Përgatiti:Dalip Greca/
Coronavirusi nuk po e pushon ofensivën mbi shtetin e New Yorkut dhe në një farë mënyre po e godet në mënyrë të pamëshirshme. Guvernatori Cuomo jep parashikim të zymtë, ndërkohë që koronavirusi vetëm në NYC(qytetet) ka regjistruar 199 të vdekur dhe në rreth 30,000 të prekur në rang shteti.
Shifrat nuk janë pozitive në shkallë unioni për SHBA: Në të gjithë Shtetet e Bashkuara të Amerikës numri i të infektuarëve arriti,sipas të dhënave te 25 marsit ,64,671, ndërsa në 24 orët e fundit ishin shënuar 9,815 të prekur të rinj, dhe viktima të reja 129; gjysma e shifrës totale i përket Nju Jorkut.
Nisur nga situate e mbingarkuar epidemike Guvernatori Cuomo e ngriti zërin dhe dha alarmin të Mërkurën se rastet e koronavirusit dhe vdekjet janë të shumta në New York.
Guvernatori lëshoi një thirrje të re që ndalon kontaktin në sheshet e lojërave të qytetit, Playgraundet, dhe paraqiti propozimin për të mbyllur disa nga rrugët e qytetit të Nju Jorkut.
“Ne jemi ende në ngjitje, tha Cuomo, duke treguar kurbën në rritje të rasteve pozitive dhe të vdekjeve.
Tani shteti i madh i New York-ut ka 30.611 raste me koronavirus dhe 5000 raste të reja. New York City ka 17,000 raste dhe më shumë se 3000 raste të reja në 24 orët e kaluara.
Rreth 199 njerëz në New York City kanë vdekur nga pandepidemia, pasi u raportuan shtatë vdekje brenda natës, thanë zyrtarët e qytetit. Shumica e rasteve janë nën 50 vjeç, por pothuajse të gjitha viktimat janë të moshës mbi 45 vjeç. Numri i vdekjeve në mbarë shtetin e New Yorkut është afër 300.
I pyetur rreth deklaratës së Presidentit Trump që Amerika mund të hapej deri në Pashkë, 12 Prill, Cuomo tha se nuk është mirë të mbash ekonominë e kombit të mbyllur për një kohë të pacaktuar,por ai u zotua që kurrë nuk do të ndodhte që të braktisen viktimat e mundshme nga sëmundja në shtetin që ai drejton dhe që për momentin është qendra e pandepidemisë.
I pyetur rreth dekretit të presidentit Trump: Që kushdo që ka qenë në New York City duhet të karantinojë veten e tij për 15 ditë, guvernatori Cuomo, tha se ai nuk do ta respektonte.
Guvernatori dha lajmin e gëzuar se tashmë qarku i Westchester County, dikur pika më e nxehtë në shtet,
ka vetëm 800 raste.
“A mund ta ngadalësojme përhapjen COVID-19, pyeti ai, dhe po vetë u përgjigj: “Po, ne e bëmë atë në Westchester.”
Cuomo tha se rritja më e madhe e pacientëve në spitalet e mbingarkuara mund të vijë në tre javët e ardhshme.New York ka nevojë për rreth 140,000 shtretër, nga 53,000 që ka tani.
Spitalet kanë rënë dakord të rrisin kapacitetin e tyre dhe zyrtarët federalë po ndërtojnë spitale në terren dhe po dërgojnë një anije spitalore në Portin e New York. Shteti do të përdorë mjedise bosh dhe shtëpi pleqsh për të përmbushur nevojat e ardhshme.
Cuomo hodhi shigjeta goditjesh për planin stimulus prej $ 2 trilionë dollarësh.Duke u përplasur në një dyluftim të ashpër fjalësh me Trump, Cuomo vuri në dukje se ai foli me Presidentin të Mërkurën dhe lavdëroi Jared Kushner që ishte “jashtëzakonisht i dobishëm” per perballimin e krizës.”Ne po punojmë për një sfidë të përbashkët,” tha Cuomo.
Guvernatori përsëri kërkoi të frymëzojë njujorkezët me retorikën e shpresës dhe vendosmërisë se ditët e errëta do ikin dhe drita do të vijë.
Cuomo u zotua se Ai dhe njujorkezët do t’i jepnin një shembull kombit duke luftuar kundër panepidemisë.
Duke i hedhur një vështrim statistikave të tablosë botërore të COVID-19 shifrat nuk sjellin optimizëm se fundi po afron. Shprehem kështu sepse vetëm 24 orët e fundit ishin 40,151 të infektuar të rinj në të gjithë botën dhe rreth 2 mijë vdekje, ndërkohë që 14,378 pacientë të infektuar janë në gjendje kritike. Shifra e përgjithshme e të infektuarëve po i msynë gjysëm milonshit. Italia që ka qenë më e goditura në këtë panepidemi po jep shenja pozitive për rritjen e të shëruarëve, por ende është i lartë trendi i vdekjeve 24 orëshe, ku u regjistruan 683 duke e kaluar shifrën e një dite më parë, ndërkohe që rastet e të infektuarëve të rinj ishin 5210. Shteti i gadishullit Apenin ka shënuar më shumë vdekje duke qëndruar në vend të parë me 7503 viktima. Edhe Spanja po përjeton gjendje alarmante epidemiologjike të COVID-19: Edhe pse ka rreth 15 mijë të infektuar më pak se SHBA, ky shtet ia kaloi për numrin e viktimave Kinës, duke regjistruar 3644 viktima, me 656 vdekje vetëm në 24 orët e fundit dhe trendi ka tendencë rritjeje, madje rastet e rinj u shtuan në 24 orët e fundit me 7457 të infektuar.Le të presim me shpresë 24 orëshin tjetër.