• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

“Gjergj Kastrioti”, trashëgimi kulturore identitare shqiptare në Michigan

October 11, 2023 by s p

Sokol Paja/

Grupi artistik “Gjergj Kastrioti” në Michigan përbën një krenari dhe arritje komunitare shqiptare në Detroit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në përpjekje për të ruajtur kulturën dhe trashëgiminë identitare shqiptare në mërgatën e Amerikës. Nën drejtimin e koreografes Joli Agolli Paparisto, talenti dhe puna e fëmijëve të “Gjergj Kastrioti” jo vetëm që ka krijuar një traditë të shkëlqyer artistike por përbën një identitet e krenari të veçantë për komunitetin dhe kombin tonë. Koreografja Joli Agolli Paparisto shprehet për gazetën “Dielli” të Vatrës se “Grupi artistik “Gjergj Kastrioti” është themeluar në vitin 2006 në Kishën e Shën Palit nga motra Lilianë Marku dhe rapsodi Fran Gjoka. Që nga ajo kohë ka pasur një rritje fantastike të grupit. Aktivitetet ku ne kemi marrë pjesë dhe performanca e grupit vit pas viti ka qenë e jashtëzakonshme. Ky grup artistik ka qenë frymëzim për shumë të rinj shqiptarë që kanë ëndrra artistike. Grupi artistik “Gjergj Kastrioti” i shërbyer komunitetit në çdo event, ka luajtur një rol të pakrahasueshëm në ruajtjen e kulturës së pasur e identitetit kombëtar shqiptar në Michigan. Talenti i këtyre fëmijëve të mrekullueshëm, puna në vazhdimësi, ndjekja e ëndrrave të tyre artistike ka bërë jehonë dhe jashtë Amerikës. Pjesëmarrja për herë të tretë në Festivalin Folklorik Kombëtar të Gjirokastrës, pjesëmarrja në turne e spektakle jashtë Amerikës, vlerësimet me çmime për stil dhe krijimtari, na kanë bërë krenarë si shqiptarë mbi të gjitha” shprehet për “Diellin” koreografja Paparisto. Më tej ajo shton: “Për çdo sukses jemi gëzuar se është vlerësuar puna artistike e artistëve të rinj, këmbëngulja, përkushtimi, investimi i prindërve dhe ëndrrat që ata kanë për të ardhmen. Është mahnitëse të shikosh sesi fëmijët shqiptarë të lindur jashtë Shqipërisë e duan Shqipërinë njësoj si të ishin lindur e rritur aty. Përcjellja e atdhedashurisë te brezat ka qenë një punë fenomenale që grupi artistik “Gjergj Kastrioti” e ka bërë ndër vite” shpjegon për “Diellin” koreografja Joli Agolli Paparisto. Veprimtaria artistike e grupit Gjergj Kastrioti i bën një shërbim të shkëlqyer kulturës dhe identitetit tonë kombëtar shqiptar. Ky grup me të rinj e të reja që kërcejnë shqip, vallëzojnë shqip e përformojnë magjitë e artit shqiptar janë pa dyshim një krenari e pastër identitare kombëtare shqiptare. Ky grup artistik shënon një sakrificë, një kënaqësi shpirtërore, një përpjekje të vazhdueshme dhe krenare për ruajtjen e identitetit kulturor kombëtar shqiptar në mërgatën e Amerikës. “Kultura është shpirti i një kombi” përfundoi fjalën e saj për “Diellin” drejtuesja e grupit artistik “Gjergj Kastrioti”, koreografja Joli Agolli Paparisto.

Filed Under: Featured Tagged With: Joli Agolli Paparisto, Sokol Paja

SHKOLLA SHQIPE “IBRAHIM KODRA”, GJUHA DHE IDENTITETI KOMBËTAR I SHQIPTARËVE NË ITALI

October 2, 2023 by s p

Donika Zeneli Qoshi mësuese në shkollën shqipe “Ibrahim Kodra” në Rozzano, Milano, Itali, rrëfen ekskluzivisht për gazetën “Dielli”, Organ i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës VATRA, New York, ruajtjen e identitetit kombëtar, historisë, gjuhës, kulturës dhe traditës shqiptare në Milano, Itali, nëpërmjet mësimit të gjuhës, kulturës shqipe dhe historisë kombëtare. Me mësuesen Donika Zeneli Qoshi bisedoi Editori i “Diellit” Sokol Paja.

SHKOLLA SHQIPE “IBRAHIM KODRA” NË MILANO

Shkolla shqipe në komunën e Rozzanos u inagurua më 24 shtator 2023. Pati një pjesmarrje nga komuniteti shqiptar i zonës se jugut të Milanos. Ideja e themelimit ishte e të gjithë prindërve dhe bashkëatdhetarëve shqiptarë që duan që fëmijët e tyre të mos humbasin gjuhën dhe kulturën shqiptare. Vitet e fundit vumë re që fëmijët tanë që frekuentojnë shkollat publike italiane nuk kanë pasur mundësi që ta mësojnë gjuhën shqipe brënda këtyre shkollave si në Gjermani, Zvicër, Suedi etj. Hapja e shkollës shqipe “Ibrahim Kodra” është një projekt që i vjen në ndihmë fëmijëve dhe prindërve. Përpjekjet janë të shumta dhe të mundimshme, siç ju thashë vetëm pas 15 vjetësh arritëm të sigurojmë ambjentin e dhënë për tu frekuentuar 1 herë në javë. Nuk kemi mbeshtetje financiare nga autoritet shqiptare dhe italiane dhe shkolla do të mbahet hapur nga puna vullnetare e mësuesve që sakrifikojnë fundjavat për përhapur dije me shumë dashuri. Grupi themelues i shkollës shqipe “Ibrahim Kodra” janë: Skënder Zeneli përfaqësues i komunitetit tonë, Laura Olldashi shkrimtare dhe ish-mësuese e gjuhës dhe letërsisë shqipe, Denada Quku psikologe dhe ish-pedagoge pranë universitetit të A.Moisiu në Durrës, Enkelejda Mece administratore ligjore e shkollës sonë ka mbaruar degen Ekonomi në universitetin Bicoça në Milano, rrjedh nga një familje patriotësh përmetarë, Lumo Kolleshi mësues i gjuhës shqipe në Shqipëri prej 40 vjetësh. Mësimi do të zhvillohet çdo të dielë nga ora 9.00 deri më 12.30

NJË SHKOLLË ME EMRIN E PIKTORIT TË MADH IBRAHIM KODRA

Emrin e shkollës shqipe “Ibrahim Kodra” e zgjodhëm në respekt të piktorit me famë ndërkombëtare që ka jetuar dhe punuar pranë në qytetin e Milanos, në Akademinë e Brerës në Milano të Italisë. Piktori Ibrahim Kodra është një figurë e artit italian me origjinë shqiptare. Ka lindur në Ishëm të Durrësit, talenti i tij do të spikatet nga krytari i bashkisë së Durrësit të kohës, do të dërgohet për studime në Tiranë, me ndihmën e oborrit mbretëror do të dërgohet me studime në Romë e më pas në Milano. Stili i tij modern në pikturë do të habisë edhe profesorët e tij në Akademinë e Breras ku më pas do të punonte si profesor. Ai i përket stilit të veçantë të Kubizmit ku do të ishte miku i preferuar i Pikasos. Pas vendosjes së komunizmit nuk mund të kthehej në Shqipëri për shkak se stili i tij ishte i ndaluar. Flitet që të ketë pikturuar rreth 6000 kuadro.

PRINDËR REGJISTRONI FËMIJËT NË SHKOLLË

Në cermoninë e inagurimit të shkollës shqipe “Ibrahim Kodra” morën pjesë kryetari i Fondazionit “Ibrahim Kodra” në Milano, oficerja e Diasporës në Milano Luljeta Cobanaj dhe shumë shqiptarë me origjinë arbëreshe etj. Patëm gjithashtu një përkrahje morale nga Konsullja e Shqipërisë në Milano Z.nja Anila Pojani dhe stafi i saj. Mesazhi ynë është një thirrje që i bëjmë prindërve që të rregjistrojnë femijët e tyre në kurset e gjuhës shqipe, duke i dhënë mundësinë për të mesuar ta lexojnë dhe shkruajnë mirë gjuhën e mëmës, është një pasuri e madhe për çdo fëmijë. Fëmijët bilinguistë janë një hap përpara përsa i përket edhe mësimit të gjuhëve të tjera.

SHKOLLA SHQIPE RËNDËSI TË VEÇANTË PËR GJUHËN SHQIPE

Me ndihmën e zotit Skënder Zeneli që është përfaqsues i komunitetit shqiptar të Rozzanos, të Laura Olldashit që është shkrimtare dhe të mësueseve Donika Zeneli Qoshi, Enkelejda Mece, Denada Quku, Lumo Kolleshi, Diamanta Gjata, arritëm ti japim jetë kësaj shkolle që do ti vijë në ndihmë për mësimin e gjuhes shqipe fëmijëve me origjinë shqiptare që kanë lindur dhe po rriten këtu, gjithashtu janë të mirëpritur të gjithë ata që kanë dëshirë të mësojnë gjuhën shqipe të frekuentojnë kurset që do të zhvillohen pranë shkollës sonë. Shkolla ka një rëndesi në mësimin e gjuhes në mënyrat didaktike dhe pedagogjike te përcaktuara nga Ministria e Arsimit në Shqipëri ku na mbeshtet me trajnimet e bëra për mësuesit e Diasporës por dhe me tekstet e botuara për ti ardhur në ndihmë mësimdhënies në mënyrë efikase.

KUSH ËSHTË DONIKA ZENELI QOSHI?

Donika Zeneli Qoshi është ish- mësuese letërsie pranë gjimnazit Sami Frashëri në qytetin e Belshit në Elbasan. Ka mbaruar universitetin Aleksandër Xhuvani në Elbasan në degën gjuhë-letërsi. Në Milano punon në fushën e shëndetësisë dhe ndjek studimet në universitetit Humanitas në degën e Infermierisë. Vjen nga qyteti arsimdashës i Elbasanit, nga qyteti i Dhaskal Todrit, Aleksandër Xhuvanit, Lef Nosit, Aqif Pashës, Kostandin Kristoforidhit e shumë patriotëve të shquar për kontributin e tyre në shërbim të çështjeve kombëtare.

Filed Under: Featured

SHKOLLA SHQIPE “CHILDREN OF THE EAGLE”, GJUHA DHE IDENTITETI KOMBËTAR I SHQIPTARËVE NË AMERIKË

September 29, 2023 by s p

Drita Gjongecaj themeluese dhe drejtuese e Shkollës Shqipe “Children of the Eagle” në New York, USA, rrëfen ekskluzivisht për gazetën “Dielli”, Organ i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës VATRA, New York, ruajtjen e identitetit kombëtar, historisë, gjuhës, kulturës dhe traditës shqiptare në New York, USA, nëpërmjet mësimit të gjuhës e kulturës shqipe, historisë dhe aktiviteteve patriotiko-kulturore. Me Drita Gjongecajn bisedoi Editori i “Diellit” Sokol Paja.

HISTORIKU I SHKOLLËS SHQIPE “CHILDREN OF THE EAGLE”

Shkolla e Trashëgimisë Shqipe “Children of the Eagle” ushtron aktivitetin e saj në tri zona të NY, në Bronx, në Westchester County dhe në Yorktown Heights. Ajo ka si synim që nëpërmjet ruajtjes së gjuhës, njohjes dhe ruajtjes së traditave të vyera, trashëgimisë kulturore, njohurive rreth gjeografisë, historisë shekullore, etj. të promovojë tek fëmijët dhe të rinjtë atdhedashurinë dhe krenarinë për prejardhjen e tyre. Programi i ka fillimet që nga viti 2014 dhe dy vite më vonë ka marrë zyrtarisht nga shteti i NY statusin e organizatës jofitimprurëse 501(c)3.
Qëllimisht e kemi emërtuar shkollën në Anglisht “Fëmijët e Shqiponjës” duke dashur që nxënësit tanë ta përfaqësojnë dhe përcjellin me krenari këtë symbol të lashtë edhe tek bashkëmoshatarët jo shqiptarë në ambientet ku ata studiojnë, jetojnë, apo në aktivitete të shumta ku ata marrin pjesë.
Ashtu si në programe të ngjashme, fëmijët janë të moshave të ndryshme dhe për më tepër, njohuritë e tyre gjuhësore variojnë edhe brenda së njëjtës grup-moshë, gjë që e vështirëson punën e mësuesit.
Përfitoj nga rasti të theksoj këtu se Children of the Eagle është themeluar nga një grup arsimtarësh profesionistë, të licensuar nga shteti i NY si mësimdhënës apo edhe si drejtues shkollash. Megjithëse ato punojnë me kohë të plotë në Departamentin Shtetëror të Arsimit, me përkushtim, japin nga koha e lirë dhe i shërbejnë komunitetit tonë nëpërmjet programit të Children of the Eagle. Mësueset tona kanë përvojë të gjatë në punën me nxënësit dhe sjellin metodat e duhura shkencore duke adresuar nevojat individuale gjuhësore të cilat ndryshojnë nga një fëmijë te tjetri.
Vëmëndje të vecantë i kushtojmë motivimit të fëmijëve për ta mbajtur gjallë interesin në mësimin e gjuhës. Një nga këto metoda përfshin përdorimin e teknologjisë në forma të ndryshme. Videot, mësimet interaktive, lojërat e deri te vallet e këngët, e sjellin gjuhën në variante të ndryshme dhe krijojnë mundësi bashkëbisedimi ndërmjet fëmijëve. Në njërën nga qendrat tona, në shkollën publike PS/MS 83 në Bronx fëmijët tanë përdorin edhe palestrën dhe sipas preferences luajnë basketball, volleyboll, apo lojëra popullore nëpërmjet të cilave zgjerojnë dhe ushtrojnë fjalorin shqip. Një risi qe kemi sjellë me programin tonë janë ekskursionet, vizitat e nxënësve në qendra të ndryshme në mënyrë që ata t’i shohin ato cka mësojnë në klasë nga një perspektivë tjetër. Mbresa të shumta fëmijët ruajnë nga vizita në selinë e Federatës Panshqiptare Vatra, te Konsullata e Kosovës në New York apo aktiviteti i Ditës Ndërkombëtare të Gjuhës Amtare nga nxënës me prejardhje të kombësive të ndryshme në Queens.

KURRIKULA MËSIMORE

Baza e mësimdhënies janë textet e përbashkëta të miratuara nga institucionet arsimore të Shqipërisë dhe Kosovës. Megjithatë, të kushtëzuar nga niveli i ndryshëm gjuhësor i nxënësve, mësueset tona përgatisin vetë materiale me bazë të caktuar tematike duke ofruar kështu shumëllojshmëri dhe duke diferencuar mësimdhënien në grupe të vogla edhe brenda të së njëjtës klasë. Kjo e shton ngarkesën e mësuesit dhe kohën e përgatitjes për mësim, ndonjëhere duke shpenzuar edhe nga xhepi i tyre që të sigurojnë një bazë materiale sa më të prekshme për nxënësit.

MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI FORMË E RUAJTJES SË IDENTITETIT KOMBËTAR TË SHQIPTARËVE NË NEW YORK

Ndonëse të gjithë jemi të ndërgjegjshëm se sot mundësitë janë të shumta për mësimin edhe të më shumë se një gjuhe, përsëri e themi me bindje se shkolla dhe mësimi i drejtpërdrejtë luajnë një rol të pazëvëndësueshëm në përvetesimin dhe ruajtjen e gjuhës. Mësimi i gjuhës shqipe dhe kulturës shqiptare në programet tona të diasporës janë më shumë sesa didaktike; ato i shërbejnë cështjes kombëtare të ruajtjes së identitetit. Është e rëndësishme të ritheksohet këtu se përvec mësueseve që me përkushtimin e profesionalizmin e tyre tejkalojnë shumë vështirësi, mbështetja e prindërve dhe e komunitetit është kyce për vazhdimësinë e programit tonë. Ne duam që sa më shumë fëmijë ta ndjekin mësimin formal të gjuhës shqipe në mënyrë që të aftësohen ta flasin, lexojnë dhe shkruajnë atë. Vetëm duke i koordinuar përpjekjet tona, mund të arrijmë suksesin e dëshiruar dhe të formojmë një brez që i njeh rrënjët e veta dhe e ruan identitetin e vet kombëtar.

AMERIKANËT MBËSHTESIN DHE INKURAJOJNË MËSIMIN SHQIP

Në New York dhe të gjithë Amerikën, mësimi dhe ruajtja e gjuhëve jo vetëm mbështetet por edhe inkurajohet. Kjo jo vetëm për ruajtjen e gjuhës së prejardhjes por edhe për faktin se dy-gjuhësia është më shumë se thjesht të folurit e dy gjuhëve. Dy-gjuhësia u ndihmon nxënësve të bashkëjetojnë natyrshëm midis dy kulturave dhe të rrisin potencialin e tyre individual për të konkuruar denjësisht në botën globale.
Përsa u përket organizatave shqiptare, ne kemi marrëdhënie shumë të mira me një numër të konsiderueshëm të tyre. Një bashkëpunim të ngushtë dhe mbështetje kemi gjetur sidomos tek Organizata Shqiptaro-Amerikane e Grave Motrat Qiriazi, Vatra, Albanian Culture TV, etj.

MËSIMDHËNIA PËRMES TEKNOLOGJISË DHE DYGJUHËSIA

Përdorimi i teknologjisë erdhi si domosdoshmëri gjatë kohës së pandemisë. Shkolla Shqipe “Children of the Eagle” ishte shkolla e vetme që ofroi mësim të plotë online nëpërmjët platformës Google Classroom, platformë që u përdor në të gjitha shkollat publike në NY. Për më tepër, mësuesit tanë të licensuar dhe punësuar në arsimin shtetëror të NY ofruan një seri trainimesh për mësues të shkollave shqipe në disa shtete të Amerikës dhe Evropës, përfshi edhe vendet amë, Shqipëri dhe Kosovë. Edhe tani, mësuesit tanë kanë qasje dhe përdorin Smartboards (tabela te sofistikuara elektronike) dhe pajisje tjera elektronike që e bëjnë mësimnxënien më të prekshme dhe efektive. Një falenderim shkon këtu për Ambasadën Shqiptare në Washington DC dhe Qendrën e Botimeve për Diasporën që na kanë siguruar versionin electronik të librit “Gjuha Shqipe dhe Kultura Shqiptare”. Megjithatë, programet tona kanë edhe vështirësi që kanë të bëjnë kryesisht me mungesën e mbështetjes financiare, me orarin e pamjaftueshem (një herë në javë), apo me konfliktin në kohë me programet sportive.

KUSH ËSHTË DRITA GJONGECAJ?

Zonja Drita Gjongecaj është prej 12 vjetësh z/v drejtore në shkollën publike Theodore Schoenfeld, në Bronx, NY. Është diplomuar në Universitetin e Tiranës, dega Gjuhë-Letërsi.
Pas ardhjes në Amerikë, ka kompletuar masterin a saj të parë shkencor në mësimdhënien e anglishtes për folësit e gjuhëve të tjera (Teaching English to Speakers of Other Languages– TESOL). Më pas ajo përfundoi studimet pas-universitare në kolegjin mjaft prestigjioz në lëmin e arsimit, Bank Street College of Education si drejtuese metodike në fushën dygjuhësore dhe anglishtja si gjuhë e dytë (Bilingual and ESL Teacher Leadership Academy). Më tej, ajo ka kompletuar gjithashtu Masterin Arsimor dhe është liçensuar në Drejtim/Administrim shkolle në shtetin e New Yorkut.

Znj. Gjongecaj është themeluese dhe drejtuese e Shkollës Shqipe “Children of the Eagle”. Gjithashtu është themeluese dhe kryetare e organizatës së dy gjuhëve dhe kulturave paralele shqiptaro-amerikane (The Association of Albanian American Dual Language and Culture [AADLC]). Prej 6 vjetësh kjo organizatë mban seminarin shkencor-arsimor “Arritje dhe Perspektiva të Mësimdhënies së Gjuhës Amtare në Shkollat e Diasporës” me shtrirje në disa shtete të Amerikës dhe Evropës. Një përmbledhje e prezantimeve të tri seminareve të para është botuar në librin me të njëjtin titull. Libri i vjen në ndihmë jo vetëm mēsuesve por dhe prindërve që punojnë me fëmijët për ruajtjen e gjuhës sonë. Librin mund ta gjeni në Amazon dhe Barnes and Noble (ISBN: 978-1-7371943-0-9).

Filed Under: Featured Tagged With: Drita Gjongecaj, Sokol Paja

VATRA DËNON SULMIN TERRORIST SERBO-RUS NË KOSOVË

September 24, 2023 by s p

Deklaratë për mediat/

Federata Pan-Shqiptare e Amerikës VATRA shpreh ngushëllime për vrasjen e policit shqiptar në Banjska të Leposaviqit Afrim Bunjaku dhe dënon sulmin terrorist serbo-rus mbi institucionet dhe shtetin e Kosovës.

Ky është një sulm i rëndë dhe i drejtpërdrejtë ndaj integritetit territorial të shtetit të Kosovës, qytetarëve dhe institucioneve në Kosovë.

Ky akt terrorist është sulm ndaj çdo shqiptari mbi të gjitha ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bashkimit Europian, NATO-s dhe demokracisë.

Federata Pan-Shqiptare e Amerikës VATRA i bën thirrje qeverisë së Kosovës, faktorit politik në Kosovë dhe të gjithë qytetarëve të Republikës që të jenë të bashkuar, të unifikuar, të ruajnë qetësinë dhe të shtojnë bashkëpunimin me faktorin ndërkombëtar për tejkalimin e situatës së tmerrshme.

Federata Pan-Shqiptare e Amerikës VATRA jo vetëm dënon sulmin terrorist që cënon sigurinë kombëtare të Kosovës e më gjerë por Vatra do të bëjë gjithçka në bashkëpunimin me faktorët ndërkombëtarë e Institucionet Amerikane për të qenë faktor stabilizues në rajon e më gjërë.

Kryetari i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës VATRA

Dr. Elmi Berisha

Filed Under: Featured

VATRA DHE SHQIPTARO-AMERIKANËT TAKUAN GABRIEL ESCOBAR

September 22, 2023 by s p

Sokol Paja/

Kryetari i Federatës Pan-Shqiptare e Amerikës VATRA z.Elmi Berisha në bashkëpunim me veprimtarin e shquar të çështjes kombëtare Xhimi Xhema dhe Ambasador Frank Wisner mikun e madh të Kosovës e kombit shqiptar, u takuan me të dërguarin e posaçëm të Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar. Në një takim ku morën pjesë shumë shqiptaro-amerikanë, kontributorë me dekada për çështjen kombëtare, pika kryesore e diskutimit ishte dialogu Kosovë-Serbi dhe faktori shqiptar në Ballkan si kontributor për paqe, zhvillim dhe siguri rajonale. Kryetari i Vatrës z.Elmi Berisha i kërkoi z.Escobar në emër të të gjithë vatranëve e shqiptaro-amerikanëve që Shtetet e Bashkuara të Amerikës të ndjekin në mënyrë të posaçme zhvillimin e dialogut politik mes Kosovës e Serbisë dhe këmbënguli në zgjidhjen amerikane për Kosovën. Z.Escobar premtoi se: “Amerika nuk do ta braktisë kurrë Kosovën. Shqiptarët janë jo vetëm populli më pro amerikan në Europë por shqiptarët janë njerëzit më të preferuar të Amerikës në Ballkan. Kërkohet kordinim politik i Kosovës me SHBA-në dhe unitet i spektrit politik në Kosovë, sa më shpejt aq më mirë për Kosovën. Mërgata shqiptare në Amerikë të lobojë fort në shtetet amë që të vazhdojnë negociatat e Kosovës me Serbinë të iniciuara nga BE dhe të mbështetura fort nga SHBA. Nuk ka arsye të dyshohet për anësi në dialog pasi SHBA e ndjek procesin me vëmendje të veçantë. E çmoj rolin e Vatrës në komunitetin shqiptaro-amerikan dhe kërkoj bashkëpunim më të fortë me institucionet amerikane” tha ndër të tjera z.Escobar në takim. Ai premtoi se në të ardhmen e afërt do të vizitojë Vatrën dhe do të rrisë bashkëpunim në të mirë të çështjeve që shqetësojnë të dyja palët.

Filed Under: Featured Tagged With: Sokol Paja

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 25
  • 26
  • 27
  • 28
  • 29
  • …
  • 901
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Shoqata shqiptaro-amerikane “Skënderbej” Inc. promovon romanin “Brenga” të Dr. Pashko Camaj 
  • ASOCIACIONI SI ENTITET PARA-SHTETËROR APO VETËMENAXHIMI SI GARANCI E RUAJTJES SË RENDIT KUSHTETUES NË KOSOVË
  • Luana Bajrami, aktorja nga Kosova feston 25 vjetorin me Oscar dhe hyn në Histori
  • Çfarë e bën mashkullin burrë?
  • Pse Hoxhë Hasan Tahsini ishte drejtuesi i lobit shqiptar në Stamboll
  • Artan Shabani, piktori i ngjyrave që vuan dramën e Çamërisë
  • Gënjeshtra i ka këmbët e shkurtra, por stresi i jep krahë: Pse biem pre e gënjeshtrave?
  • Shuhet lahutari rugovas Rrustem Bajrami-Imeraliaj, 1932-2026
  • PËKUSHTIM XHEVAT KORҪËS
  • Shqiptarët në Philadelphia festuan Ditën e Verës
  • RAKETAT SUPERSONIKE TË SERBISË: SINJAL ALARMI PËR SIGURINË NË BALLKAN
  • MONOGRAFI E RËNDËSISË SË VEÇANTË
  • BALLKANI PERËNDIMOR NDËRMJET ARKITEKTURËS SË PAQES DHE RREZIKUT TË RIFORMATIMIT GJEOPOLITIK
  • Zgjidhja e mençur angleze e Shekullit XIX – Krijimi i Pullës Postare
  • Love Bombing si dukuri digjitale

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT