• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Papa Francesku: Nuk është koha e egoizmit…

April 12, 2020 by dgreca

… e përçarjes, por e solidaritetit /

Pas Meshës Shenjte, Papa Françesku dha bekimin e ditës së Pashkëve. Në mesazhin drejtuar Romës e Botës kërkoi përsëri armëpushimin global dhe ndalimin e menjëhershëm të fabrikimit të armëve. Duke iu lutur Krishtit të ngjallur, kujtoi krizën shëndetësore dhe një mori emergjencash të harruara.

R. SH. – Vatikan/

Pas Meshës Shenjte, Françesku dha bekimin apostolik të Ditës së Pashkëve të Krishtit. Në mesazhin drejtuar Urbi et Obr – Romës e Botës  kërkoi përsëri armëpushimin global dhe ndalimin e menjëhershëm të fabrikimit të armëve. Duke iu lutur Krishtit të ngjallur, kujtoi krizën shëndetësore dhe një mori emergjencash të harruara. Më poshtë, mesazhi i Françeskut drejtuar Romës dhe botës:

“Sot jehon në mbarë botën kumti i Kishës: “Jezusi u ngjall!- “Vërtet u ngjall!”.

Si një flakë e re ky Lajm i Mirë flakëroi nëpër natë; natë e një bote, prej kohe e zënë me sfidat epokale e tani e shtypur nën barrën e pandemisë, që po e vë në provë të rëndë familjen njerëzore. Në këtë natë rijehoi rishtas zëri i Kishës: “Krishti, shpresa ime, u ngjall!” (Sekuenca e Pashkëve).

 Është një “pandemi” tjetër, kjo, që “ngjitet” nga zemra në zemër – sepse çdo zemër njerëzore e pret këtë Lajm të Mirë. Pandemia e shpresës: “Krishti, shpresa ime, u ngjall!”. Nuk është formulë magjike, që i bën të zhduken problemet. Jo, kjo nuk është ngjallja e Krishtit! Ngjallja e Krishtit është fitorja e dashurisë mbi rrënjën e së keqes, fitore, që nuk i “lë pas” vuajtjen e vdekjen, por i kapërcen, duke marrë rrugën drejt  honit e duke e shndërruar të keqen në të mirë: vulë, që e ka vetëm pushteti i Zotit!

I Ngjalluri është i Kryqëzuari, askush tjetër. Në korpin e Tij të lumnueshëm mbart plagët e pashlyeshme: plagë që bëhen frëngji shprese. Kah Ai i drejtojmë sytë tonë, duke iu lutur t’i shërojë varrët e njerëzimit të plagosur.

Sot mendimi im shkon posaçërisht tek ata, që u goditën drejtpërdrejt nga koronavirusi: tek të sëmurët, ata që vdiqën e familjarët, që qajnë për humbjen e të dashurve, të cilëve shpesh nuk arritën as t’u japin lamtumirën e fundit. Zoti i jetës i marrtë për dore të vdekurit në mbretërinë e tij; i dhashtë ngushëllim e shpresë atij, që vijon të jetë në provë, posaçërisht pleqve dhe njerëzve të vetmuar! Premtoftë të mos u mungojnë ngushëllimi  i Tij e as ndihmat e nevojshme njerëzve, që jetojnë në kushte vështirësish të veçanta,  si  atyre që punojnë ndër spitale, ose që jetojnë në kazerma e ndër burgje! Për shumëkënd janë Pashkë vetmie, të jetuara në zinë e mjerimin, që po shkakton pandemia, duke nisur nga vuajtjet fizike, tek problemet ekonomike.

Kjo sëmundje ngjitëse na la jo vetëm pa ngrohtësinë njerëzore, por edhe pa mundësinë që ta ndjejmë personalisht ngushëllimin, i cili gurron nga Sakramentet, posaçërisht nga Eukaristia e nga Sakramenti i Pajtimit. Në shumë vende nuk ka qenë e mundur të merren, po Zoti nuk na la vetëm! Duke mbetur të bashkuar në lutje, jemi të sigurt se Ai na e mban dorën mbi krye  (krh Ps. 138,5), e na përsërit me forcë: mos ki frikë! U ngjalla e jam përgjithmonë me ty!” (krh Meshari Romak)

 Jezusi, Pashka jonë, u dhashtë forcë e shpresë mjekëve e infermierëve, që po japin kudo dëshmi kujdesi e dashurie ndaj të afërmit, deri në shterrimin e forcave e, jo rrallë, edhe me flijimin e shëndetit! Tek ata, ashtu si edhe tek njerëzit e tjerë, që punojnë me zell për të garantuar shërbimet kryesore, të nevojshme për bashkëjetesën civile, tek forcat e rendit e tek ushtarakët, që në shumë vende dhanë ndihmesën e tyre për t’i  lehtësuar vështirësitë e vuajtjet e popullsisë, shkon mendimi ynë e mirënjohja jonë.

Në këto javë, jeta e miliona njerëzve ndryshoi krejt papritur. Për shumë, ngujimi në shtëpi ishte rast për të reflektuar, për t’i ndalur ritmet e ethshme të jetës, për të ndenjur me të dashurit e për të shijuar shoqërinë e tyre. Për shumë të tjerë është edhe kohë shqetësimi për ardhmërinë, e cila duket krejt e paqartë; për punën, që rrezikohen ta humbasin e për pasojat e tjera, që sjell kriza. Inkurajoj ata që kanë përgjegjësi politike të bëjnë çmos në favor të së mirës së përbashkët të qytetarëve, duke u siguruar mjetet dhe instrumentet e nevojshme, që u krijojnë të gjithëve mundësinë  të  kalojnë një jetë dinjitoze e të favorizojnë, kur e lejojnë rrethanat, rifillimin e  veprimtarive të përditshme.

Nuk është kjo koha e indiferencës, sepse mbarë bota po vuan  e duhet  ta ndjejë veten të bashkuar në përballimin e pandemisë. Krishti i ngjallur u dhashtë shpresë gjithë të varfërve, atyre që jetojnë në periferi, refugjatëve  e të pastrehëve! Nuk duhen lënë vetëm këta vëllezër e motra më të ligësht, që popullojnë qytetet dhe periferitë në të katër anët e botës. Të mos lejojmë t’u mungojnë gjërat më të nevojshme, që gjinden me vështirësi  tani, kur shumë veprimtari janë të mbyllura; ashtu si dhe ilaçet e, sidomos, mundësia për asistencën e duhur shëndetësore. Duke pasur parasysh rrethanat, u lehtësofshin dhe masat ndeshkimore ndërkombëtare, të cilat i frenojnë mundësitë e vendeve të ndëshkuara për t’u dhënë mbështetjen e duhur qytetarëve të tyre e për t’u krijuar të gjitha shteteve, posaçërisht më të varfrave, kushtet për t’i bërë ballë nevojave më të mëdha të çastit, duke ua reduktuar, nëse nuk mund t’ua falin, borxhin që rëndon mbi buxhetet e tyre.

Nuk është kjo, koha e egoizmave, sepse sfida që po përballojmë na bashkon të gjithëve e nuk bën dallime ndërmjet njerëzve. Ndërmjet të gjitha zonave të botës, të prekura nga koronavirusi,  i drejtoj një mendim të veçantë Evropës. Pas Luftës II Botërore, ky kontinent i dashur mundi të rilindej falë frymës konkrete të solidaritetit, që e ndihmoi t’i kapërcejë rivalitetet e së kaluarës. Është më urgjente se kurrë, posaçërisht në rrethanat e sotme, që këto rivalitete të mos e ngrenë më kokën, por të gjithë ta kuptojnë se janë pjesë e një familjeje të vetme e ta mbështesin njëri-tjetrin. Sot Bashkimi Evropian është përballë një sfide epokale, nga e cila varet jo vetëm ardhmëria tij, por edhe ajo e mbarë botës. Nuk duhet humbur rasti për të dhënë një provë solidariteti, edhe duke kërkuar rrugëzgjidhje të reja. Alternativa është vetëm egoizmi i interesave të veçanta dhe tundimi i rikthimit të së kaluarës, me rrezikun e vënies në provë të rëndë të bashkëjetesës paqësore dhe të zhvillimit të breznive të reja.

Nuk është kjo, koha e përçarjeve. Krishti, paqja jonë, i shndritët ata, të cilët kanë përgjegjësi në konfliktet, të marrin guximin  e t’i përgjigjen thirrjes për armëpushimin global e të menjëhershëm në të katër anët e botës! Nuk është kjo, kohë për fabrikimin dhe trafikun e armëve, kohë për të shpenzuar kapitale shumë të mëdha, që do të duhej të përdoreshin  për të mjekuar njerëzit e për të shpëtuar jetë. Është, ndërkaq, koha për t’i dhënë fund luftës së pafundme, që gjakosi Sirinë, konfliktit në Jemen e tensioneve në Irak, ashtu si edhe në Liban. Qoftë kjo, koha e rifillimit të dialogut ndërmjet Izraelitëve e Palestinezëve, për të gjetur një rrugëzgjidhje të qëndrueshme, afatgjatë, që u krijon të dyja palëve kushtet për të jetuar në paqe! Përfundofshin vuajtjet e popullsisë,  që jeton në zonat lindore të Ukrainës dhe sulmet terroriste kryer kundër një mori njerëzish në vendet e Afrikës.

Nuk është kjo koha e harresës! Kriza, që po përballojmë, mos na bëftë të harrojmë një mori emergjencash të tjera, që sjellin me vete vuajtje të rënda për shumë njerëz! Zoti i jetës qoftë pranë popullsive të Azisë e të Afrikës, që po kalojnë kohë krizash humanitare, ashtu si edhe në rajonin e Kabo Delgado, në veri të Mozambikut! Ua ngrohtë zemrën  refugjatëve e të shpërngulurve të shumtë, për shkak të luftërave, të thatësirës e të zisë së bukës. I mbrojtët migrantët dhe refugjatët e panumërt, shumë prej të cilëve janë fëmijë, që jetojnë në kushte të padurueshme, posaçërisht në Libi e në kufirin ndërmjet Greqisë e Turqisë!  Premtoftë që në Venezuelë të gjinden rrugëzgjidhje konkrete e të menjëhershme, të cilat synojnë të pranohet kërkesa për ndihmë ndërkombëtare ndaj popullsisë, që vuan nga shkaku i krizës së rëndë të koniukturës politike, shoqëroro-ekonomike e shëndetësore.

Të dashur vëllezër e motra

 ndiferenca, egoizmi, harresa nuk janë fjalët që dëshirojmë t’i dëgjojmë në këtë kohë. Madje duam t’i zhdukim nga të gjitha kohët! Ata duket sikur mbizotërojnë, kur në shpirtin tonë jetojnë frika e vdekja, domethënë, kur nuk e lëmë të fitojë Zotin Jezus në zemrën tonë e në jetën tonë. Ai, që e mundi vdekjen duke na hapur udhën e shëlbimit  të amshuar,  i davaritët terrinat e natyrës sonë njerëzore e na priftë në ditën e lume, që nuk njeh perëndim!

Filed Under: Featured Tagged With: Papa francesku

GËZUAR PASHKËT!

April 11, 2020 by dgreca

GËZUAR PASHKËT!/

HAPPY EASTER!/

FEDERATA PAN SHQIPTARE E AMERIKËS “VATRA”, KRYETARI I SAJ Z. ELMI BERISHA, NË EMËR TË GJITHË VATRANËVE, URON BASHKATDHETARËT E BESIMIT KATOLIK: GËZUAR PASHKËT!

PAQJA, DASHURIA, HARMONIA, SHPRESA MBRETËROFSHIN NË FAMILJET TUAJA!

LE T’I BASHKOJMË LUTJET DHE URIMET TONA PËR VIKTIMAT E PANDEMISË DHE PËR ATA QË JANË NË VIJËN E PARË TË LUFTËS!

Filed Under: Featured Tagged With: Elmi Berisha, Gezuar Pashket

AMERIKA OPTIMISTE, TREGON SHENJA SHPRESE PËR KALIMIN E KRIZËS

April 10, 2020 by dgreca

Ura e Brooklynit nuk e kishte të Premten e Mirë pamjen mahnitëse të së Premtes së Mirë të vitit 2019, kur besimtarët organizuan tradicionalisht procesionin e Kryqit, që këtë vit mjerisht nuk mund të organizohej për shkak të  Pandemisë që ka mbërthyer Botën. Besimtaret Katolikë në të gjithë botën kremtuan të “Premten e Mirë” në kushte të pazakonta, ku gjysma e popullsisë në të gjithë botën ndodhet në izolim.

Papa Francesku e drejtoi ceremoninë e së Premtes së mirë, nga Bazilika e Shën Pjetrit , pa praninë e besimtarëve, ceremoni që normalisht zhvillohej te Koloseu me pjesmarrje masive besimtarësh.Gjithë ky privim nga virusi që ka izoluar botën.

 Amerika po përjeton afrimin e kalimit të kulmit të krizës nga Koronavirusi, edhe pse ky kulm ende s’ka ardhur. Natyrisht që fundi i betejës duket i largët, por shenjat pozitive shihen, veçanërisht në New York, ku është epiqendra e përhapjes së infeksionit. Ulja e numrit të shtrimeve ditore, dhe nevojat më të pakta për përdorimin e ventilatorëve, përfshi dhe uljen pacientëve në rrisk jete, janë shenja të mjafta, megjithëse numri i viktimave është ende i lartë(2 mije e 37 vetëm gjatë së premtes), dhe nuk përjashtohnt as në ditët e së ardhmes së afërt.

Një sinjal tjetër pozitiv është edhe paralajmërimi i Presidentit Trump për ngritjen e një Komisioni të dytë pune në Shtëpinë e Bardhë që do të ketë si synim hapjen e vendit pas mbylljes së detyruar. Po ashtu presidenti paralajmëroi me optimizëm edhe për ringritjen e ekonomisë amerikane pas krizës, pavarsisht rritjes galopante të papunsisë.

       Për Dr Deborah Birx, koordinatoren e Shtëpisë së Bardhë për Koronavirusin, shenjat inkurajuse për zbutjen e krisëz në SHBA, janë të dukshme. SHBA po hyn në atë fazë që hyri Italia para një jave ç’ka na jep zemër se po fillojmë të shohim ndryshime, tha dr.Birx. 

Zv/Presidenti amerikan Mike Pence u kërkoi amerikanëve që të vazhdojnë të respektojnë rregullat e distancimit social, kërkesë që u përsërit edhe nga  Dr. Anthony Fauci.

  • Nuk ka kthim mbrapa,nuk mund të tërhiqemi, tha Dr. Anthony Fauci.

      Presidenti Donald Trump informoi se do të krijojë një grup pune të dytë për Koronavirusin, i cili do të synojë kalimin e fazës tjetër, atë të rihapjes së vendit, në të ardhmen jo të largët.

        Gjithësesi shifrat e së premtes, veçanërisht ato të shtrimeve të reja, nuk ishin pesimiste, por optimizmi bie kur shihet numri i viktimave dhe rritja e numrit të infektuarëve.

Shtete e Bashkuara e kaluan gjysëmilionshin e të infektuarëve. Mbrëmë vonë statsitikat shënonin 502 mijë e 49 të infektuar me COVID-19, me 33 mijë e 443 të infektuar të rinj. Numri i vdekurëve sërish shënoi një rekord prej 2 mijë të vdekurish, duke e çuar shifrën e përgjithshme të viktimave në 18 mijë e 719, duke mbetur vetëm 130 më pak se Italia me 18 mijë e 849. Shifra globale në rang botëror arriti 1 milion 697 mijë e 533 të infektuar.Bota ka pesuar 102 mije e 686 vdekje, ndërkohë që dy vendet europiane më të goditura, Italia dhe Spanja, patën më pak të infektuar të rinj, të dyja së bashku, se sa shtetit i New Yorkut, ndërkohë që numri i të shëruarëve është rritur tek këto dy shtete; 55 mijë e 668 në Spanjë dhe 30 mijë e 455 në Itali.Të dy shtetet europiane arritën ta frenonin ofensiven e virusit me masat e vonuara shtërnguse. Franca dhe Britania e Madhe ende nuk e kanë zbutur situatën, ndërkohë që Belgjika ka nisur kohët e fundit të ketë rritje të viktimave.

       Në SHBA, shteti i New Yorkut vazhdon që të prijë si për numrin e të infektuarëve ashtu edhe për viktimat. Edhe pse numri i shtrimeve është në rënie, të infektuarit e rinj gjatë ditës së premte u raportuan se kishin kapur shifrën e rreth 11 mijëve, ndërsa numri viktimave ishte 777, duke shënuar një ulje ditore prej 200 të vdekurish krahasuar me një ditë më parë.

Media kryesore në vend, por dhe ato ndërkombëtare, përfshirë dhe BBC, informuan për varret masive për të vdekurit nga COVID-19, ku dronët kishin fotografuar arkivole të varrosur në një varr masiv në New York City, pasi numri i vdekjeve nga koronavirusi vazhdon të rritet.U përcollën fotografi që tregonin punëtorët me veshjet speciale të cilët dukeshin duke grumbulluar arkivole në një tip transheje të thellë në ishullin Hart.

Zyrtarët e shtetit të NY thanë se varret massive po bëhen në ishullin Hart, i cili është përdorur prej rreth 150 vjetësh për njerëzit pa të afërm ose familjet që nuk kanë mundur të përballonin shpenzimet e funeralit.

Në shtetin e New Jersey-t u shënuan 3 mijë e 561 të infektuar të rinj gjatë ditës së premte, duke e çuar shifrën e përgjithshme të infektuarëve në 54 mijë e 588, ndërsa viktimat e së premtes ishin 232, me numër total 1 mijë e 932. Shteti i Michiganit sërish raportoi një numër të konsiderushëm viktimash, 205, duke u renditur në vend të tretë për viktimat COVID-19, pas New Yorkut dhe New Jersey-t me 1 mijë e 281, po kaq ishtë dhe numri i infektuareve të rinj gjatë së premtes. Sipas Dr. Deborah Birx, Bostoni dhe Chikago, do të jenë dy vatrat e tjera të nxehta. Gjatë ditës së Premte Massachusetts shënoi 96 viktima me mbi 2 mijë të infektuar në harkun e një dite, ndërsa Illynoisi kishte 68 të vdekur(Po aq sa kishte dhe Connectucut). (Dielli)

Filed Under: Featured Tagged With: Amerika Optimiste, Pandemia

NEW YORKU LA PAS SPANJËN DHE ITALINË PËR NUMRIN E TË INFEKTUARËVE, REKORD I RI PËR VIKTIMAT

April 9, 2020 by dgreca

  • E Enjtja sërish shënoi rekord për numrin e të vdekurëve me 799, duke e çuar numrin e përgjithshëm të viktimave në 7 mijë 67.
  • Numri më i madh i personave të infektuar në NYC, rreth 32 mijë e 565, ose 39 përqind, i përkasin moshës nga 18 në 44 vjeç.

          Media njujorkeze e ka cilësuar shtetin e New Yorkut si kryeqytetin e botës për koronavirusin, duke regjistruar më shumë raste COVID-19 se çdo vend tjetër në të gjithë globin, jashtë SH.B.A.

Që nga e enjtja, Empire State kishte regjistruar gjithsej 161 mijë e 504 raste të konfirmuara të koronavirusit ,ç’ka përbën një kërcim prej më shumë se 10,000 raste të reja nga dita e mëparshme, e Mërkura e 8 prillit.

E enjtja sërish e la pas rekordin e së mërkurës për numrin e viktimave, duke vendos rekord të ri me vdekje ditore 799 vdekje brenda natës. Shteti tani ka tejkaluar rastet e koronavirusit në çdo vend tjetër në botë, krahasuar dhe me shtete të mëdha të Europës.

Për numrin e të infektuarëve shteti i New Yorkut ndiqet nga Spanja dhe Italia, të cilat kanë 153,446 dhe 143,626 raste të COVID-19, përkatësisht, sipas të dhënave të fundit nga Universiteti Johns Hopkins.

Gjermania ka 116.801 raste, e ndjekur nga Franca me 83.080, Kina me 82.883 dhe Irani me 66,220 raste, tregojnë të dhënat.

…. Tani Mbretëria e Bashkuar ka regjistruar gjithsej 65.077 raste të koronavirusit, ndërsa Turqia ka regjistruar 38.226 raste, sipas të dhënave, rreth 2o mijë më pak se New Jersey .

Në përgjithësi, SH.B.A. ka konfirmuar gjithsej 468 mijë 566 raste COVID-19 me 16.691 vdekje të shkaktuara nga sëmundja, deri të enjtjen.

Vetëm në New York City, statistikat zyrtare të lëshuara nga zyrat e shtetit, tregojnë se deri të enjten në mëngjes, 4,426 njerëz kanë vdekur nga koronavirus, ndërsa numri i rasteve të konfirmuara është rritur duke kapur shifrën 84,373.

Kryetari i bashkisë Bill de Blasio tha se “Ne duhet të luftojmë kundër këtij virusi dhe e kemi fuqinë ta bëjmë atë në shumë mënyra. Po të jemi të dispiplinuar do ta fitojmë betejën”

Në fillim të kësaj jave, numri i vdekjeve nga koronavirusët dhe infeksionet në New York eklipsoi rastet në Kinë, Iran dhe Gjermani.Vendi me më shumë fatalitet në botë deri më tani nga koronavirusi është Italia me 18.279 vdekje, e ndjekur nga SHBA dhe pastaj nga Spanja me 15.447, sipas të dhënave.

***

NYC ka peshën më të madhe të viktimave në rang shteti. Më shumë se 4,400 njerëz kanë vdekur nga koronavirusi në New York City, sipas statistikave të reja të lëshuara të enjten në mëngjes.Numri i vdekjeve të Big Apple nga COVID-19 regjistroi shifrën 4,426 në 9:30 në mëngjes, nga 3.602 që ishte të Mërkurën në mëngjes, shifra këto që u deklaruan nga Departamenti i Shëndetit në qytet.

Kishte gjithashtu 84.373 raste të konfirmuara të sëmundjes, krahasuar me 77.967 një ditë më parë. 

Statistika e paraqitura tregojnë se numri më i madh i personave të infektuar , rreth 32 mijë e 565, ose 39 përqind i përkasin moshës nga 18 në 44 vjeç.

Queensi mbeti bashkia më e goditur nga pesë bashkitë,- me më shumë se 27 mijë raste, shifër që përbën 32 përqind të totalit të NYC. Nga personat e testuar në New York, rreth 40% kanë rezultuar pozitive. Shtetet kufizuse gjithashtu kanë statistika të zymta: Tridhjetë përqind e atyre që u testuan në Connecticut, dhe 47% e atyre që testuan në New Jersey, ishin pozitivë. 

Shteti i New Jersey-t pat një rritje të numrit të infektuarëve më shumë se 3 mijë e 590, krahasuar me të mërkurën, duke e çuar numrin e të infektuarëve në 51 mijë e 27, ndërsa numri i viktimave të enjten ishte 196 (nga 272 që ishte të mërkurën, duke e çuar shifrën e përgjithshme të viktimave në 1 mijë e 700. Shteti i Michiganit raportoi 114 viktima, nga 117 që kishte një ditë më parë, ndërsa numri i përgjithshëm shkoi në 1 mijë e 76, të infektuarit e rinj kapën shifrën ditore 1 mijë e 158. Massachusetts raportoi më shumë se 2 mijë të infektuar të rinj, ndërkohë që regjistroi 70 të vdekur, nga 77 që regjistroi të Mërkurën, Washingtoni nuk raportoi të vdekur gjatë ditës së Enjte, California raportoi 40, Louisiana 50, Pennsylvania 24, Florida 66, ILLYNOIS 82, Georgia 9, Connecticut 45, Indiana 42 dhe Virginia 34.(Dielli)

Filed Under: Featured Tagged With: COVID-19

INTERVISTA E KRYETARIT TE VATRES NE TV 21

April 9, 2020 by dgreca

Filed Under: Featured Tagged With: Interviste ne RTV 21

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 258
  • 259
  • 260
  • 261
  • 262
  • …
  • 901
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Mbi romanin “Brenga” të Dr. Pashko R. Camaj
  • Presheva Valley Discrimination Assessment Act Advances
  • Riza Lushta (22 JANAR 1916 – 6 shkurt 1997)
  • Krimet e grekëve ndaj shqiptarëve të pafajshëm në Luftën Italo-Greke (tetor 1940 – prill 1941)
  • Masakra e Reçakut në dritën e Aktakuzës së Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë
  • FATI I URAVE PREJ GURI MBI LUMIN SHKUMBIN
  • Skënderbeu, Alfonsi V dhe Venediku: në dritën e Athanas Gegajt
  • Abaz Kupi si udhëheqës ushtarak i çështjeve kombëtare
  • “Lule e fshatit tim” – Poezi nga Liziana Kiçaj
  • Çfarë është një peizazh tingullor?
  • Populli dhe trojet shqiptare në gjeopolitikën e re euro-atlantike
  • Analizë strukturore e sovranitetit, krizës së konsolidimit shtetëror dhe implikimeve gjeopolitike
  • Arti popullor në kryeqytet si ajerngopja në malet e larta
  • “Pjesëmarrja në Bordin e Paqes, vlerësim dhe pëgjegjësi e shtuar për RSh”
  • 106 VITE NGA KONGRESI KOMBËTAR I LUSHNJES-THEMELI I PARLAMENTARIZMIT DHE VETËQEVERISJES SË PLOTË TË SHTETIT SHQIPTAR

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT