• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

SFIDA PER JETEN

October 5, 2019 by dgreca

Mjekja e Gjilanit Burbuqe Mustafa arriti t`i sfidojë rregullat shkencore për të shpëtuar beben dhe ringjallur nënën e saj/ 

Doktoresha e Spitalit të Gjilanit, gjinekologia Burbuqe Mustafa ka bërë një hap jashtëzakonisht të guximshëm në një rast tepër të komplikuar dhe jo vetëm që e ka shpëtuar beben, por ka arritur ta rikthejë në jetë edhe nënën e “vdekur”, duke i sfiduar kështu rregullat shkencore. Pakkush prej mjekëve i hyn një rreziku të tillë, ku gjasat për të dalë me sukses janë minimale.  

Shkruan: ILMI MUSLIU/

Ky ka qenë njëri prej rasteve më të rënda që mjekja Mustafa, me një përvojë 19-vjeçare, ka përjetuar në karrierën e saj si gjinekologe. Për nga diagnoza, rasti është i njëjtë me atë të gazetares kosovare, e cila vdiq në Hungari, gjatë lindjes së tretë. Rastet e tilla të komplikuara, që mjekësia i njeh si “placenta previa percreta” janë të rralla dhe për fat të keq, kryesisht përfundojnë me vdekje.

Te rastet e tilla si ky i 31-vjeçares Ajtene Haliti, e cila dy lindjet e para i kishte kryer me operacion cezarian, nuk preferohet assesi një shtatzëni e tretë, për shkak të rrezikut të madh që ekziston për të mos mbijetuar as nëna dhe as foshnja. Te këto raste, në momentin e ndërhyrjes për të nxjerrë frytin nga placenta, përnjëherë shpërthen gjakderdhja masive dhe lehona vdes. Edhe pacientja Ajetene Haliti përjeton arrest kardiak, që nënkupton “vdekje”.            

“Te rasti konkret, placenta ishte e inceruar në vendin e plagës së mëparshme dhe në momentin e prerjes për të nxjerrë frytin e gjinisë mashkullore, lëshohet një gjakderdhje profuze dhe pacientja bie në arrest kardiak”, tregon mjekja Burbuqe Mustafa, që njëherësh është edhe shefe e Repartit të Gjinekologjisë në Spitalin e Përgjithshëm të Gjilanit.

Me ndihmën e ekipit operativ dhe anesteziologut arrihet që pacientes t`i kthehen parametrat vitalë, përkatësisht rikthimi i saj nga vdekja në jetë.  

“Ishte një moment i rëndë kur anesteziologu më bëri me dije se nëna nuk po jepte shenja jete, derisa ne po përpiqeshim ta shpëtonin atë. I ndërmorëm të gjitha veprimet për ta rikthyer në jetë nënën dhe pastaj në kohën më të shkurtër të mundshme bëmë largimin e mitrës dhe e ndalëm gjakderdhjen”, thotë mjekja Mustafa, e cila nuk kishte hasur në raste të tilla deri më tani, meqë janë të rralla dhe zakonisht përfundojnë me fatalitet.

Shtatzëna A.H. nga Gjilani ishte sjellë në spitalin e këtushëm për të kryer lindjen e tretë. Dy lindjet e para i kishte kryer me operacion – prerje cezariane. Te rastet e tilla, shtatzënia e tretë nuk rekomandohet assesi. 

Pasi pacientja përgatitet për lindje, futet në sallë dhe fillon hapja e abdomenit, mjekët hasin në një “placentë previa percreta”, e cila ishte e inceruar në vendin e prerjeve të mëhershme gjatë dy lindjeve të para, që janë raste shumë të rralla dhe përfundojnë me fatalitet.

Fati deshi që kjo nënë e re të bjerë në duart e një mjeke të shkathtë e të guximshme, siç është Burbuqe Mustafa, e cila bashkë me ekipin e saj e arriti të fitojë një betejë gati të pamundur, duke shpëtuar dy jetë njerëzore. Pas pesë ditësh, nëna Ajetne Haliti kthehet në shtëpi, pranë dy fëmijëve tjerë, në gjendje të mirë shëndetësore. Fatmirësisht, familja Haliti tani ka tre fëmijë. 

Raste të tilla ku duhet reaguar me urgjencë për të largohet mitrën, në mënyrë që të shpëtohet jeta e nënës, hasen rrallë në praktikën mjekësore. Janë raste ku bëhet fjalë për jetë apo vdekje të pacientes.

Komplikime të tilla ndodhin kryesisht te gratë që kanë kryer lindje me operacion. 

…………………

Foto: Dr Burbuqe Mustafa me ekipin e saj 

Filed Under: Featured Tagged With: Ilmi Musliu- Burbuqe Mustafa-Mjekja sfidon

“DIELLI”, PJESE E MEDIAS NDERKOMBETARE NE ZGJEDHJET E KOSOVES

October 5, 2019 by dgreca

KOSOVA NË ZGJEDHJET E SHTATA PARLEMENTARE NË LIRI/

-Zgjedhjet parlamentare të së dielës së 6 Tetorit 2019 me 1.067 kandidatë nga 25 subjekte politike për 120 deputetët e Kuvendit të Kosovës, të shtatat në 20 vjet liri e të katërtat në 11 vjet pavarësi/

-Shtetet e QUINT-it: Mundësi vendimtare për qytetarët e Kosovës që të vendosin për drejtimin e shtetit/

-SHBA: Ne respektojmë të drejtën dhe përgjegjësinë e votuevse të Kosovës që të zgjedhin të ardhmen e tyre/

-Organi i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës VATRA – Gazeta DIELLI me korrespondentin në Prishtinë është Vëzhguese e Zgjedhjeve të Parakohëshme Parlamentare 2019 në Kosovë, akredituar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve/  

-Në Kosovën e lirë nga Qershori 1999, të parat zgjedhje parlamentare u mbajtën në 17 Nëntor 2001. Legjislatura e tretë, e  zgjedhjeve të 17 Nëntorit 2007, ishte ajo që ka hyrë në histori me shpalljen e Pavarësisë së Kosovës në 17 Shkurt 2008/

-Zgjedhjet e para pluraliste në Kosovë ishin parlamentare dhe presidenciale, të mbajtura para  27 vitesh, në 24 Maj 1992, si pjesë e lëvizjes për liri e pavarësi/SPECIALE-Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI

PRISHTINË, 5 Tetor 2019/ Kosova të dielën e 6 Tetorit 2019 voton në zgjedhjet parlamentare të shtata në 20 vjet liri, të katërta në 11 vjet pavarësi e të tretat të njëpasnjëshme të parakohëshme, në të cilat për 120 vende deputetetësh në Kuvend garojnë 1.067 kandidatë, prej tyre 343 femra  dhe 724 meshkuj, nga 25 subjekte politike: 4 koalicione, 20 parti politike dhe 1 kandidat i pavarur, të certifikuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

Në mesnatën mes të premtës e të shtunës ka përfunduar fushata elektorale e vlerësuar demokratike dhe e qetë, me pjesëmarrje masive të qytetarëve në tubime, ndërsa ka filluar heshtja zgjedhore, e cila zgjatë deri në mbylljen e vendvotimeve në mbrëmjen e së dielës, kur do nisë numërimi i votave dhe bëhen të ditura rezultatet e para preliminare.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka certifikuar edhe listën përfundimtare të votuesve, e cila përmban 1 milion e 937 mijë e 868 votuesë, prej tyre 111 mijë e 733 për herë të parë me të drejtë vote.

Në mëngjesin e 6 Tetorit në gjithë Kosovën, në lokalitetet e të 38 komunave, do hapen 895 qendra të votimit me 2.547 vendvotime, ndërsa i gjithë procesi do monitorohet nga një numër i madh i vëzhguesëve nga vendi dhe bota. Janë mëse 34 mijë e 500 vëzhguesë të akredituar nga Komisioni Qendror të Zgjedhjeve të Kosovës.

Mes tjerash, në 3 Shtator 2019, është nënshkruar Marrëveshja Administrative mes Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për vëzhgimin e zgjedhjeve të parakohëshme parlamentare të 6 Tetorit 2019.

Në 30 gusht, më shumë se një muaj para ditës së zgjedhjeve, ambasadorët e shteteve të QUINT-it në Prishtinë në një deklaratë  dërguar nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës theksonin mes tjerash: “Zgjedhjet e ardhshme janë mundësi vendimtare për qytetarët e Kosovës që të vendosin për drejtimin e shtetit. Qytetarët e Kosovës meritojnë premtimin për të ardhme paqësore dhe të begatë, dhe e vetmja rrugë për të siguruar këtë të ardhme është përmes shprehjes së vullnetit të popullit në këto zgjedhje”.

Ndërsa, në 1 Tetor 2019 në një deklaratë të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë lidhur me zgjedhjet e 6 Tetorit theksohej:

“Qeveria e SHBA-ve nuk parapëlqen dhe nuk mbështetë ndonjë parti politike apo kandidatë në zgjedhjet e kësaj jave. Ne respektojmë të drejtën dhe përgjegjësinë e votuevse të Kosovës që të zgjedhin të ardhmen e tyre”.

Organi i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës VATRA – Gazeta DIELLI me korrespondentin në Prishtinë është Vëzhguese e Zgjedhjeve të Parakohëshme Parlamentare 2019 në Kosovë, akredituar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.  ID-Kartela e akreditimit iu dha pasditën e djeshme, si edhe vëzhguesëve të tjerë.

Në Kosovën e lirë nga Qershori 1999, të parat zgjedhje parlamentare u mbajtën në 17 Nëntor 2001, kur numri i votuesve të regjistruar ishte 1,249,987, ndërsa pjesëmarrja në zgjedhje 803,796 votuesë – 64.30%.

Zgjedhjet e dyta parlamentare u zhvilluan në 23 Tetor 2004. Numri i votuesve të regjistruar ishte 1,412,680, ndërsa pjesëmarrja në zgjedhje 699,519 votuesë – 49.52%.

Zgjedhjet e treta parlamentare u mbajtën në 17 Nëntor 2007. Numri i votuesve të regjistruar ishte 1,567,690, ndërsa pjesëmarrja në zgjedhje 628,630 votuesë – 40.09%. Legjislatura e këtyre zgjedhjeve, e treta, ishte ajo që ka hyrë në histori me shpalljen e Pavarësisë së Kosovës në 17 Shkurt 2008.

Zgjedhjet e katërta parlamentare në liri, të parat në pavarësi, u zhvilluan në 12 Dhjetor 2010. Numri i votuesve të regjistruar ishte 1,632,276, ndërsa pjesëmarrja në zgjedhje 706,317 votuesë – 45.29%.

Zgjedhjet e pesta parlamentare në liri, të dytat në pavarësi, u zhvilluan në 8 Qershor 2014. Numri i votuesve të regjistruar ishte  1,799,023, ndërsa pjesëmarrja në zgjedhje 734,055 votuesë – 42.63%. 

Zgjedhjet e gjashta parlamentare në liri, të tretat në pavarësi, u zhvilluan në 11 Qershor 2017. Numri i votuesve të regjistruar ishte 1,888,059, ndërsa  pjesëmarrja në zgjedhje 779,729 votuesë – 41.3%.

Zgjedhjet e para pluraliste në Kosovë ishin parlamentare dhe presidenciale, të mbajtura para  27 vitesh, në 24 Maj 1992, si pjesë e lëvizjes për liri e pavarësi, në rrethana të rënda të okupimit e shtetrrethimit nga regjimi i dhunës serbe.

Ishin ato zgjedhje të rezistencës gjithëpopullore kosovare të shqiptarëve që krijuan një rend demokratik dhe forcuan institucionalisht Republikën e shpallur të Kosovës në zhvillime historike, që pasonin Deklaratën e Pavarësisë të 2 Korrikut e Kushtetutën e 7 Shtatorit 1990, si dhe Referendumin e zhvilluar nga 26 deri 30 Shtator 1991, në të cilin për Kosovën Shtet Sovran dhe i Pavarur u deklaruan pro 99,87 për qind e qytetarëve pjesëmarrës masivisht në votim – 87,01 për qind.Në mbledhjen 2 Majit 1992 Kuvendi kosovar shpalli zgjedhjet shumëpartiake, në të cilat partitë politike angazhoheshin jo për rivalitete mes tyre, por të gjitha së bashku për vendosjen e pushtetit të Kosovës në Kosovë, të lirisë e demokracisë, në vend të pushtetit të Serbisë, të okupimit e imponimit.

Filed Under: Featured Tagged With: Behlul Jashari-Dielli-Zgjedhjet en Kosove

Pasdite ndryshe në Vatër…

October 3, 2019 by dgreca

NGA MARJANA BULKU/


Ka pothuaj 110- vjet që PAN Shqiptarja Vatra është  shtegu gjithmonë i hapur  nga ky hyjnë e dalin njerëz, ngjarje, vepra, histori. Por këtë pasdite tetori kjo sallë modeste historish madhështore , gjalloi ndryshe. Prezenca e artistes së madhe Inva Mula e cila tërë jetën ia ka kushtuar artit dhe muzikës , i dha ngjyra tjera këtyre mjediseve ku historia flet me zë  dhe figurë , vepra e portrete , antologji.Prezenca e një artisteje të madhe si ajo, Olen Çezarit, Dëshira Ahmetit, Frederik Ndocit, etj natyrisht që i japin një dimension të ri asaj historie që gjallon edhe pse e largët . Prezenca e tyre rrëfen se sa shumë kënga i këndoi historisë, ndjenjave më të bukura njerëzore të cilat i dalin zot kombit në ditët e veta të vêshtira , e mbajnë gjallë atë.Mendimi rrëshqet bukur nëpër tingujt që ka dhjetra vjet që bashkëjetojnë me fjalën dhe këndohen nga dhjetra zëra duke përcjellë ngjyra emocionesh. Ishte një takim i veçantë që edhe pse  në një ditë pune , me ngarkesat e trafikut, lodhjes pati tërë angazhimin e drejtuesve të Vatrës ; Dritan Mishto, Agim Rexhaj, Dalip Greca, etj, madje edhe u ndoq nga Adem Belliu dhe Albanian Culture tv për ta memorizuar dhe përcjellë në kujtesën e shumkujt atë ngjarje ku historia e një artisteje zbërthehet në dhjetra histori aktesh artistike, interpretimesh, mesazesh që na bëjnë ta perceptojmë artin jo si një mur i lartë mrekullish por si një urë që na lidh , na afron , na bën më të bukur në shpirt.Dy vite më parë , në parlamentin e Ontarios festohej trashëgimnia kulturore shqiptare , falë kujdesit të Dr . Ruki Kondaj dhe komunitetit Shqiptaro-Kanadez të cilët e nderojnë ligjërisht kulturën shqiptare e ku e ftuar Nderi ishte ikona e artit shqiptar në rrënjë e deje Inva Mula pata edhe rastin ta njoh dhe dëgjoj nga afër zërin me të cilin ishim rritur.Teksa këndonte “Moj e bukura More”, një këngë e stërlashtë e cila ka origjinë të hershme dhe ka jehuar anekënd kohëve , lotët më rridhnin pa kontroll dhe ndjeja se interpretimi i Invës shkaktonte emocione të rralla, ndoshta për shkak të statusit tim të ri prej emigranteje, ndoshta sepse e ndjej muzikën e praktikuar bukur por pa dyshim përvoja artistike ta sjell veprën në mënyrën më të përsosur të mundshme. Kjo ndodhi përsëri në Vatër , rrethuar nga dashamirës dhe miq, fjalë zemre e mesazhe , tinguj dhe interpretime të improvizuara të cilat edhe pse jo në skena gjigande konfirmojnë madhështi artistësh që i falin sistematikisht historisë akte dhe vepra që nuk vdesin. Inva Mula, bija e artistit të madh Avni Mula, soprano e operave ndërkombëtare që famën e ka fituar me punë dhe pasion , në vatrën historike u duk më madhështore se kurrë. Sepse udhëtimi i saj artistik është përkushtimi ndaj të resë së bukur të spektakleve “ Virtuozët” MIK festival , e tashmë Udhëtim nëpër botë përmes muzikës , një udhëtim ky jo vetëm i saj por edhe i shumë artistëve , të rinj apo të vjetër, brenda apo jasht Shqipërisë , por që Shqipërinë e bëjnë të njohur dhe të pavdekshme ngado shtegton tingulli i saj , i tyre, i yni.Marjana Bulku 3 tetor 2019

Filed Under: Featured Tagged With: Marjana Bulku-Pasdite ndryshe- në Vatër

VATRA MIREPRET ARTISTEN INVA MULA

October 3, 2019 by dgreca

SPEKTAKLI I SAJ ME INTRUMENTISTET OLEN CEZARI DHE GENC TUKICI NE DATEN 5 TETOR NE GRAND PROSPECT HALL /

Nga Rafaela Prifti/

Sopranoja shqiptare e permasave nderkombetare Inva Mula vizitoi seline e Federates Vatra. Ajo ka ardhur ne nje nga kryeqendrat e botes se artit disa here dhe eshte mirepritur nga publiku artdashes ne skenat e njohura si Metropolitan Opera dhe Carnegie Hall te Nju Jorkut, por kjo ishte hera e pare qe hynte ne dyert e Vatres. Dritan Mishto, Kryetari i Federates Pan-Shqiptare te Amerikes Vatra e pershendeti dhe uroi mireseardhjen sopranos Inva Mula, si edhe violinistit Olen Cezari. Me pak humor, ai verejti se per dallim nga vizitat e autoriteteve e mysafireve te nderuar, ne pritjen per Inva Mulen ne Vater kishte prani te dukshme te gjinise femerore. “Nuk e kam ditur qe ketu eshte nje shoqate qe te pret me krahet dhe dyert hapur,” iu tha artisja te gjithe pjesemarresve ne takimin e mbremjes se dites se merkure. Duke buzeqeshur ajo shtoi se perpara kesaj vizite nuk e dinte qe njihte prej kohe shume anetare e funksionare te Vatres, si Ambasadorin Mal Berisha, Anetaren e Kryesise Marjana Bulku, Koordinatorin e Aktiviteteve Frederik Ndoci e shume Vatrane te tjere. Spektakli i quajtur “Around the World with Music” u formesua vetvetiu pasi tre artistet ishin gjendur bashke ne shfaqje te paraqitura nga organizatore te ndryshem. Sopranoja me status boteror Inva Mula dhe dy instrumentistet e mirenjohur Genc Tukici dhe Olen Cezari kishin afinitet dhe komunikim aq te mire sa ideja e spektaklit lindi natyrshem, tha artistja mbreme. Ata e filluan turneun ne Kanada me koncertet ne Ottawa, Toronto dhe Montreal. Emocionet e percjella nga salla ndaj ekzekutimit te nje repertori ‘fluid’ sic e pershkruan ate violinisti Olen Cezari, jane te pastra dhe te paperseritshme. Artisja Inva Mula tregoi se nje nga momentet me prekese te shfaqjes ne Toronto ishte ‘ritakimi ne salle’ me mesuesen e saj te Liceut Artistik Jordan Misja ne Tirane znj. Paparisto. Ajo kujtoi dhe kendoi se bashku me te pikerisht kengen e mesuar ne leksionin e kantos “Kenke nur’ i bukurise’ gati tri dekada me pare. Nga Kanadaja, turneu vazhdoi ne Michigan me nje spektakel te suksesshem. Krahas me pershkrimin e turneut, sopranoja tregonte per perjetimet e saj ne takimet me komunitetin shqiptar. Per Detroitin, ajo u shpreh se ishte ‘parathenia’ e vizites ne seline e Vatres sepse takimi me drejtuesit e Deges se Vatres aty kishte qene shume mbreselenes. Per spektaktin ne Nju Jork, organizatorja Deshira Ahmeti Kerliu dhe bashkeshorti i saj duan te kene rastin te kenaqin sa me shume spektatore ne sallen gjigante te stilit Viktorian te ndertuar ne fund te shekullit 19.

 Informacioni per bileta dhe adresa do te postohen tek Dielli. 

Grand Prospect Hall, Brooklyn 

E shtune, Tetor 5, 2019

Ora 7:30

Mbyllja e vizites u shoqerua me nje potpuri te kengeve te njohura te interpretuara ne duet nga artisja Inva Mula dhe Frederik Ndoci dhe pastaj me shoqerim te gjithe te pranishmeve ne sallen e mbushur te selise se Vatres.

  • Per me shume foto shihni ne Facebook

Filed Under: Featured Tagged With: Rafaela Prifti-Inva Mula-VATER

OCTOBER 3 – 5, GERMANY COMMEMORATES REUNIFICATION

October 3, 2019 by dgreca

By Rafaela Prifti/ DIELLI

Today marks the historical event of German Reunification. Twenty nine years ago, the former German Democratic Republic officially joined the Federal Republic of Germany. It is commemorated with a three-day festival around Platz der Republik at the Reichstag and the Brandenburg Gate. In 1990, the East and West Germany were reunited amid the collapse of communism and the end of Cold War era. “The fall of the Berlin Wall on the 9th of November in 1989, which marked the end of the Cold War, had paved the way for German reunification barely a year later. The Unification Treaty that was signed on the 20th of September in 1990 and declares the 3rd of October the national holiday, sealed the end of the division of Germany.” (Official Website of Berlin) The upheaval of the late 1980s and early 1990s were so profound that Yoshiro Francis Fukuyama, an American political scientist and political economist, argued in his book The End of History and the Last Man (1992), that the Western system of liberal democracies and the free market model of capitalism would ascend as “the final form of human government.” 

Looking back, the collapse of Soviet Union in 1991 did not put an end to communism. One example is China. Although the ideology of the Communist Party of China has undergone dramatic changes throughout the years, the Communist Party of China is committed to communism. In the decades following Germany’s Reunification, the world has witnessed the rise of dictatorships, ultra-nationalism and state-sponsored terrorism. 

In a bit of irony, at the Rinia Park, the central public park of Tirana, Albania, that was built in 1950 during the communist era, there stands a fragment of the Berlin Wall. The 2.6 ton graffiti-covered slab piece was donated by the city of Berlin. Installed in 2013 to commemorate the victims of Albania’s communist regime, the fragment of the wall is part of a Memorial, that is the work of writer and former political dissident Fatos Lubonja and artist Ardian Isufi. The installation includes a concrete bunker and some pillars from the notorious camp of Spac.  

Filed Under: Featured Tagged With: Rafaela Prifti-GERMANY -COMMEMORATES- REUNIFICATION

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 307
  • 308
  • 309
  • 310
  • 311
  • …
  • 901
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • KELETI UJSÁG (1931) / “NJË MUAJ PRANË MBRETIT ZOG, THEMELUESIT TË SHQIPËRISË MODERNE…” — INTERVISTA ME MÁRTON HOSSZÚ, PIKTORIN NGA KOLOZSVÁR-I
  • Si “Albanian Mafia” zëvendësoi Cosa Nostra-n dhe po rrezikon Shqipërinë
  • Për vendlindjen, komunitetin e kombin…
  • Kur liria e njërit, bëhet burgu i tjetrit 
  • Eleganca në mërgim – gruaja me mantelin e Shqipërisë
  • Çfarë na ka mbetur nga trashëgimia e Ismail Qemal Vlorës?
  • Përkujtojmë në ditën e lindjes poetin, shkrimtarin dhe dramaturgun e shquar Viktor Eftimiu
  • 𝐖𝐢𝐧𝐬𝐭𝐨𝐧 𝐂𝐡𝐮𝐫𝐜𝐡𝐢𝐥𝐥 𝐝𝐡𝐞 𝐃𝐞𝐭𝐚𝐧𝐭𝐚 𝐋𝐢𝐧𝐝𝐣𝐞-𝐏𝐞𝐫𝐞̈𝐧𝐝𝐢𝐦
  • DËSHMI LETRARE E NJË KOHE TRAGJIKOMIKE  
  • SHBA dhe arkitektura e re e paqes globale: Diplomacia strategjike dhe ndërtimi i rendit të ri ndërkombëtar në epokën e demokracive të avancuara
  • Isa Boletini, Rënia si Akt Themelues i Ndërgjegjes Kombëtare dhe Alarm i Përhershëm i Historisë Shqiptare
  • Kongresi i Lushnjës dhe periudha përgatitore për Luftën e Vlorës 1920
  • GJON MILI DHE EKSPOZITA MЁ E MADHE FOTOGRAFIKE BOTЁRORE E TЁ GJITHA KOHRAVE
  • Rezoluta-6411,nga SHBA-ja, do të jetëson ndaljen e diskriminimit dhe  zgjidh drejt çështjen e Krahinës Shqiptare
  • IBRAHIM RUGOVA: BURRËSHTETASI QË E SFIDOI DHUNËN ME QYTETËRIM 

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT