• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Papa Francesku: Nuk është koha e egoizmit…

April 12, 2020 by dgreca

… e përçarjes, por e solidaritetit /

Pas Meshës Shenjte, Papa Françesku dha bekimin e ditës së Pashkëve. Në mesazhin drejtuar Romës e Botës kërkoi përsëri armëpushimin global dhe ndalimin e menjëhershëm të fabrikimit të armëve. Duke iu lutur Krishtit të ngjallur, kujtoi krizën shëndetësore dhe një mori emergjencash të harruara.

R. SH. – Vatikan/

Pas Meshës Shenjte, Françesku dha bekimin apostolik të Ditës së Pashkëve të Krishtit. Në mesazhin drejtuar Urbi et Obr – Romës e Botës  kërkoi përsëri armëpushimin global dhe ndalimin e menjëhershëm të fabrikimit të armëve. Duke iu lutur Krishtit të ngjallur, kujtoi krizën shëndetësore dhe një mori emergjencash të harruara. Më poshtë, mesazhi i Françeskut drejtuar Romës dhe botës:

“Sot jehon në mbarë botën kumti i Kishës: “Jezusi u ngjall!- “Vërtet u ngjall!”.

Si një flakë e re ky Lajm i Mirë flakëroi nëpër natë; natë e një bote, prej kohe e zënë me sfidat epokale e tani e shtypur nën barrën e pandemisë, që po e vë në provë të rëndë familjen njerëzore. Në këtë natë rijehoi rishtas zëri i Kishës: “Krishti, shpresa ime, u ngjall!” (Sekuenca e Pashkëve).

 Është një “pandemi” tjetër, kjo, që “ngjitet” nga zemra në zemër – sepse çdo zemër njerëzore e pret këtë Lajm të Mirë. Pandemia e shpresës: “Krishti, shpresa ime, u ngjall!”. Nuk është formulë magjike, që i bën të zhduken problemet. Jo, kjo nuk është ngjallja e Krishtit! Ngjallja e Krishtit është fitorja e dashurisë mbi rrënjën e së keqes, fitore, që nuk i “lë pas” vuajtjen e vdekjen, por i kapërcen, duke marrë rrugën drejt  honit e duke e shndërruar të keqen në të mirë: vulë, që e ka vetëm pushteti i Zotit!

I Ngjalluri është i Kryqëzuari, askush tjetër. Në korpin e Tij të lumnueshëm mbart plagët e pashlyeshme: plagë që bëhen frëngji shprese. Kah Ai i drejtojmë sytë tonë, duke iu lutur t’i shërojë varrët e njerëzimit të plagosur.

Sot mendimi im shkon posaçërisht tek ata, që u goditën drejtpërdrejt nga koronavirusi: tek të sëmurët, ata që vdiqën e familjarët, që qajnë për humbjen e të dashurve, të cilëve shpesh nuk arritën as t’u japin lamtumirën e fundit. Zoti i jetës i marrtë për dore të vdekurit në mbretërinë e tij; i dhashtë ngushëllim e shpresë atij, që vijon të jetë në provë, posaçërisht pleqve dhe njerëzve të vetmuar! Premtoftë të mos u mungojnë ngushëllimi  i Tij e as ndihmat e nevojshme njerëzve, që jetojnë në kushte vështirësish të veçanta,  si  atyre që punojnë ndër spitale, ose që jetojnë në kazerma e ndër burgje! Për shumëkënd janë Pashkë vetmie, të jetuara në zinë e mjerimin, që po shkakton pandemia, duke nisur nga vuajtjet fizike, tek problemet ekonomike.

Kjo sëmundje ngjitëse na la jo vetëm pa ngrohtësinë njerëzore, por edhe pa mundësinë që ta ndjejmë personalisht ngushëllimin, i cili gurron nga Sakramentet, posaçërisht nga Eukaristia e nga Sakramenti i Pajtimit. Në shumë vende nuk ka qenë e mundur të merren, po Zoti nuk na la vetëm! Duke mbetur të bashkuar në lutje, jemi të sigurt se Ai na e mban dorën mbi krye  (krh Ps. 138,5), e na përsërit me forcë: mos ki frikë! U ngjalla e jam përgjithmonë me ty!” (krh Meshari Romak)

 Jezusi, Pashka jonë, u dhashtë forcë e shpresë mjekëve e infermierëve, që po japin kudo dëshmi kujdesi e dashurie ndaj të afërmit, deri në shterrimin e forcave e, jo rrallë, edhe me flijimin e shëndetit! Tek ata, ashtu si edhe tek njerëzit e tjerë, që punojnë me zell për të garantuar shërbimet kryesore, të nevojshme për bashkëjetesën civile, tek forcat e rendit e tek ushtarakët, që në shumë vende dhanë ndihmesën e tyre për t’i  lehtësuar vështirësitë e vuajtjet e popullsisë, shkon mendimi ynë e mirënjohja jonë.

Në këto javë, jeta e miliona njerëzve ndryshoi krejt papritur. Për shumë, ngujimi në shtëpi ishte rast për të reflektuar, për t’i ndalur ritmet e ethshme të jetës, për të ndenjur me të dashurit e për të shijuar shoqërinë e tyre. Për shumë të tjerë është edhe kohë shqetësimi për ardhmërinë, e cila duket krejt e paqartë; për punën, që rrezikohen ta humbasin e për pasojat e tjera, që sjell kriza. Inkurajoj ata që kanë përgjegjësi politike të bëjnë çmos në favor të së mirës së përbashkët të qytetarëve, duke u siguruar mjetet dhe instrumentet e nevojshme, që u krijojnë të gjithëve mundësinë  të  kalojnë një jetë dinjitoze e të favorizojnë, kur e lejojnë rrethanat, rifillimin e  veprimtarive të përditshme.

Nuk është kjo koha e indiferencës, sepse mbarë bota po vuan  e duhet  ta ndjejë veten të bashkuar në përballimin e pandemisë. Krishti i ngjallur u dhashtë shpresë gjithë të varfërve, atyre që jetojnë në periferi, refugjatëve  e të pastrehëve! Nuk duhen lënë vetëm këta vëllezër e motra më të ligësht, që popullojnë qytetet dhe periferitë në të katër anët e botës. Të mos lejojmë t’u mungojnë gjërat më të nevojshme, që gjinden me vështirësi  tani, kur shumë veprimtari janë të mbyllura; ashtu si dhe ilaçet e, sidomos, mundësia për asistencën e duhur shëndetësore. Duke pasur parasysh rrethanat, u lehtësofshin dhe masat ndeshkimore ndërkombëtare, të cilat i frenojnë mundësitë e vendeve të ndëshkuara për t’u dhënë mbështetjen e duhur qytetarëve të tyre e për t’u krijuar të gjitha shteteve, posaçërisht më të varfrave, kushtet për t’i bërë ballë nevojave më të mëdha të çastit, duke ua reduktuar, nëse nuk mund t’ua falin, borxhin që rëndon mbi buxhetet e tyre.

Nuk është kjo, koha e egoizmave, sepse sfida që po përballojmë na bashkon të gjithëve e nuk bën dallime ndërmjet njerëzve. Ndërmjet të gjitha zonave të botës, të prekura nga koronavirusi,  i drejtoj një mendim të veçantë Evropës. Pas Luftës II Botërore, ky kontinent i dashur mundi të rilindej falë frymës konkrete të solidaritetit, që e ndihmoi t’i kapërcejë rivalitetet e së kaluarës. Është më urgjente se kurrë, posaçërisht në rrethanat e sotme, që këto rivalitete të mos e ngrenë më kokën, por të gjithë ta kuptojnë se janë pjesë e një familjeje të vetme e ta mbështesin njëri-tjetrin. Sot Bashkimi Evropian është përballë një sfide epokale, nga e cila varet jo vetëm ardhmëria tij, por edhe ajo e mbarë botës. Nuk duhet humbur rasti për të dhënë një provë solidariteti, edhe duke kërkuar rrugëzgjidhje të reja. Alternativa është vetëm egoizmi i interesave të veçanta dhe tundimi i rikthimit të së kaluarës, me rrezikun e vënies në provë të rëndë të bashkëjetesës paqësore dhe të zhvillimit të breznive të reja.

Nuk është kjo, koha e përçarjeve. Krishti, paqja jonë, i shndritët ata, të cilët kanë përgjegjësi në konfliktet, të marrin guximin  e t’i përgjigjen thirrjes për armëpushimin global e të menjëhershëm në të katër anët e botës! Nuk është kjo, kohë për fabrikimin dhe trafikun e armëve, kohë për të shpenzuar kapitale shumë të mëdha, që do të duhej të përdoreshin  për të mjekuar njerëzit e për të shpëtuar jetë. Është, ndërkaq, koha për t’i dhënë fund luftës së pafundme, që gjakosi Sirinë, konfliktit në Jemen e tensioneve në Irak, ashtu si edhe në Liban. Qoftë kjo, koha e rifillimit të dialogut ndërmjet Izraelitëve e Palestinezëve, për të gjetur një rrugëzgjidhje të qëndrueshme, afatgjatë, që u krijon të dyja palëve kushtet për të jetuar në paqe! Përfundofshin vuajtjet e popullsisë,  që jeton në zonat lindore të Ukrainës dhe sulmet terroriste kryer kundër një mori njerëzish në vendet e Afrikës.

Nuk është kjo koha e harresës! Kriza, që po përballojmë, mos na bëftë të harrojmë një mori emergjencash të tjera, që sjellin me vete vuajtje të rënda për shumë njerëz! Zoti i jetës qoftë pranë popullsive të Azisë e të Afrikës, që po kalojnë kohë krizash humanitare, ashtu si edhe në rajonin e Kabo Delgado, në veri të Mozambikut! Ua ngrohtë zemrën  refugjatëve e të shpërngulurve të shumtë, për shkak të luftërave, të thatësirës e të zisë së bukës. I mbrojtët migrantët dhe refugjatët e panumërt, shumë prej të cilëve janë fëmijë, që jetojnë në kushte të padurueshme, posaçërisht në Libi e në kufirin ndërmjet Greqisë e Turqisë!  Premtoftë që në Venezuelë të gjinden rrugëzgjidhje konkrete e të menjëhershme, të cilat synojnë të pranohet kërkesa për ndihmë ndërkombëtare ndaj popullsisë, që vuan nga shkaku i krizës së rëndë të koniukturës politike, shoqëroro-ekonomike e shëndetësore.

Të dashur vëllezër e motra

 ndiferenca, egoizmi, harresa nuk janë fjalët që dëshirojmë t’i dëgjojmë në këtë kohë. Madje duam t’i zhdukim nga të gjitha kohët! Ata duket sikur mbizotërojnë, kur në shpirtin tonë jetojnë frika e vdekja, domethënë, kur nuk e lëmë të fitojë Zotin Jezus në zemrën tonë e në jetën tonë. Ai, që e mundi vdekjen duke na hapur udhën e shëlbimit  të amshuar,  i davaritët terrinat e natyrës sonë njerëzore e na priftë në ditën e lume, që nuk njeh perëndim!

Filed Under: Featured Tagged With: Papa francesku

KUJTESE-Kur Dom Anton Kçira u takua me Papa Françeskun

September 8, 2018 by dgreca


2Antoni Papa Francesku
Nga Leonora Laçi/
Pak ditë pas festimeve të 2 vjetorit të shpalljes shenjtore Nanës Tereze( 4 shtator 2016), një tjeter shqiptar, dom Anton Kçira takohet me Papa Françeskun, së bashku me Arqipeshkvin e Tivarit Imzot Rrok Gjonlleshaj.
I njejti papë që lumnoi  klerikët katolik shqiptarë të persekutuar nga regjimi komunist.
40 Martirët e Shqipërisë janë shenjtorë të kishës katolike të pranuar si të tillë në 2016, prej të cilëve 2 në periudhën zogiste dhe 38 të tjerët gjatë diktaturës komuniste. U munduan e u vranë mizorisht për besimin e tyre fetar. Hapja e procesit dioqezan sipas Radio Vatikanit, për lumnimin e këtyre martirëve u shpall më 10 nëntor të viti 2002, nga prefekti i asokohshëm i Kongregatës për Ungjillëzimin e Popujve, kardinali Kreshencio Sepe, gjatë kremtimit të Eukaristisë, në Katedralen e Shkodrës. U lumnuan dhe shpallën shenjtorë të kishës katolike më 5 nëntor 2016, në sheshin para katedrales në Shkodër.
I njejti papë që shenjteroi dhe Nanen Tereze, e tashme takon një tjetër martir të gjallë që është sakrifikuar për popullin shqiptar e veçanërisht diasporen shqiptare në ShBA.
Dom Antoni shkruan rreth këtij takimi të rendësishëm të jetës së tij, ndonëse ka takuar në jeten e tij meshtarake edhe papet e mëparshëm:-“ Takimi i sotem me papa Françeskun, gjatë meshës së shejt që u kremtu në kapelen e Shën Martes, në Vatikan dhe takimi pas meshës ishte vërtetë diçka e veçantë për mu. Ishte një takim i përzemërt, me emocione dhe i paharrueshëm, nji bekim hyjnor për jetën time meshtarake.
Prandaj, falenderoj Arqipeshkvin e Tivarit Imzot Rrok Gjonlleshaj qi ma mundësoi takimin e sotëm me papen, të cilin ai e njoftoi edhe për jetën, veprimtarinë dhe dëshmin time meshtarake.
Papa Françesku u interesu për jetën time meshtarake, për misionin e veprimtarinë dhe më përgëzoi përzemërsisht, më bekoi e më dha kurajo të shkoj përpara gjurmëve të krishtit shelbues. Dhe më tha:-“ Je deshmitar i gjallë i dashnis që Krishti ka për çdo njeri, kudo. Posaçërisht për popullin e vendit tand. Zoti të bekoft e të rujt.” Unë efalenderoj Zotin për këtë dhuratë të bukur, për këtë mirënjohje, për këtë bekim plot domëthanës që e pata sot në Vatikan, që s’ka president që mundet me ma dhanë. Dua të nënvizoj se pas nji jete mase 51 vjeçare meshtarie, gjithmonë në mesin e popullit tim shqiptar, në vendlindje dhe në diasporë ( në Detroit), komunitetit të Shën Palit, takimi me papa Françeskun e bekimi që mora prej tij, janë dhunti e çmueshme, nji lloj shpërblimi dhe mirënjohje për mundimin, vuajtjen por edhe për gezimet që kam pas gjatë tanë jetes dhe veprimtarisë time meshtarake. Po kthehem i lumtun, i pasun me hire e bekime hyjnore, me perqafimin e papes, për të cilin çdo ditë i lutem Zotit të na ruaj në drejtimin e kishës- mbyll fjalën e tij dom Anton Kçira.
Dom Antoni po gëzon frytet e punës së tij, një vit më parë iu festua 50 vjetori i meshtarisë si dhe studiuesit Tomë Mrijaj& Klajd Kapinova botuan një libër të dytë kushtuar atij. Ndërsa Shoqata Trojet e Arbrit mbajti me 1 gusht 2018  në Gjakovë që është vendlindja e tij, një Akademi për aktivitetin dhe kontributin e dom Antonit në diasporë por dhe për shqiptarët në përgjithësi.
Tashmë dom Antoni takon papa Françeskun, dhe siç thotë dhe vetë takimi me të dhe vlerësimi që papa shfaqi ndaj tij ia kalonte çdo dekorimi e vlerësimi shtetërorë.

Filed Under: Histori Tagged With: Dom Anton Kçira, Leonora Laci, Papa francesku, takim

Kosova Vatikanit-Papa Françeskut, letër kërkesë për njohje

May 25, 2018 by dgreca

-Ati i Shenjtë, Papa Françesku: Kosova dhe populli i Kosovës do ta gjejnë vendin e vet, në vendin e popujve të lirë dhe në paqe!/

1 ramush papa-Kryeministri Ramush Haradinaj në konferencë shtypi pas vizitës zyrtare në Vatikan: Në takim me Papa Françeskun, letër kërkesë për njohje të pavarësisë së Kosovës/

1 Kosova-Vatikan.JPGGazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari/

  PRISHTINË, 25 MAJ 2018/ Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, tha sot se për takimin që kishte në Vatikan me Atin e Shenjtë, Papa Françeskun,  kishte përgatitur me kohë një dhuratë shumë të çmuar, një letër kërkesë për njohje, me një mbulesë të logos së jubileut të dhjetëvjetorit të pavarësisë.Pas vizitës në Selinë e Shenjtë, takimit me Papa Françeskun dhe Kardinalin Pietro Parolin, që është edhe sekretar i  Vatikanit, kryeministri Haradinaj, sot në Prishtinë ka mbajtur një konferencë shtypi, ku ka prezantuar qëllimin e vizitës e që ishte kërkesa e popullit të Kosovës për njohjen e Republikës së Kosovës nga Vatikani.

Në fjalën para mediave të pranishme, mes tyre Gazeta DIELLI, kryeministri Haradinaj tha se e ka falënderuar Papa Françeskun për kujdesin dhe respektin që ka për Kosovën dhe popullin e saj.Poashtu, kryeministri Haradinaj tha se, pas kërkesës që i dorëzoi, Papa Françesku u shpreh  se ka në zemër popullin e Kosovës.“E kam në zemër popullin e Kosovës, e ndjejë. Do të lutem për ju, do të lutem personalisht për ju dhe për vendin tuaj”, citoi kryeministri Haradinaj Atin e Shenjtë.

Papa Françesku, vijoi kryeministri, në të njëjtën kohë u shpreh se ka shumë shpresë se Kosova dhe populli i Kosovës do ta gjejnë vendin e vet në vendin e popujve të lirë dhe në paqe.Në 22 maj 2018 kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, gjatë vizitës dyditore në Vatikan, është pritur në Audiencën e Mbyllur nga Ati i Shenjtë, Papa Françesku.Takimi me Papa Francesku u bë në rezidencën e Atit të Shenjtë, në Vatikan në audiencë të mbyllur, në kuadër të vizitës zyrtare të kryeministrit Haradinaj në Vatikan, e cila kishte për qëllim vendosjen e bashkëpunimit strategjik dhe njohjen e shtetësisë së Kosovës nga Selia e Shenjtë.

 FJALA E PLOTË E KRYEMINISTRIT HARADINAJ NË KONFERENCËN PËR SHTYP:

 Për respekt tuajin dhe të qytetarëve në përgjithësi, por edhe të takimeve dhe temave të trajtuara, kam ftuar këtë konferencë për shtyp pas vizitës në Vatikan.I shoqëruar edhe me disa kolegë, kam pas takim pune me eminencën e tij, Kardinalin Pietro Parolin, që është edhe sekretar i  Vatikanit, në hierarkinë e shtetit të Vatikanit, ai është Kryeministër në Vatikan.Në këtë takim pune që ka zgjatur më shumë se një orë, kemi biseduar për tema bilaterale Kosovë – Seli e Shenjtë. Kryesisht kanë dominuar temat, ato të parat, ato të ndjenjës së mirë që ka Kosova për Selinë e Shenjtë, të vlerave që kemi ne në tolerancën ndërfetare, respektin e ndërsjellë, përkushtimin që e kemi si vend për paqen në rajon dhe për anëtarësim në BE dhe organizata tjera ndërkombëtare, ashtu si, Interpoli dhe rëndësia që ka për ne njohja nga Vatikani, pesha që ka kjo njohje, njohje për shtetin tonë, duke falënderuar Vatikanin që kanë qenë të hapur gjithë kohën me ne, që nga koha e presidentit Rugova, Jahjaga, Thaçi, pra gjithkujt që ka pasur mundësinë me mbajt komunikim me Vatikanin. Shpreha gatishmërinë për një partneritet të tillë strategjik të Kosovës edhe në të ardhmen.

Njëkohësisht, me Papën, pra me Atin e Shenjtë, kam pas mundësinë për t’i treguar për Kosovën dhe e kisha përgatitur me kohë një dhuratë për të, një dhuratë shumë të çmuar, një letër kërkesë për njohje, me një mbulesë të logos së dhjetëvjetorit të pavarësisë.Pata mundësinë përpos ta falënderoj për kujdesin, për respektin që bënë për Kosovën, me ja shpreh edhe këtë kërkesë të popullit të Kosovës, duke i thënë se populli i Kosovës e ka shpresën tek ju, i ka sytë kah ju dhe pret prej juve.Ai ishte vërtetë i hapur pasi që mori kërkesën u kthye dhe më tha këto fjalë ‘E kam në zemër popullin e Kosovës, e ndjejë. Do të lutem për ju, do të lutem personalisht për ju dhe për vendin tuaj’. Ai ka shumë shpresë se Kosova dhe populli i Kosovës do ta gjej vendin e vet, në vendin e popujve të lirë dhe në paqe.
Pra kryesisht biseda kishte këtë qëllim, të marrjes së njohjes apo të kërkimit të njohjes. Dua t’ju them se edhe unë kam bërë kujdesin më të madh që si Kosovë të shpjegojmë se çka fiton familja evropiane me Kosovën? Çka fiton BE-ja nëse në jepet liberalizimi i vizave? Që nuk fiton as krim, as rreziqe, as emigrant, por vetëm shkëmbime. Çka fiton bota nëse ne bëhemi anëtar të Interpolit? Fitojnë më shumë siguri, më shumë garancë për jetë të qetë, më shumë mbrojtje nga çfarëdo krimi e rreziku. Dhe, njëkohësisht  me njohjen e Kosovës fitohet një paqe e mirëfilltë dhe e qëndrueshme në Ballkan, për të gjithë.

Ju faleminderit media!

Filed Under: Featured Tagged With: Behlul Jashari, Kosova-Vatikani, Leter Njohje, Papa francesku

Vatikan-Kryeministri Haradinaj takon Papa Françeskun

May 23, 2018 by dgreca

1 ramush papa2 Papa Ramush3 Papa ram e te tjere

-“Kosova duhet të vendos marrëdhënie të përhershme dhe strategjike me Vatikanin”/

VATIKAN, 22 Maj 2018-Gazeta DIELLI/

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, gjatë vizitës dyditore në Vatikan, është pritur në Audiencën e Mbyllur nga Ati i Shenjtë, Papa Françesku.Gjatë takimit, kryeministri Haradinaj e njoftoi Atin e Shenjtë për zhvillimet politike në Kosovë, rrugën evropiane dhe euroatlantike, duke theksuar faktin se Kosova është shembull për bashkëjetesën mes popujve dhe tolerancën fetare.

“Kosova është shembull i tolerancës fetare dhe i promovimit të paqes. Rruga jonë euro-atlantike fuqizohet me partneritetin strategjik me Vatikanin. Shenjtërisë së tij, Papa Françeskut i shpreha përkushtimin e qytetarëve tanë, që vlerat shpirtërore dhe demokratike t’i ruajmë e kultivojmë, në frymën e për të mirën përbashkët”, tha Kryeministri Haradinaj.Kryeministri Haradinaj, vlerësoi pritjen që iu bë nga Papa Françeku, duke thënë se Kosova dhe populli i saj do të jenë përjetë mirënjohës Vatikanit për mbështetjen e dhënë gjatë dekadave të fundit, e po ashtu shprehu përkushtimin e shtetit të Kosovës për një partneritet strategjik me Vatikanin.“Vizita ime në Vatikan dhe takimi me Papa Françeskun është nder i madh për mua dhe popullin e Kosovës. E shfrytëzova këtë nder për të përcjellë përshëndetjet dhe dëshirat më të mira të popullit të Kosovës për Atin e Shenjtë, Papa Françeskun, për Selinë e Shenjtë, pra për Vatikanin dhe dëshirën për të vendosur marrëdhënie të përhershme dhe strategjike me Vatikanin”, tha kryeministri Haradinaj.

 Me këtë rast, kryeministri Haradinaj i ka përcjellur Atit të Shenjtë, një dhuratë nga populli i Kosovës, një letër – kërkesë, për pranimin, njohjen dhe për kujdesin ndaj Kosovës.“Më bëri përshtypje se Ati i Shenjtë, Papa Françesku ishte vërtetë njerëzor, me ngrohtësi të jashtëzakonshme, tha se “E kam në zemër popullin e Kosovës””, theksoi kryeministri Haradinaj.Duke vlerësuar lartë pritjen që i është në Vatikan, kryeministri Haradinaj theksoi se trajtimi dhe pritja me aq respekt, është dëshmi për thellimin e raporteve ndërmjet dy vendeve.“Ai e dha bekimin, për Kosovën, një bekim që ishte prekës jo vetëm për mua, por për të gjithë ne, një ndjenjë e veçantë. U ndjeva i nderuar dhe vërtetë jam ndjerë i respektuar sot”, theksoi kryeministri Haradinaj.Kryeministri Haradinaj u shpreh i lumtur dhe mirënjohës që Kosova ka ndërtuar marrëdhënie miqësore me Selinë e Shenjtë.“Ne e kemi me shumë rëndësi këtë marrëdhënie. Vatikani, po ashtu Selia e Shenjtë është anëtare në plotë organizata ndërkombëtare, sikurse e Interpolit dhe organizatat tjera. Jam thellë i bindur që në rrugëtimin tonë si Kosovë, do të na ndjenë. Jam i bindur që Selia e Shenjtë do ta ndjenë Kosovën”, ta kryeministri Haradinaj.Takimi me Papa Francesku u bë në rezidencën e Atit të Shenjtë, në Vatikan në audiencë të mbyllur, në kuadër të vizitës zyrtare të Kryeministrit Haradinaj në Vatikan, e cila ka për qëllim vendosjen e bashkëpunimit strategjik dhe njohjen e shtetësisë së Kosovës nga Selia e Shenjtë./b.j/

Filed Under: Featured Tagged With: Kryeministri Haradinaj, Papa francesku, takim

PASHKET: Papa Françesku bën thirrje që t’i jepet fund “masakrës” në Siri

April 1, 2018 by dgreca

Papa Françesku ka bërë sot thirrje për dhënien fund të “masakrës” në Siri, duke kërkuar pajtim në Lindjen e Mesme.

Këto thirrje, Papa Françesku i bëri gjatë mesazhit të tij tradicional për Pashkët.

“Sot ne lutemi për paqe në gjithë botën, duke filluar nga Siria”, ka thënë Papa gjatë fjalimit të tij.

Duke iu bërë thirrje për “ndërgjegje të gjithë udhëheqësve politikë dhe ushtarak”, Papa kërkoi “që t’i jepet fund sa më shpejt masakrës”, ndërsa dhjetëra mijëra besimtarë ndoqën fjalimin e tij nga Sheshi Shën Pjetri në Vatikan.

Ati i Shenjtë ka bërë thirrje që të lehtësohet dërgimi i “ndimave aq urgjente për vëllezërit dhe motrat tona dhe t’u sigurohen kushtet për kthimin e të zhvendosurve” në Siri.

Besimtarët e krishterë në mbarë botën sot kremtojnë Pashkët, ditë të cilën besimtarët besojnë se Jezu Krishti është ringjallur.

Filed Under: Komunitet Tagged With: Papa francesku, Siri, thirrje

  • 1
  • 2
  • 3
  • …
  • 6
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NJË FTESË PËR TË GJITHË SHQIPTARËT E AMERIKËS
  • Vatra Chicago, shans historik në përpjekjet për çështjen kombëtare
  • U THEMELUA DEGA MË E RE E VATRËS NË CHICAGO
  • Xhevat Kallajxhiu, kontributi patriotik e publicistik nga “Zëri i Amerikës” te gazeta “Dielli”  
  • Në veriun e Mitrovicës para 23 viteve serbët vranë e dëbuan shqiptarët
  • Boshnjakët dhe shqiptarët kërkojnë reciprocitet të të drejtave
  • Maya Angelou mbretëresha e poezizë zezake 
  • SHQIPTARO-AMERIKANËT SHËNOJNË 1-VJETORIN E VARRIMIT TË SENATORIT BOB DOLE
  • New Proposal on School Meals Includes First Limits on Added Sugars
  • Nga Dante Aligieri dhe piktori i famshëm italian Mariotto Albertinelli tek djali i Drenicës përndjekur nga genocidi serb
  • SHQIP NË ASPROPIRGO – ATHINË
  • 15 VJETORI I PAVARËSISË SË KOSOVËS NË NEW YORK
  • Emri im nuk është Marjuana!
  • PIKËPYETJE…
  • William McKinley, Presidenti i 25-të i ShBA

Kategoritë

Arkiv

Tags

alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Hazir Mehmeti Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT