• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Presidenti Trump kërcënon të detyrojë Kongresin të pezullojë punimet

April 16, 2020 by dgreca

Nga Steve Herman/VOA/

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump po kërcënon që të pezullojë punimet e Kongresit, sepse ligjvënësit nuk kanë miratuar kandidatët e tij për disa poste të larta në administratën e tij, përfshirë personin që ai ka caktuar për të drejtuar agjencinë që mbikqyr Zërin e Amerikës. 

“Unë kam shumë pushtet”, deklaroi të mërkurën Presidenti Trump duke iu referuar nenit të dytë të Kushtetutës amerikane që e lejon presidentin “në rrethana të jashtëzakonshme”që të pezullojë punimet në njërën ose dy dhomat e Kongresit.

“Senati ose duhet të përmbushë detyrën dhe të votojë për emërimet e mia, ose duhet të mbyllë punimet zyrtarisht në mënyrë që unë të bëj emërimet në kushtet e një Kongresi të mbyllur. Kemi një numër të madh njerëzish që duhet të fillojnë punë në qeveri. Dhe tani kjo është më urgjente se kurrë, për shkak të virusit dhe gjendjes ku jemi”, tha Presidenti Trump në konferencën e përditshme për shtyp për koronavirusin, në Shtëpinë e Bardhë.

Sipas Kushtetutës, kandidatët për disa nga postet e larta të administratës duhet të konfirmohen me shumicë votash në Senat. Megjithatë në rastet kur Kongresi nuk është në sesion, presidenti mund të bëjë emërime, që shfuqizohen nëse kandidati nuk është konfirmuar deri në fund të sesionit të ardhshëm të plotë. 

Asnjë president nuk e ka ushtruar autoritetin për të shpërndarë Kongresin, sipas Nenit të Dytë, Artikullit të Tretë të Kushtetutës. 

“Ndoshta nuk është bërë kurrë më parë, askush nuk është i sigurt nëse është bërë. Por ne do ta bëjmë. Na duhen këta njerëz. Na duhen njerëz për krizën dhe nuk duam të bëjmë më lojra politike”, tha zoti Trump.

Michael Pack, një producent filmash dokumentarë, që zoti Trump e ka zgjedhur për drejtuar Agjencinë e Shteteve të Bashkuara për Media Gobale (USAGM), është një nga 15 kandidatët për postet e larta, që presin konfirmimin e Senatit. Zoti Trump e përmendi me emër zotin Pack (por e identifikoi agjencinë që ai do të drejtonte si Bordi i Guvernatorëve të Transmetimeve Ndërkombëtare, paraardhësja e USAGM-së). 

Presidenti përmendi gjithashtu kandidatët për postin e drejtorit të zbulimit kombëtar, dy anëtarë të Bordit të Rezervës Federale dhe nënsekretarin e Bujqësisë, mes atyre që nuk janë konfirmuar. Zoti Trump fajësoi demokratët për vonesat, duke e akuzuar partinë e opozitës për një “përpjekje të koordinuar për ta vështirësuar situatën”. 

“Praktika e ikjes nga qyteti (Uashingtoni), duke bërë seanca të rreme vetëm formalisht është një neglizhim i detyrës që populli amerikan nuk mund ta përballojë gjatë kësaj krize. Kjo që po bëjnë është një sajesë dhe të gjithë e dinë”, tha ai.

Emërimi i zotit Pack “është bllokuar në komisione për dy vjet, duke na penguar të menaxhojmë Zërin e Amerikës – një gjë shumë e rëndësishme”, tha presidenti. 

“Dhe po ta dëgjoni se ç’po del nga Zëri i Amerikës, është e neveritshme. Gjërat që po thonë janë të neveritshme ndaj vendit tonë. Dhe Michael Pack do të vinte dhe do të bënte një punë të jashtëzakonshme, por ai ka dy vjet që pret – nuk e miratojmë dot”. 

Drejtoresha e Zërit të Amerikës në një përgjigje të mërkurën në mbrëmje, i hodhi poshtë kritikat e Presidentit Trump. 

“Për mbi 75 vjet, Zëri i Amerikës ka ndjekur misionin e tij për të treguar historinë e Amerikës në vende të tjera dhe për të dhënë informacion objektiv, bazuar në fakte në vende në gjithë botën që nuk kanë qasje në këto informacione. Siç kemi thënë për një kohë të gjatë, ne përhapim (parimet) e Amendamentit të Parë (që përfshin lirinë e shprehjes dhe medias)”, tha drejtorja e Zërit të Amerikës, Amanda Bennett në një deklaratë.

“Unë besoj në atë mision. Dhe duke gjykuar nga mënyra se si po zgjerohen audiencat tona, duke kërkuar informacion të besueshëm gjatë kësaj krize të koronavirusit, bota beson në misionin tonë. Është punë e vështirë, punë e rëndësishme, ndoshta sot më shumë se kurrë më parë”, vazhdon deklarata.

Në një email dërguar stafit të Zërit të Amerikës, zonja Bennett shtoi: “Kemi shumë punë për të bërë. Është punë e vështirë dhe e rëndësishme. Të mos të shpërqendrohemi nga puna që kemi përpara”.

Zonja Bennett është emëruar në postin e saj gjatë administratës së kaluar të ish-Presidentit Barack Obama dhe ka katër vjet në këtë detyrë, një kohë relativisht e gjatë për një drejtor të Zërit të Amerikës. Gazetarja veterane dhe fituese e çmimit Pulitzer, është drejtorja e 29-të e agjencisë në 75 vjet. 

Javën e kaluar, Shtëpia e Bardhë ndërmori një sulm ndaj Zërit të Amerikës, që gazeta New York Times e quajti “të çuditshëm”. 

Drejtori i medias sociale për Presidentin Trump, Dan Scavino Jr., tha se taksapaguesit amerikanë po paguajnë për propagandën e Kinës “përmes Zërit të Amerikës që financohet nga qeveria amerikane”.

Ai përmendi si shembull një postim në llogarinë e Zërit të Amerikës në Twitter, të një videoje të agjencisë Associated Press. Videoja tregonte një shfaqje dritash në Wuhan për të shënuar riahpjen e qytetit, ku COVID-19 u diktua për herë të parë. 

Disa orë më vonë, Shtëpia e Bardhë, akuzoi Zërin e Amerikës se kishte përdorur grafika “me statistika të qeverisë komuniste kineze për të krahasuar numrin e viktimave të Kinës nga koronavirusi me ato të Amerikës”. Në fakt, Zëri i Amerikës përdor shifrat e besueshme të Universitetit Johns Hopkins për koronavirusin. 

“Zëri i Amerikës flet shpesh për kundërshtarët e Amerikës, jo qytetarët e saj”, thuhej në postimin e Shtëpisë së Bardhë. 

New York Times shkruajti se “akuzat drejtuar agjencisë 75 vjeçare të transmetimit, dukeshin aq të tepruara saqë disa lexues shprehën shqetësimin se hakerat mund të kishin depërtuar në rrjetet e Shtëpisë së Bardhë”. 

Zonja Bennett iu përgjigj kritikave të javës së kaluar me një deklaratë ku shprehej se Zëri i Amerikës “po e mbulon me detaje disinfomimin dhe keqinformimin e Kinës në anglisht dhe në gjuhën mandarine, duke njoftuar njëkohësisht me fakte”. Ajo shtoi se Zëri i Amerikës “ka diskredituar shumë nga informacionet që vijnë nga qeveria kineze dhe media e kontrolluar prej saj”.

Nëse konfirmohet, zoti Pack do të zëvendësojë Grant Turnerin, që po shërben si kreu i përkohshëm i USAGM-së, pas dorëheqjes së John Lansing, që ishte i emëruar nga zoti Obama.

Filed Under: Featured Tagged With: Kongresi

SHBA: Kongresi-kompetencat e Presidentit për armët bërthamore

November 15, 2017 by dgreca

1 Capitol

Për të parën herë në mbi 40 vite, këto ditë Kongresi po shqyrton kompetencat e një presidenti amerikan për të shpallur një sulm bërthamor. Komiteti i Senatit për Marrëdhëniet me Jashtë do të mbajë një seancë dëgjimore të titulluar “Autoriteti për të urdhëruar përdorimin e armëve bërthamore”.Kryetari i Komisionit akuzoi Presidentin Trump muajin e kaluar se, po i vendoste Shtetet e Bashkuara në rrugën e një lufte të tretë botërore.Në gusht, zoti Trump premtoi se do të zbrazte “zjarr dhe zemërim, siç bota asnjëherë nuk kishte parë”, mbi Korenë e Veriut, nëse ajo do të vazhdonte të zgjeronte programin e saj të armëve bërthamore.

Hera e fundit që Kongresi debatoi këtë çështje ishte gjatë një seance dëgjimore katërditore në mars të vitit 1976.Senatori Chris Murphy, një demokrat nga Connecticut, shpjegon arsyet për seancën dëgjimore publike.

“Ne jemi të shqetësuar për faktin se presidenti është kaq i paqëndrueshëm, kaq shpërthyes dhe ka një proces vendimmarrjeje shumë impulsive, saqë mund edhe të urdhërojë një sulm me armë bërthamore, që është gjerësisht larg interesave amerikane për sigurinë kombëtare”.Diskutimet për një temë të tillë, në mënyrë publike, janë jo fort të zakonshme. Si Kryekomandant, Presidenti ka autoritetin të urdhërojë një sulm bërthamor, që mund të kryhet me nëndetëse, avionë apo raketa balistike ndërkontinentale, që përbëjnë të ashtuquajturën “triada bërthamore”.Sipas rregullave aktuale, presidenti amerikan mund të nisë sulmin duke përdorur kodet në një mekanizëm të quajtur “Futbolli”, që udhëton kudo bashkë me presidentin. Për këtë zoti Trump nuk është i detyruar të konsultohet me askënd dhe as të marrë leje nga askush.

Këshilltarët e tij më të lartë, si Sekretari i Mbrojtjes, ai i Shtetit apo këshilltari për Sigurinë Kombëtare nuk kanë asnjë rol në zinxhirin e komandës. Miratimi i Kongresit nevojitet për përdorimin e forcës ushtarake konvencionale, por fuqitë bërthamore mbeten në duart e presidentit, që nga agimi i erës bërthamore.Kjo, sepse një raketë balistike armike e lëshuar nga ana tjetër e botës, mund të godasë Shtetet e Bashkuara në vetëm 30 minuta. {Sh.K}

 

Filed Under: Komente Tagged With: ARMËT BËRTHAMORE, Kongresi, Kopetencat e Presidentit, Shefqet Kercelli

DioGuardi ne Brooklyn: Të jesh Shqiptar, Je i lindur Republikan!

April 27, 2016 by dgreca

*DioGuardi, me republikanët në Bruklin nëshkroi librin “Kongresi i Papërgjegjshëm”, dhe foli për votimet në SHBA/
Nga Beqir Sina , Nju Jork/
*DioGuardi : “If you are Albanian You are born Repubican – Të jesh Shqiptar Je i lindur Republikan!”/
BROOKLYN NY : Të Martën më 26 Prill, mysafir i veçantë, i një grupi republikanësh, nga Brooklyni, New York, ishte ish kongresmeni republikan i New Yorkut, Joe DioGuardi – President i Lidhjes Qytetare Shqiptaro Amerikane, i cili ka firmosur librin e tij “Kongresi i Papërgjegjshëm”, një libër ky i ofruar falas për të pranishmit.
Një, veprimtari, kjo e organizuar nga Klubi Republikan në qytetin e Brooklynit, avokati Ted Ghorra, kryetar, dhe kryetari i oganizatës Rrënjët Shqiptare, Marko Kepi, anëtar i stafit të Senatorit të Shtetit Marty Golden, në zyrën e tij në Brooklyn.
Në mesin e dhjetra pjesmarrësve, ishin, disa grupe të konservatorëve republikan, gazetar lokal, dhe aktivist të njohur amerikan, si edhe disa zyrtarë të lart Republikan nga New Yorku, përfshirë, një grup veprimtarësh të rinjësh shqiptarë, nga New Yorku, studentë, gazetar dhe artistë shqiptaro – amerikan.
Avokati Ted Ghorra, i cili thuhet se ka marr bekimin e Artë, për të sfiduar Eaton për kryesimin e Partisë Republikane, të Qarkut Brooklyn, në Konventën e ristrukturimit vjetor të partisë, duke prezantuar ish – kongresmenin Republikan, Joe DioGuardi, tha se DioGuardi, ka qenë i vetëmi kongresmen me CPA, në  Kongresin Amerikan.
Duke, prezantuar mikun e Republikanëve në Brooklyn, avokati Ghorra, në bekgraundin e DioGuardit, kujtojë se: “Përpara se të bëhej pjesë e Kongresit, DioGuardi, ishte një drejtues kompanie që shërbeu për 22 vite në llogaritë ndërkombëtare të kompanisë Arthur Andersen & Co., 12 prej të cilave si partner. Në vitin 1984, ai u bë anëtari i parë i certefikuar i llogarisë publike, dhe, është zgjedhur në, Capitol Hill – Dhomën e Përfaqësusve në SHBA, më 1984.
Ghorra, ndërkohë, shtojë, se “ Në ndihmë të, të drejtave të njeriut ndërsa punonte në Kongres, DioGuardi, udhëhoqi reformën për “Reformën federale financiare”. Pasi la Kongresin, ai krijoi një fondacoin jofitimprures, i quajtur “Truth in Government,” E Vërteta e Qeverisë dhe publikoj një libër të titulluar “Unaccountable Congress: It doesn’t Add Up,” Kongresi i Papërgjegjshëm Nuk Shtohet”, libër të cilin jo do ta merrni falas dhe me nëshkrimin e tij”, tha Avokati Ted Ghorra, kryetari i Klubit të Republikanëve në Brooklyn New York .
Mes një entusiazmi karakteristik, të këtyre takimeve Republikane, në këto votime praparake, tani edhe në mesin e fushatës së zjarrtë për President të SHBA, ku po konkuron në garën brenda – partiake, manjati Republikan Donald Trump , i mbështetur fuqishëm nga Klubi Republikan në Brooklyn, e mori fjalën ish kongresisti republikan nga New Yorku, Joseph J. DioGuardi, i cila ka qenë edhe kandidat për Senator në New York, më 2008, por humbi ndaj demokrates Senatores Gilibrand.
DioGuardi, foli me krenari para, pjesmarrësve, për prejardhjen e tij, se ai ka gjak shqiptari dhe ka origjinën nga Arbëreshët e Italisë.  
Unë, kam lindur në Bronks, Nju Jork, i biri i një emigranti tregëtar i vogël, perimesh, tha DioGuardi, duke treguar se ai ishte duke u rritur në një lagje emigrantësh, në Bronx, dhe diplomuar nga Fordham Prep në vitin 1958 dhe Fordham University me diplomën e këtij universiteti prestigjoz, në vitin 1962. “Babai im i martuar me Nënën e time, një Italjane-Amerikane, e brezit të parë e lindur në Nju Jork, tha ai, ishte një shqipëtar etnik i emigruar në Amerikë në vitin 1929, i lindur në Greci, në një fshat të vjetër i populluar nga Arbëreshët dhe i vetmi nga 53 të tillë që Gjergjë  Kastrioti – Skënderbeu, Heroi Kombëtar i Shqiptarëve, i ka shkelur më këmbë.”
DioGuardi, tha se për momentin shërben në bordin e drejtuesve të disa korporatave private dhe publike Amerikane, dhe shtojë se për çerek shekulli në SHBA, ai ka themeluar dhe po udhëheq vullnetarisht të parin dhe të vetmin Lobin e fuqishëm Shqiptarë në Amerikë, së bashku me bashkëshorten e tij, Këshilltaren e Çështjeve Ballkanike, Shirley Cloyes DioGuardi, duke i ndihmuar dhe mbrojtur, kudo Shqiptarët, në Shqipëri, Kosovë e trojet e tyre etnike, në çështjen shqiptare , këtu në Shtetet e Bashkuara, me në krye Ligën Qytetare Shqiptaro Amerikane – LQSHA.
 Duke, folur për librin e tij “Kongresi i Papërgjegjshëm”, dhe se çfarë e shtyu atë të shkruaj këtë libër, nga më të lexuarit, tha ai nuk e kishte menduar se kur kandidojë, për Kongresin në vitin 1984, ai  nuk e mendojë veten si një “profet modern “për buxhetimin, kontabilitetin të Qeverisë federale, dhe raportimin “gimmicks” për të parashikuar krizën financiare, deri në ditët e sotme dhe spiralet e borxhit kombëtar.
Ai tha se :“Por, pas dy terma të parë, si Kongresistë, për aq sa shërbeva në Dhomën e Përfaqësuesve – Kongresin e SHBA, isha i pari CPA i praktikuar, Kontabilist i Certifikuar Publik, i zgjedhur ndonjëherë në Kongres të SHBA-së, deri atëhere. Unë, kisha mësuar mjaft për të bërë buxhetimin e shteror, kontabilitetin e Qeverisë federale, dhe raportimin “gimmicks, për të parashikuar krizën financiare e cila po ndodh në ditët e sotme, nga Administrata Obama, dhe spiralet e borxhit kombëtar”
Më pas DioGuardi, u spjegojë të pranishmëve, përse ai shkroi dhe e botoi librin”Kongresi i Papërgjegjshme” një kopje të të cilit, ai e mbante vazhdimisht gjatë fjalës në dorë ndërkohë, që djem e vajza shqiptare, vullnetarët e tij, një grup të rinjësh shqiptarë, e shpërndan tek të gjithë librin falas.
  “Kongresi, nuk do të shtonte Buxhetin shtetror, deri në vitin 1992, për të paralajmëruar publikun për kontrollin nga ana e Qeverisë federale, të shpenzimeve dhe të huamarrjes së Amerikës. Dhe, themeluar të vërtetën jofitimprurëse të organizatave qeveritare, për të edukuar Amerikanët për rritjen e jo qëndrueshmërisë fiskale të Shteteve të Bashkuara.”, tha ai.
 Pas-pasojat, nga kjo situatë e vështirë financiare në vitin 2008, tha autori i librit”Kongresi i Papërgjegjshme” CPA, Joseph DioGuardi, vendosa për të rinovuar librin, pra ri-botuar librimin tim me të njëjtin titull.
Në këtë botim të ri, unë i ndjek ngjarjet kryesore dhe të rendësishme në buxhet, ekonomi e finanacë, shtetrore, që nga viti 1992, “të cilat, tha ai kanë kontribuar direkt në zhvillimet ekonomike të sotme, nga i kan rrënjët e “krizave” të saj, në legjislacionin e gabuara financiare dhe mungesa e mbikëqyrjes dhe përgjegjësisë politike përmes rritjes masive në shpenzimet e qeverisë dhe borxhin kombëtar.
Ndersa, libri im tha DiouGuardi, përshkruan mënyrat për të vendosur rekord financiar të qeverisë drejt në mënyrën që ne mund të punojmë në rrugën tonë dhe ikur nga një krizë që po dëmton çdo Amerikan” ka shprejguar, nder te tjera DiouGuardi.
Më pastaj duke e “ndezur” edhe pak amosferën elektorale, në Klubin Republikan në Brooklyn ditën e votimeve në 5 shtetet e Bregut lindor, megjithëse, ai nuk kishte shfaqur ndonjë tendencë, pro mbështjetjes së Donald Trump, a ndonjë kandidati specifikë, tha se Trum, simbas tij do të fitojë , dhe do të jetë në nëntor kandidati i fortë i Republikanëve për të ju marrë, mbas 8 vjetëve të demokratëve Shtëpinë e Bardhë, u shpreh DiouGuardi.
Joe DioGuardi, gjithashtu, ka deklaruar mbrëmë në Klubin Social të Republikanëve Brooklyn, “Salty Dog”  në tubimin e  organizuar nga New York City Republican, se : “Në qoftë se ju jeni shqiptar, Ju jeni i lindur Repubikan. Mbasi, shqiptarët, simbas tij,  janë të lindur republikan,” argumentojë ai. Ndërsa, duke, thënë arsyet, se pse mendon kështu,  ai shtojë : “Kjo është arsye pse shqiptarët janë republikanët të regjistruar. Ata lanë vendin e tyre, sepse, u përndoqën nga një regjim shtypës, sllavo- komunist, të cilët vendin e tyre tani e kanë socialistët, të cilët erdhën në SHBA , për të “gëzuar” lirinë të  bizneseve të tyre. Ata besojnë në qeverin më të vogël dhe në kapitalizmim!” tha DioGuardi.
Por, më tej sqarojë ish kongresmeni republikan i New Yorkut, Joe DioGuardi – President i Lidhjes Qytetare Shqiptaro Amerikane, i cili ka firmosur librin e tij, dje “Kongresi i Papërgjegjshëm”, një libër ky i ofruar falas për të pranishmit, tha “ Duke pasur parasyshë, atë se çfarë ka bërë Bill Klinton, për Kosovën, shqiptarët në këto zgjedhje “presidencialet 2016”, pavarësisht, se janë të regjistruar Republikan apo Demokratë, ata përseri votojnë edhe për Hillary Clinton, megjithëse, ajo është demokrate. Mbasi,  gjithmonë simbas tij,  shqiptarët e Amerikës, kur vjen puna tek miqt e tyre në Kongres, Senat, dhe Presidentin e SHBA, ata janë të dyzuar, janë edhe Demokrat edhe Republikan, në votat e tyre, dhe kjo është një traditë e mirë, që i bënë shqiptarët e Amerikës, të kenë sot, kaq shumë miq në SHBA” tha ai duke mbyllur tubimin në Brooklyn  -New York .

Filed Under: Komunitet Tagged With: Joe DioGuardi, Kongresi, libri, republikan, shqiptaret

NË BUKURESHT U MBAJT KONGRESI NDËRKOMBËTAR I ISH TË PËRNDJEKURVE POLITIKË

August 27, 2014 by dgreca

Nga Frank Shkreli/
Shoqata Ndërkombëtare e ish të Përndjekurve të Europës post-Komuniste (INTERASSO), anëtare e së cilës është edhe Shoqata e ish të Përndjekurve Politikë të Shqipërisë, zhvilloi punimet e Kongresit të 21-të të kësaj organizate në Bukuresht të Rumanisë. Kongresi i ish-të përndjekurve politikë, ku morën pjesë 14 delegacione nga vendet ish-komuniste të Europës, të përfaqësuar secili nga dy delegatë, u mbajtë javën e kaluar nga 21 deri më 24 gusht. Në këtë takim të shoqatave europiane të të ish-përndjekurve politikë, Shqipëria përfaqësohej nga Zotërinjt Simon Mirakaj dhe Haki Hoxha.
Burime nga Kongresi bëjnë të ditur se Kongresi vjetor u mbajtë në Pallatin e Parlamentit rumun, ose siç quhej në kohën e diktatorit komunist Çaushesku, "Shtëpia e Popullit", një ndërtesë kjo grandioze e cila për nga madhësia dhe absurditeti i saj, edhe sot flet për narcisizmin dhe megalamoninë e diktatorit Nikolai Çausheskut, ku thuhet se kanë punuar mbi një milionë rumunë dhe mijëra ushtarë, 24 orë në ditë, shtatë ditë të javës dhe i cili mori vite për tu ndërtuar. I frymëzuar për ndërtimin e këtij pallati nga vizita e tij në Kinë dhe në Korenë e Veriut, në vitin 19971 dhe i impresonuar nga kulti i personalitetit të diktatorëve Mao Tse Tung dhe Kim il Sung, diktatori Çaushesku kishte në plan që nga ballkoni i lartë i këtij pallati të mbante fjalime turmave të popullit mbi të sukseset e komunizmit, por rumunët e lodhur dhe të vuajtur nga regjimi i tij diktatorial, kishin plane të tjera dhe e ekzektuan atë në dhjetor të vitit 1989. Rumunët e urrejnë gjithnjë këtë "vepër" të Çausheskut, sepse, për relaizimin e tij, ai kishte shkatërruar pjesën më të bukur historike të qytetit për t’i bërë vend këtij pallati, por për më tepër edhe kur të merret parasyshë mundi e djersa e popullit rumun që është derdhur aty, për të mos thënë gjë edhe për numrin e rumunëve që thuhet se kanë gjetur vdekjen duke ndërtuar këtë pallat, i cili sipas të dhënave mbulon 1/5 e sipërfaqës së kryeqytetit rumun. Diçka e ngjashme me ndërtimin e 700-mijë bunkerëve në Shqipërinë komuniste, qëllimi i të cilëve ishte gjoja për t’u mbrojtur nga "armiku" i cili nuk sulmoi kurrë Shqipërinë -- "veprën" e madhe të Enver Hoxhës -- e cila ashtu si edhe projekti i Çausheskut, përpiu pasurinë dhe burimet material dhe njerzore të vendit, si dhe mundin e djersën e popullit. Qëllimet e dy projekteve mund të ishin të ndryshme, njëri për të venë në dukje megalomaninë e një diktatori komunist dhe tjetri i shtyrë nga paranoia e një diktatori që i shihte armiqët kudo. Të dy këto projekte absurde kanë lënë pasoja fizike, psikike dhe historike, të cilat vetëm koha do t'i shuaj.
Natyrisht, se është domethënse fakti që ish të përndjekurit politikë të regjimeve komuniste nga Europa të mbanin të Kongresin e Shoqatave Europiane të ish- Përndjekurve politikë, pikërisht aty në atë ndërtesë. Burimet nga Kongresi,-- punimet e të cilit vazhduan për tre ditë -- njoftuan se Kongresi u hap zyrtarisht nga Kryetari i deri tanishëm i kësaj shoqate, kroati Jure Knezhoviq, ndërsa Kryetari i parlamentit rumun, Valeriu Stefan Zgonea përshëndeti delegatët duke u uruar atyre mirëseardhjen dhe punë të mbarë. Gjatë punimeve të Kongresit, përfaqësuesit e delegacioneve të ndryshme europiane paraqitën raportet e tyre duke pasqyruar gjëndjen në vendet nga vinin, pothuaj një çerek shekulli pas shëmbjes së komunizmit. Delegacioni shqiptar, në raportin e tij, u raportoi delegatëve të tjerë europianë për atë që duket se është një nostalgji e re për ish regjimin komunist shqiptar, duke përmendur ndër të tjera, ri-shfaqjen e portretit të Enver Hoxhës pas radhës së shtetarëve shqiptarë, në praninë e Kryeministrit Edi Rama dhe të Krye-parlamentarit Ilir Meta, tek Varrezat Kombëtare në Tiranë, nëntorin e kaluar. Delegacioni i ish të përndjekurve politikë shqiptarë njoftoigjithashtu delegatët e tjerë europianëpër ato që ata thanë se ishin largime të detyrueshme nga puna të disa të ish përndjekurve, vetëm e vetëm, për arsye të bindjeve të tyre politike, gjë që si përfundim çoi në grevë urie nga një grup ish-të përndjekurish politikë në Tiranë.
Gjithnjë sipas burimeve të Kongresit, pasi u lexuan raportet e paraqitura nga delegacionet e ndryshme,delegatëtmbajtën zgjedhjet për kryetarin e ri të Shoqatës Europiane të ish-Përndjekurve Politikë, ku u zgjodh gjermani Kristian Fuchs. Në fund të punimeve tre ditëshe të ish-të përndjekurve politikë nga e mbarë Europa, Kongresi miratoi një rezolutë e cila thuhet seiu dërgua Këshillit të Europës (KE) dhe Bashkimit Europian (BE).
Në pikat kryesore të rezolutës së Bukureshtit i bëhet thirrje vendeve anëtare të KE-së dhe të BE-së që të dënohet publikisht komunizmi dhe të ndalohet propaganda komuniste nga nostalgjikët e atij sistemi.Në rezolutë theksohet, ndër të tjera, që të ndërmirren masa për ngritjen e monumenteve në nderim të viktimave të komunizmit.Gjatë qëndrimit të tyre në Bukuresht, delegatët mësuan se në kryeqytetin rumun po ndërtohej një monument gjigant në nderim të viktimave të regjimit komunist të Çausheskut, me një lartësi prej 28 metrash dhe me një peshë prej 120 tonësh, i cili sipas këtyre burimeve, pritet të inaugurohet mbrenda gjashtë muajsh.
Ndër pikat e tjera të rëndësishme të theksuara në rezolutë, kërkohet që shkollat në vendet ish-komuniste të ndërmarrin masa për të edukuar brezin e ri me një frymë anti-komuniste, si dhe hapjen e dosjeve ose të miratohet ligji i lustracionit, në vendet ku ende nuk ka ndodhur një gjë e tillë. Në rezolutë u kërkua gjithashtu që të ndërpriten bisedimet për antarësim nëBashkimin Europian me vendet që nuk zbatojnë këto detyrime.Duke pasqyruar gjëndjen aktuale në Europë, Kongresi i ish të përndjekurve politikë, me rezolutën e tij drejtuar Bashkimit Europian dhe Këshillit të Europës, dënon agresionin rus kundër Ukrainës dhe kërkon ndalimin e ndërhyrjes së trupave ruse në Ukrainë.
Në të vërtetë, pikat që theksohen në rezolutën që doli nga Kongresi i ish të përndjekurve politikë në Bukuresht, janë pothuaj të njëjtat kërkesa me ato të rezolutave të aprovuara më heret nga Këshilli i Europës (KE) dhe Bashkimi Europian (BE)me të cilat dënohen ashpër krimet e regjimeve totalitare komuniste.Ndër to dallohen, ndër të tjera, rezoluta e KE e vitit 2006, Deklarata e Pragës e vitit 2008, Rezoluta e Parlamentit Europian më 2009 si dhe Deklarata e Vilnius-it më 2009, e tjera.Në këto dokumente të Europës nënvijohen krimet e regjimeve komuniste dhe theksohet se ajo që i karakterizonte këto regjime ishte shkelja masive e të drejtave të njeriut, ç’prej fillimi të tyre, me qëllim për të qëndruar në pushtet, me çdo kusht.Në rezolutën e Këshillit të Europës nënvijohet se krimet e bëra nga regjime të komuniste kanë qenë të ndryshme, varësisht nga kultura, vendi dhe periudha historike, por që kanë përfshirë vrasje dhe ekzekutime individësh dhe grupe njerzish, përfshirë edhe vdekjet në kampet e përqëndrimit, urinë, deportimet, torturat, persekutimet e komuniteteve fetare dhe mohimin e lirisë së fjalës, të mendimit dhe të shtypit, përveç krimeve të tjera.
Kongreset vjetore të shoqatave europiane të përndjekurve politikë, si mbledhja që u mbajt javën që kaloi në Bukuresht, e ka rëndësinë vet praktike, në mos për asgjë tjetër, atëherë për tu rikujtuar sado pak brezave të tanishëm të vendeve ish-komuniste, krimet e regjimeve totalitare dhe njëkohësisht për tu kujtuar vendeve të ndryshme që të zbatojnë rezolutat dhe angazhimet që kanë marrë për një rishqyrtim të thellë të krimeve të regjimeve komuniste, krime të cilat janë bërë në emër të luftës së klasave dhe në emër të diktaturës së proletariatit. Pa një shqyrtim të tillë, sipas një rezolute të Këshillit të Europës, publiku në përgjithsi nuk ka aspak dijeninë e nevojshme mbi këto krime kundër njerëzimit dhe thekson se disa parti komuniste të cilat nuk kanë shqyrtuar ende krimet e bëra prej tyre gjatë sundimit të tyre, vazhdojnë të gëzojnë status ligjor në disa vende.
Ky siç duket ky është gjithashtu edhe mesazhi që doli nga punimet e Kongresit të Shoqatës Europiane të ish Përndjekurve Politikë që u mbajtë në Bukuresht fund javën që kaloi, dhe i cili njëkohësisht propozoi që Kongresi i vitit të ardhëshëm të Shoqatës Europiane të mbahet në Shqipëri ose në Hungari. Thuhet se qeveritë përkatëse janë njoftuar për këtë propozim tëShoqatës Europiane të ish Përndejkurve dhe se tasht prej tyre pritet një përgjigje mbrenda tre muajsh.

Filed Under: Editorial Tagged With: Frank shkreli, i ish te perndjekurve, Kongresi, ne Bukuresh, politike

KONGRESI QE SHPALLI STATUTIN E KISHES ORTODOKSE AUTOQEFALE SHQIPTARE

May 29, 2013 by dgreca

Telegrami i Krypeshkop Visaron dhe jehona e kongresit të vitit 1929/

Ne Foto: Kryepeshkopi Visarion Xhuvani/

Shkruan: Gëzim Llojdia*/

Gazeta”Kombi shqiptar” e martë 2 korrik 1929 i kushton tërësisht një balline Kongresit Panortodokës që u zhvillua në qytetin juglindor të Korçës .Një titull në fillim është ”Me solemnitet madhështor morri fund Kongresi Panortodoks në Korcë .Vijon shkrimi ”Te deum në kishën Ortodokse të Tiranës ..Më tutje botojmë telegramin që hirësia etij Kryepeskopi i Shqipërisë Visarion u drejtoi gjithë kishave me rastin vendosjes së stutit definitiv të kishës ortodokse shqiptare dhe mbylljes së Kongresit të Korçës .

Me suksesin me këtë triumf kishtar u bë një vepër madhështore ,që brezat e ardhshëm kanë me cmue më mirë . Lumturia e ortodokse dhe shpëtimi i fesë së tyre u sigurua .Vdiqn në përgjithësi inatet politike greko-fanar .Do të zhduket përgjithnjë nga kisha ortodkse përdorimi i një gjuhe të vdekur dhe të huaj ,që propaganda politike të jashtme i kishin injoruar ortodoksisë për me e la injorante dhe në errësirë . Një periudhë ere çelet për atdheun tonë .Ringjallja e kombësisë,ndenja më e shenjtë e njeriut për dashurin e vendit të tij . të vëllezërve të tij .Kongreset e Korçës le të gëzojnë se tue cmue misionin tyre fetar dhe patriotik kontribuan në kurozimin e çështjes kishtare ortodokse shqiptare, përfundimi i të cilës është statuti i kishës autoqefale ortodokse shqiptare .Shërbimet e kongresmenëve nuk harrohen .Urtësia dhe energjia e Hirësisë së tij peshkopi Visarion në çështjet e kishës ortodokse mendojnë për datat ma të nalta .

Korçë 30 .Tash Kongresi Panortodoks i Shqipërisë votoj statutin definitiv të kishës ortodokse autoqefale të Shqipërisë me një za dhe në mes të entuziazmës dhe duartrokitjeve për mbretin ,kombi, qeverinë,kishën autoqefale ortodokse dhe Sinodhin e saj .”Porositeni që nesër dielën ora 6 mbas mesdite të stoliten kishat ne flamur kombëtar dhe llavarat kishtare dhe të thirrni gjithë popullin ,klerin në kishë dhe të mbahet Te deum tue dërgue falenderime lutje Perëndisë për mbretin, qeverinë, ushtrinë, kombin, kishën autoqefale,Sinodhin e Shenjtë dhe kryetarin e saj ,Kryepeskopin e Shqipërisë Visarion . Porositeni të vini në veprim çdo mjet dhe të bane çdo sakrificë dhe me urgjencë të madhe që kjo festë historike dhe me tepër rëndësi për ortodoksinë e fesë tonë të shenjtë dhe atdheun të kremtohet në mënyrën dhe ekspansionin ma madhështor dhe të mbahen fjalë panegjirike ,që të mbesi i paharruar ky kremtim edhe në brezat e ri të popullit tonë .Hiri i Zotit qoftë mbi ju kurdoherë .Kryetari i Kongresit dhe i Sinodit të Shenjtë ,Kryepeskpoi i Shqipërisë Visarion .

*Msc.Anetar i Akademise Evropiane te arteve

 

Filed Under: Featured, Histori, Kulture Tagged With: autoqefale shqiptare, Gezim Llojdia, Kongresi, qe shpalli, Statutin e Kishes ortodokse, Visarion Xhuvani

  • 1
  • 2
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • 23 MARS 1935…Vdekja a aktorit te madh dhe “Unaza e Iffland-it”…
  • VATRA I PËRGJIGJET ADI KRASTËS
  • Në st. Gallen të Zvicrrës u promovua libri që i kushtohet 1432 fëmijëve shqiptarë – viktima të gjenocidit shtetëror të Serbisë gjakatare!
  • SCIENTIFIC AMERICAN (1942) / GJON MILI DHE METODA E BLICIT TË SHUMËFISHTË STROBOSKOPIK
  • VATRA URON BESIMTARËT BEKTASHIANË: GËZUAR SULLTAN NOVRUZIN
  • “Gjergj Kastrioti Skenderbeu Way Honors the Old and New Generation of Albanians,” Petitioners and Worcester Councilors Say
  • Dorëheqja si proces vetëdijësimi
  • Ndërthurrje mitesh
  • “Çfarë populli mendojnë ata se jemi ne…” Winston Churchill
  • ZERI I AMERIKES: DASH: Mangësitë në pavarësinë e gjyqësorit, mungesa e pavarësisë në media dhe korrupsioni, problemet kryesore në Shqipëri
  • FAQE ARKIVI: Reportazhi nga kufiri Kosovë-Shqipëri “Muri ndërshqiptar si ‘fundi i botës’”- Mars 1996
  • Tri objektiva të rëndësishme që duhet t’i arrijë Kosova
  • RRËFIME TË VEPRIMTARISË KOMBËTARE TË EKREM BARDHA
  • DOJA TË ISHA DHE UNË…
  • DASH godet ashpër Serbinë për diskriminimin e vazhdueshëm shtetnor e institucional ndaj shqiptarëve të Luginës së Preshevës

Kategoritë

Arkiv

Tags

alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Hazir Mehmeti Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT