
VATRA FTON TË GJITHË SHQIPTARËT NË FESTËN E FLAMURIT KOMBËTAR

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909
by s p

by s p



Sokol Paja/
Federata Pan-Shqiptare e Amerikës Vatra promovoi romanin historik “Humbja” të autorit Mark Pashku. Me pjesëmarrjen e posaçme të Shoqatës Malësia e Madhe e drejtuesve të saj më të lartë, Vatra u kthye në shtëpinë e promovimit të letërsisë, historisë e kulturës kombëtare në mërgatën e Amerikës. Dr. Pashko Camaj uroi mirëseardhjen në emër të Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA. “Fillimi i autorit është mbresëlënës. Vlerësimet e marra deri tani tregojnë një arritje madhështore. Është shumë i rëndësishëm përkthimi në gjuhën angleze e kësaj vepre për letërsinë shqiptare dhe historinë tonë” tha ndër të tjera dr. Camaj. Kryetari i Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë z.Mhill Velaj ndër të tjera tha se romani historik “Humbja” është një klithmë për humbjen dhe dhimbjen e një kombi. Është një thirrje për humbjen e etnitetit tonë ndër kohëra. Si romani më i mirë i vitit 2021 në trojet shqiptare përshkruan jetën kolektive të malësorëve që e duan Malësinë. Epiqendra e rrefimit të Mark Pashkut është rrënja e lashtë etnike e shqiptarëve në vazhdën e shekujve. Në këtë roman përplasen kohërat në kërkim të së vërtetës historike. Ky roman është në vetvete një dimension historik dhe filozofik. Substrakti i romanit historik është etnokultura shqiptare” tha ndër të tjera z.Velaj. Autori i romanit “Humbja” Mark Pashku në fjalën e tij falënderoi e përgëzoi organizatorët dhe tha se Vatra është Ambasada reale e popullit shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ai shpjegoi idenë qëndrore të librit si nevoja e faktimit të historisë e kulturës kombëtare, problemet e rinisë në Malësi ku kultura, edukata, leximi janë e vetmja shpresë nga mbrojtja nga e keqja në ditët e sotme, tha aitori. Në libër gërshetohet e tashmja dhe e kaluara. Tema qëndrore e librit është: Rinia të orientohet në drejtim të shëndoshë dhe si një ftesë që ta duan historinë, kulturën, kombin tonë, përfundoi shpjegimin e tij autori Mark Pashku. Z.Nikollë Junçaj prezantoi autorin dhe rrënjët e tij familjare historike. Ai tha se autori Mark Pashku përshkruan jetën reale të kohës sonë. Personazhi na vjen në një prozë moderne. I kushtohet rëndësi rolit të familjes, edukimit, jetës dhe përshkrimit të ngjarjeve në Malësi. Përmes Mateos, kryepersonazhit të romanit, tregohet se jeta është më e vlefshme se çdo gjë tjetër, tha ndër të tjera z.Junçaj. Në promovim Z. Abdyl Hajredinaj ndër të tjera i uroi autorit jetë aktive krijuese dhe të nxisë kritikën letrare në letrat shqipe. Gjithashtu edhe Zef Hoti Gojçaj përgëzoi autorin dhe organizatorët për promovimin. Për të gjithë të pranishmit, në Selinë e Vatrës, kryetari z.Elmi Berisha shtroi një koktejl vëllazëror.
by s p








Rafaela Prifti/
Për shqiptarët e Luginës së Preshevës muajt e ardhshëm mund të jenë “shansi i fundit” për t’ju njohur të drejtat e tyre por për t’ju përgjigjur momentit faktori shqiptar si edhe bashkatdhetarët në Amerikë “duhet të jenë të bashkuar me mendje dhe zemër.”
Në takimin e mbrëmshëm me delegacionin e Luginës së Preshevës të cilin Kryetari i Vatrës e quajti “historik” zyrtarët e Vatrës garantuan “se do të jenë në krah të tyre duke qenë të harmonizuar me strategjinë kombëtare të Vatres dhe në një vijë me politikën e jashtme amerikane.” Nga ana e tyre pjesëtarët e delegacionit u fokusuan te “përfshirja e cështjes së të drejtave të shqiptarëve të Luginës së Preshevës në dialogun Kosovë Serbi si mënyra e vetme për ta lëvizur shtetin serb,” thanë ata. Të pranishmit vleresojnë se muajt e ardhshëm janë një periudhë shumë kritike gjatë të cilës angazhimi i administrates amerikane është në rendin e ditës.
Shaip Kamberi, Deputet në Parlamentin serb dhe Kryetar i Partisë për Veprim Demokratik, Ragmi Mustafa, Kryetar i Partisë Demokratike Shqiptare, Nagip Arifi, Kryetar i Komunës Bujanoc, Ragmi Mustafi, Kryetar i Këshillit Kombëtar Shqiptar i Luginës së Preshevës thanë se përbëjnë “diku rreth 80 për qind të fuqisë elektorale të popullsisë shqiptare” për shkak të ekzistencës së disa partive të vogla dhe grupimeve të tjera në Luginë. Kjo është vizita e tyre e dytë në Amerikë në një hapësirë katërmujore. Faton Bislimi nga Lidhja Qytetare Shqiptaro-Amerikane përmblodhi vizitën e kësaj radhe dhe atë të qershorit në kontekstin e synimeve dhe pritshmerisë për të ardhmen e afërt. Krahasimi i gjendjes së tanishme të shqiptarëve të Luginës së Preshevës me terrorin fizik dhe psikik të shtetit serb mbi popullsinë shqiptare në Kosovë në vitet ’90, është i qartë për shqiptarët e Kosovës, tha Kryetari i Vatrës, Elmi Berisha
“Ekzistojnë tri marrëveshje në letër të cilat nuk respektohen dhe nuk zbatohen nga autoritetet serbe. Ky realitet ilustron nga njëra anë dobësinë e Brukselit për të imponuar marrëveshjet e nënshkruara nga pala serbe ndërkohë që zbulon hipokrizinë e shtetit serb kur vjen fjala tek standartet për pakicat etnike, por cka është me rëndësi është evidentimi i rëndësisë së angazhimit të autoriteteve amerikane,” tha deputeti Shaip Kamberi.
Situata në komunat Preshevë, Bujanoc dhe Medvegj të cilat historikisht i takonin vilajetit të Kosovës deri në ndryshimin e kufijve në fillim të shekullit të 20 në kohën kur këto territoret shqiptare u shkëputen dhe iu dhanë Serbisë, është sot shumë e rëndë, thanë anëtarët e delegacionit. “Këto komuna me shumicë shqiptare po përjetojnë zbrazje me ritme të shpejta në dy dhjetëvjecarët e fundit, nga koha pas luftës së Kosovës e deri më sot,” vërejti Ragmi Mustafa, Kryetar i Partisë Demokratike Shqiptare në Preshevë. “Demoralizimi i popullsisë nuk kryehet me tanksa, mitroloza e autoblinda por nëpërmjet pengimit të pjesëmarrjes në organet shtetërore, mosnjohjes së diplomave të universiteteve të Kosovës, fshirjes nga regjistri civil që sjell humbjen e pronës, letrave të identidetit nderkohë që rreth 75 për qind e popullsisë së aftë për punë është e papunësuar,” tha ai.
“Në arenën e re politike të krijuar nga lufta në Ukrainë,” tha Nagip Arifi, Kryetar i Komunës Bujanoc, “është hapur një mundësi e re. Në muajin tetor në marrëveshje me Bashkimin Evropian dhe OSBE-në ka filluar regjistrimi i popullsisë në komuna.” Ndërkohë përfaqësuesit ndërkombetar vecanërisht autoritetet amerikane janë të gatshëm të na degjojnë, vërejti ai, duke e cilësuar vizitat në Shtetet e Bashkuara në hapësirën katërmujore “shpresëdhënëse”. Por, njëherit theksoi se koha është e kufizuar. Ndër faktorët e jashtëm, agresioni rus në Ukrainë e ka vështiresuar disi lojën e dyfishtë të Vucicit për të luajtur me evropianet dhe sanksionet ndaj Rusisë ndërkohë që është aleat historik i Putinit.”
“Pjesa më e vështirë e rajoneve ku jetojnë shqiptarët sot është Lugina e Preshevës që përballet me një shtet që përdor levat serbe për destabilizim e rajonit,” tha Shaip Kamberi. Anëtarët e delegacionit thanë se përballë situatës së rënduar, e vetmja zgjidhje është angazhimi i administratës amerikane për cështjen e të drejtave të shqiptarëve, temë e cila e diskutua në takimin me të dërguarin e posacëm të administratës amerikane, Escobar. Dhe pa humbur kohë duhet filluar me përfshirjen në dialogun Serbi Kosovë, tha Ragmi Mustafi, Kryetar i Këshillit Kombëtar Shqiptar i Luginës së Preshevës. Cështja e të drejtave të pakicave është e garantuar nga Bashkimi Evropian dhe Kosova ka ndarë fonde të vecanta për këtë si edhe i ka mbështetur vizitat e tyre në Amerikë por kjo nuk mjafton, tha ai.
Deri tani trajtimi i popullsisë shqiptare në Luginë e Preshevës nuk është vendosur si pikë e dialogut Prishtinë Beograd ndërsa ka gjendja e shqiptarëve aty është në pikë shumë kritike. Për t’a sjellë në qendër të vëmendjes temën e popullsisë shqiptare në Luginën e Preshevës kemi pasur takime me kongresistin Jim McGovern i Komitetit të Marrëdhënieve të Jashtme dhe grupin shqiptar në Kongres, tha Faton Bislimi I Lidhjes Qytetare Shqiptaro Amerikane e cila është zë dhe pjesë e rëndësishme e cështjes kombëtare të shqiptarëve në Uashington. “Një seancë dëgjimore,” tha Faton Bislimi do jetë pjesë e fushatës, dhe paralelisht synojmë të krijojmë një bazament institucional enkas për këtë cështje në Amerikë.”
“Vatra do t’ju ketë partnerë në strategjinë kombëtare të hartuar në koordinim me vijën e politikës së jashtme të Shteteve të Bashkuara dhe vendet amë,” tha Kryetari i Vatrës Elmi Berisha. Ky ishte mesazhi që përcollën përfaqësuesit e Vatrës në takim Agim Rexha, Nazo Veliu, Pashko Camaj të cilët shprehen me radhë përkrahjen si Vatranë dhe si shqiptarë.
Për shqiptarët e Luginës së Preshevës muajt e ardhshëm mund të jenë “shansi i fundit” për t’ju njohur të drejtat e tyre. Por për t’ju përgjigjur momentit faktori shqiptar si edhe bashkatdhetarët në Amerikë “duhet të jenë të bashkuar me mendje dhe zemër,” sic tha Ipeshkvi i Kosovës, pjesëmarrës në takimin e mbrëmshëm, Imzot Dodë Gjergji.
by s p







Sokol Paja/
New York, 15 Tetor 2022 – Federata Pan-Shqiptare e Amerikës VATRA priti në një takim të përzemërt e vëllazëror shkrimtarin e shquar Visar Zhiti. Një bashkëbisedim i ngrohtë, i sinqertë e i paqtë si shqiptarë e si vatranë për shqetësimet tona të përbashkëta, idetë dhe vizionet për të ardhmen tonë. Dr. Pashko Camaj përshëndeti në emër të Vatrës duke i uruar mirëseardhjen, falënderuar për kontributin dhe shërbimin që Visar Zhiti i ka dhënë kulturës e kombit tonë. Shkrimtari Visar Zhiti në fjalën e tij ndër të tjera tha: “Vatra është tempulli i shqiptarisë, nder i veçantë të vizitosh Vatrën. Gazeta Dielli është pasuri që duhet mbajtur, aty është fjala shqipe, shpirti shqiptar, pasuri e veçantë, trashëgimi e shkëlqyer. Mbajeni, mbështeteni e forcojeni Diellin. Kur u thashë poetëve ndërkombëtarë se ka shkruar Dielli për ne, të huajt u entuziazmuan shumë, imagjinoni unë si shqiptar çfarë emocioni ndiej për Diellin.Vatra është fat i madh, kështu duhet ta shohim. Vatra duke qënë sa më miqësore me veten, do jetë po aq miqësore edhe me të tjerët. Vatra është nderi ynë, historia jonë, identiteti ynë” tha ndër të tjera Visar Zhiti. Në bashkëbisedimin vëllazëror në Vatër, Visar Zhiti kujtoi mesazhin e paqes nga Papa Françeku për vëllazëri fetare në Shqipëri, detaje nga Festivali i Poezisë Ndërkombëtare në New York më 13 tetor dhe shpjegoi se para Festivalit të Poezisë ai kishte folur për Migjenin, Dritëroin dhe Pano Taçin, jeta në burg dhe disidenca e poetit kundërshtar të regjimit dhe përkujdesja e veçantë e Lasgush Poradecit për të. Shkrimtari Zhiti u ndal te Noli e Konica si figura të shquara të kulturës e historisë sonë kombëtare dhe leximi i librit “Fije Bari” i Uitman i cili ndalohej në komunizëm dhe leximet në burg me Hasan Bajon e të dënuar të tjerë. Në fjalën e tij Visar Zhiti përmendi kujtimin e Dalip Grecës dhe Zef Balës. Zhiti tha gjithashtu se Shqipëria nuk dënoi as diktaturën as diktatorin. U duk sikur nuk pati fitimtar, dhe shpjegoi për të pranishmit peripecitë sesi bashkëvuajtësit e tij ruanin poezitë e tij në burg. Ai e përmbylli takimin me historinë e poetit Lasgush Pogradecin me sekretarin e partisë: “Sekretarët vejnë e vijnë, poetët bëjnë Shqipërinë”. Sekretarja e Vatrës Nazo Veliu falenderoi dhe kërkoi që të mblidhen të gjithë bashkë për të paraqitur vlerat më të mira të kombit tonë, ajo i përcolli urimet e Presidentit të Nderit të Vatrës z.Agim Rexhaj. Zonja Veliu i shprehi mirënjohje Visar Zhitit për çfarë ka bërë për kombin shqiptar në letërsi dhe diplomaci. Disidenca kombëtare mbajti gjallë frymën e kombit, përfundoi Zonja Veliu. Ambasador Mal Berisha në fjalën e tij theksoi se Visar Zhiti është kronikan i historisë më të dhimbshme të kombit tonë. Visari shkëlqeu në të gjitha periudhat. Z.Berisha kujtoi në fjalën e tij episode të ndryshme të punës e bashkëpunimit me Visar Zhitin në Ministrinë e Jashtme dhe promovimin në Nëntor të platformës audiobooks nga Avni Ponari, së bashku me Vatrën dhe shkollat shqipe në New York. Bashkëvuajtësi i Visar Zhitit, Hasan Bajo në fjalën e tij u ndal te paralelizmi i Skënderbeut që sakrifikoi kombin e tij për Perëndimin. Merita e Visarit është se shkroi poezi në kushte të pa imagjinueshme në hetuesi. Shkrimi i poezive në hetuesi ishte në kushte të tmerrshme, kujtoi z.Bajo. Marjana Bulku në fjalën e saj theksoi se letërsia shkollore ka nevojë për veprën e Visar Zhitit, Vatra ka nevojë për Visar Zhitin, historia shqiptare ka nevojë për z.Zhiti. A mjafton veç poezia apo letërsia për të treguar atë kohë? Z.Zhiti iu përgjigj se letërsia është përjetim, është emocion, ajo bën një efekt si uji i nëndheshëm. Poezia nuk është termet as revolucion, ajo na ndihmon të bëjmë veten. Nëse çdo kush e bën këtë, ne kemi bërë vendin, theksoi z.Zhiti. Kejvi Mirakaj i kërkoi poetit një frazë për të kristalizuar bashkimin e shqiptarëve dhe zërin e tyre të përbashkët. Shkrimtari Zhiti theksoi se historia, e kaluara duhet të kalojë nga rrëfimi në përvojë. Vatra duhet të afrojë të rinjtë, t’u dëgjojë zërin, të gjejmë të mirat te njëri-tjetri për t’u bashkuar. Në këtë takim diskutoi edhe Eduart Aranitasi, Drita Vushaj dhe Ibrahim Shabaj, treguan përsekucionin e familjes dhe dhanë mesazhe paqeje, bashkimi e vazhdimësie. Mark Mërnaçaj dhe Anton Raja gjithashtu falënderuan poetin për vizitën e veçantë në Vatër. Para vizitës në Vatër, Visar Zhiti mori pjesë në Festivalin Botëror të Poezisë në New York ku kishte përfaqësues nga Amerika, Europa, dhe Amerika Latine. Visar Zhiti ishte i vetmi poet shqiptar pjesëmarrës në këtë festival poezie, si poet, autor, diplomat dhe disident politik.
by s p



Sokol Paja/
Federata Pan-Shqiptare e Amerikës VATRA u takua me Ministrin e Mbrojtjes së Republikës së Kosovës z.Armend Mehaj. Kryetari z.Elmi Berisha, Shefi i Kabinetit Dr. Pashko Camaj dhe një përfaqësi Kryesisë e Këshillit të Vatrës u pritën ngrohtësisht në Konsullatën e Kosovës në një takim vëllazëror me mërgatën e Amerikës. Ministri Mehaj në takimin me komunitetin shqiptar në New York falenderoi mërgatën për punën e pa lodhur në ndihmë të çështjes kombëtare. “Faleminderit nga zemra që nuk e harroni kombin asnjëherë” filloi fjalën përshëndetëse z.Mehaj. Në takimin e zhvilluar në Konsullatën e Kosovës në New York, në takimin e prezantuar nga Ambasador Blerim Reka, pikat e diskutimit të takimit ishin zhvillimi ekonomik i Kosovës, plani me Shtetet e Bashkuara të Amerikës për fuqizimin e ushtrisë së Kosovës, marrëdhëniet bilaterale me miqtë dhe aleatët e Kosovës, eksportimi i sigurisë në rajon e më gjërë, fuqizimi i reagimit të shtetit në kriza, fuqizimi dhe garancia e të ardhmes së kombit me mbështetjen e USA e aleatëve strategjikë etj. Ministri Mehaj u ndal gjatë diskutimit edhe te fakti se shteti i Kosovës ka ndihmuar në krizën ukrainase por edhe të afganëve dhe ka rritur forcën e shtetit në veri të Kosovës. Takimi e bisedat vëllazërore vazhduan rreth fuqizimit ekonomik të shtetit të Kosovës dhe rolit të jashtëzakonshëm të diasporës shqiptare në Amerikë në proceset integruese ku gjendet Kosova e kombi shqiptar.