• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Papa Françesku emëroi dom Gjergj Metën Ipeshkëv të ri të Rrëshenit – Mirditë

June 15, 2017 by dgreca

1 gjergj MetaPapa Françesku pranoi dorëheqjen e Shkëlqesisë së Tij, imzot Cristoforo Palmieri, nga detyra e qeverisjes baritore të dioqezës së Rrëshenit e njëkohësisht, emëroi ipeshkëv të ri të Rrëshenit, imzot Gjergj Metën, deri tani, vikar i përgjithshëm i kryedioqezës Tiranë-Durrës. Ja fjala pas emërimit e atij, që jemi mësuar ta ndjekim në shtyp në mbrojtje të vlerave të krishtera në shoqëri:

Përshendetja e Ipeshkëvit të zgjedhur të Rrëshenit Gjergj Meta

Shumë i Nderuar Atë Kristofor, Bariu dhe Ati i kësaj dioqeze të Rrëshenit, fjalët e para janë për ju sot në shenjë falenderimi për shërbimin dhe të mirën që keni bërë në këto vite, më parë si famullitar e më pas si Ipeshkëv i Rrëshenit. Faleminderit e Zoti të shoqëroftë në vitet në vazhdim. Kjo dioqezë do t’ju kujtojë gjithmonë me respekt dhe dashuri dhe do të keni gjithmonë një vend të veçantë në këtë dioqezë.

Një fjalë dhe një mesazh për mirditorët e mrekullueshëm dhe shumë të vuajtur. Më pranoni si njërin prej jush. Unë i njoh vuajtjet tuaja, kohën dhe shekujt që kanë rënduar mbi ju. Zoti ka dashur që unë të jem bariu juaj në një moshë të re e prandaj ju lutem, me lutjen dhe miqësinë tuaj, bëni të mundur që të jem një i krishterë i mirë bashkë me ju dhe një bari i mirë për ju.

Një fjalë për ju të dashur meshtarë e motra. Papa Françesku nuk ka zgjedhur më të mirin ndër meshtarët shqiptarë për të shërbyer në këtë dioqezë. Për këtë të jeni të sigurtë. Ka qenë për mua një “po” shumë e vështirë, shumë e vështirë! Ajo që kam është humaniteti im, brishtësia dhe vogëlsia ime. E dorëzoj në duart tuaja që do të jeni bashkëpunëtorët e mi më të afërt. Ashtu sikurse Papa Bendikti edhe unë mund të them se Zoti ka zgjedhur një punëtor të përvujtë në vreshtën e tij. Më ndihmoni të jem një vëlla për ju dhe një bari që jep jetën e tij për delet e veta.

Së bashku të vazhdojmë të çojmë e të kumtojmë gëzimin e Ungjillit në çdo familje të dioqezës, te çdo i ri e sidomos tek të varfërit dhe të mënjanuarit e kohës tonë. Kumtimi i Mbretërisë së Hyjit është detyra jonë parësore. Ta bëjmë së bashku këtë gjë pa u kursyer. Zoti ju bekoftë të gjithëve! Marie Tuci dhe shokët e saj martirë na ndihmofshin në këtë rrugëtim të ri që feja jonë të veprojë nëpërmjet dashurisë.  Mediat janë fusha më e dashur e veprimit të imzot Gjergj Metës. Le ta dëgjojmë ipeshkvin e ri të dioqezës së Rrëshenit, në një intervistë të tij me Radio Vatikanin, pikërisht për mediat dhe Kishën…

Curriculum vitae e imzot Gjergj Metës

Lindi më 30.04.1976 në Durrës

1994-1995: ndjek vitin paraprak në Seminarin e kryeipeshkvisë së Barit, në Itali.

1995-2000: ndjek Seminarin Rajonal në Molfetta të Barit dhe Fakultetin Teologjik puljez.

21 prill 2001: shugurohet meshtar.

2001-2002: shërben si zv.famullitar në konkatedralen e Shën Luçisë në Durrës.

2001-2006: është anëtar i Këshillit presbiteral të dioqezës.

2002-2003: shërben si zv.famullitar në katedralen e Shën Palit në Tiranë.

2003-2006: është administrator i famullisë në katedralen e Shën Palit në Tiranë. Gjithashtu, emërohet përgjegjës kombëtar për baritorinë universitare të Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë dhe të kryedioqezës së Tiranë-Durrësit.

2006-2009: merr liçencën (diplomë universitare) në degën e së drejtës kanonike në Universitetin Papnor Gregorian.

2009-2010: shërben si zv.famullitar në katedralen e Shën Palit në Tiranë. Emërohet gjykatës i Gjykatës Ndërdioqezane Shqiptare nga viti 2009.

2009-2017: bëhet pedagog i së Drejtës Kanonike në Institutin Teologjik të Shkodrës, si edhe anëtar i Këshillit Presbiteral dhe i Kolegjit të Këshilltarëve.

2009-2012: është zëdhënës i Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë.

2010-2013: shërben si famullitar në kishën e Shën Gjonit Maria Vianej në Kamzë dhe si administrator i famullisë së Gramzës (Zoja Mbretëreshë) dhe të Luzit (Zoja e Ngjitur në Qiell).

2013-2016: shërben si famullitar në konkatedralen e Shën Luçisë në Durrës dhe është dekan i Dekanatit Perëndimor të kryedioqezës së Tiranë-Durrësit. Gjithashtu, është anëtar i Komisionit ipeshkvnor për liturgjinë dhe formimin e përhershëm të meshtarëve.

Dhjetor 2016 e deri tani: shërben si vikar i përgjithshëm i kryedioqezës së Tiranë-Durrësit dhe është zëdhënës i ipeshkvijve të Shqipërisë.

 

Filed Under: Histori Tagged With: Gjergj Metën Ipeshkëv të ri, Papa francesku, të Rrëshenit - Mirditë

Papa Françesku pret presidentin amerikan Trump

May 24, 2017 by dgreca

1 Papa-TrumpVizita e parë shtetërore e presidentit amerikan, Donald Trump, tek Papa Françesku. Do të kujtohet edhe për transmetimin e drejtpërdrejtë nga Qendra Televizive e Vatikanit, ashtu siç ndodhi për vizitën e paraardhësit të tij, Barck Obama. Në orën 8.32, Ati i Shenjtë i shtrëngoi dorën presidentit Trump në Sallën e Fronit e pas fotografive për shtypin, u ul për një bisedë gjysëm orëshe me të, në bibliotekën private.

Gruaja e presidentit amerikan, Melania, pavarësisht se ishte në Vatikan, së bashku me të shoqin, nuk mori pjesë në bisedë dhe u takua më pas me Papën, të cilit i kërkoi bekimin për një Rruzare, që kishte në dorë. Në orën 11.15, ajo shkoi për vizitë në Spitalin Pediatrik “Bambin Gesù” në Romë, ndërsa e bija, Ivanka (edhe ajo pjesë e delegacionit), në Bashkësinë e Shën Egjidit, ku u takua me gratë, viktima të trafikut të njerëzve, që strehohen nga kjo Bashkësi.

Pas bisedës private, Donald Trump i paraqiti Papës delegacionin amerikan, prej 11 vetësh. Pastaj, shkëmbimi i dhuratave. Ndër të tjera, Ati i Shenjtë i dha presidentit tre dokumentet papnore “Evangelii gaudium”, “Amoris laetitia” e “Laudato sii”, si edhe një kpje të Mesazhit për Ditën Botërore të Paqes 2017, nënshkruar nga vetë Ati i Shenjtë. Papa Bergoglio  bekoi edhe disa rruzare të tjera e, së fundi, u dhuroi të pranishmëve medaljen e papnisë. “Nuk do të harroj ç’me thatë” duket se ka thënë Donald Trump në përfundim të audiencës para se të shkonte në takimin me Sekretarin e Shtetit të Vatikanit, kardinalin Pietro Parolin dhe me atë për Marrëdhëniet me Shtetet, imzot Paul Richard Gallagher.

E ndërsa presidenti shoqërohej për takimin me autoritetet e tjera të Vatikanit, e shoqja, Melania, vizitonte Kapelën Paoline. Në përfundim të bisedës, Trump dhe familja e tij vizituan Kapelën Sikstine dhe Bazilikën e Shën Pjetrit. Po sot, presidenti amerikan u takua me homologun e tij italian, Mattarella, në Quirinale dhe me kryeministrin italian Gentiloni, në Vilën Taverna, për të diskutuar mbi temat e mbledhjes së G7-ës, që do të mbahet të premten, në Taormina të Italisë. Rreth orës 13.40 presidenti amerikan niset për në Bruksel.

Paqja në botë dhe gjendja e të krishterëve, në qendër të takimit Papë-Trump/

2 PapaNë përfundim të takimit të Papës Françesku me presidentin amerikan, Donald Trump, Salla e Shtypit e Selisë së Shenjtë bëri deklaratën e mëposhtme:

“Sot paradite, e mërkurë 24 maj 2017, Shkëlqesia e Tij, z. Donald Trump, presidenti i SHBA-ve, u prit në audiencë nga Ati i Shenjtë Françesku dhe, më pas, u takua me Hirësinë e Tij, kardinalin Pietro Parolin, Sekretar i Shtetit, shoqëruar nga Shkëlqesia e Tij, imzot Paul Richard Gallagher, Sekretar për Marrëdhëniet me Shtetet. Gjatë bisedës së përzemërt, u shpreh kënaqësia për marrëdhëniet e mira dyplaëshe ndërmjet Selisë së Shenjtë dhe SHBA-ve, si edhe u vu në dukje impenjimi i përbashkët në favor të jetës, të lirisë fetare e të ndërgjegjes. U urua një bashkëpunim i frytshëm ndërmjet shtetit dhe Kishës Katolike në SHBA-të, e impenjuar në shërbim të popullsisë në fushën e shëndetësisë, të edukimit dhe të asistencës për emigrantët. Bisedimet mundësuan shkëmbimin e pikpamjeve për disa tema, që kanë të bëjnë me aktualitetin ndërkombëtar dhe me promovimin e paqes në botë përmes negociatave politike dhe dialogut ndërfetar, duke iu referuar veçanërisht gjendjes në Lindjen e Mesme dhe kujdesit për bashkësitë e krishtera”.(Radio Vatikani)

Filed Under: Reportazh Tagged With: Donald Trump, Papa francesku, prat, presidentin amerikan

Ernest Troshanin, shpallet Kardinal

October 9, 2016 by dgreca

1-kardinal-troshaniPapa Françesku shpall kardinal dom Ernest Troshanin së bashku me 16 kardinaj tjerë të ri/

Sot gjatë lutjes së Engjëllit të Tënzot, në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan, në mbarim të Meshës për Jubileun Marjan, Papa Françesku kujtoi popullsitë e Karaibeve, e në mënyrë të veçantë popullsinë e Haitit, goditur rëndë nga uragani Matthew. Pastaj njoftoi për Konçistorin e ri me krijimin e 13 kardinajve të ri prej 11 vendeve dhe 4 kardinajve jo me të drejtën e zgjedhjes, që do të kremtohet më 19 nëntor të ardhshëm, në vigjiljen e përfundimit të Jubileut të  Jashtëzakonshëm të Mëshirës Hyjnore.

Pra, pas lutjes së  sotme të Engjëllit të Tënzot, Papa Françesku njoftoi se më 19 nëntorin e ardhshëm, në vigjiljen e mbylljes së Portës së Shenjtë të Mëshirës Hyjnore, do të mbajë një Konçistor për krijimin e 13 Kardinajve të ri prej pesë Kontinenteve. “Prejardhja e tyre nga 11 Kombe – tha Papa – shpreh universalitetin e Kishës që kumton e dëshmon Lajmin e Mirë të Mëshirës së Zotit në çdo skaj të tokës”. Vendosja (integrimi) e Kardinajve të ri në dioqezën e Romës, vijoi Ati i Shenjtë Bergoglio – shpreh mëtej edhe “lidhjen e pazgjidhshme ndërmjet selisë së Pjetrit e Kishave të veçanta të përhapura në botë”. Të dielën e 20 nëntorit, në Solemnitetin e Krishtit Mbret, në përfundim të Vitit të Shenjtë të Jashtëzakonshëm të Mëshirës së Zotit, tha akoma Papa Françesku, “ do të bashkëkremtojë Meshën Shenjte me Kardinajt e ri, me Kolegjin Kardinalor, me Kryeipeshkvijtë, me Ipeshkvijtë e me Priftërinjtë”. Këndej, shpalli para botës emrat e kardinajve të ri, ndër të cilët edhe atë të priftit shqiptar, dom Ernest Simoni Troshani, i cili pati vuajtur e qe torturuar nën diktaturës ateiste të komunizmit. Kalvari i dom Ernestit, nën diktaturën komuniste, nisi natën e Krishtlindjes së vitit 1963, kur vetëm pse ishte prift, u arrestua dhe u burgos, pastaj u vu në një qeli izolimi, u torturua dhe u dënua për vdekje. Pas shumë vuajtjesh e torturash, dënimi shndërrohet me njëzetepesë vjet pune të detyruar në kampet komuniste, ku nuk iu kursehen vuajtjet e as torturat. Por dom Ernesti gjeti fuqinë në besimin e tij në Zotin, në gurrën e përjetshme të Meshës – Eukaristisë, të cilën e kremtonte, përmendësh, në gjuhën latine e, kur krijohej mundësia, shpërndante edhe Kungimin. Më në fund, më 5 shtator 1990 mbërrini dita e lirisë e dom Ernesti rifilloi misionin e tij meshtarak e ungjillëzues, të cilin, siç ka rrëfyer në disa raste e së fundi edhe për gazetën Avvenire në bisedë me gazetarin Mimmo Muolo,  nuk e kishte ndërpre asnjëherë, “por vetëm që e kishte jetuar e përjetuar në një kontekst krejt të veçantë”. E akti i parë që bëri pas çlirimit ka qenë falja e atyre që e patën akuzuar, dënuar e torturuar.

Historia e tmerrshme e dom Ernestit, si ajo e tërë klerit e një pjese jashtëzakonisht të madhe të popullit në Shqipëri, e pati prekur thellë Papën Françesku, gjatë vizitës së tij në Tiranë, e pikërisht kur dëgjoi personalisht nga dom Ernesti, rrëfimin e atij kalvari që pati kaluar në periudhën e diktaturës.

Më 20 prillin e kaluar, Papa Françesku e njohu dom Ernestin gjatë Audiencës së Përgjithshme e deshi t’ia puthte duart, duke u tërhequr ai personalisht nga i njëjti gjest që prifti moshuar shqiptar deshi të bënte në shenjë të nderimit ndaj Papës. Një gjest i veçantë ai i Papës që vërtetonte idenë shpesh herë të pohuar nga Bergoglio: se janë martirë edhe ata që kanë mbijetuar nga persekutimet e djeshme e të sotme. “E pikërisht me puthjen e duarve – konfirmoi atë ditë gazetar l’Osservatore Romano – që Papa Françesku e priti sot paradite dom Ernest Simoni Troshanin, priftin shqiptar që ka kaluar 28 vjet në burg: Papa, i prekur, e pati përqafuar më 21 shtator 2014 në Katedralen e Shën Palit në Tiranë, pasi e dëgjoi historinë e persekutimit të tij, të Kishës katolike e të popullit mbarë.

Filed Under: Komente Tagged With: Ernest Troshanin, Papa francesku, shpallet Kardinal

Papa: Nënë Tereza është Shenjte

September 4, 2016 by dgreca

Papa Françesku: Homelia e Meshës për Shenjtërimin e Nënë Terezës në Sheshin e Vatikanit, 4 shtator 2016 (tekst i plotë).

“E kush mund ta përfytyrojë se çka do Zoti? (Ur. 9,13). Kjo pyetje nga Libri i Urtisë, që e dëgjuam në leximin e parë, na e paraqet jetën tonë si mister, çelësin e shpjegimit të të cilit nuk e kemi ne. Protagonistët e historisë janë gjithnjë dy: Zoti në njerën anë, njeriu, në tjetrën. Detyra jonë është ta perceptojmë  thirrjen e Zotit e, më pas, ta pranojmë vullnetin e tij. Por, për ta pranuar pa ngurrim, duhet të pyesim: Cili është vullneti i Zotit në jetën time?

Në të njëjtin fragment të Librit të Urtisë, gjejmë edhe përgjigjen: “Vetëm kështu njerëzit mësuan çfarë të pëlqen”(v 18). Për ta vërtetuar thirrjen e Zotit, duhet të pyesim e të kuptojmë ç’i pëlqen Atij. Shpesh herë profetët kumtojnë ç’i pëlqen Zotit. Mesazhi i tyre përmblidhet mrekullisht në shprehjen: “Mëshirë dua, jo fli!”(Os.6,6); Mt 9,13). Zotit i pëlqen çdo vepër mëshire, sepse në vllain, që ndihmojmë, shikojmë fytyrën e Zotit, që nuk mund ta shikojë askush (cfr Gjn 1,18). Sa herë përkulemi mbi vëllezërit nevojtarë, i japim të hajë e të pijë vetë Jezusit: e veshim, e ndihmojmë, e vizitojmë Birin e Zotit (krh Mt 25,40).

Jemi, prandaj, të thirrur ta jetojmë konkretisht, atë që themi në lutje e që e shpallim në fe. Nuk ka rrugë tjetër, përveç dashurisë së krishterë: gjithsa vihen në shërbim të vëllezërve, edhe pa e ditur, janë ata që e duan Zotin (khr 1 Gjn 3,16-18; Gc 2,14-18). Jeta e krishterë, gjithsesi, nuk është ndihmë e thjeshtë, që jepet në çastin e nevojës. Po të ishte kështu, do të qe sigurisht një ndjenjë solidariteti njerëzor, që sjell dobi të menjëhershme, por do të ishte shterpë, sepse pa rrënjë. Angazhimi që kërkon Zoti, përkundrazi, është ai i thirrjes për atë bamirësi, me të cilën çdo dishepull i Krishtit vë në shërbim jetën e vet, për t’u rritur çdo ditë në dashuri.

Dëgjuam në Ungjill se “një turmë e shumënumërt shkonte me Jezusin” (Lk 14,25), Sot, kjo “turmë e shumënumërt” përfaqësohet  nga bota e gjerë e vullnetariatit, që u mblodh tani këtu, me rastin e Jubileut të Mëshirës. Jeni ju, kjo turmë, që ndjek pas Mësuesin dhe e bën të dukshme dashurinë e Tij konkrete për çdo njeri. Po jua përsëris fjalët e Shën Palit Apostull: “Dashuria jote ka qenë për mua gëzim i madh dhe ngushëllim, sepse i ke përforcuar zërat e shenjtorëve”(Fm 7). Sa zemra ngushëllojnë vullnetarët! Sa duar ndihmojnë; sa lot terin; sa dashuri ka në shërbimin  e fshehur, të përvuajtur, pa pikën e interesit! Ky shërbim i lavdërueshëm i jep zë fesë e shpreh mëshirën e Atit, që bëhet i afërt me të gjithë nevojtarët.

Ndjekja e Krishtit është angazhim serioz e njëkohësisht, i gëzueshëm; kërkon radikalitet e guxim për ta njohur Mësuesin Hyjnor në më të varfërin e për t’u vënë në shërbim të Tij. Prandaj vullentarët, që u shërbejnë të fundmëve e nevojtarëve për dashuri të Krishtit, nuk presin kurrfarë falënderimi, kurrfarë shpërblimi, por heqin dorë nga të gjitha këto, sepse kanë zbuluar dashurinë e vërtetë. Ashtu si Zoti erdhi tek unë e u përkul mbi mua në çastin e nevojës, ashtu edhe unë shkoj tek Ai e përkulem mbi ata, që e kanë humbur fenë ose jetojnë sikur të mos kishte Zot, mbi të rinjtë pa vlera e ideale, mbi familjet në krizë, mbi të sëmurët, mbi të burgosurit, mbi refugjatët, mbi emigrantët, mbi të ligshtit e të pambrojturit   në korp e në shpirt, mbi të miturit e të lënët në mëshirën e vetvetes, ashtu si mbi pleqtë e braktisur. Kudo shtrihet një dorë, që kërkon ndihmë për t’u ngritur përsëri në këmbë, atje duhet të jetë edhe prania jonë e prania e Kishës, që mbështet e jep shpresë!

Nënë Tereza, në gjithë jetën e saj, qe bujare e shpërndarëse  e mëshirës hyjnore, duke qenë gjithnjë e gatshme për të gjithë, përmes mirëpritjes e mbrojtes së jetës njerëzore, jetës së braktisur e  të flakur tutje.  U angazhua në mbrojtje të jetës, duke theksuar vazhdimisht se “kush nuk ka lindur akoma, është më i ligshti, më i vogli, më i mjeri” e duke ua njohur dinjitetin, që ua jep vetë Zoti; e ngriti zërin aq, sa të dëgjohej nga të pushtetshmit e tokës, që t’i pranonin fajet përballë krimit të varfërisë së krijuar prej tyre. Mëshira për të ishte “kripë” që i jepte shije çdo vepre, ishte “dritë”, që ndriçonte errësirën e njerëzve, të cilët nuk kishin më as lot për të qarë mbi varfërinë e tyre, mbi vuajtjen e tyre.

Misioni i saj në rrethinat e qyteteve e në periferitë ekzistenciale, mbetet, në ditët tona, dëshmi që flet vetë për afërsinë e Zotit pranë të varfërve më të varfër. Sot po ia dorëzoj këtë figurë simbolike gruaje e rregulltareje mbarë botës së vullnetariatit; le të jetë Ajo modeli juaj i shenjtërisë! Mendoj se ndoshta do ta kemi pakëz vështirë ta quajmë Shën Tereza. Shenjtëria e saj është aq pranë nesh, aq e dhembshur dhe e frytshme, sa, vetvetiu do të vijojmë ta quajmë Nënë Tereza! Kjo veprimtare e palodhur e mëshirës na ndihmoftë ta kuptojmë gjithnjë më mirë se i vetmi kriter i veprimtarisë është dashuria pa shpërblim, e lirë nga çdo ideologji e nga çdo lidhje, që u përket të gjithëve, pa dallim gjuhe, kulture, race, feje. Nënë Terezës i pëlqente të thoshte: “Ndoshta nuk e flas gjuhën e tyre, por mund t’u buzëqesh”. Ta mbajmë në zemër buzëqeshjen e saj e t’ua dhurojmë atyre, që takojmë në udhën tonë, posaçërisht njerëzve, që vuajnë. Do të hapim, kështu, horizontet e gëzimit e të shpresës për mbarë njerëzimin, që e ka humbur besimin e ka shumë nevojë për mirëkuptim e dhembshuri!

Filed Under: Featured Tagged With: është Shenjte, Nene Tereza, Papa francesku

Papa: deklarojmë dhe e quajmë Shenjte të Lumen Terezë të Kalkutës

September 4, 2016 by dgreca

 

1 MotratNë kremtimin e kanonizimit të “Nënës të të varfëve” Papa Françesku e ftoi Kishën t’i ndihmojë të varfrit, refugjatët e të burgosurit, sipas shembullit të Shën Nënë Terezës.

Gjatë ritit të kanonizimit, momenti më i rëndësishëm e domethënës ishte kërkesa, që Prefekti i Kongregatës së Vatikanit për Çështjen e Shenjtorëve, Angelo Amato, i shoqëruar Postulatori, shkoi te Papa Françesku dhe i kërkoi ta shkruajë Të  lumen Nënë Terezë në Librin e Shenjtorëve e kështu të lutet nga të gjithë të krishterët, dhe shpallja, Formula e Shenjtërimit, shqiptuar nga Papa.

Kështu, në fillim të Meshës, Prefekti i Kongregatës për Çështjet e Shenjtorëve e paraqi shkurtimisht jetëshkrimin e Nënë Terezës së Kalkutës.

“Murgesha e përvuajtur, së cilës turma të panumërta njerëzish i drejtoheshin duke e quajtur përzemërsisht “Nënë Terezë”, është e Lumja, të cilën po ia paraqesim sot Shenjtërisë Suaj, në mënyrë që, me shenjtërimin e dëshiruar, mbarë bota të mund ta kundrojë, duke i kërkuar ndërmjetësim e duke i përngjarë  në veprimtarinë bamirëse.

Në jetën e saj, duke ndjekur shembullin e Krishtit, Samaritanit të Mirë, ajo diti të bëhet e afërme me çdo nevojtar, që takonte, duke ndarë vuajtjet me ata, që jetonin në periferitë e skajshme të shoqërisë e duke e dëshmuar dashurinë e pafundme të Zotit për popullin e vet.

Po paraqes, tha kardinali Amato, përmbledhtas çastet kryesore të jetës së saj:

E Lumja Terezë e Kalkutës (në shekull Agnes Gonxha Bojaxhiu), lindi më 26 gusht 1910, në Shkup, në një familje shqiptare. Gjatë adoleshencës,  mori pjesë gjallërisht në veprimtaritë e famullisë, duke dëshiruar gjithnjë më shumë t’i dhurohej krejtësisht Zotit. Si u largua nga shtëpia atërore, u pranua si dëshirtare (postulante) në Kuvendin e Virgjërës Mari të Motrave të Loretos, në Rathfarnam (Dublin).

E dërguar në Indi, në Darjeeling, si kreu noviciatin, bëri kushtet rregulltare  dhe mori emrin Tereza. E caktuar në detyrën e mësueses, kaloi shtatëmbëdhjetë vjet pranë Saint Mary’s Bengali Medium School, në Kalkutë.

Ndërsa udhëtonte me tren nga Kalkuta në Darjeeling, e Lumja ndjeu thirrjen mbi thirrje, me intuitën për t’i dhënë jetë një instituti rregulltar, për të “shuar etjen e Jezusit mbi kryq për dashurinë e shpirtrave, duke punuar për shëlbimin dhe shenjtërimin e të varfërve më të varfër”.

Themeloi, kështu, Kongregatën e Motrave Misionare të Bamirësisë e, më pas, shtoi edhe Kongregatën e Vëllezërve Misionarë të Bamirësisë, organizata laikale  dhe Lëvizjen e hapur për priftërinj dioqezanë.

Nënë Tereza nuk e kursei kurrë veten, duke iu kushtuar plotësisht kumtimit të Ungjillit, përmes veprimtarive të panumërta të bamirësisë e të ndihmës ndaj të varfërve, pa asnjë dallim shtrese shoqërore, feje, etnie. Në themel të të gjitha nismave, Ajo vinte ditë për ditë kremtimin e Meshës Shenjte, adhurimin eukaristik, lutjen e shpirtin e dashurisë universale, që e nxiste ta shikonte Jezusin e  t’i shërbente në të varfrit.

Dëshmia e saj heroike ungjillore ngjalli admirimin e autoriteteve më të larta të Kishës e të botës laike. Në vitin 1979 iu dorëzua edhe Çmimi Nobel për Paqen.

E shkrirë fizikisht, por gjithnjë e fortë shpirtërisht, u shua në paqe, në Kalkutë, më 5 shtator 1997, e rrethuar nga një famë e pafundme, e  fuqishme, e njëzëshme shenjtërie.

Pastaj Ati i Shenjtë Françesku u lutë: Pranoji, po të lutemi, o Zot, lutjet e popullit tënd, e na e jep hirin që, çka po kryejmë me shërbimin tonë, të dalë e pëlqyeshme para teje e të ndihmojë për rritjen e  Kishës sate. Nëpër Krishtin Zotin tonë.

E më pas, momenti vendimtar ishte  Formula e Shenjtërimit të Nënë Terezës Ganxhe Bojaxhiut, shqiptuar nga Papa Françesku:

Për nderimin e së Shenjtnueshmes Trini,

për lartimin e fesë katolike

dhe thellimin  e jetës së krishterë,

me autoritetin e Zotit tonë, Jezu Krishtit,

të Shenjtorëve Apostuj Pjetër e Pal  e Tonin,

Pasi reflektuam gjatë,

kërkuam shumë herë ndihmën hyjnore

e dëgjuam mendimin e shumë prej vëllezërve tanë në Ipeshkvni.

e deklarojmë dhe e quajmë Shenjte

Të Lumen Terezë të Kalkutës

Dhe e shkruajmë në Librin e Shenjtorëve,

duke vendosur që Ajo të nderohet nga Kisha universale

me devocion ndërmjet shenjtorëve.

Në emër të Atit e të Birit e të Shpirtit Shenjt. Amen!

Pas kësaj, pranë altarit, në Sheshin e Vatikanit, u vendosën reliket e Shenjtores së Re, Shën Nënë Terezës, për t’u nderuar nga të pranishmit.

Filed Under: Komente Tagged With: E quajme te shenjte, Papa francesku, te lumen e Kalkutes

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • …
  • 6
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Albania
  • 1 Prill “Bashkë për Drejtësi”, në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së
  • Kryeministri Kurti përkujtoi 40 të vrarët në masakrën e lagjes “Dardania” në Pejë
  • JA PËRSE PUTINI NA KËRCËNON TË GJITHËVE NE
  • KUJTESA HISTORIKE NGA FRANK SHKRELI
  • What We Need Is Albanians of Fan Noli’s Stature, What We Have are the Words of his “Albumi”
  • VATRA PROMOVOI “DIPLOMACIA NDËRKOMBËTARE DHE ÇËSHTJA E KOSOVËS 1997-1999”
  • VATRA MORI PJESË NË PROMOVIMIN “ALBUM” TË NOLIT DHE NDEROI AT ARTHUR LIOLIN
  • VATRA VIZITË NDERIMI TE VARRI I NOLIT DHE MEMORIALI I KONICËS
  • VATRA BOSTON RIORGANIZOHET
  • Kristian Prenga, një fitore spektakolare në New York
  • SHQIPTARËT NË ARIZONA FESTUAN 7-8 MARSIN
  • “24 Marsi, data e mirënjohjes Kombëtare ndaj USA dhe NATO-s” !
  • Diaspora Amerikane në Nju Jork proteston: “Save Drin River, Save Dibra”
  • Vatra jonë arsimore “Shkolla Shqipe” në Zvicër hapi edhe një klasë në Feuerthalen, në kantonin e Zyrihut

Kategoritë

Arkiv

Tags

alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Hazir Mehmeti Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT