• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

VATRA NË KOHËN E KORONAVIRUSIT-DEGA NE HARTFORD

May 28, 2020 by dgreca

VATRA NË KOHËN E KORONAVIRUSIT- FLET KRYETARI I DEGËS TË HARTFORDIT CT, PEDAGOGU MILAIM TAHIRI/

Dega e Vatrës në Hartford është krijuar me 13 prill 2014, me nisimin dhe nën organizimin e z. Adriatik Spahiut, sot nënkryetar i Federatës, me praninë e ish kryetarit të Federatës Vatra, Dr. Gjon Buçaj.

Që nga 20 prilli i vitit 2019, kohë kur u organizua Kuvendi zgjedhor i degës në kuadër të Kuvendit të Federatës Pan Shqiptare “VATRA” për vitin 2019, dega drejtohet nga pedagogu Milaim Tahiri. Në Kuvendin zgjedhor të degës me 20 prill, nga i cili doli kryesia e re dhe kryetari i ri, ishin të pranishëm të deleguarit e qendrës, nënkryetari i atëhershëm i Federatës “VATRA” z. Agim Rexhaj dhe anëtari i Këshillit të Vatrës z. Ramadan Gashi.

Pak HISTORI: 

Dega në Hartford është sot e vetmja degë e Vatrës që vepron në Shtetin e Connecticut, por që dikur ka pasë tri degë pararendëse, shumë të fuqishme dhe aktive.

Dega e parë e Vatrës në Shtetin e Connecticut është krijuar në Bridgeport. Dega mbante numrin 24 dhe ka si datë formimi 10 gusht 1913. Kryetar i parë i degës u zgjodh asokohe Zoti Kostë Hotova, një figurë e njohura vatrane, që për urtësi, gjakfohtësi e zgjuarsi, iu besuan disa herë drejtimet e Kuvendeve të Federatës. Z. Kostë Hotova u emërua nga Federata Vatra si i dërguari i saj zyrtar në Ellis Island, NY, porta ku hynin emigrantët në SHBA. Kostë Hotova u emërua në vitin 1917 për të pritur bashkatdhetarët shqiptarë që emigronin dhe kishin nevojë që të orientoheshin ,e dikush duhej t’ju përkthente. Në këtë portë gjigande emigrantësh, nga viti 1892 deri në vitin 1954, zbritën në Tokën e Lirës, mbi 12 milionë emigrantë, ndër ta dhe shumë shqiptarë, emrat e të cilëve ndodhen në muzeun e ishullit. Hotova ka qenë edhe kandidat për kryetar i Federatës VATRA. Arkëtar i parë i degës u zgjodh z. Kol J. Gode, sekretar z. Vangjel Girard dhe pleq u zgjodhën: z. Nastas L.Tolkuçi, Vasil Naum dhe Kosta Xhega.

Dega e dytë e Vatrës në Connecticut ishte ajo me numër 48 në Williamsville-Killingly, Conn, e cila e nisi procesin e formimit me 2 qershor 1915. Pleqësia e parë përbëhej nga: Kryetar Kasem Abedin Cangonji, sekretar Ali Maliq Zvezda, arkëtar Kadri Daut Belortaja, dhe pleq- Muharrem Adil Vashtemia, Mane Bitincka, Beqir Myslim Pojani.

Dega e Tretë e Vatrës në këtë shtet, ajo më me aktivitet deri vonë, ishte dega në Waterbury, e cila u formua të Dielën e 14 Shtatorit 1915. Dega mbante numrin 51 dhe kryetar i parë i saj u zgjodh Hasan Biticka, një figurë e njohur vatrane, që u përzgjodh shumë herë kryetar i Kuvendeve. Më 1925 ai shkoi në Shqipëri dhe u vendos në Korçë nga drejtonte gazetën e dytë të vatrës “Shqiptari i Amerikës”. Bitincka pati një fat tragjik, u vetëvra në rrethana misterioze në Shqipëri. Dielli dhe Vatra e vajtuan dhe e respektuan me nderime vatranin që kishte dhënë aq shumë për Shqipërinë. Arkëtar i parë i degës u caktua Hysen Aliko, sekretar Zenel H. Drizari, (I njohur si Nelo Drizari), i cili më vonë do të bëhej kryetar i degës së Vatrës me nr. 29 në New York, dhe një nga figurat qendrore të Vatrës, dishepull i Faik Konicës, mbrojtës i figurës së Mbretit Zog nga sulmet e kunërshatrëve të Shqipërisë në shtypin amerikan të kohës, Iishte i pari gazetar shqiptar i diplomuar në Columbia University më 1926, krijoi të parën katedër të gjuhës shqipe në Columbia University(1927) ndërsa nga 1936- 1939 ai do të ishte Editor i Diellit të Bostonit,më vonë(1942) ishte promovuesi i Zërit të Amerikës në gjuhën Shqipe. Pleq të parë të kryesisë të degës në Waterbury  u zgjodhën në kohëformimin e degës Zotërinjtë Dhimitri S. Noli, Ali H. Çorrushi, dhe Zenel Çorrushi. Vatranët e Waterbury-t ishin pjesa më aktive e komunitetit të atjeshëm. Ali Demirali me rrethin e tij familjar, vëllezërit Bushka, Sami Kulla dhe shumë të tjerë dhanë gjithçka për vatrën. Ndoshta dega e Hartfordit do të ishte mirë që t’u afrohej pasusve vatranë të atjeshëm dhe të rikrijojë degën.

Dega e sotme e Vatrës në Hartford ka rreth vetes 30 anëtarë, duke pasur në radhët e veta një grup intelektualësh dhe shumë simpatizantë.

Po si është gjendja e sotme e degës, ndërkohë që edhe Hartfordi ashtu si i tërë shteti i Coneccticut u prek nga Koronavirusi?

Ndiqeni bisedën që organizuam me kryetarin e degës pedagogun Milaim Tahiri:

DIELLI: Përshëndetje z. Milaim! Si është gjendja shëndetsore juaja dhe e familjes në këtë kohë Pandemie? A ka njeri nga rrethi juaj familjar e miqësor të prekur  nga COVID-19 ?


MILAIM TAHIRI- Ju falenderoj për interesimin. Unë dhe familja ime jemi mirë. Po ashtu edhe pjesa tjetër e familjes, që jetojnë në Europë janë fare mirë. Me informacionet që kemi edhe familjet e vatranëve dhe të miqëve këtu, në përgjithësi janë mirë. Ka 3-4 familje që janë prekur me Covid 19, mirëpo në përgjithësi e kane kaluar pa komplikime infeksionin.


DIELLI: Si është situata pandemike në Connecticut në përgjithësi, dhe në Hartford, ku ju jetoni?


MILAIM TAHIRI: Shteti Connecticut, gjeografikisht si pjesë e zonës veri- lindore, eshte godituar me fortë se pjesët tjera. Ka rreth 41 mijë e 288 të infektuar(deri ditën e djeshme, e mërkurë 27 Maj) dhe diku rreth 3 mijë e 803 te vdekur deri me tani( 34 ishte numri i viktimave për të mërkurën), rreth 30 mijë e 863 janë mbartësit aktiv të COVID-19, por duke e pasur parasysh numrin e popullsise ( rreth 3.5 million banorë) kemi numer te lartë te vdekjeve për banor. Pas shtetit te New York-it dhe New Jersey, jemi shteti i trete me mbi 1050 vdekje për 1 Milion banorë. Më së keqi eshte Fairfield county qe eshte me afër New Yorkut me diku 15 mijë te infektuar, New Haven me 11 mijë, e pastaj vjen Hartford county me rreth 10 mijë te infektuar, kurse te vdekur rrethi i Hartfordit i ka rreth 1200.

DIELLI: A u izolua Hartfordi? A u morën atje masa strikte kufizuse? 


MILAIM TAHIRI:  Masat u morën, por une mendoj se pak me vonesë. Masat janë deri diku strikte, por nuk mendoj se janë respektuar me seriozitet nga popullata.

DIELLI: Si i keni mbajtë lidhjet me anëtarët e kryesisë së degës, lidhjet me vatranët dhe familjet e tyre?


MILAIM TAHIRI: Natyrisht i kemi mbajtë lidhjet dhe jemi intersuar për vatranët dhe familjet e tyre. Lidhjet me kryesinë dhe anëtaret tjere te Vatres kryesisht i kemi mbajtur përmes telefonëve.

DIELLI: Ka pasë të infektuar nga radhët e vatranëve?


MILAIM TAHIRI: Fatmirsisht jo. Nuk ka pasur te prekur direkt nga anëtarët e degës së Vatrës, por siç êshtë cekur më lart, ka pasur të prekur nga komuniteti i ynë. Me informacionet që kemi, të gjithë te prekurit nga virusi e kaluan sëmundjen pa komplikime të mëdha dhe në përgjithësi me trajtim shtëpiak.

DIELLI: Me qendrën e Federatës, i keni ruajtë lidhjet?

MILAIM TAHIRI:  Me kryesinë e Vatrës i kemi mbajtur lidhjet dhe kemi pasur disa biseda telefonike e shkëmbim mesazhesh.

DIELLI: Cila është gjendja e anëtarësisë në degën tuaj. A e keni ruajtë anëtarësinë e kohës së Kuvendit, ka të larguar apo keni shtuar anëtar të rnj?

MILAIM TAHIRI:  Nuk kemi ndonjë ndryshim të anëtarësisë në degën e Hartfordit krahasuar me giendjën që e kishim para Covid 19, nuk kemi ndryshim të anëtarësisë as pas Kuvendit.
DIELLI: Ishte kënaqësi që biseduam. Faleminderit për bisedën!MILAIM TAHIRI: Kënaqësia ishte imja.Faleminderit prej Jush!

PERGATITI:DALIP GRECA

Filed Under: Featured Tagged With: dalip greca, hartford, Miliam Tahiri

KATËR“BOMBAT BIOLOGJIKE” QË PARALIZUAN SPANJËN

May 27, 2020 by dgreca

Mjeku shqiptar Prof. Kita Sallabanda Diaz, Mjek Neurokirurg në Spitalin Klinik Universitar San Carlos në Madrid, skanon Spanjën në përballjen ndaj Covid-19, intervistë ekskluzive për gazetën Dielli, dhënë gazetarit Sokol Paja.

ÇFARË NDODHI NË SPANJË 

Më 14 mars 2020, Qeveria spanjolle shpalli gjëndjen e Alarmit Shëndetësor. Gjithë vendi filloi të mbyllet nëpër shtëpija, ndërpritet i gjithë aktiviteti jetësor, punojnë vetëm ndërmarrjet e rëndësishme jetike që merren me ushqimin e popullatës, energjisë elektrike, telefonike si dhe shëndetësia, policia, pastrimi etj. Pas kësaj dite shifra e të infektuarve ka filluar të rritet në mënyrë të ndjeshme dhe numri i të vdekurve arrin në tre javë në 950 persona në ditë. Sistemi shëndetësor u kolapsua, nuk kishe vende nëpër spitale, nuk kishte vende në repartet e reanimacionit, nu kishte respiratorë disponibël, nuk ka medikamente të mjaftueshme, nuk ka ekipe mbrojtjeje individuale, nuk ka personel mjekësor të mjaftueshëm. Vendi është totalisht i paralizuar. Shkollat që para dy javësh të mbyllura, industria nuk punon, transporti publik në minimo.

PSE NDODHI KATASTROFA? 

Duke analizuar situatën mendojmë se masat u morën me vonesë. Qeveria italiane kishte mbyllur vendin një javë përpara po në Spanjë vinin përditë dhjetëra avionë nga Italia pa kontroll, u lejuan ndeshje futbolli me ekipe italiane, Atlanta me Interin, reth 3000 tifozë spanjollë zhvendosen në Milano pa kontroll në kohë kur Lombardia ishe në pikun e infeksionit. U lejuan manifestimet me qindra mijëra pjesëmarrës për 8 marsin, u lejua një kongres i një partie politike ku shumë drejtues të sajë ishin të infektuar, këto u quajtën 4 bombat biologjike (Taransporti Publik, Ndeshja e futbollit, Kongresi, dhe manifestimet me mijëra pjesëmarrës të 8 marsit).

SHIFRAT QË JAPIN SHPRESË

Në 9 mars njoftohet popullata për situatën dhe në 14 mars shpallet në buletinin Shtetëror gjendia e Alarmit. Ka kaluar dy muaj e gjysëm që nga ajo ditë, situata aktuale është e përmirësuar, në një ditë numërohen reth 30-40 të vdekur dhe numri qytetarëve të infektuar ka rënë, gjithësej në ditën e sotme në Spanjq janë 28.000 të vdekur, (shifrat lëvizin) 278,188 të infektuar, 150.000 të shëruar. Një situatë e pazakonshme u krijua me personelin shëndetësor, reth 52.000 të infektuar 57 të vdekur. Pa mjete mbrojtëse në fillim të pandemisë dhe në një situatë psikologjike të rënduar. Shumë shoqatë të mjekeve kanë shprehur preokupimin e tyre për një situatë të rënduar psikologjike më disa mjekëve e infermierëve, kemi shumë personel shëndetësor që ka marrë raport mjekësor për ngarkesë psikologjike. Mësues, edukatorë, kanë frikë, mjekët kanë frikë, po të gjithë vazhdojmë të punojmë në vijën e parë.

DENONCIME KUNDËR QEVERISË

Shoqatat zyrtare të mjekëve, infermierëve, dhe farmacistëve kanë bërë denoncime të shumta pranë organeve gjygjësore ndaj qeverisë së Spanjës dhe ndaj qeverive lokale, 3600 familjare të të vdekurve kanë denoncuar qeverinë, ministrinë e shëndetësisë dhe organizmat e emergjencës shtetërore për mungesë masash e informacioni. Aktualisht kemi kaluar në fazën e ¨desescalades¨ siç quhet në Spanjë, të masave liruese në formë graduale. Gjithësesi nuk mund të zhvendosemi nga një krahinë në tjetrën, maskat e fytyrës janë të detyrueshme në ambientet publike, nuk lejohen takime më me shumë se dhjetë persona, janë hapur vetëm baret e restorantet në natyrë, Universiteti vazhdon i mbyllur, shkollat e kopshtet po ashtu. Shumica e aktivitetit zhvillohet on-line.

PASOJAT PSIKOLOGJIKE TË KARANTINËS

Popullata u ambientua mirë në fillim me situatën e izolimit, karantinës, po më mbrapa karantina më shumë se dy muaj shkaktoi një gjëndje të rënduar psikologjike, dhe mbyllja a shumë ndërmarrjeve bëri që për një dite papunësia të rritet me 700.000 të papunë dhe sot reth 1.500.000 kanë humbur punën dhe mbahen me ndihma nga shteti por pa pasur siguri që do fillojnë hapjet, Turizmi ka humbur pjesën më të madhe të kontraktimeve dhe është pjesa e ekonomisë që me shumë po e vuan. Turizmi në Spanjë jep reth 12-13% të GDP dhe është në situatë të kolapsit. Shpresojmë që nga fillimi i korrikut të përmirësohet kur të hapen rrugët ajrore dhe të lëvizin turista të europës. Turizmi i brendshëm është me frikë, njerëzit kanë frikë të levizin edhe brënda Spanjës, shpresojmë që me kalimin e ditëve kjo situatë të përmirësohet.

KOMPLIKACIONET PREJ COVID-19

Si mjekë kemi parë që shumë të sëmurë e kanë kaluar shumë keq infeksionin me Covid 19, kanë humbur 5-10 kile peshë, janë të dërrmuar psikologjikisht, nuk duan të kthehen më në punë. Kemi parë shumë komplikacione të reja, si tromboza të enëve të gjakut. Miokardite, Mialgji, reaksinone inflamatore të fuqishme, dhe te fëmijët sindromin e Kaëasakit.

Një tragjedi e madhe ka qenë vdekja e reth 20.000 të moshuarve nëpër rezidencat e të moshuarve, është numri më i madh i vdekjeve, në muajin prill nga sistemi i pensioneve u zhduken 37-40000 pensonistë që nuk e dimë se ku janë. Është hera e parë në historinë e Spanjës që shpenzimet në pensione kanë rënë dukshëm. Ajo që shqetëson më tepër aktualisht spanjollët është gjendja katastrofike ekonomike dhe virusi është në vend të dytë. Dalë nga dalë po dalim dhe gjendja shëndetësore po përmirësohet, por ajo ekonomike është e vështirë.

MESAZHI PËR LEXUESIT E DIELLIT DHE DIASPORËN NË USA

Të dashur miq, lexues të gazetës Dielli, të dashur bashkatdhetar në USA, është një nder dhe kënaqësi për mua t’ju përshëndes nëpërmjet gazetës Dielli, gazetë me histori si historia e brezave të diasporës në USA. Si mjek dhe si bashkatdhetar dua t’ju them që të gjithë bashkë do ta kalojmë me siguri këtë situatë, por duhet të mësojmë të kujdesemi, të kemi higjienë, të mbajmë maska dhe të mbrojmë të moshuarit, prindërit tanë. Temperaturat e larta dhe higjena do ta mposhtin virusin. Ne mjekët sot jemi më të përgatitur, kemi mësuar si ta mjekojmë sëmundjen dhe shpejt do kemi vaksinën. Përqafime të gjithëve!

Filed Under: Featured Tagged With: Prof. Kita Sallabanda, Sokol Paja

HISTORIA E VATRES PERMES FOTOGRAFIVE

May 27, 2020 by dgreca

VATRA: NJË FOTO-NJË HISTORI/

Po nisim shfletimin e historisë së Vatrës përmes fotove. Këtë herë zgjodhëm degën e Vatrës Nr.33 në Detroit, e cila me 14 prill 2020 mbushi plot 106 vite nga data e krijimit,14 Prill 1914, 2 vjet pasi ishte themeluar Federata Pan shqiptare e Amerikës ”Vatra”.

Me 14 prill 1914, datë kur nisi organizimi i themelimit të degës Nr.33 në Detroit, dega anëtarësoi 28 anëtarë, por në Kalendarin e Vatrës të publikuar më 1918, me parathënie të Imzot Nolit, dega numëronte 35 anëtarë dhe më vonë u rrit e u shumua duke u bërë një ndër degët më të mëdha të Vatrës(Sot ka 86 anëtarë).Kryetar i parë i degës u zgjodh z. Lazo Dhimitri, arkëtar Dhimitër Bendy, sekretar Petraq Andon, dhe Pleqësia përbëhej nga: Marko Adams, Riza Shaban dhe Kostë Gega.

Nuk e nisëm këtë rubrikë”Një foto, një Histori” me degën nr 1të Vatrës në Boston sepse atë e këmi planifikuar ta publikojmë si historik më vete në përvjetorin e afërt, në qershor 1912-2020, kur mbushen 108 vjet nga dita e themelimit të degës së parë të Vatrës.

Filed Under: Featured Tagged With: dalip greca, Vatra-histori em foto

VATRA NË KOHËN E KORONAVIRUSIT- FLET KRYETARI I DEGËS NË MICHIGAN, ANËTAR I KRYESISË SË FEDERATËS, Z. MONDI RAKAJ

May 27, 2020 by dgreca

Pak Histori: Dega e Federatës Pan Shqiptare të Amerikës VATRA në shtetin e Michiganit është nga  më aktivet. Ajo ishte mikpritëse dhe organizatore e Kuvendit të Vatrës të 19 Janarit 2020.

Edhe në të shkuarën e largët e të afërt kjo degë është dalluar si prijëse e veprimtarive dhe kontributore ne financat e Vatrës. Historia e degës së Vatrës në Michigan i ka fillesat e saj me 14 prill 1914, datë kur nisi organizimi i themelimit të degës Nr.33 në Detroit, e cila e nisi rrugëtimin me 28 anëtarë. 

       Në Pleqësinë e parë që e udhëhoqi degën veçojmë: Kryetar i parë u zgjodh z. Lazo Dhimitri, arkëtar Dhimitër Bendy, sekretar Petraq Andon, dhe Pleqësia përbëhej nga: Marko Adams, Riza Shaban dhe Kostë Gega.

Emrat e vatranëve të Detroitit u rendit librin e nderit, ose siç e quanin vatranët e hershëm në “Radhuan e Nderit” gjatë fushatës “Për Shpëtimin e Shqipërisë” të 3 Qershorit 1917, që nisi nën kushtrimin e poezisë së Fan S Nolit ”Jepni për Nënën” me moto: Nëno mos ki frikë se ke djemët në Amerikë….!

      Ndër dhurusit e degës së Detroitit dallonin në atë fushatë: Pando Adams, Zaharia Papa, Marko Adams, Nasi Aristidi, Mihal Çeno,Angelo Lasko, Petraq Andon, Bexhet Qyteza, Hysein Hasan, Ton Anastas, Petro Grameno, Koço Grameno, George Zamo, Dhori Terova, Vëllazëria Çerava, Ilo Nase, G. Janaq, Perik Murzaku, Sotir Opingari, Krati Samarxhi,Isaak Stavre, Nonda Aristidhi, Sadik Zeinel, Vëllazëria Deke, Koli Terova, Marko G Pogradeci, Behlul Korça, dhe G.Berati.

   Dega e Detroitit do të printe edhe gjatë fushatës së Huasë Kombëtare Tetor 1920- 1921. Shumë prej vatranëve të kësaj dege blenë shuma të mëdha të “Huasë Kombëtare” për Qeverinë Shqiptare që doli nga Kongresi i Lushnjës. Fazlli Panariti nga Detroiti i priu fushatës ndër të gjithë vatranët e atjeshëm, së bashku me Halit Qytezën, që ishte kampion me 6 mijë dollar- Panariti bleu 5 mijë dollarë bono të huas, nga 7 mijë që bleu vetë Vatra.

Emri i degës së Vatërs të Detroitit do të futej në historinë e Federatës edhe në kohëndarjen e tretë të Federatës (e para kishte ndodhë më 1917), e dyta më 1925(koha e ndarjes së Nolit me Konicën, që zgjati deri më 1938, prill kur erdhën princeshat që bënë bashkimin me vizitën e tyre, Noli udhëhoqi meshën, Konica ishet shoqërusi dhe mikritsi), dhe kjo e treta pas Kuvendit të vitit 1936, që zgjati për 3 vjet. Atë kohë kishim dy Vatra, një në Boston dhe një në Detroit. Kishim dy gazeta Dielli, një në Boston me editor Nelo Drizarin dhe një në Detroit me editor Refat Xh. Gurrazezi.Bashkimi erdhi pas pushtimit të Shqiëprisë nga Italia fashiste, më 1939.

E para, ajo e vitit 1917, qe shumë e dëmshme sepse ndodhi në një kohë kur nuk kishte një qeveri Shqiptare në vend të njohur nga ndërkombtarët, që t’i dilte për zot Shqipërisë dhe të mbronte të drejtat e popullit shqiptar, barrë që e kishte marrë përsipër Vatra. E dyta zgjati shumë dhe i shpenzoi energji Vatrës. Edhe e treta, nuk kaloi pa pasoja, e përbashkëta ishte se dyja vatrat e njihnin dhe e adhuronin Mbretin Zog.

Edhe pse dega e Michiganit e uli tempin e veprimtarive pas ’90-tës, vatranët e vjetër Julian Çefa, Kujtim Qafa, Vasel Ujkaj dhe të tjerë e mbajtën gjallë frymën vatrane dhe e ruajtën anëtarësinë në qëndër së bashku me një grup vatarnësh.

Dega e vatrës në Michigan u rithemelua me 14 Janar 2012, me rastin e 100 vjetorit të Federatës, me kryetar Alfons Grishaj, sot nënkryetar i Federatës Pan shqiptare të Amerikës VATRA, ndërkohë që dega drejtohet nga Mondi Rakaj, i cili është edhe anëtar i kryesisë së Federatës.

Për të mësuar rreth përballimit të pandemisë, gjendjes shëndetsore të vatranëve dhe familjeve të tyre, marrdhëniet e kryesisë së degës me vatranët, dhe situatën e tanishme të Pandemisë, ne biseduam me Kryetarin e degës z. Mondi Rakaj. Ndiqeni bisedën:

DIELLI: Përshëndetje Mondi! Si është gjendja shëndetsore juaja dhe e familjes në këtë kohë Pandemie? A ka njeri nga rrethi juaj familjar e miqësor të prekur nga COVID-19?

MONDI RAKAJ:- I dashur Z Editor, Ju falenderoj intersimin dhe për këtë intervistë. Po ashtu keni falenderimet tona edhe për punën tuaj të palodhur që bëni për gazetën Dielli dhe Vatrën. 

Duke iu përgjigjur pyetjes tuaj, fatmirësisht, nga rrethi im familjar si këtu në SHBA, ashtu edhe në vendlindje, e në  Europë ,nuk kemi pasur asnjë të prekur nga COVID 19 . Nga rrethi miqësor dhe nga radhët e vatranëve, ka pasur raste të infektimit nga COVID-19. Në fakt zona e Detroitit ishte një nga zonat më të prekura nga infeksioni.

DIELLI: Si është situata tani në Michigan?

-MONDI RAKAJ: Situata në Michigan për momentin, është më mirë, numri i të infektuarëve ka rënë shumë. Ditën e djeshme, e Martë 26 Maj, përshembull, u raportuan 229 të infektuar të rinj, ndërsa numri i viktimave ishte 26 të vdekur në mbarë Michiganin. Krahasuar me një muaj më pare, janë shifra minimale sepse kishim rreth 3000 të infektuar dhe 700-800 persona të vdekur në ditë(24 Orë). Gjithësesi Michigani e mori situatën shpejt në kontroll. Për rerth dy javë shteti ku jetojmë ne ndiqte hap pas hapi New York-un, por situata e vështirë kaloi.Tani Michigani është në vendine  tetë ndër shtetet e infektuar duke regjistruar 55 mijë e 104 të infektuar, dhe 5 mijë 226 të vdekur. Ndër të infektuarit 16 mijë e 670 janë mbartës aktiv të virusit, ndërkohë që vazhdojnë testimet e  qytetarëve të dyshuar,- deri tani janë testuar 537 mijë 698 persona.

Gradualisht njerëzit po dalin nga izolimi, disa fabrika po fillojnë punën, rrugët po mbushen dhe këtë e dëshmon edhe trafiku i makinave etj. 


DIELLI: Ndërkohë Ju keni punuar dhe keni qenë në kontakt me publikun për shkak të angazhimit të kompanisë tuaj.A mund t’u përcillni lexuesve tanë një informacion më të detajuar; çfarë konkretisht bëri dhe bën kompania jua? Cilat ishin vështirësitë? A patët punonjës tuaj të infektuar?

MONDI RAKAJ-E vërtetë; puna jonë është shumëfishuar në këtë kohë pandemie.Kemi punuar me orë të zgjatura, ka pasur raste që punëtorët kanë punuar edhe 20 orë në ditë-natë pa pushim, duke dizinfektuar për të asgjesuar COVID  19. 

Puna jonë ka qenë dhe mbetet intensive sepse Stacionet e Zjarrfikseve, Stacionet e Policisë, Stacionet Urbane, Ndërtesat Federale të Ushtrisë, Librarive , Bashkive etj. kërkojnë puën pa ndërprerje, për arsye se shumë nga këto Departamente punojne 24/7 dhe kërkojnë disinfektim të përditshëm. Në shumë prej këtyre Departamenteve jemi përballur me persona të infektuar, të cilët as që ishin në dijeni për gjendjen e tyre shëndetësore. Në ditët në vijim, kushtet e tyre përkeqësoheshin dhe nuk i shihnim më në punë. Fatmirësisht,duke pasur parasysh se punëtorët tanë ishin të izoluar mjaft mirë me kostume Tyvek, doreza ,maska, nuk kemi pasur ndonjë të infektuar deri tani. I falenderoj pa masë të gjithë punëtorët për punën e tyre jashtëzakonisht të mirë në përballje me këtë pandemi te rrezikshme. 


DIELLI: Si po shkon në Detroit rihapja e bizneseve?

MONDI RAKAJ: -Me urdhër të Governatores Ëhitmer , hapja e kushtëzuar e bizneseve, do të fillojë pas datës 12 Qershor 2020. Kuptohet shumë shtetas të Michiganit nuk kanë qenë dakort me këtë urdhër të Gorvenatores, dhe ketë e kanë dëshmuar me demonstrata, biles  dhe të armatosur në Kryeqytetin e Michiganit, në Lansing,besoj se ju mund i keni ndjekur përmes mediave.

DIELLI-U mbushën tre muaj që jemi izoluar, si i keni mbajte lidhjet me kryesinë e degës dhe Vatranët?

MONDI RAKAJ-Herë mbas here komunikojmë me telefon me Vatranët në Michigan, pyesim për shëndetin dhe familjarët.Për disa prej tyre mbyllja e ekonomisë nuk ka qenë në favorin e tyre, por me ndihmë të Zotit do t’ja dalim. E falenderojmë edhe adminstratën e Presidentit Trump, që ka bërë një punë jashtëzakonisht të mire, duke u ardhur në ndihmë njerëzve në nevojë në këtë kohë të vështirë, ku ka pasur edhe vatranë,që kanë perfituar PPP dhe Unemployment. 

DIELLI: A ka pasë të prekur nga dega juaj me COVID-19 dhe sa? 

MONDI RAKAJ: Po, në degën tonë kemi pasur anëtarë të Vatrës të infektuar me COVID 19, por janë kuruar në spitalet përkatese dhe sot gëzojnë shëndet te plotë. 

Disa vatranë, për të cilët ne jemi të informuar, e kanë kaluar shumë me vështirësi sëmundjen, dhe janë kuruar në spital. Shpresojmë,në ditët në vijim,kur bizneset të hapen pa kushtëzime, të mblidhemi dhe të gëzojmë dhe të ngremë një dolli, që ia dolën kësaj sëmundje.

DIELLI – A keni pasë mundësi të komunikoni në mënyrë elektronike, me mesazhe, me telefonata me vatranët, degët e tjera të Vatrës?

MONDI RAKAJ- Natyrisht, kemi marrë e na kanë marrë në telefon. I falenderoj të gjithë vatranët nga Neë Yorku, Florida , Ëashingtoni, Neë Jersey etj. për interesimin dhe kujdesin. Kemi pasur shumë komunikime të mira gjatë kësaj kohe, duke u interesuar për njeri tjetrin, me anë të lidhjeve telefonike  e rrjetet sociale etj.

DIELLI- Po me qendrën e Vatrës, a i keni ruajtë lidhjet?

MONDI RAKAJ-Me qendrën e Vatrës i kemi ruajtur lidhjet shumë mire. Jemi në kontakt të vazhdueshëm, diskutojmë plane dhe projekte për të ardhmen, sapo të hapet ekonomia. 

DIELLI-Cila është gjendja reale e anëtarësisë në degën tuaj. A e keni ruajtë anëtarësinë e kohës së Kuvendit, ka të larguar apo keni shtuar anëtarë të rinj?

MONDI RAKAJ- Gjendja reale e Vatrës në Michigan është shumë mirë, vazhdojmë me atë  anëtarësi që kemi pasur, në korrik e prapa mendojmë të antarësojmë të rinjë, disa djem të rinj nga Dardania, të sapo ardhur,janë në rrethin e simpatizanëtve të Vatrës,e duan dhe e respektojnë Vatrën, dhe kanë shfaqur dëshirë të jenë pjesë e saj.

DIELLI- Çfare mendoni për funksionimin e mëtejshëm të Vatrës në të ardhmen nëse kufizimet vazhdojnë gjatë?

MONDI RAKAJ- Shpresojmë se situate do të përmirësohet, por nëse vazhdon mendoj se do të lidhemi në konference call, dhe nëse do të jetë nevoja  do të përdorim edhe lejen essential help për të ndihmuar në vendet përkatëse.

DIELLI:Falemidnerit për bisedën!

MONDI RAKAJ: Ishte kënaqësi. Faleminderit prej jush!

Filed Under: Featured Tagged With: dalip greca, Interviste, Mondi Rakaj

VATRA NE TORONTO NE KOHEN E KORONAVIRUSIT

May 26, 2020 by dgreca

VATRA NË KOHËN E KORONAVIRUSIT- FLET KRYETARI I DEGËS SË VATRËS NË TORONTO TONY SYFAJ

Në vijim të bashkëbisedimit të gazetës Dielli me kryetarët e degëve sot po sjellim bisedën që zhvilluam me kryetarin e degës së Vatrës në Toronto të Kandasë, z. Tony SUFAJ.

Dega e Vatrës në Toronto është krijuar pesë vite më parë, në korrik të vitit 2015.

Qendra e saj është në Mississauga, Toronto. Dikur, veçanërisht në vitet 70’-86, Vatra e Kanadsë ishte shumë e fuqishme. Kishte degë në Torontonto dhe Montreal. Madje dega e Torontos kishte edhe shkollën shqipe. Ibrahim Kulla, biznesmen i njohur në Kanada, pjesë e degës së Torontos, në vitet ’80 ishte nënkryetar i Federatës Pan Shqiptare të Amerikës VATRA. Fatkeqsisht pasardhësit e Kullave në Toronto nuk janë anëtërsuar në Vatër megjithë përpjekjet që bëri i ndjeri Sami Kulla, një nga ish vatranët aktivë të degës së Torontos. Ai pat treguar editorit se kishte bërë disa telefonata për ti rikthyer në Vatër Kullat e rinj, por nuk pati rezultat.

Po sot, si është gejndja e degës që është rikrijuar pesë vite të shkuara? Si po e kalojnë vatranët e kësaj dege pandeminë? Ndiqeni bashkëbisedimin me Tony Sufaj, kryetar i degës: 

DIELLI:  Përshëndetje Tony! Si është gjendja shëndetsore juaja dhe e familjes në këtë kohë Pandemie? A ka njeri nga rrethi juaj familjar e miqësor të prekur nga COVID-19?


TONY SUFAJ: – Jemi të gjithë mirë. Nuk kemi të prekur nga koronavirusi. As këtu ku jetoj unë me familjen as në vendlindje apo në Europë.

DIELLI: Si është situata e Pandemisë në Kanada dhe veçanërisht në Toronto, ku jetoni ju?


TONY SUFAJ:  Në Toronto situata e Pandemisë nuk ka qenë dhe aq e keqe, jo shumë e rënduar, si në disa vende të tjera të botës. Me sa e kam ndjekur, deri tani Kanadaja ka rreth 86 mijë të infektuar nga COVID -19, ka 6 mijë e 566 të vdekur, janë shëruar 44 mijë e 898 pacientë mbartës të koronavirusit. Për momentin Kanadaja ka rreth 34 mijë e 533 pacientë të infektuar aktivë me COVID-19, në përqindje kjo kap shifrën diçka më shumë se 1 përqind të popullsisë 37 milionshe. Edhe këtu po i kushtohet rëndësi testimeve të popullsisë. Deri tani janë testuar mbi 1 milion e 500 mijë persona.

 Në Toronto- Ontario që është provinca jonë, janë raportuar deri tani rreth 25 mijë të infektuar nga COVID-19, nga kjo shifër 19 mijë raportuar të shëruar,ndërsa numri i jetëve të humbura  kap shifrën 1 mijë e 980 të vdekur. Fatkeqsisht edhe komuniteti ynë nuk ka shpëtuar pa viktima. Luc Junçaj, anëtar i Misonit Katolik Shqiptar,me origjinë nga Tuzi, i Malësisë, nuk mundi ta përballonte betejën me Coronavirusin. Ai humbi jetën në moshën 65 vjeçare.

DIELLI: Po nga vatranët dhe familjet e tyre a kishit të prekur nga infeksioni i koronavirusit?

TONY SUFAJ- Fatmirsisht nuk kemi asnjë rast të vetëm që të jetë prekur nga COVID-19.

DIELLI: Si e kaloi fazën e vështirë të Pandemisë Kanadaja. A  u morën në Toronto masa strikte kufizuse? 


TONY SUFAJ: Po, edhe Kanadaj aplikoi masa shëtrnguse. Ajo I mbylli kufinjtë që me 15 mars 2020. U mbyllën Baret, restaurantet, institucionet artistike, sallat e koncerteve, pallatet dhe sallat e sportit, gati të gjithë vendgrumbullimet që rrezikonin infeksionin masiv.

 Sistemi shëndetsor i Kanadasë dha prova se është funksional dhe qeveria ka investuar me kohë. Ai e përballoi shkëlqyshëm ngarkesën e pacientëve të infektuar. Spitalet dhe qendrat e shërbimit të shëndetit kapërcyen me sukses kulmin e krizës dhe tash çdo gjë duket se është në kontroll të plotë. Tregusi më pozitiv është numri minimal i vdkejeve në të gjithë Kanadanë, me 6 mijë e 566 viktima, me një popullsi prej 37 milion 709 mijë e 91.

DIELLI: Në periudhën 3 mujore të izolimit, a ka keni gjetur ju forma organizimi për të ruajtur kontaktet me vatranët, me familjet e tyre, për t’u informuar se si po e kalonin ata rrezikun e infektimit nga koronavirusi? A kishin të infektuar, a kishin të shtruar në spital familjet vatrane etj?


TONY SUFAJ: Mënyra e komunikimit ka qenë përmes telefonatave sepse nuk mund t’i kontaktonim fizikisht. Kemi dërguar e marrë email-e, kemi komunikuar me rrjetet sociale etj.

DIELLI: Si është gjendja e anëtrësisë në degën tuaj. A e keni ruajtë anëtarësinë e kohës së Kuvendit, ka të larguar apo keni shtuar anëtar të rnj?


TONY SUFAJ: Gjendja e anëtarësisë në degën tonë është e stabilzuar. Deri tani nuk kemi asnjë të larguar. Janë anëtarësuar tre anëtar të rinj pas Kuvendit të Detroitit të 19 janarit, ndërkohë që është rritë rrethi i simpatizuesëve dhe mbështetësve të Vatrës. Presim të hiqen fare masat shtërnguse dhe të fillojë jeta normale për të rifilluar veprimtaritë e degës dhe shtimin e anëtarëve të rinj.

DIELLI: Si pa dalin nga izolimi bizneset shqiptare në Toronto?

TONY SUFAJ: Mendoj se faza më e vështirë ka kaluar.Govermenti ka vënë në dispozicion disa paketa për individët, familjet, bizneset, dhe po bën gjithçka të mundur që i gjithë biznesi të kthehet në normalitet dhe familjet ta kalojnë sa më lehtë. Shpresojmë që hapja të bëhet e mundur në fillim të Qershorit!

DIELLI: Faleminderit për bisedën i nderuar Tony! Ishte kënaqësi që përcollëm informacione nga Toronto e Kanadaja.

TONY SUFAJ: Kënaqësia ishte imja. Ju përgëzoj për punën e shkëlqyer, veçanërisht gjatë pandemisë, kur na  keni informuar pandërprerje. Dielli nuk ka qenë në karntinë.I uroj Diellit të Vatrës ndriçim të përjetshëm!

Bisedoi: Dalip greca

Filed Under: Featured Tagged With: Tony Sufaj, Vatra ne Toronto

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 241
  • 242
  • 243
  • 244
  • 245
  • …
  • 901
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Çfarë është një peizazh tingullor?
  • Populli dhe trojet shqiptare në gjeopolitikën e re euro-atlantike
  • Analizë strukturore e sovranitetit, krizës së konsolidimit shtetëror dhe implikimeve gjeopolitike
  • Arti popullor në kryeqytet si ajerngopja në malet e larta
  • “Pjesëmarrja në Bordin e Paqes, vlerësim dhe pëgjegjësi e shtuar për RSh”
  • 106 VITE NGA KONGRESI KOMBËTAR I LUSHNJES-THEMELI I PARLAMENTARIZMIT DHE VETËQEVERISJES SË PLOTË TË SHTETIT SHQIPTAR
  • Grenlanda “Molla” e Shekullit 21
  • Ne nuk harrojmë!
  • NË 20 VJETORIN E KALIMIT NË PËRJETËSI, NDERIM DHE MIRËNJOHJE PRESIDENTIT HISTORIK TË KOSOVËS DR. IBRAHIM RUGOVA
  • Pjesëmarrja dhe rezultatet e nxënësve nga Kosova në Neo Science Olympiad 2026 – Orlando, SHBA
  • IKJA E KORIFEUT APO BORXHI NDAJ NJI FJALE PER ISMET UKE BERISHEN
  • Dr. Ibrahim Rugova, emri që nuk shuhet
  • ROMANI “NISHANI”, NJË HISTORI TRONDITËSE
  • “Amerika nën akull: Vorteksi Polar shkakton kaos 100 makina palë në Michigan”
  • Diaspora shqiptare e Kosovës – Gjuha si vijë mbrojtjeje

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT