• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Papës i jepet Çmimi Karli i Madh: ëndërroj një humanizëm të ri evropian

May 7, 2016 by dgreca

Papës iu dorëzua Çmimi Karli i Madh. Ishin të pranishëm kryetari i Parlamentit Evropian, Martin Schultz; kryetari i Këshillit Evropian  Donald Tusk dhe kryetari i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker,  kancelarja gjermane, Angela Merkel e shumë personalitete tjera. Çmimi,  me të cilin qyteti Aachen nderon çdo vit personalitete të dalluara për rolin e tyre në mbrojtje të vlerave, iu dorëzua Papës Françesku për angazhimin e tij në ndërtimin e Evropës së paqes, themeluar mbi vlerat e përbashkëta, me porta të hapura për popujt e kontinentet e  tjera. Kohët e fundit patën jehonë të thellë  fjalët fuqimisht kritike, shqiptuar nga Ati i Shenjtë Bergoglio për kushtet në të cilat jetojnë refugjatët, në Kontinentin e vjetër.

E me rastin e dorëzimit të këtij Çmimi, Papa Françesku u drejtoi të pranishmëve këtë fjalim, sa akademik, aq edhe programatik, që prek problemet kyçe të Evropës:

Miq të Ndritur,

ju uroj  nga zemra mirëseardhjen e ju falënderoj për praninë tuaj. U shpreh mirënjohjen time posaçërisht  zotërinjve Marcel Philipp, Jürgen Linden, Martin Schultz, Jean-Claude Juncker e Donald Tusk për fjalët  e mira. Dëshiroj ta kujtoj përsëri dëshirën time për t’ia dhuruar Evropës këtë çmim të rëndësishëm, me të cilin nderohem: prandaj nuk po bëjmë një gjest kremtues, por po shfrytëzojmë rastin për t’i uruar së bashku Kontinentit të dashur një hov të ri e të guximshëm.

Fryma krijuese, gjenia, aftësia për t’u ringritur përsëri në këmbë e për të dalë nga kufizimet e veta, janë pjesë e pandarë e shpirtit të Evropës. Në shekullin e kaluar ajo i dha njerëzimit dëshminë se gjithçka mund të fillohej nga e para: pas viteve të ndeshjeve tragjike, të cilat arritën kulmin me luftën më të tmerrshme që mbahet mend, zu fill, për hir të Zotit, një risi e pashembullt në histori. Hiri i gërmadhave nuk mundi ta shuajë shpresën, as kërkimin e tjetrit, që ndezën në zemrën e Etërve themelues, projektin evropian. Ata hodhën themelet e kështjellës së paqes, një ndërtese të ngritur nga Shtete, të cilat nuk u bashkuan me detyrim, por zgjodhën lirisht rrugën e së mirës, duke hequr dorë një herë e përgjithmonë nga ndeshja. Evropa, pas shumë përçarjesh, gjeti, më në fund, vetveten e nisi të ndërtojë shtëpinë e vet.

 Kjo “familje popujsh”1, që më pas u bë lavdërueshëm më e gjerë,  kohët e fundit duket se po i ndjen më pak të vetat muret e shtëpisë së përbashkët, të ngritura nganjëherë duke u larguar nga projekti i ndritur  arkitektuar nga Etërit. Ajo atmosferë risie1, ajo dëshirë e zjarrtë për të ndërtuar bashkimin, duket sikur vijojnë të shuhen: ne, bijtë e kësaj ëndrre, tundohemi t’i nënshtrohemi egoizmit tonë, duke shikuar leverdinë  e duke menduar të ngremë gjerdhe të veçanta. Gjithsesi jam i bindur se dorëzimi para vështirësive e kapitja nuk kanë të bëjnë me shpirtin e Evropës e se edhe vështirësitë mund të bëhen nxitëse të fuqishme të unitetit”. 2

Në Parlamentin evropian ia lejova vetes ta quaja Evropën gjyshe. U thashë Eurodeputetëve se në të katër anët thellohet përshtypja e një Evrope të lodhur, të plakur, shterpë, pa gjallëri, ku idealet e mëdha që e frymëzuan, e kanë humbur tashmë forcën e tyre tërheqëse; një Evrope në rënie, që duket sikur e ka humbur aftësinë e saj krijuese. Një Evrope, që tundohet më shumë për të siguruar e për të sunduar hapësira, sesa për të përftuar procese  përfshirëse e shndërruese; një Evrope, e cila po rrëmon llogore, në vend që të parapëlqejë aksione që nxisin gjallërimin e shoqërisë; gjallërim  i aftë për t’i përfshirë e për t’i vënë në lëvizje të gjithë aktorët shoqërorë (grupe e individë) në kërkim të rrugëzgjidhjeve të reja për problemet aktuale, që sjellin fryte në ngjarje të rëndësishme historike: një Evrope që, larg mbrojtjes së hapësirave, bëhet nënë e lind procese (krh Esort, ap. Evangelii Gaudium, 223).

Ç’të gjeti kështu, Evropë humanistike, paladine e të drejtave të njeriut, e demokracisë, e lirisë? Ç’të gjeti Evropë, tokë poetësh, filozofësh, artistësh, muzikantësh, letrarësh? Ç’të gjeti kështu, Evropë, nënë popujsh e kombesh, nënë burrash trima e grash të dlira, që ditën ta mbrojnë dinjitetin e vëllezërve e të japin edhe jetën për të?

Shkrimtari Elie Wiesel, që shpëtoi i gjallë nga kampet naziste të shfarosjes, thoshte se sot është themelore të realizohet “transfuzioni i kujtesës”. Është e nevojshme “të kujtojmë”, të largohemi për një çast nga e sotmja, për të dëgjuar zërat e paraardhësve. Kujtesa jo vetëm që do të ndihmojë të mos biem më të njëjtat gabime të së kaluarës (krh Esort. Ap. Evangelii gaudium, 108), por do të na krijojë mundësinë t’i shfrytëzojmë fitoret, të cilat i ndihmuan popujt tanë t’i kapërcejnë me guxim udhëkryqet e historisë, që u dolën përpara. Transfuzioni i kujtesës na çliron nga prirja aktuale, shpesh më tërheqëse, për të ndërtuar me nxitim mbi rërën lëvizëse të rezultateve të menjëhershme, që mund të prodhojnë një rentë politike të lehtë, të shpejtë e jetëshkurtër, por që nuk mund ta sigurojnë zhvillimin e gjithanshëm njerëzor” (ibid, 224).

Për këtë qellim na bën mirë t’i kujtojmë Etërit themelues të Evropës.Ata ditën të kërkojnë udhë alternative, inovative, në rrethana të vështira, në një kontinent të plagosur rëndë nga lufta. Ata u trimëruan jo vetëm ta ëndërrojnë idenë e Evropës, por edhe guxuan t’i ndryshonin rrënjësisht modelet, që shkaktonin dhunë e rrënim. Guxuan të kërkojnë rrugëzgjidhje të shumanëshme për problemet, që pak nga pak po bëheshin të përbashkëta.

Robert Schuman, në atë që shumëkush e shikon si akt i lindjes së Bashkësisë së parë evropiane, pati thënë: “Evropa nuk bëhet me një goditje të vetme, as përmes ndërtimit në tërësi; ajo do të bëhet përmes realizimeve konkrete, krijuese të solidaritetit të vërtetë”.3 Pikërisht tani, në këtë botën tonë të copëtuar e të plagosur, duhet të rikthehemi tek ky solidaritet konkret, tek e njëjta bujari konkrete, që pasoi luftën e dytë botërore, sepse – pati vijuar Schuman – “paqja botërore nuk mund të mbrohet, pa përpjekje krijuese, në lartësinë e rreziqeve, që e kërcënojnë”.4 Projekteve të  Etërve themelues, kasnecë të paqes e profetë të ardhmërisë, nuk u ka kaluar koha; na frymëzojnë, sot më shumë se kurrë, për të ndërtuar ura e për të shembur mure. Duket sikur na drejtojnë një ftesë të ngutshme që të mos kënaqemi me ndërhyrje  kozmetike e as me kompromise dredharake për të korrigjuar ndonjë traktat, por për të vënë trimërisht baza të reja, të rrënjosura thellë; siç pohonte Alcide De Gasperi “të gjithë njëlloj, të nxitur nga shqetësimi për të mirën e përbashkët të atdheut tonë evropian, Atdheut tonë Evropës” të nisim pa frikë “një punë konstruktive, që kërkon të gjitha përpjekjet tona durimtare e gjithë bashkëpunimin tonë afatgjatë.” 5

Ky transfuzion i kujtesës na krijon mundësi të frymëzohemi nga e kaluara, për të përballuar me guxim kuadrin e ndërlikuar shumëpolar të ditëve tona, duke pranuar me vendosmëri sfidën për ta “rishikuar” idenë e Evropës. Një Evrope, të aftë për të nxjerrë në dritë humanizmin e ri, të bazuar mbi tri aftësi: aftësinë për të integruar, aftësinë për të dialoguar dhe aftësinë për të krijuar.

Aftësia për të integruar

Erich Przywara, në veprën e tij të ndritur “Ideja e Evropës”, na sfidon, duke na nxitur ta mendojmë qytetin si vend bashkëjetese të instancave e niveleve të ndryshme. Ai e njihte mirë këtë prirje reduksionistike, që e gjejmë në çdo përpjekje për ta menduar e për ta ëndërruar indin shoqëror. Bukuria, e rrënjosur në shumë nga qytetet tona, vijon të na mahnisë për faktin se u arrit të ruhen në rrjedhë kohe, ndryshimet e epokave, të kombeve, të stileve, të vizioneve. Mjafton ta kundrosh pasurinë e paçmueshme kulturore të Romës, për të pohuar edhe një herë se pasuria dhe vlera e një populli rrënjoset pikërisht kur di t’i harmonizojë të gjitha këto nivele në një bashkëjetesë të suksesshme. Reduksionistët dhe të gjitha synimet rrafshuese, larg çdo aftësie për të krijuar vlera, i dënojnë popujt tanë me një varfëri mizore: atë të përjashtimit. E larg çdo aftësie për të krijuar madhështi, pasuri e bukuri, përjashtimi krijon vetëm poshtërsi, mjerim, mizori.

Rrënjët e popujve tanë, rrënjët e Evropës, shkonin duke u konsoliduar në rrjedhë të historisë së saj, duke e mësuar t’i integrojë në sinteza përherë të reja kulturat më të ndryshme e në dukje, pa asnjë lidhje ndërmjet tyre. Identiteti evropian është e ka qenë gjithnjë shumëkulturor, në zhvillim të vazhdueshëm.

Veprimtaria politike e di se ka ndër duar këtë punë themelore, që nuk mund të shtyhet për më vonë. E dimë se “e tëra është më shumë se pjesët, e edhe se shuma e tyne e thjeshtë”, prandaj duhet punuar gjithnjë për të pranuar të mirën më të madhe, nga e cila mund të përfitojmë të gjithë.” (Esort. Ap Evangelii gaudium, 235). Ftohemi t’i japim shtytje integrimit, duke pranuar solidaritetin si mënyrën me të cilën duhen bërë gjërat, mënyrën që na tregon si duhet ndërtuar historia. Solidaritet, që nuk duhet ngatërruar kurrë me lëmoshën, por  duhet parë si krijim i mundësisë që të gjithë banorët e qyteteve tona – e të shumë qyteteve të tjera – të mund ta realizojnë me dinjitet jetën e tyre. Koha po na mëson se nuk mjafton më vetëm përfshirja gjeografike e njerëzve, por sfida është integrimi i vërtetë kulturor.

Në këtë mënyrë, bashkësia e popujve evropianë mund ta kapërcejë tundimin për të këmbëngulur në paradigma të njëanshme e për t’u marrë me “kolonizime ideologjike”; përkundrazi, do të zbulojë madhështinë e shpirtit evropian, lindur nga takimi ndërmjet qytetërimeve dhe popujve, më e shtrirë se kufijtë aktualë të Bashkimit Evropian dhe e thirrur të bëhet model i sintezave të reja dhe i dialogut. Vërtet, fytyra e Evropës nuk dallohet për kundërvënien ndaj të tjerëve, por për faktin se mban gjurmët e tipareve të kulturave të ndryshme dhe ka bukurinë që sjell fitorja kundër mbylljes së dyerve. Pa këtë aftësi integrimi, fjalët e shqiptuara nga Konrad Adenauer në të kaluarën, do të tingëllojnë sërish sot si profeci për të ardhmen: “E ardhmja e Perëndimit nuk kërcënohet aq nga tensioni politik, sa nga rreziku i masivizimit, nga uniformiteti i mendimit dhe i ndjenjave; shkurt, nga i gjithë sistemi i jetës, nga mosmarrja e përgjegjësisë, me shqetësimin e vetëm për ‘unin’ personal”6.

Aftësia për dialog

Nëse ka ndonjë fjalë, që duhet ta përsërisim derisa të lodhemi, është kjo: dialog. Jemi të ftuar të promovojmë një kulturë dialogu, duke u përpjekur me çdo mjet të shtrojmë çështje, në mënyrë që kjo të jetë e mundur e të na lejojë të rindërtojmë indin shoqëror. Kultura e dialogut nënkupton një formim të vërtetë e të vazhdueshëm, një lloj ushtrimi të asketizmit, që të na ndihmojë ta shohim tjetrin si bashkëbisedues të vlefshëm; që të na japë mundësinë ta shohim të huajin, emigrantin, të ardhurin nga një kulturë tjetër si subjekt për t’u dëgjuar, për t’u marrë parasysh e për t’u vlerësuar. Është urgjente për ne sot, të përfshijmë të gjithë protagonistët shoqërorë në promovimin e “një kulture, që privilegjon dialogun si formë takimi, si kërkim konsensusi dhe marrëveshjeje, por, pa e ndarë nga shqetësimi për një shoqëri të drejtë, të aftë të kujtojë e të mos përjashtojë” (Nxitja apostolike “Evangelii Gaudium”, 239). Paqja do të jetë e qëndrueshme, në masën me të cilën i armatosim fëmijët tanë me armët e dialogut, u mësojmë atyre betejën e mirë të takimit e të bisedimeve. Në këtë mënyrë, mund t’u lemë trashëgim një kulturë, që di të përvijojë jo strategji të vdekjes, por të jetës, jo të mënjanimit, por të integrimit.

Kjo kulturë dialogu, që duhet të hyjë në të gjitha planet mësimore shkollore si bosht transversal i lëndëve të mësimdhënies, do të na ndihmojë të rrënjosim në brezat e rinj një mënyrë për zgjidhjen e konflikteve të ndryshme nga ajo, me të cilën po i mësojmë. Sot, është urgjente të krijojmë “koalicione” jo më vetëm ushtarake apo ekonomike, por edhe kulturore, edukative, filozofike, fetare. Koalicione, që venë në pah se, pas shumë konflikteve, shpesh, është në lojë pushteti i grupeve ekonomike. Koalicione, të afta ta mbrojnë popullin, që të mos përdoret për qëllime të padenja. T’i armatosim njerëzit tanë me kulturën e dialogut e të takimit.

Aftësia krijuese

Dialogu dhe gjithçka lidhet me të na kujton se askush nuk mund të kufizohet e të sillet si spektator apo vëzhgues i thjeshtë. Të gjithë, nga më i vogli tek më i madhi, janë pjesë aktive në ndërtimin e një shoqërie të integruar e të pajtuar. Kjo kulturë është e mundur nëse të gjithë marrim pjesë në mendimin (ideimin) e në krijimin e saj. Gjendja aktuale nuk pranon vëzhgues të thjeshtë të luftës së tjetërkujt. Përkundrazi, është thirrje e fuqishme për përgjegjësi përsonale dhe shoqërore.

Në këtë kuptim, të rinjtë tanë kanë një rol mbizotërues. Ata nuk janë e ardhmja e popujve tanë, janë e tashmja; janë ata, që qysh sot, me ëndërrat e tyre, me jetën e tyre, po farkëtojnë shpirtin evropian. Nuk mund ta mendojmë të nesërmen, pa u lejuar atyre të marrin vërtet pjesë si tharm ndryshimi dhe shndërrimi. Nuk mund ta imagjinojmë Evropën pa i bërë pjesëmarrës e protagonistë të kësaj ëndrre.

Kohët e fundit, kam reflektuar mbi këtë aspekt dhe e kam pyetur veten: si mund t’i bëjmë pjesëmarrës të rinjtë tanë në këtë proces ndërtimi, nëse i privojmë nga puna; nga punë të denja, që u japin mundësinë të zhvillohen përmes duarve, inteligjencës dhe energjive të tyre? Si mund të pretendojmë t’ua njohim vlerën e protagonistit, kur treguesit e papunësisë e të nënpunësimit të miliona të rinjve evropianë janë në rritje? Si t’ia bëjmë për të mos i humbur të rinjtë tanë, të cilët përfundojnë duke ikur gjetiu, në kërkim të idealeve e të përkatësisë, sepse këtu, në tokën e tyre, nuk dimë t’u ofrojmë mundësi e vlera?

Shpërndarja e drejtë e fryteve të tokës e të punës së njeriut nuk është filantropi e thjeshtë. Është detyrë morale 7. Nëse duam t’i rimendojmë ndryshe shoqëritë, kemi nevojë të krijojmë vende pune dinjitoze dhe të paguara mirë, sidomos për të rinjtë tanë.

Kjo lyp kërkimin e modeleve të reja ekonomike më gjithëpërfshirëse dhe më të barabarta, që nuk orientohen në shërbim të pak vetëve, por në të mirën e njerëzve dhe të shoqërisë. E kjo na kërkon kalimin nga ekonomia e lëngshme [pra, që i përshtatet çfarëdo “ene” apo situate, pa pyetur për pasojat] në ekonominë shoqërore. Mendoj, për shembull, ppër ekonominë shoqërore të tregut, inkurajuar edhe nga Paraardhësit e mi (krh Gjon Pali II, Fjala për ambasadorin e R.F. Gjermane, 8 nëntor 1990). Të kalohet nga një ekonomi, që synon të ardhura dhe fitime mbi bazën e spekulimit dhe të kredive me interes, në një ekonomi shoqërore, që investon mbi njerëzit, duke krijuar vende pune dhe kualifikim.

Duhet të kalojmë nga një ekonomi e lëngshme, që priret të favorizojë korrupsionin si mjet fitimi, në një ekonomi shoqërore, që garanton tokën e strehimin për të gjithë, përmes punës, si fushë në të cilën njerëzit dhe bashkësitë mund të venë në lojë “shumë përmasa të jetës: krijimtarinë, ardhmërinë, zhvillimin e aftësive, ushtrimin e vlerave, komunikimin me të tjerët, adhurimin e Hyjit. Prandaj, realiteti shoqëror i botës së sotme, përtej interesave të kufizuara të ndërmarrjeve dhe racionalitetit të diskutueshëm ekonomik, kërkon “të vazhdohet të ndiqet si përparësi, objektivi i punësimit… për të gjithë” 8.

Nëse duam të synojmë në një të ardhme dinjitoze, nëse duam një të ardhme në paqe për shoqëritë tona, mund ta arrijmë vetëm duke pasur si qëllim integrimin e vërtetë: “atë që ta jep puna dinjitoze, e lirë, krijuese, gjithëpërfshirëse dhe solidare” 9. Ky kalim (nga një ekonomi e lëngshme në një ekonomi shoqërore) jo vetëm do të hapë perspektiva të reja dhe mundësi konkrete për integrim e gjithëpërfshirje, por do të na japë sërish aftësinë për ta ëndërruar atë humanizëm, për të cilin Evropa ka qenë djepi e burimi.

Në rilindjen e kësaj Evrope të lodhur, por akoma të pasur me energji e mundësi, mund e duhet të kontribuojë edhe Kisha. Detyra e saj përkon me misionin e saj: kumtimi i Ungjillit, që sot, më shumë se kurrë, do të thotë, sidomos, kujdes për plagët e njeriut, duke i çuar atij praninë e fuqishme e të thjeshtë të Jezusit, mëshirën e Tij ngushëlluese e inkurajuese. Zoti dëshiron të banojë ndërmjet njerëzve, por mund ta bëjë këtë vetëm përmes burrave e grave që, ashtu si ungjillëzuesit e mëdhenj të kontinenteve, të preken me dorë prej Tij e ta jetojnë Ungjillin, pa kërkuar gjë tjetër. Vetëm një Kishë e pasur me dëshmitarë mund t’i vaditë sërish me ujin e kristaltë të Ungjillit rrënjët e Evropës. Për këtë, rruga e të krishterëve drejt bashkimit të plotë është shenjë e madhe e kohrave, por edhe kërkesë urgjente për t’iu përgjigjur thirrjes së Zotit “që të jenë një gjë e vetme” (Gjn 17,21).

Me mendje e me zemër, me shpresë e pa nostalgji të kota, si biri që rigjen në Evropën-nënë rrënjët e veta të jetës e të fesë, ëndërroj një humanizëm të ri evropian, “një rrugë të vazhdueshme humanizimi”, së cilës i duhen “kujtesë, guxim, utopi e shëndoshë e njerëzore” 10. Ëndërroj një Evropë të re, të aftë të jetë akoma nënë: një nënë plot jetë, sepse e respekton jetën dhe ofron shpresë për jetën. Ëndërroj një Evropë që kujdeset për fëmijët, që e ndihmon si të ishte vëlla, të varfërin dhe atë që arrin në kërkim të mikpritjes, sepse nuk ka më asgjë e kërkon strehim. Ëndërroj një Evropë, që i dëgjon dhe i vlerëson të sëmurët e të moshuarit, që të mos kthehen në objekte jo prodhuese, në hedhurina. Ëndërroj një Evropë, në të cilën të jesh emigrant nuk është krim, por ftesë për impenjim më të madh në favor të dinjitetit të njeriut. Ëndërroj një Evropë, ku të rinjtë të thithin ajrin e pastër të ndershmërisë, ta duan bukurinë e kulturës e të jetës së thjeshtë, të pandotur nga nevojat pa fund të konsumizmit; ku martesa dhe lindja e fëmijëve të jetë përgjegjësi dhe gëzim i madh, por jo problem i shkaktuar nga mungesa e një pune mjaftueshmërisht të qëndrueshme. Ëndërroj një Evropë të familjeve, me politika vërtet efektive, me në qendër fytyrat e jo numrat, lindjet e fëmijëve e jo shtimin e pasurive. Ëndërroj një Evropë që nxit e mbron të drejtat e secilit, pa harruar detyrat ndaj të gjithëve. Ëndërroj një Evropë për të cilën të mos thuhet se impenjimi për të drejtat e njeriut ka qenë edhe utopia e saj e fundit.

(1) Fjalimi në Parlamentin evropian, Strasburg, 25 nëntor 2014

(2) Ibid.

(3) Deklaratë e 9 majit 1950, Salon de l’Horloge, Quai d’Orsay, Paris

(4) Ibid

(5) Fjalim në Konferencën Parlamentare Evropiane, Paris, 21 prill 1954

(6) Fjalimi në asamblenë e artizanëve gjermanë, Dyseldorf, 27 prill 1952.

(7) Discurso a los movimentos populares en Bolivia, Santa Cruz de la Sierra, 9 korrik 2015.

(8) Enciklika “Laudato si’”, 127.

(9) Discurso a los movimientos populares en Bolivia, Santa Cruz de la Sierra, 9 korrik 2015.

(10) Fjalimi për Këshillin e Evropës, Strasburg, 25 nëntor 2014.

Filed Under: Komente Tagged With: Çmimi Karli i Madh, Papa francesku

VATIKAN: Audienca e përgjithshme: Shqipëria, përsëri në këmbë, pas persekutimit

March 16, 2016 by dgreca

… Shprehje e  re e afërsisë shpirtërore të Papës me Shqipërinë e shqiptarët, që, me martirizimin, besnikërinë e  qëndresën e tyre  ia fituan zemrën gjatë shtegtimit të tij apostolik në trojet tona.  Vetëm një ditë pas njoftimit aq të pritur: Nënë Tereza do të shpallet Shenjte të dielën e 4 shtatorit 2016”. ../

Sot në audiencën e përgjithshme të së mërkurës, gjatë katekizmit kushtuar “Mëshirës e ngushëllimit”, Papa foli për mjerimin e popullit të Izraelit në mërgim. E quajti përvojë shkatrrimtare. Feja e besimtarëve – kujtoi – nisi të lëkundej, sepse në dhe të huaj ishin pa tempull, pa kult, njerëz që kishin lënë pas vendin e tyre të shkatërruar. Vështirë e kishin, prandaj, ta ruanin fenë e të besonin në mirësinë e në mëshirën e Zotit.

E  duke vijuar të kujtojë Izraelin e mërguar e të rrënuar, mendimi i Papës, me një paralelizëm prekës, shkoi në Shqipëri. Tek një popull tjetër i vogël, që gjithashtu e pati tepër vështirë ta ruante fenë e të besonte, edhe në rrethana mosbesimi, në mirësinë e në mëshirën e Zotit.

Duke u shkëputur nga teksti zyrtar, Françesku shtoi:

“Më shkon mendja tek Shqipëria fqinje që, pas shumë persekutimi e shkatërrimi, ia doli mbanë të ngrihet përsëri në dinjitet e në fe. Kështu kishin vuajtur edhe izraelitët në internim”. Shprehje e  re e afërsisë shpirtërore të Papës me Shqipërinë e shqiptarët, që, me martirizimin, besnikërinë e  qëndresën e tyre  ia fituan zemrën gjatë shtegtimit të tij apostolik në trojet tona.  Vetëm një ditë pas njoftimit aq të pritur: Nënë Tereza do të shpallet Shenjte të dielën e 4 shtatorit 2016”. (Koretezi:Radio Vatikani)

 

Filed Under: Komente Tagged With: Nene Tereza, Papa francesku, shqiperia

Radio Vatikani- Papa Françesku njeh mrekullinë, Nënë Tereza do të jetë Shenjte

December 19, 2015 by dgreca

Papa Françesku miratoi Dekretin, që do të çojë në shenjtërimin e Nënë Terezës së Kalkutës. Në Dokumentin, paraqitur dje pasdite, gjatë audiencës me kardinalin Angelo Amato, u njoh ndërmjetësimi i së Lumes në mrekullinë e shërimit të menjëhershëm e të pashpjegueshëm të një burri me kombësi braziliane, i sëmurë rëndë nga një goditje në tru. Në vitin 2008 burri u shërua në mënyrë të papritur, të jashtëzakonshme e të plotë.
Mbrëmjen e 10 shtatorit 1948, Maria Tereza – ky, emri që pati marrë në çastin e kushteve, murgesha e re e Motrave të Loretos – shtegtonte me tren nga Kalkuta, në Darjeling, në viset rrëzë Himalajës, tronditur rëndë prej çrregullimeve.Tregonte më vonë Rregulltarja imcake, 38 vjeçare, e paracaktuar të bëhej ikonë planetare e dashurisë së krishterë: “Atë natë m’u hapën sytë për të parë vuajtjen dhe e kuptova me fund thelbin e thirrjes sime. Ndjeva se Zoti po më kërkonte të hiqja dorë nga jeta e qetë në gjirin e Kongregatës rregulltare, për të dalë në rrugë të madhe e për t’u shërbyer të varfërve”. E shtonte: “Nuk ishte këshillë, ftesë e as propozim. Ishte urdhër!”.

Pikërisht 60 vjet më pas, më 10 shtator 2008, një inxhinier brazilian, në gjendje kome për shkak të një sëmundjeje të trurit, u mbart në sallën e operacionit për një ndërhyrje kirurgjikale gati-gati të pashpresë. Gruaja e tij lutej në kapelën e spitalit, së bashku me një meshtar e disa familjarë. Një natë më parë i qe lutur me gjithë zemër Nënë Terezës: “Mjekojeni Ju vetë tim shoq”. Gjithçka ndodhi në pak minuta. Kirurgu, që kishte dalë një gjysëm ore më parë nga salla e operacionit, duke e shtyrë për pak çaste ndërhyrjen, u rikthye përsëri dhe, çuditërisht, e gjeti të sëmurin ndenjur mbi shtrat, të zgjuar e plotësisht të vetëdijshëm. I mrekulluar, e dëgjoi t’i thotë: “Ç’bëj unë këtu?”. Shërimi, që u vërtetua më pas, ishte i menjëhershëm, ndërsa abseset e shumta të trurit, me hidrocefale obstruktive, ishin zhdukur krejtësisht, në mënyrë fare të pashpjegueshme. Është një nga rastet e rralla të mrekullisë së “shkallës së parë”, asaj që kundron ngjalljen prej të vdekurve ose të ashtuquajturës “restitutio ad integrum”, domethënë, shërimin e plotë të të gjitha organeve të shkatërruara nga sëmundja. Ndërsa shumica e mrekullive të miratuara nga dikasteri i Vatikanit, janë të gradës së tretë, domethënë shërime të menjëhershme nga sëmundje, për të cilat mjekësia do të mund të arrinte rezultate vetëm pas një kohe tepër të gjatë.
Është shenja e fundme, që ia hap portat e shenjtërisë Engjëllit shqiptar të të varfërve të periferive, siç do të thoshte Papa Françesku.

Filed Under: Komente Tagged With: Nene Tereza, Papa francesku, Shenjtereshe

Papa Françesku në Filadelfia

September 26, 2015 by dgreca

Papa Françesku shkoi te shtunen me 26 Shtator në Filadelfia ku do të mbyllë vizitën e tij në Shtetet e Bashkuara. Pas fjalimeve në Kongres dhe në Kombet e Bashkuara këtë javë që synuan nxitjen e udhëheqësve botërorë për veprime të guximshme mbi imigracionin dhe mjedisin, Papa pritet të përqëndrohet më shumë tek katolikët e zakonshëm gjatë dy ditëve të tij në Filadelfia. Në Filadelfia, Papa drejtoi edhe një meshë në Katedralen e Shën Pjetrit dhe Palit.

Ai mbërriti nga Nju Jorku, ku të premten u bëri thirrje udhëheqësve botërorë në OKB të drejtojnë përpjekjet kundër ndryshimeve klimatike, varfërisë dhe të mbrojnë refugjatët që po largohen nga zonat me konflikte.

“Po kështu, qeveritarët duhet të bëjnë gjithçka të mundur për t’u siguruar se të gjithë do të kenë minimumin material dhe shpirtëror për të jetuar me dinjitet dhe për të krijuar dhe mbajtur një familje, e cila është qeliza bazë e çdo zhvillimi shoqëror. E thënë më thjesht, nevojiten tre gjëra: strehim, punësim, dhe tokë.”

Në Nju Jork, Papa drejtoi meshën për mijëra vetë në sheshin Madison dhe vizitoi një shkollë në Harlem.

Reagimi ka qenë i gjithanshëm ndaj kësaj vizite që filloi me Uashingtonin. Njerëz nga besime të ndryshme e përkrahin dhe e njohin me dashuri si “Papa i njerëzve”.

“Mendoj se ai ja del të na bashkojë të gjithëve, pavarësisht besimit fetar. Më pëlqen që ka një fuqi që shtrihet përtej fesë.”

Papa e mbyll nesër vizitën e tij në SHBA me pjesëmarrjen në “Takimin Botëror të Familjeve” dhe me një meshë në qiell të hapur që pritet të mbledhë 2 milionë njerëz.

Filed Under: Kronike Tagged With: ne Filadelfia, Papa francesku

Papa Françesku, fjalim historik në Kongresin Amerikan

September 24, 2015 by dgreca

Papa Françesku mbajti një fjalim historik në Kongresin amerikan gjatë vizitës së tij në Shtetet e Bashkuara. Ati i Shenjtë, në fjalimin e tij shprehu respektin ndaj Amerikës dhe vlerave të këtij vendi, preku temat më të mëdha që shqetësojnë botën sot dhe frymëzoi sallën ku ishin mbledhur dy dhomat e Kongresit me mesazhet e tij.Eshtë hera e parë që një  Papë flet në një Kongres amerikan.  Dhe fjalimi ishte një ndër vetëm katër gjatë vizitës që ai mbante në anglisht. Të tjerët po i mban në gjuhën e tij spanjolle.

…dhe Ati i Shenjtë e përcaktoi tonin e fjalimit të tij që në fillim, duke thënë një nga shprehjet më simbolike amerikane.“Jam mirënjohës që jam këtu në tokën e të lirëve dhe në atdheun e trimave”, tha ai. Dhe duartrokitjet shpërthyen në atë moment dhe gjatë gjithë fjalimit. Pas tij ishin ulul dy katolikë amerikanë: Nënpresidenti Joe Biden dhe kreu i Dhomës së Përfaqësuesve John Boehner.Papa Françesku e hapi fjalimin e tij historik në Kongres duke e përshkruar veten si një “bir i këtij kontinenti të madh” i bashkuar me Amerikën në një qëllim të përbashkët.Papa preku të gjitha çështjet që shqetësojnë sot botën. Ai shprehu shqetësimin që bota është sot në konflikt. Papa bën thirrje për një “ekuilibër delikat” në luftën kundër ekstremizmit fetar për të garantuar se liritë themelore të njeriut nuk do të shkelen. Ai tha në fjalimin e tij para Kongresit se asnjë fe “nuk është e imunizuar nga format e keqkuptimit individual ose nga ekstremizmi ideologjik.”Papa Françesku shprehu shqetësim të thellë në lidhje me masakrimin e të krishterëve dhe pakicave të tjera fetare në Lindjen e Mesme nga duart e ekstremistëve islamikë, me frikën se prania e krishterë në rajon është e rrezikuar.Papa tha se liritë fetare, intelektuale dhe individuale duhet të mbrohen, ndërkohë që luftohet dhuna që kryhet në emër të fesë.Papa bëri thirrje që të tregohet kujdes për të mos e ndarë botën në mënyrë simpliste në dy kampe – e mira dhe e keqja.

Ati i Shenjtë foli me ndjeshmëri të lartë për çështjen e emigracionit, madje edhe me nota personale.“Të gjithë në kemi qenë dikur të huaj diku. E them këtë si bir imigrantësh”, tha ai duke iu referuar faktit që prindërit e tij ishin imigrantë italianë në Argjentinë.Duke folur për krizën e imigracionit në Evropë, si dhe për debatet në Shtetet e Bashkuara mbi emigracionin nga Amerika Latine, Papa Françesku u bëri thirrje ligjvënësve “për t’u përgjigjur në një mënyrë që është gjithmonë humane, e drejtë dhe vëllazërore.”“Ne nuk duhet të trembemi nga numri i tyre, por t’i shohim ata si njerëz, duke vështruar fytyrat e tyre dhe duke dëgjuar historitë e tyre, duke u përpjekur për t’iu përgjigjur sa më mirë që mundemi gjendjes së tyre,” tha Papa.Ai përdori si ilustrim atë që e quajti rregull të artë:“Trajtoi të tjerët ashtu siç do doje të të trajtonin ata ty. Kjo na jep një drejtim të qartë”, tha ai duke shtuar se gjithkush duhet të trajtohet me respekt.Nëse duam më shumë siguri, le të japim siguri, nëse duam jetë le të japim jetë, nëse duam mundësi, le të krijojmë mundësi.Papa Françesku foli për pabarëzinë dhe drejtësinë sociale dhe klimën. Papa bëri thirrje që t’i jepet fund dënimit me vdekje në SHBA dhe në botë. Ai tha se çdo jetë është e shenjtë dhe shoqëria vetëm mund të përfitojë nga rehabilitimin i njerëzve të dënuar për krime.Gjatë gjithë fjalimit, Papa përmendi katër figura qendrore amerikane, jetët e të cilëve mund të shërbejë si frymëzim ndërsa bota përballet me sfidat e vështira të sotme. Dy prej tyre ishin Abraham Lincoln dhe Martin Luther King. I pari për rolin e tij në lirinë dhe demokracinë amerikane. I dyti për ëndrrën, të drejtat civile. Ai tha se amerika vazhon të jetë tokë e shumë ëndrrave.Dy të tjerët ishin Dorothy Day, themeluese e Lëvizjes së Punëtorëve Katolikë që përdori fenë e saj për të punuar për drejtësi sociale. Ndërsa I katërti ishte Thomas Merton, që nuk pati patur origjinë katolike u bë një murg I njohur dhe autor I njohur që nxiste paqen.Pas fjalimit që u përshëndet me duartokitje të gjata, Papa foli edhe para të gjithë admiruesve të mbledhur para Kapitolit duke i përshëndetur ata ngrohtë.Ishte një ditë e pazakontë për Washingtonin dhe papa dukej në humor shumë të mirë. Solemniteti ishte kudo që nga pritja në Shtëpinë e Bardhë, tek entuziazmi i turmave në rrugët e Uashingtonit, tek Bazilika ku mbajtin meshën. Papa nuk hezitoi të përmendte tema delikate për politikën globale dhe amerikane si për shembull ngrohja globale. Papa Françesku u bëri thirrje Shteteve të Bashkuara të ndërmarrin hapa urgjente për të parandaluar shkatërrimin e mjedisit në botë dhe për të lehtësuar problemin e varfërisë. Ai tha se problemi i ndryshimeve klimatike, nuk mund t’i lihet brezit pasardhës.Pas një parade në Parkun Kombëtar të Uashingtonit, Papa do të drejtojë një takim lutjesh me peshkopët amerikanë, si dhe një meshë ceremoniale për shpalljen shenjtor të Junipero Serras, priftit françeskan, i cili themeloi misionin katolik në brigjet e Kalifornisë, gjatë marshimit me pushtuesit spanjollë.Shenjtërimi i atit Serra është një çështje që ka lënduar shumë amerikanë indigjenë, të cilët thonë se prifti Serra kontribuoi në abuzimin dhe eliminimin e shumë fiseve indigjene nga skllavërimi dhe sëmundjet.Papa, foli dje gjithashtu edhe për çështjen e abuzimit seksual nga priftërinjtë katolikë. Kjo ishte një nga pikat ku ai u kritikua nga avokatët e viktimave të këtij abuzimi, pasi sipas tyre ai tregoi mëshirë dhe kujdes për kishën for jo viktimat.Para se të shkojë në Nju Jork, papa do të shkojë në një kishë ku do të hajë drekë me të pastrehët dhe të varfrit. Në Nju Jork ai do të shkojë në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, do të mbajë një shërbim ndërfetar në Muzeun për Nder të 11 shtatori. Më pas ai do të vizitojë edhe Filadelfian.

Filed Under: Kronike Tagged With: Amerikan, fjalim historik, në Kongresin, Papa francesku

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Albania
  • 1 Prill “Bashkë për Drejtësi”, në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së
  • Kryeministri Kurti përkujtoi 40 të vrarët në masakrën e lagjes “Dardania” në Pejë
  • JA PËRSE PUTINI NA KËRCËNON TË GJITHËVE NE
  • KUJTESA HISTORIKE NGA FRANK SHKRELI
  • What We Need Is Albanians of Fan Noli’s Stature, What We Have are the Words of his “Albumi”
  • VATRA PROMOVOI “DIPLOMACIA NDËRKOMBËTARE DHE ÇËSHTJA E KOSOVËS 1997-1999”
  • VATRA MORI PJESË NË PROMOVIMIN “ALBUM” TË NOLIT DHE NDEROI AT ARTHUR LIOLIN
  • VATRA VIZITË NDERIMI TE VARRI I NOLIT DHE MEMORIALI I KONICËS
  • VATRA BOSTON RIORGANIZOHET
  • Kristian Prenga, një fitore spektakolare në New York
  • SHQIPTARËT NË ARIZONA FESTUAN 7-8 MARSIN
  • “24 Marsi, data e mirënjohjes Kombëtare ndaj USA dhe NATO-s” !
  • Diaspora Amerikane në Nju Jork proteston: “Save Drin River, Save Dibra”
  • Vatra jonë arsimore “Shkolla Shqipe” në Zvicër hapi edhe një klasë në Feuerthalen, në kantonin e Zyrihut

Kategoritë

Arkiv

Tags

alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Hazir Mehmeti Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT