• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

GARA GLOBALE PËR GJETJEN E VAKSINËS, PROJEKTET DHE MEDIKAMENTET ANTI-COVID-19

July 1, 2020 by dgreca

Dr. Besmir Elmazi, Mjek specializant në mjekësi interne dhe kardiologji, nga Helios Klinikum në Duisburgm Gjermani, rrëfen ekskluzivisht për gazetën Dielli, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, New York, luftën që po zhvillohet çdo ditë në trajtimin e paciantëve me Covid-19, terapitë kryesore dhe medikamendtet që janë duke u përdorur. Me Dr. Besmirin bisedoi gazetari i Diellit Sokol PAJA.

TRAJTIMI I PACIENTËVE ME COVID-19

Terapia e personave të prekur me Covid-19 varet nga ashpërsia e sëmundjes. Sipas simptomave klinike që zhvillon pacienti ecuria e sëmundjes mund të klasifikohet në:

– E lehtë dhe e pa komplikuar (pa pneumoni)

– E moderuar (pneumoni e lehtë)

– E rënda (pneumoni, e përcaktuar nga ethe, temperaturë e lartë dhe infiltrate bilaterale të mushkërive) dhe

– Kritike (Insuffizinë e theksuar respiratore dhe nevojë për kujdes intensiv)

Sipas të dhënave të deritanishme, periudha e inkubacionit të virusit është deri në 14 ditë,  mesatarisht 5-6 ditë. Simptomat e pacientëve me COVID-19 janë jo specifike dhe ngjasojnë me ato të shumë sëmundjeve të tjera respiratore (ethe, kollë, dhimbje të fytit, lodhje e  përgjithshme dhe lodhje, dhimbje koke dhe dhembje trupi, nauze, të vjella, dhimbje barku,  diarre e përkohshme). Ecuria e sëmundjes gati në 80% të të prekurve është e lehtë. Gjatë ecurisë së sëmundjes,  mundet që rreth 20% e tyre të zhvillojnë probleme respiratore dhe / ose hipoksemi dhe kjo ndodh zakonisht rreth 7-10 ditë pas shfaqjes së simptomave. Në shumë raste mundet të vërehet hipoksemia e theksuar dhe përkeqësim i gjëndjes së përgjithshme shëndetësore dhe kjon dodh zakonisht në rreth 5% të rasteve. Ky grup pacientësh  janë të destinuar për terapi intensive. Personat me sëmundje shoqëruse si ato kardiovaskulare, diabeti, mbipesha, tumore, sëmundjet kronike të mushkërive dhe mëlçisë, konsumimi i duhanit janë faktorë të cilët rrisin rezikun për një përkeqësim të sëmundjes. Aktualisht pjesa më e madhe e pacientëve trajtohen në mënyrë ambulatore së pari duke i izoluar,  dhe mëtej domosdoshmërisht ekziston një ndjekje e rregullt klinike e këtyre personave për  të parandaluar një përkeqësim të gjëndjes shëndetësore. Si pjesë e kujdesit spitalor do të përmendja disa nga masat e përgjithshme:

– Terapia kufizuese e lëngjeve (pasi kjo mund të përkeqësojë oksigjenimin),

– Monitorim i ngushtë i parametrave jetik

– Administrimi i oksigjenit

– Kontroll i rregullt i parametrave të inflamacionit, funksionimi i veshkave,

 vlerat e mëlçisë

– Egzaminimet imazherike në varësi të ecurisë klinike

– Trajtimi i sëmundjeve shoqëruese.

SUBSTANCAT  E  PËRDORURA NË TRAJTIMET NDAJ COVID-19

Terapia antivirale: Të gjitha informacionet e deritanishme mbi terapinë antivirale  azhurnohen rregullisht në përputhje me rrethanat dhe gjetjet ekzistuese shkencore,  por studimet janë rishikuar shumë herë dhe të dhënat paraprake nuk janë të mjaftueshme për të rekomanduar një terapi baze. Substanca të ndryshme janë përdorur në muajt e fundit (Camostat, Favipiravir, Hydroxychloroquin, Lopinavir/Ritonavir, Remdesivir) por për  asnjë nga këto preparate nuk ka të dhëna të qartë për ndikimin e tyre tek pacienten me Covid 19, kështu që të paktën në Gjermani nuk ka akoma një rekomandim për përdorimin e këtyre  medikamenteve si terapi bazë. Terapia me antibiotikë: Në pacientët që dyshohen për super infeksion bacterial dhe / ose histori septike terapia  me antibiotikë duhet të fillohet me njëherë.  Në mungesë të zbulimit të patogjenit dhe vlerës normale te Procalcitonin duhet të ndërpritet terapia me antibiotic brenda 48 orëve. Nuk rekomandohen përdorimi i antibiotikëve pa prova të infeksionit bakterial. Kortokosteroidet: Së fundmi në mejekimin e pacientëve me Covid 19 ka hyrë përdorimi i  Dexamethasonit. Sipas studimeve të fundit efekti i këtij medikamenti është më i fortë në grupin e pacientëve me ventilim invaziv. Në grupin e pacientëve me  terapi oksigjenio-seventilim jo-invaziv efekti është më pak i theksuar, por edhe këtu ishte e mundur një ulje e konsiderueshme e vdekshmërise. Në grupin e pacientëve pa terapi me oksigjen nuk është  parë asnjë përfitim. Në përgjithësi pacientët të cilët e  kanë kaluar infeksionin i rikthehen jetës normale pa patur asnjë pasojë në shëndetin e tyre.  

BOTA NË GARË PËR GJETJEN E VAKSINËS ANTI-COVID

Shkencëtarët dhe firmat farmaceutike po punojne me intensitet te larte per gjetjen e vaksines kunder Covid 19. Deri tani dihet qe të paktën 153  projekte vaksinash janë nisur Brenda një periudhe të shkurtër kohe kundër SARS-CoV-2. Organizata Botërore e  Shëndetsise aktualisht numëron 141 projekte ( update: 24 qershor 2020). Ka edhe të paktën 12  projekte të tjera që ajo ende nuk i ka renditur.  Disa kompani posaçërisht kanë ofruar të punojnë së bashku për të zhvilluar vaksinën Covid-19. Se sa shpejt mund të fillojnë fushatat e vaksinimit, varet jo  vetëm nga shpejtësia e zhvillimit, testimit dhe aprovimit të vaksinave, por  edhe nga aftësia prodhuese. Prandaj nuk është e rëndësishme se cila vaksinë arrin së pari në aprovim, por  që sa më shumë vaksina të arrijnë aprovimin dhe mund të prodhohen duke  përdorur shumë lehtësira prodhuese. Besoj se deri nga fundi i këtij viti duhet të ketë ndonjë zhvillim në këtë drejtim. Mbetet për tu parë.

SHQIPTARËT NË DUISBURG-GJERMANI

Unë personalisht bashkë me kolegët e mi shqiptarë kam qenë në grupin e asistencës për komunitetin shqiptar në këtë kohë pandemie, fushatë e organizuar nga Shoqata e Mjekëve Shqiptarë në Gjermani ku dhe unë bëj pjesë. Kemi pasur kontakte me shumë shqiptarë të cilët kanë shqafur shenjat e Covid 19, për fat të mirë  të gjithë të diagnostikuar Positiv kanë pasur simptoma të lehta dhe nuk na janë raportuar raste vdekjesh.

MESAZHI JUAJ PËR LEXUESIT E DIELLIT DHE DIASPORËN NË USA

Mesazhi im për komunitetin shqipar do të ishte që ne duhet akoma të jemi vigjilent dhe shumë të kujdesshëm në këtë kohë pandemie, edhe pse numrat e të infektuarve po ulen gradualisht akoma ka shtete ku numrat janë në rritje, duke përfshirë dhe vendet tona të origjinës ( Shqipërinë, Kosovën, Maqedoninë e Veriut) dhe kjo vjen sipas mendimit tim  nga mos respektimi i rregullave të përcaktuara nga institucionet shëndetësore dhe iluzionet se ky virus nuk egziston! Ky Virus është akoma prezent dhe do të jetë dhe shumë agresiv,  duke mos njohur moshë, ndaj do ju lutesha shqiptarëve që të tregohen sa më të kujdesshëm dhe  vigjilent, sidomos tani që edhe masat fillestare janë të lehtësuara,  vazhdoni të respektoni rregullat e higjienës, mbani maska, shmangni kontaktet e shumta, mbani distancën!

KUSH ËSHTË DOKTOR BESMIR ELMAZI

Doktor Besmir Elmazi është nga Prespa e Maqedonisë së Veriut, ka mbaruar studimet e mjekësisë së përgjithshëm në Universitetin e Tiranës. Që prejvitit 2014 jeton dhe punon në Gjermani ku bën specializimin për mjekësi interne, kardiologji dhe mjekësi intensive. Aktualisht punon në Helios Klinikum në Duisburg, në rrjetin më të madh të spitaleve në Europë (Helios Kliniken). Është anëtar i shoqatës së Mjekëve Interne dhe Kardiologë në Gjermani, një nga Drejtuesit e Shoqatës së mjekëve shqiptarë në Gjermani për Landin e Nordrhein-Ëestfalen. Është i martuar, ka dy djem Joneli ( 4vjeç) dhe Arjeni (2,5 vjeç).

Filed Under: Featured Tagged With: Dr. Besim Elmazi, Gjetja e Vakksines, Sokol Paja

ELEZ BIBERAJ, DREJTOR I PËRGJITHËSHËM I ZËRIT TË AMERIKËS

June 30, 2020 by dgreca

 Nga Frank Shkreli/

http://tribunashqiptare.com/wp-content/uploads/2017/02/frank_shkreli2.jpg Disa ditë më parë, Drejtorja e Zërit të Amerikës, Amanda Bennett dhe zëvendësja e saj kryesore, Sandra Sugawara, dhanë dorëheqjen duke thënë se, Michael Pack, shefi ekzekutiv i sapo miratuar i Agjensisë Amerikane për Median Globale (USAGM), që mbikqyr ndër të tjera edhe Zërin e Amerikës, gëzon të drejtën t’i zëvendësojë ato me ekipin e zgjedhur prej tij. 

Sot, ditën e martë, Z. Michael Pack bëri pikërisht këtë, duke njoftuar zyrtarisht emërat e zyrtarëve të lartë që do të zevëndësojnë shefat e mëparshëm të 5 enteve të transmetimeve civile ndërkombëtare amerikane, përfshirë edhe atë të Zërit të Amerikës. Me kënaqësinë më të madhe mësova se njëri prej këtyre zevëndësimeve, ishte miku im i ngushtë dhe kolegu i ditëve të mira dhe të vështira për pothuaj 50-vitet e kaluara Dr. Elez Biberaj I cili u emërua në krye të Zërit të Amerikës, si Drejtor i Përgjithëshëm në detyrë i VOA-s. 

Në njoftimin e emërimeve, Shefi Ekzekutiv I emëruar nga Presidenti Trump dhe i sapo miratuar nga Senati i SHBA-ave, i Agjensisë Amerikane për Median Globale (USAGM), Z. Pack, u shpreh se, “Përvoja e këtyre burrave dhe grave të talentuar, njohuria e tyre e veprimtarisë dhe misionit të tyre ndaj këtyre enteve si dhe angazhimi i tyre ndaj standardeve të gazetarisë, do na e bëjë të mundur hapjen e një kapitull të ri në agjencinë tonë.  Dr. Biberaj, Z. Shapiro, Z, Ponnudurai dhe Zonjat Sullivan dhe Sindelar do të luajnë role kritike në postet e tyre duke bërë të mundur që entet tona të shënojnë një performancë më të lartë, me qëllim që tu shërbejmë më mirë audiencave tona.  I falënderoj nga zemra për gatishmërinë e tyre për të ndihmuar në këtë ndërmarrje tonën dhe jam shumë i kënaqur të punojë hap për hap me ta dhe me të gjithë ju”, thuhet në njoftimin që Z. Michael Pack i drejtoi stafit të Zërit të Amerikës dhe enteve të tjera të transmetimeve civile ndërkombëtare të Shteteve të Bashkuara.  Në një koment në pritje të emërimeve të reja, portali amerikan i lajmeve, VOX u shpreh për emërimin e Dr. Biberaj duke thënë se, Z. Biberaj gëzon një reputacion shumë të mirë si një njeri serioz dhe profesionist i disiplinuar. Ai është dhënë me gjithë shpirt ndaj përhapjes së lirë të lajmeve dhe informacionit në vendet dhe kontinentet ku kjo liri u mohohet njerëzve, thuhet në komentin e portalit amerikan të lajmeve VOX. 

Disa të dhëna, shkurtimisht, mbi karierën e Dr. Elez Biberaj.  Elez Biberajn, bota shqiptare e ka njohur për pothuaj një gjysëm shekulli — jo vetëm nepërmjet komenteve prej eksperti mbi gjëndjen në Shqipëri, në Kosovë dhe në Ballkan, gjatë viteve si dhe për intervistat e shumëta në valët e Zërit të Amerikës — por edhe nepërmjet shkrimeve të shumta si autor librash dhe dyzina artikujsh në anglisht, të botuara në gazetat amerikane dhe në shqip në median shqiptare si dhe në diasporë.


Deri sot, Dr Elez Biberaj ka drejtuar Divizionin e Euro-Azisë të Zërit të Amerikës që nga viti 2006. Ai ishte përgjegjës për programimin multimedial të Zërit të Amerikës drejtuar Rusisë, Ukrainës, Armenisë, Gjeorgjisë dhe vendeve të Ballkanit, përfshir Shqipërinë.  Z. Biberaj filloi punën tek Zëri i Amerikës në vitin1980 si një transmetues ndërkombëtar në Shërbimin Shqip të kësaj radioje. Nga viti 1982 deri në vitin 1986, ai punoi në Divizionin e Shtypit të ish Agjencisë së Informacionit të Sh.B.A-së si shkrimtar/redaktor i specializuar në çështjet sovjetike dhe të Evropës Lindore.  Dr. Biberaj u kthye në Zërin e Amerikës si shef i Shërbimit Shqip në vitin 1986 dhe për 18 vite me radhë ka shërbyer si Shef i Seksionit shqip VOA-s, duke e shëndërruar shërbimin shqip në një prej enteve më të suksesshme të të të gjitha transmetimeve të Zërit të Amerikës.  Për një kohë të gjatë, ai shërbeu në një kapacitet të dyfishtë si shef i Shërbimit Shqip dhe drejtor i shkrimtarëve dhe studiuesve të Divizionit Evropian të Zërit të Amerikës.  Dr. Biberaj u emërua Redaktor/ Menaxhues i Divizionit të Euro-Azisë në 2004, u bë shef në detyrë si Drejtor i Divizionit Euro-aziatik në vitin tjetër dhe u emërua përfundimisht Drejtor i Divizionit me 2006.  Ai ka doktoraturën (PHD) në Shkencat Politike nga Universiteti Columbia në Nju Jork dhe është autor i katër librave, përfshirë, “Shqipëria në Tranzicion: Rruga e Vështirë Drejt Demokracisë, 1990-2010”.

Dr. Biberaj njihet si ekspert në fushën e transmetimeve radio-televizive ndërkombëtare, gazetar i shquar dhe autor librash dhe artikujsh të shumtë akademikë, ndër të tjera edhe si njohës i mirë i çështjeve të Ballkanit, Shqipërisë, Kosovës dhe Rusisë.  Dr. Biberaj ka vizituar shpesh shtetet dhe zonat ku fliten gjuhët në të cilat transmeton Zëri i Amerikës programet e veta, veçanërisht në Evropë, Rusi e gjetkë.  Si njëri prej vëzhguesve dhe analistëve më të respektuar të botës për zhvillimet e periudhës komuniste dhe paskomuniste në Shqipëri dhe në Kosovë.”, siç e ka cilësuar atë miku ynë i përbashkët Profesor Nikola Pano, dhe si eskpert i njohur gjatë karjerës së tij në Washington, Dr. Biberaj është ftuar dhe ftohet shpesh për të folur nga pikëpamja e një eksperti — për situatat në zonën e Euro-Azisë, në Ballkanin Perëndimor dhe mbi Rusinë – qoftë nga ente të ndryshme të qeverisë federale amerikane, qoftë nga organizata mediatike, jo-qeveritare dhe akademike. 

Elez Biberaj, Ph.D.

                                          Elez Biberaj, Ph.D. 

Me emërimin e tij në postin e Drejtorit të Përgjithshëm në detyrë të Zërit të Amerikës, Dr. Biberaj ka arritur–të pakën deri tashti – kulmin e karierës së tij të shkëlqyer, një sukses ky për të cilin ai vet dhe familja e tij duhet të jenë krenarë, por edhe të gjithë ata që e njohin — për së afërmi e për së largu – përfshirë edhe autorin e këtyre rreshtave modestë – si një shok i ngushtë, mik i familjes dhe bashkpuntorë i pa ndarë në rrugëtimin e përbashkët e të gjatë prej gjysëm shekulli në përpjekjet për liri e demokraci, jo vetëm në trojet tona shqiptare, por edhe anë e mbanë botës.

Tashti Zotit Biberaj i është besuar një përgjegjësi e madhe nga ana e qeverisë së Shteteve të Bashkuara.  Unë jam pensionuar 15 vjetë më parë nga Zëri i Amerikës (pikërisht nga posti që mbajti deri tani Elezi), por duke e njohur – mbrenda dhe jashtë VOA-s — shumë mirë Elez Biberajn,  për aftësitë, përgatitjen, përvojën dhe përkushtimin e tij ndaj VOA-s, për të cilën foli edhe Michael Pack –respektin e tij për dëgjuesi, shikuesit, lexuesit si dhe ndaj misionit të Zërit të Amerikës.  Mision ky i përcaktuar me ligj nga Kongresi amerikan, për të raportuar të vërtetën anë e mbanë botës, në kohë të mira dhe në kohë të vështira – lajme të mira ose të këqia — do tu themi të vërtetën — ishte dhe është motoja e VOA-s, ç’prej fillimit, të cilën Z. Biberaj e ka zbatuar me përpikëmëri të një profesionisti të rrallë në gazetarinë shqiptare dhe amerikane.  Unë jam i bindur se autoritetet amerikane, nuk mund të kishin gjetur njeri më të përshtatëshëm, më të përsosur, më të aftë dhe më të zotin për këtë detyrë që i kanë besuar, sidomos në këtë kohë dhe nën këto rrethana në këtë vend dhe në botë.  

Për lexuesin që ndoshta nuk e njeh mirë Zërin e Amerikës dhe për çfarë do të jetë përgjegjës Elez Biberaj që në ditën e parë në krye të detyrës të këtij enti me famë botërore dhe me rëndësi strategjike nga pikëpamja e politikës amerikane, ja vlen të sjellë, shkurtimisht, disa të dhëna për Zërin e Amerikës, këtë organizatë mediatike amerikane, reputacioni i të cilës njihet edhe botërisht.

Zëri i Amerikës (VOA) është transmetuesi më i madh ndërkombëtar amerikan, që ofron lajme dhe informacione në më shumë se 45 gjuhë, për një audiencë të përjavshme javore prej qindra miliona dëgjues dhe shikues.  Zëri i Amerikës përgatit materiale për platforma dixhitale, televizive dhe radio.  Programet e VOA-s mund të lexohen/dëgjohen dhe të shikohen përmes telefonit celular dhe mediave sociale. Materialet në gjuhë të ndryshme gjithashtu shpërndahen me satelit, kabllo, FM dhe valë të mesme (MW), valë të shkurtëra në disa raste, ndërkohë që programet e VOA-s shpërndahen edhe në një rrjet prej më shumë se 2.500 stacionesh, bazuar në marrëveshje bashkëpunimi në shumë vende të botës.  Që nga krijimi në vitin 1942, Zëri i Amerikës është angazhuar të ofrojë një përmbledhje të lajmeve të sakta, objektive dhe gjithëpërfshirse, duke bërë të pamundurën për të raportuar të vërtetën anë e mbanë botës.  Si gjatë Luftës së Dytë Botërore, Luftës së Ftohtë, luftës kundër terrorizmit global,  lugftërave ballkanike ashtu edhe sot në përpjekjet për liri, demokraci  dhe të drejta të  njeriut anë e mbanë globi, në punën e saj të përditshme, Zëri i Amerikës pasqyron dhe njëkohësisht është edhe shembull i parimeve të një shtypi të lirë e demokratik.

Dr. Elez Biberaj në detyrën e re si Drejtor i Përgjithëshëm në detyrë i Zërit të Amerikës i raporton, Z. Michael Pack — i emëruari i Presidentit Trump dhe i posa miratuar nga Senati i Shteteve të Bashkuara – shef i ri ekzekutiv i Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Median Globale (USAGM) që përfshin Zërin e Amerikës dhe disa rrjete të tjera mediatike ndërkombëtare të financuara po ashtu nga Kongresi i Shteteve të Bashkuara.

Për ne shqiptarët në Amerikë ekziston shprehja se të jesh shqiptar i mirë duhet të jesh edhe amerikan i mirë.  Familja Biberaj pasqyron më së miri këtë thënje.  Dr Elez Biberaj rrjedh nga në familje anti-komuniste nga Tropoja.  E ardhur në Amerikë para 52 vjetëve, familja Biberaj në përgjithësi është një tregim suksesi, si familje në terësi, ndërkohë që si antarë individual të kësaj familje të ngushtë e tradicionale shqiptaro-amerikane, secili prej 4 vëllëzërve e 4 motrave, është një tregim suksesi në vetvete, në fusha të ndryshme të veprimtarisë së tyre, si biznesmenë, avokate e  prokurore, politikë dhe pasuri të patundur (real estate) ndërkohë që brezi më i ri i familjes Biberaj dallohet gjithashtu edhe ai në fushat e jetës së përditëshme ku jetojnë e punojnë në komunitetin shqiptare-amerikan dhe më gjërë në shoqërinë amerikane.  Në çdo fushë veprimi, Dr. Elez Biberaj dhe familja e tij dallohen për dashurinë për Shqipërinë, e sidomos për Kosovën dhe për shqiptarët kudo, por ata dallohen gjithashtu edhe për dashurinë ndaj vendit që i ka marrë nën strehim – Shtetet e Bashkuara të Amerikës – aty ku të gjithë ne gjetëm demokracinë dhe lirinë që kërkonim, realizimin e vërtetë të “ëndrrës amerikane” dhe mundësitë për të shkuar përpara, në fushë veprimet e preferuara tonat si shqiptare dhe shqiptaro-amerikanë. 

Për veprimtarinë e tij pranë Zërit të Amerikës, gjatë dekadave Dr. Elez Biberaj është dekoruar dhe shpërblyer nga Zëri i Amerikës si dhe nga Tirana dhe Prishtina zyrtare për punën e tij në mbështetje të demokratizimit të Shqipërisë, të çlirimit dhe të pavarësisë së Kosovës, si dhe për punën e tij në forcimin e marrëdhënieve midis Shteteve të Bashkuara dhe Kombit shqiptar.  Elez Biberaj i ka pranuar gjithmonë me përvujtëni shpërblimet dhe dekoratat e ndryshme gjatë viteve duke falënderuar gjithmonë bashkpuntorët e tij për suksesin që të gjithë së bashku kanë arritur gjatë viteve dhe mbi të gjitha është treguar mirënjohës ndaj Zërit të Amerikës që i ka ofruar mundësinë të arrijë nivelet më të larta të VOA-s, si “Një bir i denjë i Shqipërisë”, siç e pat cilësuar me një rast Z. Biberaj ish-Drejtori i Përgjithëshëm i VOA’s, Z. David Ensor.  Elezi vazhdon me vrull të pandalshëm veprimtarinë e vet duke korrur suksese dhe miratime në qarqet më të larta dhe më të dalluara të profesionit të tij të botës amerikane dhe asaj shqiptare, po se po.

Këtij biri, vërtetë të denjë të shqiptarisë, tani i është besuar posti kryesor dhe i merituar si Drejtor i Përgjithëshëm në detyrë i Zërit të Amerikës.  Për ketë është krenare familja e tij, jemi krenarë të gjithë ne që e njohim dhe që kemi punuar me ‘të gjatë viteve, ndërkohë që i urojmë sukses në detyrën e re, për sado kohë që ta ushtrojë!  Shokut dhe mikut tim të ngusht prej 5-dekadash, i cili nderon familjen dhe shokët e tij, emrin shqiptar dhe komunitetin tonë shqiptaro-amerikan, i shfaqi — bashkë me përgëzimet e mia më të thella për detyrën e re – edhe admirimin tem.

Autori me Dr. Elez Biberaj në zyrën e Shërbimit shqip të Zërit të Amerikës, në vitet e 1990-ave.

Filed Under: Featured Tagged With: Drejtor i Pergjithshem, Elez Biberaj, Zeri i Amerieks

SHQIPTARËT NË BOSNJE-HERCEGOVINË DHE BETEJA E SHTETIT BALLKANAS NDAJ COVID-19

June 30, 2020 by dgreca

Prof. Dr. Ilirijana Haxhibeqiri – Karabdić, Shefe e Kardiokirurgjisë në Qendrën Klinike Universitare të Sarajevës, rrëfen ekskluzivisht për gazetën Dielli, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, New York, betejën që po zhvillon Bosnje-Hercegovina ndaj pandemisë globale Covid-19 dhe kryesisht gjëndja në Sarajevë. Me Prof. Dr. Ilirijana Haxhibeqiri – Karabdić bisedoi gazetari i Diellit Sokol PAJA.

BOSNJE-HERCEGOVINA NË BETEJËN NDAJ COVID-19

Situata në Bosnje dhe Hercegovinë në këtë moment është relativisht stabile lidhur me COVID-19, në valën e parë të pandemisë, në muajin prill dhe maj, numri i të infektuareve me COVID-19 ka qenë jashtzakonisht i ulët, mendoj se faktori kryesor i cili ka ndikuar që situata në Bosnjë dhe Hercegovinë të jetë e tillë është organizimi i shpejtë me kohë si dhe adekuat i të gjitha institucioneve e posaçërisht e institucioneve shëndetësore të cilat qysh në fillim të pandemisë është organizuar në mënyrë të shkëlqyer. Në muajin qershor, ka ardhur deri te lehtësimi i të gjitha masa rigoroze, ku si pasojë në këtë moment është rritur numri i të sëmurëve me COVID-19. Fatkeqësisht, numri i të sëmureve nga Covid është gjithnjë në rritje. Në këtë moment, në Qendrën tonë Klinike Univerzitare kemi të shtrirë 20 pacient me COVID-19 të cilit kanë simptoma të lehta dhe nuk kanë nevojë ende për respirator. Në lidhje me gjetjen e vaksinës kundër Covid? mendoj se edhe në të ardhmen numri ose llojlloshëmria e viruseve do të jetë gjithnjënë rritje e sipër, për fat të keq. E faktorët të cilët ndikojnë në këtë rritje janë të shumtë. Ne duhet të adaptohemi dhe te jetojmë me këtë situatë të re të krijuar globale.

SHQIPTARËT NË BOSNJE-HERCEGOVINË

Në bazë të burimeve arkivore Shqiptarët për herë të parë u vendosën në Bosnje e Hercegovinë në kohën e Perandorise osmane. Si shkaqe kryesore të migrimit të Shqiptarëve nga trojet e tyre ishin kryesisht sociale, shoqërore dhe ato politike. Fillimisht Shqiptarët që vinin në Bosnje ishin nga Shqipëria veriore e në kohërat në mes të dy luftërave botërore, e në vecanti pas Luftës së Dytë Botërore shënohet migrimi më i madh i Shqiptarëve dhe atë nga Kosova, Maqedonia, Mali Zi dhe Serbia (Medvegjë, Bujanovcë e Preshevë). Popullata Shqiptare në Bosnjë e Hercegovinë kryesisht u vendosën nëpër vende urbane dhe qytete si: Sarajevë, Tuzëll, Zenicë, Banjallukë, Mostar, Travnik, Doboj, Brqko, por edhe nëpër vende rurale. Fillimisht ata ishin barinjë, mjeshtër artizanatesh, roje kufitare  dhe një numër shumë i madhe  gjatë kësaj kohës u asimilua dhe mori nacionalitete të popullit vendore. Shqiptarët në Bosnjë e Hercegovinë,nëvitet e 50-ta të shekullit tënjëzet në Sarajevë formojnë Shoqatën e studentëve “Lulëzimi”, ndërsa në fillim të viteve të 70 krijohet Klubi Shqiptarë “Bajram Curri” në kuadër të se cilit funkciononte Shoqëria Kulturo-artistike “Bajram Curri” si dhe shkolla e plotë tetëvjeqare në gjuhen shqipe.  Në fillim të viteve 80 të shekullit të njëzet, për shkak ngjarjeve në Kosovë në Sarajevë strukturate politike te asaj kohe e mbyllin klubin “Bajram Curri” , si dhe shkollën tetëvjecare në gjuhën shqipe. Në vitet 90 të shekullit të kaluar Shqipëtarët në BeH organizohen dhe krijojnë partinë politike “Lidhja Demokratike e Shqipëtarëve në Bosnjë e Hercegovinë” , me seli në Sarajevë, rikthejnë  institucionalisht emrin e Klubit Shqiptarë “Bajram Curri”. Shqiptarët kanë dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në mbrojtjen e sovranitetit të Bosnjës dhe Hercegovinës nga agresioni Serb dhe me qindra veta flijuan jetën e tyre ndër të cilit është dhe dëshmori Bajram Zenuni, inxhinjer në televizionin e Sarajevës, e që sotë rruga përballë televizionit të Bosnjës e Hercegovinës mbanë emrin e këtij dëshmori “Rruga Bajram Zenuni”. Për dallim që në të kaluarën Shqiptarët që ndër vite identifikoheshin si sharanxhi, puntorë fizik, furrtarë e zanatli të ndryshëm , sot Shqipëtarët në Bosnje e Hercegovine kanë arritur një nivel tjetër shoqëror, me personalitete që kanë arritur famë botërore dhe grada më të larta shkencore si në disa degë të mjekësisë sic janë; Kardikirurgjia, Mikrobiologjia, Pediatria, Psikologjia e Psikiatri ashtu edhe në fushat tjera shoqërore siç janë: Jurispondenca, Ekonomia e Menaxhmenti e edhe diplomat në ministrinë e punëve të jashtme me tituj Ambasador etj. Shqiptarët në Bosnje e Hercegovinë, aktualisht janë pronar dhe menaxher të Univerziteteve më të njohur në BeH edhe më gjerë. Përndryshe,  aktualisht sot në Bosnje e Hercegovinë jetojnë rreth 12 mijë Shqiptarë të organizuar në shoqata e klube Shqiptare të udhequr nga Bashkësia Shqiptare në Bosnjë e Hercegovinë. 

MESAZHI JUAJ PËR LEXUESIT E DIELLIT DHE DIASPORËN NË USA

Porosia ime për mergatën tonë në SHBA është që të edukohen sa më shumë që të munden, të punojnë sa më shumë që munden se vetëm në këtë menyrë mund të arrijme aspiratat tona shekullore dhe që si popull të prezentohem sa me dinjitozë ne shoqëritë e civilizuara botërore se vetëm ne këtë menyrë do të ndihet zëri i Shqiptareve në të gjitha instancat botërore qoftë në aspektin ekonomik apo shkencorë.

KUSH ËSHTË PROF. DR. ILIRIJANA HAXHIBEQIRI – KARABDIĆ

Mjekësia për Prof. Dr. Ilirijana Haxhibeqiri – Karabdić gjithmonë ka qenë profesion inspirues. Ajo rrjedh nga familja mjekësore, ku babai i saj, Prof.Dr. Sami Haxhibeqiri, ka qenë kirurgu i parë shqiptare në ish-Jugosllavi që nga viti 1965 i cili ka qenë edhe në ekipin e parë të kirurgëve, të cilet kanë bërë operimet e zemrës në fillimin e viteve te 70-ta në ish-Jugosllavi , njëkohësisht është njëri ndër themeluesit e fakultetit të mjekësisë në Prishtinë dhe person i cili ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm për mjekësinë Kosovare, jo vetëm si kirug torako-abdominal por duke krijuar plejadë të tërë profesionist mjekësor e në veçanti si kirug duke qenë pjesëmarrës aktiv në të gjitha proceset e shtetndërtimit të Kosovës qoftë në paqe ashtu edhe në luftë, duke qenë kirurg i parë që ka shkuar në zona të luftës në Kosovë që nga shkurti i vitit 1998 deri në ditën ku edhe u flijua. Pas luftës në Kosovë,  për kontributin e dhënë gjatë jetës së tij, Spitalin e Përgjithshëm në Mitrovicë e emërtojën me emrin e babait te saj “Dr.Sami Haxhibeqiri“.  Prof. Dr. Ilirijana Haxhibeqiri – Karabdić, motra dhe vëllai saj kanë vazhduar rrugën e babait të tyre. Motra Dr. Shpresa është anesteziologe, e vëllau Dr. Shpendi është psikiatër forenzik. Dashuria  ndaj kardiokirurgjisë daton qysh nga ditët e para të studimeve. Prof. Dr. Ilirijana Haxhibeqiri – Karabdić  studimet e mjekësisë i ka filluar në Universitetin e Prishtinës dhe i ka mbaruar në Universitetin e Sarajevës. Specializimin nga lëmia e kardiokirurgjisë e ka filluar në Sarajevë dhe e ka mbaruar në Berlin Deutsche Herzzentrum në vitin 2004 ku edhe është bërë kardiokirurge e parë në Bosnjë dhe Hercegovinë. Gjatë specializimit në Berlin, në vitin 2004 ka qenë anëtare i ekipit të parë për transplantimin e zemrës dhe Mechanical Circulatory Support në Deutsche Herzzentrum Berlin i cili në fillim të vitit 2000 ka qenë një nga qëndra kryesore në Evropë për operimet në zemër. Mbas specializimit, ka vazhduar krahas punës profesionale edhe atë shkencore duke magjistruar dhe doktoruar në lëminë e kardiokirurgjisë dhe ka fituar titullin e Profesorit të Kardiokirurgjisë, është mentore për specializime dhe subspecializime në Ministrinë Federale të Shëndetësisë të Bosnje dhe Hercegovinës për lëminë e kardiokirurgjisë. Me kardiokirurgji merret që 22 vite dhe është shefe e Kardiokirurgjisë në Qendrën Klinike Universitare të Sarajevës. Njëkohësisht, është profesore e kardiokirurgjisë në Fakultetin e Mjekësisë – SSST dhe njëherësh e vetmja femër profesoresh në lëminë e kardiokirurgjisë në Ballkan. Ka marrë pjesë në shumë kongrese dhe seminare profesionale ndërkombëtare si ligjëruese, dhe mysafire e ftuar si në Zvicër, Spanjë, Suedi, Sloveni, Angli, Gjermani, Itali dhe SHBA (Houston, Texas). Është autore e punimeve shkencore të publikuara në Bosnjë dhe Hercegovinë edhe në revista shkencore me karakter ndërkombëtar. Është Anëtare e Shoqatës së Kardiokirurgëve Evropian dhe shoqatave të ndryshme ndërkombëtare për lëminë e kardiokirurgjisë. Është autore e librit “Praktikumi për Kirurgjinë Ambulantore” dhe bashkëautor në librin “Mjekësia Urgjente” të publikuar nga Universitetit i Sarajevës.
Gjatë punës profesionale ndër vite ka marrë mirënjohje dhe dekorata të shumta në Bosnje dhe Hercegovinë. Është nënë e dy fëmijeve, dhe me këtë rast fëmija i saj i parë, vajza e saj është po ashtu studente e fakultetit të mjekësisë andaj Prof. Dr. Ilirijana Haxhibeqiri – Karabdić është shumë e lumtur që tradita e tyre familjare në fushën e mjekësisë do të vazhdojë edhe për një brez. Duke qenë se ska shumë kohë të lirë për arsye të obligimeve të shumta profesionale dhe akademike ende ka pasion leximin e një libri dhe të luajë në piano e cila i jep shumë relaks. Motoja e jetës së saj është: “Jam e lumtur – puna ime e ditë  përditshme nënkupton  luftën per një jetë njerëzore“.

Filed Under: Featured Tagged With: Prof. Dr. Ilirijana Haxhibeqiri – Karabdić, sarajeve, Sokol Paja

Shkoi të pushojë “Kreshniku i Lirisë”, Besim Zekthi*

June 29, 2020 by dgreca

Shuhet në moshën 84-vjeçare mjeshtri i valles popullore shqiptare, Besim Zekthi. Artisti humbi betejën me një sëmundje të rëndë, në shtëpinë e tij në Tiranë. Gjatë krijimtarisë së tij ai ka dhënë një kontribut të madh si valltar mjeshtër i valles popullore shqiptare, por ka shkëlqyer edhe si solist i Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore.

Nga viti 1957 deri në vitin 1990, “Mjeshtri i madh” – Besim Zekthi interpretoi në mbi 200 valle si solist, duke realizuar me qindra figura artistike, të cilat janë të fotografuara në memorien artistike të gjithë adhuruesve të tij, në mbarë brezat shqiptarë.

Karriera e tij shënon kulme suksesi jo vetëm në trevat shqiptare, por anekënd botës, ku me Ansamblin Popullor të Këngëve e Valleve, Besim Zekthi “i dha zë e shpirt” valles dhe muzikës tone tradicionale.

Interpretimi që e shndërroi ne një ikonë të valles me motive kombëtare për mbare publikun shqiptar mbetet vallja “Kreshnikët e Lirisë” një përshtatje madhështore e elegjisë së Fan Nolit për Bajram Currin “Shpell’e e Dragobië”.

Jeta e tij artistike është e lidhur ngushte me jetën artistike të Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore, jo vetëm si valltar, por një seri vallesh janë krijuar prej tij dhe sot interpretohen me sukses nga artistët e AKVP, si pjesë e fondit të artë të trashëgimisë tone kulturore.

Ndër to mund të përmendim: “Valle me motive të Lapardhasë”, “Valle e Librazhdit”, “Valle e Shengjergjit”, “Valle e Leskovikut”, “Valle me motive të Çermenikës”, “Valle e Konispolit”, “Valle lave”, Valle e Kuksit”, “Valle me motive të Prizrenit”, “Valle me motive të Krujës”, “Për flamur, për atdhe”, “ Dasma e Rugovës”, “Valle me motive të Drenicës”, “Gju më gju me popullin”, “Valle myzeqare”, “Vjelja e mollëve”, etj.

Në vitin 2017 për të gjithë kontributin e tij artistik, në më shumë se 30 vjet në Ansamblin Popullor të Këngëve dhe Valleve, por dhe më gjerë, Besim Zekthi u dekorua nga Presidenti i Republikës z. Ilir Meta, me titullin “Nderi i Kombit”, në 60-të vjetorin e krijimit të Ansamblit Popullor të Këngëve dhe Valleve.

Ylli i këtij ansambli, kërcimtari dhe mjeshtri i valles popullore shqiptare, Besim Zekthi, u vlerësua me motivacionin për kontributin shumëvjeçar si solist me nivel të lartë interpretative dhe mjeshtëri të veçantë artistike të valleve shqiptare, për pasurimin e fondit të krijimtarisë koreografike dhe përçimin tek brezat e artistëve të rinj, si dhe për promovimin denjësisht të vlerave të mirëfillta të trashëgimisë kulturore shqiptare në gjithë botën.(Kortezi:Diaspora)

Filed Under: Featured Tagged With: Shuhet Besim Zekthi

STOMATOLOGËT SHQIPTARË NË GJERMANI NË BETEJËN NDAJ COVID-19

June 29, 2020 by dgreca

Dr. Nertsa Çunoti dhe Dr. Rezart Qorri bashkëshortët mjekë në qytetin Plauen në Landin Sachsen, Gjermani, rrëfejnë ekskluzivisht për gazetën Dielli, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, New York, rolin e mjekut stomatolog në luftën ndaj Covid-19 në Gjermani. Me bashkëshortët mjekë Çunoti-Qorri bisedoi gazetari i Diellit Sokol PAJA.

KLINIKAT DENTARE NË BETEJËN NDAJ COVID-19

Ashtu si çdo profesion edhe stomatologët patën përballjen e tyre me luftën kundër COVID-19. Në fillim të muajit mars ishim në pritje të udhëzimeve lidhur me protokollet e punës kundrejt pandemisë së shkaktuar nga SARS-COV-2. Pas shumë debatesh edhe me tone të “ashpëra”midis Dhomës së Dentistëve dhe stomatologëve  për mbylljen e përkohshme të klinikave dentare, pas konsultuave me specialistët mjekësorë, Dhoma Qëndrore e Dentistëve në Berlin në bashkëpunim me Landet përkatëse, arriti në një marrëveshje definitive, e cila urdhëronte vazhdimësine e punës së çdo klinikë dentare por me reduktim oraresh dhe duke patur qëllim kryesor vetëm trajtimin e  urgjencave akute dentare, nën masat e shtuara mbrojtëse si për stafin ashtu dhe për pacientin. U ndërmorën disa masa parandaluese të cilat më duhet të them u zbatuan dhe vazhdojnë të zbatohen edhe sot në mënyrë tejet rigoroze nga të dyja palët mjek-pacient: Deri në datën 15 Qershor në çdo klinikë duhej të qëndronte vetëm një mjek dhe një ndihmës, nqs klinikat kishin më shumë dentistë të punësuar atëherë funksiononte një listë rrotacioni ku çdo ditë punonin grupe të ndryshme mjek-ndihmës. Pacientët duhet të telefononin paraprakisht për të lënë një orar trajtimi dhe ishin të detyruar të plotësonin një formular informues lidhur me historikun  e dy javëve të fundit, nëse kanë  patur udhëtime jashtë Gjermanisë,  kontakte me persona të dyshuar me COVID-19 dhe në qoftë se kishin shfaqur një nga simptomat dyshuese. Pacienti në mënyre kategorike duhet te paraqitej në ambjentin e brëndshëm me maskë mbrojtëse  dhe të qëndronte me të deri ne momentin e kryerjes së një procedure dentare. Ndërkohë stafi mjekësor ishte dhe vazhdon të jetë i pajisur me veshjet e posaçme të udhëzuara nga Ministria e Shëndetësisë. Trajtimi i planifikuar përfshinte  një afat kohor rreth 60 minuta, pacienti qëndronte i vetëm në ambjentet e klinikë dhe pas largimit të tij kishte rreth 15 minuta kohë nga pacienti pasardhës, kohë kjo që shfrytezohej për ajrosjen e ambjentit  të punës dhe dezinfektimin e plotë të saj.

MODELI GJERMAN NË PËRBALLIMIN E KRIZËS

Edhe sot mbeten në zbatim të gjitha masat e lartpërmendura, me ndryshimin e vetëm, që oraret po kthehen drejt normalitetit dhe i gjithë stafi kooperon i plotë pa rrotacione apo turne. Numri i pacientëve është shtuar por të gjithe respektojnë në mënyre tepër fanatike distancën prej 1.5m. Shpeshherë preferojnë të qëndrojnë në ambjentin e jashtëm të klinikës, deri në largimin  e pacientit të fundit. Më duhet të pëmend edhe fondin ekonomik që Gjermania vuri në dispozicion për të gjithë punonjësit e saj, të cilët edhe pse me orare të reduktuara morën dhe vazhdojnë të marrin nga Prilli 2020 deri në Shtator 2020 një “pagë lufte” e cila përbën 60-68 % të rrogës së secilit dhe orët e shpenzuara më pas në punë paguhen si orë shtesë nga shefat e klinikave përkatëse. Kjo ndihmoj në tërësi si punëmarrësin ashtu edhe punëdhënësin dhe uli riskun e falimentimit.

MJEKËT BASHKËSHORTË NË NDIHMË TË BASHKATDHETARËVE

Në Landin Sachsen, Plauen-i qyteti në të cilin unë dhe bashkëshortja ime jetojmë e punojmë, mund të them me bindje se ka shumë shqiptarë por edhe në dy qytetet kryesore studentore Leipzig dhe Dresden ( kryeqytet), të preferuar për studimet e larta univeristare nga studentët shqiptarë në dijeninë time nuk ka asnjë të dhënë për infektime me Covid-19. Të bashkuar  me nismën vullentare të shoqatës së Mjekëve Shqiptar në Gjermani për t’ju ardhur në ndihmë të gjithë atdhetarëve që jetojnë ketu apo edhe ata  që  fatkeqësisht u gjendën të izoluar brenda shtetit gjerman në një kohë të ashpër pandemie, vura edhe unë si kolegët e mi në dispozicion një numër kontakti dhe adresë E-maili ku mund të them që kam patur shkëmbime E-mailesh në nivel informues për problemet e tyre dentare si dhe në  bashkëpunim me një klinikë, ku si stomatologe është e punësuar bashkëshortja ime kam dërguar bashkatdhetarë për të marrë shërbimin e duhur kundrejt asnjë pagese, duke patur parasysh që çdokush i pa sigurur nga ana shëndetësore në Gjermani merr vetëm shërbime private  kundrejt një kostoje shumë të lartë.

MASAT STRIKTE NË SPITALE

Në ambjentin spitalor, masat e marra kundrejt pandemisë nga SARS-COV-2 janë akoma edhe më strikte. Në përditshmërinë time kam të bëj shumë pak me dhimbjet e gjeneruara drejtëpërdrejtë  nga dentuara orale, por përballem me pacientë që si pasojë e aksidenteve të ndryshme referojnë fraktuar komplekse në regjionin facial dhe kranial dhe nuk janë të pakët edhe ata të cilët duhet ti nënshtohen opeacioneve për heqjen e lezioneve tumorale dhe metastazave që arrijne nje përhapje deri në regjionin e qafës të quajtura ndryshe edhe “Neck Dissection”. Të gjithë pacientët e lartpërmendur që shtrohen në pavjonin tonë të OMF -së janë të detyruar të kryejnë testin e Covid-19 në momentin e parë kur paraqiten dhe ndiqen më pas nga një test i dytë  pas shërimit, pra daljes nga qëndra spitalore ose në rastin kur dërgohen në katedrat e tjera të specializuara  për të vazhduar nderhyrjet e rradhës. Për sa i përket urgjencave mjekësore me rrezikshmëri të lartë për jetën,hyn në zbatim menjëherë protokolli Covid-19, cka do të thotë që pacienti trajtohet sikur është i infektuar, stafi mjeksor pajiset me veshjet e protokolluara, kryhet tamponi, pacienti i nënshtrohet ndërhyrjes kirugjikale dhe në përfundim të operacionit izolohet në dhomat përkatëse Covid-19 deri në marrjen e përgjigjes nga analiza e kryer.

STOMATOLOGËT NË KOHË PANDEMIE

Në këtë kohë Pandemie, Stomatologët ishin përgatitur për të trajtuar vetëm urgjencat dentare por në realitet  u përfshinë shumë në  kërkesat lidhur  me estetikën.  Ankesat më të shpeshta vinin edhe nga ata tek të cilët për shkak të situatës ju ishin anulluar seancat për rinovimin e mbushjeve të vjetra ose seancave te zbardhimit ( Bleaching). Pra edhe pse në kohë lufte me një virus të padukshëm ,të izoluar dhe me lëvizje të detyruara me maksa mbrojtëse që mbulonon tërësisht regjionin oral dhe rrjedhimisht edhe atë dentar, kërkesa për punime estetike nuk u vendos asnjëhere në plan të dytë. Disa lista pacientesh të koduar me punimet përkatëse të kryera  nga disa klinika të shpërndara në landin Sachsen ku jetoj, u shqyrtuan nga një grup kërkimor psikologësh dhe sociologësh pjesë e fakultetit të mjekësisë Dresden të cilet dolën në një përfundim, që duhet ta nënvizoj është ende fillestar, por që paraqet konkluzione  paraprake lidhur me rolin shumë të rëndësishëm që pamja, estetika luan në gjëndjen psikologike të secilit duke rritur vetbesimin në përditshmëri.

NDIHMA NDAJ BASHKATDHETARËVE DHE NJË APEL

Jam i lumtur që kam dhënë dhe vazhdoj jap sadopak ndihmë për komunitetin tim larg vendlindjes, ku padiskutim do të doja të isha prezent, e të ushtroja gjithë eksperiencën tim të ndërtuar në një shtet që e tregoi edhe njëherë, në një kohë të jashtëzakonshme për të gjithë, se ka baza te forta jo vetëm në sistemin shëndetësor por edhe në respektimin e një hierakie ku zëri i specialistëve të fushave të ndryshme dëgjohet me shumë vëmendje dhe qëndron mbi çdo mendim apo opinion pesonal të drejtuesëve qëveritarë, e ku çdo qytetar padiksutim, i beson me bindje dhe zbaton me seriozitet gjithçka. E kundërta e asaj që lexoj çdo ditë për Shqipërinë, ku duket se u harrua shumë shpejt gjithçka, qytetarët thyejnë dita ditës të gjitha rregullat që mbrojnë jetën e gjithësecilit, nuk ka më distancim social, maska mbrojtëse në ambjentet e mbyllura dhe duket se tek ne nuk ka me luftë, e ky virus është thjeshtë larg gjithësecilit, ndërkohë numri rritet frikshëm dita-ditës. Edhe pse situata duket se po shkon drejt një normalizimi nuk duhet të harrojmë se kjo betejë nuk është fituar ende, prandaj është koha kur të gjithë sëbashku të dëshmojmë sesa mendojmë dhe se sa bëjmë për njëri-tjetrin.

KUSH JANË ÇIFTI I BASHKËSHORTËVE DR. NERTSA ÇUNOTI DHE DR.REZART QORRI

Dr.Nertsa Çunoti ka lindur në qytetin e Korçës më 23 Shkurt 1990. Në Korrik 2013 përfundoi  studimet e larta univeristare dhe u diplomua si studente e ekselencës  në Albanian University, Fakulteti i Shkencave Mjekësore, Dega Stomatologji. Zotëron shumë mirë gjuhën franceze, italiane, angleze dhe gjermane.

Pas diplomimit punoi si asistent-petagoge në Universitet në katedrën e Endodontisë dhe Pedodontisë. Rrugëtimi i Dr. Çunotit në Gjermani filloi prej vitit 2016 duke u përgatitur për provimet konvertuese të diplomës shqiptare në atë gjermane, të cilën e kurorëzoi me sukses në vitin 2018 duke u pajisur me licencën gjermane si mjeke Stomatologe. Që prej vitit 2019 është e angazhuar në një projekt kërkimor shkencor në Universitetin Teknik të Dresden-it (TUD), në Fakultetin e Mjeksisë “Carl Gustav Carus”.

Dr.Rezart Qorri ka lindur në Elbasan më 06.03.1986. Ka përfunduar studimet e larta në vitin 2009, në Universitetin Mjekësor të Tiranës, Fakulteti i Mjekësisë Dentare, i diplomuar me rezultate shumë të larta. Mbas diplomimit ka punuar rreth 3 vite në një klinikë Italo-Shqiptare ku e tërhoqi së tepërmin aspekti i kirurgjisë orale i cili u kthye në pasjon dhe në  punën e tij të përditëshme. Prej vitit 2014 ushtron profesionin në Gjermani si mjek stomatolog; Aktualisht ndjek vitin e fundit të specializimit për Kirurgjinë Orale në sptitalin rajonal “Heinrich-Braun-Krankenhaus” Zwickau/Sachsen në repartin e Oro-Maxillo-Facial-it (OMF) dhe është në ndjekje të  kurikulumit në fushën e implantologjisë. Paralelisht i angazhuar në dy projekte kërkimore shkencore në Universitetin Teknik të Dresden-it (TUD), në Fakultetin e Mjeksisë “Carl Gustav Carus” si dhe në klinikën universitare Leipzig, Fakulteti i Mjekesise- Katedra OMF. Është anëtar i Shoqatës së Mjekëve Shqiptar në Gjermani dhe Drejtues i Grupit të Punës së Stomatologëve Shqiptarë. Themelimi i këtij grupi ka per qëllim hapjen e rrugës, koordinimit të punës, bashkëpunimit, shkëmbimit të eksperiencës midis të gjithë mjekëve stomatologë në Gjermani e më gjerë.

Filed Under: Featured Tagged With: Dr. Nertsa Çunoti Dr. Rezart Qorri, Sokol Paja

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 228
  • 229
  • 230
  • 231
  • 232
  • …
  • 902
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • KUJTIME PER ITALIANIN DOM ANTONIO SHARRA
  • MASAKRA E TIVARIT MARS-PRILL 1945
  • Kuptimi i Pashkëve Ortodokse – midis ritualit dhe ringjalljes së ndërgjegjes
  • RIKTHIMI I MUSTAFA MAKSUTIT NË FAQET E HISTORISË
  • Shqipëria në politikën ballkanike të Austro-Hungarisë
  • Eliot Engel, in memoriam…
  • VATRA TELEGRAM NGUSHËLLIMI PËR NDARJEN NGA JETA TË ELIOT ENGEL, MIKUT TË MADH TË KOMBIT SHQIPTAR
  • Përkujtojmë në përvjetorin e lindjes një nga figurat e Rilindjes Kombëtare, Aleksandër Stavre Drenova
  • GËRSHËRA E ARGJENDTË
  • Përgjithmonë vetëm mirnjohës për Kongresmenin Eliot Engel
  • PËRKUJTIM PËR ELIOT ENGEL, NJË MIK I PAZENDËVËSUSHËM, ZËRI I SHQIPTARVE NË SHBA
  • Meditim para varrit të Faik Konicës
  • Bashkimi i Diasporës Shqiptare të Greqisë
  • “Fortifikimi ilir i Komlikut në Fregen dhe Ungrej të Lezhës (Mirdita Etnografike)”
  • “The Real Thing”: A Conversation with Luljeta Lleshanaku

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT