPONI DHE BETEJA E SHTETIT AZIATIK NDAJ COVID-19

July 15, 2020 by dgreca

Erjol Muharrem, inxhinjer në Tokio, Japoni, rrëfen ekskluzivisht për gazetën Dielli, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, New York, shtetin Japonez në betejën ndaj Covid-19. Me Erjol Muharrem bisedoi gazetari i Diellit Sokol PAJA.

JAPONIA NË BETEJËN PËRBALLË COVID-19

Në fakt të them të drejtën Japonia ishte një nga vendet që mori masa shumë me vonesë ndërkohe që e gjithë bota po mbyllej disa javë përpara se shteti japonez të merrte masa për gjendjen që tashme ishte e qartë një rrezik për te gjithë. Edhe pse Japonia ndodhet afër Koresë dhe Kinës që arritën shumë shifra të larta infektimi, në fillim të infektuarit ishin në anijen Diamond Princess, edhe tani që flasim Japonia ka nivelin më të ulët të infektuarave dhe vdekjet të shkaktuara nga virusi covid se çdo vend tjetër i zhvilluar si Britania e Madhe apo dhe Amerika. Shifrat në Japoni tregojnë për një raport 40 herë më pak se USA dhe 70 herë më pak se UK. Japonia është një nga vendet që ka shumë fatkeqësi natyrore rregullisht nga tërmete tsunami, përmbytje etje dhe gjithmonë ka patur shumë dëme ekonomike dhe njerëzore por gjithmonë ka qenë në gjëndje të përballoje dhe të jetë gati në raste të tilla. Për sa i përket gjendjes se virusit si të gjithë ishin të pa përgatitur dhe disa masa në fillim ishin amatoreske si shpërndarja e 2 maskave për familje që u bë dhe nam për kryeministrin Abe që u quajt ABE MASK. Pavarësisht gabimeve qeveria japoneze premtoi të ndihmojë familjet duke dhënë 100,000 yen ekuivalent rreth 1000 dollarë për çdo njeri gjithashtu duke përgatitur paketa ndihmuese për bizneset. Dhe një nga arsyet pse Japonia nuk mundi të vepronte menjëherë është sepse shteti nuk mund të mbyllë popullin brenda me detyrim siç bënë shumë vende në botë për shkak të një ligji pas luftës së dytë botërore lidhur me të drejtat e njeriut. Por edhe si shteti  mikpritës i lojërave olimpike, për qeverinë ishte vendim shumë i vështirë për ti anuluar këtë vit.

SHIFRAT SPECIFIKE NË JAPONI

Arsyeja pse Japonia ka një nivel të ulët infektimi është sepse njerëzit këtu kanë një kulturë lidhur me përdorimin e maskave por dhe prekja fizike përqafime apo takime. Përdorimi i maskave kryesisht në Japoni përdoret nga njerëzit që janë të sëmurë që mos infektojë të afërmit apo dhe bashkëpunëtorët në zyrë flasim përpara se të ndodhte shpërthimi i COVID19. Shumë kompani po marrin masa për të mos lejuar shpërndarjen e virusit si përgatitje e alkoolit në çdo hyrje të biznesit apo dyqan, matja e temperaturës dhe maskat edhe pse duken masa të thjeshtë besoj ndihmon në uljen e rrezikun e infektimit të popullatës prej Covid-19. Deri më tani nuk ka ndonjë lajm zyrtar për sa i përket ndonjë metode specifike për të luftuar virusin në Japoni, e vetmja mënyre që tani shoh është që njerëzit të jenë më sensibilizues dhe të kujdesshëm në maksimum. Rreth vështirësisë se pse Bota po has vështirësi në gjentjen e vaksinës për virusin mund të aludoj se mund të ndoshta dikush ka planifikuar dhe të mbikëqyrë deri ku njeriu mund të shkojë, kë komb do zërë paniku më shumë ose vaksina ekziston por dikush po përfiton nga kjo situatë. Përveç një beteje mjeksore, do thoja se po bëhet ehd enjë gara për para. Japonia gjithmonë ka përballuar vështirësi të mëdha dhe situata në të cilën ndodhemi është një nga ato situata që jam i sigurtë që çdo gjë do rregullohet dhe e ardhmja e Japonisë do jetë e sigurtë. Bota do ta marrë shumë shpejt veten.

SHQIPTARËT DHE MODELI JAPONEZ I LUFTËS NDAJ COVID-19

Modeli i Japonisë për të luftuar virusin nuk është një model që mund të kopjohet besoj, sepse është në kulturën dhe traditën e japonezëve të sensibilizohen dhe të respektojnë ligjet apo dhe njëri-tjetrin. Gjithashtu disa kompani përfshirë dhe kompaninë ku jam unë ka filluar një model me staf të reduktuar dhe prerje rroge prej 10% në rastet kur nuk shkojnë personeli në punë. Për momenti nuk ka vende specifike për të bërë testin e virusit përveç spitaleve dhe aeroporteve në pikat hyrëse dhe dalëse të shtetit. Fatmirësisht nuk kam dëgjuar për personat shqiptarë që jetojnë në Tokio të jenë infektuar apo të kemi pasur humbje jete. Është një lajm i mirë për shqiptarët e paktë që jetojnë e punojnë në Japoni. Me keqardhje them se dhe Ambasada nuk ka bërë asgjë në lidhje me ndonjë mesazh sensibilizimi apo ndonjë ndihmë specifike në lidhje me komunitetin tonë. Aktiviteti diplomatik ka qenë i vakët.

MESAZH SENSIBILIZUES PËR LEXUESIT E DIELLIT DHE DIASPORËN NË USA

Diaspora në Amerikë ka qenë gjithmonë model frymëzimi për shqiptarët në shtetet e tjera. Dielli dhe Vatra janë institucione shqiptarie të kristaltë. Sot gjendemi globalisht në situatë të vështirë. Uroj të gjithë shqiptarët kudo ndodhen, jetojnë, punojnë e studjojnë jahstë vëndit që ta kalojnë pa probleme këtë situatë të jahstëzakonshme. Ne jemi mësuar me vuajtje e vëhstirësi si komb. Do tja dalim. Për të gjithë shqiptarët ku do që jeni besoj që ne kemi kaluar shumë vështirësi në vendin tonë Shqipëri por gjithmonë kemi zjarr dhe fuqi në zemrat tona për të qenë të suksesshëm dhe për të përballuar çdo vështirësi. Pas këti jmomenti na pret një e ardhme më e mirë. Kjo është një nga ato situata ku jemi të gjithë në vështirësi dhe duhet të respektojmë dhe të jemi më të mirëkuptueshëm dhe më të dashur kundrejt të tjerëve. Ju uroj të gjithëve shëndet dhe mos u dorëzoni, do e kalojmë te gjithë s’bashku këtë vështirësi. Me kujdes dhe sakrificë do ta kalojmë këtë të keqe kërcënuese. Zoti  i bekoftë shqiptarët kudo gjenden.

Filed Under: Featured Tagged With: Erjol Muharrem, Japoni, shqiptaret

SHQIPTARËT NË KINË DHE BETEJA E SHTETIT AZIATIK NDAJ COVID-19

July 14, 2020 by dgreca

Edison Myrteza, Gazetar, Freelance, Kryeredaktor i multimedias online www.hermesnews.al, Pekin, Kinë, rrëfen ekskluzivisht për gazetën Dielli, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, New York, gjëndjen e pandemisë globale në shtetin e Kinës, modelin që ndoqi shteti aziatik në luftën ndaj Covid-19 dhe analizon shqiptarët në Kinë. Me gazetarin Edison Myrteza bisedoi gazetari i Diellit Sokol PAJA.

COVID-19, ÇFARË PO NDODH NË KINË?

Situata aktuale në Kinë tashmë nuk është më aspak shqetësuese. Mund të them se është njëri nga vendet më të sigurt nga Covid-19. Pas luftës dhe punës së madhe të bërë nga të gjithë, “qeveria, mjekë, infermierë dhe gjithëkush”, tashmë këtu jeta është kthyer në normalitetin e saj të mëparshëm. Madje, edhe Wuhani i cili para disa muajsh ishte epiqendra e virusit, është kthyer në “qytetin më të pastër dhe më të sigurt” për banorët nga virusi. Edhe rastet më të fundit të zbuluara këtu në Pekin, kanë qenë sporadike dhe nuk ka patur asgjë për alarm. Disa persona të infektuar në një treg të madh në jug të Pekinit, të cilët u izoluan, tashmë nuk janë më aspak rrezik për banorët e kryeqytetit. Unë jam jashtë çdo ditë dhe e shoh me sytë e mi që jeta në Pekin është më e jetueshme se kurrë. Pothuajse që prej disa ditësh, Pekini ka regjistruar “zero” numrin e të infektuarve, ndërkohë që pacientët që ndodhen nëpër spitale janë duke u shëruar dita-ditës.

VAKSINA NË FAZËN E TRETË TË TESTIMIT

Është e vërtetë që gjetja e vaksinës është e vështirë. Duke qenë se Covid-19 është një virus fare i ri, duhet që të krijohet një vaksinë “totalisht e re” për ta luftuar. Shumë vende janë vënë në garë se kush do ta prodhojë e para, por thjesht janë deklarata pa asnjë rezultat. Aktualisht, Kina ka ngritur laboratorin më të madh të prodhimit të vaksinave në botë “Sinovac” dhe deri tani, është arritur me sukses testimi i fazës së tretë klinike i vaksinës. Por duhet edhe pak kohë që gjithçka të përfundojë dhe vaksina të jetë gati. Fundi i këtij viti “mbase” do ta gjejë vaksinën gati. Sa për të ardhmen, Kina mesa shoh nuk ka ndonjë problem. Jeta është si më parë, ku pavarësisht se virusi la pasoja dhe gjurmët e tij, ashtu si edhe viruset e tjera të mëparshme, edhe kjo ka për të kaluar. Përsa i përket medikamenteve, këtu preferohen më tepër ato të TCM “Traditional Chinese Medicine” si dhe përzjerje e ndonje medikamenti të huaj, por më tepër kinezet. “Kush ka arritur në fazën e fundit të goditjes nga virusi, nuk mund të bëhet më asgjë, ndërkohë që medikamentet dhe eksperimentet me vaksinën po përdoren hapur për ata që janë ende të sëmurë”, kanë deklaruar ekspertët.

SHQIPTARËT NË KINË

Këtu në Kinë nuk është se kemi ndonjë komunitet zyrtar siç janë ato në SHBA, Kanada, Greqi, Itali dhe kudo tjetër. Jemi shumë herë më pak se ata që përmenda. Por kemi një komunitet të vogël “jo zyrtar”, me të cilin jemi në kontakt çdo kohë nëpërmjet rrjeteve sociale kineze. Flasim çdo ditë se ku ndodhemi, çfarë bëjmë, si ka ndryshuar jeta jonë gjatë dhe pas pandemisë, çfarë informacionesh na duhen për punën, lëvizjet, ndihma që i japim njëri-tjetrit, etje. Takohemi herë pas here dhe jo vetëm për festa, por kur kemi dëshirë. Festojmë festën kombëtare “pa patur asnjë lidhje me Ambasadën e Shqipërisë në Pekin”. Pra, jemi në kontakt aq sa jemi jo vetëm në Pekin, por kudo në Kinë. Nuk ka një shifër të saktë të shqiptarëve që jetojnë këtu në Kinë, pasi një pjesë e tyre janë të përkohshëm. Nuk ka një “database” në institucionin e ambasadës për të regjistruar shqiptarët dhe të shihet sa janë “përafërsisht”. Mendohet se mund të jenë mbi 500, por nuk është shifër zyrtare. Për fat të mirë, nuk ka patur “nga informacioni i deritanishëm”, asnjë shqiptar të infektuar ose sëmurë me Covid këtu në Kinë dhe kjo është gjë shumë pozitive.

MODELI KINEZ NË LUFTËN NDAJ COVID-19

U diskutua shumë ky model. U tha se ishte shumë i rreptë, gati-gati i papranueshëm, por në raste të tilla epidemish, specialistët më të mirë të vendit morrën vendime të vështira, shumë ekstreme, por që sollën rezultate të shkëlqyera. Për mua ishte shumë i suksesshëm. Kur infektoheshin me qindra dhe viktimat ishin të shumtë, Kina bllokoi gjithçka. Nuk la njeri në rrugë, mbylli dhe gjunjëzoi ekonominë, masa jashtë mase strikte. Për rreth 20 apo më tepër të infektuar u futën qytete të tëra në izolim. Kina u godit rëndë e para, por doli po e para e suksesshme nga kjo pandemi. Unë jam vetë një dëshmi e gjallë e asaj që ndodhi, duke e përjetuar dhe e parë me sytë e mi këtë pandemi.

MESAZHI PËR LEXUESIT E DIELLIT DHE DIASPORËN NË USA

Shumë prej njerëzve “përfshi edhe shqiptarët”, qeshin dhe janë të inatosur se “u mbyllën brenda dhe po vuajnë”. Sigurisht, në rast lufte dhe epidemish, merren masa ekstreme. Madje, kanë qenë të shumtë ata që kanë thënë se “me raki dhe alkool do t’ia dalim”. Për ju të gjithë lexues dhe për ju të dashur bashkëkombas kudo që ndodheni, Covid-19 është një virus që shkatërroi dhe vuri në sprovë jetën tonë. Është virus mëse i vërtetë. Mos bëni të fortin duke u përballur sepse do të dështoni dhe vini jetën tuaj dhe të të dashurve tuaj në rrezik. Të lash duart sa herë vjen nga jashtë apo të mbash një maskë në fytyrë, janë procese fare të lehta, të cilat me kaq pak, të shpëtojnë jetën.

Filed Under: Featured Tagged With: Shqiptaret ne Kine, Sokol Paja

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 220
  • 221
  • 222
  • 223
  • 224
  • …
  • 902
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • KUJTIME PER ITALIANIN DOM ANTONIO SHARRA
  • MASAKRA E TIVARIT MARS-PRILL 1945
  • Kuptimi i Pashkëve Ortodokse – midis ritualit dhe ringjalljes së ndërgjegjes
  • RIKTHIMI I MUSTAFA MAKSUTIT NË FAQET E HISTORISË
  • Shqipëria në politikën ballkanike të Austro-Hungarisë
  • Eliot Engel, in memoriam…
  • VATRA TELEGRAM NGUSHËLLIMI PËR NDARJEN NGA JETA TË ELIOT ENGEL, MIKUT TË MADH TË KOMBIT SHQIPTAR
  • Përkujtojmë në përvjetorin e lindjes një nga figurat e Rilindjes Kombëtare, Aleksandër Stavre Drenova
  • GËRSHËRA E ARGJENDTË
  • Përgjithmonë vetëm mirnjohës për Kongresmenin Eliot Engel
  • PËRKUJTIM PËR ELIOT ENGEL, NJË MIK I PAZENDËVËSUSHËM, ZËRI I SHQIPTARVE NË SHBA
  • Meditim para varrit të Faik Konicës
  • Bashkimi i Diasporës Shqiptare të Greqisë
  • “Fortifikimi ilir i Komlikut në Fregen dhe Ungrej të Lezhës (Mirdita Etnografike)”
  • “The Real Thing”: A Conversation with Luljeta Lleshanaku

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT