• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

VATRA NDEROI DEGËT DHE VATRANË TË DALLUAR ME MIRËNJOHJE DHE CIMIN E MERITËS

June 11, 2017 by dgreca

Pas Kuvendit vjetor të Vatrës, që përfundoi punimet gjatë ditës së Shtunë-10 Qershor 2017, në mbrëmje u shtrua një darkë në Pelham Bay-Diner Restaurant.

Kanë marrë pjesë delegatët e shteteve të largëta, Kryetari Buçaj me zonjën dhe familjen, Kryesia e dorëhequr, Kryetari i ri i sapo zgjedhur Dritan Mishto, kandidati konkurues Mithat Gashi e të tjerë.
Pjesmarrësit i argëtoi artisti vatran Frederik Ndoci. Gjatë darkës Kryetari Gjon Buçaj nderoi për arritje individë, vatranë dhe degë të dalluara të Vatrës.
Ndër degët u nderuan me Mirënjohje: Dega e Washingtonit, dega e Michiganit, dega e Jacksonville dhe dega e Tampa Bay me motivicionin: për aktivitete shoqnore e kulturore,në frymën e bashkëpunimit dhe në dobinë e komunitetit ku jeton”.
Me çertifikatë Mirënjohje për kontribute të veçanta financiare …ose/dhe për mirëmbajtjen shtëpisë së “Vatrës”,u nderuan: Besim Malota, Mark Mrnaçaj,Ahmet HOTI, Ekrem Bardha, Ramiz Mujaj, Mehmet Kadrijaj,Bedri Lita,Arjan Myrto.
Me çmimin e Meritës u nderuan: Ahmet Giaffo,Agim Rexhaj, Marjan Cubi, Asllan Bushati,Nazo Veliu,Dalip Greca,Mithat Gashi,
Dr.Nexhat Kaliçi,Dr. Skender Murtezani,Merita B. McCormack, Agim Aliçkaj, Ibrahim Kolari, Idriz Lamaj, Kujtim Qafa,Lek Mirakaj,Sabit Bitiçi,Sejdi Bitiçi,Zef Balaj,Uka Gjonbalaj,Zudi Karagjozi,Julian Çefa,Zef Perndocaj,Ndrec Gjergji,Sejdi Hysenaj,Cezar Ndreu,Dine Dine.

Filed Under: Featured Tagged With: dalip greca, dege dhe, VATRA nderoi, vatrane te dalluar

FEDERATA PANSHQIPTARE E AMERIKES MES DY KUVENDEVE

June 11, 2017 by dgreca

Raporti për Kuvendin – 10 qershor 2017/                                                                 

1 Gjoni Noli

 Nga Dr. Gjon Buçaj/

Të nderuem mysafirë, /

të nderuem delegatë dhe antarë e dashamirë të Vatrës,/

zoja dhe zotnij,/

ndjehem i nderuem dhe kam kënaqësi të veçantë të paraqes para jush raportin e punës së deritashme, kryesisht të periudhës prej Kuvendit të fundit, të theksoj disa parime që na kanë pri gjatë detyrës s’onë, si dhe të përmendi disa punë të pakryeme të cilat presin të realizohen nga udhëheqsia e re e “Vatrës” që do të dali nga ky Kuvend.

Bashkëpuntorët e mij dhe unë e kemi pranue detyrën që na e kanë ngarkue anëtarët, me vetdijën e përgjegjësisë dhe të peshës së randë për të udhëheqë këtë organizatë famëmadhe në shërbim të interesit kombëtar.

Veprimataria  jonë asht orientue, në traditën e përhershme të Vatrës, në drejtimin e zhvillimeve në trojet shqiptare, si dhe të zhvillimevet ndërkombëtare me interes  për kombin tonë.

Nga ana tjetër, vemendja e jonë asht orientue edhe kah rregullimi dhe përforcimi organizativ dhe adminstrativ, për të ba Vatrën ma të aftë për të krye detyrat dhe për të realizue synimet e saj programore. Këtu hynë zgjanimi i degëvet, rritja e numrit të anëtarëvet, mirëmbajtja e shtëpisë ku ruhen biblioteka e arkivi dhe ku përgatitet gazeta Dielli. Në komunitet jemi përpjekë të mbajmë frymën e bashkëpunimit me institucionet fetare dhe shoqatat tjera, bashkëpunimin me diplomatët shqiptar dhe me zyrëtarë amerikanë.

Përsa i përket Vatrës vetë si organizatë, jemi përpjekë me mbajtë lidhje me degët edhe me anëtarët. Mbas Kuvendit të fundit zgjedhor asht vërejtë nji ramje e entuziazmit dhe asht pa nevoja me ba përpjekje për të riforcue dhe për të mbajtë nalt interesimin dhe përkushtimin për këtë institucion. Për këtë qëllim para pak kohe kemi vizitue degët e Vatrës ku kemi vërejtë se përkushtimi ishte i pa ndryshuem por se nevojitej nji organizim ma praktik në mes qendrës e degëvet dhe të anëtarëve. Prandej kemi fillue për të ndërtue nji komunikim ma të shpeshtë me degët dhe direkt me anëtarët. Kemi kërkue nga degët plotsimin e listave të anëtarëvet, jo vetëm me emën e mbiemën, por edhe me adresa të plota postare, elektronike dhe numra telefonash. Ky proces i asht afrue fazës së përfundimit në këtë Kuvend.

Ndërtesa e Vatrës, e cila asht ble me pare të mbledhuna nga anëtarët gjatë disa dekadave dhe regjistrue përkohsisht në emnin e kryetarit tonë shumëvjeçar, z. Agim Karagjozi, asht në procesin e regjistimit ligjor në emën të Federatës. Kjo ndërtesë ka edhe nji sallë ku zhvillohen aktivitete shoqnore e kulturore si mbledhje të organave të Vatrës, takime me delegacione dhe përfaqësues institucionesh të ndryshme dhe me vizitorë eventualë nga troje shqiptare dhe nga diaspora. Si aktivitete kulturore po përmendi vetëm disa nga ato të fundit, si seminari mbi Faik Konicën, përkujtimet për Fan Nolin, Arshi Pipën, Midhat Frashërin dhe për revoltat e Spaçit e Qafëbarit, të cilat shënojnë epopenë e qendresës heroike kundër regjimit gjakatar komunist. Salla e Vatrës shërben edhe si ekspozitë me fotografi e dokumenta, që pasqyrojnë historinë ma së nji shekullore të Vatrës, si pjesë me randësi e historisë sonë kombëtare. Aty kemi pasë kënaqsinë me pritë përsonalitete të politikës dhe kulturës shqiptare edhe amerikane. Klerikët tanë të besimeve të ndryshme ndiejnë ngrohtsinë e shtëpisë së Vatrës, ku nderohen e vlerësohen për veprimtarinë e tyne me karakter fetar e kombëtar, sepse Vatra e konsideron harmoninë tonë ndërfetare si nji gur me randësi në themelin e kombit të përbashkët.

Salla e Vatrës shërben edhe si ekspozitë me fotografi e dokumenta, që pasqyrojnë historinë ma së nji shekullore të Vatrës…

Ndërsa kemi pritë me nderime e përzemersi personalitete qeveritare nga Shqipnia e Kosova, nga trojet tjera shqiptare dhe nga diaspora, më duhet të përmendi me keqardhje se asnji person nga ana socialiste nuk asht interesue të trokasë në derën e Vatrës, megjithëse asht dera e nji institucion kombëtar i të gjithë shqiptarëvet, pa dallime bindjesh politike.

Përveç seminareve dhe përkujtimeve me karakter kombëtar, në selinë e Vatrës kemi organizue edhe promovime librash, kryesisht me vlerë historike, që pasqyrojnë në mënyrë objective, sidomos të kaluemen tonë jo të largët.

Përsa u përket Shqipnisë Kosovës kemi përkrahë zbatimin e reformavet demokratike dhe kemi ba thirrje për luftën kundër korrupcionit, kundra krimit të organizuem dhe tregtisë së drogës. Kemi çmue e përkrahë angazhimin e miqve të shqiptarëvet për të ndihmue realizimin e reformavet demokratike, sidomos të ambasadorit amerikan Donald Lu i cili ka zgjedhë, me vend, reformën në drejtsi si pikënisje për reformat tjera. Kemi kërkue vazhdimisht hapjen e dosjeve të sigurimit dhe zbatimin e ligjit të lustracionit, kthimin e pronave të konfiskueme nga regjimi komunist, integrimin dhe mëkambjen e shtresës së ish të përndjekunvet, si kushte të domosdoshme  për realizimin e tranzicionit të plotë prej diktaturës në demokraci të vërtetë.

Megjithë arritjet tona, sado me përkushtim dhe me ndihmë e përkrahje nga anëtarët dhe nga dashamirët e Vatrës, nuk jemi të kënaqun sepse ka edhe shumë punë të tjera për t’u ba, të mbetuna si ide apo si projekte të planifikueme. Këto do të kryhen me angazhimin e kryesisë së re dhe me ndihmën dhe përkrahjen e të gjithëve së bashku.

Udhëheqësia dorëheqëse nuk do të ia kthejë shpinën udhëheqësisë së re, por do të jetë vazhdimisht përkrahëse e saj. Kjo frymë baskëpunimi duhet të jetë e gjallë edhe në ndryshimin e kryesisës së degëve, ashtu sikurse kanë veprue degët Washington DC dhe Dega Michigan. Kemi besim se kështu duhet të veprojnë edhe degët e tjera kur t’ju vijë radha.

Në punët e pakryeme janë edhe botimet e disa kumtesave seminarësh në volume të veçanta, që janë publikue të shpërndame në gazeta. Për këtë qëllim asht emnue nji komision fillimtar i cili pret kryesisht mjetet financiare për të fillue nga puna. Nji botim monumental i premtuem asht albumi historik i njiqind vjetve jetë të Vatrës. Realizimi i kësaj vepre kërkon jo vetëm mjete financiare por edhe nji grup intelektualësh të kualifikuem. Këto, me doemos, do realizohen me angazhimin e të gjithë vatranëve dhe miqëve të Vatrës. Shpenzimi fillestar për albumin asht ba me rastin e 100 vjetorit, nga shuma që na patën dhurue Ministria e Diasporës së Kosovës, pa ia kërkue, e ma vonë edhe Ministria e Kulturës së Shqipnisë. Albumi historik do të jetë nji bashkëbotim i këtyne dy institucioneve dhe i Vatrës.

Përveç këtyne dhe punëvet të tjera për përmirësimin dhe përforcimin organizativ të Federatës dhe rritjen e numrit të anëtarëve dhe të degëve, administrata e re do të ketë edhe barrën e randë për realizimin të projektit ambicioz për të ble ose ndërtue nji shtëpi të re dhe të përshtatshme për emnin dhe për funkcionimin jetëgjatë dhe frytdhanës të Vatrës. Ideja e shtëpisë së re asht shndërrue në projekt me bujarinë e disa vatranëvet biznismenë, deri tash gjashtë, të cilët kanë premtue, për këtë qëllim, nga 100 mijë dollarë çdo njeni. Sigurisht edhe shumë të tjerë idealista bujarë do ti bashkohen këtij grupi për ta ba këtë projekt realitet.

Vatra duhet të zgjanojë aktivitetin në komunitet dhe në Washington, të zgjanojë dhe të forcojë kontaktet me vendlindjen dhe me diasporën.

Vatra ka nji trashigimi të fuqishme historike e morale, të cilën asht detyrë me e shfrytzue për dobinë e interesave të kombit. Por, për ta krye këtë mision në mënyrë efektive dhe të dobishme, duhet të jetë e fortë edhe në pikëpamje praktike, numerikisht edhe financiarisht. “Dielli”, organi zadhanës i saj, botohet vetëm nji herë në muej, dhe nuk ka editor në gjuhën anglishte, kryesisht për mugesë financiare.

Në fundin e mandatit si kryetar, duhet të falënderoj përzemersisht bashkëpuntorët e mij të Kryesisë, Editorin e gazetës, Këshillin Drejtues, Këshillat e degëvet  dhe anëtarët për përkrahjen e parezervë gjatë kohës që kam pasë privilegjin me drejtue këtë institucion prestigjoz.Më lejoni, gjithashtu, të falënderoj edhe familjarët e mij të cilët, jo vetëm kanë tregue durim por edhe më kanë letësue barren e detyrës me ndimë e përkrahje, gjatë angazhimit tim shumëvjeçar në Vatër.

 

Ju, të nderuem delegatë, keni ardhë këtu sot, disa edhe prej distancave të largëta dhe me shumë shpenzime, për të krye detyrën patriotike të cilën e keni marrë vullnetarisht përsipër,  të ndimoni Vatrën që të eci gjurmave të themeluesave dhe të atyne që, me idealizëm e sakrifica e mbajtën për ma se nji shekull, dhe na  lane amanet  t’ua përcjellim  gjeneratave të reja.

Në procesin e zgjedhjes së kryetarit të ri dhe zyrtarëvet tjerë që do të shërbejnë për dy vitet e ardhëshme, do t’ju frymëzojnë parimet demokratike të Vatrës dhe idealizmi i saj patriotik, kurse Kanunorja do të jetë mjeti i cili, bashkë me fisnikinë dhe qytetarinë t’uej, do ta bajë të panevojshme të ketë konflikte edhe atëherë kur të ndesheni me mendime të kundërta.

Sot, jo vetëm anëtarët e Vatrës, por edhe shumë shqiptarë, në diasporë dhe në trojet tona, presin me interesim zhvillimin dhe përfundimin e zgjedhjeve edhe të punimeve të këtij Kuvendi. Ju keni përgjegjësinë me dhanë shembullin se si zhvillohen zgjedhjet në mënyrë vërtetë demokratike dhe se si, mbas përfundimit të zgjedhjevet, mbizotnon fryma e bashkëpunimit konstruktiv për të mirën e përbashkët. Mëvaret prej jush, motra dhe vëllazën delegatë, a do të dalim të gjithë faqebardhë me këtë Kuvend, dhe këte e uroj nga zemra.

Filed Under: Featured Tagged With: Kryetari Gjon Bucaj, Kuvendi i Vatres, Raporti

KRYETARI I VATRES, DR. GJON BUÇAJ ME VATRANET NE WORCESTER

June 8, 2017 by dgreca

Kryetari i Vatrës, Dr. Gjon Buçaj me 3 dhe 4 Qershor 2017 ishte i ftuar nga dega e Vatrës në Worcester, MA. Ai shoqërohej nga zonja Nikoleta, djali Leka me nusen Frances, si dhe editor i Diellit Dalip Greca. Ishte i ftuar, mori pjese dhe regjistroi Festivalin Shqiptar si dhe veprimtarinë e Vatrës, TV Kultura Shqiptare me zotin Adem Belliu, që shoqërohej nga zonja e Tij, Mimoza Belliu.

1 bucaj prezantim1 ok gjoni flet en fest1 ok Thanasi flet1 Zhani flet1 zdruli flet

Të ftuarit ndoqën të Shtunën dhe të dielën Festivalin Shqiptar të orgnizuar nga St. Mary’s Albanian Orthodoks Church në Worcester, MA dhe u takuan me bashkatdhetarët e vatranët. Kryetari i Vatrës u prit nga z. John Lito, kryetari i degës së Vatrës, nënkryetari Prof. Dhimitër Skënde, nga sekretari Thanas Gjika,aktivisti Franklin Zdruli etj.

Të dielën paradite, me 4 Qershor, Kryetari i Vatrës dhe editori i Diellit u takuan me bordin e  degës së Vatrës në një nga mjediset e një NU Cafe’ në Chandler Str., një prej kafeneve më të frekuentuara edhe nga shqiptarët, kafe karakteristike këto në Amerikën e Veriut, me hapsirë të bollshme, me kënde studimi,kënde për muzikantë, që luajnë për klientët, kënde librash,studimi etj. Në takimin morën pjesë: John Lito, kryetar i degës; Prof. Dhimiter Skende, nenkryetar i degës; Thanas Gjika- sekretar, Olsi Gjinko, autosale & repare, mbështetës i degës; Michael Sholla, Franklin Zdruli, aktivist i njohur dhe pjese e Vatres etj.Kryetari i degës së Vatrës në Worcester John Lito i uroi mirëseardhjen Kryetarit Buçaj dhe e prezantoi me bordin e degës.

1 bucaj Gjika moza1 dr Gjoni me miq1 Bucajt thanas frend1 d gjon thanas usht1 bucaj Lek nusja

Sekretari i degës z. Thanas Gjika mes të tjerash tha se: “Federata Vatra është shoqëri atdhetare kulturore e cila në politikë mbështet politikën proshqiptare demokratike të qeverisë amerikane. Ne si degë kemi nevojë që qendra e shoqërisë Vatra të na ndihmojë për të bërë presion në Town Hall të qytetit tonë ku jemi rreth 20.000 shqiptarë që të na japë disa fonde për zhvillimin e kulturës shqiptare, sporteve, këngëve, grupet e valleve, na duhen ambjente për zyrë e aktivitete, etj. Kemi nevojë që të kemi në Town Hall një përfaqësues shqiptar, tha Gjika.

Ai tregoi edhe për mënyrën se si po afrohet dega e Vatrës me komunitetin për të shtuar radhët me vatranë të rinj. Unë, tha ai, po shkruaj për Gazetën Dielli potrete e biografi veprimtarësh të shquar të komunitetit të Worcester-it, me qëllim që të njihen, të afrohemi me ta e të shtojmë rradhët e shoqërisë Vatra.”

Kryetari John(Zhani) Lito kërkoi nga kryetari Buçaj, që të përcjellë një informacion për qëndrimet dhe veprimtaritë Vatrës në e qendër.

Kryetari Buçaj, pasi foli për Kuvendin që mblidhet me 10 Qershor në Nju Jork, sqaroi pozicionin e Vatrës në raport me partitë politike dhe tendencën e saj për të qëndruar mbi partitë, duke u mbajtur fort pas Çështjes Kombëtare,e cila qëndron mbi interesat dhe flamujt e partive politike.

-nuk është faji ynë, tha dr. Buçaj, që pozita aktuale, që ka pushtetin në Shqipëri, nuk i është afruar asnjëherë derës së Vatrës, edhe pse një përfaqësi e Vatrës, ka shkuar në Hotelin, ku ka bujtë Kryeministri Rama dhe jemi takuar me të, i kemi uruar detyren.Po ashtu Kryetari Buçaj,sqaroi edhe arsyen pse Vatra nuk u bë fasadë për samitin e Kryeministrit.

Vatra, tha dr. Buçaj, kur ka konstatuar shkelje të interesave kombëtare, nuk e ka kursyer kritikën as së majtës e as së djathtës, qoftë në Shqipëri, qoftë edhe në Kosovë. Është i njohur qëndrimi i Vatrës ndaj çështjes çame, ndaj varrezave greke në Shqipëri,qëndrimit pakompromis në integrimit e ish të përndjekurve politik, për reformën në Drejtësi, për dekriminalizimin e shoqërisë, për korrupsionin, trafikun e drogës, për problemet e pronës etj.

Gjatë takimit diskutuan dhe shfaqën mendime edhe Franklin Zdruli dhe Olsi Gjinko.

Më pas Kryetari Buçaj dhe shoqëruesit e tij u takuan me bashkatdhetarë dhe vizituan ekspozitat artistike që ishin hapur në mjediset e  St. Mary’s Albanian Orthodoks Church.

Kryetari i Vatrës dr. Gjon Buçaj, i shoqëruar nga Kryetari i degës John Lito(arkëtar i Festivalit Shqiptar),dy bashkëdrejtuesit e Festivalit,Greg Steffon dhe Franklin Zdruli, si dhe sekretari Thanas Gjika, të dielën u prezantua para publikut të shumtë që ndiqte Festivalin.Z. Greg Steffon i ka uruar mirëseardhjen Kryetarit të Vatrës dr. Gjon Buçaj së bashku me shoqëruesit e tij dhe ka vlerësuar ardhjen nga Nju Jorku, për t’u bërë pjesë e festivalit.

Dr. Gjon Buçaj ka përshëndetur pjesmarëësit, ka uruar organizatorët e Festivalit dhe ka vlërsuar organizimin e  përsosur dhe ruajtjen e traditave nga komuniteti shqiptar, ku brezat bashkrëndojnë të lidhur ngushtësisht me njeri-tjetrin, madje edhe me komunitetet e tjerë. Ai vlerësoi shpalosjen e traditave, kulturës, ruajtjen e gjuhës së bukur shqipe,kuzhinën shqiptare, që aq shumë u shijua edhe nga amerikanët në këtë festival 3-ditor.

Nje reportazh, qe do te publikohet se shpejti ne Dielli per Festivalin do te sjelle atmosferen festive dhe te vecantat organizative, nga te cilat duhet te mesoje Komuniteti shqiptar ne SHBA.(DIELLI)

Filed Under: Featured Tagged With: dalip greca, Kryetari Bucaj, me Vatranet ne Worcester

Flet për “Diellin” Rudina Hajdari, e bija e Heroit,që “braktisi’ Amerikën për Shqipërinë

June 7, 2017 by dgreca

RUDINA HAJDARI: BABAI IM GODITI MURIN DIKTATORIAL TË KOMUNIZMIT, UNË DHE BREZI IM DO TË NXJERRIM SHQIPËRINË NGA TRANZICIONI/

1 Rudina HajdariIntervistë me zonjën Rudina Hajdari, e bija e heroit të Demokracisë Azem Hajdari, Kandidate për deputete e Parisë Demokratike në Tiranë dhënë Kryeredaktorit të Gazetës”Dielli” në SHBA, Dalip Greca./

4-42

 Rudina Hajdari, “braktisi’ Amerikën për ti shërbyer Shqipërisë/

Çfarë do t’i japë Kuvendit, Rudina Hajdari, e bija e themeluesit të PD-së, parlamentarit më aktiv,  heroit të demokracisë, Azem Hajdari? Është kjo një nga pyetjet që i drejtuam Rudina Hajdarit, kandidate për deputete e Partisë Demokratike të Shqipërisë në zgjedhjet e 25 Qershorit. Përgjigja e saj është e sigurtë:”Do të luftojë fort duke nxjerrë në pah të gjithë cilësitë më të mira të babait, por në mënyrën time”.

Rudina synon që të jetë një politikane e ndershme dhe me këtë nënkupton besimin se: të gjithë jemi të lirë, lindim të barabartë dhe se të gjithë duhet të jemi në gjendje të përparojmë bazuar në aftësitë dhe pasionet tona, dhe se do të flasë hapur dhe do mbrojë të vërtetën, edhe nëse ajo bie ndesh me më të fuqishmit e shoqërisë. Moto e saj është: Interesat e Shqipërisë para çdo interesi tjetër!

Rudina i ka të gjitha kualifikimet për të qenë një përfaqësuese e denjë e qytetarëve shqiptarë në Parlament: Ka kryer studimet universitare Bachelor në Shkencat Politike në SHBA, ka vijuar studimet e nivelit Master Shkencor në Gjeopolitikë, Territor dhe Siguri në Londër për të përfunduar me studimet e nivelit Master Shkencor në Të Drejtat e Njeriut po në SHBA. Vec kësaj ajo ka trashëgiminë dhe vizionin për të ardhmen e Shqipërisë Evropiane. Le ta ndjekim intervistën:

Gazeta Dielli:-Si ndihet Rudina në garën elektorale si kandidate për deputete e PD-së?

–Rudina Hajdari:-Ndjesia e parë nuk është thjesht kënaqësi personale. Ajo është përkatësia ime reale, realizimi i një rruge të gjatë, jo vetëm e imja, por i një rrugëtimi krenar pasi i përket forcës politike së cilës i përkas çdo orë e sekondë të jetës sime.

Nuk ka rëndësi fakti i renditjes time në listën e Tiranës dhe nuk e bën këtë betejë më të lehtë. Ajo që e bën garën e fortë, konkurrimin të vërtetë dhe real, ajo që i jep përmasën e natyrshme kësaj fushate, më të veçantës nga të gjitha të tjerat, është fakti i ndërthurjes së natyrshme të trashëgimisë, forcës, vërtetësisë së Partisë Demokratike dhe vizionit të së ardhmes, vizionit të Republikës së Re. Jam e sigurt që me vullnetin e duhur do hyjmë në një etapë të re për Shqipërinë që i ofron shqiptarëve një politikë frytdhënëse dhe një demokraci të drejtpërdrejtë dhe gjithëpërfshirëse.

–Dielli:– A ishte një surprizë për ju përfshirja në listën e kryetarit të Partisë Demokratike,z. Lulzim  Basha?

–Rudina Hajdari:-Personalisht, i jam mirënjohëse Kryetarit te Partisë Demokratike z. Lulzim Basha që vlerësoi prezencën time në ekipin e tij. Për mua është një privilegj dhe një përgjegjësi e madhe të garojë si nën siglën e PD-së, të një partie që përfaqëson frymën e parë të demokracisë dhe vlerat euro-atlantike, si një prirje e natyrshme e shqiptarëve.

–Dielli:– Çfarë do t’i japë Kuvendit, Rudina, e bija e themeluesit të PD-së, parlamentarit më aktiv,  heroit të demokracisë, Azem Hajdari?

–Rudina Hajdari:-Dua të nxjerr në pah të gjithë cilësitë më të mira të babait tim, por në mënyrën time. Këtu, më lejoni të veçoj disa. Dua të jem një politikane e ndershme dhe me këtë nënkuptoj besimin se të gjithë jemi të lirë, lindim të barabartë dhe se të gjithë duhet të jemi në gjendje të përparojmë bazuar në aftësitë dhe pasionet tona. Unë dua të flas hapur dhe do mbroj të vërtetën, edhe nëse kjo bien ndesh me më të fuqishmit në shoqëri. Gjithashtu, dua të vendos interesat e Shqipërisë para çdo interesi tjetër.

–Dielli:- Besoni që brezi juaj me të vërtetë do të integrojë Shqipërinë në BE, Çfarë nuk është arritur në këtë tranzicion të zgjatur?

–Rudina Hajdari:-Në këto 26 vite tranzicion Shqipëria ka pasur përparime të mëdha. Sot, Shqipëria ka një sistem politik të gjallë, është anëtare e NATO-s dhe është në rrugën e integrimit në Bashkimin Europian. Shqiptarët udhëtojnë lirisht në Europë dhe kemi në krah aleatë të fortë perëndimorë si Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vende të tjera të Europës. Por s’duhet harruar që Shqipëria ka përjetuar një tirani komuniste të pashembullt në Europë dhe se tranzicioni është me i ndërlikuar sesa mund ta kemi perceptuar. Deri tani, ka qenë qeverisja e djathtë ajo që ka dhënë kontributin më të madh në plotësimin e kushteve të Bashkimit Europian, në kuadër të çeljes së negociatave të anëtarësimit. Kemi akoma shumë punë për të bërë përsa i përket zbatimit të ligjit të dekriminalizimit në Parlament dhe reformës në drejtësi, por jam e lumtur që këto hapa po ndërmerren në mënyrën e duhur, duke përfshirë kontributin e padiskutueshëm të Opozitës. Krizat politike dhe institucionet e dobëta e kanë lodhur procesin e anëtarësimit. Gjithsesi mendoj se përfshirja e të rinjve në politikë është një shenjë pozitive për sa i përket përfundimit të tranzicionit në vend dhe integrimit të Shqipërisë në strukturat Euro-Atlantike.

–Dielli:– Sipas mendimit tuaj, duke qenë se keni jetuar për një kohë të gjatë në SHBA, çfarë duhet të bëhet ndryshe në Shqipëri?

–Rudina Hajdari:-Eksperienca ime në Amerikë ka qenë e vlefshme për të fituar një kulturë perëndimore, por kjo s’do të thotë që vendi im nuk ka qenë pjesë e  kultivimit të karakterit tim. Mendoj se demokracia e drejtpërdrejtë është një nga gjërat që akoma i mungon Shqipërisë si dhe gjithëpërfshirja e te gjithë faktorëve shoqërorë në vendimmarrjet publike. Gjithashtu mendoj se sipërmarrja private duhet të operojë në mënyrë më të pavarur dhe bizneset duhet të jenë më pak të ndikuara nga rrethanat politike në vend.

–Dielli:- Ju keni përfunduar studimet universitare Bachelor në Shkencat Politike në SHBA.  Më tej keni  vijuar studimet e nivelit Master Shkencor në Gjeopolitikë, Territor dhe Siguri në Londër për të përfunduar me studimet e nivelit Master Shkencor në Të Drejtat e Njeriut po në SHBA? Si e shikoni politikën shqiptare, nga këndvështrimi juaj me këtë background të pasur arsimor?

–Rudina Hajdari:-Partneriteti strategjik i Shqipërisë me aleatët euroatlantikë, veçanërisht me SHBA-në,  është shpresa dhe rruga e vetme e së ardhmes, e cila jo vetëm shëron çdo plagë të së shkuarës, por e bën të qartë dhe të vërtetë vizionin e saj për këtë ardhmëri. Shqipëria dhe faktori shqiptar në Ballkan, pavarësisht rrethanave, sfidave dhe përpjekjeve të të gjithë atyre që nuk e duan të ardhmen e këtij kombi, kanë një aleat të natyrshëm të ngulitur thellë në ndërgjegjen e këtij kombi, vokacionin perëndimor. Të gjitha përpjekjet e politikës shqiptare duhet të jenë në koherencë të plotë me këtë vokacion. Çdo lloj deviacioni është në dëm të kombit shqiptar dhe të ardhmes së tij.

–Dielli:– A mendoni se Shqipëria mund të dalë nga gjendja e rënduar e kultivimit, trafikut të drogës dhe  korrupsionit të nivelit të lartë?

–Rudina Hajdari:-Absolutisht po. E gjithë përpjekja e Partisë Demokratike,  jo vetëm në 90 ditët e çadrës, por dhe në më tej ka qenë ndërgjegjësimi i këtij fenomeni të shëmtuar dhe ndalimi sa më parë i trafikut të drogës dhe kultivimit të saj në vend. Lufta e të gjithë institucioneve shqiptare të papërfshira në këtë trafik, përpjekjet e mijëra  punonjësve të Policisë, të paimplikuar, të njerëzve të ndershëm, të shërbimeve të inteligjencës, në bashkëpunim me aleatët perëndimorë, sigurisht, që e bëjnë të mundur.

Është e dhimbshme që ne, një shtet me bukuritë e mrekullitë e natyrës, vendi me moshën më të re  në Europë, të etiketohemi si Kolombi e Europës dhe qindra mijëra të rinj të braktisin këtë vend për të kërkuar të ardhmen diku tjetër.

–Dielli:-A e shihni përfshirjen tuaj në politikë si vazhdim të punës së atit tuaj, ose më shumë se kaq?

–Rudina Hajdari:-Im atë pati guximin, karakterin dhe inteligjencën të ngrihet kundër diktaturës. Përplasjet e tij si luftëtar i lirisë, pluralizmit dhe demokracisë i dhanë atij një rol historik. Në qoftë se im atë goditi  murin diktatorial të komunizmit dhe pati rolin e tij në ardhjen e lirisë, unë kam synimin dhe vizionin të kontribuoj në mbrojtjen dhe avancimin e mëtejshëm të këtyre të drejtave.

–Dielli:– Ndërkohë, ju jeni larguar nga SHBA!  A mendoni se do të pendoheni për këtë vendim që keni marrë?

–Rudina Hajdari:-S’do pendohem kurrë për këtë vendim që kam marrë. Amerika është aty dhe nuk pret për mua, kurse Shqipëria është vendi im dhe pret të rinj e të reja që gjallërojnë jetën politike, ekonomike dhe kulturore me ide inovative, bazuar në eksperiencën më të mirë Perëndimore. Për mua, largimi nga Shqipëria krahasohet me atë ndjesinë kur nëna të jep lirinë të ikësh në momentin që ti kërkon pak pavarësi, për t’u kthyer sërish tek ajo në momentin që ka nevojë për ty, për mbrojtjen tënde.

–Dielli:-Çfarë mesazhi do t’u jepnit mijëra të rinjve shqiptarë që janë arsimuar në SHBA apo Europë?

–Rudina Hajdari:-Demokracitë e zhvilluara nuk janë të përsosura. Fakti që Shqipëria është akoma duke ndryshuar, u ofron më shumë hapësirë të gjithëve për t’u bërë pjesë e këtij ndryshimi. Besoj se kjo do të ishte më e çmuar se sa një gjurmë e vogël në një vend të zhvilluar. Këtu të rinjtë dhe të rejat  kanë mundësinë të japin kontributin e tyre dhe të kenë një ndikim të drejtpërdrejtë në zhvillimin e Shqipërisë. Ne nuk duhet të shohim Shqipërinë si inferiore ndaj shteteve që janë më të zhvilluara, sepse kemi shumë arsye për t’u krenuar me vendin tonë. Sa më shpejt të rinjtë të na bashkohen aq më shpejt do t’i arrijmë objektivat për një Shqipëri me një demokraci dhe ekonomi të zhvilluar, sikurse e meriton vendi ynë i mrekullueshëm.

–Dielli:-Rudina, faleminderit për Intervistën dhe urime në zgjedhje!

Rudina: Faleminderit Diellit!

Filed Under: Featured Tagged With: dalip greca, Interviste per Diellin, Rudina Hajdari

KRYETARI I VATRES: VATRANET DREJT KUVENDIT TE 10 QERSHORIT

June 3, 2017 by dgreca

8-5 Jacksonville

NË PRAG TË KUVENDIT, KRYETARI I VATRËS VIZITOI DEGËT NË FLORIDA, HARTFORD, MICHIGAN DHE TORONTO/

9-5Tampa8-4 Ago agaj8-6 Jacksonville9-4 dega Orlando9-6 dega Hartford9-1 detroit ok

Gjatë muajve prill dhe maj 2017 Kryetari i Vatrës, dr. Gjon Buçaj, i shoqëruar nga arkëtari, anëtar i Kryesisë Marjan Cubi, vizituan degët e Vatrës në Florida, duke organizuar takime në Tumpa- Cleartwater, Jacksonville dhe Orlando, më pas vizituan degën në Hartford, CT, duke vazhduar me degët në Michigan dhe në Toronto, Kanada.Në këto vizita ishin edhe zonjat Nikoleta Buçaj dhe Dila Cubi. Në raportin që kryetari dha në Kryesinë e Vatrës me  falenderoi drejtuesit dhe bashkëpunëtorët e tyre në këto degë për masat organizative dhe për bujarinë e treguar.Duke qenë se këto vizita u bënë në prag të Kuvendit vjetor të Vatrës, ne i kërkuam dr. Buçajt, që të jepte një intervistë informuse për Kuvendin dhe për takimet me degët.

8-2 shkolla Tampa8-3 Abetare8-7 gratee jackson9-2 Kujtimi9-3 Gani Vila9-7 TorontoDielli:- Dr. Buçaj, po afron data 10 qershor, datë kur do të organizohet Kuvendi i Vatrës. Si po shkojnë përgatitjet?

Dr. Buçaj – Përgatitjet po shkojnë mirë, por ma me ngadalë se sa pritej dhe se sa do të duhej.

Dielli:- Çfarë presin vatranët nga ky Kuvend?
Dr. Buçaj
– Antarët kryesisht presin se kush do të zgjidhet në udhëheqësinë e re dhe cili do të jetë programi i Vatrës për të ardhmen.

Dielli:- Priten ndryshime?

Dr. Buçaj – Pikërisht priten ndryshime në organet drejtuese, pse ky asht Kuvend Zgjedhor dhe kjo udhëheqësi e ka krye mandatin e vet.

Dielli:- Në prag të Kuvendit, ju keni marrë një turn nëpër degë, me çfarë qëllimi?
Dr. Buçaj
– Si dihet, Kuvendi i vitit të kaluem u shty e mandej u anulue për mungesë të shumicës së degëvet për të përgatitë me kohë listat e antarëve të rregulltë dhe të delegatëvet që do të merrnin pjesë në Kuvend. Kjo ka ndodhë deri dikund për plogështinë e udhëheqësisë së degëvet, por edhe për shkak se tek antarët kishte ra entuzjazmi i fillimit kur degët janë themelue. Ky asht nji fenomen që vërehet gjithëkund, prandej asht nevoja që herëmbashere të kontaktohen Këshillat e Degëvet edhe antarët direkt, për të frymëzue riaktivizimin. Si thotë fjala popullore, zjarmi duhet ngacmue për t’a mbajtë të ndezun.
Dielli:- Çfarë është e përbashkëta që konstatuat gjatë takimeve që organizuat në këto degë?
Dr. Bucaj
– Pikësëpari bujaria karakteristike e shqiptarëvet dhe mikpritja e përzemërt si nga ana e kryetarëve me bashkëpunëtorë, ashtu edhe nga antarët, të gjithë i gëzoheshin takimit me ne dhe e çmonin vizitën.
Nji e përbashkët tjetër vërehet edhe nevoja për të shkëmbye mendime dhe, sidomos, për të sqarue qëndrimet e Vatrës që shpesh interpretohen në mënyrë të gabueme për mungesë informimi. Njerëzit kanë zakon të ndikohen nga interpretimet gojore ma shumë se sa nga shtypi i Vatrës, të cilin pothuej se nuk e lexon kush përveç vatranëve, madje edhe shumë nga ata nuk e lexojnë me vemendjen e duhun. Interesim dhe shqetësimi për gjendjen politike në vendlindje asht nji tjetër e përbashkët me randësi.
Dielli:- Nëse do të ndaleshim tek dega në Tampa Bay-Clearwater, çfarë do të veçonit nga veprimtaria e saj?
Dr. Buçaj
– Në Tampa asht nji degë që funksionon mirë, por edhe atje, dukunija e ramjes së entuzjazmit ka pasë si rjedhim pakësimin e numrit fillestar të antarëvet, si gati në të gjitha degët e tjera, por ai numër që i ka ndejtë besnik Vatrës, asht solid dhe udhëhiqet nga nji grup që janë të përkushtuem dhe kanë harmoni në mes tyne. Kremtimi i Ditës së Flamurit dhe, sidomos, funksionimi i shkollës shqipe, janë dy suksese vërtetë për t’u lavdërue. Ajo asht nji ndër degët e rralla që kanë qenë gati për Kuvend edhe në vitin e kaluem. Në Tampa u shtrue nji darkë me muzikë e valle, për të festue 105 vjetorin e themelimit të Vatrës. Aty patëm kënaqsinë e veçantë se erdhi nji kolonel i ushtrisë amerikan, shqiptar, baba i të cilit ka qenë shokë i imi i fëminisë.
Dielli:- Po dega në Jecksonville, e cila ishte dega e parë që u krijua pas 100 vjetorit të Vatrës në shtetin e Floridës-Çfarë ka mbetur nga entuziazmi i fillimit?
Dr. Buçaj – Edhe Dega e Jacksonville-it ka pësue nga ramja e entuziazmit të parë, por edhe atje asht nji grup i mirë bashkatdhetarësh të cilët i kanë qëndrue besnikë Vatrës dhe udhëheqsave dinamikë të Degës. Në Jacksonville asht vrejtë rritja e numrit të antarëvet, sidomos të rinj, në pragun e këtij Kuvendi, për të cilët le të shpresojmë se në Kuvendin e ardhshëm zgjedhor do të jenë të rregullt për të rritë edhe numrin e delegatëve.  Dega e Jacksonville-it asht gjithënji aktive në komunitet dhe, gjithashtu, ka shkollën shqipe me numrin e nxanësave gjithënji në rritje.
Edhe në Jacksonville, si në Tampa, u theksue 105 vjetori i Vatrës me darkë dhe kremtim me muzikë e valle. Atje ndodhi nji kangëtare nga Shqipnia, e cila argëtoi falas të pranishmit.

Dielli:- Ndërkohë dega e Orlandos duket se po jep shenja rigjallërimi? Ju bëtë një takim dhe me këtë degë, çfarë konstatuat?

Dr. Buçaj – Edhe me Degën e Orlando’s takimi ishte i përzemërt, gjatë drekës në restorantin e nji qifti shqiptar, në udhtim prej Tampa’s në Jacksonville. Aty u njoftuem me pronaren bujare dhe me disa vatranë që i takonim për herë të parë.
Edhe atje historia e entuzjazmit ishte e ngjajshme me vendet e tjera. Përveç asaj, Kryetarja e Degës, Florisiana dhe bashkshorti saj Ermal Ahmeti na treguan se dy herë kishin mbledhë shumë bashkatdhetarë për përvjetorin e pavarësisë, por financiarisht kremtimi nuk kishte përfundue me sukses. Florisana është shumë e intersuar për mbarvajtjen e deges dhe sic na tha po perpiqej  me gjetë mënyra afrimi për shqiptarët e Orlando’s dhe na u lut që, kush ka miq e të njohun në atë zonë, t’i porosisin që t’i afrohen degës së Vatrës.

Dielli:- Organizuat edhe një takim me degën e Vatrës në Hartford, si shkoi takimi dhe çfarë e karakterizon këtë degë?
Dr. Buçaj – Dega në Hartford ka përballue dy probleme. Së pari, nji grup u nda për mungesë të bshkëpunimit të kryetarit të parë me bashkëpuntorët e vet dhe, së dyti, kryesia e re e Degës ka bashkëpunue me nji grup aktivistash për formimin e nji shoqate në emën të komunitetit, tue marrë pjesë në të dy formacionet. Ma vonë asht krijue njifarë distance për shkak të inconveniences me marrë pjesë si antarë në të dya. Megjithatë edhe në Hartford asht nji grup i përkushtuem për Vatrën dhe e sigurojnë funksionimin e saj, me moton “ma mirë pak e sakt se shum e për lum”.
Dielli:- Mesazhi juaj para Kuvendit të Vatrës?

Dr. Buçaj – Të shkojmë në Kuvend me frymzimin e idealizmit  atdhedashës, të bisedojmë vllaznisht dhe të hartojmë programe pune për të ardhmen.  Të zgjedhim përsona të përshtatshëm, të cilët do ti përkrahim që bashkarisht të realizojmë premtimet e Kuvendit.

Dielli: Ju shkuat edhe në Michigan, me cfarë mbresash u larguat që andej?

Dr. Gjon Buçaj:- Gjendja në Michigan është e mirë. Ata e kanë ruajtë numrin prej më shumë se 70 anëtarë. Janë të rergullt edhe me listat e anëtarësisë dhe pagesat. U ndjemë mirë se me ne ishte edhe vatrani i kahershëm dhe anëtar i Këshillit të Vatrës z. Kujtim Qafa. Biseduam lirshëm, madje shfrytëzuam edhe ftesën e z. Gani Vila për të dhënë intervistë në Televizionin e tij e për të sq1aruar opinion rreth Vatrës dhe qëndrimeve të saj.

Dielli: Po dega e Vatrës në Toronte si e kishet gjendjen?

Dr. Buçaj: Edhe në Toronto, si kudo e duan Vatrën.Takimi u organizua në shtëpinë bujare të zv/kryetarit të Vatrës, z. Qamil Saliu. Ne patëm një takim atje me kryesinë e Vatrës. Kryetari i degës z. Toni Sufaj bëri një raport për veprimtaritë e degës, ndërsa unë fola për Kuvendin dhe qëndrimet e Vatrës. Duke qenë se është përgatitë një raport me shkrim për këtë takim, që Dielli besoj se do ta botojë numrine  ardhshëm, nuk po shtoj gjë tjetër.

Dielli: Faleminderit për intervistën!

Dr. Gjon: Bucaj: Unë ju falenderoj!

(Intevistoi:Dalip Greca)

Filed Under: Featured Tagged With: dalip greca, Gjon Bucaj, KRYETARI I VATRES: VATRANET DREJT KUVENDIT, TE 10 QERSHORIT

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 509
  • 510
  • 511
  • 512
  • 513
  • …
  • 902
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • KUJTIME PER ITALIANIN DOM ANTONIO SHARRA
  • MASAKRA E TIVARIT MARS-PRILL 1945
  • Kuptimi i Pashkëve Ortodokse – midis ritualit dhe ringjalljes së ndërgjegjes
  • RIKTHIMI I MUSTAFA MAKSUTIT NË FAQET E HISTORISË
  • Shqipëria në politikën ballkanike të Austro-Hungarisë
  • Eliot Engel, in memoriam…
  • VATRA TELEGRAM NGUSHËLLIMI PËR NDARJEN NGA JETA TË ELIOT ENGEL, MIKUT TË MADH TË KOMBIT SHQIPTAR
  • Përkujtojmë në përvjetorin e lindjes një nga figurat e Rilindjes Kombëtare, Aleksandër Stavre Drenova
  • GËRSHËRA E ARGJENDTË
  • Përgjithmonë vetëm mirnjohës për Kongresmenin Eliot Engel
  • PËRKUJTIM PËR ELIOT ENGEL, NJË MIK I PAZENDËVËSUSHËM, ZËRI I SHQIPTARVE NË SHBA
  • Meditim para varrit të Faik Konicës
  • Bashkimi i Diasporës Shqiptare të Greqisë
  • “Fortifikimi ilir i Komlikut në Fregen dhe Ungrej të Lezhës (Mirdita Etnografike)”
  • “The Real Thing”: A Conversation with Luljeta Lleshanaku

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT