Sokol Paja/
New York, 15 Tetor 2022 – Federata Pan-Shqiptare e Amerikës VATRA priti në një takim të përzemërt e vëllazëror shkrimtarin e shquar Visar Zhiti. Një bashkëbisedim i ngrohtë, i sinqertë e i paqtë si shqiptarë e si vatranë për shqetësimet tona të përbashkëta, idetë dhe vizionet për të ardhmen tonë. Dr. Pashko Camaj përshëndeti në emër të Vatrës duke i uruar mirëseardhjen, falënderuar për kontributin dhe shërbimin që Visar Zhiti i ka dhënë kulturës e kombit tonë. Shkrimtari Visar Zhiti në fjalën e tij ndër të tjera tha: “Vatra është tempulli i shqiptarisë, nder i veçantë të vizitosh Vatrën. Gazeta Dielli është pasuri që duhet mbajtur, aty është fjala shqipe, shpirti shqiptar, pasuri e veçantë, trashëgimi e shkëlqyer. Mbajeni, mbështeteni e forcojeni Diellin. Kur u thashë poetëve ndërkombëtarë se ka shkruar Dielli për ne, të huajt u entuziazmuan shumë, imagjinoni unë si shqiptar çfarë emocioni ndiej për Diellin.Vatra është fat i madh, kështu duhet ta shohim. Vatra duke qënë sa më miqësore me veten, do jetë po aq miqësore edhe me të tjerët. Vatra është nderi ynë, historia jonë, identiteti ynë” tha ndër të tjera Visar Zhiti. Në bashkëbisedimin vëllazëror në Vatër, Visar Zhiti kujtoi mesazhin e paqes nga Papa Françeku për vëllazëri fetare në Shqipëri, detaje nga Festivali i Poezisë Ndërkombëtare në New York më 13 tetor dhe shpjegoi se para Festivalit të Poezisë ai kishte folur për Migjenin, Dritëroin dhe Pano Taçin, jeta në burg dhe disidenca e poetit kundërshtar të regjimit dhe përkujdesja e veçantë e Lasgush Poradecit për të. Shkrimtari Zhiti u ndal te Noli e Konica si figura të shquara të kulturës e historisë sonë kombëtare dhe leximi i librit “Fije Bari” i Uitman i cili ndalohej në komunizëm dhe leximet në burg me Hasan Bajon e të dënuar të tjerë. Në fjalën e tij Visar Zhiti përmendi kujtimin e Dalip Grecës dhe Zef Balës. Zhiti tha gjithashtu se Shqipëria nuk dënoi as diktaturën as diktatorin. U duk sikur nuk pati fitimtar, dhe shpjegoi për të pranishmit peripecitë sesi bashkëvuajtësit e tij ruanin poezitë e tij në burg. Ai e përmbylli takimin me historinë e poetit Lasgush Pogradecin me sekretarin e partisë: “Sekretarët vejnë e vijnë, poetët bëjnë Shqipërinë”. Sekretarja e Vatrës Nazo Veliu falenderoi dhe kërkoi që të mblidhen të gjithë bashkë për të paraqitur vlerat më të mira të kombit tonë, ajo i përcolli urimet e Presidentit të Nderit të Vatrës z.Agim Rexhaj. Zonja Veliu i shprehi mirënjohje Visar Zhitit për çfarë ka bërë për kombin shqiptar në letërsi dhe diplomaci. Disidenca kombëtare mbajti gjallë frymën e kombit, përfundoi Zonja Veliu. Ambasador Mal Berisha në fjalën e tij theksoi se Visar Zhiti është kronikan i historisë më të dhimbshme të kombit tonë. Visari shkëlqeu në të gjitha periudhat. Z.Berisha kujtoi në fjalën e tij episode të ndryshme të punës e bashkëpunimit me Visar Zhitin në Ministrinë e Jashtme dhe promovimin në Nëntor të platformës audiobooks nga Avni Ponari, së bashku me Vatrën dhe shkollat shqipe në New York. Bashkëvuajtësi i Visar Zhitit, Hasan Bajo në fjalën e tij u ndal te paralelizmi i Skënderbeut që sakrifikoi kombin e tij për Perëndimin. Merita e Visarit është se shkroi poezi në kushte të pa imagjinueshme në hetuesi. Shkrimi i poezive në hetuesi ishte në kushte të tmerrshme, kujtoi z.Bajo. Marjana Bulku në fjalën e saj theksoi se letërsia shkollore ka nevojë për veprën e Visar Zhitit, Vatra ka nevojë për Visar Zhitin, historia shqiptare ka nevojë për z.Zhiti. A mjafton veç poezia apo letërsia për të treguar atë kohë? Z.Zhiti iu përgjigj se letërsia është përjetim, është emocion, ajo bën një efekt si uji i nëndheshëm. Poezia nuk është termet as revolucion, ajo na ndihmon të bëjmë veten. Nëse çdo kush e bën këtë, ne kemi bërë vendin, theksoi z.Zhiti. Kejvi Mirakaj i kërkoi poetit një frazë për të kristalizuar bashkimin e shqiptarëve dhe zërin e tyre të përbashkët. Shkrimtari Zhiti theksoi se historia, e kaluara duhet të kalojë nga rrëfimi në përvojë. Vatra duhet të afrojë të rinjtë, t’u dëgjojë zërin, të gjejmë të mirat te njëri-tjetri për t’u bashkuar. Në këtë takim diskutoi edhe Eduart Aranitasi, Drita Vushaj dhe Ibrahim Shabaj, treguan përsekucionin e familjes dhe dhanë mesazhe paqeje, bashkimi e vazhdimësie. Mark Mërnaçaj dhe Anton Raja gjithashtu falënderuan poetin për vizitën e veçantë në Vatër. Para vizitës në Vatër, Visar Zhiti mori pjesë në Festivalin Botëror të Poezisë në New York ku kishte përfaqësues nga Amerika, Europa, dhe Amerika Latine. Visar Zhiti ishte i vetmi poet shqiptar pjesëmarrës në këtë festival poezie, si poet, autor, diplomat dhe disident politik.