• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

MË E KEQJA KA KALUAR, POR DUHET TË RRIJMË ZGJUAR…

April 13, 2020 by dgreca

MË E KEQJA KA KALUAR, POR DUHET TË RRIJMË ZGJUAR…

Pak a shumë kështu e përcolli mesazhin e tij gjatë ditës së Hënë guvernatori Cuomo. Por ai e vendosi kumtin e tij në fjali kushtore: Më e keqja ka mbaruar nëse vazhdojmë të jemi zgjuar’!Pra, hapni sytë, beteja nuk ka mbaruar. Qëndroni në shtëpi!

Dhe pas asaj fjalie kushtore, ai pohoi realitetin përmes shifrave: njerëzit akoma po vdesin dhe ne po shohim shifrat e tmerrshme, ndërkohë që numri i vdekjeve në rang shteti i tejkaloi 10 mijë, shifër kjo që përbën rreth 43 për qind të totalit të vdekje në SHBA(23 mijë 640), ndërsa numri i të infektuarëve 195 mijëe 655, nga 586 mijë e 866 që është shifra e përgjithshme e të infektuarëve në SHBA(të dhenat e mbrëmjes së vonë të Universitetit John Hopkins). E dhimbshme!

Optimizmin e tij guvernatori e mbështeti tek fakti se numri i të shtruarëve në spitale është ulur nën 19 mijë, ndërkohë që numri i të shtruarëve të rinj është në ulje, ndërsa numri i të shëruarëve ka ardhur në rritje.

Kryetari i Bashkisë Bill de Blasio tha të Hënën se niveli i rasteve të koronavirusit, shtrimet në spitale dhe rasteve të ICU në New York City janë ulur të gjitha. 

       Si zyrtarët e Shtetit ashtu dhe ata të New York City-t e vlerësuan pozitivisht situatën nëpër spitale dhe e përcollën këtë si shenjë shpresë për javët pasuese. Guvernatori tha se situate do të ishte në kontroll përsa kohë që njerëzit do të vazhdojnë të ndjekin kufizimet e qëndrimit në shtëpi. Do të mjaftonte një kthim i vogël pas, dhe ata numra, që ne pamë në ditët e kaluara mund të kthehen shumë shpejt.

6 SHTETE, BASHKËPUNIM PËR HAPJEN GRADUALE TË EKONOMISË 

Gvernatori i shtetit të New Yorkut njoftoi të Hënën se gjashtë shtete do të bashkëpunonin me njëri-tjetrin me qëllim që t’i bëhet ball bashkërisht COVID-19 dhe të rihapet ekonomia.

     Bashkëpunimi ndërshtetror përfshin New York-un, New Jersey, Connecticut, Pennsylvania, Delaware dhe Rhode Island. Cdo shtet do të emërojë një zyrtar të shëndetit publik dhe një zyrtar të zhvillimit ekonomik, dhe shefat e personelit të guvernatorve dhe menjëherë do të fillojë të funksionojë si një grup i përbashkët pune për të dalë me një plan të rihapjes ekonomike bazuar në të dhënat më të fundit.

 Cuomo raportoi se numri i viktimave gjatë ditës së Hënë ishte 671(nga 758 që ishin të vdekurit të Dielën e Pashkës). Kjo bëri që numri i të vdekurve në shtetin e New York-ut arriti në total 10.056. “Ne do të ri-kalibrojmë atë që është thelbësore,” tha guvernatori duke njoftuar rihapjen e ngadaltë të ekonomisë. Ai bëri thirrje për më shumë testime dhe më shumë masa paraprake. 

Departamenti i Edukimit në New York njoftoi të Hënën me 13 Prill se 21 mësues, në mes të 50 punonjësve të arsimit në shkollat publike, kanë humbur jetën nga Coronavirusi.

Në deklaratën e Departamentit të Edukimit theksohet keqardhja për humbjet e jetëve dhe solidariteti me familjet e mësuesve dhe punonëjsve të tjerë të shkollave publike. 

Ndërkohë që debatet mes Governatorit dhe kryebashkiakut për shkollat, të hapen a të mbyllen, vazhduan në fundjavë, Presidenti Donald Trump, tha të hënën, se ai është vendim marrësi përfundimtar për përcaktimin se si dhe kur do të rihapet vendi i goditur nga koronavirusi.Në fakt vendimet për mbylljen e bizneseve jo thelbsore, shkollave etj. janë marrë nga qeveritë lokale. Sipas Kushtetutës, shëndeti dhe siguria publike janë kryesisht në juridiksionin e zyrtarëve shtetërorë lokalë. Dhe shumë prej liderëve të shteteve kanë shprehur shqetësimin se plani i Trumpit për  të kthyer vendin në jetë normale më shpejt, do të kushtojë jetë të humbura, dhe do të rrisë kohëzgjatjen e Pandemisë.

Presidenti u shpreh: Disa po thonë “se është vendim i Guvernatorëve për të hapur ekonominë, jo i Presidentit të Shteteve të Bashkuara dhe Qeverisë Federale. Le të kuptohet plotësisht se kjo është e pasaktë … është vendimi i Presidentit, për shumë arsye “. Ai shtoi: Administrata dhe unë po punojmë ngushtë me Guvernatorët, dhe një vendim nga unë në bashkëpunim me guvernatorët do të merret së shpejti!(Dielli)

*** 

Media po merret gjithnjë e më shumë me viktimat e panumëruara nëpër shtëpitë e pleqëve.Raporti më i fundit vjen nga Associated Press. Më shumë se 3,300 amerikanë kanë vdekur në shtëpitë e pleqve nga COVID-19 – por ekspertët thonë se kjo është vetëm maja e ajsbergut. Ekspertët thonë se numri i lartë i vdekjeve në institucionet e kujdesit afatgjatë ka të ngjarë të vazhdojë të rritet.

Mbledhja e shifrave prej Associated Press vijnë nga raportet e mediave dhe departamentet e shëndetit. 

Sidoqoftë, ekspertët parashikojnë se, sipas  përllogaritjeve të ndryshme të mbajtura nga disa burime lajmesh, ka të ngjarë që këto shifra të jenë “maja e ajsbergut” e numrit të vërtetë të COVID-19 në këto Shtëpi Pleqsh.

Në shumë shtete që ende përpiqen të kenë qasje të gjerë në testime, vdekjet e lidhura me koronavirusin në këto institucione ka të ngjarë të mos raportohen.

Sidoqoftë, pas presionit të dy senatorëve demokratë, qeveria federale ka filluar ta bëjë këtë raportim.

Në fakt ky nuk është  një problem i ri, as i panjohur. Media edhe më herët e ka trajtuar dhe ka hedhur akuza për mosdeklarimin e vdekjeve të ndodhura në shtëpitë e kujdesit. Me 11 Prill psh NBS NEWS njoftonte se kishin vdekur më shumë se 2 mijë e 200 pacientë prej koronavirusit në shtëpitë e pleqve dhe përcillte një raport të detajtuar nëpr shtete të ndryshme. Koordinatorja e Shtëpisë së Bardhë për Koronavirusin Dr. Deborah Birx tha të Hënën se testimi për të moshuarit duhet të jetë një përparësi.

Pergatiti per Diellin:Dalip greca

Filed Under: Featured Tagged With: Me e keqja kaloi

KRYETARI ELMI BERISHA: Në SHBA ka shumë viktima, edhe shqiptarë, izolohuni!

April 13, 2020 by dgreca

Ju mund ta ndiqni te plote intervisten ne youtube ne linkun qe keni poshte fotos…

Foto-Dielli arkiv-Nga Mbledhja e Keshillit te Vatres.
https://www.youtube.com/watch?v=tHgUP9s8n8s&feature=youtu.be

KRYETARI BERISHA: “Kosova s’e ka luksin për krizë politike në kohë pandemie”, kreu i “Vatrës” kritika për politikanët, thirrje qytetarëve: Në SHBA ka shumë viktima, edhe shqiptarë, izolohuni!

Kreu i Shoqatës shqiptare në SHBA “Vatra”, Elmi Berisha, në një lidhje me “Skype” për News24 duke folur për situatën e rëndë të krijuar në SHBA, dhe kryesisht në Nju Jork, për shkak të përhapjes masive të koronavirusit, deklaroi se Shqipëria, Kosova dhe vendet e tjera të rajonit duhet të marrin mësim nga Nju Jorku dhe të respektojnë me përpikmëri masat, pasi janë vende të vogla dhe e kanë më të lehtë.

Ai falënderoi qeveritë shqiptare për masat e deritanishme, ndërsa shtoi se qytetarët nuk po tregohen të ndërgjegjshëm.

Kreu i Shoqatës Vatra kritikoi ashpër politikanët kosovarë, të cilët janë në krizë për krijimin e qeverisë, pikërisht në këtë periudhë të vështirë të pandemisë.

Berisha tha se shqiptarët e SHBA janë shumë të zhgënjyer me politikanët e Kosovës, të cilët sipas tij, nuk e kanë luksin të merren me çështje që mund të zgjidhen edhe më vonë.

Pjesë nga intervista:

Si është situate në Nju Jork?
Situata është shumë e rëndë, por po bëhet një punë e jashtëzakonshme për të ruajtur shëndetin dhe për të ndalur këtë pandemi të madhe.

Çfarë po bëni ju si shoqatë në funksion të komunitetit shqiptar?
Po luan një rol të rëndësishëm. Në mesin e Vatrës kemi persona, mjekë, inxhinierë, doktorë, që po punojnë 24 orë duke i shërbyer komunitetit shqiptar, por edhe qytetarëve amerikanë. Të moshuarve dhe atyre që nuk kanë shërbim të mirë, Vatra po koordinohet me mjekët për t’iu shërbyer, duke bërë një punë të jashtëzakonshme. Kemi viktima të mëdha, ka dhe shqiptarë, që nuk mund t’i përmend, por ka një numër të jashtëzakonshëm të shqiptarëve të prekur, edhe të atyre që janë në gjendje të rëndë, si dhe të atyre që janë shëruar fatmirësisht.

Vatra aktualisht ka lënë numra telefoni në dispozicion të shqiptarëve atje?
Vatra është në lidhje të drejtpërdrejtë me të gjithë ata shqiptarë dhe me organizata të tjera, që veprojnë në Amerikë, por edhe me organizata në vende të tjera të botës, me të cilat shkëmben informacione, që ndihmojnë për të luftuar këtë pandemi. Jemi në lidhje të vazhdueshme duke ndihmuar, kontribuuar dhe dhënë informatat, që do na shpëtojnë jetën.

Si e shihni situatën në Shqipëri, Maqedoninë e Veriut dhe Kosovë?

Lexova që Kosovës po i rritet numri i të infektuarve, kjo është për shkak të mos respektimit të kërkesave. Duhet të izolohemi, pasi është e vetmja mënyrë për të ndaluar këtë sëmundje të rrezikshme. Nëse e duam veten, familjen dhe të tjerët, sigurisht që do të jetë e lehtë të vendosim të vetëizolohemi. Nju Jork është në krizë, vetëm për faktin se densiteti i njerëzve është shumë i madh, kurse në Shqipëri, Kosovë e vende të tjera duhet ta marrin si mësim dhe të kuptojnë se e vetmja mënyrë për të kaluar këtë sfidë është vetëizolimi. Shqipëria po bën një punë shumë të mirë. Respektimi nga qytetarët duhet të jetë pak më dinjitoz, sepse qeveritë e vendeve tona po bëjnë një punë të jashtëzakonshme.

Kosova u përfshi në debate të forta politike në mes të pademinsë, sa ra dhe qeveria. Cili është mesazhi juaj?

Jemi shumë të shqetësuar për situatën në Kosovë, posacërisht në kohën kur gjithë bota po lufton një virus vdekjeprurës, që ka marrë qindra mijëra jetë, gjen luksin që shteti më i ri në botë të merret me çështje që mund të zgjidhen edhe më vonë. Nuk ndihemi fare mirë. Sikur mos të ishin shqiptaro-amerikanët do ishte shumë e vështirë të pranohej ky kufi që është tani, Shqipëria.

Edhe më vonë u bënë përpjekje për të sensibilizuar shtetin e Kosovës. Ne ndihemi shumë të parespektuar dhe nuk ndihemi mirë, sepse në situate të tilla duhet të mobilizohet populli shqiptar për të kaluar kriza, që kanë kapluar botën. Duhet të respektohet Kushtetuta në Kosovë. Por, shëndeti i qytetarëve është dhe duhet të jetë i pari, pastaj qeveria. Uashingtoni kërkon një unitet, që do të ishte përfundimtar për përfundimin e konfliktin me Serbinë. Në vend që të përgatitemi për këtë, ne humbim energji me gjëra dytësore.
Cili është mendimi i Vatrës ndaj politikës së Presidentit Trump në Ballkan dhe mes Kosovës e Serbisë?

Të gjithë shqiptarët e Amerikës kemi shumë arsye që ta besojmë Uashingtonin, Kongresin, Senatin, Pentagonin. Jam shumë i relaksuar për faktin që Presidenti Trump është duke investuar shumë për njohjen reciproke të Kosovës dhe Serbisë. Mendojmë se asnjëherë Amerika nuk do të bënte dicka që nuk është e mirë për shqiptarët. Bisedimet mes Prishtinës dhe Beogradit duhet të bëhen transparente sa më parë. Mungesa e transparencës e ka sjellë deri këtu situatën. Edhe liderët e Kosovës duhet sa më parë të koordinohen, të ulen së bashku, të bashkojnë forcat, të koordinohen me SHBA dhe të përfundojnë këtë ankth, që qëndron ende te shqiptarët.

Proceset e Vatrës vazhdojnë?

Më 19 janar të këtij viti mbajtëm takimin zgjedhor, ku u zgjodha kryetar I Vatrës për dy vitet e ardhshme. Unë e kam quajtur si Vatra e shekullit 21, do hapim dyert për të gjithë shqiptarët, do krijojmë një atmosferë atraktive për gjeneratat e reja dhe do krijojmë një bazë të fuqishme, që Vatra të vijojë qindra vite në vijim.(Pjese nga Intervista e dhene me 13 Prill 2020 per Televizionin News 24, publikuar me video edhe ne Balkanweb, Gazeta Panorama etj)

Filed Under: Featured Tagged With: Elmi ferisca-Interviste-news24

Papa Francesku: Nuk është koha e egoizmit…

April 12, 2020 by dgreca

… e përçarjes, por e solidaritetit /

Pas Meshës Shenjte, Papa Françesku dha bekimin e ditës së Pashkëve. Në mesazhin drejtuar Romës e Botës kërkoi përsëri armëpushimin global dhe ndalimin e menjëhershëm të fabrikimit të armëve. Duke iu lutur Krishtit të ngjallur, kujtoi krizën shëndetësore dhe një mori emergjencash të harruara.

R. SH. – Vatikan/

Pas Meshës Shenjte, Françesku dha bekimin apostolik të Ditës së Pashkëve të Krishtit. Në mesazhin drejtuar Urbi et Obr – Romës e Botës  kërkoi përsëri armëpushimin global dhe ndalimin e menjëhershëm të fabrikimit të armëve. Duke iu lutur Krishtit të ngjallur, kujtoi krizën shëndetësore dhe një mori emergjencash të harruara. Më poshtë, mesazhi i Françeskut drejtuar Romës dhe botës:

“Sot jehon në mbarë botën kumti i Kishës: “Jezusi u ngjall!- “Vërtet u ngjall!”.

Si një flakë e re ky Lajm i Mirë flakëroi nëpër natë; natë e një bote, prej kohe e zënë me sfidat epokale e tani e shtypur nën barrën e pandemisë, që po e vë në provë të rëndë familjen njerëzore. Në këtë natë rijehoi rishtas zëri i Kishës: “Krishti, shpresa ime, u ngjall!” (Sekuenca e Pashkëve).

 Është një “pandemi” tjetër, kjo, që “ngjitet” nga zemra në zemër – sepse çdo zemër njerëzore e pret këtë Lajm të Mirë. Pandemia e shpresës: “Krishti, shpresa ime, u ngjall!”. Nuk është formulë magjike, që i bën të zhduken problemet. Jo, kjo nuk është ngjallja e Krishtit! Ngjallja e Krishtit është fitorja e dashurisë mbi rrënjën e së keqes, fitore, që nuk i “lë pas” vuajtjen e vdekjen, por i kapërcen, duke marrë rrugën drejt  honit e duke e shndërruar të keqen në të mirë: vulë, që e ka vetëm pushteti i Zotit!

I Ngjalluri është i Kryqëzuari, askush tjetër. Në korpin e Tij të lumnueshëm mbart plagët e pashlyeshme: plagë që bëhen frëngji shprese. Kah Ai i drejtojmë sytë tonë, duke iu lutur t’i shërojë varrët e njerëzimit të plagosur.

Sot mendimi im shkon posaçërisht tek ata, që u goditën drejtpërdrejt nga koronavirusi: tek të sëmurët, ata që vdiqën e familjarët, që qajnë për humbjen e të dashurve, të cilëve shpesh nuk arritën as t’u japin lamtumirën e fundit. Zoti i jetës i marrtë për dore të vdekurit në mbretërinë e tij; i dhashtë ngushëllim e shpresë atij, që vijon të jetë në provë, posaçërisht pleqve dhe njerëzve të vetmuar! Premtoftë të mos u mungojnë ngushëllimi  i Tij e as ndihmat e nevojshme njerëzve, që jetojnë në kushte vështirësish të veçanta,  si  atyre që punojnë ndër spitale, ose që jetojnë në kazerma e ndër burgje! Për shumëkënd janë Pashkë vetmie, të jetuara në zinë e mjerimin, që po shkakton pandemia, duke nisur nga vuajtjet fizike, tek problemet ekonomike.

Kjo sëmundje ngjitëse na la jo vetëm pa ngrohtësinë njerëzore, por edhe pa mundësinë që ta ndjejmë personalisht ngushëllimin, i cili gurron nga Sakramentet, posaçërisht nga Eukaristia e nga Sakramenti i Pajtimit. Në shumë vende nuk ka qenë e mundur të merren, po Zoti nuk na la vetëm! Duke mbetur të bashkuar në lutje, jemi të sigurt se Ai na e mban dorën mbi krye  (krh Ps. 138,5), e na përsërit me forcë: mos ki frikë! U ngjalla e jam përgjithmonë me ty!” (krh Meshari Romak)

 Jezusi, Pashka jonë, u dhashtë forcë e shpresë mjekëve e infermierëve, që po japin kudo dëshmi kujdesi e dashurie ndaj të afërmit, deri në shterrimin e forcave e, jo rrallë, edhe me flijimin e shëndetit! Tek ata, ashtu si edhe tek njerëzit e tjerë, që punojnë me zell për të garantuar shërbimet kryesore, të nevojshme për bashkëjetesën civile, tek forcat e rendit e tek ushtarakët, që në shumë vende dhanë ndihmesën e tyre për t’i  lehtësuar vështirësitë e vuajtjet e popullsisë, shkon mendimi ynë e mirënjohja jonë.

Në këto javë, jeta e miliona njerëzve ndryshoi krejt papritur. Për shumë, ngujimi në shtëpi ishte rast për të reflektuar, për t’i ndalur ritmet e ethshme të jetës, për të ndenjur me të dashurit e për të shijuar shoqërinë e tyre. Për shumë të tjerë është edhe kohë shqetësimi për ardhmërinë, e cila duket krejt e paqartë; për punën, që rrezikohen ta humbasin e për pasojat e tjera, që sjell kriza. Inkurajoj ata që kanë përgjegjësi politike të bëjnë çmos në favor të së mirës së përbashkët të qytetarëve, duke u siguruar mjetet dhe instrumentet e nevojshme, që u krijojnë të gjithëve mundësinë  të  kalojnë një jetë dinjitoze e të favorizojnë, kur e lejojnë rrethanat, rifillimin e  veprimtarive të përditshme.

Nuk është kjo koha e indiferencës, sepse mbarë bota po vuan  e duhet  ta ndjejë veten të bashkuar në përballimin e pandemisë. Krishti i ngjallur u dhashtë shpresë gjithë të varfërve, atyre që jetojnë në periferi, refugjatëve  e të pastrehëve! Nuk duhen lënë vetëm këta vëllezër e motra më të ligësht, që popullojnë qytetet dhe periferitë në të katër anët e botës. Të mos lejojmë t’u mungojnë gjërat më të nevojshme, që gjinden me vështirësi  tani, kur shumë veprimtari janë të mbyllura; ashtu si dhe ilaçet e, sidomos, mundësia për asistencën e duhur shëndetësore. Duke pasur parasysh rrethanat, u lehtësofshin dhe masat ndeshkimore ndërkombëtare, të cilat i frenojnë mundësitë e vendeve të ndëshkuara për t’u dhënë mbështetjen e duhur qytetarëve të tyre e për t’u krijuar të gjitha shteteve, posaçërisht më të varfrave, kushtet për t’i bërë ballë nevojave më të mëdha të çastit, duke ua reduktuar, nëse nuk mund t’ua falin, borxhin që rëndon mbi buxhetet e tyre.

Nuk është kjo, koha e egoizmave, sepse sfida që po përballojmë na bashkon të gjithëve e nuk bën dallime ndërmjet njerëzve. Ndërmjet të gjitha zonave të botës, të prekura nga koronavirusi,  i drejtoj një mendim të veçantë Evropës. Pas Luftës II Botërore, ky kontinent i dashur mundi të rilindej falë frymës konkrete të solidaritetit, që e ndihmoi t’i kapërcejë rivalitetet e së kaluarës. Është më urgjente se kurrë, posaçërisht në rrethanat e sotme, që këto rivalitete të mos e ngrenë më kokën, por të gjithë ta kuptojnë se janë pjesë e një familjeje të vetme e ta mbështesin njëri-tjetrin. Sot Bashkimi Evropian është përballë një sfide epokale, nga e cila varet jo vetëm ardhmëria tij, por edhe ajo e mbarë botës. Nuk duhet humbur rasti për të dhënë një provë solidariteti, edhe duke kërkuar rrugëzgjidhje të reja. Alternativa është vetëm egoizmi i interesave të veçanta dhe tundimi i rikthimit të së kaluarës, me rrezikun e vënies në provë të rëndë të bashkëjetesës paqësore dhe të zhvillimit të breznive të reja.

Nuk është kjo, koha e përçarjeve. Krishti, paqja jonë, i shndritët ata, të cilët kanë përgjegjësi në konfliktet, të marrin guximin  e t’i përgjigjen thirrjes për armëpushimin global e të menjëhershëm në të katër anët e botës! Nuk është kjo, kohë për fabrikimin dhe trafikun e armëve, kohë për të shpenzuar kapitale shumë të mëdha, që do të duhej të përdoreshin  për të mjekuar njerëzit e për të shpëtuar jetë. Është, ndërkaq, koha për t’i dhënë fund luftës së pafundme, që gjakosi Sirinë, konfliktit në Jemen e tensioneve në Irak, ashtu si edhe në Liban. Qoftë kjo, koha e rifillimit të dialogut ndërmjet Izraelitëve e Palestinezëve, për të gjetur një rrugëzgjidhje të qëndrueshme, afatgjatë, që u krijon të dyja palëve kushtet për të jetuar në paqe! Përfundofshin vuajtjet e popullsisë,  që jeton në zonat lindore të Ukrainës dhe sulmet terroriste kryer kundër një mori njerëzish në vendet e Afrikës.

Nuk është kjo koha e harresës! Kriza, që po përballojmë, mos na bëftë të harrojmë një mori emergjencash të tjera, që sjellin me vete vuajtje të rënda për shumë njerëz! Zoti i jetës qoftë pranë popullsive të Azisë e të Afrikës, që po kalojnë kohë krizash humanitare, ashtu si edhe në rajonin e Kabo Delgado, në veri të Mozambikut! Ua ngrohtë zemrën  refugjatëve e të shpërngulurve të shumtë, për shkak të luftërave, të thatësirës e të zisë së bukës. I mbrojtët migrantët dhe refugjatët e panumërt, shumë prej të cilëve janë fëmijë, që jetojnë në kushte të padurueshme, posaçërisht në Libi e në kufirin ndërmjet Greqisë e Turqisë!  Premtoftë që në Venezuelë të gjinden rrugëzgjidhje konkrete e të menjëhershme, të cilat synojnë të pranohet kërkesa për ndihmë ndërkombëtare ndaj popullsisë, që vuan nga shkaku i krizës së rëndë të koniukturës politike, shoqëroro-ekonomike e shëndetësore.

Të dashur vëllezër e motra

 ndiferenca, egoizmi, harresa nuk janë fjalët që dëshirojmë t’i dëgjojmë në këtë kohë. Madje duam t’i zhdukim nga të gjitha kohët! Ata duket sikur mbizotërojnë, kur në shpirtin tonë jetojnë frika e vdekja, domethënë, kur nuk e lëmë të fitojë Zotin Jezus në zemrën tonë e në jetën tonë. Ai, që e mundi vdekjen duke na hapur udhën e shëlbimit  të amshuar,  i davaritët terrinat e natyrës sonë njerëzore e na priftë në ditën e lume, që nuk njeh perëndim!

Filed Under: Featured Tagged With: Papa francesku

GËZUAR PASHKËT!

April 11, 2020 by dgreca

GËZUAR PASHKËT!/

HAPPY EASTER!/

FEDERATA PAN SHQIPTARE E AMERIKËS “VATRA”, KRYETARI I SAJ Z. ELMI BERISHA, NË EMËR TË GJITHË VATRANËVE, URON BASHKATDHETARËT E BESIMIT KATOLIK: GËZUAR PASHKËT!

PAQJA, DASHURIA, HARMONIA, SHPRESA MBRETËROFSHIN NË FAMILJET TUAJA!

LE T’I BASHKOJMË LUTJET DHE URIMET TONA PËR VIKTIMAT E PANDEMISË DHE PËR ATA QË JANË NË VIJËN E PARË TË LUFTËS!

Filed Under: Featured Tagged With: Elmi Berisha, Gezuar Pashket

AMERIKA OPTIMISTE, TREGON SHENJA SHPRESE PËR KALIMIN E KRIZËS

April 10, 2020 by dgreca

Ura e Brooklynit nuk e kishte të Premten e Mirë pamjen mahnitëse të së Premtes së Mirë të vitit 2019, kur besimtarët organizuan tradicionalisht procesionin e Kryqit, që këtë vit mjerisht nuk mund të organizohej për shkak të  Pandemisë që ka mbërthyer Botën. Besimtaret Katolikë në të gjithë botën kremtuan të “Premten e Mirë” në kushte të pazakonta, ku gjysma e popullsisë në të gjithë botën ndodhet në izolim.

Papa Francesku e drejtoi ceremoninë e së Premtes së mirë, nga Bazilika e Shën Pjetrit , pa praninë e besimtarëve, ceremoni që normalisht zhvillohej te Koloseu me pjesmarrje masive besimtarësh.Gjithë ky privim nga virusi që ka izoluar botën.

 Amerika po përjeton afrimin e kalimit të kulmit të krizës nga Koronavirusi, edhe pse ky kulm ende s’ka ardhur. Natyrisht që fundi i betejës duket i largët, por shenjat pozitive shihen, veçanërisht në New York, ku është epiqendra e përhapjes së infeksionit. Ulja e numrit të shtrimeve ditore, dhe nevojat më të pakta për përdorimin e ventilatorëve, përfshi dhe uljen pacientëve në rrisk jete, janë shenja të mjafta, megjithëse numri i viktimave është ende i lartë(2 mije e 37 vetëm gjatë së premtes), dhe nuk përjashtohnt as në ditët e së ardhmes së afërt.

Një sinjal tjetër pozitiv është edhe paralajmërimi i Presidentit Trump për ngritjen e një Komisioni të dytë pune në Shtëpinë e Bardhë që do të ketë si synim hapjen e vendit pas mbylljes së detyruar. Po ashtu presidenti paralajmëroi me optimizëm edhe për ringritjen e ekonomisë amerikane pas krizës, pavarsisht rritjes galopante të papunsisë.

       Për Dr Deborah Birx, koordinatoren e Shtëpisë së Bardhë për Koronavirusin, shenjat inkurajuse për zbutjen e krisëz në SHBA, janë të dukshme. SHBA po hyn në atë fazë që hyri Italia para një jave ç’ka na jep zemër se po fillojmë të shohim ndryshime, tha dr.Birx. 

Zv/Presidenti amerikan Mike Pence u kërkoi amerikanëve që të vazhdojnë të respektojnë rregullat e distancimit social, kërkesë që u përsërit edhe nga  Dr. Anthony Fauci.

  • Nuk ka kthim mbrapa,nuk mund të tërhiqemi, tha Dr. Anthony Fauci.

      Presidenti Donald Trump informoi se do të krijojë një grup pune të dytë për Koronavirusin, i cili do të synojë kalimin e fazës tjetër, atë të rihapjes së vendit, në të ardhmen jo të largët.

        Gjithësesi shifrat e së premtes, veçanërisht ato të shtrimeve të reja, nuk ishin pesimiste, por optimizmi bie kur shihet numri i viktimave dhe rritja e numrit të infektuarëve.

Shtete e Bashkuara e kaluan gjysëmilionshin e të infektuarëve. Mbrëmë vonë statsitikat shënonin 502 mijë e 49 të infektuar me COVID-19, me 33 mijë e 443 të infektuar të rinj. Numri i vdekurëve sërish shënoi një rekord prej 2 mijë të vdekurish, duke e çuar shifrën e përgjithshme të viktimave në 18 mijë e 719, duke mbetur vetëm 130 më pak se Italia me 18 mijë e 849. Shifra globale në rang botëror arriti 1 milion 697 mijë e 533 të infektuar.Bota ka pesuar 102 mije e 686 vdekje, ndërkohë që dy vendet europiane më të goditura, Italia dhe Spanja, patën më pak të infektuar të rinj, të dyja së bashku, se sa shtetit i New Yorkut, ndërkohë që numri i të shëruarëve është rritur tek këto dy shtete; 55 mijë e 668 në Spanjë dhe 30 mijë e 455 në Itali.Të dy shtetet europiane arritën ta frenonin ofensiven e virusit me masat e vonuara shtërnguse. Franca dhe Britania e Madhe ende nuk e kanë zbutur situatën, ndërkohë që Belgjika ka nisur kohët e fundit të ketë rritje të viktimave.

       Në SHBA, shteti i New Yorkut vazhdon që të prijë si për numrin e të infektuarëve ashtu edhe për viktimat. Edhe pse numri i shtrimeve është në rënie, të infektuarit e rinj gjatë ditës së premte u raportuan se kishin kapur shifrën e rreth 11 mijëve, ndërsa numri viktimave ishte 777, duke shënuar një ulje ditore prej 200 të vdekurish krahasuar me një ditë më parë.

Media kryesore në vend, por dhe ato ndërkombëtare, përfshirë dhe BBC, informuan për varret masive për të vdekurit nga COVID-19, ku dronët kishin fotografuar arkivole të varrosur në një varr masiv në New York City, pasi numri i vdekjeve nga koronavirusi vazhdon të rritet.U përcollën fotografi që tregonin punëtorët me veshjet speciale të cilët dukeshin duke grumbulluar arkivole në një tip transheje të thellë në ishullin Hart.

Zyrtarët e shtetit të NY thanë se varret massive po bëhen në ishullin Hart, i cili është përdorur prej rreth 150 vjetësh për njerëzit pa të afërm ose familjet që nuk kanë mundur të përballonin shpenzimet e funeralit.

Në shtetin e New Jersey-t u shënuan 3 mijë e 561 të infektuar të rinj gjatë ditës së premte, duke e çuar shifrën e përgjithshme të infektuarëve në 54 mijë e 588, ndërsa viktimat e së premtes ishin 232, me numër total 1 mijë e 932. Shteti i Michiganit sërish raportoi një numër të konsiderushëm viktimash, 205, duke u renditur në vend të tretë për viktimat COVID-19, pas New Yorkut dhe New Jersey-t me 1 mijë e 281, po kaq ishtë dhe numri i infektuareve të rinj gjatë së premtes. Sipas Dr. Deborah Birx, Bostoni dhe Chikago, do të jenë dy vatrat e tjera të nxehta. Gjatë ditës së Premte Massachusetts shënoi 96 viktima me mbi 2 mijë të infektuar në harkun e një dite, ndërsa Illynoisi kishte 68 të vdekur(Po aq sa kishte dhe Connectucut). (Dielli)

Filed Under: Featured Tagged With: Amerika Optimiste, Pandemia

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 259
  • 260
  • 261
  • 262
  • 263
  • …
  • 902
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • VATRA URON BESIMTARËT ORTODOKSË: GËZUAR DHE PËRSHUMËVJET PASHKËT
  • Fan Noli, apostull i ringjalljes shqiptare
  • KOSOVA NË NATO DHE ASNJËHERË ASOCIACION SERB
  • ELIOT ENGLE DHE HARRY BAJRAKTARI: NJË BASHKËPUNIM QË FUQIZOI ZËRIN SHQIPTAR NË SHTETET E BASHKUARA TË AMERIKËS
  • “Ngërçi Presidencial në Kosovë Zbulon një Dobësi të Kushtetutës”
  • KUJTIME PER ITALIANIN DOM ANTONIO SHARRA
  • MASAKRA E TIVARIT MARS-PRILL 1945
  • Kuptimi i Pashkëve Ortodokse – midis ritualit dhe ringjalljes së ndërgjegjes
  • RIKTHIMI I MUSTAFA MAKSUTIT NË FAQET E HISTORISË
  • Shqipëria në politikën ballkanike të Austro-Hungarisë
  • Eliot Engel, in memoriam…
  • VATRA TELEGRAM NGUSHËLLIMI PËR NDARJEN NGA JETA TË ELIOT ENGEL, MIKUT TË MADH TË KOMBIT SHQIPTAR
  • Përkujtojmë në përvjetorin e lindjes një nga figurat e Rilindjes Kombëtare, Aleksandër Stavre Drenova
  • GËRSHËRA E ARGJENDTË
  • Përgjithmonë vetëm mirnjohës për Kongresmenin Eliot Engel

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT