• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

VATRA E KA TË HAPUR KANALIN E KOMUNIKIMIT ME WASHINGTONIN ZYRTAR

June 7, 2020 by dgreca

Bisedë me z. Elmi Berisha, Kryetar i Federatës Pan Shqiptare të Amerikës”VATRA” me Gazeten NACIONAL/

NACIONAL: Prej Kuvendit të 19 janarit 2020, ju jeni kryetar i Federatës Pan shqiptare të Amerikës “VATRA”. Çdo të thotë kjo për Ju?

ELMI BERISHA: Mendoj se për mua është nder dhe përgjegjësi.Që nga Kuvendi i 19 Janarit unë kam pasur fatin dhe nderin që të zgjidhem unanimisht nga delegatët e kuvendit në krye të Vatrës. Për mua është më shumë një përgjegjësi dhe obligim i madh moral, profesional dhe kombëtar. Nuk mund ta fsheh edhe ndjenjën e kënaqësisë që po i prij Vatrës së Nolit dhe Konicës!

NACIONAL: Në vizionin Tuaj, cila do të jetë Vatra e mandatit të Kryetarit Elmi Berisha?

ELMI BERISHA: Mendoj se gjatë mandatit tim Vatra do ta çojë më tej atë çfarë ka bërë paraardhësi im me ekipin e tij dhe me të gjithë vatranët.
Ne luftojmë ta lartësojmë Vatrën në nivelin e kohës.Unë e kam e cilësuar në platformën konkuruse në Kuvendin e Janarit” Vatra e shekullit 21”, ç’ka do të thotë se detyra ime kryesore së bashku me bashkëpuntorët e mi është që rreth Vatrës të sjellim të rinj dhe të reja, të cilët me kulturën, vizionin, moshën, t’i prijnë vatrës së nesërme, dhe ta ngrenë atë në nivelin e Shekullit 21.Jam plot bindje e shpresë së Vatra do të fuqizohet me gjeneratat e shkolluara në Amerikë. Ato do të sjellin me vetë mënyrën e re të zhvillimit e lartësimit të Vatrës. Duke e pasur gjithmonë parasysh ruajtjen e substancës thelbësore të Vatrës siç është Çështja mbarëkombëtare, kujdesi për të drejtat e shqiptarve, kudo që jetojnë, kujdesi i vazhdueshëm për Shqipërinë dhe Kosovën, pa harruar bashkatdhetarët tanë që jetojnë në Maqedoni, Mal të Zi, Luginën e Preshevës-Bujanoc, çështjen Çame, dhe mbajtja e ruajtja e marrëdhënjeve në mes Shqiptarve dhe Amerikës.Dhe fundamentale është elabourimi i mëtejshëm i idesë filozofisë ideja dhe filozofija e të qenurit të djathtë, ide që është në themelet 108 vjeçare të Vatrës.Vatra beson vetëm tek kapitalizmi, nuk flirton me parti të majta që veprojnë në vendlindje sepse e ka të qartë se socilalizmi, që promovon e majta, qoftë edhe kur ndërron kostumin politik, apo ndryshon emrin, është një shpikje diktatoriale, që shtyp liritë themelore të qytetarëve.
Kjo nuk na pengon, që të mbështesim shtetet shqiptare. Vatra punon për të mirën e Kombit dhe askush nuk na ndalon që të mos kujdesem për Tiranën apo Prishtinën zyrtare, pavarsisht se kush është në pushtet!

NACIONAL: Edhe pse Kuvendi u pasua nga Pandemia,ç’ka ju mbylli hapsirat për veprimtari, si do të vijë rigjallërimi i Vatrës dhe si do të rritet autoriteti i saj në Diasporë?

ELMI BERISHA: Pas Kuvendit ne ia nisëm punës për të konkretizuar platformën e paraqitur para delegatëve. Shkuam në Departamentin e Shtetit me një ekip dhe prezantuam Vatrën dhe vizionin tonë për zhvillimet në rajonin e Ballkanit, për Shqipërinë dhe Kosovën, Malin e Zi e Maqedonin etj.Ne nisëm organizimin e veprimtarive edhe në selinë e Vatrës duke ftuar diplomatë dhe organizata të komunitetit.
Pandemia sigurisht që ende është një brengë globale që ka ndikuar edhe për Vatrën e vatranët. I jemi përshtatur kushteve të diktuara nga Koronavirusi, izolimit. Kemi udhëzuar edhe degët e Vatrës nëpër shtetet e ndryshme të Amerikës dhe Kanda që të komunikojnë dhe të mbajnë lidhje me vatranët e familjet e tyre. Vatra e konsideron veten si një familje të stërmadhe, ku lidhja shpirtërore me pjestarët e familjes përbën substancën e jetëgjatësisë të saj.Në këto kushte Gazeta “DIELLI”, zëri i Vatrës, gazeta që ka hyrë në dekadën e dytë të shekullit të dytë të jetës së saj(111 Vjet i mbushi me 15 Shkurt), ka luajtur një rol të veçantë në informimin e mbajtjen bashkë të vatranëve në tre muajët e izolimit, ka sjellë zërin e degëve të Vatrës, ka bashkuar shqiptarët jo vetëm në SHBA e Kanada, por edhe me vendlindjen e Mërgatën në Europë, Australi, kudo ku jetojnë shqiptarët. Ndjehem mirë që Dielli me Kryeredaktorin Dalip Greca, në këtë kohë të Pandemisë e kanë zgjeruar ekipin; gazetarë të ardhur në diasporë prej Vendlindjes, kanë gjetë veten në gazetën më të vjetër të Botës shqiptare, Diellin e Vatrës.
Duke qenë se qendra e Vatrës është e vendosur në New York, shteti më i prekur nga COVID-19, (me më shumë se 30 mijë të vdekur e mbi 382 mijë të infektuar) veprimtaritë tona janë zhvilluar përmes video-konferencave. E tillë ishte veprimtaria e Vatrës kushtuar përkujtimit të Revoltave të Spaçit dhe Qafë Barit.

NACIONAL: Në SHBA ka rënë forca lobuse e Shqiptarëve në Washington, çfarë ka menduar Vatra për ta rikthyer ndikimin shqiptar atje, ku “gatuhet” politika botërore?

ELMI BERISHA: Është e vërtetë që Shqiptarët kanë nevojë që sa me parë të riorganizohen dhe t’u ndjehet zëri në Washington. Ne duhet të rikthehemi dhe ta vazhdojmë rrugën që kemi pasur më herët, atë të influencimit në Washington.Unë personalisht e kam një eksperiencë në këtë fushë dhe i kam siguruar vatranët që gjatë mandatit tim do ta sjell Vatrën aty ku ishte, dhe aty ku e ka pasur vendin, që nga koheformimi i saj para 108 viteve. Energjia kryesore e Vatrës së shekullit 21 do përqëndrohet në Washington. Vatra është në proces të një projekti mbarëkombëtar ku së bashku me Tiranën dhe Prishtinën do t’i kanalizojmë prioritetet tona mbarëkmobëtare!
Vatra, fatmirsisht e ka të hapur kanalin e komunikimit me Washingtonin zyrtar.

NACIONAL: Si i ndjek Vatra zhvillimet në Shqipëri, Kosovë dhe Trojet e tjera etnike? Cili është ndikimi dhe autoriteti i saj. Si i ndjek Vatra zhvillimet në rajon?

ELMI BERISHA: Vatra në vazhdimësi i përcjell zhvillimet dhe situatën politike ditore në Shqipëri dhe Kosovë. Mundohemi të ruajmë dhe zhvillojm raporete të mira me institucionet atje. Gjithmonë kemi qenë përkrah zhvillimeve demokratike në Shqipëri dhe sigurisht të njëjtën gjë e kemi bërë edhe për Kosovën dhe viset e tjera ku jetojnë shqiptarët. Unë nuk mund të them që jemi të kënaqur me politikat e përgjithshme në Tiranë dhe Prishtinë, por siç e përmenda edhe më herët, jemi duke hartuar një projekt mbarkombëtar, që do të na afrojë më shumë me institucionet e vendit të oringjinës!
NACIONAL: Kënaqësi që biseduam.
ELMI BERISHA: Kënaqësia ishte imja. I uroj sukses gazetës NACIONAL!

Filed Under: Featured Tagged With: Elmi Berisha, Interviste, Nacional

FORCIMI I IMUNITETIT TE PACIENTËT E PREKUR NGA COVID-19

June 7, 2020 by Administrator

Dr. Adnan Popaj, Gjermani

Adnan Popaj, Nutricionist dhe Dietolog i angazhuar në mjekësi alternative në Frankfurt të Gjermanisë rrëfen situatën e shqiptarëve në Frankfurt dhe betejën e gjermanëve ndaj covid-19, në një intervistë ekskluzive për gazetën Dielli, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, New York, dhënë gazetarit Sokol PAJA.

KËRCËNIMI QË VJEN PREJ COVID-19 DHE FAZAT E ZHVILLIMIT

Pandemia e koronavirusit është ende në fazën aktive por me një intensitet më të dobët. Për deri sa nuk ka vaksinë kundër Covid-19, ekziston ende rrezikshmëria e përhapjes dhe rritja e vdekjes në botë. Në Gjermani masat mbrojtëse kundër Covid-19 janë lehtësuar dukshëm por disa prej tyre, si p.sh detyrimi i mbajtjes së maskave higjienike të gojës, vazhdojnë të jenë ende. Lufta kundër pandemisë Covid-19 nuk ka përfunduar. Rreziku mund të vijë në vjeshtë dhe në dimër kur në këtë kohë paraqiten edhe gripat sezonale. Sigurisht që do të ketë edhe një valë të dytë, por sa do të ketë pasoja në njerëz me letalitet varet nga masat mbrojtëse të cilat merren nga institucionet shëndetësore nga vendet e ndryshme të botës. Nga përvoja e deri tashmë e masave mbrojtëse dhe nga përvoja e trajtimeve mjekësore të institucioneve të ndryshme shëndetësore kundër koronavirusit, jam shumë optimist se vala e dytë e infektimit me Covid- 19 nuk do të ketë pasoja të mëdha në njerëz.

VËSHTIRËSI PËR GJETJEN E VAKSINËS

Për të bërë vaksinën janë procedurat e zbulimit të vaksinës dhe testimit shumë të komplikuara dhe që marrin shumë kohë. Zakonisht për të zbuluar një vaksinë duhet kohë prej 2 deri 5 vite. Gjithashtu duhen mjete financiare të mëdha për të ardhur deri te gjetja e vaksinës. Aktualisht është duke u bërë një betejë e madhe tek gjigantët farmaceutik në Gjermani për ta zbuluar vaksinën kundër koronavirusit. Po ashtu është duke u zhvilluar një konkurencë e madhe në mes të shteteve të ndryshme. Amerika dhe disa shtete më të zhvilluara të Evropës janë duke ndarë mjete të mëdha financiare për ta gjetur vaksinën kundër covid-19. Duke marrë parasysh të gjitha këto përpjekje të mëdha për zbulimin e vaksinës kundër Covid-19 unë e parashikoj të ketë vaksinë kundër koronavirusit deri në fund të këtij viti. Por sfida tjetër e madhe do të jetë të vaksinohet numri aq i madh i popullsisë në të gjithë botën për një kohë të shpejtë. Edhe për këtë duhen mjete shumë të mëdha financiare dhe një infrastrukturë shumë të përsosur.

INFORMACION KONTRADIKTOR RRETH COVID-19

Diskutimet rreth pandemisë së koronavirusit kanë qenë shumë të mëdha dhe disa herë edhe kundërthënëse, jo vetem tek popullsia dhe në politikë por edhe tek ekspertët mjekësor. Informatat rreth koronavirusit Covid-19 kanë qenë shpesh edhe kontradiktore. Kjo është verejtur edhe në masat mbrojtëse që janë ndërmarrë kundër pandemisë Covid-19 nga shtetet e ndryshme të botës. Vendimet dhe masat mbrojtëse kundër pandemisë në aspektin global kanë qenë shumë të ndryshme. Disa shtete kanë marr masa mbrojtëse shumë ekstreme dhe disa shtete kanë marrë masa mbrojtëse shumë të lehta dhe me shumë vonesë. Dhe kjo ka ndikuar të përhapja e shpejtë e koronavirusit. Për shumë  udhëheqës shtetesh masat mbrojtëse kanë qenë vendime shumë të vështira, sepse në një anë ka qenë me rëndësi të mbrohet popullata nga pandemia e covid-19, dhe në anën tjetër të mos i shkaktohen dëme të mëdha ekonomisë. Në qoftë se ju referohemi numrit të vdekjeve në botë nga faktorët tjerë, si p.sh. nga vdekshmëria e sëmundjeve tjera infektive dhe sëmundjeve që shkaktohen si pasoj e ndotjes së ajrit, atëherë e shohim se vdekshmëria nga Covid-19 në krahasim me vdekshmëritë tjera, sidomos në Gjermani, deri me tash është e ulët. 

SITUATA E COVID-19 NË GJERMANI DHE E ARDHMJA

Gjermania në krahasim me vendet tjera e ka menaxhuar pandeminë deri tash me shumë sukses. Masat të cilat janë dhanë nga institutet shëndetësore këtu në Gjermani janë zbatuar shumë me kujdes nga popullsia. Populli Gjerman është i njohur për disiplinë dhe kjo ka ndikuar më së shumti për numrin deri më tash të ulët të covid-19 vdekshmërisë në krahasim me disa vende tjera. Në këtë numër të ulët ka ndikuar pa dyshim edhe sistemi i mirë i shëndetësiseë këtu në Gjermani. 

SHQIPTARËT NË FRANKFURT

Në zonën e Frankfurtit këtu në Gjermani ku jetoj unë ka shumë shqiptar nga të gjitha trevat shqiptare. Për fat të mirë në këtu nuk kemi pasur raste me pasoja të rënda me fatalitet nga infektimi me Covid-19. Në çdo kontakt me shiptarët këtu në Gjermani kam përcjellë këshilla si ta ruajmë qetësinë të mos kemi panik dhe ankth të tepruar, por të jemi të kujdeshëm. Gjithashtu jam munduar të jap këshilla se si ta forcojmë imunitetin dhe këshilla për masa tjera preventive dhe higjienike kundër Covid-19. 

MESAZHI PËR LEXUESIT E DIELLIT DHE DIASPORËN SHQIPTARE NË USA

E përshendes gjithë diasporën shqiptare në Amerikë dhe e porosis të jenë të kujdesshëm por jo të kenë ankth të tepruar. Ankthi i tepruar dhe paniku e dobësojnë imunitetin në masë të madhe. Konsumoni sa më shumë ushqime të shëndosha më përmbajtje të lartë të vitaminave, konsumoni më shumë fruta dhe perime. Edhe marrja në mënyrë preventive e disa vitaminave dhe mineraleve (Vitamin C, Zink, Selen, Vitamin D3, Koenzima Q10 etj.) ndikon në forcimin e imunitetit dhe na mbron nga sëmundjet e ndryshme. (Publikoi:Gazeta Dielli www.gazetadielli.com)

Filed Under: Featured Tagged With: Dr. Adnan Popaj, Forcimi i Imunitetit

MIRDITORËT NË KRYENGRITJEN E VITIT 1912 NË DOKUMENTET DIPLOMATIKE ITALIANE

June 6, 2020 by dgreca

Shkruan: Dr. Paulin MARKU / Studiues/*

Në dokumentet diplomatike të Ministrisë së Jashtme të Italisë përshkruhet situata e trazuar në viset shqiptare. Një vend të rëndësishëm zënë dhe qendrimi i mirditorëve me në krye Preng Bib Dodën në lëvizjen e vitit 1912.

Në fillim të vitit 1912 situata në Verilindje të Shqipërisë ishte e tensionuar dhe gjasat për përmirësimin ishin të pakta. Dhe pse Perandoria Osmane përpiqej me forma të ndryshme të shuante konfliktet që vijonin të përshkallëzoheshin çdo ditë e ma tepër, kryesisht në vilajetin e Kosovës dhe të Shkodrës. Diplomacitë evropiane ishin njohur me gjendjen në Shqipëri dhe dënonin aktet e dhunshme por gjithmonë mbështesnin ruajtjen e Status-Quosë. Ata kishin informacione të bollshme rreth gjendjes që mbizotëronte ndër shqiptarët dhe për pakënaqësitë e tyre ndaj autoriteteve të Portës së Lartë. Nga ana tjetër krerët shqiptar po organizoheshin për shpërthimin e kryengritjes dhe synonin të grumbullonin sa më shumë armatime për të përballuar kryengritjen, e cila ishte planifikuar të shpërthente në pranverën e vitit 1912, fillimisht në  Kosovë, pastaj të shtrihej në vilajetin e Shkodrës dhe më gjerë në trojet tjera shqiptare. Në librin e kujtimeve Hile Mosi shkruante “vjen prap pranvera e prap në male na qet” dhe shqiptari nuk heq dorë së synuari autonominë e vendit të tij. Malësia e Mbishkodrës ishte e gatshme të bashkohet në kryengritje të përgjithshme, edhe pse mbreti Nikolla i Malit të Zi u kishte bërë thirrje malësorëve se ata nuk duhet të përfshihen në luftime antiosmane. Sipas dokumentave diplomatike italiane Mbreti malazez i kishte kërcënuar se nëse malësorët do të bashkohen me mirditorët në luftime antiosmane, Mali i Zi do të mbyllte kufijtë dhe nuk do të lejonte strehimin apo shërimin e shqiptarëve.

Mirditorët kishin shprehur gadishmëri për t’u ngritur në kryengritje, të cilët synonin të përfshijnë në lëvizjet e tyre edhe trevat e Matit, Lezhës, Kurbinit, Malesisë së Madhe dhe me gjerë. Në relacionet e konsujve italiane pohohet edhe qëndrimi i krerëve të Mirditës. Disa krerë të Mirditës kishin shkuar për të biseduar me malësorët e Shkodrës për t’u ngritur në një kryengritje të përbashkët. Aty thuhet se mirditorët janë të gatshëm të sulmojnë garnizonet dhe karvanet e ushtrisë Osmane për të rrëmbyer armë dhe municione. Në telegramin e konsullit italian në Korfuz, Labia pohonte për ministrin e P. të Jashtëm të Italisë, San Giuliano si më poshtë: “situata në vilajetin e Shkodrës pritet e frikshme në pranverë të vitit 1912.

Mirditorët janë të gatshëm dhe të mirëorganizuar për kryengritje. Në vazhdim të raportit Labia shtonte se malsorët e këtij vilajeti nuk i bindën autoriteve Osmane administrative, rendi publik është në rrezik të madh. Ndër dokumentat diplomatike Italiane relatohet edhe qëndrimi i mirditorëve në kryengritjen e vitit 1912, antiosmane. Në relacionin e dërguar nga konsulli i Italisë në Shkodër, Manchinelli Scotti për Ministrinë e P. të Jashtme Italiane pohohet edhe qëndrimi i Preng Bib Dodës për pjesëmarrje në kryengritje dhe angazhimi i tij për të organizuar disa krahina veriore shqiptare.

Ndër disa raporte sekrete të konsullit italian Schotti për ministrit San Giulianno gjendet edhe deklarata e Preng Pashës: nese populli shqiptar do të jetë i bashkuar, padyshim do të ia dalim të arrijmë Pavarësinë e Shqipërisë. Në dokumente diplomatike relatohet edhe dorëheqja e Preng Pashës nga çdo funksion ushtarak. Në dokument pohohet se dorëheqja e tij është me vullnet të lirë për t’iu bashkuar dhe organizuar mirditorët në një levizje antiosmane.

Valiu i Shkodrës, Hairi Pasha provoi të bente disa tentativa për të ftuar në bisedime princin e Mirditës por Preng Pasha nuk pranoi asnjë kompromis. Ndër relacione diplomatike pohohet se Valiu i Shkodrës i kërkoi ndihmë edhe konsullit Austro-Hungarez në Shkodër që të ndërmjetësonte princin e Mirditës për një Paqe të mundshme por armëpushimi mes mirditorëve dhe forcave të shumta osmane zgjati vetëm 5 ditë. Kështu, shpërthimi i kryengritjes së vitit 1912, e iniciuar në Verilindje të Shqipërisë udhëhiqej nga disa krerë shqiptarë, ku një prej tyre ishte edhe princi Preng Bib Doda. Kryengritjet e njëpasnjëshme dhe shpërthimi i kryengritjes së përgjithshme të vitit 1912 ishte nje prelud për të arritur shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë.  

*Studiuesi Dr. Paulin Marku eshte anetar i Keshillit te Vatres

Filed Under: Featured Tagged With: Dokumentet Italiane, Dr. Paulin Marku, Kryengritja e Viti 1912, Mirditoret

GJYQI SPECIAL DHE KRIMET E KOMUNIZMIT

June 6, 2020 by dgreca

KRIMET E KOMUNIZMIT FILLUAN QË GJATË LUFTËS DHE U LIGJËRUAN ME GJYQIN SPECIAL 1945/

(Me rastin e 75-vjetorit të Gjyqit Special mars-prill 1945)/

Shkruan: Thanas L. Gjika/

Gjatë këtij mars-prilli u mbushën 75 vjet nga koha kur u organizua Gjyqi Special i 60 intelektualëve shqiptarë prej komunistëve që sapo kishte ardhur në pushtet. Ky përvjetor kaloi me dy shkrime te websitet kujto.al dhe radiandradi.com. Miku im, i palodhshmi 91-vjeçar, Lek Pervizi – botuesi i revistës internetike Kuq e Zi, – më dërgoi për lexim kryeartikullin e tij të numërit që do të nxjerrë tani në qershor, ku përkujton disa ngjarje të Gjyqit Special dhe të internimeve. Ai më shprehu mërzinë e tij pse sivjet u shkrua shumë pak për këtë ngjarje shumë domethënëse për karakterin e diktaturës që u instalua në Shqipëri pas mbarimit të L2B. U ndjeva i turpëruar, sepse këtij gjyqi nuk i kisha kushtuar ndonjë shkrim. Hyra në Google ku gjeta shkrime e kujtime interesante të publikuar prej të dënuarve si Lazër Radi, prej vetë Lekës vëllai i të dënuarit Valentin Pervizi, prej studiuesve Çelo Hoxha e Kastriot Dervishi, prej gazetarit Kliton Nesturi, prej zonjës Rita Koka, vajza e kolonelit Sami Koka dhe prej Bedri Spahiut, Prokurorit të këtij gjyqi. Pasi lexova dhe dy faqe të gazetës Bashkimi të datës 14 prill 1945 vendosa të shkruaj këtë artikull të shkurtër për ta vlerësuar këtë ngjarje si një nga krimet e hershme të diktaturës komuniste shqiptare, pra ndryshe nga historianët zyrtarë të derisotëm.

* * *

         Një qytetar që do të jetë i ndershëm me veten dhe shoqërinë, pasi ka lexuar e dëgjuar për shumë nga krimet e kohës së diktaturës komuniste, nuk ka si të mos i dënojë ato krime dhe vetë sistemin që i krijoi edhe pse në atë kohë mund të ketë qenë i manipuluar, gojëmbyllur dhe i pajtuar me sistemin, si kisha qenë dhe unë. Puna është se deri ku shkojmë në këtë qëndrim të ri kritik.

         Qëndrimi që mbajmë ndaj krimeve të komunizmit është treguesi kryesor që dëshmon nëse mendësia jonë është vërtet demokratike, kur i dënojmë të gjitha krimet që në fillimet e tyre; apo është një mendësi gjysëm demokratike, kur dënojmë vetëm një pjesë të tyre.

         Shumë prej intelektualëve, që morën formim në shkollat e kohës së diktaturës komuniste kanë evoluar lidhur me dënimin e sistemit diktatorial komunist, por për fat të keq shumica e tyre kanë mbetur në mes të rrugës. Them, kanë mbetur në mes të rrugës, sepse ata kanë pranuar dhe i dënojnë si krime të atij regjimi vetëm krimet që kreu diktatori Hoxha mbas shkëputjes nga miqësia me Bashkimin Sovjetik, kur ai për të mbajtur pushtetin dha dënime të rinj duke shpallur “tradhëtarë dhe armiq të partisë e të popullit” edhe bashkëpunëtorë të tij si: Koço Tashkon, Liri Belishovën, Teme Sejkon, etj. Mirëpo shumë intelektualë nuk e kuptojnë se vendimi sekret i dënimit të njerëzve që rrezikonin pushtetin e udhëheqësit të partisë u formulua e u zbatua menjëherë pas formimit të Partisë Komuniste Shqiptare. Në zbatim të këtij vendimi kanë qenë spiunimi i Qemal Stafës (5 maj 1942); vrasjet mbas shpine të partizanëve si Memo Meto, Xhemil Çakërri, Hydajet Micolli, Mynyr Xhindi, Raqi Qirinxhi, etj, që nuk u bindeshin qorrazi urdhrave të eprorëve. Ky vendim vijoi të zbatohej deri te vrasja e Kryeministrit Mehmet Shehu, Ministrave Beqir Balluku, Abdyl Këllezi, Kadri Hazbiu, etj.

         Krimet e PKSh /PPSh-së janë një zinxhir i pashkëputur që nga krijimi i saj e deri te kapitullimi i regjimit komunist, kur u pushkatuan poetët Vilson Blloshmi e Genc Leka; kur u var poeti Havzi Nelaj; kur u vranë në kufi djemtë që donin të kalonin kufirin pasi ky veprim ishte shpallur prej Kuvendit Popullor si veprim që s’përbënte krim dhe nuk duhej dënuar; kur u dënuan të rinjtë që rrëzuan bustet e Stalinit e të Enverit, dhe së fundi u vranë demokratët e parë më 2 prill 1991 në Shkodër.

         Për të gjykuar karakterin terrorist të PKSh-së nuk duhet të na ngatërrojë fakti se djemtë e rinj që “dolën malit” ishin djem e vajza idealistë shumë prej të cilëve dhanë jetën për lirinë e atdheut. Karakteri terrorist i PKSh-së ka ekzistuar që gjatë luftës në udhëheqjen e lartë të kësaj partie dhe jo në anëtarët e thjeshtë të saj, të cilët ishin idealistë romantikë e naivë politikë. Askush nuk e mohon Luftën Antifashiste që kreu populli ynë kundër pushtuesve të huaj fashistë e nazistë si një luftë të drejtë që ka qenë e është një veprim që e nderon popullin shqiptar. Po ashtu gjaku i dëshmorëve që ranë për liri është i shenjtë për të gjithë shqiptarët. Mirëpo vlerësimi i këtyre dukurive ka qenë i politizuar gjatë viteve të diktaturës komuniste dhe gjatë tranzicionit. Them, edhe gjatë kohës së tranzicionit, sepse historianët që hartuan “Historinë e Shqipërisë” të vitit 2009, dhe “Fjalorin Enciklopedik Shqiptar” (2008-2009) botime të Akademisë së Shkencave të RSh, nuk kanë bërë si duhet rishikimin e shumë nocioneve dhe vlerësimin e ngjarjeve që kanë marrë në analizë. Në këto botime Lufta Antifashiste e popullit tonë vijon të paraqitet si vepër e PKSh-së dhe nuk përmendet fakti se përveç Mujo Ulqinakut u vranë më 7 prill 1939 dhe 14 dëshmorë të tjerë (9 në Durrës, 1 në Sarandë, 1 në Shkodër, 1 në Vlorë dhe 1 në Berat). Po ashtu mohoen luftimet e para kundër pushtuesve italianë që i kryen forcat e ushtrisë mbretërore dhe i vijuan nacionalistët para formimit të PKSh-së. Më tej këto forca e vijuan luftën antifashiste bashkë me forcat partizane komuniste, me të cilat shkuan bashkë në Konferencën e Pezës (16 shtator 1942) dhe në Mbledhjen e Mukjes (2-3 gusht 1943).

         Për ta kuptuar më qartë karakterin vrastar kriminal të udhëheqjes së PKSh / PPSh-së duhet të kemi parasysh faktin se kjo parti komuniste nuk u krijua si pasojë e zhvillimit të brendshëm të lëvizjes komuniste shqiptare, si ishin krijuar partitë e popujve të tjerë të Europës Lindore. PKSh-ja u formua prej të dërguarve të Partisë Komuniste Jugosllave, të cilët i imponuan partisë sonë një politikë që t’i shërbente së pari interesave dhe synimeve të PKJ-së dhe pastaj interesave të popullit shqiptar. Strategjia e fshehtë ka qenë që të punohej pa u shpallur botërisht për t’i kthyer Jugosllavisë territoret që ia kishte dhënë Shqipërisë Gjermania Naziste në korrik-gusht 1941 pasi ushtria gjermane theu armatën jugosllave dhe e shpërbëri atë shtet.

         Këtu e kanë burimin krimet e para të PKSh-së si:

         Mosmbajtja zi për dëshmorët e rënë në Luftën Antifashiste që nga 7 prilli deri më 7 nëntor 1941. Fakt që tregon se kjo parti e mohonte gjakun e dëshmorëve të rënë për liri para themelimit të saj.

         Mospërmendja e fjalëve “Shqipëri etnike” dhe “Kosovë” në procesverbalin e mbledhjes së themelimit të PKSh-së. Fakt që zbulon se PKSh-ja nuk do ta njihte Shqipërinë etnike dhe nuk do ta shtrinte aktivitetin e vet organizativ, politik dhe ushtarak jashtë territorit të Shqipërisë Londineze.

         Mospërmendja në atë procesverbal e fatit të territoreve shqiptare dhe të popullsisë shqiptare që i ishin bashkuar Shqipërisë mbas korrikut 1941 zbulon faktin se PKSh-ja ishte një parti vasale e PKJ-së dhe se do t’i shërbente interesave të shtetit jugosllav.

         Mohimi i Marrëveshjes së Mukjes (2-3 gusht 1943) me ndërhyrjen e Miladin Popoviçit sepse aty ishte formuluar kërkesa për luftë të armatosur kundër pushtuesve të huaj dhe për ruajtjen e Shqipërisë etnike. Edhe ky fakt zbulon karakterin e varur të PKSh-së nga PKJ-ja.  

         Krimet e komunizmit duhet të kapen e të dënohen që në fillimet e veta. Krime terroriste meritojnë të quhen të gjithë aksionet e atentatorëve të forcave guerile që vrisnin pa gjyq nëpunës ose intelektualë sipas urdhrave që u jepte qarkori i PKSh-së.

         Një krim tjetër i PKSh/ PPSh-së ka qenë dhe propaganda trushpëlarëse, që u përdor si pjesë e terrorit për ta trembur popullin dhe për ta mbajtur të nënshtruar, me synimin që të krijonte “njeriun e ri”, “çnjeriun” si e quajti Ismail Kadareja, që banorët e Shqipërisë të mos mendonin me kokën e vet, por të vepronin si robotë të bindur ndaj urdhërave të partisë.

         Në serinë e krimeve të PKSh-së, nuk ka pse të mos cilësohet si i tillë dhe Gjyqi Special i mars-prillit 1945, i cili u sajua për të krijuar idenë se PKSh-ja pasi erdhi në pushtet u dha fund vrasjeve pa gjyq. Mirëpo ky gjyq dhe gjyqet e tjerë që u zhvilluan me urdhër të udhëheqjes së PKSh/ PPSh-së për kundërshtarët e regjimit, ose ata që mendoheshin si kundërshtarë të tij, ishin gjyqe me dëshmitarë të rremë. Në këto gjyqe, si ka thënë pas lirimit nga internimi Bedri Spahiu, ish-Prokurori i Përgjithshëm i Shqipërisë, rolin e gjykatësit dhe atë të prokurorit, i kryente udhëheqësi i partisë shtet.

         Studiuesi Çelo Hoxha ka vënë në dukje se pasi u arrestuan në dhjetor 1944, 60 intelektualë shqiptarë pa asnjë fletë arresti a vendim gjykate, në gazetën “Bashkimi” filloi fushata propagandistike e partisë me parullat “Armiqtë e popullit i pret plumbi”, “Tradhëtarët në litar”, etj. Pra partia në pushtet nxiste përmes propagandës një frymë hakmarrëse ndaj të arrestuarve para se të krijonte seancat gjyqësore. Kjo fushatë të kujton vitet ’70 të shek. XX, kur Enver Hoxha pasi i arrestonte të quajturit “grupe armiqësorë” në kulturë, ushtri dhe ekonomi, kërkonte që gjithë punonjësit e Shqipërisë t’i dënonin pjesëtarët e këtyre grupeve nëpër mbledhje pa treguar prova e fakte (se prova e fakte nuk ekzistonin) dhe para se të jepeshin dënimet prej gjyqeve përkatës.

         Në vitin 1945, në Shqipëri nuk kishte as Gjykatë e as Prokurori, por me vendim të Presidiumit të Kuvendit Popullor u ngarkua si kryetar i procesit gjyqësor të jashtëzakonshëm Gjeneral Leitenant Koçi Xoxe dhe si Prokuror Bedri Spahiu. Me përjashtim të Halim Budos dhe Gaqo Floqit, që ishin gjyqtarë, të shtatë anëtarët e tjetë të së quajturës “Gjykata Speciale e Tiranës” që zhvilloi Gjyqin Special, bashkë me kryetarin dhe prokurorin, nuk kishin diploma të larta dhe as njohuri juridike.

         Prokurori i akuzoi të arrestuarit “Kuislingë” pa ditur se të arrestuarit nuk kishin kryer asnjë veprim të ngjashëm me veprimin e Kuislingut të Norvegjisë. Ai i shpalli të 60 intelektualët e arrestuar “tradhëtarë të kombit” kur asnjëri prej tyre nuk kishte bërë ndonjë tradhëti.

         U shpall tradhëtar Bahri Omari, kunati i Enver Hoxhës, njeriu që ishte kujdesur për rritjen dhe edukimin e këtij kunati dhe e kishte strehuar gjatë luftës. Në grupin e këtyre “tradhëtarëve” ishin dhe Aqif Përmeti e Kol Tromara miq e bashkëpunëtorë të Bahri Omarit që në vitin 1915 në mërgim. Aqif Përmeti kishte qenë komandanti i trupave vullnetare që dërgoi Federata PanShqiptare Vatra për të luftuar më 1920 kundër pushtuesve italianë. Kurse Kol Tromara në fjalën e tij të fundit, i tha prokurorit: “Ju keni plan të na vrisni. Por duhet ta dini se ne kemi punuar si patriotë për Shqipërinë dhe patriotë si ne do t’i duhen Shqipërisë, por nuk do t’i gjeni më”.

         E si mund të quhej “tradhëtar e kuisling” Valentin Pervizi, njeriu që kishte mbaruar Akademinë Ushtarak në Itali dhe ishte kthyer në fund të vitit 1944 gjithë ëndrra për t’i shërbyer atdheut, por që ende nuk kishte filluar asnjë aktivitet. Po kështu nuk mund të pranohet ky epitet për gazetarin e talentuar Gjergj Bubani, që kishte rrezikuar aq shumë me shkrimet e tij për mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve të Kosovës. Kurse si drejtor i Radio Tiranës më 7 prill ai i kishte bërë thirrje popullit për luftë kundër pushtimit italian. Ish-komunistja Kaliopi Prifti, që kishte punuar në Radio Tirana, gjatë vitit 1943, doli në gjyq si dëshmitare dhe tha se drejtori Gjergj Bubani e dinte ekzistencën e celulës së PKSh-në në institucionin e Radios dhe nuk e denoncoi. Por, si tregon gazetari Kliton Nesturi, deponimi i kësaj komunisteje nuk u mor parasysh. Ky intelektual u dënua jo se kishte bërë ndonjë krim a tradhëti ndaj popullit shqiptar, por sepse kishte mbrojtur të drejtat e shqiptarëve të Kosovës ndaj shtypjes jugosllave dhe dënimin e tij e kërkuan emisarët e Titos. Mirëpo antijugosllavi Gjergj Bubani nuk u lirua nga burgu as kur Enver Hoxha u prish me Titon dhe u lidh me Stalinin, sepse diktatori Hoxha nuk mund të pranonte se kishte gabuar në dënimet që dha me anë të Gjyqit Special më 1945, ashtu si nuk pranoi kurrë se bëri ndonjë gabim si drejtues i partisë.

         Në kuadrin e 75-vjetorit të Gjyqit Special, shkrimtari dhe gazetari Jozef Radi e pasuroi në website-in e tij radiandradi.com duke shkruar për demostratën e parë antikomuniste të janarit 1945, organizuar prej 30 bashkëshorteve të atyre që ishin arrestuar pa vendim gjyqi. Këto gra të kapura dorë për dore ecën nga fundi i bulevardit të Tiranës (pranë burgut të ri) drejt qendrës, duke thirrur: “Burrat tanë janë të pafajshëm”!, “Lironi burrat tanë”!. Turmën e tyre e sulmoi një togë partizanësh, e cila arrestoi dy prej tyre, kurse të tjerat u larguan duke u fshehur nëpër shtëpitë tiranase. Midis këtyr grave demostruese ishin dhe Gjyslyme Leka dhe Vitore Radi, dy ish-nxënëse të Institutit Nëna Mbretëreshë, bashkënxënëse me Nexhmie Hoxhën (Xhunglini) dhe Fiqiret Shehun (Sanxhaktari).

         Zonja Roza Koka, vajza e kolonelit Sami Koka, komandant i Xhandarmërisë Shqiptare gjatë pushtimit, njeriut që detyroi qeverinë shqiptare në shtator 1943 (pas kapitullimit të Italisë Fashiste) që t’u lidhte pension patriotik 13 dëshmorëve të rënë më 7 prill 1939, ka treguar akuzën që Bedri Spahiu i bëri babait të saj: “E dimë që ke punuar me drejtësi dhe se je njeri i ndrershëm, por nuk ta falim që nuk erdhe me ne”!  Pra Sami Koka u dënua me pushkatim jo se kishte kryer ndonjë krim, por sepse nuk kishte shkuar të luftonte krahas forcave partizane. Ky dënim kriminal të kujton aktin kriminal të Mehmet Shehu gjatë vitit 1943 kur pushkatoi pa gjyq 65 ballistëve lushnjarë të kapur rob, sepse këta nuk pranuan të bashkoheshin me Brigadën e Parë, po kërkuan të shkonin në shtëpitë e tyre.

         Gjyqit Special të mars-prillit 1945 ia ka bërë vlerësimin vetë prokurori i tij, Bedri Spahiu, i cili në gazetën “Republika” qershor 1991, shkroi: “Duke kujtuar këto 46 vjet terrori, mizorie dhe mjerimi që ka kaluar populli im, mua më vjen turp që kam qenë prokuror i atij Gjyqi Special”. Pra ky dhënës i dënimeve ka pranuar se ai gjyq ishte një farsë e turpshme, një krim i shëmtuar. 

         Pas këtij denoncimi të Bedri Spahiut të vjen çudi se si qeveritë e tranzicionit dhe autorët e Historisë së Shqipërisë dhe të FESh-it të pas vitit 2000, nuk e kanë cilësuar dhe dënuar këtë gjyq si një ndër krimet e diktaturës komuniste.

         Thelbësore në procesin e zhvillimit moral e shpirtëror të popullit tonë është të kuptojmë se pa dënuar krimet e komunizmit nuk mund të ecet përpara. Nuk ka ecje përpara sepse ndërgjegja e popullit tonë nuk gjen qetësi pa u dënuar ato krime. Dënimi i krimeve të komunizmit është një proces që ndihmon në pastrimin tonë. Dhe këtë pastrim shpirtëror e moral që sjell forcimin e unitetit tonë kombëtar duhet ta krijojmë vetë ne shqiptarët duke i dënuar të gjithë krimet e komnizmit, deuke i vlerësuar si meritojnë të përndjekurit e ndërgjegjes, pa pritur që këtë katarsë të na e bëjnë miqtë e huaj…

Filed Under: Featured Tagged With: Gjyqi Special, Thaas L. Gjika

100 VJET NGA LUFTA E VLORES- BANDA KOMBETARE DHE TRUPAT VULLNETARE TE VATRES ISHIN NE VLORE…

June 5, 2020 by dgreca

….DHE…PËR NJË TRIM NË HISTORI…PORTRET PER LUFTETARIN PATRIOT MEHMET BEQAJ…/

Ne Shqipërisë Shkruan qe nga Mars 1920 fresh 200 Trupa Vullnetare te Vatres…

– Sjellim në vëmendje: Në Luftën e Vlorës morën pjesë edhe Trupat Vullnetare të Vatërs dhe Banda Muzikore ”VATRA”…Muzikën e Hymnit të Luftës së Vlorës e ka kompozuar dirigjenti i Bandës së Vatrës, Profesor  Thoma Nasi…                              

Kjo ishte xhaketa e Trupave te Vatres…

Nga  IDAJET JAHAJ, Vlorë/

     Një dialog: –  Na folë pak për luftën,- e pyetën Mehmetin./

                        –  Për cilën luftë?- iu përgjigj ai, me buzëqeshjen karakteristike./

                        A nuk ka diçka homerike në këtë deponim ?/

Mjafton kaq për të kuptuar epicitetin e atij trimi. Dhe të gjithë trimave të tjerë të epopeve të lirisë. Ishte Mehmet Beqaj nga Vranishti. Ai kishte jetuar në fundin e shekullit të 19-të dhe gjatë gjithë shekullit XX (1885 – 1973). Rrojti 88 vjeç.

Kapela e Trupavave te Vatres…

    Është kollaj në përshkrimet letrare  të thuash për një figurë “rrojti”. Por është vështirë ta përshkruash  jëtën e kësaj luftëtarit të lirisë , të një luftëtari të stuhishëm për atdhe, për më se tre çerek shekulli. I tillë ishte Mehemt Beqaj nga Vranishti. Sigiruisht, në jetën e tij  të gjatë ai shkëlqeu me pjesëmarrjen në sa e sa luftime të kohëve për çështjen e lirisë, që në rininë e tij. Nga viti 1900 deri nga vitet 40-të të shek. XX. Pra, afër gjysmëshekulli sakrifica e përkushtime. E jo vetëm me pushkë, por edhe me fjalë, me kushtrime, me filozofinë e atdhetarit.

    Shkëlqeu përkrah trimave e kapedanëve të tjerë të Vranishtit e të Lumit të Vlorës, krah Sali Vranishtit, Azem Sulos, Pasho Ramadanit e të tjerëve. Dhe Vranishti, si kudo në Labëri, ka nxjerrë shumë kapedanë të tillë të lirisë së Mëmëdheut.

Mund të shkruash shumë e shumë për këtë trim, por vetëm disa kulme të veprimtarisë së tij japin imazhin e këtij veterani patriot. 

Nga kronika e veprimtarive në beteja

    Lindi në vitin 1880. Eposi dritëzues i Rilindësve i kishte shtrirë rrezet edhe në Labëri, edhe në Vranisht. Në këtë fshat, më 1878,  kishte bujtur Abdyl Frashëri e kishte qëndruar disa ditë mes këtij populli atdhedashës. Drita e këtij burri i kishte përçuar rrezet e tij edhe tek brezat e mëpasmë, nëpërmjet kujtimeve të veteranëve. Kështu edhe Mehmeti, kishte dëgjuar për ‘të dhe në zemër i ishte skalitur harta e Mëmëdheut, për të cilin Abdyli i madh kishte shkrirë jetën.

    Kishte dëgjuar se turqit kishin torturuar disa nga burrat e fshatit të tij. Zemra e djaloshit hovte për veprime atdhetare, për të shkrepur armë mbi pushtuesit.

    Që më 1900 Mehmeti u lidh me lëvizjen e “komitave” të maleve, praktikisht me firarët që ngjiteshin  majave  të Çikës për të sulmuar armikun e për të mos u kapur prej tyre.  Më pas mori pjesë në radhët e çetës së Sali Vranishtit,  çetë që u bë e famshme kundër zaptijeve turke. Luftimet e kësaj çete u bënë epope lirie. Mehmeti ndoqi Saliun në ndeshjen me xhandarët turq në Buzujk. Po ashtu  në përballjen me filogrekun Thimio Loli në Delvinë.

       Në vitin 1908 ai pa dhe njohu nga afër Ismail Qemalin, i cili erdhi në Vranisht, te Pasho Ramadani e Veli Duka, ku qëndroi një javë. Pa dritën e burrit të flamurit, që do ta shpëtonte Shqipërinë nga kthetrat e të huajve. Dëgjoi edhe fjalët e tij për çetat, lirinë, Shqipërinë, unitetin, shkollat, abetaret…

    Pas shpalljes së pavarësisë Mehmetit e shokëve do t’i dilnin detyra të tjera. Duhesh ruajtur shteti i ri, shteti i shqipeve. Mehmeti nuk i ndahej çetës së Saliut. Serbët ishin afruar në veri e Mehmeti me të tjerët shkuan kundër tyre deri në Dibër e i përzunë prej andej. Pastaj ata u kthyen kundër invadorëve të Jugut, grekërve, të cilët mësynë Brgedetin tonë. Pas shumë pritash e sulmesh i zhdukën edhe palikarët e Megali-idhesë greke  nga vendi ynë. Bandat e Spiro Milos panë lemeri nga pushka e zotërve të këtij vendi.

    Gjatë viteve 1913 e 14  Mehmeti luftoi bashkë me shokët në Shashicë, Bestrovë, Cakran,  Ardenicë, etj. kundër bandave filoturke si ato të Haxhi Qamilit e të tjerëve. Në një nga këto luftime u plagos rëndë vëllai i tij, Merke Beqaj. Atë çuan për kurim në Francë, por nuk mundi të shpëtojë. Atje e varrosën. Mehmeti, më pas, shkoi sërish në Qafën e Macukullit kundër serbëve.

     Epopeja e 1920-ës e gjeti në këmbë luftëtarin tashmë të hekurt e veteran. Vranishti dërgoi në atë luftë mbi 200 luftëtarë, me Sali Vranishtin në krye. Midis tyre u dallua edhe Mehmet Beqaj. Luftoi në  Drashovicë, në Vreshtat e Mëdha, në lagjet e Vlorës,  deri sa e shporrën edhe  pushtuesin italian. Trimat lebër shkruan epope të artë dhe shembulli i tyre bëri jehonë në botë.

      Pas asaj lufte, më 1924, Mehmeti shkoi deri Shkallën e Tujanit, në radhët e forcave popullore, duke përzënë forcat e diktatorit të kohës, që e shiste vendin te serbët. Qeverinë Demokratike të Nolit e shihte si shpresë të ngrohtë për jetën e këtij vendi të shumëvuajtur…

Kronikë e pasur, e ndritshme.

Dhe cilësitë e Trimit. Ciceron i kujtimeve…

  Për të cilësuar luftëtarë të tillë, dikush përdori një togjfalësh po aq të rrallë:  “Ata hidheshin si luanët në zjarr” ! Shumë e saktë dhe emocionante. Ashtu  tregonin shokët e tij edhe për trimin Mehmet Beqaj. Por ai ishte edhe i tjeshtë, i përzemërt me shokët e fshatarët, me bashkëatdhetarët. Ishte i pajisur me rreptësi luftëtari, por edhe me filozofinë popullore të kallzimit. Ai fliste , si shumë veteranë të tjerë lebër,  si ciceron për luftimet, shokët. Për llogoret e armikut, hedhjen në sulme nga tanët, durimin në luftime, marshimet. Tërë jetën nuk iu nda gishti nga këmbëza. Ashtu siç thoshte një varg i famshëëm për Sali Vranishtin : “ Kapedan Sali Vranishti / Sa rrove punoi gishti/” .

        …Në vitet 40-të ai u lidh me lëvizjen e luftën Çlirimtare.  “Edhe kësaj lufte i kemi borxh mundimin, sakrificën e jetën,- profetizonte në bisedat.  -Sikurse edhe në luftrat e para”. 

       Por kësaj here ishte rreth të 60-tave. Nuk mund t’i qepej dot malit. U jepte kurajo të rinjve. “ Si më 20-tën, bij, – u thoshte.- që hidheshim si luanët mbi tela ”.  Jetoi edhe rreth 30 vjet pas çlirimit. Si ciceron, megjithëse fjalëpakë, kallzonte historira.  Por mbeti proverbiale ajo pyetja e tij : “ Për ç’ luftë më pyesni ?” Debolesë të madhe kishte kapedan Saliun.  “Keni dëgjuar për Çerçiz Topullin , o djem? Ja, edhe ne si ai e kishim kapedanin tonë.” Dhe ishte hijerëndë e fjalë-ergjëndë. 

  Dhe të tjerët për Mehmetin : “ Nuk e vari njëherë pushën në oxhak. Po pranë vetes, edhe në gjumë.  Kishte frymëmarrjen e Atdheut. Si gjithë luftatarët e tjerë, stuhi në beteja.

…Dhe penat e mëdha për trimin…

Ditë të tëra kishte biseduar  i ndrituri Petro Marko  me Mehmetin e veteranët e tjerë të Vranishtit, atje në fshatin malor., kur bëri romanin  “Halimi”. Ai bujti në shtëpinë e Mehmetit,( pra, te i i biri i tij, Mitati).Në faqet e fundit të romanit Petroja shkruan : “ Në një shesh , përpara shkollës së madhe të fshatit, vinin një e dy pleq me qylaf të bardhë, me tirq dhe me shkop në dorë.Nja katërmbëdhjetë pleq, me fytyra të thata, me sy të gjallë, me mustaqe të bardha, si festet që mbanin mbi kokë.

-Duam të dijmë,-tha njëri nga poetët e rinj,- në se keni marrë pjesë në luftë?

Ata u panë  në sy  dhe u vrenjtën.

–  Në cilën luftë, more bir? – pyeti njëri prej tyre që quhej Mehmet.

–  Po ,- miratuan të tjerët. –Në cilën luftë?  Se janë shumë luftrat që kemi bërë.

–  Në 20-tën ,- tha poeti i ri.

…-Të gjithë kemi lindur me pushkë në dorë,- foli Mehmeti. Dhe pas një hopi : – Dhe me pushkë në dorë do vdesim !

…E ciceronët veteranë të atdheut u ndezën në kujtime…

     Ndërsa brilanti i vargjeve, Xhevair Spahiu,  në një kronikë për Vranishtin e trimat e tij, shkroi: “ Bisedonim ulur në bar. Me nja dhjetë pleq. Kujtimet e 1920-tës buronin… Gjithkush nga ata kishte një shenjë nga ajo luftë: ndonjë gisht të prerë, ndonjë shenjë cefle predhe në këmbë…Për Mehmet Beqaj thoshnin se e mbante zjarrin ndezur deri vonë. Kishte trup mesatar, fytyrë të ngrohtë, qeleshe të bardhë. Kur fliste, sytë i lëshonin xixa. Sytë herë i mbërthente në cep të qerpikëve, herë i lëvizte si zhivë…Dhe më mbeti në kokë ajo pyetja e tij e thellë : “ Për cilën luftë t’ ju flasim ? Se kemi mbi pesëmbëdhjetë vjet në  luftra…” 

    Si në eposet homerike…

Sjellim në vëmendje: Në Luftën e Vlorës morën pjesë edhe Trupat Vullnetare të Vatërs dhe Banda Muzikore ”VATRA”…Muzikën e Hymnit të Luftës së Vlorës e ka kompozuar dirigjenti i Bandës së Vatrës, Profesor  Thoma Nasi…   Ai publikoi kujtimet e veta ne gazeten Dielli pasi u kthye ne SHBA….                           

( Literaturë :

Gazeta “Hora e Vranishtit”, dhjetor 1970; romani “Ultimatum” i P. Marko; gazeta “ Hora”, nr.9, 2005;  gazeta “ Hora “ v.2010, nr. 8; kujtime veteranësh të Vranishtit…).

Filed Under: Featured Tagged With: banda, Lufta e Vlores, TV, Vatra

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 237
  • 238
  • 239
  • 240
  • 241
  • …
  • 902
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • KUJTIME PER ITALIANIN DOM ANTONIO SHARRA
  • MASAKRA E TIVARIT MARS-PRILL 1945
  • Kuptimi i Pashkëve Ortodokse – midis ritualit dhe ringjalljes së ndërgjegjes
  • RIKTHIMI I MUSTAFA MAKSUTIT NË FAQET E HISTORISË
  • Shqipëria në politikën ballkanike të Austro-Hungarisë
  • Eliot Engel, in memoriam…
  • VATRA TELEGRAM NGUSHËLLIMI PËR NDARJEN NGA JETA TË ELIOT ENGEL, MIKUT TË MADH TË KOMBIT SHQIPTAR
  • Përkujtojmë në përvjetorin e lindjes një nga figurat e Rilindjes Kombëtare, Aleksandër Stavre Drenova
  • GËRSHËRA E ARGJENDTË
  • Përgjithmonë vetëm mirnjohës për Kongresmenin Eliot Engel
  • PËRKUJTIM PËR ELIOT ENGEL, NJË MIK I PAZENDËVËSUSHËM, ZËRI I SHQIPTARVE NË SHBA
  • Meditim para varrit të Faik Konicës
  • Bashkimi i Diasporës Shqiptare të Greqisë
  • “Fortifikimi ilir i Komlikut në Fregen dhe Ungrej të Lezhës (Mirdita Etnografike)”
  • “The Real Thing”: A Conversation with Luljeta Lleshanaku

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT