• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Kështu as Brukseli i Borrellit nuk i normalizon marrëdhëniet Kosovë-Serbi

July 15, 2020 by dgreca

Shkruan:Skënder Bucpapaj

Siç e pohon Josep Borrell, takimet në Paris dhe video-konferencat me kryeministrin e Kosovës Hoti dhe presidentin e Serbisë Vuçiç, po shënojnë vënien e dialogut midis dy shteteve fqinje që ata përfaqësojnë në binarët ku ai ndodhej para “njëzet muajve”.

Janë “njëzet muaj” famëzinj gjatë të cilëve dialogu midis dy fqinjve ballkanas u zhvillua nga formati pa transparencën e duhur në formatin e fshehtë, krejtësisht hermetik, vetëm midis Hashim Thaçit e Aleksandër Vuçiçit. Kalimin në këtë format, ashtu si të gjithat rrjedhat e deriatëhershme të dialogut, i imponoi Beogradi, falë papërgjegjshmërisë me të cilën ndërmjetësuan apo “lehtësuan” procesin nga viti 2011 deri para “njëzet muajsh” përfaqësueset e larta të BE-së, Ashton dhe Mogherini.

Pas “njëzet muajsh”, kur dialogu pritet të rifillojë në binarët e mëparshëm, domethënë të kohës së Ashtonit dhe Mogherinit, Përfaqësuesi i ri i lartë i BE-së për politikë të jashtme dhe siguri ka kërkuar “guxim politik nga të dyja palët… në frymën e kompromisit”. As pas 10 vjetësh nga fillimi i dialogut, as pas “njëzet muajsh” të zhvillimit të tij në formatin e fshehtë, pra, Brukseli nuk e ka kuptuar se kërkimi i kompromisit nga të dyja palët e çon procesin në të njëjtët binarë ku Mogherini e kishte lënë në duart e Thaçit dhe të Vuçiçit.

Brukselit i Borrellit, si më parë ai i Ashtonit dhe Mogherinit, e shpërfill faktin se Kosova e ka bërë kompromisin kur ka pranuar që ajo të mos bashkohet me Shqipërinë, kur ka miratuar “planin Ahtisaari” të hartuar me ekspertët më të mirë të Evropës Perëndimore dhe të Amerikës. Mbi këtë bazë, Kosova është shpallur shtet i pavarur e sovran demokratik perëndimor, mbi këtë bazë, është njohur nga pothuaj e gjithë bota perëndimore dhe shumë vende të tjera të botës. Mbi këto baza, ka vendosur dhe zhvillon marrëdhënie diplomatike me dhjetëra vende. Mbi këto baza, Kosova ka hyrë në proceset integruese euro-atlantike. Në këto 11 vite të pavarësisë, Republika e Kosovës, me durim dhe konstruktivitet, në një proces sado të lodhshëm, zhgënjyes, pa fryte, është përkushtuar që të arrijë normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë fqinje. Dhe asnjëherë nuk ka dhënë shenja se ka ndërruar mendje dhe se tashmë kërkon të bashkohet me Shqipërinë.

Nga ana e saj, Serbia fqinje, në këto 10 vite të dialogut, të kulmuara në “njëzet muajt famëzinj”, ka bërë gjithçka për të arritur që procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve të saj me Kosovën, ta kanalizojë në proces të shndërrimit të Kosovës në një çështje të pazgjidhur. E ka bërë haptas, sfidueshëm, me agresivitet, me arrogancë të padurueshme dhe të papranueshme.

Deklaratës së Borrelit pas video-konferencës Hoti-Vuçiç, ky i fundit i është përgjigjur se kërkesat e Kosovës janë maksimale, prandaj Beogradi do t’i përmbahet një procesi të “hapave të vegjël” të normalizimit të marrëdhënieve. Me këta “hapa të vegjël” që Beogradi ia ka imponuar dialogut këto dhjetë vite, siç më është dashur edhe mua shpesh ta theksoj, as pas qindra vjetësh të tjerë nuk pritet të normalizohen marrëdhëniet mes Serbisë dhe Kosovës, mes serbëve dhe shqiptarëve.

Në emër të palës së përfaqëson, kryeministri Hoti, duke dhënë pajtimin për takimin e 6 korrikut në Bruksel me Vuçiçin, përsëriti qëndrimin e Kosovës se “dialogu nuk ka alternativë” dhe se vetëm përmes dialogut mund të zgjidhen “çështjet me Serbinë”. Pra, dialogu është krijuar për të zgjidhur “çështjet me Serbinë”, e cila, njëzet e një vjet pasi është larguar me forcën ushtarake të NATO-s dhe të UÇK-së nga Kosova, edhe 11 vjet pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, edhe 10 vjet pas fillimit të dialogut, vazhdon të mos e njohë realitetin fqinj, Kosovën e pavarur dhe sovrane, me kushtetutën e saj, me unitaritetin e saj, me integritetin e saj tokësor të pacënueshëm.  “Jemi të gatshëm të ulemi në çdo tavolinë të dialogut për të mbrojtur shtetësinë e Kosovës dhe për të kërkuar plotësisht normalizim të marrëdhënieve e cila vjen vetëm pas njohjes reciproke në mes të dy vendeve”, sqaron Hoti. Dhe shton: “Marrëveshja finale duhet të përfshijë njohjen reciproke, adresimin e çështjes të së pagjeturve, dëmet e luftës, kthimin e dokumenteve kadastrale, rregullimin e marrëdhënieve ekonomike në mes të dy vendeve, lidhjet infrastrukturore.”

Pra, “çështjet me Serbinë” zgjidhen pasi Serbia fqinje të njohë Kosovën. Serbia ta njohë Kosovën siç e kanë njohur vendet e tjera fqinje, Shqipëria, Maqedonia dhe Mali i Zi, ta njohë siç e kanë njohur vendet rajonale, Kroacia, Sllovendia, Bullgaria dhe Turqia, ta njohë siç e kanë njohur njëzet e sa vende të Bashkimit Evropian dhe të NATO-s, siç e kanë njohur tri vende anëtare të përhershme të Këshillit të Sigurimit, siç e kanë njohur rreth 100 e sa vende anëtare të Kombeve të Bashkuara. Serbia ta njohë Kosovën me atë popull që ka, me atë kushtetutë që ka, me atë sipërfaqe tokësore që ka, me ata kufij shtetërorë që ka, me atë organizim të brendshëm administrativ që ka. Ashtu siç e kanë njohur të gjitha vendet e tjera.

Nëse do të vazhdojë të plotësojë tekat e Beogradit për ta vërtitur si të dojë ai procesin e dialogut, atëherë as Brukseli i Borrellit, ashtu si Brukseli i Ashtonit dhe Brukseli i Mogherinit nuk do të arrijnë asgjë thelbësore. Akti më përgjegjshëm do të jetë heqja dorë përfundimisht nga dialogu. Dhe të gjitha pasojat të bien mbi Serbinë.

Filed Under: Analiza Tagged With: Hoti-Vucic, Josep Borrell, njohjen reciproke, Skender Bucpapaj

Dialogu Kosovë-Serbi, Hoti-Vuçiç takohen në Bruksel

July 15, 2020 by dgreca

-KRYEMINISTRI HOTI  NË BRUKSEL U TAKUA ME KOMISIONERIN PËR FQINJËSI DHE ZGJERIM, VARHELYI/

Visit of Avdullah Hoti, Kosovan* Prime Minister, to the European Commission

-Bashkimi Evropian ka njoftuar se takimi i nivelit të lartë Prishtinë-Beograd në Bruksel do të mbahet të enjten e 16 Korrikut 2020 në orën 16:00/

-Çështjen e të zhdukurve të luftës në Kosovë,  të përfunduar para më shumë se 21 viteve, pritet të jetë një nga temat e dialogut në axhendën e nesërme/

-Kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti ka mbërritur në Bruksel, sot u takua me Komisionerin e Bashkimit Evropian për Fqinjësi dhe Zgjerim, Oliver Varhelyi, për të dytën herë brenda pak ditësh. Liberalizimi i vizave, temë kryesore e takimit/

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari

Visit of Avdullah Hoti, Kosovan* Prime Minister, to the European Commission

 PRISHTINË, 15 Korrik 2020/ Kosova dhe Serbia dialogun në Bruksel të ndërprerë para 20 muajsh, pas takimit të 8 Nëntorit  2018, e vijojnë nesër – të enjten e 16 Korrikut 2020  në orën 16:00 me takim të Kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti, dhe Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, pasi e rifilluan të dielën e 12 Korrikut përmes një videokonference.

Bashkimi Evropian ka njoftuar: “Pas rikthimit virtual të dialogut Beograd – Prishtinë të ndihmuar nga Bashkimi Evropian, të dielën më 12 Korrik, një takim i dytë i nivelit të lartë do të mbahet në Bruksel të enjten më 16 Korrik. Nikoqir i takimit me prani fizike të Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç dhe Kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti, do të jetë Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Marrëdhënie me Jashtë dhe Politikë të Sigurisë, Josep Borrell, i shoqëruar nga Përfaqësuesi Special i BE-së për Dialogun dhe Çështjet tjera të Ballkanit Perëndimor, Miroslav Lajçak. Dialogu është paraparë të fillojë në orën 16:00. Përfaqësuesi i Lartë do të japë një deklaratë për media para fillimit të takimit dhe Përfaqësuesi Special i BE-së, Lajçak, në fund të takimit. Për shkak të kufizimeve të lidhura me koronavirus, nuk do të ketë qasje të mediave në ndërtesën e EEAS-së (Shërbimit të Jashtëm të BE-së)”.

Para këtij zhvillimi, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti mori pjesë në konferencën virtuale – Samitin e Parisit, në 10 Korrik, të organizuar nga Presidenti Francez, Emmanuel Macron dhe Kancelarja Gjermane, Angela Merkel. Në këtë video-konferencë, Bashkimi Evropian përfaqësohet nga Josep Borrell, Përfaqësuesi i lartë i politikës së jashtme, kurse Serbia nga Presidenti Aleksandar Vuçiç.

 Kryeministri i Kosovës, Hoti  në 7 Korrik në Paris takoi Presidentin e Francës Macron, i cili në 9 Korrik takoi edhe Presidentin e Serbisë Vuçiç.

Në vigjilje të takimit të së enjtes të dialogut Prishtinë-Beograd, Kryeministri Avdullah Hoti ka pritur përfaqësuesit e institucioneve për çështjen e të zhdukurve të luftës në Kosovë,  të përfunduar para më shumë se 21 viteve, e cila çështje pritet se do jetë një nga temat nesër në Bruksel, sipas burimeve të korrespondentit të Gazetës DIELLI.

Sipas Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur,  edhe 1641 persona vazhdojnë të jenë të evidentuar të zhdukur si pasojë e luftës në Kosovë të përfunduar në Qershor 1999.

Sipas Institutit për Hulumtimin e Krimeve të Luftës, në vitet 1998-99 forcat serbe me motive gjenocidale kanë vrarë e masakruar mëse 12 mijë civilë shqiptarë, ndërsa menjëherë pas luftës Kryqi i Kuq Ndërkombëtar evidenconte më shumë se 6.000 të zhdukur.

KRYEMINISTRI HOTI  NË BRUKSEL U TAKUA ME KOMISIONERIN PËR FQINJËSI DHE ZGJERIM, VARHELYI

 BRUKSEL, 15 Korrik 2020-Gazeta DIELLI/ Pasi ka mbërritur në Bruksel, sot Kryeministri i Republikë së Kosovës, Avdullah Hoti, brenda pak ditësh, ka takuar për të dytën herë Komisionerin e Bashkimit Evropian për Fqinjësi dhe Zgjerim, z. Oliver Varhelyi, me të cilin ka biseduar për zhvillimet politike në vend, si dhe për procesin e rimëkëmbjes ekonomike pas përballjes me pandeminë Covid 19, duke përfshirë këtu edhe bisedën për projektet e mëdha infrastrukturore, të cilat janë pjesë e pakos së rimëkëmbjes.

Temë kryesore e këtij takimi ishte procesi i liberalizimit të vizave. Kryeministri Hoti ka theksuar nevojën urgjente për përmbylljen e këtij procesi, si një ndër çështjet më me rëndësi të Kosovës në raport me Bashkimin Evropian.

Kosova dhe qytetarët e saj janë të përcaktuar në orientimin e tyre euroatlantik, prandaj kryeministri Hoti ka vlerësuar se është e rëndësishme që edhe Bashkimi Evropian të ndërmarrë hapat e nevojshëm, që të sigurohet lëvizja e lirë për qytetarët e Kosovës.

Në këtë takim u fol edhe për nevojën për strategji dhe protokolle të përbashkëta regjionale e evropiane për luftimin e pandemisë, ndërsa z. Varhelyi e siguroi kryeministrin Hoti se Kosova si pjesë e kontinentin është dhe do të jetë pjesë e kësaj strategjie, thekson njoftimi i dërguar nga Zyra për Komunikim Publik-Zyra e Kryeministrit.

NJOFTIMI I DËRGUAR NGA ZYRA E BASHKIMIT EVROPIAN NË KOSOVË:

Belgrade – Pristina Dialogue: Media advisory for second high-level Dialogue meeting taking place on Thursday 16 July

Following the virtual resumption of the Belgrade – Pristina Dialogue facilitated by the European Union on Sunday 12 July, a second high-level meeting will take place in Brussels on Thursday 16 July.

The in-person Dialogue meeting with President of Serbia Aleksandar Vučić and Prime Minister of Kosovo Avdullah Hoti will be hosted by High Representative for Foreign Affairs and Security Policy/Vice-President of the European Commission Josep Borrell accompanied by EU Special representative for the Dialogue and other Western Balkan regional issues Miroslav Lajčák.

The Dialogue is scheduled to start at 16:00. Photo and video coverage will be provided by the EEAS and streamed on Council and EbS channels.

The High Representative will give a press statement before the start of the dialogue meeting and EUSR Lajčák at the end of the meeting.

Both statements will be broadcast on Council and EbS channels at app. 16:30 and app. 20:00.

Due to the coronavirus related limitations, access for the media into the EEAS building will not be possible.

Filed Under: Featured Tagged With: Dialogu Kosove-Serbi, Hoti-Vucic, takohen ne Bruksel

Artikujt e fundit

  • NË VEND TË NJË KARTOLINE, SOT NË DITËLINDJEN E TIJ
  • ASOCIACIONI I PROPOZUAR E SHNDËRRON KOSOVËN NË FUÇI BARUTI 
  • GJASHTË KUSHTET E KRYEMINISTRIT KURTI JANË TË ARSYESHME
  • VACE ZELA ( 7 prill 1939 – 6 SHKURT 2014)
  • NJË BIBLIOTEKË PËR QYTETIN E ALFABETIT SHQIP
  • Hapja e shkollave të para shqipe në vitet 1941 – 1944, ngjarje e rëndësishme, kyçe në historinë e Kosovës
  • Ekspozita “Gjergj Kastrioti Skënderbeu-kalorësi i lirisë së shqiptarëve”
  • TECHNOLOGY REVIEW (1981) / ÇFARË ËSHTË NJË FOTOGRAFI? — PËRGJIGJJA E FOTOGRAFIT SHQIPTAR ME FAMË BOTËRORE GJON MILI DHE NJË KOMENT PËR LIBRIN E TIJ “FOTOGRAFI DHE KUJTIME”
  • Rreth rëndësisë së përkthimit në gjuhën angleze të librit “Koja në rrjedhën e kohëve” të autorit Fran Gjeloshaj
  • Kryeministri Kurti priti në takim ambasadorët e akredituar në Kosovë
  • THE SIX CONDITIONS OF PRIME MINISTER KURTI ARE REASONABLE
  • Momenti që drejtësia në Shqipëri që të tregojë se sa është e pavarur
  • MISIONI I VATRAVE SHQIPTARE NË SHBA. NË VEND TË NJË URIMI…
  • Pentagoni godet dhe rrëzon balonën ‘spiune’ kineze. Po tani ?
  • Tërmeti në Turqi, Vatra shpreh solidaritet dhe lutet për viktimat e të plagosurit

Kategoritë

Arkiv

Tags

alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Hazir Mehmeti Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT