Papa Françesku: Homelia e Meshës për Shenjtërimin e Nënë Terezës në Sheshin e Vatikanit, 4 shtator 2016 (tekst i plotë).
“E kush mund ta përfytyrojë se çka do Zoti? (Ur. 9,13). Kjo pyetje nga Libri i Urtisë, që e dëgjuam në leximin e parë, na e paraqet jetën tonë si mister, çelësin e shpjegimit të të cilit nuk e kemi ne. Protagonistët e historisë janë gjithnjë dy: Zoti në njerën anë, njeriu, në tjetrën. Detyra jonë është ta perceptojmë thirrjen e Zotit e, më pas, ta pranojmë vullnetin e tij. Por, për ta pranuar pa ngurrim, duhet të pyesim: Cili është vullneti i Zotit në jetën time?
Në të njëjtin fragment të Librit të Urtisë, gjejmë edhe përgjigjen: “Vetëm kështu njerëzit mësuan çfarë të pëlqen”(v 18). Për ta vërtetuar thirrjen e Zotit, duhet të pyesim e të kuptojmë ç’i pëlqen Atij. Shpesh herë profetët kumtojnë ç’i pëlqen Zotit. Mesazhi i tyre përmblidhet mrekullisht në shprehjen: “Mëshirë dua, jo fli!”(Os.6,6); Mt 9,13). Zotit i pëlqen çdo vepër mëshire, sepse në vllain, që ndihmojmë, shikojmë fytyrën e Zotit, që nuk mund ta shikojë askush (cfr Gjn 1,18). Sa herë përkulemi mbi vëllezërit nevojtarë, i japim të hajë e të pijë vetë Jezusit: e veshim, e ndihmojmë, e vizitojmë Birin e Zotit (krh Mt 25,40).
Jemi, prandaj, të thirrur ta jetojmë konkretisht, atë që themi në lutje e që e shpallim në fe. Nuk ka rrugë tjetër, përveç dashurisë së krishterë: gjithsa vihen në shërbim të vëllezërve, edhe pa e ditur, janë ata që e duan Zotin (khr 1 Gjn 3,16-18; Gc 2,14-18). Jeta e krishterë, gjithsesi, nuk është ndihmë e thjeshtë, që jepet në çastin e nevojës. Po të ishte kështu, do të qe sigurisht një ndjenjë solidariteti njerëzor, që sjell dobi të menjëhershme, por do të ishte shterpë, sepse pa rrënjë. Angazhimi që kërkon Zoti, përkundrazi, është ai i thirrjes për atë bamirësi, me të cilën çdo dishepull i Krishtit vë në shërbim jetën e vet, për t’u rritur çdo ditë në dashuri.
Dëgjuam në Ungjill se “një turmë e shumënumërt shkonte me Jezusin” (Lk 14,25), Sot, kjo “turmë e shumënumërt” përfaqësohet nga bota e gjerë e vullnetariatit, që u mblodh tani këtu, me rastin e Jubileut të Mëshirës. Jeni ju, kjo turmë, që ndjek pas Mësuesin dhe e bën të dukshme dashurinë e Tij konkrete për çdo njeri. Po jua përsëris fjalët e Shën Palit Apostull: “Dashuria jote ka qenë për mua gëzim i madh dhe ngushëllim, sepse i ke përforcuar zërat e shenjtorëve”(Fm 7). Sa zemra ngushëllojnë vullnetarët! Sa duar ndihmojnë; sa lot terin; sa dashuri ka në shërbimin e fshehur, të përvuajtur, pa pikën e interesit! Ky shërbim i lavdërueshëm i jep zë fesë e shpreh mëshirën e Atit, që bëhet i afërt me të gjithë nevojtarët.
Ndjekja e Krishtit është angazhim serioz e njëkohësisht, i gëzueshëm; kërkon radikalitet e guxim për ta njohur Mësuesin Hyjnor në më të varfërin e për t’u vënë në shërbim të Tij. Prandaj vullentarët, që u shërbejnë të fundmëve e nevojtarëve për dashuri të Krishtit, nuk presin kurrfarë falënderimi, kurrfarë shpërblimi, por heqin dorë nga të gjitha këto, sepse kanë zbuluar dashurinë e vërtetë. Ashtu si Zoti erdhi tek unë e u përkul mbi mua në çastin e nevojës, ashtu edhe unë shkoj tek Ai e përkulem mbi ata, që e kanë humbur fenë ose jetojnë sikur të mos kishte Zot, mbi të rinjtë pa vlera e ideale, mbi familjet në krizë, mbi të sëmurët, mbi të burgosurit, mbi refugjatët, mbi emigrantët, mbi të ligshtit e të pambrojturit në korp e në shpirt, mbi të miturit e të lënët në mëshirën e vetvetes, ashtu si mbi pleqtë e braktisur. Kudo shtrihet një dorë, që kërkon ndihmë për t’u ngritur përsëri në këmbë, atje duhet të jetë edhe prania jonë e prania e Kishës, që mbështet e jep shpresë!
Nënë Tereza, në gjithë jetën e saj, qe bujare e shpërndarëse e mëshirës hyjnore, duke qenë gjithnjë e gatshme për të gjithë, përmes mirëpritjes e mbrojtes së jetës njerëzore, jetës së braktisur e të flakur tutje. U angazhua në mbrojtje të jetës, duke theksuar vazhdimisht se “kush nuk ka lindur akoma, është më i ligshti, më i vogli, më i mjeri” e duke ua njohur dinjitetin, që ua jep vetë Zoti; e ngriti zërin aq, sa të dëgjohej nga të pushtetshmit e tokës, që t’i pranonin fajet përballë krimit të varfërisë së krijuar prej tyre. Mëshira për të ishte “kripë” që i jepte shije çdo vepre, ishte “dritë”, që ndriçonte errësirën e njerëzve, të cilët nuk kishin më as lot për të qarë mbi varfërinë e tyre, mbi vuajtjen e tyre.
Misioni i saj në rrethinat e qyteteve e në periferitë ekzistenciale, mbetet, në ditët tona, dëshmi që flet vetë për afërsinë e Zotit pranë të varfërve më të varfër. Sot po ia dorëzoj këtë figurë simbolike gruaje e rregulltareje mbarë botës së vullnetariatit; le të jetë Ajo modeli juaj i shenjtërisë! Mendoj se ndoshta do ta kemi pakëz vështirë ta quajmë Shën Tereza. Shenjtëria e saj është aq pranë nesh, aq e dhembshur dhe e frytshme, sa, vetvetiu do të vijojmë ta quajmë Nënë Tereza! Kjo veprimtare e palodhur e mëshirës na ndihmoftë ta kuptojmë gjithnjë më mirë se i vetmi kriter i veprimtarisë është dashuria pa shpërblim, e lirë nga çdo ideologji e nga çdo lidhje, që u përket të gjithëve, pa dallim gjuhe, kulture, race, feje. Nënë Terezës i pëlqente të thoshte: “Ndoshta nuk e flas gjuhën e tyre, por mund t’u buzëqesh”. Ta mbajmë në zemër buzëqeshjen e saj e t’ua dhurojmë atyre, që takojmë në udhën tonë, posaçërisht njerëzve, që vuajnë. Do të hapim, kështu, horizontet e gëzimit e të shpresës për mbarë njerëzimin, që e ka humbur besimin e ka shumë nevojë për mirëkuptim e dhembshuri!
Viktor Daragjati says
Shiptaret kan kene gjithmone krenar dhe pse jo gjithemon me te drejt. Sot gjith Shqiptart duhet te jene plotesisht kryenalte pse, jo vetem bota katolike krishtene, por tan bota qe vlereson ndjesinat njerzore shef ne Nanen Tereze simbolin dhe zadhansen i dignitetit te njeriut, sidomos te njeriut te pa fat. Nana Tereze ka dijte me pa pertej pamjes mizore, qe shifet teper shpesh ne ket durnja, bukurin e shpirtit njerzore qe meriton te vehet ne dukje ma fort se ultesinat materiale. Qeveritaret e Shqipnise ta ken si mesimin e ne zemer veprimtarin e Nanes Tereze. Ne kjoft se nana Tereze e ka velersue Ronald Regan-in si nji student mesatar (qe kam akoma shum per me mesue) si do ti qjykonte qeveritaret e nji shteti qe detyroin nji qerek te popullit qe drejton me marr rrugat e mergimit, per arsye se nuk krijon konditat ekonomike te pershtateshem per puntoret dhe nenpunesat, nuk krijon kondita ligjore e juridike per me zhduk korrupsionin qe lejon shfryzimin e masave ne dobi te nji oligarkije koprace dhe egoiste? Samiti i Diaspores, i paralameruem te mbahet ne Nandir, te tja filloin punen tue pas si princip me ndjek mesimin e Nanes Tereze. Investimet qe nuk krijojn vende pune jan deficitar per sa i perket te drejtave te popullit. Shqipnija nuk asht nji lemon qe pak vet te korruptuem prej pareve (shif Papa Françesku) kan te drejten ta shtryllin per qefin e tyne. Monella duhet te jet ne sherbim e intereses te gjithve, si te investuesave ashtu te popullit qe jeton ne shtetin ku investohet. Populli shiptar ka nji shpirt shum te bukur e te paster pse asht la ne vujtjet e sakrificat shekullore qe, para aberracjonit komunist, si mbas antropologeve austriak, ishte çmue ne nivelin e nji “popull zotnish”. Forca shpirtnore e Nanes Tereze ash shembulli ma i kjart i vleres se popullit tone. Lavdue kjoft emni i Saj.
Nadia e Hektor Zotaj-USA says
Ne te dy qe po komentojme ne shenjtrimin e Nene Terezes jemi te lumtur qe jemi pa hipokrizi te te njejtin komb me shenjtoren.
shefqet says
Bashke me shenjterimin e Nene Terezes, ne si shqiptare perjetuam ndjesite me te mira njerezore qe ka kjo bote ne toke dhe ne qiell.
Shefqet Kercelli