DIELLI-FESTIVALI I USTERIT, PASAPORTA IDENTITARE E SHQIPTARËVE, JO VETËM NË MASSACHUSETTS /
Shqiptarët e Amerikës organizojnë prej disa dekadave festivale, ku shpalosin vlerat identitare të Kombit, siç është Festivali i Shqiptarëve të Nju Jork-ut , festivali në Waterbury, festivali i Detroitit, por më jetëgjati prej tyre, më i hershmi, që organizohet në një cikël kohor në çdo dy vjet, është ai i Worcesterit, që ka për organizatore Kishën Orthodokse “Fjetja e Shën Marisë”. Kisha ka pritë e ndihmuar mijëra shqiptarë që kanë mbërritur në këtë qytet përgjatë 100 viteve të fundit. Tradita ka nisë që me 1 qershor 1983.
Festivali i Usterit është i veçantë për faktin se ka arritur që të fitojë statusin e përkrahjes jo vetëm nga komuniteti shqiptar, por edhe nga ai amerikan, si dhe nga; bashkia e qytetit, nga institucionet sociale dhe kulturore, nga figura të njohura politike lokale e qendrore, nga departamenti i policisë, Sherifi i Worcester County, Lew Evangelidis, me origjinë shqiptare, ambasada e Shqipërisë në Washington, ka mbështetjen e institucioneve shkollore,Muzeut të qytetit, dhe ka mbështjen e më shumë se 120 kompanive, bankave, e individë që reklamojnë në mbështetje të festivalit. Drejtuesit e festivalit pohojnë se në tre ditët e kësaj ngjarjeje kulturore numri i vizitorëve shkon më shumë se 12 mijë, ndërkohë që gjeografia e pjesmarrësve shtrihet nga Toronto-Kanada, Florida, Illinois, New York, New Jersey, Connecticutt etj.
***
Në pamundësi për të qenë të pranishëm në natën e parë të festivalit, të premten me 31 Maj, editori së bashku me anëtarin e kryesisë së Vatrës, arkëtarin Marjan Cubi, udhëtuan për në Worcester, për të qenv të pranishëm në ditën e dytë, të shtunën me 1 qershor. Edhe pse festivali fillonte në orën 12 të mesditës, ne arritëm shumë herët. Mikpritësi ynë , studiuesi Thanas Gjika, sekretar i degës së Vatrës të Usterit, sapo u takuam na ftoi në shtëpinë e tij, ku së bashku me zonjën Julia, na ofroi mëngjes, bujari e mikpritje. Në emër të Jurisë së konkursit të 110 vjetorit të Gazetës Dielli, editori dhe z. Cubi, i dorëzuan studiuesit Thanas Gjika çertifikatën dhe pllakën simbolike të fituesit të konkursit për studimin më të Mirë: “Vështrim Krahasimtar në Studimet e Sotme për Faik Konicën”.
Më pas çvendosemi në mjediset e festivalit.Tenda e madhe ka filluar të mbushet herët.Ushqimet janë gati. Të duket se je në një panair ku serviren ushqime të shumëllojshme dhe autentike shqiptare që gatuhen aty; qengja të pjekur, shish kebap, meatballs, suxhuk, por mbi të gjitha lakrorët karakteristikë të Korcës; ku preferohen ata me spinaq, pastiço të ndryshme, musaka, bakllavë, tiramisu,petulla e biskota të ndryshme,shumë ëmbëlsira të llojeve të ndryshme etj.
Nën shoqërimin e Thanas Gjikës ne takuam e fotografuam dhjetëra bashkatdhetarë, individë dhe familje, ndër ta dhe familje vatranësh.
Në mjediset përreth tendës dhe brenda kishës vizituam pazarin, ku shiteshin orendi, veshje me simbolet kuq e zi, ikona dhe simbole të tjera kishtare,punime argjendarie, ekspozitën e piktorit Sterio Shkodrani, punimet në dru të mjeshtrit Zija Karini, Shtëpinë e Kujdesit për të moshuar me emrin”Vatra” me qendër në Boston etj.
Takuam edhe me koreografin e njohur, Dhimitraq Demiri, që prej vitesh u mëson brezave të rinj vallet e traditës shqiptare. Janë me dhjetëra fëmijë që mësojnë prej maestros vallet e bukura shqiptare prej një periudhë prej 12 vjetësh. Më shumë se 150 fëmijë kanë kanë mësuar dhe kanë interpretuar vallet e bukura tradicionale shqiptare nën drejtimin e mjeshtrit Demiri. Për këtë festival, ai ka përgatitur me fëmijët 7 valle të reja, që u interpretuan me shkathtësi e dinamizëm.
Koreografi udhëton 5 mile në ditë për t’u mësuar fëmijëve vallet. Është pasioni,që i përballon vështirësitë e kësaj pune vullnetare, thotë ai për Diellin.
Dhimitraq Demiri është rritur me vallet dhe identifikohet me to. Ai kujton se pasionin për vallet e kishte zbuluar një mësues i tij që kur ishte në klasën e pestë të tetëvjeçares. Ai që kishte spikatur talentin e lindur për vallet të Dhimitraqit, kishte qenë vëllai i mjeshtrit Agron Aliaj, që e rekomandoi të studionte në shkollën koreografike, të cilën e nisi më 1982 dhe e përfundoi më 1986. Ai kujton suksesin e parë në skenat jashtë vendit kur u përfshi në radhët e asamblit” Skënderbeu” të Korçës.
Pas bisedës, grupin e valleve”Valletona”, e ndoqëm dhe e duartrokitëm në skenën e festivalit, ku tre breza valltarësh, shpalosën magjinë e valleve tradicionale shqiptare nga të gjitha trevat e vendit.
Dy bashkëkryetarët e Festivalit, nënkryetari i degës së Vatrës Franklin Zdruli dhe vatrani Gregory Steffon, ishte e vështirë t’i gjeje një moment të lirë. Por më në fund, u takuam dhe ata u vunë në dispozicionin tonë për të përcjellë informacionet e kërkuara. Franklin Zdrili përshkruan natën e parë të festivalit, ku ceremonia kishte qenë emocionuse.Në përgjigje të pyetjes tonë se kur kishin filluar përgatitjet për edicionin e sivjetshëm, Zdruli informoi: – Ky festival, ashtu si paraadhësit e tij të mëparshëm i ka fillimet e organizimit herët, gati 3 muaj pasi ka përfunduar festivali i mëparshëm i vitit 2017, kemi nisë të mendojmë e skicojmë planin për këtë edicion, 31 Maj- 2 Qershor 2019. Është e domosdoshme që përgatitjet të nisin herët, ndryshe nuk mund të kemi sukses. Bashkëpunimi është kyçi i suksesit tonë. Përgatitjet për këtë festival nisën me vlerësimin e festivalit paraardhës, çfarë mund të ishte bërë më mirë, çfarë mund të përmirësohej, cilat ishin pikat më të arrira etj. Duke nxjerrë në pah anët pozitive të festivalit të mëparshëm, ne kemi synuar përmirësimin gjatë këtij festivali. Punë intensive është bërë në gjatësin e 12 muajëve, kur përgatitjet kanë qenë gjithëpërfshirëse.Tashmë ky nuk është vetëm festivali i shqiptarëve, ai përfshinë gati të gjithë qytetin.
Frank Zdruli është pjesë në grupin drejtues të këtij festivali, që sivjet kishte 36 vjetorin, për më shumë se 10 vitesh. Vetëm në festivalin e vitit 2007 ishte pjesë e stafit për muzikën e festivalit, ndërsa pas atij festivali ka qenë bashkëdrejtues.
Në
ekipin e drejtimit të festivalit për këtë edicion, bashkëdrejtues ishin: Gregory
Steffon, Frank Zdruli,Mary Beker,Carol
Laska, Helios Mako
dhe Klevis Naqe.
Pyetjes së Diellit se : Cili është mekanizmi që e bën të suksesshëm këtë festival, Zdruli përgjigjet:-Të punuarit në ekip. Një gjellë, spjegon ai,- që të gatuhet mirë dhe të bëhet e shijshme, i kërkon të gjithë elementët dhe gjithçka të jetë me masë. Kjo llojshmëri ka nevojë edhe për harmoni. Harmonia fillon që nga familjet e deri në bashkimin e madh në grup. Dëshira për ta organizuar sa më mirë është e të gjithë shqiptarëve. Janë më shumë se 200 vullnetarë që punojnë në tre turne. Nuk do të quhej sukses nëse do ta kishim festivalin vetëm për shqiptarët, përfshirja dhe e kombësive të tjera si pjesë e këtij festivali, na e ka rritur krenarinë, ne shqiptarëve, thotë Zdruli për Diellin.
– Çfarë do veçonit nga ceremonia e natës së parë?
Zdruli: – Ishte gjithçka e mrekullueshme.Pjesmarrja e shumtë në numër dhe prania e shumë personaliteteve jo vetëm të qytetit tonë, ia rriti vlerat. Pjesmarrja e kryetarit të bashkisë me këshilltarët e bashkisë; sherifi i Worcester County-it që është me origjinë shqiptare; pjesmarrja e ambasadores shqiptare në Washington Floreta Faber dhe personalitete të tjerë.
– Pjesmarrja në festivalet e fundit ka qenë mesatarisht nga 10 deri në 12 mijë , pa përfshirë fëmijët të moshës deri në 12 vjeç.
NËPËR DITËT E FESTIVALIT
1- E Premte, 31 Maj 2919. Festivali nisi në orën 5 pasdite dhe vazhdoi deri në 12 të natës. Ushqimet u shërbyen deri në orën 10 të mbrëmjes, ndërsa bari ishte i hapur. Muzikë nga DJ Andrea, Helios, Mikel & Vini, vazhdoi deri në mesnatë. Në orën 7 të mbrëmjes u organizua ceremonia zyrtare hapëse, ku u Himni Amerikan u interpretua nga Rachel Stoja, Himni shqiptar nga Androniqi Danga. Kanë përshëndetur festivalin përfaqësues zyrtarë të qytetit, ndërkohë që ambasadorja e Shqipërisë në Washington, Floreta Faber, ka shprehur mirënjohjen për qytetin dhe organizatorët. Nga ora 8 e mbrëmjes deri në mbyllje ka vazhduar muzika, vallet, ndërsa këngëtarja Eli Fara, e ka ndezë festivalin me zërin e saj.
***
E shtunë 1 qershor. Festivali nisi që nga ora 12:00 në mesditë deri 12:00
mesnatë. Ushqimet u servirën në llojshmërinë e tyre deri në orën 10 të mbrëmjes,
pijet deri në 12 të natës. Valltarët e grupit”Valletona” zotëruan
skenën e festivalit, por edhe grupet që erdhën nga Bostoni, Waterbury dhe
Toronto. Muzika dhe argëtimi prej DJ Andrea, Helios & Mikel vazhdoi deri në
mbyllje , ndërkohë që kulmi ishte programi i Eli Farës shoqëruar nag
Orkestra”ALBA”. U duartrokit Kristina Danga.
***
Dita e tretë, e Dielë 2 qershor, ishte më e reduktuar në kohë. Nisi në orën 12 të ditës dhe vijoi gjer në orën 6 të pasdites. Muzikë, valle dhe ushqime.
***
Për të plotësuar kronikën përfundimtare të këtij festivali, na erdhi në ndihmë informacioni i gazetarit Adrian Murraj.Citojmë: Për shërbime të veçanta në bashkësi dhe ndihmesë në organizimet e festivaleve gjatë 36 viteve të mbajtjes gjallë të tyre janë nderuar At Timothy Lowe dhe priftëresha Lisa (pas shërbesës 5 vjeçare), Këshilltare dhe ish Kryetare e Bashkisë së Usterit Konstantina Lukes, Ellen Athanas për bashkëshortin James Athanas (pas vdekjes) si bashkëkryetarë të festivalit të parë më 1983 , Steve Kerxhalli (ndërtues i tendës së parë), Peter Christopher dhe William N. Johns (ndër organizatorët e bashkësisë)….
Ashtu si dhe herë të tjera rritmet e muzikës popullore dhe vallet nga të gjitha krahinat e Shqipërisë që luhen kryesisht nga fëmijët me moshë nga nga 7-18 vjeç (fillore-mesme), si dhe instrumentistë e këngëtarë të spikatur janë një freski në sytë e pjesmarrësve dhe marrin vazhdimisht duartrokitje dhe përgëzim.
“…vetëm me 34 orë përgatitje gjatë periudhës së fundit, vallëtarët e vegjël ju kanë sjellë shtatë kërcime të rinj”; me këtë cilësim koreografi i grupit “Valletona” Dhimitraq Demiri paraqet punën e femijëve dhe prindërve të tyre që ushqejnë vazhdimisht ruajtjen e kulturës. Rreth 40 kostume popullore (një pjesë e të cilëve u përgatitën nga e para) patën kujdesin e Mimoza Xharja një larmi dhe freski ngjyrash që zbukuron katër shfaqjet e të rinjve në tre ditët e festivalit. Po kështu të rinjtë nga Uoterbërri Kënektikat dhe “Bashkimi Dance” Boston, përshëndetën me vallet e tyre festivalin.
Me po kaq përkushtim u shqua treshja e motrave Danga, këngëtarja Rachel Stoja, drejtuesët muzikor Natasha Hatibi dhe Petrika Mele, DJ Helios, Andrea, Vini dhe Mikel. Violinistja Kristina Danga me shpërthimin e saj ishte tërheqëse për publikun sa edhe e mirënjohura Eli Fara e ardhur posaçërisht nga Shqipëria për këtë veprimtari duke mbuluar drejtpërdrejtë me grupin instrumental “Alba” koncertet e dy netëve të para, pjesëmarrja e të cilëve u bë e mundur nga ndihma e bizneseve Shqina e Luarasi (“MEM Connection” dhe “Anisa Party”).
Ndër të rejat e festivalit të këtij viti dallon edhe bashkëpunimin e shqiptaro-amerikanëve me të tjera shoqata lokale ndër të cilat është dhe Muzeu Historik i Usterit që synon të përcjellë njohjen e bashkësisë shqiptare të vendosur këtu. David Conner (drejtues i Projektit të Pjesëmarrjes së Komunitetit) thekson se muzeu është i interesuar të mbledhë historitë e shqiptarve në Uster përkrah bashkësive të tjera, një projekt që kërkon bashkëpunimin tuaj.
Bashkëkryetarët për Festivalin Shqiptar të Usterit Gregory Steffon dhe Frankli Zdruli çmuan punën e mbi 200 vullnetarëve, anëtarëve të kishës dhe bizneseve mbështetës të cilët mundësojnë mbarvajtjen dhe ecurinë e tre ditëve të festivalit.