
Alfons Grishaj/
Rastësisht, lexova një prononcim të një gazetari, i cili dikur më kishte krijuar një përshtypje të mirë. Por, ja që “shkolla e vjetër” mbetet një ngërç i vështirë për t’u kapërcyer, një trashëgimi mendësie që shpesh e deformon logjikën profesionale të botës gazetareske. Në prononcimin e tij, gazetari shpreh një mendim që shkon përtej realitetit politik dhe çdo përfytyrimi të arsyeshëm profesional. Ai kërkon që partia historike, e cila sfidoi frikën dhe kontribuoi në ardhjen e demokracisë, të shkrihet në emër të të ashtuquajturit “Revolucion Flamingo”.
Pra, sipas kësaj logjike, Partia Demokratike duhet të shuhet, të bëhet therore në altarin e një revolucioni të improvizuar, vetëm sepse kështu e koncepton paranoja politike e një “gazetari”.
Gjatë luftës sonë për demokraci, nganjëherë kemi qenë të ashpër, por kemi synuar të jemi të drejtë. Asnjëherë nuk kërkuam që Partia Socialiste të shuhej apo të zhdukej, megjithëse ajo ishte trashëgimtare e Partisë së Punës. Sepse Partia Socialiste është pjesë e historisë politike të Shqipërisë, një pasuri e pluralizmit tonë kombëtar. Aty kemi miqtë tanë, motrat dhe vëllezërit tanë, njerëz me të cilët ndajmë të njëjtën gjuhë, të njëjtën tokë dhe të njëjtin fat kombëtar. Nëse e keqja ka molepsur mendjet e disa drejtuesve, kjo nuk do të thotë se të gjithë ata që besojnë te kjo forcë politike janë njësoj. Përkundrazi!
E keqja më e madhe qëndron te kultura jonë ende e cunguar demokratike, e cila vazhdon të krijojë idhuj dhe jo udhëheqës politikë; prodhon NJËSHA të paprekshëm dhe jo alternativa të dyta e të treta. Ajo çimenton zhargonin politik, në vend që të kultivojë mendimtarë dhe vizionarë që i shërbejnë popullit. Në këtë kontekst, pushteti i dhënë nga populli shndërrohet në një kurorë privilegjesh, duke rilindur diademat e damave të oborrit, të cilat mendojnë më shumë për luksin personal dhe shkëlqimin oborrtar sesa për bukën, dinjitetin dhe frymëmarrjen e atyre që ua kanë besuar pushtetin.
Le të marrim një shembull.
Amerikanët kanë zhvilluar një kulturë të ndjeshme demokratike në raport me standardin e jetesës, sigurinë ekonomike dhe respektimin e normave institucionale. Kur qytetarët perceptojnë se këto standarde janë cenuar, ata nuk pyesin më për emra, parti apo propagandë. Ata gjykojnë mbi realitetin e përditshëm, mirëqenien familjare dhe sigurinë e së ardhmes. Në këto rrethana, vota shërben si instrument korrigjues. Zgjedhjet afatshkurtra dhe periodike krijojnë mundësinë e rivendosjes së ekuilibrave të pushtetit, duke penguar shndërrimin e drejtuesve në idhuj të paprekshëm. Këtë mekanizëm demokratik e dëshmojnë edhe zgjedhjet për Senatin dhe Dhomën e Përfaqësuesve në Shtetet e Bashkuara.
Në demokraci nuk ka Zot politik, nuk ka President absolut! Ka popull sovran, i cili e jep dhe e merr pushtetin nëpërmjet votës. Kryeministri nuk është Il Duce, por shërbëtor i përkohshëm i qytetarëve.
Pikërisht këtu lindin edhe krisjet e mëdha politike.
Mendjelehtësia e pushtetit shpërbën betimin ndaj qytetarëve, gërryen besimin publik dhe thellon humnerën ndërmjet të zgjedhurit dhe zgjedhësit. Prej kësaj shkëputjeje lind nevoja për ndryshime demokratike dhe, në rastet më të rënda, shpërthejnë revolucionet.
Shkaqet janë të njohura: vetëkënaqësia, fodullëku, arroganca, mosmirënjohja, mendjelehtësia dhe shkëputja nga realiteti.Por revolucionet, në vetvete, nuk përbëjnë domosdoshmërisht zhvillim. Ato nuk garantojnë shpresë, bashkim apo vizion afatgjatë. Shpesh, ato krijojnë vetëm një trampolinë jetëshkurtër drejt tranzicionit të radhës, duke zëvendësuar një krizë me një tjetër.
Ndryshe ndodh me ndryshimet demokratike të udhëhequra nga mendimtarë, atdhetarë dhe njerëz të devotshëm ndaj interesit publik. Janë pikërisht këta që bëjnë diferencën, ndërtojnë besimin dhe rikthejnë shpresën. Marrja si model e revolucionit serb për realitetin shqiptar më duket një miopi e thellë dhe një marrëzi politike. Duket sikur një pjesë e gazetarëve dhe politikanëve tanë janë shteruar nga idetë. Në vend që të ofrojnë mendim të pjekur, analiza të argumentuara dhe rrugëdalje të besueshme, zgjedhin rrugën më të shkurtër: parullën, imitimin dhe improvizimin. Një ndërgjegje e mbështjellë nga mjegulla politike nuk arrin të gjejë një rrugëdalje qytetare, e cila të prodhojë besim, qetësi dhe paqe shoqërore.
Të gjithë vrapojnë kuturu. Shpejt këtu, yxhym bosh atje! Shumë zhurmë, shumë patetizëm, por pak mendim dhe akoma më pak përgjegjësi. Shqipërisë i duhet patjetër një dialog politik i ndërtuar mbi psikologjinë, historinë dhe kushtet tona shoqërore, jo mbi modele të huazuara mekanikisht nga realitete të tjera.
Duhet të ulemi në tryezën e bisedimeve, jo me ultimatume dhe kushte ekstreme, por me plane të qëndrueshme, objektiva të qarta dhe mendje të kthjellëta. Një proces i tillë do të përfitonte edhe nga prania e një pale të tretë, përmes një monitorimi të gjerë diplomatik, që të garantonte seriozitet, transparencë dhe besueshmëri.
Duhet të bëhemi objektivë! Një pjesë e konsiderueshme e shqiptarëve nuk e duan Edi Ramën dhe, me të drejtën e tyre demokratike, kërkojnë largimin e tij nga pushteti. Kjo është një e drejtë legjitime dhe e patjetërsueshme e qytetarëve. Por këtu shfaqet ngërçi i madh politik. Nga njëra anë qëndrojnë akuzat për kapjen e shtetit, ndikimin e krimit dhe korrupsionin e përhapur. Nga ana tjetër, Edi Rama vazhdon të ketë mbështetjen e partisë së tij dhe të një mase të konsiderueshme votuesish socialistë, të cilët e kanë votuar vazhdimisht.
Atëherë, si mund të kërkohet largimi i tij vetëm mbi bazën e kundërshtimit të 200 mijë qytetarëve, nëse 500–600 mijë të tjerë vazhdojnë ta mbështesin? Këtu qëndron sfida e vërtetë e demokracisë: si të shndërrohet pakënaqësia popullore në një alternativë politike bindëse, të aftë të fitojë besimin e shumicës?
Qeverisja e Edi Ramës është përballur me akuza të rënda për korrupsion, klientelizëm, abuzim me pronën publike dhe kapje të institucioneve. Në vlerësimin tim, ajo përfaqëson një nga periudhat më problematike të historisë së qeverisjes shqiptare, me shfaqje të një mendësie kleptokratike që të kujton praktikat e vendeve të njohura për korrupsion sistemik, si Sudani i Jugut, Somalia apo Venezuela.
Megjithatë, me sa duket, një pjese të militantëve socialistë nuk u bëjnë më përshtypje as akuzat për korrupsion, as pazaret e dyshimta me tokat shqiptare, as luksi i tepruar i pushtetarëve. Atyre u mjafton ta shohin “Il Duce”-n e tyre, herë me poture e herë me frak, me një sahat që përflitet se kushton një milion dollarë, duke shijuar madhështinë e pushtetit. E kush pyet më për të tjerat?! Kur besnikëria partiake kthehet në nënshtrim të verbër, qytetari rrezikon të humbasë aftësinë për të gjykuar lirisht. Skllavëria mendore shndërrohet në zakon, ndërsa propaganda në një lloj preparati që mpin ndërgjegjen dhe paralizon ndjeshmërinë ndaj lirisë. Kjo nuk është çështje trashëgimie biologjike, por e një kulture politike të deformuar, e cila, përmes bindjes së verbër dhe servilizmit, e zbeh konceptin universal të dinjitetit njerëzor.
Shqipërisë i duhet një hero i mençur, jo një turmë heronjsh të hallakatur! I duhet një atdhetar i përkushtuar ndaj popullit të vet, një udhëheqës me vizion, integritet dhe përgjegjësi, që të ngjallë shpresë dhe të krijojë siguri për të ardhmen. Një njeri që të mos e shohë pushtetin si pronë personale, por si mision të shenjtë. Një figurë që, përmes veprës dhe sakrificës, të fitojë respektin e popullit, jo të kërkojë adhurimin e tij. Sepse shenjtorët e vërtetë nuk vendosin kushte për të shërbyer. Ata japin gjithçka, deri në vetëmohim, pa kërkuar privilegje dhe pa pretenduar kurora.
Nëse Shqipëria do të mbetet peng i “Il Duce”-ve të politikës, i pushtetarëve të korruptuar moralisht dhe i gazetarucëve që e shesin konfuzionin si mendim të ndritur, atëherë metafora e Nibiru-s do të marrë përmasa gjithnjë e më të prekshme. Do të vijë një kohë kur njerëzit, të zhgënjyer nga shkëlqimi i rremë i pushtetit dhe i pasurisë, do të zhvishen simbolikisht nga rubinët, diamantet dhe gurët e çmuar (gemstones), të cilëve, përveç vlerës zbukuruese, u janë atribuuar edhe veti të veçanta shpirtërore e energjetike, sipas interpretimeve të Edgar Cayce-it: ekuilibër, përqendrim, forcë dhe harmoni të brendshme.
Dhe atëherë, pa pritur e pa kujtuar, në sfondin e kësaj tragjikomedie politike do të shfaqet Nastradini, i hipur mbi një nga kuajt e Apokalipsit, duke mbajtur në dorë ushtën e Don Kishotit…
Një tablo pauperiste, ku absurdi shitet si vizion, marrëzia si guxim dhe paranoja si mençuri politike.
Sepse nonsensi që kërkon të shitet si ide brilante, në fund të fundit, nuk dëshmon madhështinë e mendimit, por zbulon varfërinë e kohës dhe të autorit që e prodhon!