• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

SHQIPTARË DHE GREKË PËRBALLEN NË MANHATTAN

June 28, 2019 by dgreca

SHQIPTARË DHE GREKË PËRBALLEN NË PROTESTËN E 75 VJETORIT TË MASAKRAVE GREKE NË ÇAMËRI/

NGA DALIP GRECA/DIELLI/

Në 75 vjetorin e masakrës greke ndaj popullsisë së pambrojtur shqiptare të Çamërisë, të Enjten me 27 qershor, në orën 12.00, Presidenti i Rrënjëve Shqiptare Marko Kepi në bashkëpunim më Çamërinë dhe organizatat e tjera të komunitetit organizuan protestën paqsore përballë Misionit dhe Konsullatës greke në 79 St, mes Park Av & Madison. 


Në qendër të protestës ishte Marko Kepi, president i Rrënëjve Shqiptare dhe Sali Bollati, i mbijetuar i masakrave greke ndaj popullsisë Çame, që e pa dhe e përjetoi tragjedinë me sytë e një fëmije 7 vjeçar.
Përballë protestusëve shqiptarë u kundërvunë një grup i vogël grekësh, që duket se strehën e kishin tek konsullata greke. Me flamurin grek dhe me një banderolë ku akuzonin shqiptarët për vrasjen e terroristit Kostandin(os) Kacifos, sipas tyre i ktheyr në hero për Vorio Epirin.Nuk është hera parë që ky grupim i vogël grekësh i kundërvihet Rrënjëve Shqiptare. E njëjta histori pat ndodhur pak muaj më parë nga përballje në Brooklyn, ku ata ikën të turpëruar nga logjika dhe kundërvënia e shqiptarëve.
Qëllimi këtë herë duket se ishte të bënin zhurmuesin, përballë kërkesave të protestuesëve shqiptarë për drejtësi dhe njohje të gjenocidit nga Greqia. Ka 75 vjet që Greqia përpiqet që ta mohojë masakrën, që përbën njollën e turpit për vendin që pretendon qytetërim të lashtë. Natyrisht që numri i vogël i protestusëve grekë të orkestruar si zhurmues, edhe pse kishin në mesin tyre gazetarë e kamera, bënë që ata të dështonin. Muhamet Omari u kërkoi leje policëve, që siguronin protestën, për t’u ofruar ujë grekëve që shanin, britnin e shkulmonin sharje e ofendime papushim. Natyrisht ishte një mësim edukate për grekët që u ka mbetur ora tek përralla me Vorio Epir grek! Ndër parullat që ata hidhnin ishin edhe thirrjet se Ju shqiptarë nuk jeni Ilir, ndërsa shqiptarët ua kthenin duke i akuzuar se ata ishin magjypë të ardhur…
Sali Bollati, i mbijetuari për të dëshmuar masakrën deri sa të ketë frymë , prezanton dhimbjen dhe historinë e tij se çfarë ndodhi me familjen në kohën e tragjdisë. Ai e ka parasysh tablon e tmerrshme tragjike: Gjyshin 82 vjeçar, Muahrremin, e kishin tërhequr zvarrë dhe e kishin pushkatuar në oborr; vëllanë e madh 10 vjeçar Ferhatin e kishin vrarë tek shtepia e hallë Shazijes, nënën e gjorë zervistët ia vranë në xhaminë e Bollatëve, ndersa nga baba mori vetem imazhin e nje fotografie… . Ai së bashku me jetimët e mbetur gëlltiti tragjedinë dhe eci pas fatit të zi, duke kaluar jetë burgu e më pas rrugëtimin e vështirë, ikjen drejt Shqipërisë…Tragjedia nuk kishte përfunduar, Faruku, vëllai 5 vjeçar, që kishet marrë ftohje në burg dhe gjatë rrugëtimit, humbi jetën në spitalin e Vlorës. Mbeti gjallë vetëm ai, Saliu 7 vjeçar, dhe motra 10 vjeçare, Qerimani. Sali Bollati sapo nis të tregojë tragjedinë e tij zhurmuesi i pakicës greke nisi furinë e thirrjeve dhe sharjeve. Ata nuk diën të respektojnë as të vdekurit….Më pas është Izmir Bako, që tregon historinë e familjes së tij. Ai mbanë edhe një panakrtë të madhe ku shkruhet historia e Bakove. Kur grekët zhurmues thërrasin se çamët ishin kolaboracionistë me pushtuesit, Bako u afrohet afër grekëve dhe u nxjerr parasyve pankartën ku shkruhet në gjuhën angleze, se kur u vranë në Paramithi më qershorin e 1944, Hatixhe Bako ishte vetëm 4 vjeç, Makbule Bako 2 vjeç, Baki Bako 1 vjeç, dhe… propaganda greke flet për kolaboracionistë? A mund të vrisnin këta fëmijë?
Marko Kepi në fjalën e tij plot mençuri u thotë grekëve përballë se çamët kërkojnë vetëm drejtësi. Shteti grek dueht ta njohë genocidin që mori mijëra jetë të pafajshme. Më pas ai lexon listën plot dhimbje, kur fëmijë të vegjël u vranë në mënyrën më makabre nga një ushtri e helmatisur nga shovinizmi dhe spastrimi etnik…Grekët përbalël, zhurmojnë që të mos i dëgjojnë moshat e fëmijëve ët vrarë, 2 vjeç, 1 vjeçe, 3 vjeç…Ata vetëm thërresin emrin e heroit ët tyre terrorist, që qëlloi mbi policinë shqiptare; në çdo vend tjetër do të merrte të njëtën përgjigje. terroristi nuk mund të bëhet hero.
Tragjedia na kujton: Masakra e ushtrisë zerviste e nisën marshimin e vdekjes mbi njerëz të pafajshëm me 27 qershor 1944 në qytetin e Paramithisë për ta përfunduar në mars të 1945-së me atë që njihet si masakra e Filatit. Statistika e publikuara nga media botërore, por edhe në gazetën Dielli në vitet 1944-48, flasin për rreth 3 mijë shqiptarë të vrarë, kryesisht fëmijë e pleq. Rreth 750 gra u përdhunuan nga zervistët, 90 fshatra u shkatërruan, 110 xhami u dogjën dhe një masë e madhe refugjatësh u përzunë dhunshëm nga vatart e tyre, plot 30 mijë. Kjo është tragjedia që ende nuk pranohet për turpin e shtetit grek as sot e kësaj dite, 75 vjet pasi ka ndodhë. Si mundet, që një shtet që pretendon kulturë e qytetërim të lashtë të mohojë tragjedinë që e shkatuan ushtarakët e saj? 
Nazo Veliu, sekretarja e Vatrës, me origjinë nga Çamëria, e ngriti zërin në emër të grave çame dhe kërkoi drejtësi dhe njohje të tragjedisë. Ajo gjatë të gjithë kohës replikoi me grekët duke ua treguar vendin.
Pas protestës për një orë e 30 minuta në vapën e nxehtë në një temperaturë rreth 90 gradë, pasi masa e vogël e grekëve u strehua andej nga kishin hyrë, vargu i protestusëve shqiptarë u drejtuan drejt Misionit të Shqipërisë që ndodhet në të njëjtën rrugë. Edhe pse dyert ishin të mbyllura, foëlsit e ngritën zërin që matanë xhamave të dëgjoheshin thirrjet dhe apeli i tyre për ta ngritur çështjen çame në instacat ndërkomëbtare. Ata kritikuan ashpër qeverinë shqiptare që nuk e ngre zërin për tragjedinë e ndodhur dhe nuk artikulon kërkimin e njohjes nga shteti grek. Marko Kepi, Sali Bollati, Nazo Veliu, Hakik Mema, Marjan Cubi, Muhamet Omari, Xheladin Zeneli, dhe shuëm të tjerë kërkuan drejtësi dhe ndërkombëtarizm të çështjes Çame.
Në fund, të gjitah Pankartat dhe një Listë -apel, me emrat e fëmiëjve të masakruar, u lanë tek dera e Misionit.
Protestën e mbështeti edhe Federata Vatra e cila u përfaqësua me Zv/ nënkryetarin e saj z. Agim Rexhaj, sekretaren me origjinë Çame, Nazo Veliu, anëtarin e Kryesisë së Vatrës, njëkohësisht arkëtar i saj, Marjan Cubi, anëtarët e Këshillit Idriz Lamaj, Anton Raja, Muhamet Omari me zonjën, Asllan Bushati, editori i Diellit, ndryshe nga organizatat e tjera, që kishin vetëm kryetarët. Të pranishëm ishin kryetari i Legalitetit Hakik Mena, kryetari i Shoqatës Dibra Dashamir Myftari, Kryetari i Fondacionit Plavë-Guci, përfaqësues nga Fondacioni Dom Simon Filipaj, Xheladin Zenelaj nga Ana e Malit e të tjerë.
Në fund një vërejtje për komunitetin: Patriotizmi nuk shprehet vetëm në Facebook, por edhe duke iu bashkuar veprimtarive të tilla që kanë të bëjnë me çështjen tonë Kombëtare, aq më shumë që bëhej fjalë për një tragjedi, së cilës ende i ndjehen rënkimet e foshnjëve, pleqëve dhe grave dhe kërkojnë DREJTËSI!

Filed Under: Featured Tagged With: Dalip Greca-Gjenocidi kunder Cameve-Greket

Shqipëri, KiE anulon misionin e vëzhgimit të zgjedhjeve

June 26, 2019 by dgreca

Në Shqipëri, Kongresi i Autoriteteve Rajonale dhe Lokale, strukturë e pavarur e Këshillit të Europës, ka njoftuar sot se ka anulluar dërgimin e misionit të vëzhguesve të vet për zgjedhjet vendore, për shkak të paqartësive mbi zhvillimin e zgjedhjeve dhe pasigurisë së mundshme në disa zona të vendit. Kryetari Demokrat Lulzim Basha reagoi menjëherë duke deklaruar se bëhet fjalë sipas tij për një vendim politik, pasi 30 Qershori u shpreh ai nuk është ligjërisht një ditë zgjedhjesh…

Një ditë përpara se të niste në Tiranë, takimet e planifikuara të misionit të tij të vëzhguesve, Kongresi i Autoriteteve Rajonale dhe Lokale, ka njoftuar sot tërheqjen nga monitorimi i zgjedhjeve vendore të 30 Qershorit. Kongresi është një strukturë e pavarur e Këshillit të Euroës, dedikuar demokracisë vendore. Misioni i vëzhgimit në Shqipëri ishte parashikuar të përbëhej nga 26 anëtarë. Shkak i anullimit është bërë sipas njoftimit “pasiguria e vazhdueshme lidhur me organizimin e zgjedhjeve vendore të 30 Qershorit dhe rreziqet e mundshme të sigurisë në disa zona ku do mund të zhvendoseshin vëzhguesit”

Menjëherë pas këtij njoftimi, ka reaguar kryetari demokrat Lulzim Basha, sipas të cilit ku vendim është marrë “sepse 30 Qershori nuk është ligjërisht ditë zgjedhjesh në Shqipëri.Është një vendim qartësisht politik sepse tërheqje nga Këshilli i Europës nuk ka patur as për zgjedhje të zhvilluara në zona konfliktesh të armatosura apo konfliktesh civile nga Ukraina në Gjeorgji nga Armenia në Azerbajxhan apo edhe gjatë konfliktit të armatosur në Maqedoni”.

Zoti Basha vijoi më tej duke shtuar se kjo tërheqje “është distancim i qartë nga votimet farsë një-partiake, anti-demokratike dhe anti-kushtetuese që kërkon të bëjë Edi Rama”. Ai përsëriti se “votimet e 30 qershorit janë nul, janë dhe do të jenë zero. Ato janë tentativë për grusht shteti i Edi Ramës për të rrëmbyer të gjithë qeverisjen vendore të Shqipërisë, me të njëjtat banda dhe me të njëjtët kriminelë që vodhi edhe zgjedhjet e 2015-s dhe të 2017-s. Opozita dhe qytetarët janë në këmbë në mbrojtje të Kushtetutës, në mbrojtje tëdemokracisë! Ne nuk do të lejojmë votime të paligjshme dhe farsë!”

Nga ana e tij kryeministri Edi Rama u kundërpërgjigj, duke folur për “sajesën e radhës” sipas tij, të kryetarot të opozitës.

Misioni i Kongresit të Autoriteteve Rajonale dhe Lokale, si rregull, e koordinon aktivtetin e tij në terren me vëzhguesit e ODIHR-it, duke dhënë një ditë pas zgjedhjeve dhe një vlerësim paraprak të përbashkët. Për zgjedhjet e 30 Qershorit misioni i ODHIR-it përbëhet nga më shumë se 30 ekspertë dhe vëzhgues afatgjatë, ndërsa është parashikuar që për ditën e votimit të mbërrijnë dhe 150 vëzhgues afatshkurtër. Drejtuesja e misionit të ODIHR, Audry Glover, pati sot një takim dhe me kryetarin demokrat Lulzim Basha.

Filed Under: Featured Tagged With: Shqiperia-KIE- Zgjedhjet

FESTIVALI I USTERIT, PASAPORTA IDENTITARE E SHQIPTARËVE….

June 26, 2019 by dgreca

….JO VETËM NË MASSACHUSETTS….

DIELLI-FESTIVALI I USTERIT, PASAPORTA IDENTITARE E SHQIPTARËVE, JO VETËM NË MASSACHUSETTS /

Shqiptarët e Amerikës organizojnë prej disa dekadave festivale, ku shpalosin vlerat identitare të Kombit, siç është Festivali i Shqiptarëve të Nju Jork-ut , festivali në Waterbury, festivali i Detroitit, por më jetëgjati prej tyre, më i hershmi, që organizohet në një cikël kohor në çdo dy vjet, është ai i Worcesterit, që ka për organizatore Kishën Orthodokse “Fjetja e Shën Marisë”. Kisha ka pritë e ndihmuar mijëra shqiptarë që kanë mbërritur në këtë qytet përgjatë 100 viteve të fundit. Tradita ka nisë që me 1 qershor 1983.

Festivali i Usterit është i veçantë për faktin se ka arritur që të fitojë statusin e përkrahjes jo vetëm nga komuniteti shqiptar, por edhe nga ai amerikan, si dhe nga; bashkia e qytetit, nga institucionet sociale dhe kulturore, nga figura të njohura politike lokale e qendrore, nga departamenti i policisë, Sherifi i Worcester County, Lew Evangelidis, me origjinë shqiptare, ambasada e Shqipërisë në Washington, ka mbështetjen e institucioneve shkollore,Muzeut të qytetit, dhe ka mbështjen e më shumë se 120 kompanive, bankave, e individë që reklamojnë në mbështetje të festivalit. Drejtuesit e festivalit pohojnë se në tre ditët e kësaj ngjarjeje kulturore numri i vizitorëve shkon më shumë se 12 mijë, ndërkohë që gjeografia e pjesmarrësve shtrihet nga Toronto-Kanada, Florida, Illinois, New York, New Jersey, Connecticutt etj.

                                          ***

 Në pamundësi për të qenë të pranishëm në natën e parë të festivalit, të premten me 31 Maj, editori së bashku me anëtarin e  kryesisë së Vatrës, arkëtarin Marjan Cubi, udhëtuan për në Worcester, për të qenv të pranishëm në ditën e  dytë, të shtunën me 1 qershor. Edhe pse festivali fillonte në orën 12 të mesditës, ne arritëm shumë herët. Mikpritësi ynë , studiuesi Thanas Gjika, sekretar i degës së Vatrës të Usterit, sapo u takuam na ftoi në shtëpinë e tij, ku së bashku me zonjën Julia, na ofroi mëngjes, bujari e mikpritje. Në emër të Jurisë së konkursit të 110 vjetorit të Gazetës Dielli, editori dhe z. Cubi, i dorëzuan studiuesit Thanas Gjika çertifikatën dhe pllakën simbolike të fituesit të konkursit për studimin më të Mirë: “Vështrim Krahasimtar në Studimet e Sotme për Faik Konicën”.

  Më pas çvendosemi në mjediset e festivalit.Tenda e madhe ka filluar të mbushet herët.Ushqimet janë gati. Të duket se je në një panair ku serviren ushqime të shumëllojshme dhe autentike shqiptare që gatuhen aty; qengja të pjekur, shish kebap, meatballs, suxhuk, por mbi të gjitha lakrorët karakteristikë të Korcës; ku preferohen ata me spinaq, pastiço të ndryshme, musaka, bakllavë, tiramisu,petulla e biskota të ndryshme,shumë ëmbëlsira të llojeve të ndryshme etj.

Nën shoqërimin e Thanas Gjikës ne takuam e fotografuam dhjetëra bashkatdhetarë, individë dhe familje, ndër ta dhe familje vatranësh.

Në mjediset përreth tendës dhe brenda kishës vizituam pazarin, ku shiteshin orendi, veshje me simbolet kuq e zi, ikona dhe simbole të tjera kishtare,punime argjendarie, ekspozitën e piktorit Sterio Shkodrani, punimet në dru të mjeshtrit Zija Karini, Shtëpinë e Kujdesit për të moshuar me emrin”Vatra” me qendër në Boston etj.

   Takuam edhe me koreografin e njohur, Dhimitraq Demiri, që prej vitesh u mëson brezave të rinj vallet e traditës shqiptare. Janë me dhjetëra fëmijë që mësojnë prej maestros vallet e bukura shqiptare prej një periudhë prej 12 vjetësh. Më shumë se 150 fëmijë kanë kanë mësuar dhe kanë interpretuar vallet e bukura tradicionale shqiptare nën drejtimin e mjeshtrit Demiri. Për këtë festival, ai ka përgatitur me fëmijët 7 valle të reja, që u interpretuan me shkathtësi e dinamizëm.

Koreografi udhëton 5 mile në ditë për t’u mësuar fëmijëve vallet. Është pasioni,që i përballon vështirësitë e kësaj pune vullnetare, thotë ai për Diellin.

Dhimitraq Demiri është rritur me vallet dhe identifikohet me to. Ai kujton se pasionin për vallet e kishte zbuluar një mësues i tij që kur ishte në klasën e pestë të tetëvjeçares. Ai që kishte spikatur talentin e lindur për vallet të Dhimitraqit, kishte qenë vëllai i mjeshtrit Agron Aliaj, që e rekomandoi të studionte në shkollën koreografike, të cilën e nisi më 1982 dhe e përfundoi më 1986. Ai kujton suksesin e  parë në skenat jashtë vendit kur u përfshi në radhët e asamblit” Skënderbeu” të Korçës.

Pas bisedës, grupin e valleve”Valletona”, e ndoqëm dhe e duartrokitëm në skenën e festivalit, ku tre breza valltarësh, shpalosën magjinë e valleve tradicionale shqiptare nga të gjitha trevat e vendit.

Dy bashkëkryetarët e Festivalit, nënkryetari i degës së Vatrës Franklin Zdruli dhe vatrani Gregory  Steffon, ishte e vështirë t’i gjeje një moment të lirë. Por më në fund, u takuam dhe ata u vunë në dispozicionin tonë për të përcjellë informacionet e kërkuara. Franklin Zdrili përshkruan natën e parë të festivalit, ku ceremonia kishte qenë emocionuse.Në përgjigje të pyetjes tonë se kur kishin filluar përgatitjet për edicionin e sivjetshëm, Zdruli informoi: – Ky festival, ashtu si paraadhësit e tij të mëparshëm i ka fillimet e organizimit herët, gati 3 muaj pasi ka përfunduar festivali i mëparshëm i vitit 2017, kemi nisë të mendojmë e skicojmë planin për këtë edicion, 31 Maj- 2 Qershor 2019. Është e domosdoshme që përgatitjet të nisin herët, ndryshe nuk mund të kemi sukses. Bashkëpunimi është kyçi i suksesit tonë. Përgatitjet për këtë festival nisën me vlerësimin e festivalit paraardhës, çfarë mund të ishte bërë më mirë, çfarë mund të përmirësohej, cilat ishin pikat më të arrira etj. Duke nxjerrë në pah anët pozitive të festivalit të mëparshëm, ne kemi synuar përmirësimin gjatë këtij festivali. Punë intensive është bërë në gjatësin e 12 muajëve, kur përgatitjet kanë qenë gjithëpërfshirëse.Tashmë ky nuk është vetëm festivali i shqiptarëve, ai përfshinë gati të gjithë qytetin.

Frank Zdruli është pjesë në grupin drejtues të këtij festivali, që sivjet kishte 36 vjetorin, për më shumë se 10 vitesh. Vetëm në festivalin e vitit 2007 ishte pjesë e stafit për muzikën e festivalit, ndërsa pas atij festivali ka qenë bashkëdrejtues.

Në ekipin e drejtimit të festivalit për këtë edicion, bashkëdrejtues ishin: Gregory  Steffon, Frank Zdruli,Mary Beker,Carol Laska, Helios Mako
 dhe Klevis Naqe.

Pyetjes së Diellit se : Cili është mekanizmi që e bën të suksesshëm këtë festival, Zdruli përgjigjet:-Të punuarit në ekip. Një gjellë, spjegon ai,- që të gatuhet mirë dhe të bëhet e shijshme, i kërkon të gjithë elementët dhe  gjithçka të jetë me masë. Kjo llojshmëri ka nevojë edhe për harmoni. Harmonia fillon që nga familjet e deri në bashkimin e madh në grup. Dëshira për ta organizuar sa më mirë është e të gjithë shqiptarëve. Janë më shumë se 200 vullnetarë që punojnë në tre turne. Nuk do të quhej sukses nëse do ta kishim festivalin vetëm për shqiptarët, përfshirja dhe e kombësive të tjera si pjesë e këtij festivali, na e ka rritur krenarinë, ne shqiptarëve, thotë Zdruli për Diellin.

– Çfarë do veçonit nga ceremonia e natës së parë?

Zdruli: – Ishte gjithçka e mrekullueshme.Pjesmarrja e shumtë në numër dhe prania e shumë personaliteteve jo vetëm të qytetit tonë, ia rriti vlerat. Pjesmarrja e kryetarit të bashkisë me këshilltarët e bashkisë; sherifi i Worcester County-it që është me origjinë shqiptare; pjesmarrja e ambasadores shqiptare në Washington Floreta Faber dhe personalitete të tjerë.

– Pjesmarrja në festivalet e fundit ka qenë mesatarisht nga 10 deri në 12 mijë , pa përfshirë fëmijët të moshës deri në 12 vjeç.

NËPËR DITËT E FESTIVALIT

1- E Premte, 31 Maj 2919. Festivali nisi në orën 5 pasdite dhe vazhdoi deri në 12 të natës. Ushqimet u shërbyen deri në orën 10 të mbrëmjes, ndërsa bari ishte i hapur. Muzikë nga DJ Andrea, Helios, Mikel & Vini, vazhdoi deri në mesnatë. Në orën 7 të mbrëmjes u organizua ceremonia zyrtare hapëse, ku u Himni Amerikan u interpretua nga Rachel Stoja, Himni shqiptar nga Androniqi Danga. Kanë  përshëndetur festivalin përfaqësues zyrtarë të qytetit, ndërkohë që ambasadorja e Shqipërisë në Washington, Floreta Faber, ka shprehur mirënjohjen për qytetin dhe organizatorët. Nga ora 8 e mbrëmjes deri në mbyllje ka vazhduar muzika, vallet, ndërsa këngëtarja Eli Fara, e ka ndezë festivalin me zërin e saj.

***
E shtunë 1 qershor. Festivali nisi që nga ora 12:00 në mesditë deri 12:00 mesnatë. Ushqimet u servirën në llojshmërinë e tyre deri në orën 10 të mbrëmjes, pijet deri në 12 të natës. Valltarët e grupit”Valletona” zotëruan skenën e festivalit, por edhe grupet që erdhën nga Bostoni, Waterbury dhe Toronto. Muzika dhe argëtimi prej DJ Andrea, Helios & Mikel vazhdoi deri në mbyllje , ndërkohë që kulmi ishte programi i Eli Farës shoqëruar nag Orkestra”ALBA”. U duartrokit Kristina Danga.

***

Dita e tretë, e Dielë 2 qershor, ishte më e reduktuar në kohë. Nisi në orën 12 të ditës dhe vijoi gjer në orën 6 të pasdites. Muzikë, valle dhe ushqime.

                                    ***

              Për të plotësuar kronikën përfundimtare të këtij festivali, na erdhi në ndihmë informacioni i gazetarit Adrian Murraj.Citojmë: Për shërbime të veçanta në bashkësi dhe ndihmesë në organizimet e festivaleve gjatë 36 viteve të mbajtjes gjallë të tyre janë nderuar At Timothy Lowe dhe priftëresha Lisa (pas shërbesës 5 vjeçare), Këshilltare dhe ish Kryetare e Bashkisë së Usterit Konstantina Lukes,  Ellen Athanas për bashkëshortin James Athanas (pas vdekjes) si bashkëkryetarë të festivalit të parë më 1983 , Steve Kerxhalli (ndërtues i tendës së parë), Peter Christopher dhe William N. Johns (ndër organizatorët e bashkësisë)….

Ashtu si dhe herë të tjera rritmet e muzikës popullore dhe vallet nga të gjitha krahinat e Shqipërisë që luhen kryesisht nga fëmijët me moshë nga nga 7-18 vjeç (fillore-mesme), si dhe instrumentistë e këngëtarë të spikatur janë një freski në sytë e pjesmarrësve dhe marrin vazhdimisht duartrokitje dhe përgëzim.

“…vetëm me 34 orë përgatitje gjatë periudhës së fundit, vallëtarët e vegjël ju kanë sjellë shtatë kërcime të rinj”;  me këtë cilësim koreografi i grupit “Valletona” Dhimitraq Demiri paraqet punën e femijëve dhe prindërve të tyre që ushqejnë vazhdimisht ruajtjen e kulturës. Rreth 40 kostume popullore (një pjesë e të cilëve u përgatitën nga e para) patën kujdesin e Mimoza Xharja një larmi dhe freski ngjyrash që zbukuron katër shfaqjet e të rinjve në tre ditët e festivalit. Po kështu të rinjtë nga Uoterbërri Kënektikat dhe “Bashkimi Dance” Boston, përshëndetën me vallet e tyre  festivalin.

Me po kaq përkushtim u shqua treshja e motrave Danga, këngëtarja Rachel Stoja, drejtuesët muzikor Natasha Hatibi dhe Petrika Mele, DJ Helios, Andrea, Vini dhe Mikel. Violinistja Kristina Danga me shpërthimin e saj ishte tërheqëse për publikun  sa edhe e mirënjohura Eli Fara e ardhur posaçërisht nga Shqipëria për këtë veprimtari duke mbuluar drejtpërdrejtë me grupin instrumental “Alba” koncertet e dy netëve të para, pjesëmarrja e të cilëve u bë e mundur nga ndihma e bizneseve Shqina e Luarasi (“MEM Connection” dhe “Anisa Party”).

Ndër të rejat e festivalit të këtij viti dallon edhe bashkëpunimin e shqiptaro-amerikanëve me të tjera shoqata lokale ndër të cilat është dhe Muzeu Historik i Usterit që synon të përcjellë njohjen e bashkësisë shqiptare të vendosur këtu. David Conner (drejtues i Projektit të Pjesëmarrjes së Komunitetit) thekson se muzeu është i interesuar të mbledhë historitë e shqiptarve në Uster përkrah bashkësive të tjera, një projekt që kërkon bashkëpunimin tuaj.

Bashkëkryetarët për Festivalin Shqiptar të Usterit Gregory Steffon dhe Frankli Zdruli çmuan punën e mbi 200 vullnetarëve, anëtarëve të kishës dhe bizneseve mbështetës të cilët mundësojnë mbarvajtjen dhe ecurinë e tre ditëve të festivalit.

Filed Under: Featured Tagged With: Festivali i Usterit-dalip Greca

KOSOVA PROMOVON 100 VJETORIN E KONFERENCES SE PAQES

June 25, 2019 by dgreca

Amerika i priu NATO-s në Kosovë/

-Kryeministri Haradinaj: Ndërhyrja e NATO-s, prirë nga Amerika, e kthehu shpresën tek populli ynë/

-Promovim i ekspozitës dhe pullës postare me portretin kushtuar 100 vjetorit të Konferencës së Parisit dhe angazhimit të Presidentit Amerikan, Woodrow Wilson dhe Qeverisë Amerikane për të mbrojtur të drejtat dhe integritetin territorial të Shqipërisë/

 PRISHTINË, 24 Qershor 2019-Gazeta DIELLI/ Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, mori sot pjesë në promovimin e ekspozitës dhe pullës postare me portretin kushtuar 100 vjetorit të Konferencës së Parisit dhe angazhimit të Presidentit Amerikan, Woodrow Wilson dhe Qeverisë Amerikane për të mbrojtur të drejtat dhe integritetin territorial të Shqipërisë.

Në fjalën e tij, Kryeministri Haradinaj tha se në kuadër të përvjetorëve të rëndësishëm të jetës tonë si Kosovë, por edhe të kombit tonë, ka pas nderin që para pak ditësh të priste në Kosovë Presidentin e Amerikës, Bill Clinton, Sekretaren Madeleine Albright, Gjeneralin Wesley Clark,  dhe se  Kosova i ka nderuar këto figura kyçe të Amerikës  në zbatim të pullës postare.

Kryeministri Haradinaj bëri të ditur se në atë kohë është vënë në dijeni se një nderim i këtillë do të bëhet edhe për Presidentin Wilson duke pasur parasysh rolin e tij të rëndësishëm në një periudhë të rëndësishme të historisë së kombit tonë.

“Mendoj se një sjellje e këtillë e jona falënderuese dhe shprehja e respektit buron po ashtu nga ajo që përjetuam në vitin 1999 kur Amerika i priu NATO-s duke ndërhyrë dhe ndalur tragjedinë. Kjo ndërhyrje bëri që populli i Kosovës të shpëtohet, jeta e njerëzve të pafajshëm të shpëtohet, të rikthehet shpresa”, tha Kryeministri Haradinaj, duke theksuar se aeroplanët e jetës i ndalen trenat e vdekjes dhe tragjedinë në Kosovë.

Kjo ndalje e kësaj tragjedie, siç veçoi Kryeministri Haradinaj, është një vepër e mirë së pari për shqiptarët dhe se ky veprim i NATO-s i ka bërë një nder të madh edhe popullit serb,  duke i shpëtuar nga një krim më i madh se ai që e kishin bërë deri atëherë e që do të ishte një njollë më e zezë për ta, për historinë e popullit serb.

“Mendoj që falënderimin më të madh Amerikës duhet t’ia bëj vetë populli serb dhe Serbia, sepse Amerika nuk i la të ecin në rrugën e krimit e cila do të ishte e keqja më e madhe që do të mbahej në mend në historinë e njerëzimit pas Luftës së Dytë Botërore.

Duke qenë kështu ndodhën dy të mira, u shpëtua populli i Kosovës, por u ndal edhe një e keqe”, tha në fjalën e tij Kryeministri Haradinaj.

Një fjalë rasti mbajti edhe Kryeshefi Ekzekutiv i Postës së Kosovës, Sejdi Hoxha.

Të pranishëm ishin edhe ministra, deputetë, personalitete nga jeta politike dhe shoqërore si dhe përfaqësues nga Ambasada Amerikane në Kosovë./b.j/

Filed Under: Featured Tagged With: Behlul jashari-100 vjetori-Konferenca e Paqes

NE SHQIPERI: MUNGESA E SHOQENISE CIVILE ASHTE FATALE

June 25, 2019 by dgreca

Shkruan: Sami Repishti, Ph.D.*/

“Studjoni historinë, studjoni historinë. Në histori gjinden të gjithë sekretet e qeverisjes së mirë.”- (Winston Churchill, 1953)

Ridgefield,CT.- Lajmet e ardhuna nga Shqipëria na trishtojnë!

    Në vendin tonë, ashtë krijue nji gjendje që nuk mund të përfundojë me suksese. Përkundrazi, të gjithë frikësohemi se në ditët e ardhme do të kemi trazime dhe ballafaqime që mbartin rrezikun e përleshjeve fizike në sheshet e qyteteve dhe rrugët e katundeve tona. Ka arsye me besue se shqiptarët janë nisë në mënyrë të pandalëshme drejt nji krizë të randë! Duket sikur Shqiperia nuk ka forcë të pengojë zbritjen në kaosin shkatërrimtar. Unë, refuzoj këte gjykim!

    Në maj të vitit 2017, botova në Panorama nji shkrim me titull: “O Shqiptarë, Nenës mos ia beni varr!” thirrje e marrun nga shkrimet e Imzot Fan S. Noli. Sot e përsëris: “O Shqiptarë, përse Nenës i bëni varr?”

    Sot, njerëzimi mbar nuk i nënshtrohet pa kundërshtim vorfënisë e shtypjes me të gjithë efektet negative: vdekje nga uria, smundje të pasherueshme, dhe përkeqsim të frikshëm. Njerëzimi mbar përbuzë këte lloj mjerimi që, në esencë, ashtë shkelja e patolerueshme e lirive dhe e dinjitetit njerëzor. Njerëzimi revoltohet si nji rebel në sherbim të kauzës së shenjtë: çlirimin e plotë të të gjithëve, pa dallim, pa përjashtim. Njerëzimi lufton kundër pushteteve totalitare që sjellin gjendje të këtilla, deri në fitoren e plotë! Njerëzimi nuk pret me duerkryq të ardhmen; ai e nderton ate simbas imazhit që e frymëzon: tue ngritë aftësinë e qenieve njerëzore, dhe shoqënisë mbar me përparue në nivele përherë ma të nalta jetese dhe qytetnimi. Ky ashtë marshi triumfal i historisë! Por, jo në Shqipëri!

    Sot, në Shqipëri, gjindemi para nji dileme ekzistenciale: a duhet të pranojmë turpin e ditëve tona që na imponohet në forma qeveritare, përbuzëse të ligjit, shkelëse të drejtave themelore të qytetarëve, tue i injorue ato, apo do të reklamojmë këto të drejta natyrore e pozitive që natyra dhe shteti ligjor na garantojnë? A duhet të pranojmë për vete dhe për të gjithë vëllaznit e motrat tona, konditat e jetës së nënshtrueme, në kundërshtim me të gjithë të kaluemen tonë historike, me mohimin e frymës së Rilindjes sonë Kombëtare dhe Pavarësisë, me frymën revolucionare të luftës kundër pushtuesve të huej, dhe të rezistencës heroike të luftës për demokraci e çlirim gjatë 45 viteve të “diktaturës së proletariatit” – epoka e poshtënimit total të miljona qytetarëve të etshëm për liri?

    Sot, ekziston mundësia e përsëritjes së nji Tien An Men-it kinez në qytetet e fshatet  e vendit tonë. E tmerrshme!

   Eksperienca e së kaluemes në Shqipëri ka qenë shumë shgënjyese. Udhëheqës autoritarë absolutë ma parë, elementë stalinistë të pareparueshëm. ksenofobë dhe homofobë pa asnji respekt për jetën e njeriut ma vonë, frymëzue nga nji përbuzëje ekstreme për ligjin dhe shtetin ligjor, me nji mohim të drejtave dhe lirive themelore të nji shoqënie të qytetnueme, kanë lanë gjurmët e tyne të pashlyeshme. Sot, ata ende veprojnë me ide e vepra irracionale, të egërsuem deri në vrasje, dhe me paturpësinë e fshehjes mbas sloganeve pa substancë. Nga leximi i shtypit shqiptar, njeriu ka përshtypjen se nji konglomerat karrieristësh, hajdutësh dhe kriminelësh- i njohun si elita politike e vendit – janë bashkue vetëm prej nevojës së mbrojtjes nga “shteti ligjor” që nuk i lejon, dhe për nji sistem qeveritar që i lejon me qenë ata që janë në të vertetë, ose ata që dëshirojnë me qenë të tillë…! Me grykën e pushkës që vret qytetarin, e ligjin njikohësisht, në nji vend ku krimi nuk denohet (edhe me tanke të ushtrisë si në masakrën e 2 prillit 1992, në Shkodër, që vrau katër djelmosha në pranverën e jetës së tyne, të rinj të frymëzuem nga dëshira e çlirimit nga diktatura e kuqe dhe themelimit të nji shteti dhe shoqënie demokratke) ashtë manifestimi ma elokuent i urrejtjes që ky konglomerat ka për popullin e vet, dhe ndershmëninë elementare.

    Sot, mbeturinat toksike të kësaj turme vandalësh, në përpjekje të dëshprueme me evitue humbjen e pushtetit, dhe të friksuem për rrjedhimet e natyrëshme që mund të vijnë si rezultat i dënimit të krimeve e kriminelëve autorë të këtyne krimeve, ata shtërngojnë rradhët njeni me tjetrin, dhe janë gati me përballue nji popull të zemruem.

    Cili ka qenë mësimi i përmbysjes së perandorisë sovjetike, 1989, që u dorëzue pa zbrazë asnji fishek? Ashtë, kryesisht gjendja ndërkombëtare! Duket se vendi i jonë nuk ka mësue gja nga ky zhvillim, as edhe peshën e forcave ndërkombëtare në zhvillimin e gjendjeve të mbrendshme të vendeve që e injorojnë. Ka mundësi që nji qendrim i ketill mospërfillës vjen edhe nga fakti se ata u përmbysën dhe nuk pësuen denimin e merituem për krimet e pafalëshme. Fatmirësisht,, andrra komuniste ka vdekë pa shpresë ringjallje!

   Sot, fajtorët dhe bashkëpunëtorët e tyne, përsëri bajnë përpjekje të reja me rindërtue shtetin e shoqëninë shqiptare në imazhin e së kaluemes së tyne të frikshme: sundimin absolut në  shtet nji-partiak, pa hezitim, pa kondita, pa rezerva. Sot, shohim ndërhymjen e tyne të unifikueme, sabotimin e vazhdueshëm të opozitës, refuzimin e çdo dialogu serioz për zgjidhjen e problemit, neglizhimin e drejtësisë me gjykata pa gjykatës, “udhëheqës” potencialë të nxjerrun nga rradhët e familjeve të ish-udhëheqësve komunistë (promovue nga nji kryeministër jo-komunist; paradoks shqiptar!), politizimin e Policisë që sherben mbrojtjen e çdo qytetari, dhe rrezikun e politizimit të Ushtrisë…. krijimin artificial të nji krize kushtetuese me kërkesën për rrëzimin e Presidentit të Republikës sepse ka zbatue ligjin që nuk u pëlqen pushtetarëve, si dhe tash se fundi arrestimin e  demonstruesve. Ky qendrim ashtë përcaktue nga Kreu i Shtetit si “procesi farsë dhe i dhunëshëm që po organizon (E.Rama) me 30 qershor, ashtë instalimi përfundimtar i grushtit të Shtetit…..”

    Konfrontimi që po përgatitet me zell “revolucionar” kërcënon shtetin dhe shoqëninë shqiptare! Duhet veprue, duhet ndalue marshi i fashizmit të kuq në Shqipëri. Duhet rivendosë ligji, dinjiteti i qytetarit, dhe respekti që vendi i jonë meriton para botës së jashtëme. Duhet të kthehemi në normalitet. Duhet të respektojmë ligjin e jo të zbatojmë urdhnesat kapricioze të pushtetarëve. Duhet të krijojmë atmosferën demokratike ku nuk lejohet frika e shtypjes, ku qytetari punon për bukën e gojës pa frikën e trazimeve që konsumojne jetë të pafajshme. Në shoqëninë e sotme shqiptare, theksi nuk vihet mbi “individin”, as mbi “liritë dhe të drejtat e “qytetarit”, dhe mbrojtja e Kushtetutës. Përkundrazi! Theksohet nënshtrimi ndaj vullnetit të “udhëheqsit të sotëm” gjithëherë me frikën e “devijimit” dhe dënimit që e ndjek . Kërkohet nji Shqipëri “ndryshe”!

      Dhe këte gjendje mund ta krijojë vetëm nji shoqëni civile koshiente e detyrës ndaj vendit e popullit tonë. Duhet guxim, duhet punë, duhet dedikim i plotë ndaj kauzës së lirisë dhe demokracisë. Shqipëria ka elementë mendje-ndritun për nji ndërmarrje të këtill historike. Nuk ashtë e lehtë! Shqipëria nuk ka pasë në të kaluemen nji shoqëni perendimore funksjonale. Shqipëria ka trashëgue nji shoqëni statike me tone otomane në përceptime dhe vlera, trashëgim që ka pranue ma lehtësisht autoritetin dominant të nji sunduesi ose partie politike. Këte “shoqëni civile” në Shqipëri unë e uroj me gjithë zemër sot !

                                                                     *****

     Në fund të L2B, nji figurë madhore politike gjermane, Egon Bahr, i persekutuem nga Hitleri, disfatën e Gjermanisë naziste nuk e konsideroj si ”okupim” por si “çlirim” të Gjermanisë. Ai ishte i vendosun me luftue për nji trajtim të barabartë për të gjithë gjermanët. Sepse, shkruente ai, “ përsa kohë që mbetemi të ndamë, na nuk jemi nji komb”. Dhe shtonte: “ Asnjeri nuk do të na ndihmojë, në se nuk ndihmojmë vetëveten”. Me nji qendrim të këtill, Gjermania e mbasluftës triumfoi.

    Ajo që karakterizoi komunistët shqiptarë me veprue me format ma shnjerëzore ndaj bashkatdhetarëve të tyne ka qenë elementi themelor: injoranca e randësisë së lidhjeve me botën e qytetnueme, dhe preferenca e tyne për vetë-izolim hermetik, zgjidhje që rrjedh nga mentaliteti i vjetër i diktuem nga…..injoranca. Si rrjedhim Shqipëria mbeti mbrapa  përsëri, për të dytën herë në histori.

     Herën e parë: Mbas vdekjes së Skenderbeut, Traktati i vitit 1479 në mes të Venedikut dhe Sulltanit njohu pushtimin e Shqipënisë. Dritarja e Botës Perëndimore u mbyll për Shqipëninë pikërisht në nji kohë kur era frymëdhanëse e Renaissance-s dhe idetë fisnike të Humanizmit po krijojshin nji Europë të re me nji etje gargantueske për njohuni të reja, për hapësina dhe nji botë të re me nji zhvillim të lirë, të pakufizuem të shpirtit kerkues, e thellësisht njerëzor. Pamvarësisht nga faktori fetar – që mbetet gjithmonë nji çeshtje krejtësisht intime për çdo ndërgjegje personale- pushtimi osman ka nxjerrë Shqipëninë nga historia e kontinentit europian, dhe e ka dënue ate të jetë nji krahinë e harrueme mbrenda nji perandorie te mbyllun, me kulturë të kundërt nga ajo e Europës, që po rilindte në Perëndim”.

    Herën e dytë: Me mbarimin e L2B dhe disfatën nazi-fashiste në Europë, Shqipëria u lirue nga “i hueji” dhe ra në duert e fanatikëve komunistë, sherbëtorë të perandorisë sovjetike, kundërshtarë të Europës Perëndimore. Kështu dritorja e Europës Perendimore u mbyll për Shqipërinë, pikërisht në nji kohë kur era e fitores mbi fashizmin, dhe përhapja e vlerave euro-atlantike po përhapej në pjesën e madhe të kontinentit. Njerëzimi ishte i etun për liri dhe për krijimin e nji bote të re me nji zhvillim të lirë, të pakufizuem, të shpirtit kerkues, e thellësisht njerëzor. Nënshtrimi ndaj zonës komuniste, -jugosllave ma parë dhe ruse ma vonë – në gjiun e perandorisë komuniste sovjetike ka nxjerrë Shqipërinë nga historia e kontinentit europian, dhe ka denue vendin tonë të jetë nji sub-satelit ma parë dhe satelit ma vonë, i papërfillun mbrenda nji perandorie të mbyllun, me kulturë të kundërt nga ajo e Europës që pasunohej çdo ditë, në perëndim

      Akoma ma keq! Premtimet e nji perpjekje të re me u ringjallë në kuadrin e Europës së qytetnueme u dënuen me vdekje, reale dhe figurative. Dështimi damtoi tranzicionin në demokraci, dhe hapi rrugën për korrupsion, cinizëm ndaj politikës, nji rrymë populiste, dhe nji presion nga kapitali që synoi me transformue qytetarët e lirë në konsumatorë të mallnave të importuem. Dami i madh i këtij orientimi dhe partizania e jetës politike në vend (Partia mbi të gjitha!) si dhe margjinalizimi i talentit të vertetë rezultoi në krijimin e nji pengese me dame të pallogaritëshme për përpjekjen e bashkimit kombëtar, dhe për përpjekjet me iu dedikue përmirësimit të konditave të jetës për miljonët e shumëvuejtun të atdheut tonë. Nji vrap i vrullshëm dhe i pa kontrollueshëm për pasunim të shpejtë dhe të paligjshëm solli korrupsionin qeveritar, tue perfshi edhe gjykatat e vendit. Nji drejtësi e komprometueme randë nuk ishte në gjendje me zbatue ligjin. Rruga tashti ishte e hapun për veprimtari anti-ligjore. Shqipëria nga kohezioni i nji kombi të vjetër, mbeti nji shoqëni tribalistike, provinciale dhe grupesh antagoniste. Sepse, në se malësori i Kelmendit  nuk e ndjen gëzimin e dhimbjen e fshatarit të Konispolit, dhe viceversa, nuk do të kemi kurrë nji Shqipëri të vertetë. Rezultati i këtij orientimi shihet sot me Shqipërinë në buzë të greminës!

    Festimet e mëdha të njiqind vjetorit të Pavarësisë Kombëtare, 2012, kanë qenë nji rast i veçantë për meditim të rrugës së marrun, nji moment historik me reflektue për të tashmen e të ardhmen e kombit, për angazhim në nji dialog të hapun, gjithëpërfshirës dhe tolerant, në nji krahasim ideshë ndërtuese, ku qytetarët të trajtohen si elementë të mirë-informuem dhe të pjekun politikisht. Nji dialog i këtill do të na udhëhiqte në kursin e zgjedhun për veprimet tona, në kontekst me zhvillimin tonë historik, i cili duhet studjue dhe duhet kuptue ashtu si ashtë në të vertetë, dhe jo si prodhim dëshirash të parealizueshme.

     Sepse vetëm e verteta na sjellë dritë!

     Nji dialog i këtill kombëtar ka përmasa ekzistenciale për problemet tona shqiptare, dhe ashtë nji imperativ kategorik i kohës, korrektësia e të cilit do të përcaktonte fatin e shqiptarëve në këte shekull, dhe përtej!

     Për nji dialog të këtill kombëtar që nuk përjashton asnji qytetar të lirë dhe qellim-mirë duhen përjashtue viktimët e indoktrinuem me ideologji anti-njerëzore dhe anti-kombëtare; ky dialog duhet të pasunohet me arsimin serioz në shkollat tona, arsim i konceptuem si kultivimi i ideve të lirisë mbrenda shoqënisë, arsim që me kuptim të gjanë human drejton jetët dhe punën e qytetarëve. “Në të gjitha proceset duhet të marrë pjesë shoqënia civile”(Amb. John Satter)

    Sot ashtë detyra e shoqënisë së re shqiptare me edukue “elementin e painformuem” ose të gënjyem, dhe ata që nuk kanë përjetue ferrin komunist, me fakte që flasin për krimet e pabesueshme në kurriz të popullsisë shqiptare, të pafajshme dhe pa mbrojtje per 45 vjet me rradhë. Duhen shenjtënue vendet ku u kryen këto krime, torturat, ekzekutimet, varrezat, kishët e xhamitë e rrenueme qellimisht, vendet ku u dogjën librat dhe autorët e librave., ashtu si shenjtënojmë varret e dëshmorëve të ramë për liri. Duhen kthye tek pronari pasunitë e grabituna me dhunë. Shqiptarët, dhe sidomos nxanësit e shkollave duhet të informohen në klasët e tyne mbi të gjitha këto krime, jo me mbjellë frymën e hakmarrjes, por me pengue fuqimisht përsëritjen e nji së kaluemje të errtë e kriminale.

    Sot, shqiptarët, pa përjashtim, duhet të mendojnë, sidomos duhet të mendojnë, për tragjeditë e së kaluemes, kurdoherë që flasin për të tashmen dhe të ardhmen e vendit tonë.     Sot, të gjithë ne jemi përgjegjës për qetësimin e gjendjes së krijueme, dhe për ardhmëninë e brezave të rinj. Asnji nga ne nuk përjashtohet nga kjo përgjegjsi e randë politike dhe morale!*

_________________________________________

* Autori  ashtë aktivist i të drejtave të njeriut.       

Filed Under: Featured

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 326
  • 327
  • 328
  • 329
  • 330
  • …
  • 900
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT