• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

ZGJEDHJET NË KOSOVË: FITUESIT, TEK AMBASADORI AMERIKAN KOSNETT

October 8, 2019 by dgreca

-Zgjedhjet parlamentare të 6 Tetorit në Kosovë-Rezultati nga 100% e vendvotimeve: LVV 25,49%, LDK 24,82%, PDK 21,24% koalicioni i AAK 21,24%, koalicioni i Nisma 4,96%/

-Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerkës në Prishtinë, Philip Kosnett, takime në Lëvizjen Vetëvendosje dhe në Lidhjen Demokratike të Kosovës, i kënaqur me atë se sa mirë shkoi procesi zgjedhor, me daljen e lartë në votime dhe për faktin se kishte aq shumë përqëndrim në çështjet për të cilat shqetësohen votuesit/

-Haradinaj: AAK e pranon rezultatin zgjedhor, faleminderit të gjithë atyre që na votuan/

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari

PRISHTINË, 8 Tetor 2019/ Në Kosovë,  sipas informacioneve zyrtare më të reja të publikuara sot, nga 100% e vendvotimeve nga të cilët janë dërguar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve

të dhënat e numërimit të votave, Lëvizja Vetëvendosje është fituese me 25,49% pasuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës me 24,82%. Të dy këto parti ishin opozitare, ndërsa tani pritet koalicioni i tyre  paszgjedhor për Qeverinë e re të Kosovës.

Partia Demokratike e Kosovës, më e madhja e koalicionit të Qeverisë së dorëhequr, ka dalë e treta me rezultatat e zgjedhjeve me 21,24% dhe në një konferencë shtypi mbrëmjen e ditës së zgjedhjeve ka deklaruar se e pranon humbjen dhe do kalojë në opozitë.

Koalicioni i Alencës për Ardhmërinë e Kosovës, e cila udhëheqte me Qeverinë,  ka 11,57% të votave.

Ndërsa, koalicioni i Nismës Socialdemokrate bashkë me Aleancën Kosova e Re, të dyja pjesë e Qeverisë së dorëhequr,  me 4,96% të votave për pak nuk e kalojnë pragun prej 5% për të qenë pjesë e Kuvendit të Kosovës.

Rezultatet preliminare nuk përfshijnë votat me kusht, votat me postë edhe votat e personave me nevoja te veçanta.

Ndërkohë, Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerkës në Prishtinë, Philip Kosnett, sot zhvilloi takime në Lëvizjen Vetëvendosje dhe në Lidhjen Demokratike të Kosovës.

LVV: AMBASADORI AMERIKAN KOSNETT SHPREHU KËNAQËSINË PËR MBARËVAJTJEN E PROCESIT ZGJEDHOR

Kryetari i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Albin Kurti, së bashku me nënkryetarin Besnik Bislimi, sot priti në takim Ambasadorin e ShBA-së në Kosovë, shkëlqesinë e tij, z.Philip S. Kosnett, shoqëruar nga këshilltarja politike, znj.Jessica Long dhe zyrtarja politike, znj.Mia Ter Har.

LVV ka njofuar se, në një takim miqësor, ambasadori Kosnett shprehu kënaqësinë e tij për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, pjesëmarrjen e lartë të qytetarëve dhe uroi kryetarin Kurti për një fushatë që adresoi shqetësimet e votuesve. Ai tregoi interesim të veçantë në përparimin kundër korrupsionit, për ekonominë, dhe për përparimin në dialogun me Serbinë, drejt arritjes së një marrëveshje gjithëpërfshirëse që do të sillte stabilitet dhe paqe të qëndrueshme në rajon.

Nga ana e tij, kryetari Kurti e siguroi z.Kosnett se do të jetë kryeministër për të gjithë qytetarët e Kosovës. Ai e njoftoi ambasadorin se konsolidimi i brendshëm i Kosovës me shtetndërtim demokratik, sundim të ligjit, zhvillim ekonomik dhe progres shoqëror është prioritet që do ta zbatojë, meqë edhe nevojat e qytetarëve e vullneti i tyre i shprehur në këto zgjedhje ishte për këtë.

Kryetari Albin Kurti tha se dialogu do të fillojë me serbët e Kosovës, nga poshtë lartë për zhvillim e integrim të serbëve qysh në javën e parë. Ndërkaq, në muajin e parë nevojitet takim me z.Borrel, përfaqësuesin e ri të lartë të BE-së për Siguri e Politikë të Jashtme, si dialog me Brukselin për dialog me Serbinë, sepse dialogu me Serbinë duhet të jetë i përgatitur mirë e me parime të qarta. Paraprakisht duhet të mbyllet kapitulli i 33 marrëveshjeve të mëhershme, përkatësisht vlerësimi i zbatimit dhe i ndikimit të tyre. Nuk duhet të vonohemi por s’kemi as pse nxitohemi e bëjmë gabime që na kushtojnë pastaj.

Në fund të takimit, të dy palët shprehën interesimin për komunikim të vazhdueshëm e takime të mëtutjeshme.

LDK: MIRËNJOHJE DHE FALËNDERIM PËR MBËSHTETJEN E SHBA-VE KOSOVËS

Sot, kryetari i LDK-së, Isa Mustafa është takuar me Ambasadorin e SHBA-ve në Kosovë, Philip Kosnett.

Njoftimi i dërguar nga LDK thekson se, gjatë këtij takimi është diskutuar për procesin zgjedhor në Zgjedhjet nacionale 2019.

Kryetari Mustafa shprehu mirënjohjen dhe falënderimin e veçantë për mbështetjen e vazhdueshme që i kanë dhënë SHBA-të Kosovës.

Ambasadori Kosnett ishte i kënaqur me atë se sa mirë shkoi procesi zgjedhor, me daljen e lartë në votime, dhe për faktin se kishte aq shumë përqëndrim në çështjet për të cilat shqetësohen votuesit. Ai tha se pret një përqëndrim të ripërtërirë në përparim kundër korrupsionit, në ekonomi, dhe në dialog me Serbinë drejtë arritjes së një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse që do të sjellte stabilitet dhe paqë të qëndrueshme në rajon

Në takim të pranishëm ishin nënkryetarët z. Agim Veliu, znj. Vjosa Osmani, z. Lutfi Haziri dhe anëtarja e Kryesisë, znj. Vlora Dumoshi.

HARADINAJ: AAK E PRANON REZULTATIN ZGJEDHOR, FALEMINDERIT TË GJITHË ATYRE QË NA VOTUAN

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, në një konferencë për media sot ka thënë se partia e tij e pranon rezultatin e KQZ-së dhe nuk kërkon rinumërim të votave. Kryetari Haradinaj ka thënë se është e padrejtë të dëmtohet një proces kaq i mirë zgjedhor. “Aleanca, pra Koalicioni ynë, e pranon rezultatin zgjedhor, ashtu sipas të dhënave të KQZ-së. Është e padrejtë me dëmtu një proces kaq të mirë zgjedhor. Qytetari nuk na ka dhënë të drejtën me kriju Qeverinë, u ka dhënë partive të tjera. I urojmë partitë tjera, edhe të parën edhe të dytën”, ka theksuar Haradinaj.

Haradinaj ka theksuar se sipas rezultateve preliminare AAK ka 11.54% të votave, duke thënë se AAK ka shënuar rritje duke shprehur besimin se AAK do të arrijë në 100 mijë vota. Ai ka shprehur respektin për besimin e 100 mijë votuesve për Koalicionin AAK-PSD. “Kemi 11.54%, sipas të dhënave të KQZ-zë. Nga trendi që shihet, pra ekziston një mundësi reale që ne afrohemi rreth 100 mijë vota. Ne i falënderojmë qytetarët për këtë besim. Është një rritje e ndjeshme krahasuar me zgjedhjet e kaluara. Është rreth 35% rritje më shumë se në kohën kur ishim me LDD”, ka theksuar ai. Ai po ashtu ka paralajmëruar se nëse Qeveria e ardhshme do t’i mbrojë temat që i ka mbrojtur qeveria e tij, do ta përkrahë, por ka thënë se AAK do të jetë opozitë e fortë ndaj asaj Qeverie që i shkel parimet e partisë së tij.

Ndërsa, për kryetarin e Vetëvendosjes, Albin Kurti, ai ka thënë se mban të njëjtin mendim për të, sikurse para zgjedhjeve. “E dini mendimin tim për liderin e Vetëvendosjes. Mendoj që gjithë kjo është mashtrim dhe i mbetet qytetarëve me vlerësu. Shpresoj që jam gabim”, ka theksuar Haradinaj. Haradinaj po ashtu ka shprehur vullnetin e tij që rrugën politike me PSD-në ta vazhdojë, duke thënë se nuk u beson analizave që thonë se PSD e ka dëmtuar elektoralisht AAK-në.  

Filed Under: Featured Tagged With: Zgjedhjet-Fituesit-ne Ambasaden amerikane

“MALLI I MËMËDHEUT”, E PARA SHOQËRI E SHQIPTARËVE TË AMERIKËS

October 8, 2019 by dgreca


Ne qender te fotografise: Petro Nini Luarasi, i helmuar nga Patriarkana Greke per mesimin dhe perhapjen e gjuhes shqipe./
Shoqeria “MALLI I MEMEDHEUT”, shoqeria e pare shqiptare ne Amerike. Mina Grameno dhe Petro Nini Luarasi, shkuan në Bufalo në shtëpinë e Thanas Viso Mborjes,ku më 1 Janar 1906 themeluan shoqërinë “MALLI I MEMEDHEUT” dhe përpiluan kanonizmën me 43 nyje. Ja si e kujton vetë Thanas Viso Mborja këtë ditë: “Unë i thashë një ditë një shoku, se ne që kishim qenë në Rumani dhe kishim parë atje se si ishin organizuar shoqëritë patriotike, nuk mund të rrinim duarkryq por duhet të merrnim iniciativën për krijimin e shoqërive të tilla në Amerikë. Për këtë ishte e mira të ftoheshin nga qyteti Xhejmstoun. Këtu ndodheshin rreth 80 shqiptarë dhe patriotët Petro Nini Luarasi e Mina Grameno me qëllim që të na ndihmonin. Shoku im e pëlqeu mendimin tim dhe kështu nuk mbeti veçse ta vinim në zbatim. Më 1 Janar të vitit 1906, në konakun tim u mblodhën patriotë për të vendosur në lidhje me çështjen e themelimit të shoqërisë. Këta patriotë ishin: Mina Grameno, Petro Nini Luarasi, Kol Rikashi, Pandi Lipi Kallanxhiu, Thimi Nuni Boçka, Pandi Mihal Furxhi, Dhimitraq Zisi Negovani, Vani Odo Karameta, Vani Vangjel, Thanas Halle, Mihallaq Kristaq Bimbli dhe unë..” (Thanas Viso Mborja ka lindur në Mborje në vitin 1876).
Shoqëria krijoi dhe statusin e saj e cila u bë shembull për shqiptarët e qyteteve të tjera në SHBA. Të gjithë pjesëmarrësit në këtë shoqëri ishin punëtorë ku sundonte fryma patriotike. Ata që kishin mbaruar shkollën shqipe dhe kishin një farë kulture u bënë udhëheqësit shpirtërorë të tyre. Costandin A. Demo në librin e tij për një nga këta drejtues shkruan: “Petro Nini Luarasi ishte “The Paul Revere” i shqiptarëve mbasi vinte në ç’do vënd ku kishte shqiptarë dhe predikonte patriotizëm. Ay ishte një librari me dy këmbë, me xhepat mbushur plot pamfleta, revista e gazeta. Ai pregatiti udhën e lëvizjes kombëtare për ata që ardhë pas tij. Shoqëria “Malli i Mëmëdheut” krijoi edhe një bibliotekë me libra në gjuhën shqipe, anglishte dhe greke, gjuhë këto që pak a shumë i njihnin punëtorët shqiptarë të Bufalos. Fondin e parë të librave e dhuroi Thanas Viso Mborja i cili kur u largua nga Rumania mori dy sundukë me libra në gjuhën shqipe nga shoqëria e shqiptarëve të Bukureshtit. Këto libra ishin shkrojtur nga patriotët e Rilindjes dhe shtypur në tipografinë e shoqërise “Dituria” të Bukureshtit. Anëtarët e shoqërisë paguanin si kuote ½ dollarë në muaj. Ata ishin lidhur me punëtorë dhe intelektualë amerikanë. Një nga këta, Zt. Moss, në gazetën “Morning Post” e popullarizoi shumë luftën e popullit shqiptar dhe kërkesat e tij. Kjo shoqëri në vitin 1909 kishte si kryetar Gaqi Themelin, N/Kr.Vangjel Camçen dhe kontrollorë Koço Gramenon dhe Janko Vishnjën.
Më 25 nëntor 1913, shoqëria u bashkua me Federatën “VATRA” dhe u krijua Dega No.25, Jamestoën, N.Y. me 100 anëtarë. Kjo degë zgjodhi këta drejtues: Kryetar Ilo Furxhi, arkëtar Lambi Cale, sekretar Perikli Murzaku, pleqësia Vasil Argjir, Hysen Belortaja, Sali Selman.
Themelonjesit e ”Mallit te Memedheut”ishin atdhetarët: ”Mina Grameno, Petro Nini Luarasi, Kol Rikashi, Pandi Lipi Kallanxhiu, Thimi Nuni Boçka, Pandi Mihal Furxhi, Dhimitraq Zisi Negovani, Vani Odo Karameta, Vani Vangjel, Thanas Halle, Mihallaq Kristaq Bimbli dhe unë..” (Thanas Viso Mborja, kujtime).


 













Filed Under: Featured Tagged With: Malli i memedheut-Petro Lucrasi-Mina Grameno-

KONSTATIMI- Misioni i BE-së: Zgjedhjet në Kosovë, të organizuara mirë dhe transparente

October 8, 2019 by dgreca

Kryesuesja e Misionit të Bashkimit Evropian për zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë, Viola von Cramon-Taubadel, tha se zgjedhjet e 6 tetorit kanë qenë të organizuara mirë dhe transparente, ndërsa procesin e votimit dhe numërimit të votave e vlerësoi pozitivisht.

Sipas saj, fushata zgjedhore ishte e gjallë dhe konkurruese në pjesën më të madhe të Kosovës.

“Ambienti i fushatës në trevat e banuara me serbë të Kosovës u cenua nga frikësimi që i vuri në shënjestër kandidatët dhe përkrahësit që nuk ishin rreshtuar me Listën Serbe”, tha Viola von Cramon-Taubadel në një konferencë për media në Prishtinë.

Sipas saj, ndër të metat e këtij procesi ka qenë keqpërdorimi i resurseve publike dhe mungesa e transparencës në kuptimin e financimit të fushatave, e cila ka kushtëzuar garë të pabarabartë në tërë Kosovën.

Por, Cramon-Taubadel e lavdëroi Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për transparencë në punë dhe për përgatitjet zgjedhore brenda një kohe të shkurtër.

Zgjedhjet janë shpallur disa javë pasi Ramush Haradinaj ka dhënë dorëheqje nga pozita e kryeministrit të Kosovës, më 19 korrik.

Rezultatet preliminare të zgjedhjeve të 6 tetorit e kanë nxjerrë fituese Lëvizjen Vetëvendosje, e cila pasohet nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

Filed Under: Featured Tagged With: OSBE-Zgjedhjet en Kosovo-Te rregullta

OPOZITA FITUESE E ZGJEDHJEVE NË KOSOVË

October 7, 2019 by dgreca

-Nga 95,88% e vendvotimeve nga te cilët janë dërguar në KQZ të dhënat e numërimit të votave, Lëvizja Vetëvendosje është fituese me 25,79% pasuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës me 25,05%. Të dy këto parti opozitare kanë folur për mundësinë e koalicionit paszgjedhor.

-Lëvizja Vetëvendosje në mesnatë ka nisë festimet e fitores që e shpalli. Ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës duke theksuar diferencën e ngushtë ka deklaruar se a do festojë fitoren do presë numërimin e të gjitha votave dhe rezultatin përfundimtar/

-Kosova, 9 palë zgjedhje parlamentare, para, gjatë e pas luftës/

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari

PRISHTINË, 7 Tetor 2019/ Opozita është fituese e zgjedhjeve të parakohëshme parlamentare të 6 Tetorit në Kosovë sipas rezultateve preliminare të numërimit të votave që pasqyrohen në faqen zyrtare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Nga 95,88% e vendvotimeve nga te cilët janë dërguar në KQZ të dhënat e numërimit të votave deri në mëngjesin e sotëm, Lëvizja Vetëvendosje është fituese me 25,79% pasuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës me 25,05%. Të dy këto parti opozitare kanë folur për mundësinë e koalicionit paszgjedhor.

Partia Demokratike e Kosovës, më e madhja e koalicionit të Qeverisë së dorëhequr, ka dalë e treta me rezultatat e zgjedhjeve me 21,15% dhe në një konferencë shtypi mbrëmjen e djeshme deklaroi se e pranon humbjen dhe do kalojë në opozitë.

Koalicioni i Alencës për Ardhmërinë e Kosovës, e cila udhëheqte me Qeverinë, sipas votave të numëruara deri tani ka 11,63% ndërsa koalicioni i Nismës Socialdemokrate bashkë me Aleancën Kosova e Re, të dyja pjesë e Qeverisë së dorëhequr,  me 4,92% të votave nuk e kalojnë pragun prej 5% për të qenë pjesë e Kuvendit të Kosovës.

Rezultatet preliminare nuk përfshijnë votat me kusht, votat me postë edhe votat e personave me nevoja te veçanta.

Lëvizja Vetëvendosje në mesnatë ka nisë festimet e fitores që e shpalli. Ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës duke theksuar diferencën e ngushtë ka deklaruar se a do festojë fitoren do presë numërimin e të gjitha votave dhe rezultatin përfundimtar.

“REVOLUCION!”, është një kryetitull sot në një nga ballinat e shtypit të Kosovës, ku gazeta Zëri thekson se, “Rezultatet preliminare për zgjedhjet e 6 tetorit sollën një rokadë të paparë politike gjatë ditës së djeshme. Duke ndëshkuar partitë, që për vite të tëra ishin në qeverisje, elektorati ia dha besimin Lëvizjes Vetëvendosje, subjekt ky i cili asnjëherë nuk ka qeverisur me vendin deri më tash”.

Sipas shifrave më të fundit të  KQZ-së, të cilat do plotësohen orëve  të ardhëshme, përqindja e votuesve që kanë votuar në vendvotimet që kanë dërguar të dhëna është 43,22%.

Të dielen e 6 Tetorit 2019, Kosova votoi në zgjedhjet parlamentare të shtata në 20 vjet liri, të katërta në 11 vjet pavarësi e të tretat të njëpasnjëshme të parakohëshme, në të cilat për 120 vende deputetetësh në Kuvend garonin 1.067 kandidatë, prej tyre 343 femra  dhe 724 meshkuj, nga 25 subjekte politike: 4 koalicione, 20 parti politike dhe 1 kandidat i pavarur, të certifikuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve kishte certifikuar edhe listën përfundimtare të votuesve, e cila përmbante 1 milion e 937 mijë e 868 votuesë, prej tyre 111 mijë e 733 për herë të parë me të drejtë vote.

Në mëngjesin e 6 Tetorit në gjithë Kosovën, në lokalitetet e të 38 komunave, u hapen 895 qendra të votimit me 2.547 vendvotime.

I gjithë procesi monitorohet nga një numër i madh i vëzhguesëve nga vendi dhe bota, janë mëse 34 mijë e 500 vëzhguesë të akredituar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të Kosovës.

 Kosova, para, gjatë dhe pas lufte ka mbajtur 9 palë zgjedhje parlamentare, 2 palë zgjedhjet e paraluftës e kohës së luftës ishin edhe presidenciale.

Në Kosovën e lirë nga Qershori 1999, të parat zgjedhje parlamentare u mbajtën në 17 Nëntor 2001, kur numri i votuesve të regjistruar ishte 1,249,987, ndërsa pjesëmarrja në zgjedhje 803,796 votuesë – 64.30%.

Zgjedhjet e dyta parlamentare u zhvilluan në 23 Tetor 2004. Numri i votuesve të regjistruar ishte 1,412,680, ndërsa pjesëmarrja në zgjedhje 699,519 votuesë – 49.52%.

Zgjedhjet e treta parlamentare u mbajtën në 17 Nëntor 2007. Numri i votuesve të regjistruar ishte 1,567,690, ndërsa pjesëmarrja në zgjedhje 628,630 votuesë – 40.09%. Legjislatura e këtyre zgjedhjeve, e treta, ishte ajo që ka hyrë në histori me shpalljen e Pavarësisë së Kosovës në 17 Shkurt 2008.

Zgjedhjet e katërta parlamentare në liri, të parat në pavarësi, u zhvilluan në 12 Dhjetor 2010. Numri i votuesve të regjistruar ishte 1,632,276, ndërsa pjesëmarrja në zgjedhje 706,317 votuesë – 45.29%.

Zgjedhjet e pesta parlamentare në liri, të dytat në pavarësi, u zhvilluan në 8 Qershor 2014. Numri i votuesve të regjistruar ishte  1,799,023, ndërsa pjesëmarrja në zgjedhje 734,055 votuesë – 42.63%. 

Zgjedhjet e gjashta parlamentare në liri, të tretat në pavarësi, u zhvilluan në 11 Qershor 2017. Numri i votuesve të regjistruar ishte 1,888,059, ndërsa  pjesëmarrja në zgjedhje 779,729 votuesë – 41.3%.

Zgjedhjet e para pluraliste në Kosovë ishin parlamentare dhe presidenciale, të mbajtura para  27 vitesh, në 24 Maj 1992, si pjesë e lëvizjes për liri e pavarësi, në rrethana të rënda të okupimit e shtetrrethimit nga regjimi i dhunës serbe.

Ishin ato zgjedhje të rezistencës gjithëpopullore kosovare të shqiptarëve që krijuan një rend demokratik dhe forcuan institucionalisht Republikën e shpallur të Kosovës në zhvillime historike, që pasonin Deklaratën e Pavarësisë të 2 Korrikut e Kushtetutën e 7 Shtatorit 1990, si dhe Referendumin e zhvilluar nga 26 deri 30 Shtator 1991, në të cilin për Kosovën Shtet Sovran dhe i Pavarur u deklaruan pro 99,87 për qind e qytetarëve pjesëmarrës masivisht në votim – 87,01 për qind.

Në mbledhjen 2 Majit 1992 Kuvendi kosovar shpalli zgjedhjet shumëpartiake, në të cilat partitë politike angazhoheshin jo për rivalitete mes tyre, por të gjitha së bashku për vendosjen e pushtetit të Kosovës në Kosovë, të lirisë e demokracisë, në vend të pushtetit të Serbisë, të okupimit e imponimit.

Kosova, tani shtet i njohur nga 116 vende të botës anëtare të OKB-së,  edhe në kohë lufte mbajti zgjedhje parlamentare e presidenciale në 22 Mars 1998 dhe në 16 korrik 1998 konstituoi Kuvendin e Republikës atëherë të panjohur ndërkombëtarisht, që megjithatë ishte dhe njihej si deklarim i fuqishëm i vullnetit kombëtar, politik e demokratik.

DEKLARATA, CITUAR NGA GAZETA ZËRI:

Kurti: 6 tetori, entuziazmi i tretë pas çlirimit dhe pavarësisë

Lideri i LVV-së Albin Kurti, i cili në zgjedhjet e tetorit qe kandidat për kryeministër nga ky subjekt, tha se 6 tetori shënoi fillimin e entuziazmit të tretë për vendin tonë.

“Entuziazmi i parë ishte qershori i ’99-s, entuziazmi i dytë shpallja e pavarësisë dhe i treti është entuziazmi i tetorit 2019. Ne kemi humbur shumë kohë për këto 20 vjet, sa mundësi të shpërdoruara, sa shanset shkuan huq, mirëpo tash erdhi dita. Erdhi dita për ju popull i dashur, pa dallim fshati e qyteti, pa dallim gjinie, të gjithë do të jeni të barabartë para ligjit”, deklaroi mbrëmë Kurti.

Meqë LVV-ja doli subjekti i parë i zgjedhjeve, Kurti tha se Vetëvendosja do t’i mbajë dhe do t’i përmbushë premtimet e dhëna. Gjatë fjalimit të tij lideri i LVV-së ndau një falënderim edhe për kritikët e Vetëvendosjes, meqë sulmet e akuzat e kanë kalitur LVV-në.

“Ne kemi pasur shumë pengesa, kemi pasur shumë vështirësi, por ato na kanë kalitur. Jemi më të fortë se kurrë edhe për të gjitha vështirësitë që na presin. Dua të falënderoj edhe ata që na kanë kritikuar, sepse edhe ata na kanë ndihmuar duke na udhëzuar. Edhe ata që na kanë akuzuar e na kanë sulmuar vetëm na kanë kalitur për këtë fitore të madhe”, ka nënvizuar Kurti.

Osmani: Fituesi s’mund të shpallet pa u numëruar të gjitha votat

Teksa ka folur pas rezultateve preliminare, të cilat e radhitën LDK-në si partinë e dytë, kandidatja për kryeministre nga ky subjekt, Vjosa Osmani, tha se ende nuk mund të flitet për rezultate përfundimtare. Megjithëkëtë ajo pohoi se LDK-ja do t’i pranojë rezultatet, çfarëdo qofshin ato.

“Sot nuk mund të shpallet fituesi, sepse duhet të presim deri në numërimin e votës së fundit. Unë dua t’i falënderoj të gjithë. Besoj se deri nesër pas numërimit edhe të votave me kusht dhe të diasporës do ta kemi një rezultat përfundimtar e pastaj do të dalim të flasim. Ne do ta pranojmë vullnetin e sovranit”, ka deklaruar Osmani.

Ajo më tej ka thënë se LDK-ja vetëm me PDK-në nuk bën koalicion paszgjedhor, ndërkohë me partitë e tjera mund të pranojë të diskutojë.

“Vetëm pasi të numërohet edhe vota e fundit, atëherë mund të flasim për koalicionin. Përveç me PDK-në, me parti të tjera mund të bisedojmë”, ka theksuar nënkryetarja e LDK-së.

Veseli: PDK-ja do të kalojë në opozitë

Pas rezultatit aspak të favorshëm që pranoi dje PDK-ja, ka reaguar kryetari i këtij subjekti, Kadri Veseli, i cili ishte kandidat i PDK-së për kryeministër në zgjedhjet e tetorit. Teksa pranoi humbjen, kreu i Partisë Demokratike të Kosovës tha se partia që ai drejton do të kalojë në opozitë tash e tutje.

“Së bashku me Partinë Demokratike të Kosovës kemi punuar shumë që t’i fitojmë këto zgjedhje, por nuk fituam. Qytetarët kanë dhënë verdiktin e tyre dhe ne e pranojmë. Partia Demokratike e Kosovës do të kalojë në opozitë. Por ne do të vazhdojmë t’i shërbejmë kombit dhe shtetit”, ka deklaruar Veseli.

Pavarësisht rezultatit të djeshëm Veseli tha se PDK-ja nuk do të ndalet së punuari.

“Anëtarëve dhe aktivistëve të Partisë Demokratike të Kosovës u them ndihuni krenarë me punën tuaj, sepse edhe unë ndihem shumë krenar me ju. Keni bërë një punë të madhe dhe besimi im në ju është i palëkundur. Duhet të besoni dhe të punoni për një Kosovë më të mirë. Ne nuk ndalemi asnjëherë. Ne së bashku do të vazhdojmë”, ka theksuar ai.

Haradinaj: Vendimi për t’ia kthyer vendimmarrjen sovranit ishte i drejtë

Pas publikimit të rezultateve të KQZ-së ka reaguar edhe kandidati për kryeministër nga koalicioni AAK – PSD, Ramush Haradinaj, i cili ka thënë se gara e drejtë dhe e qetë e ngriti Kosovën e qytetarët e saj në një standard të ri të pjekurisë politike e demokratike. Për këtë, siç ai u shpreh, meritore janë të gjitha partitë politike, pa dallim.

“Uroj që me të njëjtin nivel maturie të mbyllet edhe ky cikël elektoral, duke i hapur rrugë pa vonesa konstituimit të Kuvendit dhe institucioneve të reja demokratike në vend”, ka deklaruar ai.

Haradinaj më tej falënderoi strukturat e elektoratin e koalicionit AAK – PSD.

“Fillimisht dua t’i falënderoj strukturat e Aleancës, aktivistët e mbështetësit e në veçanti secilin votues, që besoi dhe votoi koalicionin AAK – PSD, duke ua shprehur mirënjohjen time të thellë për punën e palodhshme e besimin e palëkundur që na e falën”, shtoi ai.

Ndaj vendimi për t’ia kthyer sovranit vendimmarrjen, pikërisht në kohë udhëkryqi për Kosovën, sipas Haradinajt u vërtetua që ishte veprim i drejtë.

Nisma nuk e kalon pragun

Sipas rezultateve preliminare koalicioni Nisma – AKR – PD nuk e ka kaluar pragun zgjedhor. Pas rezultateve lideri i Nismës, Famir Limaj, i cili ishte kandidat për kryeministër nga ky koalicion, nuk është deklaruar fare. Ndërkohë para daljes së shifrave të para Limaj u shpreh i bindur se do të marrë rezultate tejet pozitive.

“Të gjithë qytetarëve të Kosovës ua shpreh mirënjohjen time për kontributin e tyre për të pasur një proces të lirë e demokratik. Falënderoj të gjithë votuesit e Nismës. Nisma ka arritur një rezultat të jashtëzakonshëm. Ne tash në bazë të të gjitha raporteve i kemi shtatë deputetë dhe po presim deputetin e tetë”, deklaroi kreu i Nismës pas mbylljes së vendvotimeve.

Me këtë rast Limaj tha se Nisma do të jetë partia vendimtare për formimin e qeverisë së ardhshme.

Filed Under: Featured Tagged With: Behlul Jashari-Opozita-Fituse e zgjedhjeve-Kosove

SHUHET GJONI ATHANAS, LIRIKU I SHQUAR I SKENES SHQIPTARE

October 6, 2019 by dgreca

-I jepet lamtumira e fundit ne Boston, kengetarit te shquar lirik, Gjoni Athanas-


SHKRUAN: FUAT MEMELLI-Boston/ Gazeta”DIELLI”


Më 1 tetor të këtij viti, në moshën 94 vjeçare, ndrroi jetë në Boston, këngëtari i shquar lirik, Gjoni Athanas. Ai bënte pjesë në plejadën e artistëve të shquar të Teatrit të Operas e Baletit, që tok Avni Mulën, Ibrahim Tukiçin, Mentor Xhemalin, Luk Kaçaj, Ndrek Gjergjin, Maliq Herin, etj. bënë histori në këtë teatër.

Gjoni lindi në 4 nëntor 1925 në Brockton të shtetit Massachusetts në Amerikë. Prindërit e tij, Olimbia dhe Thanasi, të dy me origjinë shqiptarë dhe jetuan në Amerikë për më shumë se 15 vjet.U kthyen në Shqipëri në vitin 1927, në fshatin Grapsh të Devollit , qarku i Korçës, ku babai i tij kishte vendlindjen. Atèhere Gjoni ishte vetëm 2 vjeç. Qysh në moshë të re, ai filloi të këndojë psalme bizantine në kishën ortodokse të Grapshit, ku babai i tij shërbente si prift. I jati vuri re se i biri kishte vesh muzikor dhe e nxiti për të kënduar. Në moshën 14 vjeçare Gjoni shkon në Korçë, ku krhas shkollës, njihet më nga afër me këngët korçare, të cilat shërbyen si frymëzim për vazhdimin e rrugës së këngës. Këtu mer pjesë në korin e Mitropolisë si dhe atë të grupit “Lira” .Qysh në këtë kohë bie në sy talenti i tij si tenor me një zë të bukur e të fuqishëm. 


RRUGA E ARTISTIT
Në në vitin 1947, Gjoni shkon ushtar në Tiranë dhe meret në korin e Asamblit të Ushtrisë, nën kujdesin e drejtorit Gaqo Avrazi. Kori dha shfaqje në Shqipëri dhe në shumë vende të Evropës Lindore.

 Në vitin 1952, ai u zgjodh si një nga talentet më të mirë në Shqipëri dhe fitoi bursë për të studiuar në Konservatorin Tchaikovsky në Moskë për tenor, në vitet 1952-1957. Pasi fitoi gradën e tij në Belcanto, në të njëjtin vit u shpërblye me çmimin e dytë në konkursin ndërkombëtar të zërave të rinj operistikë në Moskë, ku mernin pjesë 110 pjesëmarrës nga e gjithë bota.Pasi mbaroi studimet, u kthye në Tiranë dhe filloi karrierën në Teatrin e Operas.  Gjatë viteve të punë interpreton shumë role si atë Turidu nga “Cavalleria Rusticana” e Mascagnit, Canio nga “Pagliacci” i Leoncavallo, Lenskey nga “Eugene Onegin” i Tchaikovsky, Schaunard nga “La Boheme” e Puccini, Don Basilio nga “The  Martesa e Figaros” të Mozartit, Dhimitri nga “Lulja e kujtimit” e K.Konos, “Bash Murgjini” nga “Borana” e A.Mulës, “Kuestori” nga “Heroina” e V. Nova, Doda nga “Mrika” e  P. Jakovës, etj. Përveç interpretimit si solist në Teatrin e Operës në Tiranë, ai mer pjesë në shumë koncerte e turne nëpër botë si në Rumani, Bashkimin Sovjetik, Kinë, Mongoli, Kore, Vietnam, Bullgari, Ukrainë, Lituani, Jugosllavi, Hungari, etj. Skena e donte atë dhe ai e donte skenën. Kudo që performoi, solli zërin e tij dhe talentin artistik, duke marë si ”shpërblim” nga njerëzit ovacionet e tyre. 
Gjoni dha mësim në Akademinë e Arteve në Tiranë për rreth 20 vjet. Ish studentët e tij e kujtojnë me dashuri e respekt të veçantë pedagogun e tyre.. Ka botuar libra për teknikat e të kënduarit si “Të kënduarit, një mënyrë e të shprehurit dhe të komunikimit” , “Teknikat e frymëmarrjes për këngëtarin” si dhe një libër me një koleksion të këngëve të rralla popullore shqiptare. Gjoni e kujtonte me mall këtë udhëtim në shumë fshatra të Shqipërisë, ku gjeti thesare këngësh. Ai e quante këtë si një nga përvojat më të mira të jetës së tij.Në vitin 1960 martohet me Sekine Sharofi Athanas, një balerinë klasike. Kjo dasmë bëri bujë atëherë, pasi ai ishte djalë prifti, ndërsa Sekineja qe vajza e drejtorit të Medresesë në Tiranë. Rrugëtimi i tyre vazhdoi për 49 vjet. Ai ka dy vajza, Mirelën dhe Edlira si dhe mbesën Julia dhe nipin Easton.


SKÈNDERBEU-ROLI I JETÈS SÈ TIJ

Në ditarin personal të Gjonit, shkruar midis viteve 1957-1993 numurohen 1100 koncerte dhe 450 shfaqje operash. Por, roli që e ngriti atë në piedestalin e shfaqjes së tij artistike, ishte ai i Skënderbeut, në operan “Skënderbeu” të Prenk Jakovës.  Kompozitori, e donte shumë zërin e tij dramatik. Skënderbeu, heroi legjendar shqiptar, i vënë në skenë në vitin 1967 nga Teatri i Operas së Tiranës, ishte për Gjonin roli i jetës së tij. Këtij roli ai i kushtoi aq shumë kohë duke u përgatitur, pasi nuk ishte e rëndësishme vetëm interpretimi në mënyrë vokale, por më e rëndësishme ishte imazhi dhe forca e heroit legjendar që duhej të portretizohej me sa më bukur. Studioi shumë libra të shkruara për Skënderbeun. Në ditët e përgatitjes për rolin e Skënderbeut, punonte duke u përgatitur si vokalist, por edhe si një aktor që përgatitet për një rol të vështirë e në një kohë shumë të shkurtër. Studioi shënimet për çdo lëvizje të vetme, në përputhje me atë që kishte lexuar për heroin.  Kur hyri në skenë, figura e tij e gjatë dhe energjike, aktrimi dhe zëri i tij i fuqishëm, u duk sikur Skënderbeu i vërtetë hyri në skenë.  Fotografitë e tij që interpretojnë këtë rol, janë përdorur për të ilustruar Skënderbeun në mësimet e historisë.
RIKTHIMI ATY KU LINDI
Një kapitull tjetër i jetës së tij hapet kur të kthehet në Amerikë në vitin 1994, vendin ku edhe kishte lindur Ai banoi në zonën e Bostonit dhe pati rastin të vizitojë edhe një herë shtëpinë ku lindi e jetoi 2 vitet e para të jetës së tij, në Brockton.Ishte një vizitë shumë emocionuese , pasi ai kurrë nuk kishte menduar se kjo do të ndodhte në jetën e tij.Vërtet këtu erdhi në moshën e pensionit, por zëri i tij vazhdoi të jehojë. Këndonte në veprimtaritë e ndryshme të shqiptarëve, si në festen e 28 Nëntorit, për Vitin e Ri si dhe në koncerte të ndryshme kur vinin këngëtarë nga Shqipëria, si me Aurela Gaçen, etj. Ai këndoi në Boston edhe për komunitetin italian dhe atë rus. I mbeti merak që nuk mori dot pjesë në koncertin e Inva Mulës, që do organizohej në Boston më 8 tetor. I la një porosi vajzës së tij Edlirës, e cila është edhe organizatore e këtij koncerti :” I thuaj Invës që krahas të tjerave, të këndojë edhe këngën”Lule borë”. Përcjellja e tij për në banesën e fundit, u bë me një përshpirtje në kishën e Shën Gjergjit, mbajtur nga kancelari i kësaj kishe, At Artur Liolini. Është një koincidencë e veçantë: në vendin ku lindi, Gjoni Athanasi edhe do të prehet.
VLERËSIME PËR GJONI ATHANASIN
Të shumta janë vlerësimet brenda e jashtë Shqipërisë për tenorin e shquar shqiptar.Gazeta “Kultura” e Moskës në vitin 1959 shkruan: ” Çdo teatër në botë do të nderohej të kishte një tenor si Gjon Athanasi”. Brymorov, profesori i mirënjohur i Konservatorit Bullgar ka vlerësuar zërin e Gjonit si “një zë i rrallë  që meriton respekt botëror “. Toti dal Monte, soprano e famshme italiane, pasi e dëgjoi në një nga studiot e Moskës, tha:” Gjoni është një zë i rrallë i një tenori dramatik “.Në përcjelljen e tij për në banesën e fundit, morëm disa mendime nga shqiptarë që jetojnë në Boston. Stefan Koçi, ish konsull Nderi në Boston:”Shumë shqiptarë që erdhën këtu pas viteve ’90, sollën punën , ndërsa Gjoni solli diçka shpirtërore, solli artin e tij. Ai ishte i pa partuar kudo që ta ftoje”.Agron Gjerasi: “ Zëri i tij kumbonte dhe nuk kishte nevojë për mikrofon. Shquhej për një humor të veçantë. Unë e mbaja veten si i parë këtu në Boston për barcaleta, por kur erdhi Gjoni, me çoi në vendin e dytë”.Nga ngushëllimet e shumta për ndarjen nga jeta të Gjoni Athanasit, shkëputa fjalët e artistes së njohur, Suzana Turku:” Brezi im i artistëve ka qënë mëe fat që ka studjuar dhe ka punuar me artistë të brezit të Gjoni Athanasit”.Në vitin 2006 Gjoni është vlerësuar nga presidenti i Republikës me Medaljen e Mirënjpohjes për karierën e tij si dhe interpretimin e rolit të Skënderbeut. Megjithatè ky vlerèsim na duket i pakèt për artistin e madh, ndërkohë që në këto vite të tranzicionit, ka patur vlerësime pafund.U shua kështu edhe një zë i shquar i operas shqiptare, por zëri i tij do të mbetet i paharruar për të gjithë ata që e dëgjuan, në Shqipëri e nëpër botë, kudo ku ai këndoi me zjarrin e zemrës. Të mbushësh shpirtin e publikut, do të thotë të japësh pasuri dhe Gjoni dha pasuri me shpirtin e zërin e tij.Boston 5 tetor, 2019

Filed Under: Featured Tagged With: Fuat Memelli-Shuhet Gjoni Thanas

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 306
  • 307
  • 308
  • 309
  • 310
  • …
  • 901
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • KELETI UJSÁG (1931) / “NJË MUAJ PRANË MBRETIT ZOG, THEMELUESIT TË SHQIPËRISË MODERNE…” — INTERVISTA ME MÁRTON HOSSZÚ, PIKTORIN NGA KOLOZSVÁR-I
  • Si “Albanian Mafia” zëvendësoi Cosa Nostra-n dhe po rrezikon Shqipërinë
  • Për vendlindjen, komunitetin e kombin…
  • Kur liria e njërit, bëhet burgu i tjetrit 
  • Eleganca në mërgim – gruaja me mantelin e Shqipërisë
  • Çfarë na ka mbetur nga trashëgimia e Ismail Qemal Vlorës?
  • Përkujtojmë në ditën e lindjes poetin, shkrimtarin dhe dramaturgun e shquar Viktor Eftimiu
  • 𝐖𝐢𝐧𝐬𝐭𝐨𝐧 𝐂𝐡𝐮𝐫𝐜𝐡𝐢𝐥𝐥 𝐝𝐡𝐞 𝐃𝐞𝐭𝐚𝐧𝐭𝐚 𝐋𝐢𝐧𝐝𝐣𝐞-𝐏𝐞𝐫𝐞̈𝐧𝐝𝐢𝐦
  • DËSHMI LETRARE E NJË KOHE TRAGJIKOMIKE  
  • SHBA dhe arkitektura e re e paqes globale: Diplomacia strategjike dhe ndërtimi i rendit të ri ndërkombëtar në epokën e demokracive të avancuara
  • Isa Boletini, Rënia si Akt Themelues i Ndërgjegjes Kombëtare dhe Alarm i Përhershëm i Historisë Shqiptare
  • Kongresi i Lushnjës dhe periudha përgatitore për Luftën e Vlorës 1920
  • GJON MILI DHE EKSPOZITA MЁ E MADHE FOTOGRAFIKE BOTЁRORE E TЁ GJITHA KOHRAVE
  • Rezoluta-6411,nga SHBA-ja, do të jetëson ndaljen e diskriminimit dhe  zgjidh drejt çështjen e Krahinës Shqiptare
  • IBRAHIM RUGOVA: BURRËSHTETASI QË E SFIDOI DHUNËN ME QYTETËRIM 

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT