

Edhe mund ti vras veshin dikujt atributi i këtij emri, dhe s’do ti vijë i papritur atyre që janë mësuar tashmë me të tillë errësime emrash, si është ky i françeskanit të martirizuar. Jo. Mbase mund të trembet ndokush, që për karrierë vetjake, u bë megafon i atyre që e denuan me vdekje At Gjon Shllakun, misionarin shëmbullor, patriotin dhe demokratin e papërkulur, intelektualin e pamort.
Për opinionin publik, sot e kësaj dite, denimi dhe vrasja e tij janë të pa spjegueshme e të paligjshme. Madje shumë presin ditën kur i e martirë të tjerë të rifitojnë dritën e pafajsisë me anë të rishyrtimit publik të proçedurës së ndjekur. Jo se me demaskimin e epokës dhe të personave do të kërkohët njëkohësisht edhe hakmarrje.
S’është qëllimi i askujt, e mund të thuhet me plot bindje se nuk do të ishte as i vetë At Gjonit, I cili edhe për së vdekuri do t’u drejtohej ithtarëve të vet me vargjet e mjeshtrit dhe kolegut të tij At Gjergj Fishtës:
“Ndalniu! Ku veni, burra!
Pashë Zotin lshoni hutat,
Pse teper gjak asht derdhun,
Pse teper bajtë kan futat !…”
Pra jo hakmarrje. Por edhe që ish-prokurori, Aranit Çela, që me helm dhe fyerje e shpifje në gjyqin mashtrues të kurdisur, ish-prokurori I cili dhe për “merita” të tilla ngjiti shkallët e instancave të larta të Gjykatës s Lartë, tani të caktohet anëtar I Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, kjo me të vertete nuk mund të durohet. Pajtimi kombëtar, që duhet e që kërkohet prej kujdo, i ka kufinjët e vet!
Por të prpiqemi tash e të hedhim një fill dritë mbi këtë dëshmor të lirisë, në
pragun e 45 -vjetorit të vrasjes së tij.
Në numrin 3-4 të v.1942 revista “Hylli i Dritës” botonte tre elegji për tre dëshmorët e mëdhenj të vendit tonë: (Shpell’ e Dragobisë, Syrgjyn vdekur të Fan Nolit si dhe Dom Gjon Gazullit te M.N.).
Këto poezi priheshin nga një shkrim i shkurter i drejtorit të asokohshëm të revistës, At Gjon Shllaku me titullin: ”Fatosa të harruem”. I tillë koncepsion editorial ka qënë kuptimplotë për atë kohë (atdheu ishte i pushtuar) por merr vlera edhe sot posaçerisht për dy rreshtat e fillimit dhe të fundit të artikullit, që ishin kështu:
“Tjetërkund, njerzit e idealit, në u mbytshin për së gjalli nderohen për së vdekuni. Nder ne ata mbyten dy herë: edhe harrohen.”
“ Nji komb qi lindet ka nevojë për fatosa qi vdesin. Por fatosat qe vdesin nuk kanë ç’të bajnë në një komb qi i harron e i përbuz.
Këto apostrofime tingëlluan deri sot si profeci të trishta por s’duhet të jehojnë më ashtu në të ardhmen. Dëshmorët mos u harroshin kurrë!
At Gjon Shllaku, bir i një zejtari , lindi në Shkodër në v.1905. Që në fëmini dha shenja zgjuarsie dhe në moshë fare të re hyri në Kolegjën Franceskan të Shkodrës ku dhe prane tije vazhdoi edhe gjimnazin, drejtor i të cilit ka qenë At Gjergj Fishta.
At Gjergj Fishta duke vlerësuar drejt prirjet dhe aftësitë e nxënësit të vet, e dergoi atë në Hollandë, ku Patër Gjoni u diplomua në teologji. Në Leuven të Belgjikes ai studioi dy vite në fakultetin e kimisë dhe dy të tjera ne fakultetin e filozofisë. Transferohet në Paris në Universitetin e Sorbones, ku në vitin 1937 u diplomua në filozofi. Para se të kthehej në atdhe, ai ndoqi po në Paris nje kurs specializimi per gazetari.
Teza e diplomimit që ai mbrojti para docentëve të Sorbonës ka qënë “Kritikë e filozofisë së Giovani Gentile”. (Shënojmë këtu se Gentile ka qenë mendimtar i përkrahur prej fashizmit, aq sa Musolini e pat emruar minister arsimi).
Gjatë qendrimit në Francë, At Gjon Shllaku ka frekuentuar rrethin e të arratisurve politikë shqiptar pas vitit 1924, posaçerisht familjen e eksponentit të qeverisë demokratike të Nolit, patriotin Angjelin Suma.
Për arsye të këtyre frekuentimeve dhe për tezën e doktoraturës kundër Gentiles, por edhe pse dyshohej se do të sillte në Shqipëri një mesazh të politikanëve të arratisur të cilët ia drejtonin intiligjencës vendore, At Gjoni, kur po kthehej u arrestua në Torino (Itali), ku u kontrollua imtësisht por nuk gjetën gjë ( mesazhin e kishte fshehur në astarin e valixhes). Ai u mbajt ne burgun Santa Margharita për rreth 20 ditë.
Kur arriti në Shkoder u emërua profesor në Gjimnazin Françeskan, detyre që ai e kreu më së miri deri në fund të vitit 1944, pa i lanë mbasdore detyrat e tjera si meshtar dhe publiçist. Në mes të tij dhe studentave u krijua shpejt një atmosfere dashamirësie e ndersjelltë, megjithese ai kërkonte shumë dhe ishte i shtërnguar në nota.
Në atë kohë Kuvendi i Françeskanëve po arrinte kulme të larta zhvillimi kulturor. Plejadës së lavdishme të etërve Gj.Fishta, V.Prendushi, A.Harapi, P.Bardhi, M.Gjoka, Q.Nika, J.Rrota e shumë e shumë të tjerë, nisën tu shtoheshin kuadro të reja, etërit Gjon Shllaku, doktor në filozofi, A.Gegaj, laureat në histori, J.Marlekaj, laureat në letërsi, L. Kabashi, i diplomuar në artet grafike e një varg të rinjsh që vazhdonin studimet e larta në filologji, matematikë, biologji etj perveç diplomimit paraprak të secilit në teologji. Françeskanët ndiqnin dhe përkrahnin veprimtari me vlerë të madhe në të gjitha fushat kulturore e artistike, në muzikë, në botime librash e revistash, në konferenca studimore si dhe në takime të programuara ose të improvizuara me pjesmarrje të panumër intelektualësh, profesorësh, ekonomistësh e studiuesish të të gjitha shkencave, e pa as ma të voglin dallim.
Në brumin e traditës patriotike, kulturore dhe artistike, tani zunë të ngjesheshin dituritë bashkëkohore të fituara në universitetet e permendura evropiane.
At Gjergj Fishta, që e deshi dhe e vlerësoi gjithmonë At Gjonin, në atë kohë ishte drejtor i revistes “Hylli i Dritës” por dhe për arsye shëndetësore që në vitin 1939 ia besoi “ de facto” drejtimin e revistës Atij. At Gjoni këtë detyrë e kreu më së miri deri në mbylljen e saj ne vitin 1944.
Në letrën që Fishta i shkruante drejtorit të ri, e porosite atë pak a shume kështu: “Po ta la Hyllin e Dritës e gomarin ta kam lanë lidhur për derë të shtypshkronjës. Ban ti çka të duesh me ate.” (Ishte fjala për pjesën e dytë të Gomarit të Babatasit).
Në të vertetë Fishta e vlerësoi shumë At Gjonin dhe e deshi pranë vetës deri sa vdiq.
Në drejtimin e Hyllit te Dritës aftësia e At Gjonit spikat shkelqyeshem. Shpejt revista u shëndrrue në një forum kombëtar me pjesmarrje të personaliteteve më të shquara të kulturës si: E.Çabej, K.Prela, Nj.Gj.Ndoja, L.Mirdita, V.Samin, F.Alikaj, P.Kaçinari, K.Naraçi e shumë e shumë të tjerë.
Por në vitin 1940 At Gjon Shllaku u detyrua të ndërpriste drejtimin e revistës duke lënë si zevendesues At Benedikt Demen. Kjo sepse sipas informatave të fshehta u muar vesh se At Gjoni do të arrestohej nga autoritetet fashiste, për këtë arsye françeskanët bën që ai të arratisej nëpër Jugosllavi me qëllim të shkonte në Austri, ku do vazhdonte studimet pasuniversitare ne filologji indo-evropiane, gja që duket ja pat sugjeruar Eqerem Çabej.
Por u detyruat a ndalonte udhetimin në Vorazhelin të Jugosllavisë, prej nga u kthye në Shkodër pas disa muajsh ku mori serish në dorë drejtimin e Hyllit te Dritës. Duhet shënuar se revista gjatë atyre viteve nuk ra kurrë në pozitat politike të regjimit, por ruajti me forcë karakterin e vet kultural e artistik.
Zyra e redaksisë së revistës nisi të fitonte përsëri frekuentim kulturor të larmishëm. Nga takimet e shumta që zhvilloheshin aty duhen përmendur ata me Prof. Kolë Prelën, edhe për fillin tragjik që e lidhi këtë të fundit me At Gjonin. Megjithëqe bazat filozofike të këtyre ishin antipodike (idealiste ata të At Gjonit dhe materialiste ata të Kolë Preles) raportet në mes të tyre kanë qenë kurdohere të karakterizuara nga respekti e toleranca e ndersjellët e nuk kanë qenë të pakta pikat ku ata përputheshin në mënyrë të përsosur. Prof. Kolë Prela u zgjodh deputet në Kuvendin Popullor, por ky pozicion nuk e pengoi atë që pa asnjë ngurrim të dilte para gjykatës si i vetmi dëshmitar i mbrojtjes së mikut të tij, At Gjon Shllakut. Aty Profesori kundërshtoi me argumenta të pakontestueshme akuzat e rrejshme të trupit gjykues. Per këtë qëndrim, Prof. Kolë Prela, pas pak ditësh humbi mandatin e deputetit, u burgos dhe u dënua me vdekje. Një tjetër dëshmor ky, për të cilin duhet folur, siç po bëhet për Sejfulla Maleshoven etj.
Në vitin 1945 intelektualët shkodranë organizuan konferencën për krijimin e Shtëpisë së Kulturës. U ftua At Gjoni të cilin konferenca me një zë e zgjodhi kryetar nderi. Ai mbajti aty një fjalim përurues i cili do të mbetet i paharruar për auditorët e asaj ditë. Foli gjatë e me gjithë shpirt për prespektivat që do i hapeshin vendit tonë. Të gjithë e njihnin dhe e respektonin At Gjonin dhe ishin të bindur se me nismat si kultura, ekonomia dhe arti do të rilulëzonin në Shqipërinë e pavarur.
Por fjalët e tija nuk i pëlqyen forcave të errtëa të asaj kohe, që dihet mirë se kanë qenë raje e të huajit, e Jugosllavisë, e sovjetikve etj. Raje e atyre që po e gllabëronin gjithë vendin dhe që çdo gjë e shikonin me sy të keq dhe që kërkonin të shtypnin që në lindje çdo levizje liridashëse në Shqipëri.
Një ditë të ftohët të dimrit të 1946-es, kur At Gjon Shllaku kishte hyrë në klasë e po përgatitesh të fillonte mesimin e filozofisë studentëve të vet, u paraqiten dy civilë të cilët pa një pa dy e arrestuan dhe e burgosën. Për ironinë më të madhe në mbrëmje Radio Shkodra transmetonte me paturpësi se: At Gjon Shllaku u arrestua ne tentativën për tu arratisur nëpër kufirin Jugosllav.
Një mengjez të vrejtur, me 4 Mars 1946, zemrat e shkodranëve u dridhën kur degjuan të shtënat e mitrolozit që vinin nga Zalli i Kirit. E vertetë ishte dhe e vertete tragjike! At Gjon Shllaku me të tjerë të dënuar të pafajshëm, kishin rënë nën plumbat e skuadres ekzekutuese.
U shua dhe një shqiptar i vertetë, një demokrat, një intelektual i pazevendesueshem, një njeri i ndershëm, i vetmi faj i të cilit ka qënë se e deshi atdheun, se u përpoq për liri dhe demokraci.
Krishti në darkën e mbrame, duke i ofruar verën apostujve të vet, i tha:
“ Ky asht gjaku im i derdhur për ju e për të gjithë, për aleancën tonë të re dhe të perjetshme….”
Këto fjalë që At Gjoni kushedi sa here i ka përsëritur në meshët e veta të perditshme, le të jenë edhe testamenti që ai u len shqiptarve të rinj, që ta çojnë perpara, gjithnjë përpara lirinë e demokracinë e fituar me gjak.
Zef Zorba