-Zgjedhjet parlamentare të 6 Tetorit në Kosovë-Rezultati nga 100% e vendvotimeve: LVV 25,49%, LDK 24,82%, PDK 21,24% koalicioni i AAK 21,24%, koalicioni i Nisma 4,96%/
-Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerkës në Prishtinë, Philip Kosnett, takime në Lëvizjen Vetëvendosje dhe në Lidhjen Demokratike të Kosovës, i kënaqur me atë se sa mirë shkoi procesi zgjedhor, me daljen e lartë në votime dhe për faktin se kishte aq shumë përqëndrim në çështjet për të cilat shqetësohen votuesit/
-Haradinaj: AAK e pranon rezultatin zgjedhor, faleminderit të gjithë atyre që na votuan/
Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari
PRISHTINË, 8 Tetor 2019/ Në Kosovë, sipas informacioneve zyrtare më të reja të publikuara sot, nga 100% e vendvotimeve nga të cilët janë dërguar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve
të dhënat e numërimit të votave, Lëvizja Vetëvendosje është fituese me 25,49% pasuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës me 24,82%. Të dy këto parti ishin opozitare, ndërsa tani pritet koalicioni i tyre paszgjedhor për Qeverinë e re të Kosovës.
Partia Demokratike e Kosovës, më e madhja e koalicionit të Qeverisë së dorëhequr, ka dalë e treta me rezultatat e zgjedhjeve me 21,24% dhe në një konferencë shtypi mbrëmjen e ditës së zgjedhjeve ka deklaruar se e pranon humbjen dhe do kalojë në opozitë.
Koalicioni i Alencës për Ardhmërinë e Kosovës, e cila udhëheqte me Qeverinë, ka 11,57% të votave.
Ndërsa, koalicioni i Nismës Socialdemokrate bashkë me Aleancën Kosova e Re, të dyja pjesë e Qeverisë së dorëhequr, me 4,96% të votave për pak nuk e kalojnë pragun prej 5% për të qenë pjesë e Kuvendit të Kosovës.
Rezultatet preliminare nuk përfshijnë votat me kusht, votat me postë edhe votat e personave me nevoja te veçanta.
Ndërkohë, Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerkës në Prishtinë, Philip Kosnett, sot zhvilloi takime në Lëvizjen Vetëvendosje dhe në Lidhjen Demokratike të Kosovës.
LVV: AMBASADORI AMERIKAN KOSNETT SHPREHU KËNAQËSINË PËR MBARËVAJTJEN E PROCESIT ZGJEDHOR
Kryetari i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Albin Kurti, së bashku me nënkryetarin Besnik Bislimi, sot priti në takim Ambasadorin e ShBA-së në Kosovë, shkëlqesinë e tij, z.Philip S. Kosnett, shoqëruar nga këshilltarja politike, znj.Jessica Long dhe zyrtarja politike, znj.Mia Ter Har.
LVV ka njofuar se, në një takim miqësor, ambasadori Kosnett shprehu kënaqësinë e tij për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, pjesëmarrjen e lartë të qytetarëve dhe uroi kryetarin Kurti për një fushatë që adresoi shqetësimet e votuesve. Ai tregoi interesim të veçantë në përparimin kundër korrupsionit, për ekonominë, dhe për përparimin në dialogun me Serbinë, drejt arritjes së një marrëveshje gjithëpërfshirëse që do të sillte stabilitet dhe paqe të qëndrueshme në rajon.
Nga ana e tij, kryetari Kurti e siguroi z.Kosnett se do të jetë kryeministër për të gjithë qytetarët e Kosovës. Ai e njoftoi ambasadorin se konsolidimi i brendshëm i Kosovës me shtetndërtim demokratik, sundim të ligjit, zhvillim ekonomik dhe progres shoqëror është prioritet që do ta zbatojë, meqë edhe nevojat e qytetarëve e vullneti i tyre i shprehur në këto zgjedhje ishte për këtë.
Kryetari Albin Kurti tha se dialogu do të fillojë me serbët e Kosovës, nga poshtë lartë për zhvillim e integrim të serbëve qysh në javën e parë. Ndërkaq, në muajin e parë nevojitet takim me z.Borrel, përfaqësuesin e ri të lartë të BE-së për Siguri e Politikë të Jashtme, si dialog me Brukselin për dialog me Serbinë, sepse dialogu me Serbinë duhet të jetë i përgatitur mirë e me parime të qarta. Paraprakisht duhet të mbyllet kapitulli i 33 marrëveshjeve të mëhershme, përkatësisht vlerësimi i zbatimit dhe i ndikimit të tyre. Nuk duhet të vonohemi por s’kemi as pse nxitohemi e bëjmë gabime që na kushtojnë pastaj.
Në fund të takimit, të dy palët shprehën interesimin për komunikim të vazhdueshëm e takime të mëtutjeshme.
LDK: MIRËNJOHJE DHE FALËNDERIM PËR MBËSHTETJEN E SHBA-VE KOSOVËS
Sot, kryetari i LDK-së, Isa Mustafa është takuar me Ambasadorin e SHBA-ve në Kosovë, Philip Kosnett.
Njoftimi i dërguar nga LDK thekson se, gjatë këtij takimi është diskutuar për procesin zgjedhor në Zgjedhjet nacionale 2019.
Kryetari Mustafa shprehu mirënjohjen dhe falënderimin e veçantë për mbështetjen e vazhdueshme që i kanë dhënë SHBA-të Kosovës.
Ambasadori Kosnett ishte i kënaqur me atë se sa mirë shkoi procesi zgjedhor, me daljen e lartë në votime, dhe për faktin se kishte aq shumë përqëndrim në çështjet për të cilat shqetësohen votuesit. Ai tha se pret një përqëndrim të ripërtërirë në përparim kundër korrupsionit, në ekonomi, dhe në dialog me Serbinë drejtë arritjes së një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse që do të sjellte stabilitet dhe paqë të qëndrueshme në rajon
Në takim të pranishëm ishin nënkryetarët z. Agim Veliu, znj. Vjosa Osmani, z. Lutfi Haziri dhe anëtarja e Kryesisë, znj. Vlora Dumoshi.
HARADINAJ: AAK E PRANON REZULTATIN ZGJEDHOR, FALEMINDERIT TË GJITHË ATYRE QË NA VOTUAN
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, në një konferencë për media sot ka thënë se partia e tij e pranon rezultatin e KQZ-së dhe nuk kërkon rinumërim të votave. Kryetari Haradinaj ka thënë se është e padrejtë të dëmtohet një proces kaq i mirë zgjedhor. “Aleanca, pra Koalicioni ynë, e pranon rezultatin zgjedhor, ashtu sipas të dhënave të KQZ-së. Është e padrejtë me dëmtu një proces kaq të mirë zgjedhor. Qytetari nuk na ka dhënë të drejtën me kriju Qeverinë, u ka dhënë partive të tjera. I urojmë partitë tjera, edhe të parën edhe të dytën”, ka theksuar Haradinaj.
Haradinaj ka theksuar se sipas rezultateve preliminare AAK ka 11.54% të votave, duke thënë se AAK ka shënuar rritje duke shprehur besimin se AAK do të arrijë në 100 mijë vota. Ai ka shprehur respektin për besimin e 100 mijë votuesve për Koalicionin AAK-PSD. “Kemi 11.54%, sipas të dhënave të KQZ-zë. Nga trendi që shihet, pra ekziston një mundësi reale që ne afrohemi rreth 100 mijë vota. Ne i falënderojmë qytetarët për këtë besim. Është një rritje e ndjeshme krahasuar me zgjedhjet e kaluara. Është rreth 35% rritje më shumë se në kohën kur ishim me LDD”, ka theksuar ai. Ai po ashtu ka paralajmëruar se nëse Qeveria e ardhshme do t’i mbrojë temat që i ka mbrojtur qeveria e tij, do ta përkrahë, por ka thënë se AAK do të jetë opozitë e fortë ndaj asaj Qeverie që i shkel parimet e partisë së tij.
Ndërsa, për kryetarin e Vetëvendosjes, Albin Kurti, ai ka thënë se mban të njëjtin mendim për të, sikurse para zgjedhjeve. “E dini mendimin tim për liderin e Vetëvendosjes. Mendoj që gjithë kjo është mashtrim dhe i mbetet qytetarëve me vlerësu. Shpresoj që jam gabim”, ka theksuar Haradinaj. Haradinaj po ashtu ka shprehur vullnetin e tij që rrugën politike me PSD-në ta vazhdojë, duke thënë se nuk u beson analizave që thonë se PSD e ka dëmtuar elektoralisht AAK-në.